• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REPUBLIKA E KOSOVËS NDERON (POSTMORTEM) ME “MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE” IMZOT  SIMON FILIPAJ – PËRKTHYESIN E BIBLËS NË SHQIP

February 27, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

                                                                      Për Imzot Simon Filipaj – Medalja  

                                                                    Presidenciale e Meritave e Republikës 

                                                                                       së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar (postmortem) Imzot Simon Filipajn me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për përkthimin integral të Biblës në gjuhën shqipe dhe për rolin e tij kyç në ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar, njofton revista fetaro-kulturore e Kishës Katolike në Kosovë, Drita.

Kujtojmë se Dom Simon Filipaj, është meshtari i parë që ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. Prandaj, ky vlerësim i lartë i dhënë nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu — javën e kaluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës — është një nderim dhe njohje për punën dhe përkushtimin e Imzot Filipajt, i cili me durim dhe devotshmëri ka punuar për shumë vite – nën rrethana shumë të vështira politiko-ekonomike (para kompjuterit e internetit). për të përkthyer një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore, në gjuhën e të parëve tanë. Frank SHKRELI/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf

Dom Simon Filipaj, konsiderohet si një figurë e madhe, jo vetëm e Kishës Katolike Shqiptare, por e mbarë Kombit shqiptar. Ai ka lindur në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, nën Mal të Zi. Studimet filozofike e teologjike i ka kryer në Shkodër dhe më vonë pas Luftës së dytë Botërore në Zagreb të Kroacisë. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia ka kushtuar misionit të vet apostolik nëpër famullitë kishtare të kryedioqezës së lashtë të Tivarit — ndër më të lashtat e trojeve iliro-arbërore — e posaçërisht në bashkësinë e famullisë së Shën Gjergjit (të cilës si shumë shqiptarë katolikë të asaj zone, i përkisja edhe unë e familja ime) dhe famullisë së Klleznës. Në të vërtetë, Kllezna është fshati ku ka lindur Dom Simoni – pore dhe nga ku kanë dalur disa klerikë katolikë shqiptart tjerë me nam e të njohur për kontribute të mëdha për Kishën Katolike Shqiptare dhe për Kombin.  Ndër të tjerë, përveç Mons Simon Filipaj,  prej andej ishte edhe ish-Arkipeshkvi i Tiranë-Durrësit, i ndjeri Arkipeshkëv Rrok Mirdita. 

Dom Filipaj,  të gjitha energjitë e tija, ia ka kushtuar, jo vetëm misionit e veprimtarisë së tij meshtarake e shpirtërore por, njëkohsisht, pa kursim, ka përdorur aftësitë e tija intelektuale dhe fizike, përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer librin e shenjtë, për herë parë në versionin e plotë. Me përkthimin e kësaj vepre të madhe siç Bibla, Dom Simoni e ka renditur Kombin shqiptar me popujt e tjerë të botës. Bibla si e tillë,  konsiderohet si monumenti më i madh i kulturës botërore – dhe vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të mbarë botës. Në një takim (24 tetorit të vitit 1994) me Papa Gjon Palin II, Dom Simon Filipaj ia dorëzoi personalisht Papës kopjen e Biblës së plotë në gjuhën shqipe, ndërsa me atërast,  Gjon Pali i II vlerësoi veprën e Dom Simonit me këto fjalë: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – e keni radhitur popullin e juaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë Kombi shqiptar”.

Me vlersime të tilla si  fjalët e Papës, nuk është e rastit pra që, “Medalja Presidenciale e Meritave” për Dom Filipaj, është edhe një dëshmi tjetër dhe njohje e madhe edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës se puna, mundi dhe përkushtimi i Imzot Simon Filipajt ndaj forcimit të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar nuk kanë mbetur në harresë. Kisha Katolike Shqiptare në Kosovë, nepërmjet revistës Drita  vlersoi vendimin e Presidentes Osmani duke thenë me këtë rast se, “Përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe nuk ishte vetëm një projekt akademik, por edhe një mision i shenjtë, akt besnikërie ndaj popullit shqiptar në kohë të vështira për gjuhën dhe kulturën shqipe. Ky përkthim monumental jo vetëm që i ka dhënë gjuhës shqipe një vepër të paçmueshme, por gjithashtu forcoi lidhjen shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me trashëgiminë fetare dhe gjuhësore botërore”, thuhet në revistën Drita, organ kulturor e fetar i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë.

Me përkthimin e Biblës si kryevepër historike e tija dhe me shkrimet e botimet e shumta teologjike, katekistike e kulturore, është thënë, pa ekzagjerim, nga ekspertët e historisë kishtare dhe kombëtare, se kontributi dhe rëndësia historike e veprës së Dom Filipaj është e barabart me figurat e dalluara historike e kombëtare në fushën e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Figura historike si bashkvendasi i tij Dom Gjon Buzukun – dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, me të cilët krenohen, jo vetëm trojet shqiptare të rrethit të Ulqinit, por edhe më gjërë. Frank Shkreli: Nga Gjon Buzuku e deri tek Simon Filipaj, dy burra të mbëdhenj të kombit shqiptar nga rrethi i Ulqinit | Gazeta Telegraf – Prandaj, nga ky këndveshtrim,  nderimi i figurës së Dom Simon Filipaj nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, duhet të shikohet gjithashtu si një vlerësim për kontributin e Dom Filipaj edhe në nivel kombëtar – por edhe për vetë gjuhën shqipe, për qëndrueshmërinë dhe fuqinë e saj për të mbijetuar dhe lulëzuar gjatë historisë së gjatë e të mundimshme, pavarësisht sfidave të shumta që ka përjetuar ndër shekuj gjuha shqipe dhe Kombi shqiptar.  

Pra, bravo i qoftë Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmanit për vlersimin, me rastin e Pavarsisë së Republikës së Kosovës, të këtij burri të madh të Kombit, por, njëkohsisht,  edhe një njeriu të thjesht por me virtyte të larta, siç ishte Dom Simon Filipaj, i cili gjithë jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, Kishës Katolike dhe Kombit shqiptar. 

Frank Shkreli

Don Simon Filipaj, sacerdote albanese, ha tradotto la Bibbia in lingua albanese

                        Dom Simon Filipaj 1925-1999 – SHQIPËRUES I BIBLËS

          A person and person on a stage

AI-generated content may be incorrect.Nipi i Dom Simon Filipaj, gjithashtu prift me të njëjtin emër, në emër të familjes mori dekoratën nga duart e Presidentes Dr Vjosa Osmani

A certificate with a blue ribbon

AI-generated content may be incorrect.
A silver medal with a blue and white ribbon

AI-generated content may be incorrect.
A statue of a person in front of a stone building

AI-generated content may be incorrect.

Përeme ndorja e Dom Simon Filipaj në oborrin e Kishës së Shën Gjergjit që daton nga Mesjeta, ku ka shërbyer si famullitar dhe ku gjatë viteve Dom Simoni aty ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. (Kjo është edhe kisha ku autori i këtij shkrimi ka marrë sakramenet e para fetare, sipas ritit katolik, dhe prej ku kam hedhur hapat e para të jetës që pasoi më vonë, i inkurajuar nga udhëheqsit e kësaj kishe, përfshir Dom Simonin. 

Këto afreske nga piktori shkodran, Pjerin Shëldija gjënden në brendësinë e kishës Shën Gjergji ku ka shërbyer e përkthyer Biblën Dom Simon Filipaj. Vini re elementet kombëtare – veshjet kombëtare të zonës — tek figurat biblike.

.

Filed Under: Opinion

Kongresisti Torres i reagon Wilsonit: Kosova gjithmonë e pavarur

February 27, 2025 by s p

Sh.Ç /RTKlive/

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka reaguar ashpër kundër deklaratave të Kingsley Wilson, zv.sekretares së shtypit në Departamentin e Mbrojtjes, lidhur me Kosovën.

Wilson kishte shkruar “Bëje Kosovën sërish Serbi”, deklaratë kjo që, sipas Torres, është një përpjekje e turpshme për ta de-legjitimuar Kosovën.

Torres në një postim në platformën “X” ka theksuar se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor, duke refuzuar çdo përpjekje për ta ndryshuar historinë.

Me qëndrimin e Torres, është pajtuar edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl. Ai në një postim në “X” u shpreh se e vlerëson qëndrimin e qartë të kongresistit Torres.

“Shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për qëndrimin e qartë të kongresistit Ritchie Torres nga ana tjetër e Atlantikut. Shteti më i ri i Evropës, i bazuar në një popullsi të lashtë dhe një kushtetutë moderne, që është shembull për bashkëjetesën paqësore të grupeve etnike dhe fetare, nuk do të zhduket. Kosova”, ka shkruar Mandl.

Filed Under: Opinion

𝐏𝐬𝐞 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞𝐧 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐝𝐲 𝐦𝐚𝐧𝐝𝐚𝐭𝐞?

February 27, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Në këtë ditë, më 27 shkurt 1951 Kushtetutës Amerikane iu shtua Amendamenti i 22-të.

Ky amandament kufizoi efektivisht në 2 (dy) numrin e mandateve që një president i Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë në detyrë.

Përpara vitit 1951 Kushtetuta Amerikane nuk e ndalonte numrin e mandateve të Presidentit pasi besohej se nëse do kishte pëlqimin, bekimin dhe mbështetjen e votuesve kjo prevalonte mbi çdo formulë kufizimi. Megjithatë, kishte një rregull të pashkruar, një precedent, lënë nga George Washington, Presidenti i parë i SHBA, i cili pas dy mandateve në detyrë u dorëhoq duke themeluar “de facto” parimin e dy mandateve.

Pati Presidentë të tjerë të mëvonshëm të cilët tentuan të kandidonin për më shumë se dy mandate por ose nuk u pranuan nga partia e tyre ose nuk u zgjodhën. Kjo për shkak se parimi i dy mandateve ishte çimentuar si koncept qeverisjeje.

I vetmi përjashtim ishte Presidenti Franklin D. Roosevelt i cili arriti në katër mandate (u nda nga jeta në të katërtin) kjo për shkak të një përjashtimi dhe mirëkuptimi politik e popullor, pasi periudha në të cilën ai shërbeu përkoi me evente të rënda e të paprecedenta për Amerikën dhe botën, si Depresioni i Madh, Lufta e Dytë Botërore dhe sulmi i Japonisë në Pearl Harbor.

Duhet theksuar që Roosevelt nisi atë që njihet si Presidenca Moderne Amerikane, që do të thotë Presidenti mori kompetenca fuqiplote për shkak të ndryshimeve të vrullshme në luftë dhe ekonomi, të cilat kërkonin vendime e veprime të menjëhershme e jo kohë të gjatë vendimmarrje nga Kongresi.

Kjo kompetencë fuqiplote vazhdon edhe sot. Amandamenti i 22-të vetëm kushtëzoi “de jure” numrin e mandateve në detyrë që është 2 (dy).

Në Kushtetutën Amerikane neni që përcakton përgjegjësitë e Presidentit është i shkurtër dhe pa një listim të gjatë funksionesh. Por, për shkak të epokës së Presidencës Moderne Amerikane të nisur nga Roosevelt, Presidenti gëzon sot kompetenca fuqiplote por sigurisht të balancuara nga Kongresi në çështjet themeltare si buxheti. Kjo për arsye sepse etërit amerikanë krijuan një shtet ku asnjë individ të mos e shpallë veten mbret.

Filed Under: Politike

“Porta e ligjit”

February 27, 2025 by s p

Agim Baçi/

Të udhëtosh nëpër rrëfimet e shkrimtarit Franc Kafka, me shumë gjasë do ndalosh në tregimin “Porta e ligjit”. Është një portë e caktuar që dikush të hyjë, por fshatari e shikon rojën tek ajo portë si pengesën më të madhe, pa guxuar kurrë të hedhë hapin e ta kalojë atë portë, edhe pse shkon dhe qëndron përpara tij. Ai duket sikur është i shqetësuar vetëm për pengesat që e presin më pas, pasi roja që e pret te porta e ligjit prezantohet thjesht një nëpunës i vogël.

Por fshatari nuk e bën hapin ta kalojë atë portë, deri sa vdekja i troket, ndërkohë që vetëm atëherë merr vesh se ajo portë ka qenë për të e se ai veç duhej të kishte guxuar ta kapërcente. Në fakt, porta duhej të ishte veç një pikënisje drejt së ardhmes për fshatarin, por ai nuk u nis kurrë; preferoi vetëm të qahej për fatin e keq.

Një portë e tillë është thjesht fabula e mrekullisë të së paparashikuarës, por çështja mbetet e përjetshme përballë asaj porte për shumë njerëz: a do të kemi ne guximin që ta bëjmë hapin drejt së ardhmes sonë, apo do të vijojmë të qëndrojmë në vendnumëro dhe duke u justifikuar se dikush nuk na lë të ecim, se ka pengesa të mëdha “pas portës”, që na shfaqet gjithnjë me një rojë që na del përpara.

Në kurriz të këtyre pyetjeve ne shtrihemi vetëm në shtratin e së tashmes, pa guxuar të ndërtojmë asnjë të ardhme. Kafka ka mundur të na japë përmes letërsisë së tij njeriun, që në emër të së tashmes, nga frika se do t’i shkasë nga duart jeta që ka, nga frika se më pas bota është me shumë pikëpyetje, bën gjithçka që e tashmja të mos ndryshojë – domethënë, që e ardhmja të mos përvijohet, por më shumë të flitet veç për befasitë dhe frikërat që mund të mbartë kalimi i asaj porte, por jo për mundësitë që shfaq ai kalim.

Një njeri i tillë, i dhënë pas idesë se duhet të ruajë të sotmen për shkak të frikës që ka për të ardhmen, mbetet peng i një rrugëtimi të vogël pa e kuptuar kurrë forcën e tij, pa e kuptuar se ai mundet të provojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Duke u përpjekur të ruajmë medoemos të tashmen në kurriz të asaj që duhet të guxojmë, ne përfundojmë jo vetëm si fshatari përballë pafuqisë së tij për të guxuar, por edhe si personazhi tjetër i Kafkës, Gregor Samsa, që i transformuar mbërthehet në pafuqinë e tij, teksa sheh mollën që i kalbet përpara syve.

Një njeri i tillë nuk ka fuqi ta kafshojë atë mollë e as nuk ka fuqi të rikthehet në përditshmërinë e tij, sepse e tashmja për të ka ndërtuar një mur të pakalueshëm drejt ëndrrës për të besuar, drejt asaj që duhet të guxojë për ta ndryshuar. Kafka në fakt na ka pikturuar fatin e njeriut që nuk guxon, fatin e njeriut që vishet me fanellën e refuzimit për të pranuar historinë dhe për të kërkuar fatin e tij, duke besuar se ka fuqinë për të sjellë ndryshim. Ai ka pikturuar njeriun që në emër të tashmes pranon pafundësisht kompromise, duke ndërtuar vdekjen e ngadalshme të ëndrrave të tij.

Njeriu i Franc Kafkës prej kohësh ka zbritur në shoqëritë e sotme, e pa dyshim edhe në shoqërinë shqiptare, duke qenë rob i çdo kompromisi që të mos i prishet e tashmja, që të mos i trazohet ajo që ka, pa pyetur kurrë se sa do të ishte i aftë të ndryshonte për veten apo për të tjerët.

Filed Under: ESSE

“Drejtësia sociale e grupeve të margjinalizuar”

February 27, 2025 by s p

Davida Marku/

Trajtimi dinjitoz i grupeve të margjinalizuara, si komunitetet rom dhe egjiptian, është një detyrë morale dhe shoqërore. Charles Telford Erickson ka thënë: “Kurrë nuk do ta kisha besuar se Perëndia ka dërguar ca njerëz në këtë botë, të ngrefosur, të gatshëm për të kalëruar dhe për të shkelur sipër miliona njerëzve të tjerë…” Kjo thënie nënvizon rëndësinë e barazisë dhe kundërshton çdo formë shtypjeje ndaj grupeve të ndryshme shoqërore. Për të promovuar trajtimin dinjitoz të komuniteteve rom dhe egjiptian, është thelbësore të ndërgjegjësohemi për sfidat që ata përballen dhe të punojmë drejt përfshirjes së tyre të plotë në shoqëri. Drejtësia sociale për grupet e margjinalizuara kërkon një qasje të përbashkët dhe shumëdimensionale që përfshin politikat publike, angazhimin e shoqërisë civile, si dhe një vëmendje të veçantë për nevojat dhe kërkesat e secilit grup. Vetëm përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetjes gjithëpërfshirëse mund të arrihet një shoqëri e drejtë dhe e barabartë për të gjithë, ku askush nuk lëviz prapa për shkak të pasojave sociale, ekonomike apo kulturore.

Integrimi social i komuniteteve rome dhe egjiptiane

Integrimi social i komuniteteve rome dhe egjiptiane është një çështje thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Këto komunitete shpesh përballen me diskriminim, përjashtim social, varfëri dhe mungesë mundësish në arsim, punësim dhe shërbime sociale. Për të përmirësuar situatën e tyre, është e nevojshme të ndërmerren politika të qëndrueshme dhe të bashkëpunohen me shoqërinë civile. Sfidat kryesore në integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane:

Arsimi dhe pjesëmarrja në shkollim.: Braktisja e hershme e shkollës për shkak të varfërisë dhe diskriminimit. Mungesa e mbështetjes institucionale për të siguruar akses të barabartë në arsim.

Stigmatizimi dhe paragjykimet ndaj fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkolla. Punësimi dhe gjendja ekonomike: Papunësia e lartë dhe punësimi informal në kushte të pasigurta. Mungesa e mundësive për arsim profesional dhe trajnime për punë të qëndrueshme. Diskriminimi në tregun e punës, duke i kufizuar mundësitë e tyre për punësim të denjë.

Strehimi dhe kushtet e jetesës: Jetesa në zona të izoluara dhe pa infrastrukturë të përshtatshme (ujë të pijshëm, kanalizime, energji elektrike). Mungesa e dokumenteve të pronësisë, që i pengon të kenë qasje në shërbime dhe të drejta sociale.

Akses në shërbime shëndetësore dhe sociale: Shkalla e lartë e sëmundjeve kronike dhe mungesa e mbulimit shëndetësor. Vështirësi në aksesimin e ndihmës sociale, për shkak të mungesës së dokumenteve dhe informimit të ulët. Diskriminimi dhe margjinalizimi: Diskriminimi në institucionet publike dhe në shoqëri. Mungesa e përfaqësimit në vendimmarrje dhe në institucionet shtetërore.

Strategjitë për integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane:

Përmirësimi i arsimit dhe edukimit: Zbatimi i programeve për përfshirjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollim duke ofruar mbështetje financiare dhe materiale (libra, uniforma, transport). Ndihma për familjet për të reduktuar barrën ekonomike që i pengon të dërgojnë fëmijët në shkollë. Trajnimi i mësuesve për të trajtuar diversitetin kulturor dhe për të luftuar diskriminimin në klasë. Përfshirja e edukimit profesional për të rritur mundësitë e punësimit të të rinjve nga këto komunitete.

Rritja e mundësive të punësimit: Krijimi i programeve të trajnimit profesional për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të siguruar punësim të qëndrueshëm. Mbështetje për sipërmarrjet sociale dhe bizneset e vogla të drejtuara nga anëtarët e komunitetit. Inkurajimi i punëdhënësve për të punësuar individë nga këto komunitete përmes stimujve fiskalë.

Përmirësimi i kushteve të strehimit: Zhvillimi i projekteve për strehim të përballueshëm dhe përmirësimin e kushteve të banimit. Ndihma ligjore për pajisjen me dokumente pronësie dhe legalizimin e banesave të tyre. Përmirësimi i infrastrukturës në lagjet ku jetojnë këto komunitete për të garantuar shërbime bazë.

Përmirësimi i aksesit në kujdesin shëndetësor:

Sigurimi i shërbimeve shëndetësore falas për grupet më të varfra. Fushata ndërgjegjësimi për rëndësinë e kujdesit shëndetësor, veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Trajnimi i stafit shëndetësor për të shmangur diskriminimin në trajtimin e pacientëve nga këto komunitete.

Forcimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen e të drejtave: Zbatimi i politikave anti-diskriminim në të gjitha nivelet e administratës dhe institucioneve publike.

Përfaqësimi i komuniteteve rome dhe egjiptiane në vendimmarrje dhe administratën shtetërore. Monitorimi i zbatimit të strategjive kombëtare për integrimin e tyre.

OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare duhet të luajnë një rol aktiv në avokimin për të drejtat e komuniteteve rome dhe egjiptiane. Qeveria dhe institucionet publike duhet të krijojnë politika të qëndrueshme për përfshirjen sociale dhe ekonomike. Mediat dhe opinionbërësit duhet të promovojnë një imazh pozitiv të komuniteteve rome dhe egjiptiane dhe të luftojnë stereotipet.

Integrimi social i komuniteteve rome dhe egjiptiane kërkon një qasje të gjithanshme, që përfshin edukimin, punësimin, strehimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Një bashkëpunim efektiv midis qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat mund të ndihmojë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta për një jetë dinjitoze.

Organizatat joqeveritare (OJQ) luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e grupeve në nevojë, veçanërisht ato që përballen me varfëri, diskriminim, dhe mungesë mundësish. Ato ofrojnë shërbime dhe resurse që ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës, promovimin e barazisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. OJQ-të janë gjithashtu katalizatorë të ndryshimeve shoqërore dhe politike duke ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi dhe duke lobuar për politika që mbështesin grupet vulnerabël.

Disa shërbime dhe mbështetje direkte për grupe në nevojë:

Shërbime sociale dhe psiko-sociale: Ofrimi i mbështetjes emocionale dhe psikologjike për individët që kanë kaluar trauma, si viktimat e dhunës në familje, fëmijët jetimë, ose të prekurit nga sëmundje kronike. Konsulencë për individët në vështirësi për t’i ndihmuar ata të përshtaten me jetën e përditshme dhe të përballen me sfidat që kanë.

Ndihma për mbijetesë dhe ushqim: Ofrimi i ndihmës ushqimore dhe strehimi për ata që janë të pastrehë dhe që përballen me varfëri ekstreme. Pako ushqimore dhe shpërndarja e ndihmave urgjente gjatë periudhave të krizave, si pas goditjeve natyrore, luftrave, apo pandemive.

Mbështetje shëndetësore dhe edukative: Shërbime shëndetësore falas, përfshirë këtu mbulimin e shpenzimeve për ilaçe dhe trajtime mjekësore për ata që nuk kanë akses në shërbime shëndetësore publike. Ofrimi i mundësive arsimore për fëmijët dhe të rinjtë nga grupet më të margjinalizuara, duke ndihmuar në mbulimin e kostove për shkolla, libra, dhe material mësimor.

Avokimi për të drejtat e grupeve vulnerable: Lobimi për miratimin e ligjeve dhe politikave që mbështesin grupet në nevojë dhe luftojnë diskriminimin dhe përjashtimin social. Përfaqësimi i interesave të grupeve vulnerabël para institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet.

Krijimi i fushatave të ndërgjegjësimit: Fushata për sensibilizimin e shoqërisë ndaj nevojave të grupeve vulnerabël, duke luftuar stereotipet dhe paragjykimet që mund të kenë ndaj tyre.

Organizimi i aktiviteteve edukative për të promovuar barazinë dhe të drejtat e njeriut në shoqëri, për të ulur diskriminimin dhe stigmatizimin.

Mbështetje për punësim dhe trajnim professional: Krijimi i mundësive për punësim për individët nga grupe të margjinalizuara, përmes bashkëpunimit me kompani dhe sektorë të ndryshëm. Trajnime dhe kurse për aftësitë profesionale që ndihmojnë individët të përgatiten për tregun e

Nxitja e sipërmarrjes sociale: Ofrimi i mbështetjes për individët që duan të fillojnë biznesin e tyre, veçanërisht për ata që vijnë nga grupe vulnerabël, duke ofruar mundësi për financim dhe mentorim. Krijimi i mundësive për sipërmarrës të rinj për të hyrë në tregun e punës dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të shoqërisë.

Roli i OJQ-ve në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit:

Bashkëpunimi me institucionet shtetërore: Bashkëpunimi me autoritetet shtetërore për të siguruar që politikat dhe shërbimet publike të arrijnë në mënyrë efektive tek grupet më të margjinalizuara. Mbështetje për përmirësimin e sistemeve ligjore dhe administrative që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël.

Koordinimi me OJQ të tjera dhe organizatave ndërkombëtare: Bashkëpunimi me OJQ të tjera dhe me agjenci ndërkombëtare për të maksimizuar burimet dhe për të siguruar një mbështetje të gjithanshme për grupe vulnerabël. Organizimi i ngjarjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që sjellin së bashku aktorët e ndryshëm dhe nxisin një qasje të koordinuar dhe të efektshme.

Shembuj të suksesit të OJQ-ve në mbështetje të grupeve vulnerable; Fushata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe punësimi i tyre në kushte të sigurta, siç është mbështetja që ofrohet për fëmijët nga familje të varfra për të marrë mundësi arsimore dhe strehim. Programe për rehabilitimin e viktimave të trafikimit dhe integrimin e tyre në shoqëri përmes mbështetjes psikologjike dhe ndihmës për punësim. Krijimi i mundësive për integrimin e komunitetit rom në arsim, punësim dhe shërbime publike, përmes bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare dhe shtetërore.

Organizatat joqeveritare luajnë një rol kyç në mbështetje dhe integrimin e grupeve në nevojë. Ato ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta, ndërmarrin fushata ndërgjegjësimi dhe bëjnë presion për ndryshime të politikave publike, duke i ndihmuar këto grupe të përballojnë sfidat dhe të arrijnë mundësi të barabarta për një jetë dinjitoze. Pa angazhimin dhe mbështetjen e OJQ-ve, shumë grupe vulnerabël do të mbeteshin të përjashtuara nga shoqëria.

III. Trafikimi i qenieve njerëzore: politika mbrojtëse dhe rehabilitimi i viktimave.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim që ka pasoja shkatërruese për viktimat dhe është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ai përfshin rekrutimin, transportimin, transferimin, mbajtjen dhe kontrollimin e individëve me forcë, mashtrim ose përdorim të dhunës për qëllime të shfrytëzimit, përfshirë punë të detyruar, prostitucion, punë të paligjshme dhe shfrytëzim seksual. Politikat mbrojtëse dhe rehabilitimi i viktimave janë thelbësore për të siguruar që ata të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre dhe të përshtaten në shoqëri pas përvojave traumatike që kanë kaluar.

Disa politikat mbrojtëse për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore:

• Strehim i sigurt dhe mbrojtje fizike: Viktimat e trafikimit shpesh janë të ekspozuara ndaj rrezikut të hakmarrjes nga trafikantët ose të tjera forma të shfrytëzimit. Kjo do të thotë se duhet të sigurohet një strehim i sigurt, ku viktimat mund të qëndrojnë dhe të mbrohen deri sa të jenë në gjendje të integrohen përsëri në shoqëri.

• Përkujdesje emergjente dhe ndihmë psikologjike: Ofrimi i kujdesit emergjent është një hap i parë i rëndësishëm për të siguruar që viktimat të marrin ndihmën e nevojshme për të përballuar traumën e menjëhershme dhe t’u ndihmohet për të rikthyer sigurinë dhe stabilitetin emocional.

• Mbështetje ligjore për viktimat: Viktimat e trafikimit kanë nevojë për asistencë juridike për të kuptuar të drejtat e tyre, për t’u mbrojtur nga ndjekjet ligjore të padrejta dhe për të angazhuar procedurat ligjore kundër trafikantëve.

• Mbrojtja ligjore dhe dëshmitarët: Viktimat duhet të mbrohen nga rreziqet e hakmarrjes, dhe ligjet duhet të ofrojnë mundësi për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e tyre gjatë proceseve gjyqësore.

• Koordinimi ndërmjet shteteve: Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim ndërkombëtar, dhe është e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë për të luftuar këtë fenomen dhe për të mbrojtur viktimat. Koordinimi mes institucioneve të ndryshme, si policia, autoritetet gjyqësore dhe organizatat ndërkombëtare, është i domosdoshëm.

• Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të: Organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së viktimave të trafikimit janë aktorë të rëndësishëm që ofrojnë mbështetje dhe burime për viktimat dhe për autoritetet që luftojnë trafikun.

Rehabilitimi i viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore nëpërmjet:

• Shërbime psiko-sociale për viktimat: Viktimat e trafikimit shpesh përballen me trauma të thella që lidhen me shfrytëzimin dhe dhunën që kanë përjetuar. Ofrimi i shërbimeve psiko-sociale, duke përfshirë terapi individuale dhe grupore, është thelbësor për ta ndihmuar ata të përballen me pasojat e këtyre traumave.

• Rehabilitimi afatgjatë emocional: Trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave duhet të jetë një proces afatgjatë që ofron mundësi për ta ndihmuar atë të rindërtojë jetën e tij, të rikthejë besimin dhe të zhvillojë aftësi të shëndetshme emocionale dhe sociale.

• Përshtatja në tregun e punës dhe mundësitë e punësimit: Viktimat e trafikimit shpesh kanë mangësi në aftësitë profesionale ose janë të diskriminuara në tregun e punës. Ofrohen mundësi trajnimi dhe aftësimi për punësim, si dhe ndihmë për të gjetur një punë të denjë dhe të qëndrueshme.

• Përfshirja sociale dhe ndihma për integrim në shoqëri: Rehabilitimi i plotë përfshin mundësinë për të rinisur jetën në një shoqëri të integruar. Ofrimi i shërbimeve për strehim, arsim dhe integrim shoqëror është i domosdoshëm për t’u ndihmuar viktimave të rinisin një jetë normale dhe të barabartë.

• Fushata edukative dhe ndërgjegjësimi: OJQ-të dhe autoritetet shtetërore duhet të organizojnë fushata ndërgjegjësimi për të informuar shoqërinë dhe grupe vulnerabël, si fëmijët dhe të rinjtë, për rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe për mundësitë e mbrojtjes.

• Arsimimi për të parandaluar viktimizimin e ardhshëm: Viktimat që janë shpëtuar nga trafikimi duhet të përfshihen në programe edukimi për t’u siguruar që ata të kuptojnë të drejtat e tyre dhe mundësitë për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi në të ardhmen.

Disa nga politikat kombëtare dhe ndërkombëtare për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore:

• Ligje më të forta për luftën kundër trafikimit: Shtetet duhet të hartojnë dhe të zbatojnë ligje që ndalojnë trafikimin dhe ofrojnë mbrojtje për viktimat, përfshirë këtu ndihmën e menjëhershme për viktimat dhe dënime të ashpra për trafikantët.

• Monitorimi i zbatimit të legjislacionit: Ka nevojë për mekanizma për të monitoruar nëse politikat dhe ligjet që mbrojnë viktimat e trafikimit janë në fuqi dhe po zbatohen siç duhet.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe koordinimi i veprimeve

•Protokolle ndërkombëtare: Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për të luftuar trafikimin, përfshirë këtu ndihmën për ndjekjen dhe arrestimin e trafikantëve, si dhe për ndihmën për viktimat që shpëtojnë nga ky krim.

• Rrjetet e organizatave ndërkombëtare: Organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Interpol kanë rol në krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit për të luftuar trafikimin dhe për të ofruar mbështetje për viktimat.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim global që kërkon ndërhyrje të fuqishme dhe të koordinuar për të mbrojtur viktimat dhe për të parandaluar këtë fenomen. Politikat mbrojtëse dhe rehabilitimi i viktimave janë thelbësore për të ofruar mundësi për këto individë që të rikuperojnë jetën e tyre dhe të integrohen përsëri në shoqëri. Bashkëpunimi ndërkombëtar, mbështetje ligjore dhe shërbime sociale janë të domosdoshme për të luftuar këtë fenomen dhe për të ndihmuar viktimat që të rindërtojnë një jetë të dinjitetshme.

Mbështetja sociale për viktimat e dhunës në familje duhet të konsistojë:

Dhurimi i mbështetjes sociale për viktimat e dhunës në familje është një hap i rëndësishëm për t’i ndihmuar ata të shpëtojnë nga situatat abuzive dhe të rifitojnë sigurinë dhe dinjitetin e tyre. Dhuna në familje është një problem i thellë shoqëror që përfshin dhunë fizike, psikologjike, emocionale, seksuale dhe ekonomike, dhe ka pasoja të rëndësishme për viktimat, përfshirë dëmtime fizike dhe emocionale, humbjen e besimit dhe shpesh izolim social. Mbështetja sociale duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientuar në nevojat e viktimave, duke përfshirë mbrojtje, ndihmë ligjore, shërbime psiko-sociale dhe mundësi rehabilitimi.

Shërbime për mbrojtjen dhe sigurinë e viktimave

Një nga elementet më të rëndësishme të mbështetjes sociale është ofrimi i një strehimi të sigurt për viktimat e dhunës në familje. Ato shpesh janë të ekspozuara ndaj rrezikut të hakmarrjes dhe dhunës shtesë nga pjesëtarët e familjes. Ofrimi i strehimëve të sigurta ku viktimat mund të qëndrojnë deri në sigurimin e mbrojtjes ligjore dhe fizike është i domosdoshëm.

Viktimat e dhunës në familje shpesh përballen me trauma emocionale dhe psikologjike të thella. Shërbimet psiko-sociale, përfshirë këtu trajtimet individuale dhe grupore, janë të nevojshme për të trajtuar pasojat e dhunës dhe për t’i ndihmuar viktimat të rimarrin besimin dhe forcën për të ndërmarrë hapa të tjerë për rikuperimin e jetës së tyre.

Ofrimi i mbështetjes ligjore është thelbësor për viktimat, duke u mundësuar atyre të kuptojnë të drejtat e tyre dhe si mund të mbrohen nga dhuna. Shërbimet ligjore mund të përfshijnë ndihmën për të marrë urdhra mbrojtjeje, për të bërë denoncime në polici dhe për të kërkuar dënimin e autorëve të dhunës.

Trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës në familje

Trajtimi i viktimave duhet të përfshijë procesin e rehabilitimit psikologjik dhe emocional. Ofrimi i mundësive për t’u rikthyer në shoqëri dhe për t’u angazhuar në aktivitete që ndihmojnë në zhvillimin e vetëbesimit dhe forcimin e aftësive për t’u përballur me të ardhmen është thelbësor.

Për viktimat e dhunës në familje, mundësitë për edukim dhe zhvillim profesional janë të rëndësishme për t’i ndihmuar ato të arrijnë pavarësi ekonomike dhe të mos varen më nga dhunuesi. Ofrimi i mundësive për të mësuar aftësi të reja profesionale dhe për t’u përfshirë në aktivitete edukative dhe shoqërore është një hap i rëndësishëm për rinisjen e jetës.

Viktimat e dhunës në familje shpesh janë të varura ekonomikisht nga dhunuesi dhe kanë vështirësi në të siguruar një jetë të pavarur financiarisht. Ofrimi i mbështetjes ekonomike, përmes granteve, ndihmave sociale ose mundësive për punësim, mund të luajë një rol të madh në ndihmën për këto individë të rindërtojnë jetën e tyre.

Rritjen e rolit të shoqërisë civile dhe organizatat joqeveritare

Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare (OJQ) kanë një rol të rëndësishëm në mbështetje dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Ato mund të ofrojnë shërbime të specializuara si strehim, mbështetje ligjore, ndihmë psiko-sociale dhe mundësi për integrimin e viktimave në shoqëri. OJQ-të shpesh ofrojnë një hapësirë të sigurt dhe mbështetje për viktimat që mund të mos ndihen të mbështetura nga institucionet shtetërore.

Fushatat ndërgjegjësimi janë të domosdoshme për të luftuar dhunën në familje. OJQ-të dhe institucionet shtetërore duhet të punojnë së bashku për të edukur shoqërinë për pasojat e dhunës dhe për të ofruar mbështetje viktimave.

Forcimin e politikave publike dhe mbrojtjes sociale

Shtetet duhet të hartojnë dhe zbatojnë ligje dhe politika që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të plotë për viktimat e dhunës në familje. Politikat duhet të përfshijnë sigurinë fizike, mbrojtjen ligjore, mundësitë e rehabilitimit dhe mundësitë për integrimin social të viktimave.

Institucionet shtetërore dhe OJQ-të duhet të punojnë së bashku për të ofruar një sistem mbështetjeje të integruar për viktimat. Bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve sociale, institucioneve ligjore, forcave të rendit dhe OJQ-ve është i domosdoshëm për të ofruar një mbështetje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për viktimat e dhunës në familje.

Mbështetja sociale për viktimat e dhunës në familje është një proces kompleks që kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe komunitetit. Ajo përfshin mbrojtje ligjore, shërbime psiko-sociale, mundësi arsimimi dhe punësimi, si dhe mundësi rehabilitimi dhe integrimi shoqëror. Viktimat e dhunës kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për të rindërtuar jetën e tyre dhe për t’u siguruar që dhuna në familje të mos përsëritet më.

Përfundime dhe konkluzione mbi drejtësinë sociale dhe grupet e margjinalizuara

Drejtësia sociale është një koncept themelor për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, ku të drejtat dhe mundësitë janë të ndara në mënyrë të drejtë për të gjithë individët, duke përfshirë ata që i përkasin grupeve të margjinalizuara. Kjo drejtësi është e domosdoshme për të adresuar pabarazitë strukturore dhe për të mundësuar integrimin e këtyre grupeve në shoqëri. Pas arritjeve të rëndësishme në këtë fushë, ende mbeten shumë sfida dhe nevoja për veprim të koordinuar për t’i dhënë fund diskriminimit dhe pasigurisë që përjetojnë këto grupe dhe konkretisht:.

Pabarazitë strukturore dhe dhuna sociale

Një nga përfundimet kryesore është se pabarazitë që përjetojnë grupet e margjinalizuara, siç janë komunitetet rome, egjiptiane, gratë dhe fëmijët në situata të dhunës, është e thelluar nga faktorë të shumtë, duke përfshirë racizmin, seksizmin, dhe varfërinë ekstreme. Pabarazitë strukturore, që shfaqen në arsimin, punësimin dhe mundësitë sociale, janë një nga shkaktarët kryesorë të margjinalizimit dhe duhet adresuar me urgjencë për të siguruar barazi.

Nevoja për politika publike efektive dhe të Integruara

Një tjetër përfundim është rëndësia e zhvillimit dhe zbatimit të politikave publike që i mundësojnë grupeve të margjinalizuara mbështetje të qëndrueshme dhe mundësi për të realizuar potencialin e tyre. Politikat duhet të përfshijnë përmirësimin e aksesit në arsim, shëndetësi, punësim dhe mbrojtje sociale. Megjithatë, këto politika duhet të jenë të personalizuara dhe të merren parasysh specifikat e secilit grup, për të siguruar që mbështetja të jetë e drejtuar dhe efektive.

Rëndësia e angazhimit të shoqërisë civile dhe OJQ-ve

Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare kanë një rol të pazëvendësueshëm në mbështetje dhe promovimin e drejtësisë sociale për grupet e margjinalizuara. Ato ofrojnë shërbime që mund të jenë më afër nevojave specifike të grupeve, si dhe krijojnë mundësi për ndërgjegjësim dhe mobilizim shoqëror. Megjithatë, një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet sektorëve publik dhe privat është i domosdoshëm për të arritur rezultate më të qëndrueshme.

Edukimi dhe ndërgjegjësimi për barazinë dhe diversitetin

Një përfundim tjetër është se edukimi dhe ndërgjegjësimi janë mjete të fuqishme për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar një shoqëri të barabartë. Krijimi i mundësive për të mësuar dhe kuptuar diversitetin e kulturave dhe nevojave të grupeve të margjinalizuara mund të ndryshojë perceptimin e shoqërisë dhe të kontribuojë në integrimin e këtyre grupeve. Aktivitetet ndërkulturore, trajnime dhe fushata ndërgjegjësimi janë thelbësore për ndihmën në krijimin e një shoqërie më të hapur dhe të drejtë.

Integrimi i viktimave të dhunës dhe grupeve të tjera vulnerable

Përfundimi i fundit është që grupe të tilla si viktimat e dhunës në familje, të rinjtë e rrugëve, dhe individët me aftësi të kufizuara, kanë nevojë për mbështetje të integruar që përfshin aspekte të ndryshme: mbrojtje ligjore, shërbime psiko-sociale, mundësi për punësim dhe edukim, si dhe mbështetje të vazhdueshme për rehabilitim dhe integrim social. Përshtatja e shërbimeve dhe mbështetjes për këto grupe është thelbësore për t’iu dhënë mundësinë për të rifituar dinjitetin dhe për të jetuar një jetë të barabartë me të tjerët.

Literatura në gjuhën shqipe:

“Profili i përjashtimit social të romëve dhe egjiptianëve”

2. “Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021”

3.“Studim për vlerësimin e nevojave të komuniteteve rome dhe egjiptiane”

Literatura në gjuhën frënge:

1.“Recueil de bonnes pratiques en matière de lutte contre la traite des Êtres humains à des fins d’Exploitation par le travail”

2.“Soutenir les communautés dans la lutte contre la traite des personnes”

3. “Référentiel d’Aide à la Lutte contre la Traite des Personnes”

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • 469
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT