• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË NJU JORK DO NDEROHET HEROI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE ISA BOLETINI

June 26, 2025 by s p

“Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect. Ditët e fundit në rrjetët shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork po flitet për njoftimin se një rrugë në Staten Island të Nju Jorkut do të mbartë emrin e njërit prej heronjve më të shquar të Kombit Shqiptar, Isa Boletinit nga Dardania.

Njoftohet se ceremonia e emërtimit të kësaj rruge me emrin e flamurtarit të Dardanisë e të mbarë Shqiptarisë, do të zhvillohet me 7 shtator, 2025 — aty afër rrugës që tanimë mban emërin e bashkombasit dhe bashkpuntorit të Boletinit — Ismail Qemalit në zonën e Staten Island të Nju Jorkut. Ajo zonë është një rreth ku jetojnë shumë shqiptarë nga të gjitha trojet iliro-arbërore, të ardhur atje sidomos gjatë tre dekadave të fundit. Dy rrugë të Amerikës me dy emra kryesorë protagonistësh të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, afër njëra tjetrës në një zonë të Nju Jorkut, simbole të bashkimit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve të Amerikës, por jo vetëm. 

Emërtimi i rrugës “Isa Boletini” është në radhën e disa emërtimeve të rrugëve të Nju Jorkut dhe Amerikës, gjatë viteve të fundit këtu në Nju Jork. Ia vlen të përmenden rrugët: “Ismail Qemali”, “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Fan Noli” — kushtuar, pra, disa prej figurave më të shquara të historisë së shqiptarëve. Atje ku janë përqendruar shumë shqiptarë dhe komunitete të konsiderueshme shqiptaro-amerikanësh – qendra banimi dhe veprimtarish shoqërore dhe ekonomiko-kulturore të shqiptarëve në këtë vend.  Duhet thenë se këto emërtime në kujtim të figurave të mëdha të historisë së Kombit nuk ndodhin vet-vetiu, por janë përfundim i veprimtarisë politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe falë angazhimit të tyre në jetën politike vendase, aty ku jetojnë. 

Me këtë rast, nder dhe falënderim shqiptaro-amerikanëve të Staten Island, të përfaqësuar në “Shoqatën Shqiptaro-Amerikane – Staten Island”, për këtë nismë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithsi. Sepse si rezultat i kësaj vepre, emri i Isa Boletinit do të njihet pak më mirë ndër brezat e ardhëshëm të shqiptaro-amerikanëve, por do të nxis gjithashtu edhe kuriozitet edhe në radhët e amerikanëve të asaj zone se kush është ky emër që mbartë ajo rrugë. 

Si përfundim i emërtimit të kësaj rruge në zonën administrative Staten Island, shqiptaro-amerikanët por edhe të tjerët do të njihen me jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletinit, njërit prej figurave më të dalluara të Shqiptarëve në shekullin e kaluar. Një atdhetari i cili zë një vend nderi në vargun e fatosave më të lavdishëm të Kombit shqiptar e që gjithashtu – hiç më pak — edhe ata meritojnë nderimin dhe admirimin tonë, kudo që jemi. E kam fjalën për ata, ndër më të mëdhejtë e Kombit, si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ded Gjon Luli, Ai Pashë Gucia, Haxhi Zeka, e shumë të tjerë. “Emëna që kumbojnë si tinguj burish epike në vesh të gjithë Shqiptarve. Zëmra galdon në lexim të veprimtarisë së tyne që na enthuziazmoi në moshë të ré kur Shqipnija kishte nji veshtrim të vetëm për të gjithë dhe jo aqë veshtrime sa janë trillimet e kaptinave të ndryshme shqiptare”, është shprehur me një rast Ernest Koliqi, në një shkrim për Isa Boletinin.

Pritet që edhe ky rast i emërtimit të rrugës, “Isa Boletini” në Staten Island në shtator, të jetë një moment me për komunitetin shqiptaro-amerikan, një celebrim tjetër i lirisë dhe demokracisë që gëzojmë në këtë vend – në Amerikën tonë të dashur — që na mundëson lirinë dhe të drejtën për të nderuar dhe respektuar heronjët e historisë kombëtare dhe komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, figura të dalluara, siç është Isa Boletini. 

Frank Shkreli

Asije Hoxha: Udhëtimi i Ismail Qemalit për njohjen e shtetit shqiptar ...

Isa Boletini duke puthur Flamurin – krah për krah me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin

               “Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!” Isa Boletini

No alternative text description for this image

Filed Under: Histori

Monumenti i nënë Zahide Jasharit, vepra e mjeshtrit, Sabri Behramaj, djepi që përkundi lirinë e Kosovës

June 26, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka çaste kur historia nuk kërkon më fjalë, por një vështrim, një prehje duarsh, një heshtje që peshon si gur mbi ndërgjegje. Ngrihet në lartësinë e një vepre arti, për t’i bërë homazh të shkuarës, për t’i folur zëshëm së tashmes dhe për të kushtruar brezave me thirrje përkatësie, gjeneologjie, kombi, që zëfillin te nëna, bartësja dhe mëkuesja e jetës, sakrifikuesja e shenjtë e çdo bekimi të saj.

Ka figura që nuk bëjnë histori me armë e me fjalime, por me qumështin e gjirit dhe me gjakun që rrjedh pa britmë në damarët e sakrificës, por me thirrje eterne që dëgjohet nga limfa e gjëmimshme e jetës, në vetë hyjninë e nënës. E tillë është Nëna Zahide Geci Jashari, për të cilën liria nuk ishte vetëm ideal, por mish e kockë, bir e vëlla, jetë dhe dhembje, vetë përjetësia që i blatohet si një amanet gjeneratave përmes përjetësimit në art.

Në gjurmët e këtij kujtimi të përjetshëm, që nuk njeh harresë as kohë, u ngjiz edhe kjo vepër skulpturore që sot i ofrohet Kosovës, jo vetëm si një monument, por si një shenjë e përuljes sonë para mëmësisë që mbajti mbi supe dhe në shpirt, në çdo trokitje zemre dhe djepi, lirinë. Është një dëshmi artistike që e shndërron jetën e një gruaje të thjeshtë në ikonë kombëtare, një përkujtim se gjithçka fillon me nënën, dhe se në djepin që ajo përkund, mëkohet e ardhmja e një populli, aty hidhet fara e lirisë, mbin dhe harlise ëndrra e atdheut.

Siç është bërë prezent në publikimet e mediave, më 18 qershor 2025, në Skenderaj, zemra e Drenicës, u përurua në një vepër arti që tejkalon kufijtë e estetikës, për t’u bërë një thirrje ndërgjegjeje, një simbol i pashlyeshëm i mëmësisë shqiptare dhe sakrificës sublime: monumenti i Zahide Geci Jasharit, nënës së heronjve të kombit, Adem dhe Hamëz Jasharit, dora që përkundi një familje që u bë sakrificë dhe shkëndija e lirisë së Kosovës.

E gdhendur në bronz nga dora dhe shpirti i artistit, Sabri Behramaj, kjo figurë e përjetësuar në gjunjë, me duart mbi djep, nuk përkund vetëm një foshnje, ajo përkund lirinë, jetën, kombin. Në heshtjen e saj prej nëne që ka parë tërë tmerrin e luftës dhe që ka “mbijetuar” për të dëshmuar, ajo ngjall një fuqi që vetëm nënat e përjetshme dinë ta mbajnë brenda vetes, forcën për të rritur një brez që do të lindë lirinë përmes gjakut, flijimit dhe përkujdesit të palodhur.

Djepi, i pranishëm në vepër, është më shumë se një objekt, është një arketip. Ai është tempulli i fillimit, vatra e mëkimit të jetës dhe kulla e parë e mbrojtjes së një kombi. Në traditën shqiptare, djepi është mjeti i parë i edukimit, vendi ku mësohet ritmi i jetës nëpërmjet përkundjes, këngës, ninullës dhe lutjes.

Këtu, në bronzin e Zahide Jasharit, ajo bëhet një djep i historisë, ku kraharori i nënës nuk është më vetëm burim ushqimi fizik, por edhe burim shpirtëror, moral, atdhetar, shembulli që kungon hyjnoren që vjen përmes nënës dhe ngjitet në panteonin e magjishëm të artit.

Duart e nënës që përkundin janë duart e gjithë nënave shqiptare që kanë lindur jo vetëm fëmijë, por edhe ideale, dëshmorë, frymë dhe lavdi, duar që kanë fshirë lotët, kanë lidhur plagë, kanë thirrur thellësinë e tokës së lëruar me varre, për të mëkuar përmbushjne e amanetit, lirinë.

Në këtë vepër të Sabri Behramaj nuk ka britma, as patetikë. Ka një heshtje monumentale që e bërtet më fuqishëm se çdo fjalë, e çdo shprehje, ligjërimin elekuen të së cilit e zotëron vetëm magjia e artit.

Aty, në këtë monument, në këtë skulpturë, në këtë jetësim artistik shprehës, thirrës dhe ngulmëtar, është mishërimi jo i një nëne, por i gjithë nënave që mëkun jetën dhe përkundën lartësimin e këtij kombi, nëna që u ngjitën në përjetësi. Ky është thelbi filozofik i figurës, burrëria e gruas që doli nga magja e flakës së barutit, nga forca e paqes së brendshme, dinjiteti i atyre që nuk kanë nevojë të flasin sepse janë bërë vetë histori.

Nëna nuk shfaqet si viktimë, por si përkrahëse e jetës, mëkues e saj, rojtare e kombit, shtyllë e së ardhmes, vetë udhëprijësja dhe shërbestarja e së shenjtes, që etërit na e lanë amanet. Ajo është prehër i përkujdesjes, kështjellë e dashurisë, shpërgenjt e pandërprerë i trashëgimisë shpirtërore, që lidh gjeneratat me gjakun dhe amanetin e lirisë.

Nga pikëpamja psikologjike, kjo figurë është nëna, simbol i unitetit dhe i origjinës. Ajo është nëna tokë, nëna shenjtë, që përfaqëson pavetëdijen kolektive të një kombi që, përmes nënave të tij, ka ditur të ruajë gjuhën, besën, zakonet dhe lirinë.

Në këtë skulpturë gjejmë përfytyrimin e një nënë që nuk është vetëm e Adem dhe Hamz Jasharit, por e gjithë Drenicës, e gjithë Kosovës, e gjithë Shqipërisë. Në djepin e saj përkunden të gjithë ata që do të rriten për të qenë të denjë për atdheun.

Forma e përmbajtur, linjat e buta të bronzit dhe vështrimi i përqendruar e i dhembshur i figurës, e bëjnë këtë vepër një shëmbëlltyrë të estetikës së sakrificës. Nuk ka tepri, nuk ka glorifikim, ka dinjitet, ka pastërti dhe një shkëlqim njerëzor që e tejkalon materialin prej të cilit është bërë. Në këtë aspekt, skulptura është një ikonë moderne e një mëmësie që rri pezull ndërmjet tokësores dhe hyjnores.

Zahide Jashari, në këtë skulpturë, nuk është më vetëm një nënë që ka humbur familjen, një nënë e cila është pjesë e një sakrifice ikonike, legjendare, e një luftë që shkroi një epope, e një qëndrese që u ngulit thellë në trupin, shpirtin dhe vetëdijes së Kosovës dhe krejt shqiptarisë. Ajo është dëshmitare, kujtim i gjallë, amanet i historisë. Ajo qëndron në Skenderaj, në vendlindjen e saj, duke mos përkundur vetëm një djep, por një shpresë kombëtare, një kujtesë të pashlyeshme se liria është e brishtë, por edhe e pamposhtur kur përkundohet me dashuri dhe vendosmëri.

Ky monument i jashtëzakonshëm nuk është vetëm një vepër skulpturore. Është një rrëfim vizual, një lutje e heshtur, një përulje ndaj sakrificës së nënave shqiptare, që janë rrënja dhe kreshta e qenies sonë kombëtare. Në duart e Zahide Jasharit që përkundin djepin, ndjejmë lëvizjen e historisë, frymën e atdheut dhe ritmin e zemrës së një populli martir që nuk dorëzohet.

Në një qasje për ta dëgjuar heshtjen që ligjëron pas kësaj statikeje metali, rrekem të kumtoj se kjo vepër, e frymëzuar nga një figurë konkrete, nëna Zahide Geci Jashari, kapërcen kufijtë e një portretimi biografik, për t’u bërë një shëmbëlltyrë arketipike e mëmësisë shqiptare. Në thelb të saj qëndron jo vetëm përkujdesi amnor, por edhe një koncept më i gjerë, nëna si gjënezë e kombit, si epiqendër e frymës dhe qëndresës. Ajo që përndryshe do të ishte një grua në gjunjë me një djep përpara, në këtë skulpturë shndërrohet në një figurë mitologjike që mbart mbi vete jo vetëm dhimbjen, por edhe bekimin, durimin dhe fuqinë e jetës.

Ideja është thellësisht filozofike, nëna si burim i lirisë, sepse ajo është burim i jetës. Liria, kumton vepra, nuk lind nga armët, por nga gjiri i nënës, nga djepi që përkund brez pas brezi, nga dashuria që mëkon të ardhmen.

Vepra është ndërtuar me një ndjeshmëri të thellë për njeriun, për figurën e zakonshme që mbart peshën e jashtëzakonshmes. Artistikisht, ajo ndjek linjat e një realizmi të përmbajtur, pa teatrikë të panevojshme, por me kujdes ndaj detajit të ndjenjës, rënia e supeve, ngrohtësia e vështrimit, heshtja e buzëve, lëvizja e zgjatur dhe e kujdesshme e dorës mbi djep, fëmija që vështron ngulmues nënën. Këto elementë i japin veprës një psikologji të brendshme, një koncentrim emocional që nuk kërkon shpjegime.

Bronzi si medium i jep masë, peshë dhe përjetësi figurës, ndërsa statika e qëndrimit thekson forcën e brendshme dhe qetësinë e dhembjes, që i jep skulpturës një ngjyrë sakrale. Kjo nuk është thjesht një nënë që përkund fëmijën, por një priftëreshë e heshtur e kombit, që bekon ardhmërinë.

Djepi është elementi më i fortë simbolik në këtë vepër. Ai nuk është një objekt, por një qenie e dytë, një altar i jetës dhe i sakrificës. Në djepin që përkundet, nuk gjendet vetëm fëmija, është Kosova, është shpresa, është amaneti i atyre që dhanë jetën për lirinë.

Simbolika e djepit te shqiptarët është e lashtë,: ai është vendi ku fillon kombi. Përmes tij ndodh trashëgimia kulturore, ku përveç qumështit e ngrohtësisë, kalojnë edhe këngët, gjuhët, legjendat, ëndrrat. Dhe për këtë arsye, në këtë monument djepi është më shumë se një shenjë amësie, është objekti më metafizik i kombit shqiptar, ku fillon dhe mbaron gjithçka.

Në këtë vepër, artisti Sabri Behramaj nuk ka vetëm qëllimin për të përjetësuar një figurë të nderuar nga historia, por kërkon të bëjë një akt kujtese. Ai e ngre figurën e nënës Jashari, jo në një piedestal për t’u vështruar nga poshtë, por në një gjendje pranë, tokësore, njerëzore, në lartësinë e jetës së përditshme. Kjo është një zgjedhje kritike e vetëdijshme, për të treguar se historia e madhe ndodh në shtëpitë tona, në prehërin e nënave, në gjakun që nuk thërret, por që sjell dhe mban gjithçka në jetë, prej jetës, për jetën.

Vepra fiton kështu vlerën e një monumenti pedagogjik, jo për të trumbetuar lavdinë, por për të kujtuar rrënjët e saj. Një popull që harron nënat e tij, që harron djepin, është një popull që e ka humbur fillin. Kjo skulpturë është një ripërtëritje e fillimit.

Vepra e përkushtuar nënës Zahide Jashari është një akt memorie, një mesazh shprese, dhe një manifest për jetën që lind edhe në mes të zjarrit të luftës dhe vdekjes si një sakrificë e shenjtë lirie. Është një ndër veprat më të ndjera të skulpturës së pasluftës në Kosovë, jo për madhështinë e formës, por për madhështinë e së thjeshtës, të njeriut të zakonshëm që bëhet figurë kombëtare. Ajo është, në fund të fundit, një lutje e bronztë që përkundet në heshtje, por që flet për brezat që do të vijnë, përmes zërit të së tashmes, përmes madhështisë së veprës së artit.

Filed Under: Reportazh

Ekspozitë e artistit Erjon Hajnaj në Ohio

June 26, 2025 by s p

Artisti shqiptar Erjon Hajnaj do të hapë ekspozitën e tij personale më 11 Korrik, nga ora 5:00 PM deri në 8:00 PM, në Sullivan Family Gallery pranë Bay Arts, me adresë 2875 Lake Rd, Bay Village. Ftohet mbarë komuniteti shqiptar në Ohio për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe artistike.

Filed Under: Kulture

Programi Zyrtar i Festivalit të 34-t Shqiptar në datat 3, 4, 5 dhe 6 Korrik në Kishën e Shën Palit në Michigan

June 26, 2025 by s p

Programi Zyrtar i Festivalit të 34-t Shqiptar në datat 3, 4, 5 dhe 6 Korrik në Kishën e Shën Palit në Michigan.

Filed Under: Emigracion

HERALDIKË

June 26, 2025 by s p

Zija Vukaj/

Rreth gjysmës së shekullit XII, në zemrën e epokës feudale- atë të kalorësve e të ndeshjeve kalorësiake, të kështjellave e të Kryqëzatave, të aventurave të mbretit Artur dhe romaneve të parë të Tryezës së rrumbullakët- një emblemë e re shfaqet në rajone të ndryshme të Evropës perëndimore, një emblemë e destinuar të shndërrojë thellë të gjitha praktikat simbolike të shoqërisë mesjetare: stema. Në fakt nga stema dhe kodi që përbën gramatikën e saj- moton- u ngritën zakone figurative, sisteme vlerash dhe ndjeshmëri që shkuan goxha përtej fushës së heraldikës. Nga fillimi i shekullit XII dhe për më shumë se një gjysmë mijëvjeçari të gjithë kodikët pamorë që lidhen me identitetin, me farefisninë, me imazhet apo simbolet duken të ndikuara pak a shumë drejtpërdrejt nga stema. Veç kësaj, ky ndikim është akoma i pranishëm edhe sot: flamuj kombëtarë, emblema ushtarake, uniforma sportive, logo firmash, tabela rrugore dhe sinjale të llojeve të ndryshme janë trashëgimi- direkte apo indirekte- të sistemit heraldik mesjetar. Për sa i përket stemave, ato ekzistojnë akoma: megjithë konkurrencën e shumë formulave të tjera të shfaqura në kohë, kanë kapërcyer shekujt dhe janë përhapur në pesë kontinente.. Veç kësaj, nuk duken të destinuara të zhduken në një të ardhme as të afërt as të largët, madje krejt e kundërta.

Larg të qenit anekdotike apo rrethanore, shfaqja e stemave mbi fushat e betejës dhe në ndeshjet e epokës feudale është një fakt shoqëror me rëndësi të veçantë. Gjithsesi, me gjithë këtë rëndësi, heraldika mbetet një shkencë relativisht e panjohur, qoftë për publikun e madh, qoftë për historianët e profesionit. Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja mund të jetë të përcaktuarit në ngatërresën që shpesh është bërë mes përkatësisë së fisnikërisë dhe përshtatjes së një steme. Në fakt, shumë profanë kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë që stemat janë shenja fisnikërie dhe vetëm kush është fisnik mund t’i mbajë. Por kjo është një ide e gabuar. Nga asnjë vend në Evropën qendrore dhe në asnjë moment të histories së saj përdorimi i stemave nuk ka qenë i kufizuar në një klasë të veçantë apo kategori shoqërore. Çdo individ, çdo familje, çdo grup a komunitet ka qenë përherë i lirë, kudo, të përdorë një stemë sipas zgjedhjes së vet dhe ta përdorë sipas dëshirës së vet, me kushtin e vetëm që të mos uzurpojë atë të të tjerëve.

Një tjetër gabim i përhapur gjerësisht sheh tek heraldika një shkencë ezoterike, që përdor një gjuhë të kodifikuar e misterioze, praktikisht të pamundur për ta kuptuar dhe që mbart kuptime të fshehta. Akoma edhe një herë, asgjë nuk mund të jetë më e largët nga e vërteta. Heraldika nuk është fare një shkencë hermetike; përkundrazi, është një sistem shenjash vendosmërisht i hapur ndaj shoqërisë. Funksioni i saj kryesor është ai i të shprehurit të identitetit të individëve e të familjeve dhe ta bëjë me qartësi. Nuk ka asgjë ekzoterike në formimin e një sistemi apo të gjuhës e motos. Kjo e fundit përbën një gjuhë dokumentare paraqitëse, në gjendje të thotë shumë me pak; përdor një fjalor të vetin dhe një sintaksë të vetën, por që në origjinë, në shekujt XII e XIII, nuk dalloheshin aspak nga gjuha letrare. Veç kësaj, sot, pavarësisht nga vendi i përbashkët, mjaftojnë pak orë për të mësuar termat dhe figurat kryesore të motove dhe për të përshkruar me korrektësi pjesën më të madhe të stemave mesjetare apo moderne.

Në këto fusha- pse mos ta themi?- heraldika ka qenë viktimë e librave të këqinj, që pretendonin të zbulonin “misteret e stemës”, tamam siç ngulmonin të zbulonin misteret e artit romak, të katedraleve, të urdhrave kalorësiakë, të Graal-it, të Katarëve, të Templarëve. Kjo letërsi e hidhur, që është shfaqur në epokën romantike, vazhdon të bëjë dëme, duke arritur nganjëherë një sukses të madh në publik në kurriz të veprave serioze. Autorët e saj kërkojnë në stemat mesjetare shenja të përkatësisë së shoqërive hipotetike sekrete, kalorësiake, templare apo masonike dhe spekullojnë në mënyrë absurde, në mos delirante, mbi simbolizmin e figurave e të ngjyrave.

Natyrisht, asnjëri prej tyre nuk i reziston një analize dokumentare, por dëmi është bërë. Është thënë e përsëritur që heraldika mesjetare nuk e njeh ekzoterizmin, kuptimet e fshehta apo lidhjet me të ashtuquajturat forca të errëta apo shoqëri secrete. Kur figurat dhe ngjyrat që përbëjnë stemën kanë një përmasë simbolike, bëhet fjalë për një simbologji të zakonshme, të përditshme dhe të qartë sa për atë që e përdor aq për publikun të cilit i drejtohet.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT