• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISHIN TRE LISA TË QËNDRESËS SHQIPTARE QË U THYEN PREJ FURTUNËS

March 8, 2025 by s p

Enver Memisha

(Dedikuar dëshmorëve të Atdheut Dr. Skënder Muço, Dr. Yzier Alimerko dhe Zako Mezinit rënë nga plumbat e Gestapos Gjermane më 12 gusht 1944)

Nëpërmjet Avni Rustemit e dojshe Vlonën e Flamurit mâ shum se qytetin tem. Të dy i shifshe të lidhun e të mbështjellun po me ato gëzime, po me ato idhnime. Shpresën e Flamurit të ngritun, nuk e përkëdheli kush mâ tepër se, Vlona e lumnueme e Shkodra e dishrueme…

                                                                                        Zef Pali  

FLAKA” E LIRISË ZEF PALI 1910 – 1977: Në gjurmët e ...

Zef Pali (1910 -1977)

Mâ i fortë se guri

Vendin e Abdylit e zuni Lumoja, pushkën e Ali Pashës e kapi Hysniu, gojën e Abdulla Drenit e trashigoi Skënderi. Kúr qiellin tonë e mbulojnë rê të zeza, ndihet kushtrimi i papritun që del nga thellësit e dheut, ku flenë dhe zgjohen dëshmorët. Retë i shkyejn vetëtimat, botën e trondisin shkreptimat, rroposen, plane e stane t’armiqve shekullor! Në dritën e kësaj rropame na del Shqiptari i shtruem mâ i fortë se guri. Qindron në vend të vet dhe bâhet shkamb. Se lot kush nga vendi. 

“Ku do t’i marri prijsit e kapidanët vendi Ilir në ditët e pushtimit të tij, në ditët e shtrëngatës së kuqe?”. Shqiponja historinë pyeti. 

Por, Abdyl Frashëri i Lidhjes së Prizrenit nuk pat nevojë ta shkundi të Birin, ta ngjisi mbí fletë shqipje, t’i tregojë se ku âsht zi nuk âsht bardh për Shqipnínë. Dhe Mid’hat Frashëri ndezi llampën. Në kalánë e mpime u ndie nji zâ, në pyrgun mâ të naltë u pa një dritë. Nji altar kërkoi, e gjeti, e ngrehi brezi i rí: në vorr të Naimit. Aty besnikët u mblodhën krye ulët dhe zêmër lëshuem. Prej aty besnikët u shprazën ball-naltë e zêmër hekúr… 

Mbas flamurit pa sopata, pa shêje të huej. Prej këndej kushtrimi dhe vrulli arriti e kaploi Vlonën. Qyteti – djep i flamurit – shpërtheu ditën e parë të flamurit në robní. Si nisi, krisi! Atjé tê Ura e Gjormit, Hysni Lepenica i prini Kombit kryengritës. Skënderi, Skënder Muço u foli bukúr, ambël, ndigjuesve të heshtun që tashma flitshin veç me fshikullima plumbash. Me “Ta, mbas “Tyne, u shtuen radhët e trimave, që prej Kosove e deri në Çamëri. Me “Ta, sa qeleshe bardhë për vend u bânë flî! Rânë e na lânë, kúr lufta e vogël u bâ e madhe. U këput Hysniu nga plumbat që trupin ia bânë shoshë. Balli Kombëtar i fali Atdheut “Burrin përmbí Burrat”. Mâ vonë u nda Skënderi kah vorri që hapi frika e të huejit, mënija e mikut t’armikut. 

Nji varg i pa mbaruem dëshmorësh, kunorë, kunorë u bâ rreth flamurit, rreth vorrit të krye ushtarit… U duk se dritë mâ s’do të bâjnë plumbat, u duk se fjalë mâ s’e qesin gojët guximtare. Kështú ndodhi kúr na la Lumoja. Ai flamur, valë lirije, ajo fytyrë, mall Shqipnije. U ndalën fjalët në pendë, u mbyllën shpresat në zêmra katrane, u tha: “Si mund të qindrojë Balli pa krye?” 

Por, njimijë Balle u çuen nga Vorri i Frashërit, u prekën, u puthën nga fryma e shénjtë, u ngrohën me punën e pa ndërpreme, u fuqizuen me forcën e shokëve të gjâllë, me gjakun e shokëve të ramë nji mbas nji… 

E zymtoi, por nuk e këputi në mes Ballin Kombëtar kosa e pamëshirueshme e vdekjes. As drapni i kuq që u lëshue pa prâ mbí né, mbí trupin e cunguem të Kombit, s’e thau “Shtizën e Flamurit”. As mohimtarët ball ramë, që mohuen nji fjalë të dhânun, që patën frikë nji rrugë të vështirë, nuk e lodhën ushtrinë trime. 

Qindroi, qindron, ndërtesa e Lumos, pse Balli âsht bâmë shpírt. Luftoi, lufton çeta e Lepenicës, pse Ball do të thotë qindresë. Ushtoi, ushton, fjala e Skënderit pse pa lirí kombëtare, pa drejtësí shoqnore, nuk ka Shqipní – Shqipní Shqiptáre. Nuk pushon goja që nuk mund të mbyllet, nuk ndalet trimi edhe pse vritet… 

Idetë nuk vriten as nuk kositen. Nuk bâhen flî. Idealet ngrihen mbí Vorre Dëshmorësh, mbí supe punëtorësh dhe qindrojnë atjé n’Atdhé, këtu në mërgim si gurë të pa trandun… Balli âsht mâ i fortë se guri.(Gazeta Flamuri, Nr. 115, 31.10.1959. Flaka  f. 136. Lumoja – Mid’hat Frashëri; Hysniu – Hysni Lepenica; Skënderi – Dr. Skënder Muço.)

Në Mukje

Në Mukje, në nji strofull pemësh shkova për me njoftë s’afri Hysni Lepenicën. Ia kisha ndëgjue zánin në qendrën e shtypit të fshehtë, ku punojshe për Ballin. Ia kisha lakmi trimnínë që tregoj në Luftën e Gjormit. Më kishte pëlqye kanga që i thuri për këtê fitore të parë Dhimitër Bala…

Afër Hysniut ishte Skënder Muço, fytyrë simpatike, gojë ambël me bisedë të rrjedhshme. Paraqiste gjithnji probleme për t’ardhmen e Shqipnisë. Më tregoj: 

“Duke udhëtuar nga malet e Vlorës për në Mukje, jemi takuar disá herë me batalione fashiste, që iknin, porsa na shihnin duke bërtitur: “i banditi”. 

I ndoqëm në një rasë, këmba – këmbës, i mblodhëm milicët e shpërndarë dhe të friksuar, dhe unë u mbajta në gjuhën italisht këtê bisedë: “Nuk jemi kusarë, por çlirimtarë të vendit tonë. Ju keni pushtuar nji tokë që nuk është e juaja. E dimë se fajin e kanë këmishat e zeza të Romës, prandaj duhet të kuptoni se né, si popuj nuk e urrejmë njëri-tjetrin. Po afrohet koha që secili të gëzojë vendin e vet pa u rënë në qafë të tjerëve”… 

Skënder Muço ishte mjaft i tërhequn nga parimet e socializmit italian. Më tha: “Qe partija socialiste ajo që i dha dorë luftës së Vlorës, më 1920. Duhet mejtuar se sido që të zhvillohet çashtja e Ballit pas lufte, Organizata “me çlirimin e vendit” kryen punën e saj. Duhen shkarkuar disá elementë të grumbulluar në ditët e nevojës. Do të vijë menjëherë çashtja e formimit të partive, âshtu siç e kërkon një shtet demokratik. Shpallja e një partije social-demokrate do të na lidhte me Evropën e zhvilluar me drejtësí shoqërore. Në anën tjetër gjithë këta mijra antarë do ta vazhdonin punën e ndërtimit të Kombit, duke e kthyer Ballin në nji parti të madhe popullore, e cila do t’i prijë mbarë ndërtimit të Kombit”…

Në bashkëpunim me aleatët anglo – amerikan

Qershor 1944. Me misionin amerikan, me bazë në Tragjas të Vlonës, me vonesë ishte takue Skënderi. I kishte dhanë nji raport me hollësi për Ballin Kombëtar. Kishte përshkrue veprimet ushtarake kundër komunistëve. Kishte spjegue arsyet e pezullimit të sulmeve kundër nazistëve. Bisedën e bame ia shtroi Komitetit Qendror të Ballit. Përshtypja që kishte pasë ishte se Amerikanët e shikojshin me sy të mirë lëvizjen tonë; nuk dojshin që Shqipnija të përpihej nga vala e kuqe. Komanda gjermane i kishte marrë vesht nga spiunët këta takime.

Vlona, qendër e përpjekjes kombëtare, gjindej e turbullueme shum mbas vrasjes s’Azis Çamit, që komandonte me autoritet fuqitë e Ballit n’atë krahinë. Nji çthurje fuqishë dhe veprimesh kishte ardhë tue përparue. Grindja dhe smira kishin zânë vendin e ujdisë. Bejlerët e mbetun ishin vumë në shërbim të gjermanëve. Filluen të bâhen lista njerëzish të “dyshimtë”. Bashkë me shum të paditun si partizanë, u arrestuen edhe antarë të Ballit, të cilët u dërguen në kampet naziste të Prishtinës, të Beogradit e tjetërkund. Paditej për këta veprime prefekti Vlonës. 

Shkoi në qytetin e trazuem vetë Kryetari i Ballit. Gjendja u keqësue. Nisën të formohen toga qeveritare me uniforma, pshtjellimi u shtue. Vetëm komunistët përfituen nga kjo përmbysje për t’u paraqitë si të vendosun kundër pushtuesit. Tue pamë se malet e Vlonës ishin tue u pushtue nga fuqitë komuniste, ndërsa fuqitë e Ballit zmbrapseshin nëpër katunde besnike ose në qytet. 

U bâ në Tiranë nji mbledhje e madhe intelektualësh. Skënder Muçoja qe folësi mâ i spikatun. Paraqiti gjendjen e vështirë, e cila do të bâhej e dëshpërueme në qoftë se prijësit me shkollë do të vazhdojshin të braktisin malin e rrezikshëm, dhe çetat që bjerrin guximin dhe qëllimin, kúr humbin krenët e përgatitun!… Gjendja, pra, duhej rregullue pa vonesë. Besimi duhej vumë në vend. Shkaktarët e krizës morale duheshin zhdukë… 

Mirëpo përgjegjësit e këtij shkatrrimi qenë mâ të shkathët!… 

Nji ditë erdh lajmi nga rrethet e Vlonës, se nazistët, me nji pusi të përgatitun, kishin kapë, Skënderin, Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Gjermanët dojshin të zbulojshin qendrën dhe planet amerikane. Ndërmjetësit e kësaj poshtërsije, kërkojshin greminën e Ballit… 

                                         *        *       *

Fati i tre shokëve tonë t’arrestuem në Vlonë nga Gjermanët nuk po merrej vesht. Nuk mjaftonte urrejtja e opinionit kombëtar për të dënue dorasin.  

Më thânë të shkojshe dhe ta shtrojshe hallin tê Regjenti, At Anton Harapi. E gjeta me nji revolver ëalter mbí tryezë, te Kuvendi Françeskan i Tiranës. Si antar i Këshillit të Naltë, e kishte edhe Ai jetën në rrezik. I kujtova fjalimin e prekshëm që pat mbâjtë në Shkodër, kúr u bartën eshtnat e dëshmorëve, Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli: “Ndalni-u burra…”. 

I thashë: “A duhet të presim ditën e nji fjalimi, apo të ndalim gjaksorët e njohun?!”. 

Më premtoi se po ndërhynte me shpirt ku duhej, për të shpëtue Skënderin me shokë. 

Pritëm nji lajm mâ pak të keq, se sa atë që na derdhi lotët: “Skënder Muço, Yzeir Ismaili, Zako Mezini u gjetën të vrâmë afër Lushnjes, edhe të shtimë të tre së bashku në nji gropë të zezë. Vrasja e tyne ishte bâmë menjiherë mbas arrestimit” Armiqt e njohun dhe të panjohun nuk kishin humbë kohë… 

Më dërgoi Kryetari për të ngushëllue familjen e Zakos. Fjalët më dukeshin të kota, por të detyrshme. “Durimi” i uruem tingëllonte si pare kallpe (pa vlerë)… 

Dikush e ndërroi bisedën e mortshme, me atë të Luftës Civile. 

Vjershëtori Ali Asllani, që ndodhej aty, më dha nji mësim të mirë historije: “Kam qenë me Princ Ëied-in, kúr braktisëm Durrësin me 7 të Shtatorit 1914 më tha: 

Ishte hapë fjala se rebelët me mija, kishin rrethue kryeqytetin e bregdetin. Nga anija që na mori, numruem vetëm disá qindra rebelësh, me pushkë e pa pushkë, që zunë vendin tonë! Mos të daltë záni për të mirë ose për të keq!… Para se të pushtohet vendi, pushtohet opinioni…”

*

Skënder Muço, orator i radhës së parë, buzëqeshur e zemërluan një nga udhëheqësit e masës së re shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar u kap prej policisë gjermane dhe tradhëtarëve të vendit në gusht 1944 dhe u pushkatua bashkë me dy shokët e tij Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Ishin tre lisa të qëndresës shqiptare që u thyen prej furtunës.   

(Gazeta “Flamuri”, Romë, nr. 45 -46, dt. 31.10.1953, f. 3. Materialet janë nxjerrë nga Flaka  “Kuq e Zi”, Kallzim.  Botue për herë të parë në vëllimin e posaçëm të librit Albania, më 1970 dhe pjesët tjera në numrat e gazetës “Flamuri” (1976-1980). Âsht nji kallzim që ka të bâjë me ngjarjet e qindresës. Prof. Zef Pali pat ndër mend ta plotsojë kallzimin dhe ta botojë si libër, porse vdekja nuk e lâ ta kryej veprën e nisun.

“Kuq e Zi” është ribotuar në librin “Flamuri, Flaka e pa shueme”, në dorëshkrim të Franc Palit, i biri Zef Palit. 

*

1) Prof. Zef Pali, (1910-1977) 

lindi në Shkodër. Studimet e larta i kreu  në Firence. Në vitin 1941, shkon në Kosovë, përkrah 200 mësuesve dërguar atje bashkë me të shoqen Flora Pali (Lezhja), mësuese.

Ishte ndër të parët organizatorë të demostratave kundër fashizmit me organizatën “Balli kombëtar”, shtypin e së cilës e drejtoi për gati 30 vjet.

Në vitin 1944 largohet në Itali. Shkrimet e tij, që firmoheshin me pseudonimin “Flaka”, shënjojnë kualitet të veçantë në memorjen atdhetare të elitës së mërgatës sonë në botë. Prej vitit 1955 e deri në fund të jetës, punoi në Seksionin e Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Orator i shkëlqyer, mjeshtër i shkrimit dhe i artikulimit, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe një luftëtar i pa kompromis i lirisë. Vdiq aksidentalisht në Romë, në vitin 1977. U varros me nderime të mëdha prej Mërgatës Shqiptare, në Nju Jork (Sh.B.A) , në varrezën “Ferncliff”, pranë varrit të Mid’ had Frashërit.

Filed Under: Analiza

Patrioti At Luigj Palaj, martir i krishtërimit

March 8, 2025 by s p

Prend Ndoja/

Gjithmonë më kishte tërhequr vëmendjen ai kryq i madh i hekurt në Janosh të Gjakovës, nga na binte udha shpesh të kalonim. E quanin Kryqi i Fratit dhe ishte bërë një toponim i njohur e i përdorshëm nga fshatarët si një pikë takimi dhe referimi në bisedat e tyre. Por në fëmijëri kisha mundur të mësoja nga prindërit vetëm faktin që ai kryq i përkiste kujtimit e nderimit të një prifti françeskan, me emrin Atë Luigj Palaj, i cili ishte vrarë pikërisht në atë vend nga shkjetë. Kur u rrita dhe fillova të lexoj për jetën e tij, mësova edhe historinë e këtij prifti martir, që e masakruan dhe e vranë pse ishte besnik i palëkundshëm i fesë së tij dhe besimtarëve u thoshte gjithmonë: “Hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”.

Me siguri prindërit e tij, Toma e Paulina, dy njerëz të thjeshtë nga fshati Janjevë, që e lindën më 14 prill të vitit 1878 dhe e pagëzuan me emrin Matì, nuk e mendonin që ai fëmijë do të bëhej një shërbëtor i devotshëm i Krishtit, të cilit do t’i falte një ditë edhe gjakun e jetën e tij. Që në moshë të vogël atë e thirri Zoti në udhën rregulltare të fretërve të vegjël, për të cilën ai studioi në Shkodër, në Troshan të Lezhës e në Itali. Mbase ishte një kionçidencë që atje në Troshan ai gjeti edhe bashkëfshatarin e vet, Shtjefën Gjeçovin, i cili kishte lindur 4 vjet para tij në Janjevë. Më vonë koinçidencat do të kryqëzoheshin shpeshherë në jetën e tyre. Në Troshan, Matia e ndërroi emrin e tij të fëmijërisë dhe u pagëzua me emrin Luigj. I shquar për vullnetin e zellin e tij gjatë gjithë viteve shkollore, ai arriti që më 23 shtator të vitit 1896, në moshën 18-vjeçare, të veshë petkun fetar të Shën Françeskut. Meshën e tij të parë si françeskan ai e kremtoi më 20 prill të vitit 1903 dhe që aty nisi misioni i tij si bari i shpirtrave njerëzorë. E nisi në fshatin Baz, por mendjen e kishte për ngritjen e kishës së re në fshatin Gllogjan të Gjakovës. Për këtë qëllim filloi menjëherë të mbledhë lëndën e parë të nevojshme.

Nga fillimi i vitit 1913 serbo-malazezët kishin filuar një fushatë djallëzore në zbatim të doktrinës për shpopullimin e Kosovës, Iliridës e Sanxhakut dhe futjen e familjeve serbe e malazeze në tokat e shqiptarëve. Serbia nga ana e saj kishte bërë një marrëveshje me Turqinë për të shpërngulur banorët shqiptarë të besimit mysliman në Turqi, Irak, Iran e Siri. U shpërngulën rreth 200 mijë shqiptarë. Familje të tjera dëboheshin me forcë nga tokat e tyre. U sollën rreth 20 mijë familje serbe dhe ishte planifikuar të silleshin edhe 5 mijë familje malazeze në Rrafshin e Dukagjinit. Ndërsa shqiptarët e besimit mysliman degdiseshin drejt djerrinave të Anadollit, shqiptarët e besimit katolik pësonin një persekutim tjetër. Atyre u kërkohej të ndërronin besimin e tyre dhe të ktheheshin në ortodoksë. Kjo ishte një politikë e veçantë e kishës serbe dhe malazeze. Nga ana tjetër ua mohonin atyre të drejtat e shkollimit në gjuhën shqipe. Synimi i tyre ishte që nëpërmjet rrugës fetare ta bënin sa më lehtë asimilimin e popullsisë shqiptare, pra ta eliminonin kombin shqiptar.

Atë Luigj Palaj e kishte kuptuar me kohë e në thelb këtë fushatë dhe politikë djallëzore, armiqësore dhe antishqiptare. Ndaj iu kundërvu asaj hapur. Duke kryer misionin e tij si njeri i fesë, ai predikonte tek besimtarët mbrojtjen e fesë katolike dhe të krishtërimit. Pa u ngritur asnjëherë kundër besimeve të tjera fetare, të cilat ai i respektonte dhe me të cilët bashkëpunonte, ai ngulte këmbë që secili ka të drejtë të mbrojë besimin e vet dhe të ndjekë e kremtojë ceremonitë e festat fetare sipas besimit të tij. Ai shkonte shtëpi më shtëpi, takonte besimtarët dhe u shpjegonte të këqiat që sillte kërkesa e ndërrimit me forcë të besimit fetar. Pas asaj kërkese, ishte shkombëtarizimi i vendit. “Pranoni të hiqni keq, por fenë mos e ndërroni”, këmbëngulte ai tek besimtarët, ndërsa u fliste për kalvarin e Krishtit dhe sakrificat e tij deri në kryqëzim. I porosiste të qëndronin të bashkuar dhe të mos pranonin të largoheshin nga tokat e tyre. Puna e tij u jepte kurajo besimtarëve dhe e forconte tek ata shpirtin e qëndresës. Ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, por përpara kauzës e misionit të tij nuk i trembej as vdekjes. Në shënimet që ka shkruar më vonë Shtjefën Gjeçovi për bashkëfshatarin e bashkëmisionarin e tij, Atë Luigj Palajn, sjell mes të tjerash edhe bisedën që ai kishte bërë me një besimtar, i cili kishte shkuar ta njoftonte Atë Luigjin për rrezikun që e priste nga shkjetë. Dhe prifti i ishte përgjigjur besimtarit, që ishte një bari: -Ti i del zot tufës sate me pushkë e unë do t’i dal zot tufës seme, që janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshillë. Ujku ka hy veç mbrenda vathit tem, e ka fillue me ma damtue tufën. Mue më duhet, pra, me i ra mbrapa tufës seme e me i turitë ujqit me kërcënime të rrepta me anë të Zotit. Unë nuk ja kam kujdesin këtij mishit tem, i cili, sot a nesër do të bahet gjellë krimbash.

Serbo-malazezët po e ndienin forcën shpirtërore të shqiptarëve, që rezistonin në mbrojtje të fesë së tyre dhe të tokave të tyre. E kuptuan që dikush punonte kundër tyre dhe arritën të bien në gjurmët e fratit katolik dhe të punës së tij të palodhur. I bënë kërcënime e presione që të hiqte dorë, por Atë Luigj Palaj nuk e ndalonte punën e tij dhe as thyhej e as frikësohej përpara tyre.

Nga fillimi i vitit 1913 serbomalazezët filluan kontrolle e raprezalje nëpër fshatrat kosovare, me pretekstin se po kontrollonin për armë. Por qëllimi i vërtetë ishte realizimi i doktrinës së tyre të shpopullimit. Në një nga fshatrat e gjetën edhe Atë Luigj Palajn dhe e arrestuan, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë që bënin rezistencë. E dërguan në burgun e Gjakovës, ku e vunë nën akuza të rrepta dhe nën tortura çnjerëzore. I kërkonin të hiqte dorë nga misioni i tij. Madje i kërkuan edhe që të ndërronte fe e të bëhej shkja. Por përgjigja e tij ishte e prerë dhe e vendosur: ”Unë kam Zotin tem Krishtin, e zëvendësin e tij në tokë, që sundon kishën katolike. Unë si meshtar katolik, urdhrit të tij i rri më këmbë e vetëm atij i bindem”.

Pas këtij qëndrimi të vendosur e pa kompromis, persekutuesit e tij vazhduan me tortura çnjerëzore fizike, të cilat ai i përballonte me një qëndresë të rrallë, burrërore e hyjnore. E lidhin bashkë me 54 shqiptarë të tjerë dhe i nisin më këmbë, duke i torturuar gjatë gjithë rrugës, për në burgun e Pejës. At Luigj Palajn e torturonin më shumë, duke e goditur me kondakun e drunjtë të pushkëve dhe duke ia çjerrë rrobat e mishin e trupit me bajonetë. Ai udhëtim ishte tamam udha e kalvarit të tij, si ajo e Krishtit drejt kryqëzimit. Në vendin e quajtur Janosh, forcat e tij fizike thuajse kishin mbaruar dhe po e tërhiqnin zvarrë. Njollat e gjakut të tij skuqnin tokën. Ishte i veshur hollë, vetëm me një këmishë e ishte akoma dimër i egër, fillimi i muajit mars. E zgjidhën nga rreshti ku ishte lidhur me të tjerë dhe e hoqën disi mënjanë. E larguan nga rruga dhe e vunë përpara pushkatimit.

Përpara se të dëgjoheshin krismat, të burgosurit e tjerë, që e donin dhe e kishin udhëheqësin e tyre shpirtëror, dëgjuan nga goja e misionarit të shenjtë thirrjen: “Qoftë për hatër të Krishtit”!. Pastaj krismat e armëve të persekutorëve. Ata hapën një gropë dhe e varrosën ashtu, pa asnjë lloj mbulese, sikur nuk varrosnin në qenie njerëzore. Ishte 7 mars i vitit 1913. Dhe Atë Luigj Palaj kishte pothuajse të njëjtën moshë që pati Krishti në momentin kur e kryqëzuan. I madhi Gjergj Fishta do të shkruante në poemthin e tij kushtuar këtij martiri:

U rrzue sherbtori i Zotit —Heu! Si nuk plasi djerri! E syt per t’gjatë të motit Ndermjet anmiqve i erri: Gjaku prej varrvet t’ngrata Gurglloi mbi buca t’thata.

Në shënimet e tij, Shtjefën Gjeçovi, sjell kujtime të bashkëkohësve, të cilët tregojnë se kur e kishin hapur varrin e Atë Luigjit, pas 9 javësh, trupi i tij ishte si atë ditë që e kishin vrarë, i paprishur, pa erë dhe me një ndriçim të bardhë si ai i murit të sapolyer. Vetë Gjeçovi kishte marrë si kujtim një eshtër të krahut të këtij martiri të krishterimit.

Atë Luigji u shërbeu besimtarëve dhe çështjes kombëtare jo vetëm me jetën, por edhe me vdekjen e tij. Kur Europa mori vesh këtë masakër, mbajti atë qëndrim shurdh që ka mbajtur gjithmonë sa herë që janë dëmtuar trojet dhe popullsia shqiptare, edhe pse gazetat evropiane të kohës shkruanin për këtë ngjarje: “Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX”. Por Austria dhe Selia e Shenjtë në Vatikan reaguan dhe ai reagim bëri që malazezët ta ndërprisnin fushatën e tyre në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo shpëtoi sa e sa jetë njerëzish e sa e sa familje nga persekutimi dhe dëbimi. Ndërprenë atë fushatë, por dihet që doktrina për shpopullimin e territoreve shqiptare ekziston edhe sot e kësaj dite, me synimet e përhershme grabitqare e antishqiptare.

Shtjefën Gjeçovi, që jetoi edhe 16 vjet pas Atë Luigjit, iu përkushtua mbledhjes së kujtimeve për bashkëmisionarin e tij dhe ka lënë mbi 80 faqe të shkruara. Edhe ai u vra në fshatin Zym nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929. Dhe sot varret e të dyve gjenden pranë e pranë.

Atë Luigj Palaj kishte mbledhur materiale për të realizuar ndërtimin e kishës së re në Gllogjan. Nuk e lanë ta realizonte këtë ëndërr. Por vetëm 7 muaj pas vdekjes së tij, më 7 tetor të vitit 1913, u hodh guri i parë kishës së re në këtë fshat, me praninë e një numri të madh besimtarësh, si dhe të kolonelit austro-hungarez Schueler, të përfaqësuesit malazez Spasojeviç dhe të imzot Lazër Mjedës. Ky i fundit çoi edhe një meshë për shpirtin e martirit.

Jeta plot sakrifica, përkushtimi prej misionari të devotshëm dhe martirizimi i Atë Luigj Palajt bënë jehonë deri në Vatikan. Shtjefën Gjeçovi kishte filluar procesin për lumninin e këtij martiri të krishtërimit, por ky proces u ndërpre për shkak se Gjeçovi u vra. E rifilloi këtë proces Arqipeshkvia e Shkodrës në vitin 2010 dhe e vazhdoi për disa vite, derisa më 20 qershor 2024, Kardinali Marcello Semeraro, i autorizuar nga Papa Françesku, shpalli Dekretin për lumnimin e Pater Luigjit, i vrarë nga urrejtja për fenë më 7 mars 1913. Dhe më 16 nëntor të po atij viti, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, u kremtua mesha për lumnimin e dy meshtarëve, njëri prej të cilëve ishte Atë Luigj Palaj. Meshën e kryesoi i dërguari i Papës, Kardinali Marcello Semeraro, i cili mbajti edhe fjalën e rastit, në praninë e popullit të Shkodrës, të ipeshkëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia dhe të kardinalit shqiptar Ernest Troshani.

Kanë kaluar 112 vjet që nga vrasja e këtij martiri të kishës së shenjtë. Sot, më 7 mars, u mblodhën përsëri plot njerëz në fshatin Janosh, tek Kryqi i Fratit. Aty u mbajt mesha e kushtimit të kishës kushtuar atë Luigj Palajt, martir. Meshën Shenjte e kremtoi Ipeshkvi i Kosovës, Monsinjor Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e Dioqezës Prizren-Prishtinë. Kështu, mbi njollat e gjakut të Atë Luigj Palajt, që nuk e thajnë shekujt, do të ngrihet monumenti i kujtesës kombëtare, për birin e shenjtë të Janjevës e të tërë Kosovës, i cili u martirizua për ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar, përballë hordhive serbo-malazeze që përpiqeshin ta zhbënin atë.

Filed Under: Politike

ZEKERIA CANA HISTORIANI, HUMANISTI DHE MBROJTËSI FANATIK I TË DREJTAVE KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE

March 8, 2025 by s p

Nga: Besim Muhadri

Të shkruash për Zekeria Canën, për këtë veteran të historiografisë shqiptare por njëherësh edhe një nga figurat e rëndësishme të kësaj historiografie, është e vështirë. Jo pse nuk ke çfarë të shkruash, por duhet tëhulumtim, informacion, dhe para së gjithash, korrektësi për të shpërfaqur brenda një shkrimi gjithë kontributin e tij të dhënë dekada me radhë. Ikja e tij fizikenga kjo botë vite më parë, përkatësisht më 10 janar të vitit 2009 ishte shumë e dhimbshme, ndonëse kishte 75 vjet të jetës, sepse profesor ZekeriaCana kishte për t’i dhënë akoma historiografisë shqiptare, ashtu siç i dha gjatë dekadave të tëra të jetës dhe të krijimtarisë së stij.

Kur lexojmë biografinë e tij, shohim se ai ishte njëpedagog i përkushtuar, një gazetar po ashtu i përkushtuar, por edhe një aktivist dhe entuziast i madh i aktiviteteve të cilat do të ishin në favor të njohjes se shqiptarëve në një kohë kur ata diskrimoheshin në të gjitha aspektet. Sa e shohim mësues, sa e shohim korrespodent të gazetës “Rilindja”, sa themelues i shoqatës së studentëve shqiptarë që studionin në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetëtë shekullit të kaluar në Universitetin e Beogradit, në kohën kur në Kosovë nuk kishte universitet, sa profesor historie, sa të pushuar nga puna e të përndjekur, sa punonjës arkivi, instituti, themelues Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtavedhe Lirive  të Njeriut, sa të rrebeluar ndaj padrejtësive që regjimi jugosllav e ai serb i bente popullit të tij.

Interesimet e tij për çështjen shqiptare dhe zbardhjen e të vërtetës për të i shohim që herët, por më theksueshëm do t’i hasim te punimet e tij shkencore. Herën e parë me rastin e përgatitjes dhe mbrojtjes se temës së magjistraturës dhe herën e dytë me rastin e punimit dhe mbrojtjes së disertacionit të doktaraturës. Që të dyja kishin të bënin me çështjen shqiptare, përkatësisht me përpjekjet dhe lëvizjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri dhe pavërësi, në kohë dhe periudha të ndryshme. E para ka të bëjë me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovëgjatë viteve 1909-1912 dhe qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj lëvizje, ndërsa e dyta me qëndrimet e socialdemokracisë serbe në krye me DimitrieTucoviqin ndaj çështjes shqiptare.

Pra siç shihet, rruga jetësore dhe shkencore e profesor Zekeria Canës ishte e përcaktuar që herët. Nuk kishte asnjë dilemë se ai do të punonte, gjurmonte vazhdimisht, jo vetëm në ndriçimin, por edhe në mbrotjen deri në fund të çështjes shqiptare, të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe në përgjithësi të atyre që jetonin mbrenda hapësirës së të ashtuquajturës Federatë Jugosllave, ku në vazhdimësi dhe egërsisht shkeleshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Puna dhe hulumtimet shkencore të profesor Zekeria Canës, ku trajtohen probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., kanë“Bottom of Form

mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike”. Si të tilla ato natyrisht se përbëjnë njëkontribut të rëndësishëm tëtij.

Gjatëleximit dhe studimit të veprave të Zekeria Canës, shohim se studimet e tij, reagimet dhe hulumtimet e tij janë të bazuara nëanaliza shkencore, ku asnjëherë nuk mungon qëndrimi kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit. Në shkrimet dhe studimet e veta profesor Zekeria Cana, përveç shpjegimit historik të dokumenteve, ai arrin që me njëmaturi, thellësi dhe guxim intelektual dhe me fakte të demaskojë dhe të hedhë poshtë pikëpamje dhe qëndrime pseudoshkencore dhe shoveniste tëhistografisë serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në studimet e profesor Canëspërveç pasqyrimit objektiv të ngjarjeve me rëndësi të madhe për popullin shqiptar dhe historiagrafisë së tij në tërësi, vërehet edhe një stil i veçantë, dhe i rrjedhshëm i të shkruarit, i të trajtuarit dhe i të argumentuarit. Profesor Cana ka një gjuhë tejet të pastër, e cila karakterizohet nga një sintaksë dhe leksik i rrallë, që do t’ia kishin lakmi edhe gjuhëtarët dhe letrarët më në zë të kohës.

Shikuar në tërësi, interesimet studimore të profesor Zekeria Canës, veçanërisht ato qëkanë të bëjnë me Lëvizjet Kombëtare Shqiptare, janë një kontribut shumë i çmuar që japin mundësi thellimi në këtë fushë dhe të njohjes së këtyre periudhave të cilat trajtohen nga ai. Po ashtu aty kemi edhe qartësime të shumë çështjeve historiagrafike, veçanërisht të periudhës së dhjetvjetëshit të parë të shekullit të kaluar.

Profesor ZekeriaCana fushën e interesimeve dhe kontributeve të tij e ka shtrirë edhe në periudha të tjera historike, ndërsa aktivitetet e tij gjatë viteve të okupimit serb të Kosovës, sidomos në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovës, janë një kontribut i jashtëzakonshëm që mbahet mend nga gjeneratate atyre viteve, për të cilat profesori ishte bërë një simbol i mbrojtjes të të drejtave kombëtare shqiptare, por edhe një shpresë e luftës për liri në Kosovë.

Filed Under: Histori

DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

March 8, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

“8 Marsi”

Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të grave, të datës 8 mars 1914 shkruan: 

„Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t’ia paguajnë, si shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8 mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“.  

Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje ndërkombëtare. 

Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë në vit, më 8 mars. 

Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave) ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.

*   *   *

Dita ndërkombëtare e grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë femërore. Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe për emancipimin e femrave. Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës. Me shënimin e Ditës së grave përkujtoheshin edhe ngjarje historike të rëndësishme, duke përfshirë edhe tragjedinë e shkaktuar nga zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin 1911, me ç’rast humbën jetën mbi 140 gra.  

    Pasqyra historike – Figura të njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë socialistja gjermane Klara Cetkin (Clara Zetkin, 1857-1933) dhe komunistja gjermane me prejardhje hebraike Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg, 1871-1919). 

Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune, shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork (New York). Punëtoret e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njohur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote. 

Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara Cetkin* (Clara Zetkin) u përcaktua “Dita ndërkombëtare e grave“.

Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër. Këto ngjarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork, me ç’rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë, pati numër të madh viktimash. Në prag të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913, femrat e mbarë Evropës organizuan demonstrata paqeje.        

    Demonstratat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit, revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e marksizmit Aleksandra Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të shënuar „heroizmin e punëtoreve“.

Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e vet ideologjike dhe u shndërrua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj pjesëtarëve të gjinisë së kundërt. Në shtetet perëndimore Dita ndërkombëtare e grave ka shërbyer si amalgamë tipike e Ditës së nënës dhe e Ditës së Shën Valentinit.  

“Dita e grave” në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të kadifenjtë – u hoq. Në Hungari ndërkaq, tradita për t’u dhuruar lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.   

  “Dita e grave” sot – Në shumë shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i Ditës së grave në Itali është mimoza. 

Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht pushoi të shënohet në vitet ’30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit maj, shënohet “Dita e nënës” për nder të nënës dhe të të qenit nënë.     

  Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgizi, në Moldavi, në Mongoli e në Taxhikistan dhe shënohet me lule e  dhurata.

Por, në vitet ’60 të shekullit XX feministët përsëri filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas, Ditën ndërkombëtare të grave Kombet e Bashkuara nisën ta festojnë zyrtarisht.         

Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa prej tyre kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në të gjitha vendet.  

*   *   *

Shënim: Roza Luksemburg lindi në vitin 1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike. Ishte shtetase gjermane. Studioi në Universitetin e Cyrihut. Teoriciene e marksizmit dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë.

Roza Luksemburg, Karl Libkneht* (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering* (Franz Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale – Lidhja Spartakus (Lidhja Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik lindi Partia Komuniste Gjermane. Në janar të vitit 1919 Roza Luksemburg mori pjesë në revolucionin e pasuksesshëm në Berlin. Kryengritja shpërtheu përkundër mospajtimit të saj. Revolucioni u shua nga mbetjet e ushtrisë monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, të njohur si frajkorë. Roza Luksemburgu, Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u pushkatuan. Teoria revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizmi, buron nga emri i saj.

Karl Libkneht (Karl Paul August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut dhe i Franc Meringut. I përket Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, është një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U pushkatua pas kryengritjes së pasuksesshme në Berlin.

Franc Mering (Franz Erdmann Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) sociolog gjerman, historian dhe historian i letërsisë, marksist dhe politikan radikal. Një prej udhëheqësve të krahut të majtë dhe teoricien i socialdemokracisë gjermane. Një prej themeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Komuniste të Gjermanisë.  

*   *   *

Shënim: Klara Cetkin, mbiemri i vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Konfederata Gjermane, 1857 – Arhangelskoje, afër Moskës, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. U shkollua për arsimtare. Bashkëmendimtare e Roza Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus Osip Cetkin (Ossip Zetkin, Odesë, 1850 – Paris, 1889) me të cilin kishte dy djem. Në vitet 1899-1928 ishte e martuar me piktorin gjerman Georg Fridrih Cundel (Georg Friedrich Zundel, 1875-1948).      

Prej vitit 1874 u lidh me lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Në vitin 1878 u bë anëtare e Partisë Socialiste Punëtore (Sozialistische Arbeiterpartei, SAP). Kjo parti u themelua më 1875 me bashkimin e dy partive paraprake: Asociacionit të Përgjithshëm Gjerman të Punëtorëve (ADAV), të themeluar nga Ferdinand Lasal* dhe Partisë Socialdemokrate Punëtore (SDAP) të August Bebelit* dhe të Vilhelm Libknehtit*. Më 1890 partia e ndryshoi emrin dhe u quajt Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD). 

 Në debatin mbi revizionizmin në fillim të shekullit XX, Klara Cetkin, bashkë me Roza Luksemburgun mban vijën revolucionare ekstreme dhe sulmon tezat reformiste të Eduard Bernshtajnit*. Gjatë qëndrimit në Paris luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Internacionles Socialiste. Zhvilloi lëvizjen e femrave socialdemokrate në Gjermani.

Klara Cetkin ishte aktive në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD). I përkiste krahut të ekstremit të majtë të partisë – Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste Gjermane (KPD). Gjatë Republikës së Vaimarit (Weimarer Republik), në vitet 1920-1933 ishte deputete popullore në Rajhstag (Reichstag). 

Më 8 mars 1911 organizoi kremtimin e parë të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1915, krahas veprimtarive të tjera kundër luftës, organizoi në Berlin konferencën ndërkombëtare të grave kundër luftës. Gjatë luftës, për shkak të qëndrimeve kundër luftës, u burgos disa herë. Në vitin 1916 Klara Cetkin është një prej bashkëthemeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) e cila, në vitin 1917 u nda nga partia nënë – SPD. Në janar 1919, pas revolucionit gjerman të nëntorit të vitit paraprak (1918), u themelua Partia Komuniste Gjermane (KPD). Klara Cetkin u bë anëtare e saj. Në vitet 1920-1933 ishte deputete e popullit në parlamentin gjerman. Më 1920 e intervistoi Vladimir Iliç Leninin (1870-1924) për “çështjen e femrës”. Në vitet 1921-1933 ishte anëtare e Komitetit ekzekutiv të Kominternit. Vdiq në Arhangelskoje afër Moskës. U varros në muret e Kremlit në Moskë.  

Shënim: Ferdinand Lasal (Ferdinad Lassalle, 1825-1864) është jurist, filozof pruso-gjerman, veprimtar socialist dhe socialdemokrat. Lindi në Vrocuav, të Polonisë. Vdiq në Carouge të Zvicrës. U varros në Old Jewish Cemetery, në Vrocuav të Polonisë. August Bebel (1840-1913) është shkrimtar dhe politikan gjerman, socialist, socialdemokrat. Lindi në Deutz, Këln të Gjermanisë. Vdiq në Passugg të Zvicrës. Vilhelm Libkneht (Wilhelm Martin Philipp Christian Ludwig Liebknecht, 1826-1900) socialist dhe marksist gjerman, udhëheqës politik, bashkëthemelues i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Eduard Bernshtajn (Eduard Bernstein, 1850-1932) – politikan, ekonomist dhe sociolog gjerman. Socialdemokrat dhe propagandues i ideve socialdemokrate, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SDAP), teoricien marksist dhe revizionues i ideve marksiste.

Filed Under: ESSE

Si ndikon “ora e dellore” në shëndetin tuaj

March 8, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

pink alarm clock in pastel colorful background.Top view

Ndërsa amerikanët përgatiten të fillojnë të dielën, disa mund të kenë frikë nga humbja e një ore gjumi. Në fakt, mbi gjysma e SHBA. të rriturit tani kundërshtojnë kohën e kursimit të ditës, sipas një sondazhi të fundit të Gallup – dhe arsyeja mund të mbështetet nga shkenca. Ekspertët thonë se ndryshimi i orës bën më shumë sesa thjesht t’i bëjë mëngjeset pak më të vështira, por ndikon në shëndetin tonë.

“Ndryshimi i orës së pranverës çon në mungesë gjumi në të gjithë shoqërinë,” thotë Jennifer Martin, ish-presidente e Akademisë Amerikane të Mjekësisë së Gjumit dhe profesoreshë e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë David Geffen në UCLA.

Një ndikim i madh

Ndërsa humbja e një ore gjumë mund të mos duket si një ndryshim i madh, Martin thotë se kjo ka një ndikim të madh në shëndetin tonë – kryesisht sepse shumica e amerikanëve nuk po flenë mjaftueshëm. “Shumë amerikanë tashmë janë të privuar kronikisht nga gjumi ose vuajnë nga çrregullime të gjumit,” thotë ajo. “Ky ndërprerje shtesë përforcon ndonjë nga simptomat që ata tashmë kanë.”

Ndryshimi i orës sjell me vete edhe ndikime të tjera negative shëndetësore për shkak të ndryshimeve në ritmin tonë cirkadian. “Ritmi ynë cirkadian është ora jonë e brendshme dhe është shumë e lidhur ngushtë me ditën 24-orëshe”, thotë Martin. “[Kursimi i ditës] në fakt ndryshon marrëdhënien midis orës sonë të brendshme dhe mjedisit të jashtëm.”

Kalimi në orën e ditës do të thotë që ritmet tona cirkadiane nuk janë më në përputhje me lindjen dhe perëndimin e diellit – dhe kjo ndikon në shëndetin tonë. “Kur jemi në kohën standarde, orët e ditës janë më të lidhura me ritmet tona rrethore,” thotë Martin. Kjo ndryshon kur orët nisin përpara: “Kur kalojmë në orën e ditës, është errësirë ​​më vonë në mëngjes dhe kjo nuk është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.”

Lëvizja e orëve përpara ka qenë e njohur për përkeqësimin e simptomave të ankthit dhe depresionit, dhe gjithashtu është lidhur me një rritje të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru. Kursimi i ditës shoqërohet me më shumë aksidente trafiku, mungesa dhe vonesa, thotë Martin.

Zbutja e efekteve

Ndërsa ekspertët rekomandonin të ndryshoni orarin tuaj me 15 minuta çdo ditë në ditët para ndryshimit të orës, Martin thotë se ndryshimi nuk është i lehtë për t’u zbatuar nga shumica e njerëzve. “Është e pamundur ta bësh këtë, sepse asgjë në shoqëri nuk ndryshon me 15 minuta në ditë,” thotë ajo. “Mënyra se si shoqëria ndryshon [për kursimin e ditës] është befas, brenda natës, në një natë.”

Martin paralajmëron kundër përdorimit të mjeteve ndihmëse për gjumë si melatonin. “Shumë nga këta agjentë ju bëjnë të përgjumur dhe përgjumja është një nga problemet me të cilat njerëzit do të luftojnë gjithsesi,” thotë ajo – duke shtuar se ndikimet e mbetura të mjeteve për gjumë mund të ndikojnë në vigjilencën tuaj mëngjesin tjetër.

Në vend të kësaj, Martin rekomandon thjesht t’i jepni trupit tuaj kohë për t’u përshtatur me ndryshimin. “Ky përçarje është biologjike,” thotë ajo. “Nuk është diçka që mund ta kapërcesh thjesht duke u përpjekur më shumë.”

Çfarë ka thënë Trump deri më tani për kohën e kursimit të ditës?

Në dhjetor. Më 13, 2024, Trump postoi në faqen e tij të mediave sociale, Truth Social, “Partia Republikane do të bëjë përpjekjet e saj më të mira për të eliminuar kohën e kursimit të ditës, e cila ka një zonë të vogël, por të fortë, por nuk duhet! Ora ditore është e papërshtatshme dhe shumë e kushtueshme për kombin tonë.”

Por më shumë se një muaj në presidencën e tij, Trump nuk ka bërë ende ndonjë lëvizje për këtë çështje që nga postimi i tij në Truth Social dhe ekspertët janë pak të pasigurt se çfarë ndryshimesh mund të vijnë.

David Prerau, autor i “Seize the Daylight: The Curious and Contentious Story of Daylight Saving Time” dhe një ekspert në këtë temë, thotë se ekzistojnë tre opsione. E para është ruajtja e sistemit ekzistues të ndërrimit të orës dy herë në vit; Aktualisht, pjesa më e madhe e Amerikës e vendos orën një orë përpara duke filluar nga marsi për kohën e kursimit të ditës dhe e kthen orën një orë prapa duke filluar nga nëntori për orën standarde. Opsioni i dytë është që të bëhet e përhershme koha e kursimit të ditës dhe e treta është të bëhet e përhershme koha standarde.

“[Trump] e tha atë në një fjali shumë të shkurtër pa detaje, kështu që nuk është e qartë se cilin prej tyre do të thoshte,” thotë Prerau. “Shumica e njerëzve as që e kuptojnë se ka dy opsione të tjera.”

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment duke kërkuar qartësi mbi planet e Trump për kohën e kursimit. 

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT