• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Journey of faith”

August 22, 2025 by s p

The people of Kosova hold dear the principles of compassion, service, and steadfast faith—values exemplified in the life and work of Mother Teresa. Her time in Kosova, particularly during her youth, was both spiritually significant and deeply formative. It was during one of her visits there that she received her calling, setting her on a path that would go on to inspire the world. The upcoming performance on September 6 at the Music Center at Strathmore, Journey of Faith: A Musical Tribute to Mother Teresa, honors not only her legacy but also the universal call to serve with dignity and purpose. I commend this initiative and invite all who attend to reflect on the enduring power of these ideals.

His Excellency Ilir Dugolli, Ambassador of the Republic of Kosovo in Washington, D.C.

👉For more information on this event, visit: https://www.strathmore.org/…/journey-of-faith-a…/

Filed Under: Reportazh

REGJISORI BESIM SAHATÇIU I RINGJALLUR NGA PENA E KOPI KYÇYKUT

August 22, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Shumë vite më parë, atëherë kur njeriu te ne fshihej edhe nga vetja, ashtu si vjedhurazi, pata parë në një stacion televiziv jugosllav, një film që më tronditi. Më tronditi dhe më la mbresa të pashlyera. Quhej “Era dhe lisi” dhe fliste me vërtetësi rrëqethëse dhe një guxim të pabesuar për fatin e shqiptarëve atje. Veç kësaj, ishte dhe loja e mahnitshme e aktorëve dhe sidomos atij kryesorit, Abdurrahman Shalës, portretin dhe karakterin artistik të të cilit do ta kishin zili edhe ata në Hollivud. Po asnjëherë nuk e mësova se cila qe ajo dorë që i kishte përzgjedhur këta aktorë virtuozë dhe ajo mendje që e kishte realizuar këtë film, që jo vetëm i bënte nder Kosovës, por dhe tregonte se ç`forcë krijuese kishin intelektualët e saj, pa harruar të përbotshmin Bekim Fehmiu. Por ja si është jeta; miku im i shtrenjtë, akademiku Kopi Kyçyku, ai i dituri, energjiku, shoqërori, tokësori e prodhimtari i rrallë, ma shuajti kureshtjen, duke më dhuruar librin – album të tij “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Këtu zbulova regjisorin enigmatik të atij filmit mbresëlënës, por dhe gjeta një figurë poliedrike që gjithë talentin dhe aftësitë e tij profesionale i vuri në shërbim të vendit të tij fatkeq. Përherë kam menduar se pas luftës çlirimtare në Kosovë, e cila kushtoi jetën e mijra e mijra njerëzve të pafajshëm, të paktën shkëmbimet kulturore, pra ato shpirtërore, mes dy vendeve të ndara poshtërsisht, do intensifikoheshin. Por kurrë nuk e kuptova apatinë zyrtare për të dhënë e marrë në këtë drejtim, pra për ta mbajtur të ndezur zjarrin e njohjes dhe dashurisë mes vëllezërve dhe motrave të të njëjtit gjak, të të njëjtës histori dhe të të njëjtit fat. Ja pse duhet nxitur, inkurajuar, përkrahur dhe përshëndetur çdo nismë e marrë, çdo përpjekje e bërë, çdo veprimtari e realizuar në këtë drejtim, për të cilin nuk ke pse i merr dorën askujt. Kjo nuk ka të bëjë me atë paralajmërimin e Markezit se “Ekzaltimet nacionaliste verbojnë zgjuarsinë.” Përkundrazi, duke njohur më mirë njëri – tjetrin, ne do të bëhemi edhe më të mençur. Ja pse, ky libër i autorit Kopi Kyçyku merr një vlerë të veçantë, pasi u shkrua dhe botua në kohën kur kemi më shumë nevojë. Dhe si është shkruar. Ashtu siç di ky burrë i mençur, ky atdhetar i palëkundur, ky intelektual i përmasave evropiane. Miku i Besimit, Prof. dr. Akil Koçi në parathënien e tij të mrekullueshme ka thënë se ky autor, përveçse e ka shkruar këtë libër me ngrohtësi, me gjuhë të pastër e lakonike, me stil të rrjedhshëm e sidomos plot me vërtetësi, na e paraqet edhe “Si soditje, si reflektim dhe si komunikim …  aqsa ngjason me një refren të madh e të fuqishëm, si metamorfozë e përjetshme, si këngë e universeve, si një qenie ndijimi që nuk shter, si një muzikë e këndshme, që na sjell një doktrinë të mahnitshme, frymëzuese, optimiste.” I gjithë libri, që nga faqja e parë e deri në fund, nuk është thjesht një monografi e rëndomtë, nga ato që lindi, jetoi dhe vdiq, por një trajtesë plot vlera sociale, politike, profesionale e deri filozofike që na jep jo thjesht formimin dhe veprën e një njeriu të përmasave të pazakonta si Besim Sahatçiu, por edhe një himn për atë që gjithë mundësitë e tij, e deri shpirtin e papërlyer ja dhuron si një detyrim moral popullit të vet e çështjes madhore të tij. Kopi, me të drejtë e quan Besimin korife. Po, i tillë del ai në këtë jetëshkrim të një lloji krejt të ri. I bukur në të parë, i ëmbël, i urtë, i mbushur me vullnet, përherë i menduar dhe me një shikim të tretur larg e plot dritë, ai kuptohet lehtësisht se ka vetëm një preokupim: si të arrijë më të mirën. Dhe jo vetëm kaq; por si ta ngrejë nivelin atje ku nuk e ka çuar kush, atje ku me përparimet e sotme ka mbërritur arti skenik evropian, i cili asnjëherë nuk lë jashtë vëmendjes tragjikët e lashtë apo Shekspirin. Dhe është i bindur se kësaj i paraprin dija e kultura. Jo pa qëllim, ai vetë, pasi evokon Pushkinin i cili qysh atëherë çuditej me “Revizorin” e Gogolit: “Si është e mundur që me aq zotësi të deshifrohet njeriu dhe të paraqitet sakaq i tëri, vetëm me ca vija, si të ishte i gjallë?” dhe bashkëkohësin, historianin e artit d`Amiko që thosh: “Suksesi i Revizorit qe tejet i madh në kohën e vet, por mbeti i këtillë edhe pas një shekulli…”, shton nga ana e tij se këtej u nisëm edhe ta inskenojmë për herë të parë në skenën tonë të re… Prandaj shpresojmë se jemi në shërbim të tij (Gogolit) dhe të publikut tonë. Dhe në vazhdim të këtij qëndrimi, Besimi, kur vjen fjala tek aktori, mendonte se “Mbresat nuk kanë të bëjnë me doemos me përmasat e rolit, ngaqë bëhet fjalë që cilido aktor të jetë në gjendje, në vetëm disa çaste, të krijojë një imazh aq mprehtësisht të ngjizur, aq thellësisht të përcaktuar për mendjen dhe shpirtin, saqë më tej të mos ndahet për vite me radhë nga mendja.” Duhet pranuar se Besim Sahatçiu, krahas të qenit njeri i veprimit, pra një organizator mjaft i aftë për të përgatitur një pjesë për teatër apo film, ishte në radhë të parë një njohës i thellë i të fshehtave të këtij arti, pra ai ishte një teoricien në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe për këtë të vërtetë, askush tjetër më mirë se enciklopedia e gjallë Kopi Kyçyku, nuk mund të na bindë. Besimi i provoi të dy ekranet dhe skenën e teatrit me sukses, brenda atyre mundësive që kishte Kosova. Madje, ai edhe guxoi t`i maste forcat me dinjitet nëpër tridhjetepesë festivale të ndryshme me të huajt, si në Itali, Portugali, Spanjë, Poloni, Turqi, Siri, Kroaci, Tiranë etj. Mësimet e Akademisë së Arteve në Zagreb, djalit nga Peja e mahnitshme e plot virtyte, i kishin vlejtur shumë, por ai nuk iu nda asnjëherë studimit, çka e dëshmon dhe biblioteka e tij e pasur, dhe sidomos shkëmbimit të mendimeve me njerëzit e shquar të letrave dhe artit në Kosovë. Ai e kishte kuptuar dhe e zbatoi në jetë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë me ta. Me shokët e miqtë që i donte aq shumë, ai u soll si Akati i Virgjilit tek “Eneida”. Por Atropoja, të cilës i bindej edhe vetë Zeusi e preu fatalisht fillin e jetës së tij, atje ku e kishte paracaktuar motra e saj e vogël Klotoja. Ditën që ai u mbulua me dheun e lirë të vendlindjes, Parajsa u lumturua, por arti dhe kultura u zhytën në zi e trishtim. Për gruan e tij Besa, koha e Astirias perëndoi. Tani ajo mund të përsëriste fjalët e Tarita Teripaiës për vdekjen e Marlon Brandos “Dhe tani, do të përpiqem të pranoj atë që është jeta ime pa të.” Do ngushëllohesh vetëm me djemtë e mirë, Besnikun dhe Bekimin dhe sidomos me Rita Orën, mbesën e saj që po nderon me talentin e spikatur si këngëtare, jo vetëm Kosovën, por mbarë Shqipërinë, të cilën ka treguar se e ka në zemër. Rita Orën e cila përherë e kujton gjyshin e saj flokëbardhë: “Më mungon gjysh… / Të dua shumë…/ Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. / Ti besove tek unë para se unë vetë / të besoja në veten time. / Të do Rita Pita!” Kosova, pa tjetër do të krenohet gjatë me një artist si ai, i cili me atë që realizoi i bashkangjitet pa asnjë mëdyshje kolosëve të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, dhe që i dha përgjigjen e merituar shpifjeve dhe fyerjeve të shovenëve si Miodrag Bullatoviqi te libri i tij “Njerëzit me katër gishta”. Kurse ne në Shqipëri e kemi për detyrë ta kujtojmë këtë njeri duke shfaqur filmat e tij “Tre vetë kapëcejnë malin”, “Pasqyra”, “Përroi vërshues”, “Pehlivanët”, “Bukë e kripë e zemër”, “117” që e kanë quajtur “portret shpirtëror të popullit tonë”, dhe sidomos “Era dhe Lisi” që më kishte mbetur aq gjatë në mendje dhe nuk dija asgjë për regjisorin e saj. Por që tani ma tregoi kaq thjeshtë dhe madhërishëm njëkohësisht, miku im i mirë Kopi Kyçyku.  

Filed Under: Kulture

HANËMSHAHE ILAZI, ZË I PËRKUSHTUAR NË LETËRSI DHE PUBLICISTIKË 

August 22, 2025 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“Ky është gjak që nuk guxon të shkelet, ndërkaq armiqtë duhet t’i falim, por kurrë mos ua harrojmë emrat” (Jon Kenedi)

“Çdo komb që i harron fëmijët e vet të vrarë, është i dënuar të rritet pa rrënjë.” (Hanëmshahe Ilazi, (Konferenca për të Drejtat e Fëmijëve, Prishtinë, 2016) 


5 gusht 2025, Prishtinë.

Në orën letrare organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë u prezantua si e ftuar e veçantë, krijuesja dhe veprimtarja e njohur Hanumshahe Ilazi, prezantoi veprën e njohur të saj “A vriten engjëjt?!”, kushtuar fëmijëve të vrarë nga barbaria serbe në Kosovë. 

          Kjo vepër përmbledhë 1392 fëmijë të vrarë e të zhdukur nga viti 1981 deri në vitin 1999. Ashtu siç shprehet vet autorja: “Libri nuk është vetëm përkujtim, por edhe akuzë morale ndaj ndërgjegjes kombëtare por edhe botërore. Për çdo fëmijë të vrarë, autoret kanë përfshirë emrin, moshën, vendin dhe rrethanat e vrasjes, duke krijuar një mozaik të tmerrit qe përjetoi populli shqiptar në fundin e shekullit 20.” Redaktori i librit, Nusret Pllana. i njohur për dokumentet e tij nga masakrat serbe rreth librit shkruan: “Ky libër, përveç se paraqet përmasën e tragjedisë kombëtare të shqiptarëve, ku janë vrarë dhe janë masakruar edhe fëmijët, pra ardhmëria e tyre, në të njëjtën kohë është një homazh njerëzor për qeniet më të brishta dhe me engjëllore të një populli, në këtë rast të fëmijëve shqiptar.” 

Në vështrimin e tij rreth librit “A vriten engjëjt?!” Don Lush Gjergji shkruan:” Të martirizuar , domethënë dëshmorë dhe dëshmitarë për diçka që ne na duket e pabesueshme, gati e pamundshme, vdekje për ide dhe ideale më të larta të jetës, të lirisë që nuk e kanë njohur dhe shijuar, të kohës dhe rrethanave të cilat si rrebeshi, tërmeti, zjarri, vërshimi nuk njohin dhe nuk kursejnë askënd dhe asgjë. Historia e jonë i përngjanë historisë biblike, vrasje e Fëmijëve të Pafajshëm…. Mirëpo, gjaku i tyre mund t’na godas edhe neve nëse nuk dimë t’i çmojë, t’i nderojmë, ta kryejmë dhe zbatojmë porosinë dhe testamentin e tyre të shkruar me gjak, të vulosur me vdekje, të derdhur me pafajësi dhe me dashuri.” 

Poetja, Shqipe Bytyi në fjalën e saj prezantuese tha: 

“Hanëmshahe Ilazi është një prej zërave më të përkushtuar te letërsisë dhe publicistikës shqiptare, me një mision të qartë, të mos harrohet asnjë fëmijë i vrarë nga makineria serbe në Kosovë. E lindur në Ferizaj, e shkolluar nė Ferizaj dhe Prishtinë ajo ka jetuar dhe dokumentuar tragjeditë e popullit të saj me ndjeshmëri njerëzore dhe vetëdije kombëtare. Ky libër dokumentar “A vriten engjëjt?”, nje përmbledhje dëshmuese për 1392 fëmijë të vrarë e të zhdukur shqiptarë nga viti 1981 deri më 1999. Vetë autorja e përshkruan këtë libër si një akt qëndrese ndaj harresës „ Fëmijët e vrarë nuk janë vetëm viktima, ata janë pasqyrë e barbarisë që nuk guxon të amnistohet.” (Hanëmshahe Ilazi, për Radio Kosova, 2014). 

Hanëmshahe Ilazi ka botuar edhe vepra të tjera si:

“Drenicë, jemi me ty”, një homazh për simbolin e qëndresës shqiptare.

“Fëmijët dëshmojnë”, ku përmes intervistave dhe rrëfimeve reale, fëmijët e mbijetuar flasin për përjetimet e tyre gjatë luftës.

“Çdo komb që i harron fëmijët e vet të vrarë, është i dënuar të rritet pa rrënjë.” – thotë Hanëmshahe Ilazi. (Konferenca për të Drejtat e Fëmijëve, Prishtinë, 2016)

Hanëmshahe Ilazi ka dhënë një kontribut të çmuar në arsimimin dhe edukimin patriotik të gjeneratave të reja. Ajo ka ligjëruar, organizuar orë përkujtimore, lexime publike dhe përurime librash në shumë shkolla të Kosovës.

Stili i saj është shpesh i përmbajtur në fjalë, por i rëndë ne peshë emocionale. Ajo zgjedh të tregojë dhimbjen përmes faktit, jo përmes retorikës. Kjo e bën veprën e saj të fortë, të dëshmueshme dhe ndërgjegjësuese.

Hanëmshahe Ilazi nuk është vetëm një shkrimtare. Ajo është aktiviste dhe arkiviste e dhimbjes se një kombi dhe rojtarja e kujtesës së atyre që i vranë, i zhdukën dhe që s’patën mundësi të flasin. Vepra e saj duhet të lexohet jo vetëm si literaturë, por si dokument përballje me të kaluarën dhe si test ndërgjegjeje për të ardhmen.” 

Në fjalën e saj Hanumshahe Ilazi, falënderoj të pranishmit, veçanërisht falënderoj mërgimtarët krijues që veprojnë me krijimet e tyre rreth Lidhjes së Krijuesve Mërgimtarë në vende të ndryshme. Ajo përshëndeti mike e miq që kishin ardhur nga Kukësi e Tirana dhe qytete tjera. Falënderim të veçantë gjithë atyre që e ndihmuan mbledhjen e fakteve dhe botimin e librit.

Prof. Dr. Isak Shema me praninë e tij i nderoi krijuesit mërgimtarë. Ai vazhdimisht është pjesë e aktiviteteve letrare të krijuesve mërgimtarë në Atdhe dhe vende tjera. Ai është anëtar nderi i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Dhe, në fakt, është fryti i tij i derdhur në Universitet për aftësimin e krijuesve gjeneratave. Fjala e tij është mirënjohje për krijuesit mërgimtarë, dhe jo vetëm. 

Në këtë manifestim letrar e artistik u takuan krijues nga shumë vende të botës dhe ndërruan mendime mes vete mbi jetën dhe kushtet e veprimtarisë letrare artistike. Gjithashtu u shkëmbyen mendime mbi ndikimet e krijuesve shqiptarë ne ë ndërtimin e urave kulturore afirmative me kombet tjera. U diskutua lidhur me problemet e përkthimeve të veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhët e vendeve përkatës. Tjetër horizont bisede ishte shtrirja e aktiviteteve letrare në të gjitha vendet ku ka shqiptarë, por edhe në Atdhe. Jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytet tjera në Kosovë e Shqipëri.

Filed Under: Kronike

NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I PROFESOR IDRIZ AJETIT PËR VEPRËN IL “MESSALE” DI GJON BUZUKU TË MARTIN CAMAJT

August 22, 2025 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

Në vend të parathënies

Duke kërkuar dokumente në arkivin personal të trashëguara nga Profesor Idriz Ajeti, më ka rënë të gjej e lexoj shumë tekste të karakterit dokumentar, letra, porosi, kërkesa etj., por rrallë e tek ndonjë tekst të lexuar në takime të ndryshme dhe të shkruar nga bashkautorë të shumtë, të cilat nuk i ka përfshirë në veprat e tij. Përgjithësisht Profesor Ajeti në botimet e veprave të fundit ka përfshirë edhe fjalë e recensione, të cilat nuk kanë të bëjnë me gjuhësinë dhe recensione, apo të cilat i ka shkruar që në vitet ’50 e ’60. Tekste të papërfshira në veprën e tij, por të botuara në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës janë “disa dhjetëra çështje të vogla”, sikur theksonte Profesori në një nga bio-bibliografitë e tij të fundit të viteve ’50, për çështje ortografike, fonetike, morfologjike, sintaksore e leksikografike, të cilat vazhdoi t’i botonte edhe pak kohë në vitet ’60, por nuk i përfshiu në vëllimet e tij, për shkaqe nga më të ndryshme.

Gjatë kohës që po bisedonim për vendosjen e bibliotekës së tij në një nga institucionet publike, në një rast u ngrit në këmbë u afruar pranë librave dhe më tha: “Veprën time edhe sa isha gjallë ma përgatiten dhe botuan të tjerët, për çka u jam mirënjohës, por do të doja që disa nga veprat të cilat i kam përdorur dhe cituar (Shih, Hahnin, Skokun, Çabejn dhe vetëm Çabejn etj.), t’i merrni Ju dhe t’i rishikoni citatet e plota, si dhe fusnotat e munguara brenda veprave të mia. Veprat e mia do plotësuar dhe referuar të plota dhe aty ku mungojnë fusnotat do vendosur. Lëshimet kryesisht janë bërë gjatë daktilografimit nga studimet e shkruara në skeda e shumë prej tyre tani i keni Ju dhe i keni sistemuar me sukses”.

Atë kohë, skedat e tij të shpërndara ndërmjet materialeve i pata sistemuar dhe dërguar në banesë të Profesorit, por Zonja Hajrije (gruaja e profesorit Idriz), m’i pati kthyer ‘deri sa të rishikohen veprat, me motivacione se në moshën që kishin, nuk mund të më siguronin se mund t’i ruajnë që unë t’i marr kur të më duhen’. Në të ardhmen shpresojmë t’i përfshijmë në veprën e plotë të tij, pas një redaktimi të tyre dhe plotësimi me komentet dhe literaturën e domosdoshme.

Dorëshkrimi i pabotuar

Në fushë të gjuhësisë, teksti më i plotë dhe mbase më i veçantë që kam gjetur në dorëshkrimet e tij është recensioni për disertacionin e doktoratës së Martin Camjat për gjuhën e “Mesharit” të Gjon Buzukut (I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89). Fillimisht më ka bërë përshtypje fakti se Profesor Idriz Ajeti kishte në bibliotekën e tij dy veprat e Martin Camajt (Gramatikën… dhe Doktoratën) me nënshkrime dhe vlerësime respekti nga Martin Camaj, si dhe shumicën e numrave të revistës “Shenjzat”, të cilat, sikur mund të shihet prej shënimeve në margjina, Profesor Idriz Ajeti i kishte lexuar e konsultuar, nënvizuar e komentuar në margjinë dhe prej këtyre anëshkrimeve mund të bëhet një artikull me interes për raportet e panjohura mes Martin Camajt dhe sidomos Ernest Koliqit e Profesor Idriz Ajetit.

Gjatë një dekade të botimit të revistës “Gjurmime albanologjike” 1962-1971, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filozofisë, në Prishtinë, si kolanë e përbashkët e tri serive të mëvonshme (seria e shkencave filozofike, seria e shkencave historike dhe seria e folklorit dhe etnologjisë) në Institutin Albanologjik, Profesor Idriz Ajeti ka botuar disa recensione, kryesisht për personalitete të përmasave gjithëkombëtare dhe ballkanike. Fjala është për recensionet kushtuar veprave dhe madje studimeve me karakter monografik të Profesor Eqrem Çabejt, Martin Camajt, Claus Haeblerit, Petar Skokut dhe Henrik Bariqit. Profesor Idriz Ajeti ka botuar tekste recensionale edhe më herët, te revista më e rëndësishme e kohës “Jeta e re” për dy vepra të Selman Rizës, si edhe më vonë, por ato janë kryesisht Parathënie të botimeve të kohës, si dhe referate të mentorimit të tij të kandidatëve të doktoratës të përfshira kryesisht në vëllimin e III dhe IV, të veprave të plota të botuara nga “Rilindja”, Prishtinë; si dhe veprave IV(2001) dhe V(2002) të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ky recension i Profesor Idriz Ajetit do të jetë shkruar në vitet e para të themelimit të revistës, pra për njërin nga vëllimet e revistës “Gjurmime albanologjike”, por mendojmë se arsyet e mosbotimit të tij janë të ndryshme:

e para, sepse nuk arriti ta përfundonte ashtu sikur dëshironte, e për përfundimin e tij priste të lexonte edhe botime të tjera për “Mesharin” e Buzukut, të cilave ju referohej me shënimin e papërmbyllur (“khs.”), dhe të cilat ne po i plotësojmë këtu, kryesisht si referenca në fusnotë;

e dyta, sepse ky recension u gjet në një nga çantat e hershme, të mbushura me materiale të ndryshme (dokumente, gazeta, materiale pune, blloqe shënimesh), të cilave me gjasë nuk ju është kthyer më; dhe

e treta, mbase më e qëndrueshmja, sepse pas vitit 1968 (Konsultës së Prishtinës) dhe afrimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare rrugët e tyre u ndanë në raport me qëndrimin e Profesor Idriz Ajetit dhe Martin Camajt për drejtshkrimit të gjuhës shqipe, përkatësisht standardizimit të saj. Megjithëse në plan të parë dalin përkushtimet e tyre për dhe kundër standardit të gjuhës shqipe, që do të përmbyllet në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), fakti që Profesor Idriz Ajeti kishte edhe përgjegjësi institucionale e kjo do të thotë edhe politike, në raport me ato marrëveshje ndërmjet institucioneve universitare e shkencore të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk mund të themi se nuk mori edhe sugjerime kolegjiale e vëllazërore, që të ndërpriste komunikimin dhe sidomos “vlerësimin dhe recensimin” e veprave të Martin Camajt.

Pavarësisht nga ky hamendeshim, ndarjen e tyre të ndërlidhur me proceset kombëtare për shqipen standarde e arsyetojmë me faktin se, recensioni i botuar dhe recensioni në dorëshkrim i Profesor Idriz Ajetit për dy veprat shkencore të Martin Camajt, nuk u botuan në asnjë nga botimet dhe ribotimet e mëvonshme të tij. Recensioni i Profesor Idriz Ajetit hapet me një vlerësim përgjithësues përmbi studimet bozukiane të dekadës së fundit, të cilat nuk ishin as të pakta as të rastit, përkundrazi, të thella, sintetike dhe madje fundamentale, si për asnjë shkrimtarët shqiptarë të letërsisë së vjetër. “Albanistika e mbasluftës ka shënue disa studime filologjike të dorës së parë siç janë ato të Çabejt, Buletin i Shkencave Shoqërore, 1, 2, 3, 4/1955, lidhun me gjuhën e Buzukut e me probleme të tjera albanistike rrahë në të përkohshmen që u zu ngojë 1956-1962; mandej në këtë fushë asht ba nji punë me vlerë e randësi të madhe me botimin e riprodhimit gangull të veprës së parë të gjuhësisë shqiptare – Mesharit të Buzukut, krye prej Namik Ressulit, Romë 1958. Kësaj pune i pasoi nji studim tjetër që i përket veprës që përmendëm sipër: asht fjala për gjurmimin e Martin Camajt mbi Mesharin e Gjon Buzukut, nji ndihmëse gjuhësore kjo që prek në studimin e gjenezës së veprës që e zumë ngoje”.

Ajo që të bën përshtypje këtu është përjashtimi i kontributeve të Selman Rizës, qoftë për shkak se disa prej tyre nuk i njihte, qoftë për shkak se nuk e shihte të arsyeshme t’i shquante ato.

Struktura përmbajtjesore

Ky studim, paraqitun si disertacion u mbrojt nga Camaj n’Atenenë e Romës pranë Katedrës Albanologjike t’atjeshme. Ai ngërthen në veti këta kapituj:

Parathania e autorit (6).

Hymja e tij në studimin në shqyrtim (7-10).

Kaptina e I: Drejtshkrimi: a) Alfabeti; b) H-ja si shenj grafik e fonetik (11-19).

4. Kaptina e II: Zanoret e ndërhundëshme (20-29).

5. Kaptina e III: Aspektet e gjuhës së Gjon Buzukut (33) a) Tiparet e gjuhës dhe të stilit të Mesharit (33-42); b) Futuri (32-46); c) Imperfekti (46-47); d) Infinitivi(47-48); e) Veçoritë dialektore (48-53).

6. Kaptina e IV : Huazimet e gjuhëve të hueja në gjuhën e Mesharit (54) a) Huazimet latine (54-56); b) Huazimet sllave (56-66); c) Huazimet venedikase (66-67); d) Huazimet greke (67-70).

7. Vështrime përfundimtare (71-77). Tri këngë të njohura të Triepshit (78-82); Bibliografia (83-86); Regjistri i fjalëve (87-89)”.

Sikur mund të shihet në dorëshkrim, të gjithë kapitujt dhe nënkapitujt vendosen kryerresht, me mundësi që t’i përplotësojë ato me shënime, përshkrime dhe komente të mundshme, të cilën nuk e konsiderojmë të arsyeshme të përplotësohet. Përjashtim bën fakti se në përmbajtjen e përshkruar mungon një nënkapitull me titull: Tri këngë të njohura të Triepshit, të cilin me gjasë autori nuk e ka harruar por e ka përjashtuar duke i parë ato këngë si të panevojshme.

Çështje të fonetikës buzukiane

“Në fillim të studimit të vet, kur ban fjalë mbi shenjat e ndryshme grafike, Camaj e hedh poshtë mendimin e S. Rizës, Mbi vlerën fonetike të grafivet Buzukiane Ɣ-ja (sllave) dhe u (latine), “Buletin për Shkencat Shoqërore”, 1/1958, f. 81-85, që u-ja dhe Ɣ-ja përdorë në Mesharin e Buzukut paraqesin vlerë të ndryshme fonetike; Martini i del zot gjykimit se ato janë dy grafi për të njëjtin tingull me vërejtjen që asht gjurmë e nji tradite qirilike n’ortografine e shqipes.

“Camaj, në peshimin tonë na del origjinal sidomos në punën e shtjellimit të konsonantit h që ndeshet me të madhe në Mesharin e Buzukut. Praninë e tingullit në fjalë e kërkonte te nevoja e shqiptimit t’atëhershëm të shqipes Buzukiane për ta shque mirë gjysmëvokalin ë nga vokalet e tjera të plota që në përdorjen grafike paraqiteshin njisoj”. Për këtë konstatim Profesor Ajeti i referohej studimit të Martin Camajt të botuar pak vite më parë në vjetarin “Godišnjak” të Sarajevës, bashkëpunëtor i të cilit ishte edhe ai që në fillimet e daljes së tij.

“Prania e h-së ka pas edhe nji zë tjetër që i shërbente theksimit e shqiptimit sa me të qartë të vokalevet e gjysmëvokalit pse teksti i Mesharit në shumicën e rasteve përpos që lexohej ai edhe këndohej horas në kishë, khs. veprën e zanun ngoje, f. 16”. “Na duket që Camaj trajtimit të vokaleve nazale, sidomos lidhun me gjuhën e Buzukut i ka kushtue vend bukur të hapët. Na ha mendja që ate që rrah të spiegojë të shumtën ka qene ditë edhe përpara. Camajt, me gjithë gjase, i ka dhane shkas ta shtronte rishtas çështjen e nazalitetit tue i rezervue vend të shënueshëm papërfillja e këtij problemi nga ana e Namik Ressulit në transkribimin e Mesharit të Buzukut. (Ressuli, I1 Messale di Gjon Buzuku, Città del Vaticano, Bibloteca Apostolica Vaticana, 1958). Në tanë trajtimin e kësaj çështjeje ne na duket gjykim i matun, i drejtë e i logjikshëm ai i Camajt kur thotë: “Sono convinto che la nasalizzacione nella lingua albanese non si è sviluppata in maniera unica e con fazi identice ma adeguandosi alle particolari condizioni storiche di ciascuna parlate”, f. 20”.

“Camaj ka të drejtë padyshim kur ja zë për të madhe J. Rrotës pse ai në riprodhimin e nji pjese të Mesharit të Buzukut, kur ndeshë në vokale nazale pështetet kryekreje në shqiptimin e tanishëm të shkodranishtes, ku hasim nji mori nazalesh rend-dyta. Mirëpo, mbas mendimit tonë as shembulli aneteh (anë të), Meshari i Buzukut, 296, që na sjell Camaj nuk ka urë për ta besue që në kohën e shkrimtarit tonë të jetë shqiptue ndërhundshëm, njiherë pse as në toskënishten nuk asht përftue reduktimi i vokalit të kësaj fjale në ë, pra anë e jo enë (nënv. e I.A.). Të mbështetesh në gjendjen e sodit të gjuhës për ta ndriçue nazalitetin e shqipes të para katër shekujve nuk asht rrugë e drejtë metodologjike. “Kur bân fjalë për disa aspekte të gjuhës së Buzukut, na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut. Shumë kohë para Buzukut ishin përkthye copa të tana nga Ungjilli në gjuhën shqipe që sa vete po lëmohej, përkryhej e pse përdorej nga famullitarë prej visesh të ndryshme ajo mirrte forma gjithënduersh krahinore, khs. M. Camaj, vepra e përmendun, fq.35. Camaj i del zot gjykimit që nji version i dytë pjesësh t’Ungjillit që hasen në Mesharin e Buzukut duhet të jetë përkthim i vjetër i teksteve greke, Camaj, vepra e përmendun, f. 42”.

Ajo që të bie në sy në konstatimin e parë është përkrahja që i jep në plan të parë mendimit të ri të Martin Camajt rreth autorësisë së tekstit “na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut”, i cili në pjesën e parë të disertacionit të doktoratës së tij theksonte se: “Buzuku mbështetet në një traditë të gjatë të shkrimit të teksteve të shenjta në shqipe dhe, nuk mund të shpjegohet ndryshe ajo përsosmëri e stilit dhe e gjuhës në të cilën janë shkruar pjesë të Ungjillit që lexohen në meshën e ditëve festive, veçanërisht ato pjesë të njohura e të komentuara besimtarëve prej klerit, sikurse janë parabolat […]. Shumë kohë para Buzukut kanë ekzistuar përkthime të Ungjijve në gjuhën shqipe dhe nëpërmjet një përpunimi të gjatë përmes përdorimit e ndërhyrjeve të kopistëve mbi këto tekste është arritur në një stil të vërtetë pikërisht shqiptar dhe, me shumë gjasa, drejt një pasurimi të kësaj gjuhe kishtare të përbashkët, e cila përfshinte forma të shumëllojshme të të folurave krahinore, prej nga vinin anëtarët e klerit katolik që përdornin një gjuhë të tillë”.

Për më tej studiuesja e re Arta Sulaj, e cila në doktoratën e saj e ka bërë krahasimin e pikëpamjeve të studiuesve për autenticitetin e Mesharit të Buzukut, veç tjerash thekson se: “M. Camaj, e fakton këtë përmes krahasimit të dy përkthimeve të së njëjtës pjesë të Ungjillit (Lu. I, 26-38) që ndodhen, e para në Officium B.M.V. dhe e dyta në Missale. Ai vëren se versioni i parë ndjek në gjithçka tekstin latin, ndërsa versioni i dytë është stilistikisht më i përpunuar, duke ndryshuar edhe ndërtimin e fjalisë. Sipas Camajt, dallimet mes dy varianteve janë shumë të theksuara për t’i konsideruar si përkthime të të njëjtit autor prej një burimi të vetëm latin. Versioni i dytë duket i lidhur me një traditë antike dhe në disa raste, nën një strukturë të shqipëruar, duket ndikimi i largët i tekstit grek”.

Çështje morfo-sintaksore

“Te Meshari i biem ndesh përveç futurit kam + infinitiv edhe nji trajtë tjetër, sajue prej do + prezenti të konjuktivit, forme kjo që mbas mendimit të Camajt do njehë futur origjinar i shqipes, f. 42-45)”. “Në këtë punim të vetin Camaj s’e ka lanë pa e prekë edhe çashtjen e imperfektit të shqipes, tue e vështrue nga aspekti i tij morfologjik e jo nga ai sintaksor. Në trajtesën e vet Camaj imperfektin e shqipes nuk e ka rroke në tanë vijën e zhvillimit të tij historik që ta spiegonte fillin e tij të kapërthyem. Trajtimit të kësaj çashtje i ka kushtue gati dy faqe”. Këtë çështje Profesor Ajeti e kishte të njohur për faktin se e kishte trajtuar së paku dy herë gjerësisht në këtë periudhë, në disertacionin e doktoratës, të cilën Martin Camaj e kishte të njohur gjerësisht, po edhe te monografia për Historinë e gjuhës shqipe, në botimet dhe ribotimet e të cilës “e pakryemja (imperfekti)”, është diskutuar gjerësisht në dymbëdhjetë faqe të librit.

“Ne na duket që në fushën e verbeve të shqipes kemi ndryshime mâ tepër se kudo në kategoritë e tjera gramatikore marrun në fillin historik. Nuk ka dyshim se shqipja qysh në perioda të mugëta ka pas dy trajta imperfekti imperfektin asigmatik dhe nji tjetër me g që quhet sigmatik, sikur e kanë edhe disa gjuhë të tjera indoeuropiane: sllavishtja, armenishtja, greqishtja. Mbas mendimit tonë forma e imperfektit sigmatik që dëshmohet në trajtat imperfektive të foljeve ndihjore jam, kam, thom: deshe, jeshe, ish, jeshëm, jeshët, ishnë, në të folmen çamëriote, -përkah ati vjetërsia asht formë gjenetike e shqipes. Ajo na ruhet edhe në disa verbe që hasen në ligjërime toske. Mejeri në gramatikën e vet: Kurzgefasste albanesische Grammatik, fq. 39, për vetën e III t’imperfektit sjell: martonish, shkruanish, dridhish në të cilat trajta sh-ja nuk do të jetë gja tjetër veçse mbaresa imperfektive e foljes jam”.

“Kur bâhet fjalë për imperfektin sigmatik duhet vu re edhe nji gjâ që përgjithësimi i tij në shumicën e gegenishteve nuk do vendue n’atë kohë në t’cilën u caktuen trajtat e imperfektit të verbeve jam, kam, thom”. “Edhe trajta e imperfektit asigmatik përkah lashtësia na shpie në perioda të mugëta të shqipes. Me sa po duket mbaresat e imperfektit asigmatik kanë qenë: e, e(n) te, ime, ni, inë (dridhe, dridhe, dridhish: dridhte, etj.)”. “Nuk përjashtohet mundësia që secila kategori e foljeve të ketë pasë mbaresa të veçanta imperfekti, njashtu p.sh. grupi i -n foljeve duhet të ketë mbarue me këto mbrapashtesa: -nje, -nje, (-n) te, -njin, -njit, -njin, trajta këto që janë shortue edhe në kategoritë e tjera verbale në konsonant, madje gërshetue edhe me -n konjugacionin: ishnje (ishnja), ishnje ishte, ishnjim, ishnjit, ishnjin. E mbrapashtesat e imperfektit sigmatik që bijohen nga prezenti a tema e tij i u ngjiteshin nji pale tjetër foljesh,verbeve të -n konjugacionit sikur u përmend mâ parë”.

Rëndësia e diskutimit të huazimeve sllave

“Në kaptinën e IV mbi huazimet e hueja në shqipen e Buzukut Camaj na ka t’fillue shumë anë sidomos përsa u përket sllavizmave në Mesharin e shkrimtarit tonë. Nji send i ri që në këtë fushë studimesh na âsht bâ i njoftun asht dëshmimi i Camajt që priftënit shqiptarë që n’atë kohë mirreshin me përkthime tekstesh të shejta, bashkë me Buzukun ishin në lidhje të përhershme me traditën letrare liturgjike në gjuhën popullore kroate, khs. Camaj, në veprën e përmendun, fq.59”.

“Në përmbyllje të këtij vështrimi na nuk mund të lamë pa thanë që Camaj në studimin e vet ka rrokë disa çashtje të çenësishme t’gjuhës së Buzukut shtjellimi i të cilave i ka shpumë përpara studimet albanistike dhe na e njohim ndihmesë të randësishme në fushën e gjurmimit të klasikut shqiptar”.

Dr. Idriz Ajeti

Përfundime

Recensioni i pabotuar i Profesor Idriz Ajetit për disertacionin e doktoratës, përkatësisht veprën e Martin Camajt, I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89), nuk është thjesht një tekst i mbetur rastësisht në sirtarët e Profesorit, përkundrazi, sikur mund të shihet prej të dhënave tona dhe sikur mund të deklaroheshin disa nga bashkëkohësit e tij (Rexhep Qosja, Shefqet Pllana, Anton Çetta, Latif Mulaku dhe sidomos Profesor Rexhep Ismajli), hap shumë të panjohura për marrëdhëniet e tyre gjatë një periudhe prej gjysmë shekulli. Është për të theksuar faktin se Profesor Ajeti ashtu si edhe Martin Camaj, në intervistat dhe diskutimet e tyre, nuk e kanë atakuar apo cenuar në asnjë mënyrë punën e tyre, ndërkohë që pas vitit 1968 nuk i shohim të pranishëm qoftë edhe vetëm në literaturë, emrat apo veprat përkatëse.

Filed Under: Opinion

Fjodor Dostoyevsky na tregon dramën e jetës në një skenë pa spektatorë

August 22, 2025 by s p

Albert Vataj/

PO kjo është edhe pse secili në mënyrën e vet rreket ta “shpëtojë” veten nga një ndëshkim kaq i pamëshirshëm i ligjësisë së jetës…”Por më thuaj, a mund të durojë një person kaq shumë dhimbje pa bërtitur? “Pa u shkatërruar? A mund të mbajë njeriu në zemrën e tij kaq shumë vetmi, kaq shumë frikë dhe të qëndrojë akoma sikur asgjë nuk ka ndodhur? A nuk është e çuditshme se si mund të buzëqeshim ndërkohë që digjemi brenda? Si mund ta përshëndesim njëri-tjetrin ndërkohë që jemi duke vdekur ngadalë?

Shiko përreth teje… të gjithë mbajnë maska, të gjithë fshehin pas syve të tyre një histori që nuk guxonin ta tregonin, një plagë që nuk mund ta dëgjonin. Miku im, ne nuk jetojmë; ne i luajmë rolet tona shkëlqyeshëm deri në fund, dhe kur bie perdja, askush nuk i dëgjon duartrokitjet… askush nuk e mban mend. ” Ky përkufizim i jashtëzakonshëm është si një pasqyrë e shpirtit njerëzor të çarë mes skenës dhe prapaskenës. Ai është Dostoyevskian në thelb, sepse e zhvesh njeriun nga çdo iluzion, duke e vendosur përballë një të vërtete të patjetërsueshme. Njeriu nuk është vetëm qenie që jeton, por aktor luan dramën e tij tragjik-komike dhe e përjeton në çdo ind dhe nerv, në çdo gulç dhe ofsham. Dhimbja, vetmia, frika, këto nuk shuhen, por maskohen, derisa shfaqja e jetës të mbarojë.

Këtu qëndron madhështia e këtij vizioni. Në një botë ku të gjithë luajnë rolet e tyre, buzëqeshja është një petk i stolisur, përshëndetja një replikë, kurse heshtja, tragjedia e vërtetë. Dhe ironia më therëse është se, ndryshe nga teatri ku të paktën pret duartrokitje, në dramën e jetës nuk ka as spektatorë të kujdesshëm, as memorie që të përkujtojë vuajtjen tonë, dhimbjen tënde apo t’i lagen faqet nga lotët e tu.

Ky përkufizim është një homazh i errët ndaj aftësisë së njeriut për të duruar të padurueshmen, për të fshehur zjarrin nën hirit e buzëqeshjes, për të bërë nga dhimbja një rol të shndritshëm, ndonëse pa publik. Një manifest për tragjedinë e fshehur që secili bart dhe që, megjithëse nuk e ndan dot, e bën të duket si pjesë e një skenografie të përbashkët. Një Dostoyevsk i thënë me fjalët e ditës, por me të njëjtën peshë të përjetshme: drama e njeriut nuk është ajo që shfaq, por ajo që nuk guxon të tregojë kurrë, ajo që duke u’a fshehur të tjerëve, besojmë se nuk i’a bëjmë të pranishme as vetes.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT