• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Treviso të Italisë me Mërkur Bua Shpatën

January 26, 2025 by s p

Luan Rama/

Po perëndonte, nxitoja. Isha nisur drejt Treviso-s. Një ditë më pas më duhej të shkoja në Udine, të takoja një mik të vjetër dhe pastaj të merrja udhën për Milano, për të prezantuar librin tim poetik në italisht « Cose animate » të Mantabone Edizione. Kohë më parë kishte botuar një libër për stradiotët shqiptarë të ardhur nga Peloponezi apo brigjet shqiptare të Adriatikut. Kisha shkruar gjithashtu disa shkrime për Mërkur Bua-n apo Maurizio siç e quanin italianët, një nga kalorësit më legjendar pas Skënderbeut, si dhe një tregim mbi jetën e Bua-s në Treviso. Por tregimi ishte një fiksion i mbështetur mbi të dhëna historike dhe kohën kur një nga piktorët e famshëm të Renesancës, Lorenzo Lotto pikturonte portretin e këtij heroi.

Pra ishte një kureshti e madhe të shikoja një qytet ku kishte luftuar dhe jetuar dhe ku kishte vdekur njëkohësisht ky “Kalorës i Shën Markut” i Republikës venedikase. Sapo mbërrita me avion në Treviso, një autobus më çoi në qendër të qytet, ku që në fillim mu shfaqën kanalet me ujë çka kishte bërë që qytetin ta quanin Venecie e dytë. Ujra të pastra rridhnin ngado disa degëzime të lumit Sile, në këtë qytet me portat e dikurshme mesjetare si Porta San Tomaso në veri, Porta Santi Quaranti në lindje dhe më tej Porta Altivia, etj. Në hartë kisha parë vendndodhjen e Kishës Santa Maria Maggiore ku dija që ishte varrosur Merkur Bua apo Maurizio siç u quajt nga italianët. Kështu mora udhën Via Calmaggiore në kërkim të kishës. Një grua të vjetër që pyeta, pasi te rinjtë nuk duan t’ia dinë për kishat, e kuptoi çfarë kërkoja : « Ah, Madona Grande! – më tha dhe më tregoi rrugën që duhet të merrja një kthesë. « Pastaj gjithnjë drejt », – shtoi më në fund. Ecja krah ndërtesave të vjetra dhe imagjinoja Buan tek ecte në ato kalldrëme hipur mbi kalë. Dhe jo vonë u shfaqa para asaj kishe, ku në krah të majtë kishte një kambanore të lartë.

Në fakt nxitoja, sepse dhe një orë dritë kisha. Duhej të fotografoja pasi të nesërmen duhej të nisesha me tren për në Udine. E kisha përfytyruar më parë çastin kur do të isha para varrit të këtij luftëtari të shquar, birit të shqiptarit të madh të Peloponezit, Petro Bua të cilin shqiptarët e Peloponezeit dhe venecianët e kishin shpallur komandant të gjithë shqiptarëve. Bua vetë ishte larguar i ri nga Nafplio, nga kështjella veneciane për të ardhur në Venecie si luftëtar i ushtrisë venedikase. Dhe ardhja e atij grupi stradiotësh në sheshin San Marko, zbarkuar nga anija me kuajt dhe armët e tyre, ishte një spektakël që la gjurmë në kronikat e kohës.

Kur hyra në kishë një heshtje e madhe mbretëronte. Veç dy–tre pleq, ulur ne bango të ndryshme, meditonin, lufteshin apo bisedonin me të vdekurit e tyre. Tutje, në sfond, ishte shapela me monumentin e Virgjëreshës Maria. Ecja drejt saj dhe vështroja sa majtas-djathtas për të gjetur pllakën e madhe të varrit që kisha parë në një fotografi. Dhe më në fund, kur u gjenda shumë afër Virgjëreshës dhe shapelës së saj, në krahë të majtë pashë pllakën e madhe me mbishkrime si dhe ornamente skulpturale sipër saj për nder të heroit të madh të luftrave jo vetëm venedikase. Pikëtakohesha kështu me heroin e ëndërruar, kalorësin e Serenissima-s dhe njeriun legjendar, pasi Mërkur Bua, në momente të ndryshme historike, ishte angazhuar në beteja të shumta, herë në krah të venedikaseve, herë për mbretin Louis XII, për mbretin e mëpasëm François I, për Sforzat e dukatit të Milanos apo perandorin e perandorisë romano-gjermanike Maximilien I. Iu afrova vendit ku preheshin eshtrat e këtij luftëtari të madh, të shpallur kont nga Louis XII, të dekoruar nga Maximilien I, heroit që dozhët e Venedikut e prisnin me ndere të mëdha.

Luftëtari me origjinë shqiptare flinte aty prej pothuaj pesë shekujsh. Preka me dorë mermerin e Carrara-s dhe afrova pastaj aparatin duke nisur të fotografoj këtë monument funerar ku në pllakën e mermerit për të ishte shkruar: « Al conte Mercurio Bua dei principi del Peloponneso, comandante dei [cavalieri] epiroti, il quale, dopo aver più volte battuto i Francesi che combattevano contro gli Aragonesi e averli cacciati dal regno di Napoli, dopo aver restituito la libertà a Pisa e a Ludovico Sforza il ducato di Milano, dopo essere stato messo in fuga dal Trivulzio, una volta espugnata Novara e, avendo sconfitto Pavia in battaglia, di lì portò via questo sepolcro degno d’un re come prezioso bottino di guerra; e dopo aver restituito Bologna a papa Giulio II e ricondotto i Bavaresi sotto l’autorità dell’imperatore Massimiliano, dopo aver difeso dagli Svizzeri, a Marignano, Francesco I re di Francia, alleato dei Veneziani; ed infine dopo essere divenuto comandante supremo dell’intero esercito a seguito della morte dell’Alviano e dopo aver sbaragliato gli Spagnoli presso Verona, ammirevole per l’abilità militare, qui riposa in pace per l’eternità. Francesco Agolanti, nobile trevigiano, pronipote di sua nipote, [qui] pose, nell’anno di Salvezza 1637. » Ky monument funerar ishte në fakt vepër e skulptorit Agostino Busti, i quajtur gjithashtu Il Bambaio. Kur Mërkur Bua me stradiotët e tij pushtoi Pavian, ai e mori këtë monument dhe e solli në Treviso për ta patur si monument për varrin e tij të mëvonshëm. Meqë Buan e thërrisnin nga një luftë në tjetrën dhe kthehej përsëri në shtëpinë e tij në këtë qytet, ai gjithnjë mendonte për varrin dhe vdekjen e tij. Prandaj dhe kishës Santa Maria Maggiore, kryesorja në Treviso ai i kishte lënë dhe dukatet për varrimin e tij, duke zgjedhur vendin krah monumentit të Vigjëreshës. Vështroja statuetat e varrit dhe mendoja për emblemat, titujt apo flamurin që i dhuroi perandori Maksimiliani I-rë me figurën e shqiponjës dhe katër iniciale të emrit Bua mbi të. Po, bëmat e Buas ishin të jashtëzakonshme gjatë pothuaj katër dekadave.

E vështirë të përfytyroje në këtë kishë katolike të ritit roman dhe në stilin gotik të fundit të shekullit XV jetën e një heroi të vdekur pesë shekuj me parë. Ai nuk u vra në luftë, edhe pse mori pjesë në betejat më të mëdha të historisë së asaj kohe, siç ishte dhe Beteja e Marignano-s, ku u ndesh ushtria franceze e François I me ushtritë gjermano-zvicerano. Historia e kësaj beteje na tregon se ishte pikërisht kondotieri venecian Bartolomeo d’Aviano dhe Mërkur Bua me stradiotët e tij që udhëtuan gjithë natën nga Venediku e Milano drejt Marignano-s, duke hyrë papritur në betejë me thirrjen e tmerrshme « Marco ! Marco ! », çka i sollën fitoren mbretit francez, në një kohë që ai po shikonte humbjen me sytë e tij. Duke vështruar varrin e tij, brenda asaj kishe që mbante një pjesë të historisë së Treviso-s, e përfytyrova Merkurin nisur nga portreti i mrekullueshëm që kishte pikturuar Lotto, me në sfond Trevison dhe dy unazat në gishtat e tij, ku njëra tregonte martesën me gruan e parë që sapo i kishte vdekur, Katerina Bokali, vajza e stradiotit dhe mikut të tij Nikolo Bokali, dhe tjetra, e gruas së tij të re, signorina Elisabeta Balbi, me të cilën u martua në Treviso më 1525 dhe pati katër fëmijë: Maria-Helena, Curio, Alessandro dhe Polissena. Deri në mesin e shekullit XX kjo tablo mbahej nën titullin « Fisniku », por që më pas, historianët e artit e identifikuan si portret i Mërkur Bua-s.

Më së fundi e lashë atë kishë që në një kohë konsiderohej si bazilikë dhe u ktheva në rrugën drejt qendrës, Duomo-s, ku në një kript roman ishte dhe një vepër e Tizianos. Në një kishë më tutje ishin dhe varret e djalit të Dantes apo e vajzës së Bokaçios. Treviso është vërtet një qytet i vogël por mjaft i bukur. Vërshimi i ujrave nëpër kanalet e ndryshme si Cagnan Medio, më piktoresku, që i jep një bukuri e gjallëri të veçantë. Fillimthi ndalova në sheshin kryesor të qytetit, Piazza dei Signori, ku është dhe Palazzo dei Trecento Një afishe e madhe e Museau Santa Caterina njoftonte për ekspozitën e piktorit të Renesancës, Bordon, i cili për shumë e shumë vite kishte qenë i ftuar i mbretit francez dhe në Paris kishte pikturuar veprat e famshme të tij, ku gratë me gjinjtë e xhveshur janë të preferuarat dhe të shumtat e krijimeve të tij. Po aty afër ëshë Loggia dei Cavalieri, një ndërtesë e ulët me një çati që mbahet në kollona romane dhe që ishte një nga vendet më të preferuara të qytetit, pasi aty mblidheshin kalorësit e fisnikët me kuajt e tyre, një vend ku diskutonin apo luanin dhe pinin në kohë të paqta. Aty ndalonte shpesh dhe Mërkur Bua, të cilit fisnikët i linin vendin e nderit. Ecja në qytet dhe kërkoja gjurmët e tij edhe pse gjurmët e tij i kapërcenin kufijtë e këtij qyteti, pasi ato u lidhën me betejat më të mëdha të asaj epoke. Në Treviso, Mërkuri mezi priste miratimin e Senatit venedikas që të nisej me stradiotët e tij për të çliruar Peloponezin, Epirin dhe dominionet veneciane në Greqi, kur turqit u thyen në Korfuz, por Senati nuk pranoi ta ndihmonte me flotën e tyre. Sipas tregimit të historianit grek Constantin Sathas që i referohet një dokumenti venecian dhe që ka lidhje me nipin e tij “Prodano Bua, nip i kontit Bua”, Mërkuri ishte ende gjallë në 31 mars të vitit 1541. Pikërisht në këtë vit, Senati venedikas i kërkoi Buas të shoqëronte ambasadorin francez, fisnikun Antoine Rincon që vinte nga Stambolli (me aleancën e re me Sulejmanin e Madhërishëm) dhe shkonte për në Francë bashkë me agjentin e mbretit francez, kalorësin Cesare Fergoso. Por kur ata të dy kishin kaluar lumin Po dhe ishin ndarë me Bua-n, pranë Pavia-s, më pas ishin vrarë pabesisht nga guvernatori i Milanos në shërbim të Charles Quint. Si duket ata nuk kishin guxuar ti sulmonin, për sa kohë Bua ishte me ta. Në vitet e fundit, siç shkruhet në kronikat e kohës, Bua vuante nga artriti i gjymtyrëve. Plagët dhe luftrat e shumta siç duket e kishin drobitur trupin e tij. Sipas një dokumenti të Arkivit Komunal të qytetit, përmendur nga G. Netto, ai duhet të ketë vdekur më 1545, meqë tashmë shtëpia Në San Nicolo, ku jetonte vihet në emër të nipit të tij. Kronistë të tjerë e caktojnë datën e vdekjes së tij në vitin 1542.

Të vish në Trevizo nuk ka si mos të gjesh gjurmët e një prej heronjve më të mëdhenj të asaj kohe. Lidhjet e tij të para me këtë qytet janë realisht në vitin 1520, kur Senati venedikas pranoi që ai të jetonte në kështjellën e qytetit. Më pas sipas një kontarte të firmosur përfundimisht më 1537 ai zgjodhi një terren dhe e ndërtoi shtëpinë e tij dhe stallat e kuajve në San Nicolo, çka i bie sot në Via Risorgimento dhe oborrit të Centro Studentesco. Një nga vajzat e tij ishte Theodosia, e cila ishte murgeshë në manastirin e Trevisos. Për birin e tij Curio shkruhej : « Mercurius Augustinus Hieronymus, filius strenni et illustrissimi comitis Curii Buae, q.illustrissimi et strenni domini Mercurii ». Sipas dokumenteve dhe informacionit të historianit G.Netto « Dominus » Bua kishte dy vajza, Rashela, e martuar me kontin Paolo de Castello dhe Venusin, gruan e fisnikut të qytetit Alessandro degli Agolanti dhe nëna e Francesco Agolandi, i cili dhe u përkujdes për mbishkrimin në varr për shërbimet e mëdha të si një kalorës legjendar. Një nga djemtë e tij, i quajtur Pirro, ai e kishte pagëzuar në kishën San Maria Formosa të Venecies, një kishë me në kampanile madhështore dhe tablo të Tiepolos si de një afresk të Bassanos (Darka e fundit). Historianët shkruajnë dhe për birin tjetër Flavio. Por ai që do të hynte në histori ishte i nipi, pra biri i Curios, i quajtur Mercurio Agostino Girolamo Bua i lindur më 9 mars të vitit 1550, kur Bua i shquar kishte katër vjet që kishte vdekur. Pothuaj çerek shekulli më vonë, në vitin 1574 vdiq mbreti i Francës, Charles IX, i vëllai i Henri de Valois që ishte mbret në Poloni dhe duk i Lituanisë. Atëherë, Henri de Valois u nis kthehej në Francës për të marrë kurorën e mbretërisë franceze.

Ai ndaloi në Venecie e pastaj në Treviso ku u organizua një festë e madhe. Mërkurio, nipi i Mërkur Bua-s ishte 24 vjeç dhe atë ia prezantuna mbretit të ardhshëm francez si një kalorës të mrekullueshëm dhe nip i stradiotit të famshëm Mërkur Bua, i cili i kishte shërbyer mbretit Louis XII dhe që kishte dhënë një kontribut të madh jo vetëm në luftrat kundër gjenovezëve etj, Fornova, Garigliano, Flandre et Baviere por dhe në betejën e famshme të Agandello-s (pikturuar nga Da Vinçi) si dhe në Marignano më 1515. Dhe Henri de Valois e pa me simpati këtë kalorës energjik. Kështu Mërkurio u nis menjëherë në Francë dhe ndoqi mbretin francez, i cili u kurorezua në Reims të Francës me emrin Henri III. Por shumë shpejt në Francë rifilluan luftrat fetare mes klanit të kalvinistëve protestanë dhe Ligës së Katolikëve. Mercurio u shqua në shumë beteja të famshme siç ishte në Coutras, etj, dhe e ndoqi mbretin në Paris. Madje ai me stradiotët e tij vazhdoi ti shërbente mbretërisë franceze. Ai mbeti në shërbim të klanit të katolikëve, dukës De Guise. Madje në një nga ndërtesat në zemër të Parisit ishte garnizoni i shqiptarëve. Pikërisht në këtë kohë humbim dhe gjurmët e lavdisë së tij ushtarake. Sipas historianit italian Burchiellati, ai ka vdekur në vitin 1596, në kohën kur lufta fetare arriti kulmin e saj. Askush deri më sot nuk e di nëse u vra apo vdiq në mënyrë natyrale Mercurio Agostino Girolamo Bua. Fakti është se ai nuk u kthye më në shtëpinë e tij Treviso.

Me Trevison lidhen dhe betejat e shumë stradiotëve të famshëm shqiptarë që e mbrojtën këtë qytet nga sulmet e ushtrisë franceze e gjermanike, veçanërisht në vitin 1511. Kronisti venecian Sanudo shkruan në kronikat e tij për bëmat e stradiotëve shqiptarë Giorgio Busichio, Constantin Araniti, Christofal Albanese, Andrea Maneshi Lecha Busichio etj. Në data të ndryshme të ditarit, shkruhet dhe për stradiotët që luftuan për mbrojtjen e Trevisos si Dimitri Megadusha, Constantino Paleologo, Zuan Paleologo, Nicolo Paleologo, Teodoro Klada, etj. E përgjakshme ishte beteja e madhe që u zhvillua ne muret e Trevisos midis stradiotëve dhe trupave të xhandarmërisë franceze të komanduar nga komandanti i përgjithshëm Jacques II de Chabannes de la Palice. Shumë stradiotëve, Senati i Venedikut u shpërndau medalje ari me fytyrën e Shën Markut, veçanërisht të plagosurve dhe për familjet e të vrarëve. Më së fundi kur të rrethuarit u ranë gjithë kambanave të kishave, francezët e kuptuan se nuk mund ta pushtonin qytetin dhe duke parë humbjet e mëdha ata u larguan. Ishte 14 tetori i vitit 1511.

Të nesërmen në mëngjes, pasi u enda për disa kohë në kalldrëmet e qytetit dhe përgjatë kanaleve plot ujë, u largova. Lija pas gjurmë të lavdisë shqiptare, gjurmë të kalorësve të ikur nga Peloponezi dhe brigjet e Shqipërisë të cilët u vunë në shërbim të Venedikut për të luftuar kundër perandorisë osmane e që më në fund të ktheheshin ne atdheun e tyre të lirë. Por mjerisht ata nuk u kthyen. Sot është koha që ata ti rikthejmë përmes hulumtimeve tona dhe zgjimit të kësaj historie të lavdishme, si referenca të heroikës shqiptare në kontinentin europian. E megjithatë, është e trishtueshme që asnjë rrugë apo shesh në këtë qytet nuk mban emrin e një kalorësi shqiptar dhe për më tepër të Mërkur Buas që bëri aq shumë për këtë qytet. Historia nuk mund të harrohet !

Filed Under: Kulture

Mustafa Kruja dhe hebrenjtë në Shqipëri

January 25, 2025 by s p

Nga Marcel Hila/

Në një shkrim të tijin, Pjetër Arbnori, duke dashur që të interpretonte misterin që barte jeta e tij, thoshte se realiteti ia kalon çdo fantazie. E kishte fjalën për sesi i shkuan punët dhe peripecitë e ngjarjeve të tija. Thoshte se kur kishte qenë i ri kishte lexuar shumë libra, kryesisht letërsi artistike, romane e novela, e shprehet se në shumë raste nuk ishte dakord me zgjidhjen që autorët e ndryshëm kishin dhënë për fatet e personazheve të tyre. “Nuk i besoja, sepse e tepronin, jepnin zhvillime të pabesueshme, e nuk i aprovoja. Por kur vonë iu ktheva jetës sime, pashë se ajo ia kalonte çdo fantazie të një autori të mundshëm. Unë që isha dënuar me pushkatim, që u gjenda në qeli në pritje të ekzekutimit të vendimit, më vonë u gjeta se u zgjodha dy herë kryetar i Kuvendit Popullor. Asnjë shkrimtar nuk do të guxonte të fantazonte kështu!”.

Pse e solla këtë shembull? Sepse po kështu është edhe jeta e zotit Eugjen. A do t’i kishte shkuar atij në mendje se ai, i arrestuari që po hetohej se kishte folur fjalë të mira për gjyshin e tij Mustafa Kruja, ai që mori dënimin me shumë vite burg për akuzën e agjitacion e propagandës, ai që u çua në Spaç për ta bërë të dënimin, ai djali i ri që ecte në tunelet e minierës, ndërsa shkonte çdo ditë të nxirrte bakër e pirit duke shtyrë vagonët, ai, pra, a do ta besonte se një ditë do të hiqte ai vetë, me dorën e vet, copën që mbulon bustin e Mustafa Krujës, gjyshit të tij në qytetin e lindjes së tij, në Krujë, me bekimin e institucioneve shtetërore? Kurrë nuk do ta kishte besuar, nëse dikush do t’ia thoshte këto fjalë në atë fillim të viteve ’80, ndërsa i dënuar kishte lënë prindërit në internim. Por ja se edhe në këtë rast, realiteti ia kalon çdo fantazie. Mendja krijuese dhe fantazia e asnjë shkrimtari nuk do të mund ta imagjinonte një gjë të tillë. 

Por kjo na çon edhe pak më larg, kjo do të thotë se drejtësia bëhet, vihet në vend, edhe pse kalojnë shumë vite e personi i mohuar e i nëpërkëmbur deri dje, pra plot tetëdhjetë vite i përfolur e i anatemuar, ky person, gjyshi i tij, zë vendin që i takon në mes të qytetit të tij, Krujës. Kjo do të thotë se Zoti ekziston dhe se ka shpresë për të gjithë të nëpërkëmburit, të shtypurit e viktimat e padrejtësive. Çast i madh triumfi i të së vërtetës.

Unë sot jam këtu të flas për një aspekt tjetër të Mustafa Krujës, që nuk e pashë se e cekën në këtë takim: atë se ky njeri human, shpëtoi hebrenjtë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur ishte me detyrën e kryeministrit. Unë jam shkrimtar dhe shkrimtari i përngjet ndërtuesit. Ndërtuesi i banesave, përpara se të fillojë, mbledh lëndën e parë: tullat, llaçin, hekurin e pastaj i vihet punës. Kështu edhe shkrimtari, nëse është një i tillë që shkruan për një roman historik. Ka nevojë për këtë material. Edhe unë, në përpjekjen që të shkruaja romanin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, që flet për odisenë e një familjeje hebreje në tokën shqiptare, gjeta se Mustafa Kruja nuk ka pranuar që të implikohet në arrestimin dhe depërtimin e hebrenjve e dorëzimin e tyre gjermanëve nazistë. 

Gjeta, mes fakteve historike, se Jakomoni, që ishte mëkëmbësi i perandorit italian në Shqipëri, e thërret një ditë zotin Kruja e i kërkon informacion për hebrenjtë që janë këtu, sepse, sipas një kërkese që ka ardhur nga Italia, mbështetur në aprovimin e ligjeve racore antihebraike, të firmosura pak kohë më parë nga vetë Vittorio Emanueli III, kërkohet njoftim për ta se sa janë, nga janë, ku gjenden? Mustafai ngrihet në këmbë e ia refuzon qartë e prerë e i thotë se “unë nuk jam këtu për të arrestuar të pafajshëm e për t’i çuar që të eliminohen padrejtësisht. Nëse ky refuzimi i im përbën problem, unë jap në vend dorëheqjen!”. Mora vesh, në atë material që gjeta, se vetë mëkëmbësi kishte mbetur i mrekulluar nga ky qëndrim burrëror. 

Por është edhe rasti tjetër, kur vetë zoti Kruja, propozon në këshillin e ministrave që refugjatët hebrenj që kanë ardhur tashmë në tokën shqiptare, të çohen në kampe, të financuara nga qeveria e tij, larg, në Berat e në Gjirokastër, që gjithsesi të mos jenë afër kufijve veriorë, ku mund të ketë prani gjermane. Dhe e realizon një gjë të tillë, ngritjen e këtyre kampeve.

Po kështu kalon një tjetër peripeci të sikletshme me konsullin e përgjithshëm gjerman, Martin Schliep. Ngjarja kishte qëlluar kështu. Në vitin 1941, në Kosovë, tamam-tamam në Mitrovicë, një grup hebrenjsh, të thuash më mirë i gjithë komuniteti hebre i këtij qyteti, merr vesh se gjermanët duan të bëjnë një mësymje mbi ta, t’i fusin në dorë, t’i arrestojnë e t’i çojnë në Auschwitz. Si parantezë duhet thënë se kur Gjermanët vendosën të zhbënin Jugosllavinë, pasi e pushtuan në prill të vitit 1941, duke pasur informacion të zgjedhur e duke pasur parasysh se në Mitrovicë jetonte edhe një komunitet serb, që italianët, të cilëve iu dorëzua gati e gjithë Kosova (duke formuar atë që u quajt tokat e lirueme) përveç kësaj zone veriore, vendosën ta mbanin ata, sepse vetëm ata mund t’i bënin ballë serbëve, nëse ata do të përpiqeshin të ngrinin krye. E dinin se italianët nuk do të ishin të aftë ta kryenin një gjë të tillë. Një ditë, pra, hebrenjtë, në mënyrë tepër sekrete, njoftohen se gjermanët kanë vendosur që të nesërmen në mëngjes të një dite të caktuar të muajit dhjetor 1941, të kapin hebrenjtë e këtij qyteti e t’i çojnë në Poloni, në kampin e tmerrshëm. Pasi e marrin vesh, në mesnatë, të veshur me zhele e të nxirë në fytyra me qymyr, marrin rrugën në këmbë e kalojnë në territorin që kontrollohet nga italianët e mbërrijnë në mëngjes në Prishtinë. Atje i del dikush para e i drejton për tek spitali civil i qytetit, drejtor i të cilit është Spiro Lito, gjirokastrit, doktor. I porositur nga vetë Kryeministri Kruja, që është kryeministër edhe për territoret e aneksuara të Kosovës, i kërkohet tij që të njoftojë të shtruarit në spital që të largohen për dy ditë, sa të bëjnë dezinfektimin e spitalit e pastaj të paraqiten prapë. Të sëmurët lanë spitalin. Me një shpejtësi skëterrë, të gjithë hebrenjtë e ardhur në qytet, drejtohen, të sugjeruar, tek spitali i zbrazur tashmë e fshihen aty. Nuk vonon e shihen motoçikletat gjermane që kanë shkelur protokollin e kanë hyrë pa autorizim në Prishtinë, në territorin që kontrollohet prej italianëve. Janë në kërkim të hebrenjve, që janë zhdukur pa nam e pa nishan nga Mitrovica, por që një informacion i ka thënë atyre se kanë mbërritur në Prishtinë. Prandaj, ia kanë mësyrë këtij qytetit. Sillen, kontrollojnë, rrinë në pritje, gjurmojnë rrugë, rrugica e qoshe, por nuk gjejnë asgjë. Por nuk mbaron me kaq, sepse është e nevojshme që hebrenjtë të shpërngulen prej andej, që të mos bien viktimë e reprezaljeve të tjera të papritura të gjermanëve e pra lind nevoja që të nisen për në Shqipëri. Kalojnë kufirin e me autorizim të kryeministrit Kruja, mbyllen sytë e futen këtu. Pastaj, struken dikush në një vend e dikush në një vend tjetër e fshihen, treten, si kripa në ujë, pa e marrë vesh askush se ku gjenden.

Ndërkohë, nga informatorë të ndryshëm, njoftohet konsulli i përgjithshëm Martin Schliep se hebrenjtë që kanë ikur nga Mitrovica janë në Shqipëri, të strehuar, që kanë kaluar kufirin nga Kukësi me bekimin e zotit Mustafa. Atëherë, zoti Schliep i kërkon, në zyrën e kryeministrit, informacion për personat që kanë kaluar kufirin dhe a ka ai dijeni për një kalim të tillë. Zoti Kruja mohon se hebrenj kanë kaluar kufirin me dijeninë e tij. “Ka mundësi që të kenë mbërritur, por jo në rrugë zyrtare, nuk janë paraqitur në pikat e kalimit kufitar, por kanë kaluar tinëzisht, ilegalisht!”. Ia doli për herë të dytë të largonte gjurmët nga hebrenjtë. Schliepi u përpoq që ta kërcënonte, duke i thënë se nëse do ta verifikojmë se ke dorë në këtë mesele ose se fsheh informacionin, ju që po prishnin marrëdhëniet mes anëtarëve të aleancës , do të jepni llogari. Por zoti Kruja nuk u lëkund.

Desha të kujtoj edhe se ata që kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, kudo në Evropë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, i kanë emrat e tyre në mure, në një bulevard, në Jerusalem, që quhet Jad Vashem, rruga e të drejtëve të kombeve. Atje janë shumë e shumë prej atyre që rrezikuan seriozisht jetën për të panjohurit që i ranë në derë. Shqiptarët kanë 69 emra të tillë. Por mungojnë edhe emrat e Mustafa Krujës, Ibrahim Biçakut, Kol Bib Mirakës, Xhafer Devës e Mehdi Frashërit e shumë e shumë të tjerëve, njerëz të thjeshtë, që nuk janë përfshirë deri tashti. 

Kur isha në Izrael, në vitin 2018, më qëlloi të njihja një hebre, familja e të cilit ishte shpërngulur nga Gjermania për atje. Iu prezantova si shkrimtar. Më pyeti se çfarë po shkruaja tani. I tregova se “kam në dorë një histori të shpëtimit të një familjeje hebrenjve, familjes Rabinovitz nga Vjena, e cila vjen të kërkojë strehim e shpëtim në Shqipëri!”. Kur ai mori vesh për fabulën e romanit e u njoh me faktin se burra shteti kanë rrezikuar jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve, më pyeti: “a i është mirënjohëse Shqipëria këtyre burrave të mëdhenj që kanë rrezikuar jetët e tyre, duke shpëtuar të panjohurit? Janë treguar në lartësinë e një humanizmi shembullor?”. I thashë se Shqipëria i çoi në plumb të gjithë, si armiq të popullit të vet. “Kanë shpëtuar njerëz të popullit të huaj e kanë tradhtuar popullin e vet? E pamundur!”. U shpreh me keqardhje hebreu në moshë. “Po”, – i thashë, – “ky paradoks na ra për hise!”. “Tragjik populli i juaj deri në absurd!” – më tha.

Sot, pra, Kruja për gëzon jo vetëm se po nderon birin e saj, Mustafa Krujën, por edhe për gjë tjetër shumë më të madhe, shpresëdhënëse për çdo njeri: po përsërit këtu, sy të gjithëve, mësimin që Zoti na e jep pa pushim, edhe pse njerëzit janë të leshtë e të ngadaltë të kuptojnë e të padurueshëm në kohën e veprimit të tij: drejtësia vonon, por nuk harron kurrë të vijë. 

Lavdi veprës së zotit Mustafa Kruja dhe gëzim për mësimin e madh moral që po marrim përsëri. 

Filed Under: Komente

𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦

January 25, 2025 by s p

𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/

25 janari shënon 60 vjetorin e vdekjes së Winston Churchill, një prej shtetarëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të. I njohur si një drejtues i matur dhe vizionar, autor i fjalimeve frymëzuese dhe hero i popullit britanik gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ajo që dihet pak për të është se ai ishte edhe pioner i detantës midis perëndimit dhe lindjes gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Nikita Khrushchev tha: “Në fakt, ishte idea e Winston Churchill për të hapur një linjë komunikimi midis fuqive perëndimore dhe Bashkimit Sovietik pas vdekjes së Stalinit….” Nuk ka asnjë dyshim që Churchill duhet kujtuar si babai i detantës, sikurse e meriton të quhet Luftëtari i Luftës së Ftohtë.

Si në shumë aspekte të jetës së tij, qëndrimi i Churchill ndaj Bashkimit Sovietik dhe Komunizmit vazhdon të gjenerojë shumë debate. I njëjti burrë shteti i cili nxiti luftë ndaj regjimit Bolshevik në vitin 1919, gjithashtu nxiti edhe bashkëpunim me Stalinin në vitet 30-të. Ai shpenzoi vitet e fundit të jetës së tij në detyrë duke bërë thirrje për një takim dhe samit për uljen e tensionit të Luftës së Ftohtë.

Ideja e Churchill për një samit u kundërshtua nga shumica e qeverive perëndimore. Por, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Departamentit të Shtetit, Zyra e Punëve të Jashtme Britanike, dhe shumë ministra të jashtëm të qeverive perëndimore, u përpoqën të arrinin një modus vivendi me Moskën gjer në fund të karrierës së tij. Obsesioni i tij për të hyrë në histori si ‘paqebërësi më i madh’ vazhdon të mbetet i admirueshëm sot e kësaj dite, por ideja e tij për një samit kishte tendencën t’i ndante aleatët perëndimorë dhe për më shumë Kryeministrit Churchill i mungonte një politikë e qartë për ta arritur qëllimin e tij.

Për më tepër, ngjarjet e viteve 1951-55 e bënë të pamundur një detantë me Moskën. Duke marë parasysh ngjarjet e atyre viteve është e vështirë të pranosh se idetë e Winston Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik do i kishte përmirësuar mardhëniet Lindje-Perëndim. Megjithatë, entuziazmi i këtij burri të madh shteti duhet admiruar, së bashku me dëshirën e tij për të zbutur tensionet e Luftës së Ftohtë, pavarësisht nga kundërshtimet që hasi dhe nga shëndeti jo i mirë që kishte.

Një nga nismat e para të Churchill për të thirrur negociata me Moskën erdhën gjatë fjalimit të tij të ‘Perdes së hekurt’ në Fulton, Missouri, SHBA, në Mars të vitit 1946:

𝑈𝑛𝑒̈ 𝑛𝑢𝑘 𝑏𝑒𝑠𝑜𝑗 𝑠𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑎 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈. 𝐶̧𝑓𝑎𝑟𝑒̈ 𝑎𝑗𝑜 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑜𝑛 𝑗𝑎𝑛𝑒̈ 𝑓𝑟𝑦𝑡𝑒𝑡 𝑒 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑧𝑔𝑗𝑒𝑟𝑖𝑚𝑖 𝑝𝑎 𝑘𝑢𝑓𝑖 𝑖 𝑓𝑢𝑞𝑖𝑠𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑡𝑟𝑖𝑛𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑠𝑎𝑗… 𝐿𝑦𝑝𝑠𝑒𝑡 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑑ℎ𝑒 𝑠𝑎 𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑡𝑦ℎ𝑒𝑡 𝑘𝑗𝑜 𝑚𝑎𝑟𝑟𝑒̈𝑣𝑒𝑠ℎ𝑗𝑒, 𝑚𝑒̈ 𝑒 𝑣𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑖𝑟𝑒̈ 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑑ℎ𝑎𝑗𝑎 𝑑𝑜 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈ℎ𝑒ℎ𝑒𝑛 𝑟𝑟𝑒𝑧𝑖𝑞𝑒𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑎.

Ky fjalim i Winston Churchill bënte thirrje për negociata me Bashkimin Sovietik dhe themelimin e një marrëveshje të gjatë e cila do zbuste tensionin Lindje-Perëndim në vitet e para të Luftës së Ftohtë, por gjithashtu tërhoqi një vëmendje shumë të madhe dhe rezultoi tejet bindës për opinionin e publikut amerikan mbi qëllimet armiqësore të Bashkimit Sovietik nën udhëheqjen e Stalinit:

𝑁𝑔𝑎 𝑆𝑡𝑒𝑡𝑡𝑖𝑛 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑎𝑙𝑡𝑖𝑘 𝑔𝑗𝑒𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑇𝑟𝑖𝑒𝑠𝑡𝑒 𝑛𝑒̈ 𝐴𝑑𝑟𝑖𝑎𝑡𝑖𝑘, 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒𝑟𝑑𝑒 𝑒 ℎ𝑒𝑘𝑢𝑟𝑡 𝑘𝑎 𝑧𝑏𝑟𝑖𝑡𝑢𝑟 𝑚𝑏𝑖 𝑘𝑜𝑛𝑡𝑖𝑛𝑒𝑛𝑡.

Ky fjalim u perceptua si shumë anti-komunist dhe themeloi figurën e Churchill si Luftëtari i Luftës së Ftohtë par excellence në Lindje dhe Perëndim. Në fakt, fjalimi i ‘perdes së hekurt’ ishte përpjekja e parë madhore pas lufte e Churchill për të thirrur një samit negociues me Moskën.

Deklaratat e Churchill të vitit 1946 shpesh paraqiten kotradiktore. Ndërsa nga njëra anë ai tërhoqi vëmendjen për kërcënimin sovietik, duke bërë apel për forcë ushtarake dhe duke kundërshtuar politikat më shumë këshilluese sesa duhej ndaj Moskës, nga ana tjetër ai rekomandonte të kërkohej një marëveshje paqësore me Stalinin. Për Churchill ky ishte një drejtim logjik veprimi në mënyrë që të parandalonte përshkallëzimin e një konflikti apo një lufte të tretë botërore. Në lidhje me zhvillimin e bombës atomike amerikane, Churchill pati deklaruar në parlament që nga Gushti i vitit 1945, se “duhen të paktën tre, ose katër vjet, që të tejkalohet nga sovietkët progresi i arrirë në Amerikë.”

Churchill insistoi në besimin e tij se diskutimet e një niveli të lartë me Moskën do i zbuste tensionet Lindje-Perëndim. Më 14 shkurt ai mbajti një fjalim në Edinburgh, dhe për herë të parë përfshiu politikën e jashtme në fushatën e tij zgjedhore, gjer atëherë të dominuar plotësisht nga politikat e brendshme. Ai bëri thrirrje për diskutime me Moskën, duke ritheksuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tij të viteve 1945-46, dhe për herë të parë ai përdori frazën ‘një konferencë për samitin’, si metoda e duhur për negociata.

𝑁𝑢𝑘 𝑚𝑒̈ 𝑑𝑒𝑙 𝑛𝑔𝑎 𝑚𝑒𝑛𝑑𝑗𝑎 𝑖𝑑𝑒𝑎 𝑒 𝑏𝑖𝑠𝑒𝑑𝑖𝑚𝑒𝑣𝑒 𝑚𝑒 𝑅𝑢𝑠𝑖𝑛𝑒̈ 𝑆𝑜𝑣𝑖𝑒𝑡𝑖𝑘𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑛𝑖𝑣𝑒𝑙𝑒𝑡 𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑙𝑎𝑟𝑡𝑎. 𝐾𝑗𝑜 𝑖𝑑𝑒 𝑚𝑒̈ 𝑎𝑝𝑒𝑙𝑜𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑝𝑗𝑒𝑘𝑗𝑒 𝑠𝑢𝑝𝑟𝑒𝑚𝑒 𝑝𝑒̈𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑘𝑟𝑖𝑗𝑢𝑎𝑟 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑢𝑟𝑒̈ 𝑚𝑏𝑖 ℎ𝑒𝑛𝑑𝑒𝑘𝑢𝑛 𝑞𝑒̈ 𝑒𝑔𝑧𝑖𝑠𝑡𝑜𝑛 𝑚𝑖𝑑𝑖𝑠 𝑑𝑦 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑣𝑒, 𝑛𝑒̈ 𝑚𝑒̈𝑛𝑦𝑟𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑠𝑒𝑐𝑖𝑙𝑎 𝑝𝑟𝑒𝑗 𝑛𝑒𝑠ℎ 𝑡𝑎 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑒̈𝑛, 𝑛𝑒̈𝑠𝑒 𝑛𝑢𝑘 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑚𝑢𝑛𝑑𝑢𝑟 𝑚𝑒 𝑚𝑖𝑞𝑒̈𝑠𝑖, 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑘𝑡𝑒̈𝑛 𝑝𝑎 𝑢𝑟𝑟𝑒𝑗𝑡𝑗𝑒𝑛 𝑒 𝐿𝑢𝑓𝑡𝑒̈𝑠 𝑠𝑒̈ 𝐹𝑡𝑜ℎ𝑡𝑒̈.

Progresi real i marrëdhënieve Lindje-Perëndim nuk dukej i mundshëm thjesht me anë të mënyrave të paqarta të një ‘procesi diplomatik’ siç kishte thënë ai në janar të vitit 1948. Ai tashmë ishte i bindur se suksesi mund të arrihej vetëm me anë të një takimi të krerëve të qeverive. Ai kishte ndër mend një samit si ai i ‘Tre të mëdhejve’ gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja e opinionit publik ndaj idesë së Churchill për diplomaci nëpërmjet samitit të nivelit më të lartë ishte mënyra për të parandaluar një konflikt global. Sipas tij, Churchill përdori fjalimin e tij në Edinburgh për të luajtur kartën e tij patriotike për të siguruar të drejtën e Britanisë së Madhe për një vend në tavoliën e ‘Tre të Mëdhejve’.

Fjalimi i Churchill në Edinburgh kishte paraqitur qëllimet e tij politike nëse elektorati britanik do ia hapte përsëri derën e Numrit 10, Downing Street. Në zgjedhjet e 20 shkurt 1950, laburistët u rikthyen me një shumicë prej pesë karrigesh më shumë. Kjo fitore e ngushtë bënte të mundshme zgjedhje të parakohshme në një të ardhme të shkurtër ndaj Churchill mundi të qëndrojë si udhëheqësi i opozitës. Për më të shumtën e viteve 1950-51, as qeveria dhe as opozita nuk u përpoqën të mernin iniciativa madhore në politikat e brendshme apo të jashtme. I vetmi përjashtim ishte Churchill, i cili vazhdonte të këmbëngulte në planet e tij mbi samitin.

Është interesante që, ndonëse Churchill kishte bërë thirrje për një ‘marrëveshje’ me Moskën që nga fillimi i vitit 1946 dhe kishte promovuar një samit të ‘Tre të Mëdhejve’ që nga shkurti i vitit 1950, ai nuk shpjegoi kurrë se si këto negociata do çonin në relaksimin e tensionit dhe ndoshta në fundin e Luftës së Ftohtë. Ai mbetej i heshtur përsa i përket temave të cilat do shtroheshin në samit dhe se në çfarë sekuence do diskutoheshin!

Megjithatë, kontributi i Winston Churchill në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe ishte se, që nga muajt e parë të Luftës së Ftohtë ai kishte fillar të lajmëronte një katastrofë të mundshme dhe një holokaust nuklear. Ai kishte prezantuar çështjen e marrëdhënieve të detantës midis lindjes dhe perëndimit si një subjekt për diskutim që nga viti 1946, por ai dështoi të paraqiste një metodologji e cila do mund ta bënte teorinë e tij të përgjithshme më të prekshme në botën politike. Kjo mungesë detajesh kontribuoi në mënyrë decizive në mosbesimin që ekzistonte ndaj tij në qarqet politike në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Kësisoj, ishte vetë ai që e nënvlerësoi vizionin e tij.

Përgjatë ruajtjes së paqes në mbarë globin, tema e vazhdueshme e Churchill ishte fuqizimi i pozicionit të Britanisë në botë. Ai nuk ishte i interesuar vetëm për zbutjen e konfliktit Lindje-Perëndim per se. Ai ishte plotësisht i bindur në rolin themeltar Britanik në nisjen e një politike të tillë, madje, nëse do ishte e mundur, të arriej nën drejtimin e tij. Churchill besonte shumë tek roli i tij misionar për Britaninë e Madhe dhe Perandorinë e saj.

Për Churchill, marëveshja me Bashkimin Sovietik dhe një lidhje më e ngushtë midis vendeve europiane, duke përfshirë riarmatimin europian, i shërbenin vetëm synimiit të tij primar; i cili ishte mirëqënia, pushteti dhe reputacioni i Britanisë së Madhe. Ai planifikoi ta arrinte këtë duke vazhduar ‘një mardhënie vëllazërore’ më të ngushtë dhe më efektive me Shtetet e Bashkuara.

Churchill ishte plotësisht në dijeni të situatës së vështirë ekonomike britanike. Ai besonte se gjatë forcimit dhe zgjerimit të ushtrisë sovietike dhe amerikane, Britania duhet ti ndiqte nga pas. Si rrjedhojë, pozicioni ekonomik botëror i vendit të tij do zvogëlohej më shumë dhe Britania do niste të varej ekonomikisht dhe ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara. Vetëm në një periudhë të détente, e cila do i jepte Britanisë një hapësirë të rimëkëmbej ekonomikisht, sëbashku me një përqendrim të përshkallëzuar të kontrollit të resurseve imperiale, mund të parandalonte, madje mund ta ndryshonte këtë proces.

𝑴𝒖𝒂𝒋𝒕 𝒆 𝒑𝒂𝒓𝒆̈ 𝒏𝒆̈ 𝒅𝒆𝒕𝒚𝒓𝒆̈, 1950-1951.

Pavarësisht shpresave të Winston Churchill për paqe të propozuar gjatë fushatës elektorale, dhe pavarësisht shpresave nga Ministri i Jashtëm, Anthony Eden, që mund të realizohej vërtetë një relaksim i tensionit Lindje-Perëndim, viti i parë i qeverisë konservatore nuk pa asnjë zbutje të Luftës së Ftohtë. Në sipërfaqe dukej se fjalimet mbi détente të drejtuesit të konservatorëve nuk ishin gjë tjetër veçse ‘manovër elektorale’. Por, në fakt, kishte një numër të madh arsyesh përse Churchill nuk mundi ti përmirësonte marrëdhëniet me Moskën gjatë muajve të tij të parë në detyrën e kryeministrit.

Njëra nga arsyet ishte edhe kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi me amerikanët ishte pa asnjë dyshim esenciale për Churchill dhe dukej se ai po e planifikonte ta ngrinte çështjen e detantës me Presidentin Truman gjatë takimit të tyre në Washington në fillim të vitit 1952.

Idetë e Kryeministrit për një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovietik i kishte detyruar amerikanët të mendoheshin mirë për këtë çështje përpara ardhjes së tij dhe mbrëmja në Williamsburg theksoi mendimet e ndryshme që kishin Eden, Acheson dhe vetë ai, në lidhje me negociatat Lindje-Perëndim. Samiti me sovietikët, për habinë e të gjithëve, nuk u përmend pothuajse aspak gjatë bisedimeve në Washington, dhe fjala detantë nuk bënte pjesë në deklaratat publike të Churchill. Ai kishte mbështetur shpresat e tij tek krijimi i një marrëdhënie personale të fortë me Presidentin Truman, e cila mund të çonte më vonë drejtë detantës, bazuar mbi unitetin anglo-amerikan. Megjithatë, ajo marrëhënie dështoi të lulëzonte dhe detanta u bë një pengesë më shumë në aleancën e fortë anglo-amerikane.

𝑲𝒐𝒏𝒇𝒆𝒓𝒆𝒏𝒄𝒂 𝒆 𝒕𝒓𝒆 𝒇𝒖𝒒𝒊𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒎𝒆̈𝒅𝒉𝒂 𝒏𝒆̈ 𝑩𝒆𝒓𝒎𝒖𝒅𝒆̈.

Pothuajse menjëherë pasi të merej vendimi për takimin e tre fuqive, planet e takimit të Bermudës hasën një seri problemesh. Më 21 maj, në të njëjtën ditë kur Kabineti Britanik dha miratimin për konferencën, qeveria e Mayer u rrëzua si rezultat i një votimi kundër për finacat në Asamblenë Kombëtare; dhe Franca u zhyt në një krizë politike me një kohëzgjatje të jashtëzakonshme. Churchill nuk pati aspak simpati për ngjarjet në Paris. Ai ishte i gatshëm të vazhdonte me aranxhimet e bëra për në Bermudë me një pjesmarje vetëm Anglo-Amerikane pa kryeministrit francez. Ai ishte shumë entuziast për Bermudën dhe krijoi një agjendë për takimin me idenë e bisedimeve me sovietikët si temë kryesore dhe i dërgoi një mesazh Molotov ku shprehte shpresën se Bermuda do çonte në kontakte miqësore midis Lindjes dhe Perëndimit.

Të tjerët vazhdonin ta shihnin konferencën si një mënyrë për ta kontrolluar Kryeministrin. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e vendosur të vendoste politika në Europë, kryesisht me NATO-n dhe bashkimin e Gjermanisë me perëndimin, dhe shprehën publikisht se Bermuda nuk të çonte domosdoshmërisht në bisedime me sovietikët, dhe e përshkruan konferencën si një mundësi për ‘të diskutuar midis miqsh disa nga vështirësitë e dukshme që po kalon bota e sotme’. Ata u inkurajuan të mbanin këtë qëndrim nga Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer. Kancelari gjerman e kishte bazuar të gjithë politikën e tij në Gjermani të bazuar mbi bashkëpunimin me perëndimin dhe tmerrohej nga rezultatet e mundshme të idesë së Churchill për bisedime me Rusinë, sidomos kur në atë vit zhvilloheshin zgjedhjet në Gjermani.

Adenauer kishte bërë presion ndaj të dyja qeverive, amerikane dhe britanike, që nga mesi i muajit Prill për sigurinë e politikave të tyre në Gjermani, dhe frika e tij përbënte një rëndësi të madhe në Ministrinë e Jashtme Britanike. Me datën 30 Maj, Ministria e Jashtme i dërgoi një memorandum të rëndësishëm Kryeministrit Churchill, e cila theksonte rreziqet e një Gjermanie të bashkuar ‘të neutralizuar’: kjo do të thoshte kthim mbrapa të politikës perëndimore në Gjermani, shkatërrimin e strategjive mbrojtëse të NATO, një Gjermani të dobët në sytë e Rusisë, një zhvlerësim të të gjitha shpresave për një paqe të përhershme midis Francës dhe Gjermanisë, të cilat do sillnin zemërim tek vetë gjrmano-perëndimorët, dhe ndoshta madje do shtynte amerikanët ta braktisnin Europën. Duke hasur argumenta bindëse si këto Kryeministri pranoi se nuk i kishte menduar thellë të gjitha problemet e politikës së tij, por u përpoq t’ia hidhte fajin për problemet në Europë francezëve të cilët dështuan të ratifikonin Komunitetin Europian të Mbrojtjes.

Më datën 16 qershor, një protestë u zhvillua në Republikën Demokratike Gjermane. Protesta u zgjerua nga Berlini Lindor në 300 qytete të tjera të Gjermanisë Lindore. Trupat sovietike arritën me shpejtësi dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Protestat u shoqëruan me rrahje dhe dhunime, dhe të paktën 25 demonstrues u vranë dhe disa u egzekutuan, ndërsa ditët dhe javët në vijim u shoqëruan me arrestime të shumta. Churchill ishte i shqetësuar se kundërshtarët e tij për idenë e samitit do përdornin protestat në Gjermani për t’ia bërë këtë çështje edhe më të vështirë. Dhe në fakt kështu ndodhi. Për Eisenhower dhe Dulles, protestat në Republikën Demokratike Gjermane ishin një mundësi për ta shuar përgjithmonë idenë e Churchill. Si mund të negocioej me një qeveri e cila sapo kishte vrarë dhe plagosur demonstrues të paarmatosur?

Protesta në Gjermaninë Lindore kishte ndërlikime në politikat e jashtme të Moskës. Kremlini nuk ishte në humorin e duhur për të aplikuar diplomaci samitesh dhe konferencash. Atyre i dukej me shumë rrezik të hynin në negociata ndërkombëtare me perëndimin. Protestat në Gjermaninë Lindore ishin decisive në largimin e pasardhësve të Stalinit nga ideja e një samiti, pavarësisht se sa shumë Churchill ishte i vendosur të përpiqej.

Në mbrëmje të datës 23 korrik, një javë përpara se Churchill të niste lundrimin për në Bermuda, Kryeministri pësoi një trombozë. Konferenca e Bermudës vazhdonte të shtyhej.

Takimi i Bermudës u mbajt, më në fund, nga 4 deri më 7 dhjetor, dhe kjo për arsyen e një deklarate të bërë nga sovietikët me datën 3 nëntor. Tema më e rëndësishme gjatë bisedimeve ishte, pa asnjë dyshim, Bashkimi Sovietik, dhe shumë shpejt u bë e qartë se idetë e Churchill nuk kishin asnjë mundësi të pranoheshin. Churchill ngulmoi se duheshin hapur kontakte me Rusinë dhe tha se ‘le të sigurohemi që të mos e marim kaq lehtë dhe ta mospërfillim këtë mundësi (vdekjen e Stalinit)’, por Eisenhower e refuzoi këtë ide, duke e krahasuar ‘pamjen e re’ të sovietikëve si ‘një lavire me fustan të ri’. Çuditërisht Churchill nuk tentoi më shumë për një takim midis udhëheqësve perëndimorë dhe sovietikë, por vetëm për hapjen e kontakteve, dhe ai mbështeti parimin e ruajtjes së unitetit perëndimor si elementi themeltar i politikave ndaj Bashkimit Sovietik. Sëmundja, dhe forca e kundërshtarëve të tij, me sa duket patën ndikimin e tyre tek Kryeministri Britanik.

Në fakt, debati kryesor mbi Rusinë u bë në kohën e Konferencës së Berlinit. Churchill e kuptoi se ai kishte dështuar ta bindte Presidentin Eisenhower mbi çështjen e Rusisë prej Sekretarit të Shtetit Dulles: ‘Ky burrë predikon si një pastor kishe metodiste dhe për dreq ka të njëjtin tekst. Se asgjë tjetër veçse të këqija do dalin nga takimi me Malenkov… Ndonëse do jetë e vështirë unë nuk pranoj të mposhtem nga ky bastard. Jam poshtëruar prej vetë plakjes time.’

Por, për ironi, ajo çfarë u bë tema më e rëndësishme gjatë takimit, dhe që i habiti britanikët dhe francezët ishte Eisenhower, i cili bëri një propozim për një mënyrë ndryshe bashkëpunimi me Rusinë: një përpjekje për të shkatuar një kontroll ndërkombëtar mbi energjinë atonike. Eisenhower sugjeroi krijimin e një Autoriteti Ndërkombëtar të Energjisë Atomike të mbikëqyrte përdorimin paqësor të energjisë atomike për përfitimin e më shumë popujve sesa vetëm shteteve nukleare.

Churchill e dinte fare mirë se një fjalim me rëndësi nga Presidenti mbi energjinë atomike (më vonë u quajt ‘Atome për paqen’) do e shkëpusnin vëmendjen e botës nga rezultatet e arritura në Bermudë.

Në sipërfaqe, Bermuda dukej se ishte takimi më i fuqishëm ndëkombëtar që nga Potsdam, por në fakt ishte një dështim, dhe arsyeja e vërtetë për dështimin e saj duhet kërkuar tek idetë e njeriut me të cilin idenifikohej kjo konferencë, Winston Churchill. Idetë e tij për një vizitë në Moskë ose për organizimin e një samiti me Rusinë me një agjendë të hapur lindi nga konferencat e kaluara si Teheran, Yalta dhe Potsdam, por konferencat e kohës së luftës të cilat Churchill shpresonte ti rikrijonte ishin mbajtur gjatë një periudhe bashkëpunimi midis lindjes dhe perëndimit dhe madje edhe atëherë më shumë krijuan probleme sesa i zgjidhën ato.

Nëse do ishte realizuar një takim me udhëheqësin rus Malenkov në vitin 1953, sigurisht është e pamundur të thuhet se si do rezultonte: por dihet se kur samiti u mbajt më në fund në vitin 1955 nuk arriti gjë. Në retrospektivë, është mëse e qartë se një detantë afatgjatë mund të kishte sukses vetëm kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovietik të mësonin, për një periudhë të gjatë, se bisedimet do sillnin më shumë përfitime sesa Lufta e Ftohtë dhe secila prej tyre të kishte interesa të ndiqte politika dialogu.

Politika e Churchill kishte disa probleme. Ajo që binte më shumë në sy ishte besimi i Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme Britanike se politikat e Rusisë nuk kishin ndryshuar pas vdekjes së Stalinit: njerëz si Dulles e konsideronin çdo shenjë ‘moderimi’ nga Moska si shenjë korrektësie të politikave perëndimore – nëse e meritonin të quheshin të ‘moderuara’. Ka gjasa, sipas argumentave të shumë studiuesve, që sovietikët po e konsideronin seriozisht braktisjen e zonës së tyre në Gjermani nëse kushtet do ishin të drejta, ndaj nuk kishin për qëllim vetëm pengimin e Komunitetit Europian të Mbrojtjes dhe ripërtëritjen e Gjermanisë Perëndimore.

Megjithatë, besimi i Churchill se dialogu dhe takimet kokë më kokë me lidershipin e ri rus do sillnin një detantë të sigurtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim dukej se ishte i ekzagjeruar. Udhëheqja kolektive sovietike ishte më shumë e interesuar në tensionin e brendshëm për pushtet sesa në zbutjen e tensionit të Luftës së Ftohtë. Qëllimet e udhëheqjes sovietike dhe ato të premierit britanik dallonin dukshëm.

Për Henry Kissimger, ky dallim konsistonte tek dallimi i doktrinave dhe prejardhjes politike. Për të, arsyeja kryesore e keqkuptimit midis udhëheqësve të demokracive dhe homologëve të tyre të BRSS, ishte këmbëngulja e të parëve për të zbatuar kriterin e përvojës së tyre të brendshme në nomenklaturën sovietike. Ky ishte një konceptim shumë i gabuar. Brezi i dytë i udhëheqësve sovietikë ishte formuar në një të kaluar që do ishte e paimagjinueshme në demokracitë. Si shërbëtorë të Stalinit ata kishin marë një formim të keq psikologjik. Vetëm balsami i ambicjes së pakufishme mund ta ketë toleruar ndjenjën e përhershme të terrorit nga dënimi me vdekje apo nga jeta në gulag për hapin më të vogël të gabuar – madje edhe për një ndryshim në politikë të bërë nga vetë diktatori.

Mosbesimi patologjik që ishte bërë një mënyrë jetese në nomenklaturën sovietike karakterizonte qëndrimin e tyre edhe në fazën filla pas Stalinit. Pasardhësit e Stalinit harxhuan gati pesë vjet në luftën e tyre për pushtet: në vitin 1953 u ekzekutua Beria; në vitin 1955 u hoq nga posti Malenkovi; në vitin 1957 Hrushovi fitoi mbi të ashtuquajturin grup anti-parti të Molotovit, Kaganovi@it, Shepillovit, dhe Malenkovit, dhe në vitin 1958 ai siguroi pushtet absolut me heqjen e Zhukovit. Edhe dënimi që Hrushovi i bëri Stalinit mund të kishte sinjalizuar një zbutje të komunizmit, por ai edhe atë e përdori hapur si një armë kundër ish kolegëve të Stalinit, të cilët përfaqësonin opozitën kryesore të tij dhe si një mjet për vendosjen e kontrollit mbi Partinë Komuniste.

Një arsye tjetër për dështimin e Churchill ishte rreziku që paraqiste politika e tij për unitetin perëndimor, sidomos për suksesin e KEM. Duke ngritur spekterin për një Traktat Paqeje për Gjermaninë, Churchill i dha një justifikim të shkëlqyer kundërshtarëve të ri-armatimit të Gjermanisë për shtesë kohe. Në dhjetor – me bisedimet amerikane për braktisjen e Gjermanisë – u bë e qartë se problemet e KEM-së kishin potencialin të shkaktonin një ndarje të thellë në botën perëndimore. Sekretari i fundit personal i Churchill ndan të njëjtin mendim në kujtimet e tij: ‘Gjatë asaj kohe unë mendova se Churchill kishte të drejtë që kërkonte me ngulm një takim me krerët e rinj sovietik, dhe se kundërshtimi i amerikanëve dhe i Ministrisë së Jashtme Britanike bazohej mbi arsyetime të gabuara, në mos mbi xhelozinë ndaj Kryeministrit. Tani, pas njohurive më të plota mbi këtë çështje, kam arritur konkluzionin se një aventurë e tillë do kishte qenë shumë e rrezikshme, sepse një sukses i mundshëm do ta kishte dobësuar Aleancën Perëndimore pa siguruar asnjë barazpeshë nga ana e sovietikëve për tu tërhequr nga qëllimet e tyre agresive.’

Ka disa eksperimente në diplomaci që nuk mund të provohen, sepse dështimi sjell risqe të pakthyeshme. Prandaj, udhëheqësit e SHBA-së dhe vendeve perëndimore nuk lejuan asnjë iniciativë të rëndësishme dhe gjatë procesit parandaluan një përpjekje serioze për të shfrytëzuar situatën pas vdekjes së Stalinit, duke ruajtur kohezionin e Aleancës së Atlantikut.

𝑺𝒉𝒕𝒆𝒕𝒂𝒓𝒊 𝒊 𝒎𝒂𝒅𝒉

Historia e Bermudës ishte shpresa e Churchill për një samit me Bashkimin Sovietik në vitin 1953. Presioni i tij për një Samit të tillë e caktoi Bermudën të mblidhej në maj, besimi i tij në takimet diplomatike kokë më kokë dhe me agjendë të hapur, rezultuan në një strukturë të keq-organizuar të konferencës, dhe çështja e bisedimeve me Rusinë u bë tema kryesore e takimit. Nuk është e vërtetë të thuhet se të gjithë të tjerët patën qëndrime negative rreth bisedimeve me Moskën: amerikanët, francezët dhe Minstria e Jashtme Britanike ishin të gjithë të gatshëm të mbanin bisedime me kusht me Rusinë. Por është e drejtë të thuhet se ata nuk prisnin ndonjë rezultat konstruktiv prej këtyre bisedimeve.

Besimi i Churchill tek bisedimet me rusët zgjati edhe përtej Bermudës, ndonëse nuk arriti ndonjë sukses. Pas prillit të vitit 1954, atij iu rizgjua besimi tek bisedimet me Moskën dhe në muajin qershor, në Shtetet e Bashkuara, ai u përpoq të bindte Presidentin Eisenhower dhe Sekretarin Dulles të vepronin edhe një herë. Përsëri, plani i tij e ndau aleancën perëndimore dhe Kabinetin Britanik – në korrik të 1954, Lord Salisbury kërcënoi të dorëhiqej mbi këtë çështje – dhe përsëri Churchill dështoi të organizonte bisedimet me drejtuesit sovietikë. Kur samiti i shumë-dëshiruar më në fund u arrit në Gjenevë, në korrik të vitit 1955, Winston Churchill nuk ishte më Kryeministër dhe ishte Eisenhower ai i cili ishte më optimisti për ‘frymën e Gjenevës’ dhe detantën – një optimizëm që nuk u mbështet nga ngjarjet që pasuan.

Mbledhja e Nivelit të Lartë e Gjenevës rezultoi të ishte shumë larg nga çfarë kishte propozuar Churchill. Në vend që të shqyrtonin shkaqet e tensionit, udhëheqësit pjesëmarës në mbledhje, vetëm sa përmendën cështjet që shpunë në Luftën e Ftohtë. Rendi i ditës luhatej midis përpjekjeve për të fituar pikë propagandistike dhe kërkesës për zgjidhjen e problemeve Lindje-Perëndim me një psokologji amatoreske.

Eisenhower dhe Dulles, me mjeshtëri dhe këmbëngulje, zhvlerësuan atë që kishte mbetur nga Shënimet e Stalinit për Paqen dhe thirrjet elokuente të Churchill për një mbledhje të nivelit të lartë, duke insistuar në zgjidhje specifike për probleme po ashtu specifike. Por, në fund ata arritën në konkluzionin se pritja që të ndodhte një ndryshim i brendshëm sovietik transmetonte një mesazh tepër të rreptë dhe se krijimi i pozitave alternative për bisedime mund të ishte tepër përçarës.

Në fakt, gjatë muajve të tij të fundit në detyrë, Kryeminstri dallonte fare pak në sipërfaqe me Eden dhe Eisenhower në lidhje me politikat e jashtme ndaj Bashkimit Sovietik. Madje, ishte vetë Churchill ai i cili nisi ti ofendonte më shumë krerët sovietikëgjatë kësaj periudhe. Në nëntor 1954, Churchill mbajti një fjalim në Woodford në të cilin ai deklaroi se ai kishte urdhëruar grumbullimin e armëve gjermane në fundin e luftës, me qëllimin për ti riarmatosur gjermanët për një luftë të re me Rusinë.

Si përfundim, shtrohet pyetja se mos ndoshta eksperienca e Churchill me propozimet për bisedime me Rusinë, arsye kryesore që e risolli në postin e kryeministrit në mesin e vitit 1953, ishte në vetvete indikatori më i qartë se ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen si premieri britanik gjatë asaj kohe. Ai ishte i moshuar, i lodhur, duke u bërë më i sëmurë dita-ditës. Insistimi i tij për paqe me Rusinë e bëri të arrinte pikën e arrogancës, më shumë konfident sesa duhet mbi pushtetin dhe rëndësinë e tij, duke mos dëgjuar opinionet dhe këshillat e miqve dhe aleatëve të tij. Inistimi dhe arrogance e tij në ndjekje të qëllimit të tij e dobësuan argumentin e tij në Kabinetin Qeveritar, ku shumë anëtarë besonin se ai kishte shkelur disa konventa kushtetuese me veprimet e tij. Interesat e Churchill në detantë ishin të vërteta, por Kryeministri dukej sikur jetonte në të kaluarën, duke shpresuar të merrte pjesë në samite që vendosnin fatin e botës siç kishte bërë gjatë luftës, por tani ai nuk ishte në gjendje të përballej me problemet e shëndetit të tij të sëmurë me kundërshtimet e një shërbimi civil profesional, Kabinetin Qeveritar, dhe udhëheqësve të tjerë perëndimorë ndaj politikave të tij.

Por çfarë është më e rëndësishme në të gjitha ato përpjekjet e Winston Churchill, është se Kryeministri mbetej akoma një njeri i madh, duke ndjekur pa reshtur ide të mëdha kundër të gjitha gjasave, siç kishte bërë gjithmonë. Arroganca, vetëbesimi, dhe refuzimi për të ndjekur turmën nuk ishin gjëra të reja për të: ato ishin themelet e triumfeve të tij më madhështore. Në një farë mënyre, besimi i tij në diplomacinë mund të ketë marë shtytje nga dëshira për ti rijetuar ato triumfe, por nga ana tjetër, politikat e tij ishin një nisje dhe një frymë e re nga situata e pashpresë që ofronte Lufta e Ftohtë.

Madhështia mund të gjendet si në dështime ashtu edhe në arritje, dhe ndonëse diplomacia e Churchill me Bashkimin Sovietik gjatë periudhës 1951-1955 nuk e arriti qëllimin e saj, ajo nuk ia heq aspak vlerat e reputacionit të tij si një nga shtetarët më të mëdhenj në shekullin e 20-të.

Filed Under: Politike

Mjegulla e informacionit…

January 25, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Në këtë epokë, ku informacioni vërshon nga të gjitha anët, shqiptari ndodhet përballë një sfide të re: si të dallojë të vërtetën nga mashtrimi, faktin nga propaganda, dijen nga padituria e zbukuruar. Nga ekranet e televizioneve te titujt e portaleve, nga rrjetet sociale te opinionet e rastësishme, gjithçka duket e paketuar për të shitur, për të tërhequr vëmendje, për të grumbulluar klikime. E vërteta? Ajo shpesh mbetet në hije, e deformuar dhe e shpërfillur.

Mediet nuk janë më bartëse të dijes, por të fitimeve. Sa më sensacional një titull, aq më i rëndësishëm bëhet për ta, ndërsa shqiptari i zakonshëm gjendet mes një lumi informacioni që nuk synon ta ndriçojë, por ta shpërqendrojë. Çdokush flet me siguri absolute—historianë të vetëshpallur, analistë të orës së vonë dhe individë që dje nuk kishin lidhje me të vërtetën, por sot e shpërndajnë atë me zë të lartë.

Kjo problematikë nuk është e kufizuar vetëm në media. Shpeshherë, në ngjarjet shqiptare, dëgjojmë fjalime nga njerëz që nuk janë aspak të përgatitur për temat për të cilat flasin. Në vend të fakteve, shpesh përhapet dezinformim, keqinformim apo ekzagjerime që vetëm shtojnë konfuzionin. Në vend që të pasurohet dija jonë, ajo rëndohet me të pavërteta të artikuluara me siguri, por pa thellësi.

Në konferencat ku marr pjesë, shoh një botë tjetër—shkenca e mirëfilltë është e kujdesshme, e bazuar në fakte, e verifikuar. Megjithatë, edhe institucionet akademike dhe konferencat me vlerësim shkencor nuk janë të pagabueshme. Gabimet ndodhin, qasjet ndryshojnë dhe vetë shkenca pranon kufizimet e saj duke u përpjekur të përmirësohet përmes debatit, analizës kritike dhe korrigjimit të vazhdueshëm. Jashtë këtyre sallave, informacioni qarkullon lirshëm, pa filtra, duke krijuar konfuzion. Institucionet akademike dhe studiuesit e pavarur shpesh nuk bien dakord—të parët kritikojnë për mungesë metodologjie, të dytët për burokraci dhe distancim nga realiteti. Shteti, nga ana e tij, herë përfshihet me agjenda të caktuara, herë rri indiferent.

Kjo është një sfidë për gjithë botën, por shqetësimi im është për ne shqiptarët. Për ne që kemi luftuar për të mbrojtur identitetin dhe kombin tonë, për ne që jemi të rrethuar nga zëra që duan të tjetërsojnë historinë dhe të ardhmen tonë. Ne shqiptarët kemi detyrën që të ruajmë veten nga çdo përpjekje për të na përçarë, për të na dobësuar dhe për të na larguar nga rrënjët tona. Ne kemi dëshmuar se kur jemi të bashkuar në mendje e në shpirt, asnjë mjegull nuk na errëson dot rrugën.

Si mund të mbrohemi? Me kthjelltësi dhe maturi. Shqiptari duhet të lexojë përtej titujve, të kërkojë burime të besueshme dhe të mos pranojë gjithçka që i servohet. Historia jonë nuk është një fletë e bardhë për t’u mbushur nga kushdo që ka një mikrofon apo një llogari në rrjetet sociale.

Në një botë ku gjithçka shitet, edhe e vërteta ka një çmim. Shqiptari duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mos lejojë që historia e tij të shitet për pak klikime. Në fund, gjithçka varet nga një pyetje e thjeshtë: a do ta kërkojmë të vërtetën, apo do ta blejmë atë të gatshme?

Filed Under: ESSE

FJETI NË ZOTIN KRYEPISKOPI, FORTLUMTURIA E TIJ ANASTAS JANULLATOS!

January 25, 2025 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

👉 Në këtë ditë të mbrame, kujtojmë se përkushtimi i Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës sonë është në thelb një shërbim dhe adhurim i pastër ndaj Zotit dhe Perëndisë, aq edhe ndaj besimtarëve të cilët nuk mund të jetojnë vetëm me bukë, e përgjithësisht ndaj popullit, që përmes ringritjes, befas nga errësira ashtu siç thoshte profetit Isaia: … panë një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi dita!

Etimologjia e emrit Anastas kupton jetën e çmuar të rifituar pas vdekjes, pra ngjalljen e saj, ashtu si në të vërtetë ndodhi edhe me ringritjen e Kishës Orthodhokse nga gërmadhat, e drejtuar nga Hirësia e Tij, Anastasi, që për fat të mirë e RINGRITI atë duke lartësuar njëherazi edhe emrin e Tij, në jetë të jetëve.

Ngushëllime për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, Sinodin e Shenjtë dhe mbarë komunitetin orthodhoks!

▪︎ U prehtë në paqe!

Amin! 😓

______________________

#anastasjanullatos

▪︎ RESTED IN THE LORD, HIS BEATITUDE ARCHBISHOP ANASTASIOS JANULATOS! 🙏

👉 On this final day, we remember that Archbishop Anastasios’ dedication to rebuilding our Church was fundamentally a pure service and worship of God and the Lord, as much as it was to the faithful who cannot live by bread alone, and generally to the people, who, through revival, suddenly saw light in the darkness, as the prophet Isaiah said: … they saw a great light, and for those who were in the shadow of death, the day dawned!

The etymology of the name Anastasios signifies the precious life regained after death, meaning resurrection. This is precisely what happened with the revival of the Orthodox Church from its ruins, led by His Grace Anastasios, who, fortunately, REBUILT it while also elevating his name for eternity.

Condolences to the Orthodox Church of Albania, the Holy Synod, and the entire Orthodox community!

▪︎ May he rest in peace!

Amen! 😓

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 524
  • 525
  • 526
  • 527
  • 528
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT