• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM I VEÇANTË PËR NËNË TEREZËN NË NJU JORK

February 25, 2025 by s p

Koncert në Carnegie Hall për të celebruar jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezes

                              Marrin pjesë edhe kompozitorë shqiptarë

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
A poster for a musical performance

AI-generated content may be incorrect.

Një homazh muzikor për të kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprimtarinë e Shën Nenë Terezes në të famshmen Carnegie Hall të Nju Jorkut, ditën e shtunë, 22 Shkurt, 2025. Për të kujtuar dhe për të venë dukje bamirësinë vetmohuese, pa kushte e pa interesa personale ose të tjera, të mugeshës me origjinë shqiptare – e njohur, botërisht, për veprën e saj në shërbim të më të varfërve të botës. Ky concert ishte i pari i tillë që mbahet në Carnegie Hall, kushtuar Nenë Terezes.  Në njoftimin e Carnegie Hall për këtë homazh në nder dhe kujtim të saj, thuhet se Shën Nenë Tereza është edhe për botën aktuale moderne, një shembëll i bamirësisë vetmohuese dhe pa kushte.  Ky celebrim frymëzues muzikor me katër premiera amerikane të muzikës tradicionale dhe moderne, u drejtua nga Maestro Dante Anzolini. Ai drejtoi Orkestrën e Shën Lukës në auditoriumin që mban emrin e violinistit të famshëm Isaac Stern. Dashamirës të shumtë të muzikës dhe adhurues të Nenë Terezës ndoqën homazhin e veçantë të kësaj nate, titulluar “Shtegtim Feje” (A Journey of Faith), kushtuar Nënë Terezës shqiptare. 

Ishte një program që përshkoi vendet që karakterizuan jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës anë e mbanë botës duke filluar nga vendlindja e saj në Shkup deri në Irlandë e më në fund shërbimi i saj 50-vjeçar në Indi. Ishte një program dedikuar kësaj dëshmitareje të humanizmit për njerëzimin, mbresëlënës, madje edhe për njerzit që nuk besojnë në Zot. sipas organizatorëve të këtij homazhi në sallën prestigjoze të shfaqjeve e koncerteve, Carnegie Hall të Nju Jorkut!  

Reportoari për këtë koncert ishte përzgjedhur ashtuqë të pasqyronte jetën dhe veprimtarinë e plotë, përfshir edhe shërbimin vetmohues ndaj të njerëzve në nevojë – por duke pasur gjithmonë parasysh nevojën që ky program të shërbejë, njëkohsisht, edhe si frymëzim në shtegtimet individuale të jetëve dhe veprimtarive tona në botën aktuale ku jetojmë.

St. Teresa of Kolkata is seen in this undated photo.

“Nëqoftse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit!”  Nenë Tereza

Homazhi muzikor, “Shtegtimi i Fesë” ose (The Journey of Faith) kushtuar Nënë Terezes ishte një ide e konceptuar nga mjeshtri i madh, Dante Anzolini, dirigjent dhe kompozitor i njohur. I pyetur nga Radio Vatikani se si i lindi atij kjo ide për të organizuar një homazh muzikor në nder të Nenë Terezës, kompozitori Anzolini tha këto: 

“E krijuam këtë koncert në shenjë nderimi për një nga qeniet njerëzore më të rëndësishme në histori: Nënë Tereza ka qenë shembull i mirëkuptimit, i ndihmës për të varfërit, të pastrehët, të uriturit. Kështu që sapo menduam, së bashku me zotin Wethington, drejtues i këtij koncerti, të bënim një lloj shtegtimi në vendet ku ka jetuar kjo Grua e jashtëzakonshme. Prandaj programi përfshin muzikë shqiptare dhe muzikë irlandeze e, më pas edhe muzikë që të kujton edhe traditën hindu. Pas Indisë, udhëtimi përfundon në Nju Jork, ku zhvillohet pjesa e fundit e koncertit me tre kompozitorë: Nico Muhly, Missy Mazzoli dhe Philip Glass”, u shpreh dirigjenti dhe kompozitori Dante Anzolini.

Ndër kompozitorët pjesmarrës në këtë koncert ishin të pranishëm edhe dy kompozitorë të njohur shqiptarë: Thoma Gaqi dhe Genc Tukiçi.  Programi i hartuar me pjesmarrjen e kompozitorëve të njohur shqiptarë, Genc Tukiçi dhe Thoma Gaqi, të njohur në Shqipëri por dhe më gjërë kontribuan për homazhin në nder të Shën Nenë Terezës: Thoma Gaqi me “Vallja me Dajre” nga Valle Simfonike dhe Genc Tukiçi me “Vals Hyjnor” (Hymn for Mother Teresa) – kishte për për qëllim të tregonte respekt për traditat e ndryshme nepër të cilat ka kaluar Shën Nenë Tereza, por veçanërisht për të treguar edhe për trashëgiminë dhe origjinën shqiptare të preardhjes së Nënë Tereze.  “Po, pikërisht kështu është”, i tha Radio Vatikanit, kompozitori Anzolini, “sepse ajo ishte shembull për ne. Jo vetëm që ajo kishte respekt, por edhe ofronte ndihmë për të gjithë. Duke programuar këto pjesë, krijuam një lloj metafore për jetën e saj”, tha ai. Prandaj, si rrejdhim, vathdoi ai “Kombinuam stilet e ndryshme me një valle shqiptare nga Thoma Gaqi – shëmbull shpërthyes, që e nxit publikun të lëvizë e gati-gati të vallëzojë, me energji të madhe – edhe himnin e Genc Tukiçit kushtuar Nënë Terezës, që këndohet në gjuhën shqipe e shoqërohet nga një orkestër e madhe e një kor i madh, pasuar nga një fragment i Johann Sebastian Bach, shkëputur nga Mundimet e Krishtit, sipas Gjonit”, i ka thenë Radio Vatikanit, kompozitori Dante Anzolini, dy ditë para koncertit.

Në program janë përfshir edhe tre kompozitorë amerikanë, të cilët me këngë kanë ftuar publikun të kërkohet paqa në botë, midis njerëzve.  Ky ishte edhe synimi i kompozitorëve pjesëmarrës në këtë koncert: për të kërkuar paqën duke ndjekur gjurmët e Nenë Terezes, ka thenë Anzolini.  Pjesa e dytë e programit paraqiti një larmi stilesh duke pasqyruar se e gjithë kjo lidhet me, “Historinë, sjelljen dhe respektin e Nënë Terezës për mbarë botën. Propozimi im që, ashtu siç ishte ajo shëmbull për të gjithë ne, për t’i kuptuar dhe për t’i ndihmuar të varfërit, secili prej nesh të bëjë diçka të ngjashme me synimet e këtij koncerti. Nuk mjafton vetëm të dëgjosh muzikë, por duhet të kuptosh edhe mesazhin e saj”, është shprehur kompozitori dhe drejtori Dante Anzolini duke vlersuar koncertin që u mbajtë të shtunën mbrëma, kushtuar Shën Nenë Terezes mbajtur në Carnegie Hall në Nju Jork, të shtunën me 22 Shkurt, 2025. 

Është thenë se muzika ishte shumë e rëndësishme në familjen e Nenë Terezës në vitet e para të jetës së sajë në Shkup. Thonë gjithashtu se muzika është gjuhë universale që zhduk ndasitë dhe që na bashkon pa marrë parasysh ndryshimet krahinore, gjuhësore, raciale, fetare e të tjera. Prandaj, pikërisht, mesazhi i koncertit në Carnegie Hall në Nju Jork organizua dhe u zhvillua në frymën dhe porosinë e Nenë Terezes: se secili prej nesh mund të ndihmojë të varfërit në nevojë dhe se për të realizuar këtë objektiv, le të ecim në rrugën e treguar nga Nenë Tereza. Koncerti me muzikë në sallën madhështore Carnegie të Nju Jorkut, për të nderuar Nenën tonë Tereze, vërtetë ishte ashtu siç ishte programuar nga organizatorët: një rrugëtim ose shtegtim feje, besimi, bamirësie e vetmohimi.  Por homazhi muzikor për Nenë Terezen të shtunën mbrëma ishte, në të njëjtën kohë, edhe një ngjarje e veçantë kulturore me rëndëi për dashamirsit e artit, kulturës dhe muzikës në Nju Jork.

Frank Shkreli

Mother Teresa Concert
A poster for a musical performance

AI-generated content may be incorrect.
Provided by arrivalguides.com

Pamje nga salla e madhe e shfajeve teatrale dhe koncerteve muzikore në Carnegie Hall 

Filed Under: Kronike

Nga “Mbrëmje Muzikore” te “Koncertet” e sotme – Një ndryshim i qetë i emërtimit

February 25, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Dikur, në mbrëmjet shqiptare, muzika ishte gjithmonë aty, por emërtimi i saj ndryshonte sipas natyrës së ngjarjes. Kishim mbrëmje muzikore, që krijonin një atmosferë të qetë e kulturore, ku muzika ishte një element i rëndësishëm, por jo i vetmi thelbësor. Kishim mbrëmje rinore, ku ritmet e kohës bashkonin një brez të tërë nën dritat e sallave të improvizuara. Kishim spektakle muzikore, që përpiqeshin të ruanin një lloj serioziteti artistik, dhe ahengje popullore, ku kënga, vallja dhe atmosfera e lirë ishin pjesë e natyrshme e festës.

Por me kohën, këto terma u venitën dhe një fjalë e vetme mbeti për të përshkruar gjithçka: koncert. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një lehtësim—pse të komplikohemi me emërtime të shumta kur një fjalë mund t’i mbulojë të gjitha? Por, a është vërtet kështu? A përshkruan fjala koncert atë që ndodh në këto ngjarje?

Në kuptimin klasik, një koncert është një shfaqje e strukturuar, ku artisti interpreton, ndërsa audienca dëgjon. Ka një program të qartë, një fillim dhe një fund të përcaktuar. Në ngjarjet shqiptare të sotme, kjo ndarje nuk ekziston më. Kufijtë mes artistit dhe spektatorit treten; vallëzimi shpesh nis që në notat e para, publiku këndon me mikrofon në dorë, dhe muzika merr trajtën e një feste spontane. A është ky ende një koncert apo diçka tjetër?

Këtë dukuri e vërejmë shpesh edhe në afishet që qarkullojnë në rrjetet sociale. Koncert për Festat Kombëtare!—shkruhet me shkronja të mëdha, shoqëruar me fotografitë e këngëtarëve të njohur. Por çfarë përmban ky koncert? A do të jetë një interpretim solemn, i menduar për të përcjellë madhështinë e një ngjarjeje historike, apo një natë e gjatë kërcimi dhe hareje? Ky ndryshim i qasjes nuk është domosdoshmërisht i gabuar—shqiptarët kemi festuar gjithmonë përmes këngës dhe valles—por ndoshta na lë një boshllëk në mënyrën si e përjetojmë përkujtimin e historisë sonë. A duhet të ketë vend edhe për një koncert në kuptimin e tij të vërtetë, ku muzika dëgjohet me një ndjenjë solemniteti dhe reflektimi?

Nuk dua të jem ai që vendos kufij të rreptë apo që kërkon të “korrigjojë” një përdorim tashmë të rrënjosur. Gjuha, si vetë muzika, evoluon. Ndoshta fjala koncert ka marrë një jetë të re mes shqiptarëve, një kuptim që shkon përtej kornizave klasike dhe përqafon shpirtin e gëzimit kolektiv.

Por gjithsesi, një pjesë e imja nuk mund të mos reflektojë mbi këtë ndryshim. A kemi humbur diçka në këtë proces? A kemi nevojë për një fjalor më të pasur që përshkruan realitetin tonë muzikor më saktë? Apo ndoshta e gjithë kjo është një dilemë e kotë, dhe e rëndësishme është që muzika të mos heshtë kurrë?

Mbase nuk kam një përgjigje të prerë. Por përpara se të klikojmë biletë për koncertin, ndoshta ia vlen të ndalemi për një çast dhe të pyesim veten: çfarë lloj koncerti do të jetë ky?

Filed Under: Kulture

Klubi “Lidhja Kombëtare” në Shkodër, 110 vite nga themelimi

February 25, 2025 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

110 vite më parë, më 25 janar 1915, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, në mes kaosit politik të Shqipërisë, shpërbërjes së shtetit, rivalitetit esadist dhe kryengritës për kontrollin e kryeqendres së vendit në Durrës, të ndërhyrjeve agjenturore të Malit te Zi etj., në Shkodër, qytetin e vetëm në botën shqiptare ku ishin strehuar nacionalistët nga Shqipëria tjetër, nga Kosova, u inaugurua zyrtarisht me një ceremoni, themelimi i Klubit “Lidhja Kombëtare”.

Parija e organizatës mbarëqytetare shkodrane ka qenë e përbërë nga Nikolla Ivanaj, Riza Dani, Karlo Summa, Taip Shkodrani, Hilë Mosi, Malo Bushati, Kolec Deda, Rifat Kopliku, Rrok Berisha, Visho Bushati, Luigj Naraçi dhe Hamid Gjylbegu.

Nacionalistët e bashkuar shkodranë ringritën flamurin kombëtar, rivendosen gjuhën shqipe në komunikimin zyrtar, rivendosen stemen e Klubit me shqipen e stemës shtetërore shqiptare, promovuan muzikën qytetare shkodrane, priten në selinë e improvizuar me këtë rast anëtarët e bashkësisë nga të gjitha lagjet e qytetit.

Kjo ngjarje ka qene zhvillimi më i rëndësishëm në këto ditë të erreta të vitit 1915, në aspektin e unitetit politik dhe qytetar, vendosjes në një linjë politike të qendrës më të rëndësishme të kulturës së lartë kombëtare, qytetit te Shkodres dhe bashkesise perkatese.

Nuk ishte nje ngjarje e thjeshte, e zakonshme, por nje produkt i mahnitshem i ndikimit te Rlindjes dhe Pavaresise mbi te gjithe, prova ma ere e formesimit te vetedijes se perbashket të shoqërisë qytetare shkodrane ne modernitet, vetedije që nga kjo kohë, filloi të prirej, jo më mbi linjat e ngushta parciale, por mbi bazën e nje vetedije civile, te interesave komunitare, te percaktuara nga parime te rakorduar,te drejtuara nga nje Paresi, qe nuk shtyhet dhe rrahe gjokset e kotesise per te dale ne krye pa merite, por qe spikat per shkak te kualitetit intelektual, reputacionit ne komunitet, besnikerise ndaj qytetit, krahines dhe interesave publike nacionale.

Nuk është e tepërt të them se Klubi “Lidhja Kombëtare” parapriu “Vllazninë”, që do të themelohet 4 vite më vonë.

Nga kjo kohë dhe për disa dekada me radhë në kohën e normalitetit shteteror, Shkodra ka ecur mbi disa parime, që nuk ia diktuan të fortët e qendrave te ndryshueshme për interesa të veta private ose familjare, por Paresia e vet e Iluminuar

Eshte ky një model që duhet respektuar.

Duhet te kihet parasysh, se Shkodra ia ka dalë shpesh herë te mos merret rrshane nga komandante turmash, qe sajojne metoda te genjeshtra kinse perzgjedhore, per krijimin e perfaqesive lehtesisht te kontrollueshme, ne skemat e qenderzuara dhe skenaret e perjetesimit te elitave, permes trashëgimit të udhëheqësisë ndër të njëjtat familje.

Filed Under: Opinion

NDRIÇIM I QENËSISHËM I JETËS DHE I VEPRAVE TË SKËNDERBEUT

February 25, 2025 by s p

Anton Nikë Berisha/

Dhimitër Frangu, Veprat e lavdishme të Skënderbeut. Përkthimin, parathanien, komentet dhe ilustrimet Lek Pervizi. Faik Konica, Prishtinë 2024.

“Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekeson kujtimin e tyne, jo vetëm ndêr faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka ndêrgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dishirë me u sjell e me u drejtue mbâs shembullit të të Mëdhajvet të vet”.

Luigj Gurakuqi

Ky mendim, sa i veçantë aq dhe i rëndësishëm i Luigj Gurakuqit për burrat e shquar të një populli, nëse përimtohet në thellësi dhe konkretizohet me vërtetësi në botën tonë, të vë në tundime jo të vogla. Për këtë dëshmon (për të mos i përmendur rastet e tjera) edhe libri “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” i Dhimitër Frangut, këshilltarit dhe zyrtarit më të rëndësishëm dhe më besnik të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vepra e të cilit u jepet në dorë lexuesve me vonesë të stërmadhe, edhe pse është libri i parë i botuar dhe i njohur deri më tani që dëshmon konkretisht dhe me argumente të mirëfillta për figurën më të shquar dhe kryetrimit e botës arbërore – shqiptare Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Kjo vonesë e njohjes së veprës së Dhimitër Frangut (botimi i parë në shqip u bë më 2005) nuk e zvogëlon Skënderbeun, po tregon për pakujdesinë, shkurtpamësinë, po dhe përmbysjen dhe mjerimin tonë.

Duhet t’i jemi skajshmërisht mirënjohës Lek Pervizit, i cili e përktheu këtë vepër nga latinishtja me shumë përkushtim e dije, e plotësoi me shënime dhe e ilustroi me shumë fotografi të Skënderbeut të bërë në rrjedhë të kohëve, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit dhe botës sonë. Them kështu nga se pa e njohur mirëfilli të kaluarën nuk mund ta njohim e as të vlerësojnë kohën tonë.

Në pjesën “Dy fjalë nga përkthyesi” dhe në “Parathanie” Lek Pervizi na i jep disa të dhëna të rëndësishme për veprën dhe për autorin e saj, Dhimtër Frangun, për përkthimet e veprës në italisht e në gjuhë të tjera, për disa vlerësime të rralla që i kanë bërë disa autorë librit të Dhimitër Frangut dhe për shfrytëzimin dhe plagjiaturat nga autorë të ndryshëm, italianë e shqiptarë. Pervizi shkruan: “Në dy shekujt e parë pas vdekjes së Skënderbeut, gjithë autorët e librave që u shkruen për të, kishin mbushë ujë të kulluet te burimi fillestar i Dhimitër Frangut, sa që në një mënyrë pothuejse rituale, fjalët e frazat e tij, u përcollën të pandryshueme nga një autor tek tjetri. Kjo bie në sy menjëherë, për ata që i kanë lexue gjithë librat që u botuen nga viti 1480, vit i dorëshkrimit të parë latinisht të Dhimitër Frangut. Ndryshimet, në disa autorë, erdhën si pasojë i kërkimit të « qimes në vezë ». Me këtë duem të themi, se tue pasë dëshminë ma se të bindshme të një Dhimitër Frangu nuk ishte nevoja të kapërcehej në hamendje të pakontrollueme e në fantazi të teprueme në përshkrimin e historisë së Skënderbeut. Vërtet se Marin Barleti na dha një vepër latinisht, që u muer si bazë e historisë së Skënderbeut, por ishte një vepër që dilte 30 vjet pas librit të Frangut. Kështu që edhe vepra e Barletit e kishte zanafillën në tregimin besnik të Frangut, të cilit ai duhet t`ia dinte për nder që kishte dhanë një dëshmi aq të randësishme mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut. Vetë Barleti, në shumë raste shkruen fjalë për fjalë thanjet e ngjarjet e Frangut”.

Për të dëshmuar vlerën e shumëfishtë të librit të Dhimitër Frangut, Lek Pervizi sjell edhe mendimin e Giovanni (Xhovani) Maria Bonardo të vënë si moto: “Eruditi Venecian, Giovanni Maria Bonardo, përkthyes, redaktor dhe botues i këtij libri, e specifikon atë me këto fjalë: “[…] Libër që asht shkrue latinisht me dorë prej Atë Dhimitër Frangut, i cili ka qenë i pranishëm personalisht dhe i mirinformuem për të gjitha betejat dhe veprat e atij Princi…”.

Duke u mishëruar me veprën e Dhimitër Frangut dhe duke u bindur për rëndësinë e shumëfishtë të saj, në Parathanien Lek Pervizi shkruan: “Askush tjetër nuk mund t’ishte i aftë për ta ndjekë nga afër jetën e veprimtarinë e këtij Princi, ma mirë se një bashkëkohës, këshilltar, fetar, arkëtar dhe ambasador i tij, besnik dhe i kulturuem, siç ishte një Dhimitër Frangu. Në qoftë se nuk del njeri tjetër i rrethit të ngushtë të tij, që të ketë arritë me shkrue një dëshmi tjetër, s’ka dyshim se shqiptari që përmendëm mbetet i vetmi që ka arritë me dhanë një biografi e histori të shkoqitun e sa më të vërtetë mbi Skënderbeun”.

Të dhëna të qenësishme dhe të argumentuara mirëfilli

Janë disa dukuri që e bëjnë këtë libër të Dhimitër Frangut shumëfish të rëndësishëm dhe të pakapërcyeshëm, jo vetëm të kohës kur u botua, por edhe për kohën tonë. Ndër të parat dukuri që qartësohet fund e krye librit të Dhimitër Frangut është dashuria e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për atdheun, gatishmëria për mbrojtjen e tij deri në flijimin e jetës; kujdesi i pazakonshëm ndaj bashkëluftëtarëve dhe ndaj banorëve, pa marrë parasysh se cilit vend dhe cilës shtresë i takonin, pastaj ndarja e plaçkave të luftës secilit luftëtarë, po edhe banorëve ku bëheshin betejat, siç dëshmon Dhimitër Frangu: “Mbasi Turqit u thyen, Shqiptarët shkuen dhe e rrënuen kampin anmik, ku gjetën shumë plaçkë e pajisje të çmueshme, të cilat Skënderbeu, siç kishte veprue gjithmonë, ia ndau ushtrisë së tij fitimtare e të lavdishme”. Në një shënim të përkthyesit rreth kësaj dukurive thuhet: “Kjo përsëritet vazhdimisht e duket si e tepërt, por puna duhet vështrue nën një prizëm tjetër, sepse autori (Dhimitër Frangu – v. ime) tregon çka me të vërtetë ka ndodhë. Siç asht dokumentue, gjatë 25 vjetëve të luftës kundër Turqve, Skënderbeu zhvilloi dhe fitoi 24 beteja të randësishme, tue triumfue në fushat e betejave e sigurisht tue kapë plaçkë të madhe, e cila patjetër se do t’i shkonte ushtrisë, si shpërblim, dhe për të përballue shpenzimet e mëdha ushtarake, kujt vendi nuk mund t’u bante ballë, e ndihmat e hueja ishin të pakta. Kurse nga ana kundërshtare, zbatoheshin kritere ma t’egra dhe ma çnjerëzore, sepse plaçka përfshinte edhe njerëz, pleq, gra, djem e vajza e fëmijë, që katandiseshin në skllavni të përjetshme, pa shpëtim”.

Pikërisht dashurinë ndaj atdheut Kryetrimi ua mbjellë edhe luftëtarëve arbërorë te tij, qoftë me fjalë, me fjalime e me porosi, që nuk i kurseu asnjëherë, qoftë me veprime konkrete, kur hidhej në mes të betejës kundër armiqve pa u frikësuar se do ta vrasin.

Pra, çdo përpjekje, çdo veprim dhe çdo flijim i Skënderbeut dhe i princave arbërorë dhe i luftëtarëve lidhet me atdheun dhe me njerëzit e tij për ruajtjen me çdo kusht të trojeve arbërore nga pushtuesi otoman. Për atdheun Skënderbeu nuk kursente asgjë; vepronte në atë mënyrë, siç do të thoshte më vonë atë Anton Harapi: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në varr, prandaj në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.

Rëndësia e të gjitha luftërave të Skënderbeut lidhet me karakterin mbrojtës e jo për t’i nënshtruar të tjerët dhe për t’ua pushtuar tokat. Kjo konkretizohet mirëfilli nga veprimet e tij, nga sjellja me ushtarë, nga fjalimet para ndërmarrjeve luftarake mbrojtëse kundër një ushtrie shumëfish më të madhe në numër dhe shumë më të pajisur me armë.

Si ushtarak me përvojë, të fituar gjatë kohës kur ishte i marrë peng nga Sulltani, po dhe nga përvoja e ndërmarrjeve mbrojtëse dhe e princave të tjerë arbërorë dhe nga njerëzit e urtë, me të cilët këshillohej përherë, Skënderbeu dëshmohet trim i paepur, po i urtë e fisnik; gjithçka e mendonte dhe e peshonte paraprakisht dhe dëshmonte aftësinë të marrë me mend se cilat veprime dhe kur duhet t’i ndërmerrte dhe në çfarë kohe; në ç’mënyrë duhet të mbrohej për t’i përballuar ndërmarrjet ushtarake të dërguara nga sulltanët otomanë; ishte i sjellshëm, i afërt dhe fisnik me luftëtarët dhe me banorët nga të cilët kërkonte mbështetje. Ishte i mëshirshëm përballë tradhtarëve dhe robërve të zënë në luftë. Të tillë e cilëson Dhimitër Frangu Skënderbeun: “Nga ana shpirtnore, ishte edhe më i pajisun dhe i përsosun, sepse ky Princ kishte shpirt kristiani, ishte besimtar e i mëshirshëm, i drejtë dhe shpirtmadh me të gjithë, veçanërisht në faljen e anmiqve. Ishte trim me shpirt të pamposhtun, saqë kurrë nuk ishte dallue tek ai ndonjë shenjë frike apo ankthi. Ishte i mëshirshëm me të gjithë, veçanërisht me ata që e fyenin, tue i falun fyemjet kur i kërkohej falje. Anmik i përbetuem i veseve të këqija imorale dhe i mallkimeve”.

Cilësitë e një atdhetari të madh e të një strategu të jashtëzakonshëm lufte Skënderbeu e dëshmon, pos të tjerash, edhe me fjalimin drejtuar princave dhe luftëtarëve, pasi i shkruan Sulltanit dhe ia prapëson propozimet që ai i bënte: “Shumë të dashtun Zotnij e vllazën, nuk dyshoj, që, sapo të marrë përgjigjen time, dhe të ketë dëgjue fjalët e ambasadorit, për sa unë i kam folë atij, menjëherë ai do të provojë fatin për të hedhë gjithë forcat kundër meje, dhe për këtë punë do të përdorë të gjithë pushtetin e tij, prandaj do të më dukej punë me vend që të jemi shumë të gatshëm e të përgatitun kur ajo të ndodhë që kalorësit tanë trima të mund të na mbrojnë nga sulmi i anmikut, i cili do të përdorë çdo mënyrë për të na nënshtrue. Të grumbullojmë furnizime të bollshme e të jemi shumë vigjilentë në ruejtjen e rregullit për sa do të veprojmë. Gjithashtu propozoj që të çojmë sa ma shumë spiunë brenda vendit të Sulltanit, që të jenë besnikë, të cilët do të na njoftojnë e të na paralajmërojnë për qëllimet e anmikut, tue vendosë njëkohësisht roje të mira në çdo vend e në çdo shteg. Ju baj të ditun, Zotnij, që t’i mbani në gatishmëni dhe të përgatitun luftëtarët e njësitë e jueja për çdo rast, sa që, me shenjën ma të vogël, të jenë në gjendje që të luftojnë trimënisht e të përballojnë me guxim anmikun. Ndërkaq unë do të shkoj drejt kufijve me një pjesë të mirë të ushtrisë për ta mbajtë anmikun në ankth dhe në frikë. Do të lëviz herë këndej herë andej tue shkatërrue e damtue, që ta kuptojë se nuk kemi frikë as prej tij as prej kërcënimeve të tija, dhe ju njoftoj të gjithëve se gjatë luftimit, askush, as ushtar, as kapiten e kolonel, të mos guxojë të marrë ndonjë plaçkë të anmikut sado e vogël që të jetë, (kështu them), në çdo rast që të na ecë fati. Këtë vërejtje e baj, jo për ndonjë qëllim tjetër, por për faktin se një ushtar i ngarkuem me plaçkë nuk mund të luftojë trimnisht. E në qoftë se mes jush ka asish që mendojnë ndryshe, ban ma mirë të qëndrojë në shtëpi, se sa të vijë në luftë për qëllim përfitimi të plaçkës dhe jo për nder, ku, veçse se do të damtonte e do të pengonte luftëtarët e tjerë. Ju premtoj, për besën e një kalorësi e si ushtar i nderuem, që në çdo rast beteje e fitoreje (Zoti e dhashtë), e gjithë plaçka do të jetë e jueja”.

Dhimitër Frangu jep një varg të dhënash të sakta për mënyrën e përgatitjeve e të sulmeve të Skënderbeut e të udhëheqësve të tjerë arbërorë, si ndaheshin qartazi detyrat, ku dëshmohet një strategji ushtarake e lartësuar, pastaj për sjelljet e Skënderbeut para, gjatë dhe pas luftës me komandantë dhe me luftëtarë, me banorë të zakonshëm, qoftë kur korrte fitore, qofte kur pësonte humbje, po edhe sjelljet e tij me robërit e luftës, sidomos me disa prijës otomanë, të cilët i binin te këmbët dhe i kërkonin mëshirë.

Të bëjnë përshtypje të dhënat e shumta dhe konkrete të ushtrive, përkatësisht numrit të luftëtarëve, qoftë arbërorë, qoftë otomanë, të numrit të vrarëve e të plagosurve etj. Me një fjalë, janë fakte që nuk i ka dhënë asnjë autor që ka shkruar për jetën dhe luftërat mbrojtëse të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për rreth 25 vjet.

Çka dëshmojnë letrat e Skënderbeut dërguar sulltanëve

Atdhedashurinë, mençurinë, shkathtësinë, guximin e pashembullt të një prijësi të madh ushtarak dhe gatishmërinë e flijimit për të mbrojtur lirinë dhe trojet arbërore, Skënderbeu e përligj edhe me letrat që ua dërgoi sulltanëve të Perandorisë Otomane, edhe pse ata ishin udhëheqës të shquar që drejtonin një shtet aq të fuqishëm që ishte në gjendje t’i nënshtronte edhe shtetet më të mëdha të kohës.

Po sjell një pjesë të letrës së Skënderbeut, përgjigje sulltanit, Mehmet Amiri, Sulltan dhe Perandor i gjithë pjesë së botës, i cili njihej “sulltani gjakatar, me rastin e prishjes së marrëveshjes për paqe, që kishte bërë me sulltanin: “Gjergj Kastrioti, ndryshe Skënderbeg, Princ i Epirotëve e i Shqiptarëve, Mehmet begut Princit të Turqve, i uron shumë shëndet. Kur mora vesht prej Ambasadorit tand, Mustafa begut, e prej letrës sate, se sa ti ankohesh dhe proteston, pothuejse tue më qortue, të jap këtë përgjigje: Kryesisht nuk pendohem as nuk kam pse pendohem për prishjen e paqes, sepse e kam ba për shumë arsye, i detyruem nga një shkak legjitim, e prandaj jo vetëm që nuk duhet të pendohem (siç thashë) por duhet të jem anmiku ma i madh i yti, sepse duke qenë ti, Princ i një shteti të madh, nuk të takon që të vendosësh e të thyejsh ligjet sipas qejfit, dhe as që të nënvleftësosh Princin e një shteti të vogël, siç ke vepruar ndaj meje. Ndërsa u vendos paqa mes nesh nëpërmjet Ambasadorit tand, nuk duhej që bashkë me fenë tande ta thyeshe, e për këtë me janë dëshmitarë Zoti dhe bota. Kur unë isha i sigurt për besën që më kishe dhanë, vasalët e tu më shkaktuen damtime të mëdha, aq sa qeshë i detyruem me të dërgue një Ambasador timin, me lutje që të merrje masat e duhuna, e m’u përgjigje se do t’i kishe dënue ata keqbamës, e se ato veprime ishin ba pa dijeninë tande. Gatishmënia dhe rreptësia që t’i dojshe me tregue ndaj tyne, shpejt doli që ishte fare hiçe, sepse ti më dhe me kuptue se gjithë damet ato i kishin krye me dijeninë dhe pëlqimin tand, dhe kështu unë dola i tallun ndërsa keqbasit mbetën të padenuem, prej ku del fakti i qartë dhe dëshmia që ti ke qenë (siç thashë) dakord, prandaj ti duhet e mund të bindesh që unë kam pasë të drejtë të rifitoj damet që kisha pësue. Due që ti ta marrësh vesh se një si unë nuk duhet të kujdeset fare për ata që nuk e çmojnë paqen, por duen që nën ngjyrën e paqes, të ngrehin kurtha dhe të mashtrojnë të tjerët. Po qe se kjo sjellje i takon një Princi, gjykoje vetë. Për sa thue se Venedikasit më paskan mashtrue, të them, se tue qenë ata njerëz shumë të ndershëm dhe të besës, nuk mund të besohet se tek ata të ketë vend mashtrimi ose ndonjë hile tjetër, prandaj lirisht kam vendosë që nuk due me pasë paqë me ty, edhe pse unë qenkam aq Princ i ulët, e ti një Perandor aq i fuqishëm nga Lindja në Perëndim, që vetëm prej teje thuhet, tue përvetesue ndoshta shumë ma tepër nga ato që të takojnë […] prandaj unë nuk tundem nga kërcënimet as nga lajkat e tua […] Nga kampi ynë, më 25 qershor 1463”.

Dhimitër Frangu jep edhe një varg të dhënash për gatishmërinë e përhershme të luftëtarëve arbërorë për ta mbrojtur atdheun, të cilët ishin vijimisht vigjilentë dhe nuk befasoheshin nga sulmet e papritura dhe të fshehta të otomanëve ose të mashtroheshin e të bëheshin vegël e otomanëve që në çdo mënyrë donin t’i pushtonin trojet e Arbërisë dhe të vazhdonin më tej në pushtimin e shteteve të tjera të Evropës, siç ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut.

Edhe rreth sëmundjes dhe keqësimit të gjendjes shëndetësore të Skënderbeut dhe vetëdijes se po i mbaronin fuqitë dhe po i afrohej vdekja, Dhimitër Frangu jep të dhëna të sakta kur Kryetrimi arbëror i dorëzohet vdekjes dhe hirit të Hyjit; ai e fton djalin e vetëm të tij, Gjonin, dhe e porosit që t’u nënshtrohet (meqenëse ishte i ri) urdhrave të nënës, Donikës, dhe ipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit.

Vdekja e Skënderbeut shkaktoi një dhimbje e pikëllim ta pazakonshëm të bashkëluftëtarët, të i gjithë populli, po edhe të të tjerët, që e njohën dhe ia pranuan aftësinë dhe vlerën që pati në mbrojtjen 25 vjeçare të ndërmarrjeve otomane. Këtë e shprehen edhe princat e shteteve fqinje bashkë me banorët e tyre, si e thotë edhe Dhimitër Frangu në veprën e tij: “[…] ai kishte qenë kalaja e shpëtimi edhe për vendet e tjera fqinje. Vdekja e tij përfshiu jo vetëm të gjithë Princat e Krishtenë, Papën dhe Kolezhin e Kardinalëve, të gjithë Oborrin dhe popullin e Romës, dhe jo më pak Republikën e Venedikut, e krejt Krishtërimin, por u përhap edhe në vende e shtete të tjera të largëta, sepse fama e mirësisë dhe e trimnisë së madhe të tij, ishte përhapë në gjithë botën, sa që u vinte keq edhe anmiqve të tij. Kur mori vesh për atë vdekje, Mbreti Ferdinand i Napolit dhe i Sicilisë, me gjithë mbretninë e tij, treguen një qëndrim të tillë sa e gjithë bota e kuptoi se sa e madhe ishte dhimbja e keqardhja e tij, mbasi i bani nderime të mëdha e vajtime në gjithë shtetin”.

Në mbyllje të këtij punimi më duhet të them se libri i Dhimitër Frangut “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” hyn në rrethin e atyre veprave që mbijetojnë nëpër kohë nga se janë të ngritura e të hartuara nga të dhëna të pandërmjetme që autori, bashkëpunëtor dhe këshilltar i rëndësishëm i Skënderbeut, i përjetoi vetë ose i mori (të dhëna) nga Prijësi i tij, Skënderbeu, nga princat e tjerë arbërorë ose edhe nga arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, udhëheqësi shpirtëror i Skënderbeut, i cili ishte dhe kushëriri i Frangut. Së këndejmi, them se secili që e lexon me vëmendje këtë vepër të Dhimitër Frangut, jo vetëm do të mësojë më thellësisht për Skënderbeut, për jetën dhe ndërmarrjet luftarake mbrojtëse kundër otomanëve, po edhe për një varg rrjedhash e pasojash të botës arbërore – shqiptare që ndodhen më vonë.

Prishtinë, mes i shkurtit 2025

Filed Under: Histori

Një mbrëmje shumë e veçantë edukative dhe frymëzuese u zhvillua në ambientet e QKSHA-Struga në prag të fillimit të muajit të shejntë të Ramazanit

February 25, 2025 by s p

Agjërimi, shëndeti, efektet e agjërimit dhe mënyra më ideale e praktikimit ishin ndër pikat thelbësore që u diskutuan nga ekspertë, mjek specialist dhe Imam ligjërues duke ndarë kështu informata dhe mësime shumë të vlefshme me të pranishmit të cilët ishin në një numër të konsiderueshëm.

Dr. Arjet Gega, Shef i Sëmundjeve Infektive dhe Edukator Klinik në Spitalin Saint Mary’s, Connecticut foli në detaje për efektet shëndetësore dhe mënyrën më të mirë e të ushqyerit gjatë këtij muaji.

Imam Endrit Himaj – Imam i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Connecticut (AAMC) ligjëroi mbi domethënien e Ramazanit duke sjellë shembuj konkret nga jeta e Profetit Muhammed (a.s).

Imami i QKSHA-Struga, Arun Pollozhani foli për nivelet e agjërimit dhe rëndësinë e komunitetit.

Imami Gazi Aga i cili ishte edhe moderator i këtij evenimenti ju shpjegoi pjesmarrësve pregatitjet për këtë muaj të shejntë ndërkohë apeloi tek i gjithë komuniteti që të marrë pjesë në lutjet e këtij muaji dhe theksoi se në natën e parë do të ketë edhe një program unikal me nxënësit e QKSHA-së

Ky eveniment u zhvillua në kujdesin e QKSHA-Struga dhe u cilësua si tepër i dobishëm nga të gjithë pjesmarrësit të cilët në fund kishin mundësi të komunikojnë me të gjithë ligjeruesit për çështje të ndryshme.

Zoti i bekoftë të gjithë ata që u angazhuan për këtë aktivitet kaq të rëndësishëm 🇦🇱

Marrë nga “Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga”

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 468
  • 469
  • 470
  • 471
  • 472
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT