• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Na falni… që nuk kërkojmë falje”, një shoqëri që justifikohet edhe kur rrëzohet mbi fajin e vet

August 4, 2025 by s p

Artan Nati/

Kam pasur raste kur më është dashur të kërkoj falje dhe, në vend të një “më fal” të qetë e të sinqertë, kam kërkuar një rrugëdalje elegante, një justifikim, një “por” shpëtimtare. Jo sepse nuk doja të kërkoja ndjesë, por sepse diku brenda meje ishte ngulitur ideja se të kërkosh falje do të thotë të humbësh dinjitet, të shfaqësh dobësi. Sot, dua ta kuptoj ndryshe: ndjesa nuk është një akt humbjeje, por një dëshmi force. Dhe mbase në momentin kur ne fillojmë të kërkojmë falje pa frikë, pa “por”, dhe pa krenari të sëmurë, jemi një hap më afër të qenit njerëz të lirë, me veten dhe me njëri-tjetrin. Falja nuk është vetëm një akt mëshire ndaj tjetrit, por është një akt çlirimi nga vetja. Sepse, në fund të fundit, kur falim, kuptojmë se nuk po nxjerrim dikë tjetër nga burgu i fajit, por po hapim qelinë ku kemi mbajtur peng shpirtin tonë.

Përse ne shqiptarët duket sikur nuk e mësojnë kurrë kërkimin e faljes? Nuk është se nuk kemi gabuar. Përkundrazi, kemi një histori të tërë të ndërtuar mbi gabime epike: që nga vëllavrasjet e fisit, tek izolimi komunist, tek tranzicioni pa fund, dhe më tej në banalitetin e ditës, ku shkelim njëri-tjetrin me fjalë, me dhunë ose me forma të tjera. Por në vend të një “më fal” të thjeshtë e njerëzor, ne japim një fjalim. Dhe zakonisht fillon kështu: “Unë nuk jam perfekt, por as tjetri s’është më i mirë.” Sapo ta dëgjoni këtë frazë, kini parasysh se jeni duke dëgjuar versionin shqiptar të një kërkimfalje që nuk do të kërkojë falje. Ndjesa me bisht: Kërkojmë falje me një “por” të madh sa që eklipson vetë idenë e faljes.

Një politikan shqiptar kapet duke keqpërdorur fondet. Në vend që të japë dorëheqje dhe të thotë: “Gabova, kërkoj falje,” ai thotë: “Në këtë vend gjithmonë më sulmojnë ata që nuk arrijnë të më kuptojnë. Kërkoj ndjesë nëse ndokush është ndjerë i lënduar, por unë kam punuar pa pushim për të mirën e qytetarëve.” Ky ësht arti i kërkimfaljes pa faj, pa përgjegjësi, pa pendesë, por është vetëm një krenari e pathyeshme dhe një egërsi viktimash. Jo më kot, as në fjalorin politik, as në kulturën publike shqiptare nuk ekziston figura e “udhëheqësit që kërkon ndjesë”. Kjo është për skandinavët, thuhet shpesh, dhe jo për ne. Tek ne, udhëheqësi largohet vetëm me dhunë ose arkivol shtetëror.

Egoja jonë shpesh dëgjohet me justifikime si: “Nuk bëjmë njeri tjetër më të mirë se veten”. Nëse e sheh një shqiptar që ka bërë një gabim, shpesh ai nuk thotë: “E pranoj, më fal.” Jo, ai thotë: “Po mirë, a mendon ti se je më i mirë?” Pra, nuk ka rëndësi që ke lënduar dikë. Rëndësi ka që tjetri të mos ketë të drejtë të të kritikojë, sepse kjo do të përbënte faj madhor. Kjo logjikë na çon te një barazi absurde morale, ku të gjithë gabojnë, ndaj askush nuk duhet të kërkojë falje. E njëjta logjikë gjen vend në marrëdhëniet sociale. Në një dasmë, xhaxhai që ofendon dikë pas tre gotave raki nuk kërkon ndjesë. Ai thotë: “Nuk ta thashë për keq, e kam për të mirën tënde.” E pastaj shton me krenari: “Unë jam kështu, s’mbaj gjë në zemër.” Vërtet që s’mban gjë në zemër, por e keqja është se s’mban as përgjegjësi në tru dhe po tregon se je thjesht një frikacak që mban shpirtin peng të “burrërisë”.

Historia që nuk na mësoi përuljen, por vetëm këmbënguljen. Pse ndodh kjo? Sepse jemi rritur në një kulturë të nderit të keqkuptuar, ku të kërkosh falje është njësoj si të rrëzohesh përpara tjetrit. Në diktaturë, të pranosh faj ishte të nënshkruaje dënimin. Ndaj sot, çdo kritikë perceptohet si sulm personal. Jo si mundësi për emancipim. Kërkimi i faljes kërkon siguri të brendshme. Dhe fatkeqësisht, shoqëria shqiptare është emocionalisht e pasigurt, ndaj mbrohet me krenari fallco. Shpesh prindi i bërtet fëmijës dhe thotë “do më kërkosh falje ti mua?”, mgjs fajin mund ta ketë vetë. Mësuesi që gabon por nuk kërkon ndjesë se “mësuesi është autoriteti.” Të gjithë kanë nevojë të jenë të saktë, edhe kur gabojnë. Kjo është paradoksi ynë i përditshëm.

Ç’na mbetet? Një shoqëri pa ndjesë, por plot “arsye” Na ka ndodhur të gjithëve. Bëjmë një gabim, por në vend që të themi “më fal”, themi: “Epo, ja që ndodhi… po nuk isha unë i vetmi.” “Po ti ç’do bëje në vendin tim?” “Kjo është Shqipëria, ç’të bëjmë!” Ja pra që ne kërkojmë falje vetëm kur zbulohemi, jo kur na djeg ndërgjegjja. Edhe atëherë, duam të dalim nga situata pa humbur asnjë gram krenarie. Kërkojmë falje me stilin: “Na falni që ju zhgënjyem që nuk jemi të përsosur.” Në fund të fundit, një shoqëri që nuk di të kërkojë falje, nuk mund të mësojë. Sepse kërkimi i ndjesës nuk është fund i dinjitetit, por fillimi i humanitetit. Është akti më politik, më etik dhe më emancipues që mund të bëjë një individ.

Falja nuk është amnisti. Është pranim. Është thyerje e egoizmit dhe e arrogancës barbare. Siç thotë një shprehje që meriton të futet në kushtetutën morale të çdo qytetari: “Të falësh do të thotë të lirosh një të burgosur – dhe të zbulosh se i burgosuri ishe ti.”

Shqipëria ka nevojë për këtë frymë. Jo për të harruar krimet e së shkuarës, por për t’i trajtuar ato me drejtësi dhe njerëzi, jo me urrejtje dhe hakmarrje. Sepse kur falim, nuk shpëtojmë fajtorët, por çlirojmë veten nga e kaluara. Ne shqiptarët e Amerikës dhe të gjithë ne që jetojmë në një shoqëri ku një president mund të kërkojë ndjesë publike, ku një ministër mund të japë dorëheqje për një lapsus etik, e dimë që falja nuk është akt i dobëtit, por virtyt i të fortit. E dimë se një shoqëri e shëndetshme nuk jeton me hakmarrje të përhershme, por me kujtesë të ndershme dhe zemër të hapur.

Nëse do të donim të sillnim një formë të re patriotizmi, ajo do të ishte kjo: t’i mësojmë njëri-tjetrit artin e faljes. Jo si akt harrese, por si akt qytetarie. Jo si zëvendësim të drejtësisë, por si fillim i një kulture tjetër, asaj që na mungon më shumë: kultura e përgjegjësisë dhe e njeriut që ka guximin të pranojë gabimin dhe të thotë “më fal”. Ne nuk jemi të lirë. As nga e kaluara, as nga njëri-tjetri. Ne ruajmë fyerjet si të ishin trofe. Ndaj çdo cikël politik kthehet në një hakmarrje të ripërsëritur. Asgjë nuk zgjidhet përfundimisht. Vetëm përmbyset. Dhe mbi rrënojat ndërtohet një hakmarrje e re.

Dhe kur të mësojmë t’i themi tjetrit me zë të qetë: “Më fal, isha gabim.” atëherë do kuptojmë se shoqëria nuk ndërtohet mbi krenarinë që nuk lëshon pe, por mbi përulësinë që pranon të ndryshojë. Deri atëherë, vazhdojmë me ritualin e zakonshëm: “Po unë nuk bëj njeri më të mirë se veten?”

Filed Under: Sociale

Altari i paqes…

August 4, 2025 by s p

Prof. Ardian Ndreca/

Ara Pacis (altari i paqes) asht nji ide që ka lind prej mendjes së perandorit August mbas fushatave të suksesshme kundër galëve, mbas paqtimit të Hiberisë dhe konsolidimit të atij që quhet “shekulli i artë”.

Nuk bahet fjalë për nji paqë dosido por për “paqen romake”, nji koncept juridik kompleks që synonte krijimin e nji ekuilibri botnor. Ara Pacis asht përurue në vitin 9 p.Kr. në Fushën e Martit, asokohe fushë stërvitje e ushtrisë romake në pjesën veriperëndimore të qytetit të Romës. Së dyti monumenti që mban mbrenda Ara Pacis, vepër e Ballio Morpurgo, asht inaugurue prej Mussolini-t në vitin 1938, ndërsa në vitin 1996 arkitekti amerikan Richard Meier ngarkohet me ba projektin e sotëm, i cili asht përurue në vitin 2006.

Monumenti hijeshohet prej mbishkrimeve në travertin të Res Gestae, domethanë të bamave të Augustit, apo bilancit historik të mbretnimit të tij – vepër që ai e pat përfundue në moshën 75-vjeçare, mbas 41 viteve sundim. Mbishkrimi që shohim sot asht realizue në vitin 1938, kurse teksti i Res Gestae asht fryt i punës filologjike e historike që disa studiues përfunduen me sukses në fund të shek. XIX falë gjetjeve të tri epigrafeve greqisht e latinisht në Ankira (Ankaraja e sotme) dhe në dy site tjera arkeologjike. Madje, në bazamentin e njenit prej atyne epigrafeve kishte edhe nji shembëlltyrë të Augustit me familje gjatë ndejes së tij në rini në Apolloni, ku e gjeti madje edhe lajmi i vrasjes së ungjit të tij Jul Cezarit.

Me Augustin u vorrosën përfundimisht idealet republikane, megjithatë ai si “princeps” (princ) ia njihte vetes autoritetin por jo pushtetin mbi senatin, gja krejt e pamjaftueshme për me justifikue atë që kishte ba.

Ia vlen me e pa muzeumin e sotëm të Richard Meier-it, nji hapsinë plot dritë që nuk e shkëputë kontaktin pamor me botën e jashtme, por izolon monumentin prej çdo zhurme, tue na ba me ndie vetvetijshëm se pa dëshmitë historike të së kaluemes ne nuk jemi asgja.

Filed Under: Histori

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon racizmin dhe thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut

August 4, 2025 by s p

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Thirrjet raciste të dhjetra tifozëve ultranacionalistë maqedonas në prani të Kryeministrit Mickovski dhe heshtja e tij, janë njollë dhe shenjë antieuropiane në Maqedoninë e Veriut.

Turp për organizatat e mediave dhe gazetarëve maqedonas që heshtin ndaj akteve të tilla!

Tiranë më 03.08.2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon shfaqjen e thirrjeve raciste dhe ultranacionaliste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, ditën e shtunë, ndërsa zhvillohej një ndeshje basketbolli, ku ndodhej i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Mickovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të kësaj republike. Thirrjet në korr të tifozëve, me aq egërsi dhe antishqiptare, të rikthejnë në kujtesë episode dhe histori të shkuara. Pas gati 23 vitesh, klithma të tilla raciste rikthehen si shenja ultranacionaliste antishqiptare, të cilat mund të fitojnë arenë publike, madje duke qenë i pranishëm edhe kryeministri i këtij vendi, i cili ekziston falë shqiptarëve.(!)

Heshtja dhe mosreagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre thirrjeve, mosdistancimi i federatës maqedonase dhe institucioneve të tjera, është më e rëndë nga akti antiligjor dhe i dënueshëm i korit dhe koristëve të sëmurë që shfaqen si tifozë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër kësi shenjash që të rikthejnë shumë pas në kohë dhe në antibashkëjetesë. Turmat antishqiptare, të veshura me bluza tifozësh nga shtetas të nacionalitetit maqedonas, në republikën fqinjë me Shqipërinë, janë element i rëndë provokativ dhe që kërcënojnë stabilitetin dhe rendin kushtetues në MV.

Me këtë rast, ndajmë shqetësimin tonë dhe kritikën e drejtëpërdrejtë ndaj organizatave të gazetarëve maqedonas, ndaj disa rrjeteve të organizatave rajonale (ku janë dhe nuk janë kolegë shqiptarë), si dhe entiteteve profesionale mediatike në gjuhën maqedonase, të cilët jo vetëm nuk kanë reaguar por që ende, nuk distancohen dhe madje nuk respektojnë ligjet e tyre për masa dhe qëndrime antiraciste, ultranacionaliste dhe me gjuhë aq agresive, ndaj një kombi tjetër dhe bashkështetasve të tyre. Shqiptarët në MV janë hise e plotë dhe e madhe në vlerën e faktorit të padiskutueshëm shtetformues.

Kjo heshtje e kolegëve, mediave maqedonase dhe organizatave të tyre është jo vetëm shenjë e keqe, por një qëndrim i hapur antieuropian, antibashkëjetesë dhe sidomos, antinjerëzor. (!) Është në nderin e tyre të reagojnë sa më parë dhe të ndiejnë skrupujt e qëndrimeve morale, europiane e perëndimore në rajonin që destinacion ka Bashkimin Europian dhe jo në të vjetrat kohë që nuk kthehen dot më kurrë!

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Opinion

Dështimi me sukses i “Turizmit Elitar”…

August 4, 2025 by s p

Eduart Caka/

Shtete të shumta të Mesdheut, duke nisur nga Spanja për të vijuar drejt Francës, Italisë, Kroacisë, Greqisë, Turqisë, Egjiptit e shumë të tjerave e kanë të konsoliduar prej dekadash sektorin e turizmit, i cili nuk karakterizohet vetëm prej hoteleve të bukura e luksoze. Por nevojiten shumë elemente të tjera, në krye të së cilave pikësëpari vjen shërbimi, infrastruktura, personeli i mirëtrajnuar, shumëllojshmëria e aktiviteteve që i ofrohen pushuesit, çmimet konkurruese etj. Për më tepër, për t’u kthyer në një destinacion turistik në një rajon ku rivaliteti është goxha sfidues nëse do të kemi parasysh fqinjët tanë jugorë por edhe ata përtej Adriatikut, duhet që paketat turistike të përfshijnë të dymbëdhjetë muajt e vitit, jo një muaj e gjysmë apo dy muaj.

Me një përpjekje të sforcuar dhe shumëëë “reklamë”, edhe Shqipëria tenton prej 2-3 vjetësh të bëhet pjesë e “pastës së madhe” të të ardhurave që vijnë prej turizmit. Por, në vend që të mësonim prej vendeve me përvojë në këtë sektor, provuam t’i bijmë shkurt e shkurt me disa “male betoni” të zbukuruara dhe çmime marramendëse që garojnë me destinacionet më luksoze të botës. Sigurisht, kush e provoi një herë, nuk u kthye më…Ky vit nxorri në pah diçka interesante: ndërkohë që hotelet e shtrenjta të jugut mbetën zbrazur, qytetet tona me trashëgimi kulturore e arkitekturore duket janë plot. Duket se turistëve që vijnë këtu tek ne nuk u interesojnë malet prej betoni dhe çmimet e çmendura, por duan të shohin kalldrëmet e Gjirokastrës e Beratit, pazaret e Korçës e të Krujës, qendrat e vjetra të Elbasanit, Shkodrës e Vlorës.

Ka edhe një pjesë tjetër që vijnë për bukurinë e natyrës dhe të alpeve, por turizmi i tyre sivjet u ndërpre prej fadromave. A ka ardhur koha të ndërtojmë një strategji realiste të turizmit shqiptar?.. Sepse, ai elitari duket se përfundoi para se të fillonte…

Filed Under: Interviste

“Kërkime filologjike të Profesor Bahtijar Kryeziut”

August 4, 2025 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Zakonisht të gjitha veprat kanë një arsye, një nismë dhe një përmbyllje çasti, andaj as për këtë vepër nuk mund të tuhet ndryshe. E tillë është, pra, edhe kjo vepër që po i jepet lexuesit në këtë ditë feste për Profesor Bahtijar Kryeziun. Shkrimi i saj ka filluar një çerek shekulli më parë, kur Profesori ynë shënonte majat profesionale, ndërsa autori i këtij teksti, i ri dhe në fillimet e tij shkencore, tek kishte marrë gradën e dytë shkencore. Atë kohë Profesor Bahtijar Kryeziu botoi veprën e tij të parë, përkatësisht tezën e doktoratës Onomastika e Hashanisë (2000) në Institutin Albanologjik dhe fjalët e këtij përurimi ua besoi dy specialistëve të kësaj fushe: dr. Rexhep Doçit dhe mr. Begzad Baliut.

Këtu zuri fill interesimi im për veprën e tij, pa përjashtuar edhe përbërës të tjerë. Profesor Bahtijari vinte nga ana ime krahinore; kufijtë etnografikë të kërkimeve të mia të doktoratës (krahnia e Gallapit) “merrnin me vete” edhe dy fshatra të krahinës etnografike të doktoratës së tij; metoda kërkimore e studimore e angazhimit të tij në këtë fushë ishte thjesht një vazhdimësi e punës së tij shkencore; ndërsa më tej, si rallë të tjerë do të më “merrte me vete” edhe në institucionin e tij universitar, në Fakultetin e Edukimit – Universitetin e Prishtinës, duke i pri edhe vlerësimit të tij shkencor e universitar në të gjitha gradat: “Prof. ass.”, “Prof. i asoc.”, “Prof. dr.”.

Duke vlerësuar këtë nderim prej prijësi edhe unë e kam ndjerë obligim të përcjell të gjitha veprat dhe të shkruaj gjithashtu fillimisht për të gjitha veprat e specializuara në fushë të onomastikës, ndërsa më tej edhe për vprat tjera me karakter përgjithësues.

Në ndërkohë e kam parë të arsyeshme që vetë apo me studentët e masterit të zhvilloj disa aktivitete kërkimi, ku objekt do të bëhej edhe Profeor Bahtijar Kryeziu. Pjesë e këtyre aktivi¬teteve janë, jo vetëm leximet e veprave të tij, po edhe bisedat individuale e kolektive dhe intervistat, të cilat janë përfshirë në këtë vëllim.

Duke dashur që në këtë vëllim të përfshihen edhe artikuj të caktuar si edhe intervistat, unë njëkohësisht e kam përjashtuar karakterin monografik të veprës, që e kisha synuar fillimisht. Për më tej Profesori vazhdon të shkruajë si edhe më parë dhe madje, të pranojë që t’i bashkohem në projektet e tij e të më bashkohet në projektet e mia. Në këtë mënyrë ne nga nxënës e mësues u bëmë kolegë, bashkëpunëtorë të fushës dhe madje bashkautorë veprash, besoj me interes në fushë të leksiko-grafisë.

Le të jetë edhe kjo vepër pjesë e këtij bashkëpunimi, bashkë-kërkimi e bashkautorësie në fushë të gjuhës, përkatësisht, historisë së saj, leksikografisë, onomastikës e dijeve të tjera albanologjike edhe një sukses i një rrugëtimi të përbashkët dhe nderim për këtë – albanologjinë që na ka bashkuar.

Dhe le të jetë kjo vetëm vepra e parë e cila i pasvjen bashkë-punimit tonë në vepra me karakter historiko-gjuhësor e leksikografik, si dhe vepër e cila i paraprin një sinteze tjetër për punën e tij shkencore, për të mos thënë për punën tonë kërkimore.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 398
  • 399
  • 400
  • 401
  • 402
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT