• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta e Mashkullorës, shkëndija që i vu zjarrin gjallërimit të lëvizjes kombëtare shqiptare

March 18, 2025 by s p

Albert Vataj – Koha Jonë/

Lufta e Mashkullorës është një nga ato momente historike që mbeten të pashlyeshme në kujtesën kombëtare shqiptare. Një betejë që nuk ishte vetëm përballje e armatosur, por një shpërthim i vendosmërisë së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo përbën një nga gurët themeltarë të rezistencës kundër sundimit osman dhe një burim frymëzimi për brezat që pasuan. Ky shkrim sjell në vëmendje ngjarjet kyçe që paraprinë dhe pasuan këtë luftë heroike, e cila pati një jehonë të thellë në mbarë kombin shqiptar.

Më 18 mars 1908, kodrat e Mashkullorës u bënë arenë e një prej betejave më domethënëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur forcat osmane sulmuan çetën e drejtuar nga luftëtari patriotik, Çerçiz Topulli. Ndonëse të rrethuar nga një forcë armike shumë herë më e madhe në numër, luftëtarët shqiptarë u treguan të pashoq në trimëri dhe strategji, duke çarë rrethimin dhe shpëtuar nga kthetrat e pushtuesit.

Një nga ngjarjet që parapriu Luftën e Mashkullorës dhe ndezi flakën e revoltës ishte vrasja e Bimbashit, Halil Musa Beut, komandant i xhandarmërisë osmane në Gjirokastër, në shkurt të vitit 1908. Ky akt, i kryer nga çeta e Çerçiz Topullit, u pa si një sfidë e hapur ndaj pushtetit osman dhe shërbeu si kambanë alarmi për autoritetet osmane, të cilat u përpoqën ta shuanin me gjak revoltën shqiptare. Aksioni i parë që bëi jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane.

Pesë ditë pas këtij atentati të bujshëm, një pjesë e Çetës së Çerçiz Topullit, e përberë nga 9 luftëtarë, u strehuan në një haur në rrethinat e fshatit Mashkullorë, ku u rrethua nga ushtria turke e dislokuar në kalanë e Gjirokastrës.

Kjo betejë shënoi një kapitull të rëndësishëm në luftën për liri dhe pavarësi, duke përforcuar idenë se rezistenca e armatosur ishte një instrument i nevojshëm për arritjen e synimeve kombëtare. Ajo pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, duke ngjallur shpresë dhe frymëzim tek shqiptarët që synonin shkëputjen nga Perandoria Osmane.

Kjo ngjarje e jashtëzakonshme është përjetësuar edhe në një këngë që e këndojnë në të gjithë Shqipërinë:

“Te Rrapi në Mashkullorë / foli Çerçizi me gojë / mylazim largo taborë / se të bëj të kuq me bojë / Çerçiz Topulli më thonë”.

Kjo luftë heroike është përshkruar prej njërës nga penat më të shquara të publicistikës patriotike të atyre viteve, njëkohësisht luftëtar i kësaj çete, atdhetari dhe publicisti Mihal Grameno. Pena e pikuar mjaltë e Mihal Gramenos, nga pozita e një dëshmitari okular, ka shkrirë në një të vetme, stilin e veçantë publicistik, informacionin historik nga vendi i ngjarjes, me përshkrimin patriotik dhe frymën romantike të kohës.

Më 18 mars 1934, në Gjirokastër u shpalos një moment historik me vlera të jashtëzakonshme simbolike: përurimi i shtatores së Çerçiz Topullit. Kjo vepër artistike, e realizuar nga mjeshtri i skulpturës Odhise Paskali, u mundësua falë ndihmës financiare të gjirokastritëve brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë.

Ceremonia e inaugurimit u kthye në një manifestim të fuqishëm patriotik, me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve, të rinjve të veshur me kostume tradicionale dhe këngëve kushtuar Çerçiz Topullit, që kumbuan fuqishëm në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës.

Lufta e Mashkullorës dhe aktet heroike të Çerçiz Topullit mbeten simbole të pashlyeshme të rezistencës shqiptare. Kjo betejë jo vetëm që forcoi ndjenjën kombëtare, por gjithashtu u kthye në një shembull të guximit dhe vetëmohimit për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori

Atë Shtjefën Gjeçovi: Një trashëgimi frymëzuese për kombin

March 18, 2025 by s p

Arian Galdini/

Në mozaikun e historisë dhe kulturës shqiptare, një figurë ngrihet si një gur themeli që bashkon traditën, drejtësinë dhe identitetin kombëtar. Atë Shtjefën Gjeçovi, meshtari, shkrimtari, folkloristi dhe mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme që i jep frymë dhe formë doktrinës së Neoshqiptarizmit. Kontributi i tij i veçantë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar, përmes kulturës dhe drejtësisë zakonore, është një udhërrëfyes i vyer për çdo përpjekje për rilindjen kombëtare dhe shoqërore në kohët moderne.
Neoshqiptarizmi, si një doktrinë që përpiqet të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlerat autentike shqiptare, përfshin në zemër të saj frymën e trashëgimisë së Atë Gjeçovit. Siç e përshkruan filozofi britanik Edmund Burke, “Traditat janë pasqyrimi i mençurisë së brezave të shkuar dhe një udhërrëfyes për të ardhmen.” Pikërisht kjo është ajo që Gjeçovi bëri me Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke e shndërruar në një simbol të drejtësisë shqiptare dhe një dokument që mishëronte etikën, dinjitetin dhe komunitarizmin e shqiptarëve.
Kanuni, i mbledhur dhe kodifikuar nga Gjeçovi, nuk ishte vetëm një manual i të drejtës zakonore, por edhe një pasqyrë e një shoqërie që vlerësonte nderin, drejtësinë dhe barazinë.

Këto parime janë në harmoni të plotë me thelbin e Neo shqiptarizmit, që synon rikthimin e vlerave të përhershme si bazë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe humane. Në çdo rresht të Kanunit dhe në çdo përpjekje të Gjeçovit për të mbledhur folklorin dhe historinë shqiptare, nderi zë vendin e parë.
Siç thotë Faik Konica, “Nderi është ai që ngre një komb, sepse ai përfaqëson shpirtin e tij.”
Nën këtë prizëm, Gjeçovi na mëson se shqiptarët mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre vetëm duke ruajtur dhe kultivuar atë që është thelbësore për ta: nderin dhe dinjitetin.
Në këtë frymë, Neoshqiptarizmi nuk është një kthim prapa në një të kaluar të lavdishme, por një përpjekje për të ndërtuar një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kësaj të kaluare.
Ashtu siç Atë Gjeçovi e pa të nevojshme të ruajë ligjet zakonore për të mbrojtur identitetin kombëtar, sot na kërkohet të ndër tojmë një identitet të bazuar mbi vlera që i tejkalojnë kufijtë e kohës dhe të politikës.

Gjeçovi dhe edukimi kombëtar

Një nga shtyllat kryesore të veprës së Gjeçovit ishte përpjekja për edukimin kombëtar. Ai e kuptoi se një komb i ndarë dhe i paarsimuar nuk mund të mbijetojë. Siç thoshte Sami Frashëri, “Dija është drita që ndriçon një komb.” Veprat e tij në mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit shqiptar, si dhe përkushtimi i tij ndaj edukimit të brezave të rinj, përbëjnë një shembull të gjallë të asaj që Neoshqiptarizmi synon të arrijë: një shoqëri të ndërgjegjshme për vlerat e saj, të arsimuar dhe të aftë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur.

Kanuni: Një bazament për vlerat shoqërore dhe politike

Një tjetër aspekt ku Neoshqiptarizmi mund të gjejë frymëzim nga Gjeçovi është mënyra se si ai kodifikoi parimet e drejtësisë dhe solidaritetit social në Kanun. Filozofi John Locke shkruante se “Drejtësia dhe ligji janë themeli i çdo shoqërie të qytetëruar.” Kanuni, në këtë kontekst, shërben si një model për mënyrën se si mund të ndërtojmë institucione dhe politika që respektojnë vlerat e drejtësisë, nderit dhe përgjegjësisë kolektive. Neoshqiptarizmi, duke ndjekur shembullin e Gjeçovit, synon të krijojë një sistem shoqëror dhe politik që bazohet në këto parime, duke mbrojtur identitetin kombëtar dhe duke promovuar zhvillimin në një mënyrë që respekton trashëgiminë tonë kulturore. Atë Shtjefën Gjeçovi nuk ishte vetëm një mbledhës i Kanunit; ai ishte një ndriçues i rrugës për një komb që kërkonte të gjente vendin e tij në botë. Trashëgimia e tij na mëson se, si komb, ne nuk mund të ecim përpara duke harruar atë që na bën unikë. Siç thoshte Atë Gjergj Fishta, “Një komb që humb vlerat e tij, humb vetveten.”

Neoshqiptarizmi, duke ndjekur këtë filozofi, është një thirrje për të rilindur kombin tonë mbi bazën e vlerave të përjetshme të drejtësisë, dinjitetit dhe solidaritetit. Është një thirrje për të ndjekur shembullin e Gjeçovit në ruajtjen e trashëgimisë sonë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje që pasqyron më të mirën e asaj që jemi si shqiptarë. Trashëgimia e Atë Shtjefën Gjeçovit është një thirrje për çdo shqiptar që të ruajë dhe të promovojë vlerat e tij kombëtare. Siç thotë Aristoteli, “Qytetërimi fillon kur drejtësia dhe morali ndërthuren me veprimin shoqëror.” Gjeçovi na mësoi këtë të vërtetë përmes veprës së tij, dhe Neoshqiptarizmi e ngre këtë mësim në një filozofi për një të ardhme më të mirë.

Neoshqiptarizmi, si trashëgimtar i ideve të Gjeçovit, është një udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, për të ndërtuar një Shqipëri dhe një komb shqiptar që respekton të kaluarën, nderon të tashmen dhe ndriçon të ardhmen. Ashtu siç Gjeçovi i dha zë drejtësisë dhe kulturës shqiptare, sot na takon ne t’i japim zë Neoshqiptarizmit, si një doktrinë që e ngre shqiptarizmin në lartësinë që meriton në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

Një ndihmë dhe mundësi e shkëlqyer për bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

March 18, 2025 by s p

Një ndihmë dhe mundësi e shkëlqyer për bashkatdhetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Sociale

Fushata elektorale në Shqipëri si ekspozim i mungesës së lidershipit me vizon!

March 18, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Kandidate për Doktoraturë, JMU, SHBA/

Në çdo demokraci të zhvilluar, zgjedhjet konsiderohen si një mekanizëm i rinovimit dhe përparimit.

Ato duhet të jenë momenti ku shoqëria zgjedh mes alternativave të ndryshme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Por në Shqipëri, fushatat elektorale nuk janë hapësira e ideve të reja, programeve vizionare dhe alternativave ndryshe; përkundrazi, ato janë një ritual i riciklimit, një qark i mbyllur i së shkuarës, ku gara zhvillohet mes figurave të njëjta dhe modeleve të dështuara të qeverisjes.

Në zgjedhjet e 11 majit 2025, Edi Rama kërkon mandatin e katërt, duke premtuar integrimin në Bashkimin Evropian si premtimin final të qeverisjes së tij.

Sali Berisha kërkon rikthimin e tretë, duke pretenduar se tashmë ka përvojën e duhur për të qeverisur “më mirë” se herët e tjera. Ndërsa aktorët e tjerë politikë, qofshin të rinj apo të vjetër, kërkojnë “shansin e parë” në një sistem të dominuar nga figura që kanë sunduar skenën politike shqiptare për 30 vitet e fundit.

Një analizë e thjeshtë e këtyre fakteve na vë përballë një pyetje thelbësore: A mund të ndërtohet e ardhmja mbi një të shkuar të konsumuar?

A mund të ketë vizion një politikë e mbërthyer në figura që kanë udhëhequr për dekada dhe që e shohin të ardhmen vetëm përmes perspektivës së dominimit të tyre të vazhdueshëm?

Këto zgjedhje nuk po ofrojnë alternativa reale, por një garë mes të shkuarave.

Shqipëria ka nevojë për një lidership vizionar, një udhëheqje që nuk kërkon pushtetin si një qëllim në vetvete, por si një mjet për të realizuar një projekt madhor kombëtar.

Në filozofinë politike dhe teorinë e lidershipit, një lider i vërtetë nuk matet me kohën që ka kaluar në pushtet, por me transformimin që ka sjellë në shoqëri.

Max Weber, në analizën e tij mbi autoritetin dhe legjitimitetin, dallon tre lloje të autoritetit: tradicional, karizmatik dhe racional-ligjor (Weber, “Politics as a Vocation”, 1919).

Në Shqipëri, kriza e lidershipit vjen nga një kombinim i keq i karizmës së vjetëruar dhe autoritetit tradicional të liderëve që i kanë kaluar dekadat në politikë, pa u zëvendësuar nga një klasë e re e aftë për të sjellë racionalitet dhe inovacion në qeverisje.

Teoria e “qarkullimit të elitave” e Vilfredo Pareto argumenton se përparimi shoqëror vjen përmes ndryshimit të elitave politike dhe ekonomike.

Në Shqipëri, ky qarkullim ka dështuar sepse elitat e vjetra janë bërë të pazëvendësueshme, duke krijuar një oligarki politike.

Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë më thjesht liderë, por institucione të një sistemi që riciklon vetveten.

Asnjëri prej tyre nuk po kërkon të ndërtojë një vizion të ri për vendin por të dy po kërkojnë legjitimimin e së kaluarës së tyre, jo ndërtimin e së ardhmes.

Joseph Schumpeter, në teorinë e tij të “shkatërrimit krijues”, argumenton se çdo ekonomi dhe çdo sistem politik duhet të lejojë hyrjen e ideve të reja dhe largimin e atyre të vjetruara (Schumpeter, “Capitalism, Socialism and Democracy”, 1942).

Shqipëria, përkundrazi, nuk ka ndërtuar asnjë mekanizëm institucional që të lejojë qarkullimin e elitave.

Kur të njëjtët liderë dominojnë politikën për më shumë se 30 vjet, shkatërrimi krijues zëvendësohet me një cikël degradues të stagnimit.

Lidershipi vizionar nuk është thjesht një çështje e ndryshimit të figurave, por mbi të gjitha një çështje morali, drejtimi dhe inovacioni në qeverisje.

James MacGregor Burns, në teorinë e tij mbi lidershipin transformues, thotë se liderët e mëdhenj janë ata që “ngrejnë aspiratat morale të shoqërisë dhe krijojnë kushte për ndryshime afatgjata” (Burns, “Leadership”, 1978).

Liderët e sotëm të Shqipërisë nuk e bëjnë këtë.

Ata nuk ofrojnë një projekt kombëtar, nuk promovojnë virtytet e përbashkëta dhe nuk përpiqen të krijojnë një identitet të fortë demokratik e zhvillimor për vendin.

Një fushatë elektorale nuk është thjesht një betejë për vota, por një hapësirë ku lidershipi duhet të tregojë vizionin e tij për të ardhmen.

Në Shqipëri, fushatat janë kthyer në akte marketingu dhe teatër politik, ku premtimet nuk bazohen në politika të realizueshme, por në propagandë.

Platoni, në “Republika”, na mëson se shteti duhet të udhëhiqet nga njerëz me virtyt dhe dituri, jo nga ata që thjesht e zotërojnë artin e manipulimit (Plato, “Republic”, 375 BC).

Në këtë kontekst, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë liderë transformues, por mjeshtër të mbijetesës politike.

Ata nuk propozojnë një Shqipëri të re, ata propozojnë vazhdimin e dominimit të tyre mbi Shqipërinë.

Shqipëria nuk ka më nevojë për politikanë që premtojnë “t’ia marrin dorën qeverisjes”, por për liderë që kanë një vizion të qartë për 50 vitet e ardhshme të vendit.

Nëse demokracia është një sistem që lejon përmirësimin e vazhdueshëm, atëherë zgjedhjet duhet të jenë momente ndryshimi dhe rinovimi.

Por në Shqipëri, zgjedhjet janë shndërruar në procesin ritual të ripërsëritjes së të njëjtave figura dhe të njëjtave ide të dështuara.

Jean-Jacques Rousseau, në “Kontratën Sociale”, thotë se “një komb është i lirë vetëm kur ai ka mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij pa u kushtëzuar nga e kaluara” (Rousseau, “The Social Contract”, 1762).

Shqipëria sot nuk është e lirë në këtë kuptim pasi e shkuara vazhdon të dominojë të tashmen dhe të shantazhojë të ardhmen.

Përse Shqipëria nuk ka një fushatë zgjedhore ku garojnë ide të reja?

Përse nuk kemi alternativa të formuluara mbi bazën e programeve reale të zhvillimit?

Përse liderët e rinj nuk arrijnë të dalin përpara dhe të sfidojnë sistemin e riciklimit të së vjetrës?

Përgjigja është e thjeshtë, sepse politika shqiptare nuk është krijuar për të prodhuar liderë vizionarë, por për të ruajtur status quo-në.

Zgjedhjet e 11 majit 2025 janë një tjetër dëshmi e krizës së lidershipit në Shqipëri.

Nuk mund të ketë progres të vërtetë për sa kohë që të shkuarat e konsumuara vazhdojnë të dominojnë skenën politike.

Nëse Shqipëria dëshiron një të ardhme të ndritur, duhet të çlirohet nga riciklimi dhe të përqafojë lidershipin vizionar, moral dhe transformues.

Dhe kjo nuk është vetëm detyrë e politikanëve, por e çdo qytetari shqiptar.

Filed Under: Ekonomi

Dialogu Kosovë-Serbi, rreziku i kompromiseve pa njohje

March 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Deklarata e Petar Sorensenit, që sugjeron se “dialogu ka për qëllim pajtimin ndërsa kompromiset u takojnë palëve”, reflekton qasjen tipike të BE-së, një ndërmjetësim që synon ruajtjen e procesit pa përcaktuar qartë drejtësinë dhe të vërtetën historike.

Ajo çka përbën shqetësim për aleatët dhe duhet të përbëj shqetësim edhe për Kosovën, është e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësia e një marrëveshjeje me njohje?

Në kontekstin aktual, dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një ngërç për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjeve nga Serbia dhe presionit të njëanshëm mbi Kosovën. Marrëveshja e Ohrit 2023 dhe plani franko-gjerman imponojnë një normalizim pa njohje të ndërsjellë, duke krijuar një situatë ku Kosova humb pozicione pa siguri reciproke.

Për një marrëveshje që përfshin njohjen de jure të Kosovës nga Serbia, duhen disa parakushte. Së pari, duhet presion i qartë nga aleatët perëndimorë mbi Serbinë, e cila vazhdon të sabotojë procesin dhe të instrumentalizojë serbët e Kosovës.

Së dyti, largimi i ndikimit rus në Beograd mbetet jetik, pasi Rusia e përdor çështjen e Kosovës për leverage gjeopolitik.

Një tjetër faktor kyç është unifikimi i faktorit politik në Kosovë, duke shmangur qasjet servile ndaj propozimeve që nuk garantojnë njohje.

Po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e sovranitetit të plotë të Kosovës, sidomos ndaj presioneve për Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

Për të shmangur pasojat e marrëveshjes së Ohrit dhe planit franko-gjerman, Kosova duhet të insistojë në njohjen reciproke si parakusht për çdo implementim të mëtejshëm. Çdo mekanizëm që krijon modelin e Republikës Srpska brenda Kosovës duhet të refuzohet, pasi do të destabilizonte funksionimin shtetëror. Po ashtu, forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në duhet të jetë prioritet, për të shmangur qasjet ambigue të BE-së, e cila shpesh ka lejuar Serbinë të manipulojë procesin në favorin e saj. Nëse Kosova vazhdon të negociojë pa një qasje të qartë strategjike dhe të unifikuar, rrezikon të zbatojë obligime që e dobësojnë pa arritur njohjen që është thelbësore për shtetësinë e saj.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT