








Alfons Grishaj*/
Mendoj se, në diktatura manipulimi i votave nuk ka të bëjë me preferencat partiake, por me strategjinë dhe interesat e grupeve të caktuara. Koncepti i votës është vetëm një vegël për të realizuar planet afatgjata. Popujt që nuk kanë arritur ende konceptin e votës civile, janë të predispozuar t’i përsërisin dhe t’i vuajnë në kurriz zgjidhjet e gabuara që viktimizohen nga propaganda. Historia na mëson se, karizmat që kanë pasur liderat autoritarë janë përdorur për të ndezur emocionet dhe frymëzuar pjesën e shumicës së pavendosur. Taktikat e përdorura mbeten sugjestive në kontekstin politik, dhe monetare në konceptin jetik. Mjeshtrat e këtyre maskaradave dhe farsave qenë: Stalini, Gebëlsi, Musolini, Enveri, Hitleri, Mao Tzedong, Ceausescu, Fidel Castro etj…Ndërsa tani militojnë : Putin, Kim Jong Un, Maduro, Khomeini, Vuçiq etj. Pra, siç shihet, bota e ka përjetuar dhe vazhdon t’a përjetojë keq skllavërinë e votës. Ndërsa prej 80 vitesh, këmbanat bien pa pushim në Shqipëri, nostalgjia e bolshevizmit dhe tzedongshizmit vazhdon t’i bëjë karshillëk demokracisë. Fatkeqësisht, po ngre krye dhe në Amerikë. Si dëshmitar dhe përjetues i praktikave diktatoriale, sjell momentet e përjetuara dhe ilustruara se sa e rëndësishme dhe e fuqishme është vota kur respektohet dhe nuk tjetërsohet në forma banale. John F.Kennedy, thoshte për votën: “The ignorance of one voter in a democracy impairs the security of all.”
VOTA E 31 MARS 1991
Me 31 Mars, të parat zgjedhje pluraliste, shqiptarët votuan mbi 90% , ku për PD, votuan 38% ndërsa për PP, votuan 56%, ndërsa partitë si, PR, PBDNJ, morën rreth 2 apo 3% të votave secila. Fillimi i votimeve të 31 Mars 1991 dukej i qetë. Por pas pak, repartet ushtarake të PP-së, të organizuar me ifa me nga një oficer në krye, shkonin për të votuar sa në një qendër votimi në tjetrën…Në Tophanë, vigjilenca e Ardian Hoxhës, zbuloi planin ogurëzi të PP-së për përpjekjet e vjedhjeve të para pluraliste. Ardiani denoncoi hapur një oficer me disa ushtarë që votonin sa në një qendër votimi në tjetrën. Ai kish pikasur këtë grup në qendrën Tophanë, ku dhe ai kish banesën. Grupi i ushtarëve (po sa grupe ishin si ai në të gjithë Shqipërinë?) udhëhiqej nga një oficer, i cili mundohej t’i kishte ushtarët nën kontroll, duke i vënë në rresht dhe dirigjuar në qendrat e votimit. Ardiani i nervozuar m’u drejtua: “Mos ja futni gjumë! Kjo Ifa me ushtarë që u nal tash ka votu dhe njiherë!” Unë drejtova shikimin nga ata. Atyre u printe një oficer me mustaqe të holla. Nga dialekti dukej se ishte nga Jugu i Shqipërisë. U afrova pa mëdyshje dhe e pyeta oficerin nëse ata kishin qenë dhe njëherë në qendrën Tophanë…Oficeri simpatik me mustaqe të holla e mohoi me arrogancë. Ulja e syve tij nuk justifikoi sjelljen e dyshimtë që mundohej t’a fshihte pas syve përdhe. Si vëzhgues i PD-së, protestova tek Sokol Shazi (Prokuror që përfaqësonte PP-në, kryetar i qendrës votimi, Tophanë). Sokoli m’u përgjigj, “Jo besa tek unë!” Sokoli sa i pa u tha: “More më kujtoheni…ju keni votuar dhe njëherë!” Oficeri këmbënguli në të vetën duke gënjyer. Atëherë Sokoli i nervozuar iu kthye: “Hypni Ifës sa nuk asht vonë…se për ideal…ju vuna hekurat!” Këta ishin bijtë e Shkodërloces që nuk pyesnin për parti, por vetëm për qytetin e tyre …Populli u mblodh si me bilbil dhe filluan t’i shanin …
Ata të friksuar i hypën Ifës dhe u larguan. Demokratët u hapën me biçikleta në të gjithë Shkodrën, duke lajmëruar rrezikun e vjelljes votës nga PP. Qendrat e votimit u “blinduan” nga njerëz të vuajtur e besnikë të lirisë.
Vota në Shkodër u ruajt! Shkodra fitoi, por humbi Shqipëria! Në të aguar të 1 Prill 1991, qyteti i Shkodrës u trondit nga breshëritë e automatikëve dhe pushkëve. Partia e Punës po festonte fitoren me breshëri armësh…Ky qe dhe fillimi i një tragjedie që nisi me, 1 Prill dhe u bitis më 2 Prill të vitit 1991. Shkodra u la në gjak nga tytat e automatikëve dhe pushkëve që u bënë ngjyrë vjollcë nga breshëritë e paprera. Unë nuk do hyj në detaje se si gjatë fushatës pabarabartë u ndeshëm me kërcënime e antimitingje: “Parti Enver jemi gati kurdoherë!” Nganjëherë kundërshtarët tanë deshën të na pakësonin…Na provokuan dhe me batare armësh, por, heronj si Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Mond Bushati, Arben Lika, Arben Broci, Eduard Grishaj, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ilirian Idrizi, Shenasi Rama, Ibrahim Bilali e shumë të tjerë, nuk pyetën për presionet dhe atentatet…sepse ishin luftëtarë lirie, dhe luftëtarët nuk fshihen prapa perdeve dhe hijeve, por dalin në log të burrave ku e kërkon detyra e shenjtë e lirisë.
Shkodra zbarkoi si vullkan në rrugët e qytetit për të protestuar vjedhjen e votave të shqiptarëve, të cilëve ua grabitën mjeshtrat e kastës vjetër që donin t’a mbanin pushtetin me çdo formë. Kur i treguan Sandër Rexhepit (i burgosur politik që shquhej për humorin e hollë) që, PD humbi në Shqipëri…dhe ia ilustruan historinë e Tophanës me, Sokol Shazi-n. Sandri tha: “Shkodranët, komunizmin e kanë pas gjithmonë për batuta me kalu netët e dimnit. Bile, batutat ma t’ mdhaja i kan qit vetë “komunistët” shkodran. Komunisti ma i madh në Shkodër asht demokrati ma i madh n’ Sarandë, pranaj mos i veni faj atyne (PP-së) se, “efharisto poli” ka ba punën e vet. Bash njaty…dhe andej i ka ra fyellit dhe ka kërcy valle dreqi i kuq duke u zgjanu lakuriq te na”.
VOTA E 22 MARS 1992
Viti 1992, qe një vit drithërues për PS-në (PP u konvertua në PS me 12 Qershor 1991). Pas 2 Prillit, vegjëlia shqiptare ishte zgjuar dhe PP ishte tkurrur në kënetën që kish bitisur. Ana refraktare komuniste u mundua të ndryshonte pamje, duke shitur katër policë, siç ishin: Gjekë Çelaj: kriminel i lindur dhe i ftoftë. Dilaver Papare: Polic-intelektual që jetonte midis dy botëve, por që me, 2 Prill dha urdhër të qëllonin. Çapajev Taçi: Bolshevik i pandreqshëm, injorant dhe gjakndjellës. Hajredin Shyti: Person i edukuar mirë, por besnik i PP-së. Pra, shitja e tyre nuk solli asgjë të re, nuk paqtoi shpirtërat dhe nuk vendosi drejtësi, por një “klering” turpshëm që mbeti gozhdë në ndërgjegjen kombëtare. U dënuan terrenistët gjakësorë, por jo sadistët! Jo kupola e krimit?! Me 22 Mars 1992, u bënë zgjedhjet e reja, ku verdikti i shpirtit civil fitoi mbi krimet e pushtetit dhe propagandës 48 vjeçare. Partia Demokratike fitoi 92, nga 140 vende në parlamet. Siç u vërejt dhe nga monitorët e huaj, shqiptarët pa presion dhe vjedhje vote, fituan lirinë e shumëpritur. PD mori 63% të votave , ndërsa PS mori 23% apo 24% të votave. Matematikisht demokratët morën mbi një milion vota, kurse PS, rreth katërqind e tridhjetepesëmijë vota. Partitë e tjera nga 2% apo 3%…
VOTA E 26 MAJ VITI 1996
Që në momentet e para të paraqitjes të draftit të ri kushtetues me, 6 Tetor të vitit 1994, OSBE dhe Monitorët e KE, qenë tejet të shqetësuar për draftin e ri, dhe me zë të lartë thonin: Këtij drafti i duhen vetëm dy nene për të zgjedhur “Mbretin e Ri” në Shqipëri. Ata përdorën të gjitha format për t’ua sjellur në vëmendje mbarë opinionit, institucioneve fetare se, drafti në treg qe shumë i rrezikshëm, ku përfundimisht do minonte republikën parlamentare dhe lirinë e fesë. Kushtetuta u rrëzua nga populli më 7 Nëndor 1994. Votat- kundra: 903, 630 =56.38%. Ndërsa- pro: 699,245= 43.62%.
ZGJEDHJET E VITIT 1996
Në këtë atmosferë u zhvilluan zgjedhjet e vitit 1996, kopje e shëmtuar e 31 Marsit 1991. Më 26 Maj (Raundi i dytë 2 Qershor) me një pjesëmarrje votuesish 89.1%. Fitorja e demokratëve qe “spektakolare”. PD fitoi, 122 deputetë nga 140 deputetë që kishte i gjithë parlamenti. Kjo ngjarje ndryshoi përgjithmonë raportet midis konceptit të lirisë dhe manifestit komunist. Demokratët në ekstazë të etur për lavdi u turrën për të konsoliduar pushtetin e tyre absolut pa pyetur për standartet ndërkombëtare, duke risjellë regresin e praktikës kaluar dhe rënë keqas në kurthin e specialistëve që braktisën qëndrat e votimit. Sikur kjo “fitore” të realizohej në kohën PP-së, Enveri-reformator do fantaksej me këtë arritje kozmike. PD nuk kishte nevojë për këtë luks vetëvrasës. Sepse dhe sikur të merrte vetëm përqindjet e 92-shit…ato vota ishin të mjaftueshme. Por, ja që politika nuk u bëka prej njerëzve me ndërgjegje dhe intelekt të cunguar. Kurthi i PS punoi perfekt. Ata kishin kohë që përgatiteshin në mënyrë shkencore për goditje vdekjeprurëse të demokracisë, duke përdorur piramidat. I pari që instaloi dhe frymëzoi piramidat në Shqipëri, qe Ajdin Sejdia, këshilltari ekonomik i Fatos Nanos. Fatkeqësisht, populli ynë nuk është një popull me memorje analitike si popujt perëndimorë. Sepse po të ishte…, do i hapnin sytë për të parë se kush ishte në sportelet e degëve të piramidave në qytete, kush ishin të punësuar? Por, tanimë shejtani kish dalur nga shishja. Oficerë dhe zyrtarë të mesëm të nomenklaturës komuniste u shfaqen me fytyra të çelura. Kaq…dhe komentet e tjera janë të tepërta!
Vëzhguesi i asaj kohe konstaton se, në zyrat e shtetit demokrat, 80% të punësuarve ishin funksionarët e nomenklaturës. Zyrtarët e PP-së që nuk kishin lëvizur nga zyrat që nga koha e Ramizit, të cilët me besnikëri rafinuese prisnin momentin e thirrjes! Pas bilbilit, ata braktisën pikat strategjike dhe zyrat e shtetit, duke bërë një bojkot total dhe futur shtetin në kolaps të plotë, rënien e qeverisë. Aleksandër Meksi (Kryeministër) ishte i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka (dhe jetën) për t’i dhënë një mësim revolucionit bolshevik, por Berisha, nuk ishte i gatshëm për një propozim të tillë, ose me saktë, ai nuk qe kurrë dakord që të bëhej luftë civile në Shqipëri. Siç do shpjegoj dhe më poshtë…
“GJENERALËT” E USHTRISË SË MAJTË
Disa të zhgënjyer të PD-së, ishin ndarë nga grupimi i madh, duke u bashkuar me PS, të cilët u bënë “gjeneralë” në një ushtri të majtë. Në anën tjetër, ca mjeranë të PD-së, që patën ndërruar xhaketat (duke u bërë “besnikë), propozuan planin për “mbrojtjen” e Shqipërisë. Pra, lufta ishte, ata me ato, jo “ato” me demokratët! Komunistët e PD-së, ndërtuan një superstrukturë kundërligjore ku përfshiheshin tanket, avionët dhe lëndët kimike. Nën armë u vendosën forcat civile të persekutuara dhe civilë (shumë miq të mi) që nuk kishin frikë nga vdekja. Idealistët mendonin se po mbronin lirinë e fituar me shumë sakrifica (që ngjasonte e tillë), por nuk qe ashtu. Organizatorët e majtë kishin manipuluar vegjëlinë e djathtë ?!…
Në qendër, Gjeneral Shehu (që dështoi në misionin e Vlorës, duke shkuar si policët anglezë në mitingje), një ushtarak i zoti dhe i përkushtuar që nuk bënte kompromis me askënd për ligjet e shtetit. Në komandë, “Gjeneral Gazidede”, njeri që nuk kishte asnjë lloj njohurie ushtarake në terren, por intelektual i mirëfilltë në profesionin e vet. Pa kuptuar, loja e luftës civile kish filluar me metastazat e një kohe të vdekur. Falë reflektimit të Berishës, që bëri matematikën e një ndeshje pa lavdi, ai urdhëroi tërheqjen e trupave duke shpëtuar një tragjedi kombëtare, vrasjen e demokracisë dhe instalimin e një junte laramane!!
VOTA E 29 QERSHOR 1997, “FITORE” ME 3700 VIKTIMA
Populli thotë, “Çdo mbjellësh do korrësh”. Nëse mbjell shi, do kesh përmbytje. Nëse mbjell breshër, s’do të kesh bereqet. Nëse mbjell urrejtje, do bëhet mbulesa jote. Qoftëse mbjell vdekje, prej saj do ndëshkohesh. Çmenduria kolektive e 97-tës i ngjante filmave të hollywood me skeletone të shprishura. Ky qe dhe turpi më i madh kombëtar. Vota u la në gjak sëri. E megjithatë, Vranicki i quajti, “zgjedhje të pranueshme”, dhe pse me 6 Korrik, u përsëritën 32 zona elektorale, ku neokomunistët e rinj “fituan” 101 vende. Vëzhguesit e huaj i quajtën të pranueshme për situatën, por “jo zgjedhje të lira.” Dhuna e ushtruar ndaj PD-së, qe mizore dhe e pamëshirshme. Sikur të mbahej mend, kjo mund të sillte një ndasi të rrezikshme midis shqiptarëve, sepse u vranë më shumë se 3700 vetë… pjesa dërmuese demokratë nga veriu i Shqipërisë.
UNIONI ANTIKOMUNIST SHQIPTAR
Në ato momente historike, u shfaq Unioni Antikomunist, që deri atëherë kishte heshtur, duke u marrë me ndonjë aktivitet datash historike për rrëzimin e komunizmit. Ky grupim i madh prej 8300 anëtarësh, përbëhej nga Jugu dhe Veriu, vëllezër të një gjaku dhe të një ideali për liri. Ndryshimi midis antikomunistëve dhe komunistëve ishte thelbësor: Antikomunistët kërkonin që të mos përsëritej e shkuara, kurse komunistët kishin dëshirë të ri-instalonin atë që kishin humbur. Unioni, falë anëtarëve të vet nga e gjithë Shqipëria kishte informacione të detajuara jetike çfarë po ndodhte në terren…Ata, me kujdes e zgjuarsi mblodhën ngjarjet dhe vrasjet në një dosje të detajuar, një akt-akuzë voluminoze që më vonë u pranua si fakt nga organizmat ndërkombëtare. Para se të vinim në pikën e besimit reciprok midis Unionit dhe Monitorëve të Europës, pati një boshllëk deri në armiqësi me OSCE dhe Monitorët e KE, të cilët kishin marrë informacione të gënjeshtra nga PS, duke krijuar një gjysmëbindje se, Unioni Antikomunist, ishte “krahu i armatosur i Sali Berishës”.
Për hir të vërtetës, një grup special heroik kish qenë për të mbrojtur Berishën dhe institucionet kur ra shteti. Ata patën raste përleshjeje me kriminelë dhe grupe paramilitare që deshën të vrisnin Berishën. Një nga rastet qe sulmi mbi Presidencë me, 7 Mars.Por nuk ishin vetëm grupet paramilitare që do vrisnin Berishën, por dhe të besuarit e tij…Ishin shumë dëshmitarë, kur një grup prej 20 antikomunistësh, bëri një vizitë në presidencë. Ndërsa Gazidede priste jashtë kur të mbaronte takimi midis antikomunistëve dhe Berishës. Berisha, pasi përcolli dhe përqafoi udhëheqësit antikomunistë, ftoi Gazideden. Ai dukej i ftoftë si një cope akulli. Fytyra e tij nuk tregonte asnjë lloj emocioni. Ndërsa antikomunistët linin paradhomën, patën një incident me “besnikun” e Berishës, i cili shfrynte vrerë kundër tij, duke e quajtur Berishën, të butë e inkompetent për t’u hakmarrë kundër Jugut. Ai shkoi më tutje, duke thënë se, “paqe vjen nëpërmjet luftës duke shporrur të parën pengesë, Sali Berishën, i cili gremisi Shqipërinë”. Luigj Curri, kish vënë duart në tëmtha, kurse Edmond Temali “Komandant i grupit të zjarrit” iu afrua Shefit te Unionit, duke i thënë në vesh: “Komandant, t’ia tresim trutë në erë këtij tradhëtari!” Ai e mohoi me kokë, duke iu drejtuar lajmëtarit mortor: “Ata që guxojnë t’ia prekin një qime floku Berishës (dëshmi e parë në shtyp), nuk do kenë mundësi të lënë trashigimtarë në brezni!” E tmerrshme! Më vonë, bash kjo fytyrë i bëri hjeksinë Azemit.
Paralajmërimi i ashpër nuk u bë për të mbrojtur Berishën si individ, por për të mbrojtur Presidentin në ato çaste historike ndërsa valvitej flamuri Grek në Sarandë. Në këto momente dramatike, antikomunistët ditën të bënin zgjidhjen e duhur, duke mbetur të pakonvertueshëm. Ata denoncuan çdo krah dhe luftuan edhe kundër kriminelëve e hajdutëve të bankave si Tiranë dhe Shkodër, duke u vënë pushkën në tëmtha. Zhgënjimi madh qe kur disa“udhëheqës” të PD-së shkuan në pazarin e kriminelëve të bankave për të marrë avdes. Kjo theu përgjithmonë besimin midis politikanëve mjeranë e dritëshkurtër të PD-së dhe Unionit.
Parimisht, lufta e antikomunistëve ishte përqendruar kundër qeverisë kriminale të instaluar mbi gjakun e shqiptarëve. Antikomunistë u ndeshën tri herë në Shkodër me “kryqëzatat e kallashnikovëve” që kishin bërë kërdinë në Jug. Ata, ua hoqën pantallonat bazhibozukëve të bandave Çaushe, Shytëve e Ruçëve e soj e sorollopit tyre, që qanin të frikësuar në sy të OSCE dhe Monitorve të KE, duke u lutur që të bëheshin interlekutorë për faljen e jetës, kur nuk u kanosej asgjë. Sigurisht ata frikësoheshin nga zullumi për krimet që kishin bërë në Jug. Mendonin se fundi i tyre për të larë mëkatet ndalej në Shkodër. Antikomunistët i çarmatosnin dhe i linin të lirë për t’u kthyer shëndosh e mirë në familjet e tyre, dhe jo siç ndodhi në Jug, ku bijtë e nënave i dogjën të gjallë tek kryenin detyrën e shtetit. Dhe më keq: çdo verior që kalonte andej, rrahej barbarisht ose nuk kthehej më i gjallë në familje. Kjo është e vërteta lakuriq! Ky qe një turp kombëtar që udhëhiqej verbërisht nga PS, ku vrastarët quheshin: “Florinj!”, grabitësit e bankave, “besnikë” dhe grabitësit e votave, “heronj!”.
Por le të kthehemi tek thelbi i ilustrimit të mësipërm. Antikomunistët posedonin një dosje të detajuar për vrasjet e keqtrajtimet nga të eturit për pushtet. Ata kërkuan t’ua dorëzonin OSBE dhe KE…Europianët e refuzuan dy apo tri herë takimin. Shefi i këtij UNIONI, Alfons Grishaj, kishte shkruajtur në shtypin e kohës dhe prononcuar në intervista se, qeveria e Nanos, ishte një qeveri kriminele kartoni e ardhur në pushtet me grykën e pushkës. Ai pat theksuar: “Çdo qeveri krimi që vjen me gjak i ndjek frika e shpagimit, mund t’i rrëzosh lehtë, më lehtë se ardhja e tyre në pushtet. Ndërsa qeverinë e Nanos, antikomunistët mund ta rrëzojnë për 50 minuta…”
VRASJA E AZEM HAJDARIT
Gjatë atyre momenteve, Azemi kish filluar të fitonte terrenin e humbur në Jug. PS nuk mund t’a pranonte këtë sfidë, prandaj pregadiste një alibi të sofistikuar për eleminimin e tij. Siç shihet, ata vuanin nga kompleksi i fajit dhe persekutimit, andaj frikësoheshin nga Azemi dhe persona si ai. Komunistët e rinj nuk u mjaftuan me vjedhjen e votës dhe vrasjet e 97-tës, por planifikuan vrasjen e shqiptarit të madh, Azem Hajdari,i cili u shpëtoi disa atentateve, por më 12 Shtator 1998, të pabesët e realizuan planin ogurëzi. Në takimin e parafundit me Azemin, ishin të pranishëm Vili Minarolli dhe Fahri Balliu. Azemi kur më pa, shpërtheu në ngazëllim me superlative. Gjatë bisedës, subkoshienca apo ora e tij foli: “Alfons, komunistët kanë me më vra…nëse gjaku im ka me i shërby Shqipnisë…ja kam ba hallall, nëse jo, do më vinte keq.” Të njëjtën gjë m’a tha në takimin e fundit në Shkodër, tek “Banja e Vogël” (që ishte kthyer në restorant) në sy të vëllaut tij Rasim (trim i urtë dhe pa fjalë). Ky qe dhe takimi im i fundit me Azemin. Azemi ishte anëtari i KRYESISE së UNIONIT ANTIKOMUNIST SHQIPTAR. Pas vrasjes Azemit nga tradhëtarët e kombit, detyra e Unionit ishte të zbarkonte në Tiranë. Me 13 dhe 14 Shtator 1998, antikomunistët u mblodhën në Tiranë, por jo me duar në xhepa si, Agim Shehu në Vlorë.
Në “Sheshin Skënderbej”, u mblodhën nga e gjithë Shqipëria. Sheshi gjëmonte: “O sot o kurrë!” Ishte dita ku ballafaqohej krimi komunist dhe ideali i lirisë. Populli demokrat shqiptar kishte mbushur sheshin me zjarrin e lirisë në gji: “O sot o kurrë!” Qeveria e kallashnikovëve ra si kuti kartoni.
Të gjitha institucionet ranë, përveç presidencës, institucion që pas Presidentit Berisha, kishte mbetur zyrë onorifike, prandaj e quajtën kohë të humbur marrjen me të. Në këtë hapësirë kohore ndodhi një gafë e pafalshme nga njerëzit që mbanin arkmortin, të cilët e kishin lëshuar arkivolin në tokë. Sakrilegj! O Zot! Dhuna e verbët gjymton fytyrën e vet. Megjithatë, antikomunistët e korigjuan shpejt. Marjan Gryka, Menduh Ullishta, Nard Gavoçi etj, e siguruan Berishën në mes (i cili kish mbetur pezull në zyrë), dhe u nisën për të përcjellur arkmortin e vëllaut tonë për në varreza, duke i dhënë lamtumirën e fundit heroit demokracisë, Azem Hajdari. “Grushti i shtetit klasik” kishte përmbyllur misionin, por Berisha, nga presioni i jashtëm nuk mundi t’a mbante pushtetin. Në përmbysje të tilla, minutat duken orë dhe orët një shekull, ndërsa vendimet duhen të merren me sekonda. Lajmi për mos mbajtjen e pushtetit detyroi antikomunistët dhe popullin liridashës t’i lëshonin institucionet, duke u lënë mundësi kundërshtarëve të dilnin nga vrimat ku ishin fshehur dhe të riorganizoheshin për t’u paqtuar me turpin e ngrënë me bukë.
Pas kësaj ngjarje, OSCE dhe Monitorët e KE, që ndiqnin me vëmendje situatat… kërkuan takim më udhëheqësit e UASH, por ky takim u refuzua dy herë nga antikomunistët. Ndërhyrja e Dr.Gerhard Pail (miku im), respektivisht Shef i OSCE për Rajonin e Veriut, bindi antikomunistët për takimin me Daan Everts, Ambasador i OSCE në Shqipëri. Antikomunistët vendosën një kusht që (për shumë arsye) takimi të bëhej në Shkodër. Shefi OSBE Daan Everts, u prit nga Shefi Unionit Antikomunist, Alfons Grishaj, dhe nga strukturat shtetërore të Shkodrës, me në krye Prefektin Ali Laçej (intelektual i mirëfilltë), Kryetari Këshillit Bashkiak Mark Krroqi, Kryetari i PD-së Astrit Bushati, legjendari Ahmet Bushati, Nard Ndoka, Eduard Grishaj, Fran Dashi, anëtarët e Kryesisë së Unionit, Frrok Gjini, Ibrahim Bilali, Mond Temali, Agim Daci, Menduh Ullishta etj…Këtë event e fotografoi demokratja Vjollca Tafili, ngaqë nuk u lejuan gazetarë dhe media.
MBASE ISHTE HERA E PARË QË MONITORËT E HUAJ E PRANUAN SE ÇFARË PO NDODHTE NË SHQIPËRI
Ata pranuan se vota qe përvetësuar dhe se PD nuk qe në gjendje të bënte fushatë në Jug të Shqipërisë. Mbase të vetmit që shkuan në Jug, ishin Jozefina dhe Azemi. Jozefina dhe të tjerë u kërcënuan për vdekje…,Azemi u vra! Pas takimit në Shkodër, antikomunistët u pritën në Tiranë, ku dorëzuan dosjen e përgatitur nga ata. Everts e pranoi dhe ia përcolli Vranicki (i dërguar i posacem i OSBE-së), i cili i kish thënë ca fjalë për pamundësinë e korrigjimit të gjërave që ishin bitisë. Pas kësaj, Everts, do i shkruante një letër shefit të antikomunistëve shqiptarë, ku dënonte arrestimet dhe keqtrajtimet nga neokomunistët (letër që u botua në shtypin e kohës). Largimi i Vranickit nga misioni i posacëm për Shqipërinë dhe ardhja në krye të OSBE e Ministrit të Jashtëm të Norvegjisë Volebek, e çliroi klimen e“nderë”, duke i lënë dorë më të lirë Daan Everts, t’i shikonte gjërat me optikë pragmatiste, i cili korrigjoi disa gabime që ishin bërë më parë. Greva e urisë e studentëve në Shkodër (me kryetar Alfred Pëllumbi), e cila u përhap dhe në Tiranë, qe frymëzim i OSBE.
Antikomunistët krijuan një besim reciprok me Monitorët e KE dhe OSBE, të cilët u përpoqën për t’a nxjerrë Berishën nga izolimi, por qe e pamundur. Amerika përmes Madlen Olbrajt, e kishte thënë fjalën e vet. PD u izolua plotësisht. Të vetmit që mund të merrnin pjesë në takimet me ndërkombëtarët ishin Genc Pollo, Mark Krroqi (demokrat i lirë dhe i mençur) dhe Alfons Grishaj (Shefi Unionit Antikomunist). Këmbëngulja për pranimin e Sali Berishës në takimet ndërkombëtare pati një përgjigje, që as në formën e amortizuar diplomatike nuk vjen e këndshme…Sidoqoftë, antikomunistët punuan me OSBE, që të zhvillohej një takim mes Kryeministrit Pandeli Majko dhe Sali Berisha, për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit, takim që u përshëndet nga zv/Sekretari Shtetit James Rubin. Ambasadorja Mariza Lino, në një takim në Rogner, midis ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ministrit të jashtëm të Norvegjisë, Volebek dhe qeverisë shqiptare, falenderoi shefin e Unionit, Alfons Grishaj dhe ambasadorin, Daan Everts.
*Analiza politike vijon në numrin e ardhshëm…