• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 PRESIDENTËT E SHQIPËRISË

January 28, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

“Çdo mama do donte ta shikonte djalin e vet president por pa u bërë politikan”. Teksa një ditë shkurti 2001 vizitoja në Boston “John Kennedy Museum and Library”, syri më kapi një thënie të stampuar në një mur me hark. Si një emblemë që mbajti mbi supe nderin dhe kënaqësinë të ishte presidenti i 35-të i SHBA, por edhe vuajtjen, përgjegjësinë, e deri në humbjen e jetës, John Kennedy kishte dhënë përkufizim më të saktë, por edhe proverbial njëkohësisht. Sa e sa dëshirë e kënaqësi mund të ketë njeriu të bëhet president i një shteti, por sa vështirë dhe sa e rëndë është mbi supe ajo detyrë, kudo qoftë, në SHBA apo Shqipëri. Kur në vitin 2015 nxora nga botimi librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë. Nga Ismail Qemali te Edi Rama”, ajo që më shkoi në mendje sapo doli në qarkullim, ishte një libër për presidentët e Shqipërisë. E quajta të largët atë projekt për faktin se numri i atyre që kanë drejtuar institucionin më të lartë të shtetit tonë nuk arrinin të bëheshin as sa gishtat e dy duarve. Për më tepër që Shqipëria nuk është Amerika. Megjithatë, folderat në arkivin tim elektronik dhe dosjet në arkivin tim fizik po mbusheshin ding me materiale dhe të dhëna për presidentët. Por Henri Çili nuk lë rast pa i bërë pritë përvjetorëve. Kishte vite që kishte çimentuar idenë se në 100 vjetorin e presidencës duhej doemos një libër për presidentët. Dhe meqënëse, sipas tij, unë kisha fituar “markën” e kryeministrave, tani duhej të shkruaja një libër për presidentët. Në fakt e prita me shumë dëshirë këtë ide. Prandaj e falenderoj për projektin, por edhe për mbështetjen që bëri të mundur botimin e këtij libri.

100 VJET PRESIDENCË SHQIPTARE

Historia e presidencës shqiptare nuk është as e gjatë me emra, por as e fortë në pushtet. Nga viti 1925 deri sot janë vetëm 11 presidentë. Sa një skuadër futbolli. Pa rezerva madje. Përjashtim bën vetëm republika presidenciale e Ahmet Zogut dhe presidenca e Sali Berishës. Me këto dy raste ekstra, Presidenca, edhe është edhe nuk është vrima e gjilpërës në të cilën kanë kaluar ngjarjet më të mëdha të kombit. Presidencat e 8-të drejtuesëve të tjerë, rezultojnë të jenë ose me gjysmë pushtet ekzekutiv, ose me çerek pushtet, ose me rol honorifik.

Megjithatë themelimi i institucionit të presidentit është ai i 31 janarit 1925 kur për herë të parë që nga themelimi i shtetit Shqipëria u shpall Republikë. Po atë ditë Asambleja zgjodhi Ahmet Zogun president të asaj Republike dhe që nga ai moment mori udhë një isntitucion që kaloi përmes tallazeve. Tashmë që mbushen 100 vjet kuptojmë akoma më mirë se lundrimi i vështirë në stuhitë e ngjarjeve që kanë kapluar Shqipërinë në një shekull kanë treguar se historia nuk i mësoi askujt asgjë. As presidentëve madje. Më 1 shtator 1928, i njëjti politikan që e shpalli Shqipërinë republikë, e shpalli atë mbretëri dhe veten mbret duke e shuar presidencën. Lufta e Dytë Botërore kaloi në pesë vite që formalisht ruajtën mbretërinë dhe drejtimi i shtetit u krye me regjencë. Por një nga aktet e para të paslusftës prej komunistëve që erdhën në pushtet ishte rikthimi i Republikës. Më 11 janar 1946 Shqipëria u shpall republikë dhe nga ky moment deri në 1991 vendi funksionoi me Presidium të Kuvendit Popullor që kishte atributet e kreut të shtetit në një formë kolegjale. Presidiumi përbëhej prej 15 anëtarësh dhe kryetari ishte mbi ta, por nuk kishte asnjë rol. Ai ishte honorifik dhe formaliteti përmblidhej në hedhjen e firmave nëpër dekrete, dekorime dhe dërgime e marrje urimesh, të gjitha këto të diktuara nga partia shtet.

Vetëm pas emërimit të Ramiz Alisë në vitin 1982, roli i kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nisi të marrë dalëngadalë atributet reale të kryetarit të shtetit. Me zgjedhjen e tij në 30 prill 1991 si president i Republikës, presidenca u kthye në një institucion kushtetues. Ishte gati si një rikthim atje ku e nisi Ahmet Zogu më 31 janar 1925. E re apo e vjetër, kjo tashmë nuk ka rëndësi. Ashtu siç kam imagjinuar kryeministrat teksa kryenin punët e tyre, po bëj një paradë për të përfytyruar për të 11 presidentët. Kështu:

E imagjinoj presidentin Ahmet Zogu në vitin 1925 që jep e merr në godinën në krah të Akademisë aktuale të Shkencave, e që për fat të keq nuk është më, teksa ndërmerr transformimin më të madh të Shqipërisë që nga 28 nëntori 1912. E imagjinoj teksa ideon shtetin modern shqiptar me konceptet evropiane dhe është i qartë, i vendosur dhe i bindur se do ta arrij. E imagjinoj teksa hartonte ligje, ndërtonte infrastrukturë, mban kontakte të vazhdueshme me diplomatë të huaj dhe përzgjedh bashkëpunëtorët më të aftë, por njëkohësisht eleminon të gjithë armiqtë politikë dhe shpesh bën “prova” për ta shndërruar presidencën në mbretëri.

E imagjinoj presidentin Omer Nishani që me sa zell e mori detyrën në vitin 1946 i dalë triumfator nga lufta. Por e imagjinoj sa do jetë zhgënjyer nga ato që po bënte Hoxha dhe regjimi tij që po kosiste një e nga një bijtë e revolucionit komunist. E imagjinoj ashtu të rënë në dëshpërim pa asnjë rrugëdalje dhe i bindur se pas largimit si presidenti shte radha e tij të shpallej armik, tërhoqi këmbëzën e pistoletës drejt trupit të vet.

E imagjinoj Haxhi Lleshin në një zyrë që nuk bënte asgjë edhe pse qendroi në detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për më shumë se 29 vjet. E imagjinoj që hidhte në shkresa firma, miratonte dekrete, shpërndante dekorata, por të gjitha këto pasi ia kishte marrë vendim partia shtet.

E imagjinoj presidentin Ramiz Alia që përpiqej të dukej sa më mirë edhe me ata që kërkonin demokraci dhe rrëzimin e komunizmit, por edhe me ithtarët e Enver Hoxhës që për të mos shkelur parimet mund të hanin vërtetë bar. E imagjinoj Ramiz Alinë, veçanërisht momentin kur i thanë se shtatorja e Hoxhës ishte rrëzuar, duke kuptuar se ai dhe sistemi komunist kishin vdekur politikisht një herë e përgjithmonë. Por me atë natyrën aspak të ashpër, në një farë menyre, ai shmangu një luftë civile. Por e imagjinoj gjithashtu edhe momentin kur pa mbushur një vit si president i Republikës dha dorëheqjen për t’i lënë udhë qeverisjes së Partisë Demokratike.

E imagjinoj presidentin Sali Berisha që gjysmën e kohës në presidencë e harxhoi për të rilindur një Shqipëri të rrëzuar për tokë nga uraganet e ndërrimit të sistemeve. Por në marsin e vitit 1997 vendin edhe më keq se në vitin 1992. Shteti ra dhe ky është rasti i parë në historinë e Shqipërisë po se po, por edhe të botës. E imagjinoj Berishën, në fakt kam qenë dëshmitar, që në kulmin e kësaj situate u zgjodh president për një mandat të dytë dhe teksa 10 muaj më pas dha dorëheqjen nën breshëritë e armëve drejt qiellit, u shpreh se do kthehej një ditë në pushtet dhe kjo ndodhi vetëm 4 vjet më pas.

E imagjinoj Rexhep Meidanin që në Shqipërinë e pas vitit 1997 jep e merr me atë qetësinë e tij dhe duket sikur nuk i dalin saktë llogaritë si në fizikë.

E imagjinoj presidentin Alfred Moisiun që jep e merr mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, dy dinosaurët e politikës. E megjithatë ai diti t’i përballonte me dinjitet urganet nga të dy krahët..

E imagjinoj Presidentin Bamir Topi, një djalë “tirons” që në pesë vite në presidencë tregoi shpirtin e familjes dhe qytetit nga rridhte dhe që me qetësinë e tij nuk ndezi asnjë fitil zjarri në disa situata delikate për vendin.

E imagjinoj presidentin Bujar Nishani që sa vështirë e ka patur të punonte edhe me Sali Berishën që e zgjodhi në krye të shtetit, por edhe me Edi Ramën që erdhi në pushtet si kryeministër, por që ruajti një presidencë të pastër, të ndershme si vetë karakteri dhe jeta e tij.

E imagjinoj presidentin Ilir Meta që i zënë si në çark u detyrua të bëhej president, të dilte nga vetja dhe të bënte dhjetra beteja me supermazhorancën socialiste, por edhe përballej me dy komisione parlamentare për shkarkimin nga detyra. Tallazet dhe uraganët gjatë asaj kohe nuk kanë të krahasuar me asnjë presidencë tjetër.

Presidentin Bajram Begaj nuk e imagjinoj, por e kam para syve. Presidenca shqiptare kurrë nuk ka qenë kaq e heshtur dhe e qetë që nga themelimi i saj. Qw kur u zgjodh, e në vijim ai ka sjellë vetëm qetësi. Ndoshta ndoshta një model se si duhet të jetë institucioni më i lartë i shtetit. Dhe që ne duhet të mësohemi.

E sigurtë është se të 11 presidentët kanë hyrë në godinën e kreut të shtetit të lumtur që u zgjodhën për ta kryer atë detyrë. Por e rëndësishme është nëse ata kanë dalë nga dera po aq të lumtur kur e lanë atë detyrë. Historia e tyre na ka treguar se sa e vështirë është të jesh presidenti i Shqipërisë. Me, apo pa kompetenca, ajo është një detyrë që vazhdon të ndjekë rregullin e John Kennedy-t që nisi si një ëndërr e mamasë që ta ketë të birin president, por pa qenë politikan. Në këtë pikë, Shqipëria nuk ndryshon nga Amerika. Uroj që librin tim ta lexoni dhe ta pëlqeni!

Filed Under: Opinion

Kosova dhe politika e jashtme: Nevoja për një qëndrim të bashkuar për të siguruar interesat kombëtare

January 28, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Në një periudhë të paqartësive gjeopolitike dhe sfidave globale që po përjeton bota, Kosova duhet të marrë hapa të sigurt dhe të mençur për të avancuar interesat e saj shtetërore dhe kombëtare. Ndërsa situata ndërkombëtare është në një pikë kyçe, është e nevojshme që klasa politike e Kosovës të flasë në një zë të vetëm në politikën e jashtme dhe të krijojë mundësi të reja për të forcuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, duke përfshirë administratën e Presidentit Donald Trump.

Përtej secilit angazhim në fushatën zgjedhore, interesi kombëtar e shtetëror i Kosovës duhet të mbizotërojë. E kuptoj rëndësinë e fokusimit në fushatë, por rrethanat e kohës nuk na e japin komoditetin e përpjekjes për fitore politike të brendëshme, nëse humbim betejën në politikën e jashtme.

Kosova ka kaluar shumë sfida për të arritur statusin e saj të pavarur dhe është mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë nga SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë, por sfidat e ardhshme kërkojnë një çasje të unifikuar dhe të menduar mirë. Shumë nga proceset diplomatike që do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës janë të lidhura me zhvillimet gjeopolitike që po ndodhin në nivel global, përfshirë konfliktet e mëdha që po përshkallëzohen, si ai mes Ukrainës dhe Rusisë.

Kosova, si një shtet i ri dhe ende i pa konsoliduar plotësisht në arenën ndërkombëtare, mund të përballet me rrezikun e mbetjes një “monedhë kusuritje” në një marrëveshje të gjerë që do të vendoset për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Një marrëveshje që mund të përfshijë shtetet e mëdha dhe interesa të tjera, të cilat mund të kalojnë pa u marrë parasysh plotësisht ndikimi dhe interesi i Kosovës.

Në këtë kontekst, është jetike që politika e jashtme e Kosovës të formulohet dhe implementohet me një qëllim të qartë dhe të bashkërenduar. Kosova nuk mund të jetë vetëm një entitet pasiv në këtë skenë, por duhet të pozicionohet si një aktor i fuqishëm dhe i besueshëm, me një qëndrim të fortë dhe kohezion në mes të grupeve të ndryshme politike brenda vendit. Një qëndrim i bashkuar dhe i njëzëshëm është kyç për të siguruar një pozicion të respektuar në bisedimet me administratën e re amerikane dhe për të maksimizuar mundësitë për të sforcuar tutje marrëdhëniet dypalëshe.

Ky qëndrim i bashkuar është gjithashtu një mundësi për të rifituar besimin dhe mbështetje të mëtejshme nga administrata e Trump, e cila ka demonstruar një angazhim serioz për çështjet e Kosovës, përfshirë njohjen nga Izraeli, themelimin e ushtrisë, dhe nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Është e domosdoshme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë dhe të zhvillojë këto marrëdhënie me SHBA-të, duke siguruar qëndrueshmëri në politikën e jashtme dhe duke kërkuar përkrahje për aspiratat e saj strategjike.

Frika më e madhe është se Kosova mund të humbasë mundësinë për të fituar përkrahjen ndërkombëtare të nevojshme, nëse nuk arrijmë të bëjmë një politikë të jashtme të koordinuar dhe të qëndrueshme. Politika e jashtme është një hapësirë në të cilën çdo vend duhet të angazhohet me strategji dhe vizion të qartë. Kosova, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, duhet të bashkëpunojë më ngushtë me administratën e Trump dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron ky moment për të konsoliduar pozitat e saj në arenën ndërkombëtare.

Në përfundim, unë besoj se Kosova ka mundësinë të avancojë interesat e saj kombëtare në një mënyrë të mençur dhe të fuqishme. Për ta arritur këtë, është thelbësore që klasa politike e Kosovës të flasë me një zë të vetëm, të jetë koherente në politikën e jashtme dhe të krijojë lidhje strategjike me aktorët ndërkombëtarë të rëndësishëm. Vetëm kështu do të mund të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme për shtetin dhe popullin tonë.

Filed Under: Mergata

Luani i Epirit

January 28, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Historiografia botërore ende nuk e ka thënë plotësisht fjalën e vet mbi origjinën etnike, familiare të Ali Pashë Tepelenës si dhe në aksionet e tij politike për të realizuar pavarësinë e shtetit të vet. Ajo luhatet në shtretërit e egzotizmit, orientalizmit dhe paragjykimeve kulturore. Ali Pasha Tepelena është figura më interesante dhe më karizmatike e kapërcyellit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX në historinë e Shqipërisë.

Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij Pashai Tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërdrejt me ushtrinë franceze që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Europën kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm ballkanik dhe nacionalizëm.

Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Kjo përpjekje modernizuese fitoi simpati të madhe mes udhëtarëve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë kohë, duke e trajtuar atë në veprat e tyre shumë herë pozitivisht, por nuk munguan dhe ngjyrat negative në varësi të shijeve, interesave diplomatike dhe afilacioneve kulturore që këta udhëtarë përfaqësonin.

Deri më tash shpesh herë është marrë si i vërtetë pohimet e origjinës së familjes së tij nga një dervish i ardhur nga Konja dhe i vendosur në Tepelenë. Por në fakt një dokument origjinal i parisë së Gjirokastrës, dërguar kryeqytetit të Habsburgëve, Vjenës del qartë origjina shqiptare e Ali Pashë Tepelenës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i deri më sotëm si një pasha oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Mirëpo realitet historike flasin ndryshe. Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën.

Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë dhe grekë. Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht mesazhin nacionalist që Ali Pasha Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist. Rebelimi i tij shënon kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e duhur të historiografisë europiane.

Filed Under: Politike

NË NDERIM TË 80 VJETORIT TË KRYENGRITJES ANTIKOMUNISTE TË MALSISË MADHE E PARA NË EUROPËN E PASLUFTËS SË DYTË BOTËRORE!

January 28, 2025 by s p

Besim Ndregjoni/

SHTETI AUTOR I KRIMEVE DJE, SOT HESHT NDAJ KRIMEVE TË KOMUNISTËVE!

25 Janar 1945 është një ditë e shënuar dhe historike për Shqipërinë, një ngjarje që kujton guximin dhe sakrificën e malsorëve që nuk pranuan regjimin komunistë dhe i treguan europës se shqiptarët nuk pranojnë sllavizmin dhe stalinizmin enveristë. Nuk kishte vetëm 2 muaj që Shqipëria ishte nën pushtimin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, me mbështetje nga regjimi serb, malsorët u ngritën për të kundërshtuar këtë regjim gjakatar dhe represionin që ushtronin komunistët shqiptar! Këta burra dhe gra trimëresha nuk ishin të frikësuar përball masakrave të sunduesve enveristë , por të vendosur të mbronin nga humbja identitetit dhe të drejtat e tyre.

Më 25 janar 1945, udhëqësit e shquar si Major Llesh Marashi nga Shkreli, Mulë Delia Bajraktari nga Hoti dhe heroiku i mbrotjes së kufive Prek Cali i Kelmendit, filluan lëvizjen e parë antikomuniste në Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte një akt që tregoi se populli shqiptar, ndonëse i përballur me represionin e tmerrshëm të regjimit komunist, do të kundërshtonte çdo tentativë për të prishur traditat dhe identitetin kombëtar. Ata qëndruan të palëkundur, duke mbrojtur besën dhe nderin, dhe duke pasur besim në Zot dhe komb.

Sot, pas 80 vitesh, pasardhësit e kryengritjes antikomuniste të ndihen krenarë për veprën e kryer nga ata burra dhe gra të Malsisë Madhe. Ata janë shembuj të pavdekshëm të qëndresës dhe sakrificës për liri dhe dinjitet kombëtar. Po të kishin pasur mbështetjen dhe vëmendjen e ndërkombëtareve ndoshta historia do të kishte ndjekur një rrugë tjetër, dhe fati i Shqipërisë do të ishte ndryshe. Mbas kësaj kryengritje Malsia e Madhe u masakrua nga diktatura komuniste dhe vuajti për më shumë se katër dekada, vetëm sepse kërkuat liri dhe drejtësi.

Lëvizja antikomuniste e Malsisë Madhe ishte e para në Europën pas Luftës së dytë Botërore që i tha “Jo” diktaturës dhe terrorit sllavokomunist. Ky është një akt që do të mbetet gjithmonë në histori. Bilanci i kësaj rezistence është tragjik dhe shkatërrues: mbi 100 të pushkatuar, mbi 200 të burgosur që kaluan vite të tëra në kampet e internimit dhe mbi 200 familje të internuara. Ky është çmimi i lirisë që paguajti ky popull fisnik.

Ne e nderojmë këtë ditë, sepse ajo është një dëshmi e lavdisë së kombit shqiptar dhe e qëndresës ndaj çdo pushtuesi, pavarësisht regjimit dhe ideologjisë që mund të imponoheshin.

Ne sakrifikuam për të siguruar lirinë e këtij kombi, por pas një gjysmë shekulli, pati një tradhti të dytë nga ata që zgjodhën ideologjinë e komunizmit dhe jo demokracinë. Shqipëria, pas 1990-s, u bë e vetmja vend në Europë që e harronte pasojën e komunizmit dhe nuk i dha drejtësi viktimave të tij. Ne u tradhtuam nga një klasë politike që jo vetëm nuk e denoi regjimin komunist, por edhe e mbajti atë në heshtje dhe e përdori për interesat e saj.

Sot, pas 35 vitesh, më shumë se 6000 antikomunistë nuk kanë një varr, sepse politikës shqiptare i mungon vullneti për të njohur dhe dënuar këtë krim. Mbi 36,000 të burgosur politikë, që dhanë jetën dhe vuajtën për lirinë e Shqipërisë, janë harruar, ndërsa trashëgimtarët e diktaturës janë të pushtetuar dhe vazhdojnë të japin leksione demokracie, pa pasur asnjë ndjeshmëri për viktimat e sistemit që ata mbështetën.

Për më tepër, mbi 100,000 familje shqiptare që u dëbuan dhe u internuan, nuk gjetën mbështetje, dhe shumë prej tyre janë larguar nga atdheu, pa mundur të integrohen në shoqërinë shqiptare. Ky është një dështim i rëndë i shtetit shqiptar dhe një shenjë e pasigurisë që vazhdon të mbizotërojë Shqipërinë.

Shteti dje ishte autori i krimeve, sot Shteti mbron xhelatët që i shkaktuan këto krime.

25 Janari 1945 është një ditë historike për qëndresën antikomuniste, është dita kur regjimit të Enver Hoxhës i thamë JO, dhe vazhduam për 45 vite të i rezistojmë krimeve makabre dhe të ngjashme me krimet e nazistëve ndaj hebrenjve.

UDHËHEQËSIT E KRYENGRITJES ANTIKOMUNISTE TË MALSISË MADHE: LLESH MARASHI, MUL DELI BAJRAKTARI, PREK CALI

Hebrejt kan ditën e kujtesës 27 janarin si ditë kujtese, përse ne shqiptarët të mos kemi 25 janarin si ditë kujtese ndaj rezistencës antikomuniste. Hungarezët krenohen me revolucjoni e tyre të 1956, por ne që e nisëm revolucjoni 11 vite para tyre, a skemi të drejtë të krenohemi si mbrojtës të fjalës së lirë dhe të itenditetit kombëtar!

Ne, antikomunistët, kërkojmë që krimet e komunizmit të dënohen, dhe të bëhen e të jepet drejtsi për ata që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Nuk mund të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme dhe të drejtë pa njohur të vërtetën dhe pa kërkuar ndjesë për krimet që ndodhën. Europa e ka dënuar komunizmin, Amerika e ka dënuar me karrike elektrike lëvizjen komuniste, ndërsa Shqipëria vazhdon të heshtë, duke përforcuar një sistem që ende mbron pasojat e regjimit.

Mos dënimi i krimeve të komunizmit, glorifikimi i deologjisë komuniste si bazë për të sunduar shtetin janë të dështuar duke e çuar Shtetin Shqiptar nga një sistem demokratik në një sitem diktatorial.

Shteti shqiptar ka dështuar të mbrojë viktimat e komunizmit dhe të bëjë drejtësi për të kaluarën, ndërsa ka vazhduar të ndihmojë trashëgimtarët e diktaturës. Politikanët shqiptarë që janë ende në pushtet, jo vetëm që nuk e kanë dënuar komunizmin, por kanë heshtur dhe janë bërë bashkëudhëheqës të një ideologjie të vjetër, të shkatërruar dhe të dështuar. Malsia e Madhe krahina që i tha jo komunizmit në këtë 80 vjetor të kryengritjes antikomuniste kërkon drejsi përpara një Shteti që hesht ndaj padrejtësisë që ju është bërë antikomunistave shqiptarë! 25 janari duhet të jetë ditë historike kombëtare dhe krenarie për Shqipërinë.

Kjo ditë ban krenar shqiptarët në europë për qëndresën, sakrificat dhe mbrojtën e lirisë

Në këtë ditë të shënuar na kalon në vëmendje thënja e Martin Luter Kingut: “Një padrejtësi në çfarëdo vendi është një kërcënim për drejtësinë kudo!

Filed Under: Histori

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI ISH-NËNKRYETARIT ASLLAN BUSHATI PËR HUMBJEN E BASHKËSHORTES

January 28, 2025 by s p

E nderuar familja Bushati

I dashur miku ynë Asllan

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta të bashkëshortes suaj të dashur e të paharruar Lumturije. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e bashkëshortes suaj të dashur e të shtrenjtë Lume.

Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut të zemrës, bashkëudhëtares, fatit të jetës suaj.

Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush e familjes Bushati, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi e lamtumire.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Dr.Elmi BERISHA

NJOFTIMI NGA FAMILJA BUSHATI: LAJM SHUMË I HIDHUR

Familja e Asllan Bushatit ju bën me dije: vllezërve, motrave, nipave e mbesave, miqve, shokëve , vatranëve e dashamirëve, se më 27 Janar 2025 ora 6:30 (sipas orës NY) u largu nga kjo jetë bashkëshortja ime Lumturije (Lume) Bushati, nana e Klodë e Elës dhe Gjyshja e Erës.

Lumja lindi në Korçë më 8 dhjetor 1951, ku u rrit me dashurinë e kujdesin e mamasë, gjyshit, gjyshes, dajove e vllezërve. Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare në Vashtëmi, Korçë, kreu shkollën e tekstileve dhe gjimnazin në Berat ku punoi si ekonomiste për 7 vite. Me Lumen u njohëm që në Janar 1970 dhe u martuam më 23 korrik 1972.

Lumja punoi si nënoficere në Garnizonin e Elbasanit dhe shumë vite në Akademinë e Mbrojtjes. Me ardhjen në NY ajo u kujdes për mbesën Era, dhe gjithë familjen time. Një sëmundje e gjatë dhe e pa shërueshme ju shfaq në vitin 2004, 2011 dhe 2022 duke e mposhtur përfundimisht sot. Lutemi që shpiriti saj i mrekullueshëm të prehet në paqe e përjetësi.

Në kujtim të saj do të ketë pritje lamtumire në:

Funeral Home 726 Morris Park Avenue Bronx NY prej 3pm deri në 8pm të datës 28 janar 2025. Varrimi do të bëhet në ora 11am datë 29 janar 2025 në Woodlawn Cemetery 4199 Webster ave, Bronx NY 10470.

Për më shumë hollësi mund të na kontaktoni në: 917 669 2082.

Me respekt

Asllan Bushati

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 520
  • 521
  • 522
  • 523
  • 524
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT