• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Maj-2025, betejë me demokracinë fasadë dhe pushtetin elektoral”

January 16, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Paraprakisht falënderoj përzemërisht mediat në RSh, Kosovë, Rajon, USA, etj, për publikimin (vetëm nga kapaciteti i ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe USA/NATO-s, pra pa asnjë funksion zyrtar apo politik), të disa dhjetra kontributeve strategjike, përfshi edhe mesazhet e fundvitit 2024 nga Washingtoni mbi 5 kërcënimet thelbësore: “demokracia burokratike, përpjekjet dëshpëruese të Putinit për të hapur një front të ri lufte; riciklimi i frikshëm i garës së armatimeve; axhenda bolshevike e përjetësisë së pushtetit të politikanëve/Dodik-ëve të korruptuar, si dhe pritshmërite nga Trump-2 për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi R.Sh dhe Kosovën”. 

Në vijim po ndaj një përmbledhje të dedikuar rreth: “krizës më të rëndë të pluralizmit dhe demokracisë prej 1990; shtetit të kapur nga korrupsioni i politikanëve të lartë; privatizimi i pluralizmit; fuqia elektorale/kriminale e mbipushtetit” si dhe misioni jetik i Shqiptarëve në zgjedhjet 11 Majit-2025:

Së pari, në vënd të përgjegjësive kushtetuese, Parlamentit i ka mbetur vetëm protagonizmi delirant i Kryetares së radhës (jo-legjitim, pasi K.K nuk është Pushtet por vetëm speaker/moderatore) për të rehatuar kalërimin e “Skënderbeut të Madhërishëm” në mandatin e 4-ërt, 5-të, pse jo të përjetshëm! 

Thënë shkurt, Kuvendit i ka mbetur ZERO peshë dhe vlerë (përveç borderosë së pagave për të emëruarit e radhës në Kuvend), pasi në 12 vitet që lamë, ASNJË resolutë, marrëveshje dhe Ligj (përveç ligjit për listat e mbyllur…), nuk është miratuar me konsensus. Ndërsa si dëshmitar teknik i proçesit të integrimit në NATO, mund të përmend se me 10-ra, në mos qindra ligje, rezoluta dhe marrëveshje konsensuale si dhe delegacione të përbashkëta në Samite, Bruksel, Washington, etj përgjatë 1999 – 2013. 

Pra, përtej fjalimeve (d)elekuente, djegjes së karrigeve, sharmit të profileve burokratike dhe bejteve folklorike, praktikisht kanë rënë misioni kushtetues i Kuvendit, balancat demokratike të pushteteve (Check & Balance), bashkë me këto ka rënë Republika Parlamentare e RSh! Gjithësesi, problemi Nr.1 i “kësaj terexheje mbetet heshtja cinike e elitës intelektuale, tallavaja e të gjithëditurve nëpër studio ose port-hale si dhe duartrokitjet e socialistëve me “kockë”, kontribute dhe integritet të spikatur” !?

Patjetër që nuk është vetëm fenomen Shqiptar. Prandaj po citoj Foreign Policy: “përveç pritshmërive nga Trump-2, viti 2025 do të dominohet nga beteja globale midis demokracisë burokratike dhe autokracisë”! Besoj që as kolegu/miku im (AC), Fred Kempe, as Foreign Policy, nuk u referohen Rusisë, Iranit, Kinës, Kim-Jongut, etj por: “një liste shtetesh me demokraci të dështuar, të kapura nga korrupsioni dhe me qeverisje autokratike”, ku fatëkeqësishtë është rreshtuar edhe Republika e Shqipërisë. 

Së dyti, më duhet ta theksoj që në fillim që sigurisht nuk jam gjykatës të shpall “kush e ka fajin apo kush është i pafajshëm”; por as pronar dhe as profet i të vërtetës shteruese se: “kush është djalli kush engjëlli”.  Por ngaqë kam vite që kam vetë-vendosur për të mos heshtur, po ndaj këtë shqetësim ulëritës për pluralizmin/demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale që ofroi Ramiz Alia në 1990), çka në gjykimin tim mbetet qëndra e gravitetit të krizës politike, pra e shtetit të dështuar si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale dhe ardhmëria Euroatlantike e vendit. 

Veçanërisht pas 2008, Kryetarët e gjithë-pushtetshëm dhe shtetarët/emëruarit e radhës, kanë provuar (tashmë edhe nga SPAK) se, pasi kanë privatizuar të ashtuquajturat Parti Politike dhe pluralizmin; bashkë me krimin e organizuar kanë vjedhur votat/mandatet (rasti flagrant i deputetit të bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve dhe pasuritë publike, por sot me shumë se kurrë me parë (nga 1990), kërcënojnë seriozisht shpresat e  shqiptarëve  te rotacioni politik, vlerat dhe balancat demokratike të pushteteve.    

Së treti, në vijim gjeni konkretisht aktorët dhe faktorët krizës se pluralizmit dhe demokracisë:

  1. Skuadra e pushtetit (në 12 vjet), për të cilën nuk gjej në asnjë definicion si Parti Politike (as si ideologji, as si strukturë, as si program, kurrësesi në vendimarrje) pasi përveç Kryetarit të pagabueshëm, personazhet e radhës (shumica e skalionit të parë, në Burg ose në SPAK), u duhet të duartrokasin me ngazëllim për emërimet/ç’emërimin e Presidentit, Ministrave, listës së Deputetëve,  si dhe në çdo rast u duhet të demostrojnë përgjërim përpara Udhëheqësit të Madh, ose pronarit të kompanisë që mbart emërtimin Partia Socialiste e Shqipërisë. Sigurisht ka patur ndoshta 100-ra probleme, por kurrë s’ka qënë kështu para 2013! Këtë e pohojnë “nën Zë” edhe disa ish-personalitete në PS, të cila/ët e kujtojnë me nostralgji, kohën kur p.sh KM-Nano, lobonte deri për votat e anëtarëve të kryesisë, etj!   

Për sa pasqyrën e shtetit të dështuar/kapur nga korrupsioni  i politikanëve dhe shtetarëve të lartë, besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e vetë (sy) Madhit dhe skuadrës së Tij (p.sh socialistit të fundit/ndershëm z.Braçe) në 2013: “për të ndalur braktisjen e vendit dhe për punësimin e 300 mijë të rinjve; shëndetësinë falas dhe ZERO korrupsion; zero toleranc krimit të organizuar dhe drogës; ZERO taksa për naftën, bukën, qumështin, vezët; ZERO influence politike mbi koston për kilometër të rrugëve, ndërtimin e inceneratorëve ambientalist, konçesionet alla-sulltanatë, etj”. 

Ndërsa, këtë listë dështimesh poshtëruese për skuadrën e pushtetit, e gjej aq ngjashme sa batutën kriminale të Enverit: “aty ku ska naftë/sukses ka me siguri armiq”. Dhe kështu ndodhi, vetë Zëvëndësi i parajsës ekonomike dhe taksave-ZERO, arratiset nga vendi si banditët e Xhibudit dhe jo Shtetari nr.2 i një vendi të NATO-s (!); kur Ministri Shëndetësisë Falas fare, Ministri Rendit, njëherësh krye-Komisari Politik i betejës së Stalingradit/Lazaratit si dhe një listë Deputetësh, Kryebashkiakësh, etj  që erdhën në 2013 si “skuadra e qiejve të pastër”, ose flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut … !  

Në këtë realitet me shtet të korruptuar deri në palcë, riciklohet tallavaja bollshevike: “fajin për të gjitha dështimet dhe korrupsionin në 12 vitet e fundit e ka armiku brendshëm, pra Gogol-Saliu”, ndërsa dalldija vijon: “jo vetëm mandati 4, që është i sigurt, po të 6-in e ka në xhep PS”. Kjo pasi fuqia e (mbi) Pushtetit e ka gjunjëzuar shtetin dhe administratën shtetërore në një ushtri të pathyeshme elektorale (200 mijë patronazhiste si dhe bonuse/sheqerka për 740 mijë pensionistë), sikur RSh të ishte në Afrikë.

Thënë sa më lartë, shpërdorimin e fuqisë, Institucioneve, parave publike dhe administratës burokratike, si makineri elektorale për mbajtjen e Pushtetit e gjej si krim të rëndë shtetëror (për tu hetuar nga SPAK) mbi demokracinë funksionale, balancat e pushteteve si dhe ardhmërinë Euro-atlantike të Shqipërisë!  

  1. Opozitën zyrtare (me vulë) e gjej po ashtu bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për të gjitha humbjet në 12 vjet si dhe këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar !

Ndërsa, ka zero vlerë të merremi me “lule-Kryetarin vulë-humbur”, i cili edhe me 7 donkishot-ministra/e pësoi humbje diskretituese në 2017 (me 43 deputetë); 52 në 2021 dhe 3 palë zgjedhje lokale, ndërsa në vend të dorëheqes, me pa-përgjegjeshmëri perverse i bëri “funeral poshtërues PD-së në 8 Janar 2022”, si dhe “vijon të delirojë me kalërimin mbi max.7x7 egocentrikë të sëmurë të vetëquajtur Euroatlantik-as”! 

Gjithësesi: “mjaft është mjaft”! Kërkush nuk mundet të bëje triumfalin dhe të krenohet për këtë degradim të opozitarizmit.  Kështu për të djathtën, ulëret edhe më fortë mesazhi Atëror i Mit’hat Bej Frashërit: “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftrat, sapo të kenë përfunduar betejat mes vedit”! 

Duke e gjetur aktual këtë mesazh, i bëj thirrje arsyeve fisnike, të ndalin luftën për krye-listën e humbjes turpëruese të radhës, por t’u përulemi jo vetëm demokratë/eve qëndrestarë por edhe mbarëshqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese si dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSh në Maj 2025.  

  1. Do të lutesha dhe uroja shumë të isha shumë gabim, por përpjekjet për të krijuar një pol/mundësi të tretë, fatëkeqësisht “do të mbetet në tentative”, me zero ose një numur pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave (pronarëve) politike si dhe të tranzicionit tejzagjatur, për sa kohë që bashkimi mbetet një mision i pamundur i idealistëve, egocentrikëve, delireve dhe mllefeve primitive.

Nga ana tjetër, mbas 34 vitesh (1990-2024), Kryetarët e pavdekshëm të mbi 80 të ashtuquajtura Parti Politike, përfshi p.sh të vetëshpallurit e boshtit Krye-Euroatlantikas z. Basha, z. Gjuzi, z. Gjela, z. Qorri, etj “bëjnë sikur kanë anëtarë, Forume, Ide-gjeniale, Programe-shpetimi, etj”, praktikisht kanë vetëm një grusht njerëzish që fi(lt)rojnë ditën e zgjedhjeve, pra ZERO peshë për të sfiduar regjimin autoritar të Tiranës zyrtare. 

Në shtesë, falënderoj dhjetra mijëra kolegë/ushtarak (brënda dhe jashtë vendit), intelektualë të shqetësuar, patriot të përkushtuar si dhe qytetarë të zakonshëm në të gjithë hapësirën mbarë-kombëtare, për  konsideratat, inkurajimin si dhe mbështetjen që më keni frymëzuar për përkushtimin tim politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.  

Duke ri-konfirmuar këtë, që në krye të herës më duhet të garantoj se, nuk kam dalë në këtë betejë për tu punësuar, as për tu emëruar, as si barrë elektorale, por për të luftuar fortë dhe kontribuar me Përgjegjeshmëri, Përulësi, Integritet dhe vota shtesë, në këtë betejë jetike për rikthimin e pluralizmit, demokracisë funksionale si dhe shpresës për ardhmërinë Euroatlantike të kombit tonë të Bekuar.   

Me këtë rast, j’u i bej thirrje vllazërore bashkë-qytetarëve (sigurisht edhe emigrantëve), që aspiratat e 1990 për Shqipërinë demokratike si gjithë Europa të mos e lëmë më në dorë të riciklimit të politikanëve kusarë dhe sekserëve të gjithë-pushteteve që kanë privatizuar partitë politike, pluralizmin dhe pronat publike; që kanë përmjerë mbi balancat kushtetuese si dhe sundojnë Shqiptarët edhe në 35 vitet e fundit. 

Autori: * Gjeneral ® Piro AHMETAJ: 

Ekspert për SK, Rajonin dhe USA/NATO, 

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; si dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

KADRI ZEKA DHE KOHA JONË

January 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Janë disa momente historike që të kthejnë mbrapa për të menduar zgjidhjen e një problemi të shafqur rastësisht apo që shfaqet një për kohë më të gjatë. Historia kombëtare, pavarësisht prej dobësive të cilat e kanë përcjellur përbëhet prej disa momenteve të shndritshme tek të cilat detyrohemi të kthehemi ashtu sikur kthehet lexuesi tek veprat klasike të artit e të letërsisë, sahere që këto fusha të dijes materiale dhe shpirtërore përjetojnë kriza të caktuara. Krizat nëpër të cilat po kalon jeta jonë materiale dhe shpirtërore njëkohësisht, përkatësisht kriza intelektuale, kulturore dhe politike, në të cilen po kalin shoqëria shqiptare në këtë udhëkryq të historiesë kombëtare, jo njëherë na kthejnë tek ngjarjet historike, veprat programatike dhe konceptet politike të dijes kombëtare, të shkruara sidomos dy shekujt e fundit.

Jeta dhe vepra e Kadri Zekës, aktiviteti dhe konceptet politike të tij, i takojnë historisë së re të Lëvizjes Kombëtare, të cilës i kthehemi për shumë arsye. Ajo shënon një prej nyjeve të rëndësishme të historisë kombëtare, një prej ndërlidhjeve komplekse, e cila e vlen të konsultohet sa here gjendemi para sprovave politike, sociale dhe koluturore. Një sprovë e ndërlikuar, para të cilës jemi gjetur tri vitet e fundit e vlenë të vlerësohet edhe në këtë shkrim në kontekst të jetës veprimtarisë atdhetare dhe sidomos në kontekst të koncepteve politike të tij.

(Para se të shkruaj për Kadri Zekën kam pasur shumë dilema se si do të mund të shtroja këtë temë. Të shkruaj një jetëshkrim të tij, më dukej temë e tejkaluar, pavarësisht prej aspektit dhe modelit origjinal me të cilin do të mund ta shtroja. Të shkruaja për aktivitetin e tij historik, më dukej një përsëritje e zakonshme, pavarësisht prej anëve të reja që mund t’i sillja. Dëshiroja të shkruaj ashtu sikur do të shkruante Kadri Zeka në rrethana të sotme, nëse jo me konceptet ideologjike të tij, së paku me konceptet morale të tij).

Duke njohur aktivitetin e tij politik dhe sidomos atdhetar të shkruar e të treguar nga brezi i tij, kisha kuptuar se Kadri Zeka, ashtu sikur edhe brezi i tij i atdhetarve nuk punonin për të hyrë në histori, por për të ndryshuar historinë, respektivisht për të bërë historinë e re. Në të vërtetë kështu edhe ndodhi, ata e bënë historinë jo duke u ngritur mbi te, por duke hyrë brenda saj, si bartës moral dhe historik të saj.

Mbi këtë aspekt mund të formulohen edhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” që e bënte Lëvizja nacionaliste e dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe konceptet e brezit të “nacionalizmes” ilegale të organizuar në grupet ilegale duke nisur me Grupin e Adem Demaçit e këndej. Pse mund të thuhet kështu?

Nacionalenverizmi pragmatist

Brezi i nacionalistëve të dalë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, së pari e kishte humbur një luftë, duke i takuar krahut botëror që gjithashtu e kishte humbur këtë luftë, dhe duke qenë i shpërndarë e i papërkrahuar nga bashkësia ndërkombëtare, tash luftën për Shqipërinë e bënin në mënyrë vetijake, duke bërë llogaritë e gabuara të së kaluarës dhe mundësitë vetjake të kohës. Ndryshe nga këta, brezi i ri i ilegales që filloi aktivitetin atdhetar me grupin e Adem Demaçit e këndej, kishte të tjera koncepte: kishte një të kaluar të pastër dhe në histori mbështeteshin si iluministë. Ndonëse nuk ishin të njohur me konceptet politike dhe as nuk ishin të shtrënguar ideologjikisht pas koncepteve filozofike të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, ata pa përjashtim ishin pozitivist dhe revolucionar të konceptit enverist, që e njihnin vetëm punën, veprimin, aktivitetin revolucionar të lëvizjeve ndërkombëtare dhe vepronin si luftëtar besnik të atdheut deri në vdekje.

Kadri Zeka

Mbi këto parime ndërtohej edhe mendimi i Kadri Zekës. Ai nuk thotë se për të qenë atdhetar duhet t’i takosh kësaj apo asaj partie, duhet t’i takosh këtij apo atij grupi, duhet të jesh i mbështetur në këtë apo atë individ dhe në këtë apo atë ideologjie. Kadri Zeka, si luftëtar i denjë dhe i pandalshëm i lëvizjes këmbëtare shkruante: “Siç thotë patrioti dhe dijetari ynë i madh, Sami Frashëri, Atdheu nuk duhet t’i jap as varr atij që nuk ka dhënë për atdhe pikën e djersës apo gjakut kur ka qenë nevoja”.

Pra, Kadri Zeka duke u mbështetur në rrethanat e krijuara të vendit e të kohës në të cilën vepronte, i ndërlidhte këto veprime, në shenjë të praktikës revolucionare të veprimit.

“Çastet e vështira që po kalon atdheu ynë dhe rreziqet që po i thurren atij e bënë edhe më urgjente nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriot. Pra, vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike, mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqëve. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë. Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, s’e trathtojmë dot gjakun dhe porosinë e patriotëve tanë të shquar që nuk kursyen as pikën e fundit të gjakut për lirinë e truallit arbëror”. (69)

A mund të tingëllonte sot ndryshe dhe më pak e fuqishme thirrja e tij?

Jo!!!

Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë

Megjithatë, sot për fatin tonë të keq ky zë nuk po dëgjohet. Atdheu ynë dhe çështja shqiptare nuk është më pak e rrezikuar. Udhëkryqi në të cilin gjendemi nuk është më pak i komplikuar se ç’ishte dje. Por, zërat janë më të mbyrur, më të shterrur, madje më të çoroditur. Zëri që dëgjohet sot në emër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shpesh është zë antihistorik. Ai është jo vetëm në kundërshtim me thirrjen që bënte dje Kadri Zeka dhe brezi i tij, por edhe në kundërshtim me brezin që sot punon me sakrificë për ardhëmrinë tonë, si domosdoshmëri historike. “Për ne zëri i Shqipërisë nënë, ka qenë dhe mbetet zëri i fuqishëm i vendit tonë amë…“ (7).

Çdo të thoshte sot Kadri Zeka?

A do të thoshte se rrethanat e reja kërojnë qëndrim tjetër ndaj Shqipërisë. A do të ngrente sot konceptet e Akadmisë Serbe të Shkencave, të vitit 1986, për bazen historike të identitetit shqiptar të Dardanisë përkatësisht Kosovës, të ndryshme nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.

Jo.

Sigurisht as Ai nuk do të ishte anaronik me botën e sotme. Do të punonte dhe do të luftonte nga ana kombëtare edhe ai për Evropën e Bashkuar dhe praninë tonë në te, e megjithatë për një gjë do të ishte këmbëngulës: Rruga jonë për Evropë kalon nëpër Tiranë.

Sot, për fatin tonë të keq, ende nuk thuhet kështu. Sot zërat e tillë quhen zëra të vonuar, ndërsa thirrësit e tillë quhen romantik, anakronik etj. Sot në modë, janë konceptet “bashkëkohore dhe modorne njëkohësisht”, janë zërat e klaneve, sot janë në modë mendimet, konceptet dhe flamujt e ngritur mbi interesat e përgjithëshme nacionale, nga ish-titistë, që me shumicë dhe me bujë i kanë sjellë duke i nxjerrë edhe prej gijotine dhe i kanë vënë në krye të institucioneve kulturore dhe politike.

E pa besueshme. Kemi besuar se ata dhe mendimet e tyre janë vjetruar për shkak të moshës, për shkak të kohës dhe për shkak të moralit të ri kombëtar. E kemi ditur se kanë qenë shumë, por që paskan mbetur kaq shumë zor të besohet edhe sot.

Mbi mardhëniet shqiptaro-serbe

Kadri Zeka ka shkruar dhe i ka trajtuar një varg çështjesh të rëndësishme për kohën e tij, por me peshë edhe për kohën tonë. Duke qenë i përcaktuar për veprime konkrete ai as me historinë as me bashkëkohësinë nuk është marrë për të ndërtuar biografinë e tij. Me historinë është marrë për të konkretizuar nyjet e mardhënieve shqiptaro-serbe dhe ai këto i ka gjetur në Programin e Çubriloviqit, të cilin e patë botuar jo vetëm si kontribut të tij dhënë Lëvizjes, por edhe si sprovë për të komunikuar me lëvizjen dhe politikën ndërkombëtare përgjithësisht. Sot, në rrethana të reja të njohjes së mardhënieve shqiptaro-serbe këto nyje zgjerohen nga një program në disa programe të njohura të shkollës serbe dhe nga programet individuale, grupore dhe institucionale në konceptet politike antishqiptare të shteti, të institucioneve më të larta shkencore dhe të kishes autoqefale serbe. Mund të shkohet madje edhe më tej, tek një ndërdije antishqiptare- tek serbët, të shoqëruar me përbuzje ndaj gjithë asaj që është shqiptare, dhe tek një ndrëdije dhune – te shqiptarët, të shoqëruar nga frika dhe tmerri i krijuar historikisht nga dhuna shtetërore, kulturore dhe fetare që kanë bërë serbët mbi ta.

Duke qenë njohës i mirë i këtyre mardhënive, nga aspekti tradicional (jetoi në kofi një kohë të gjatë, familjarisht i kujtonte shumë të freskëta pasojat e përndjekjes dhe dhunës së politikes gjenocidale serbe në qerekun e fundit të shekullit XIX dhe shekullin XX. Gjyshja e tij ishte njëra prej fëmijëve të gjetur në djepin e mbuluar me dëborë gjatë përndjekjeve serbe në fund të shekullit XIX etj. Ndjente gjithnjë një rrezik të përhershëm të përsëritjes së krimit serb mbi shqiptarët, prandaj edhe nuk do të befasohej nga përsëritja e krimit serb që do të ndodhë mbi shqiptarët edhe në fund të shekullit XX, por do të punonte me ngulm që ajo të mos ndodhte.

Si do të vepronte Kadri Zeka pas gjithë kësaj?

Pavarësisht nga kjo Kadri Zeka, këtu nuk do ta gjente edhe pamundësinë e bashkëjetesës së serbëve dhe shqiptarëve. Ai ishte luftëtar i lirisë së popullit të vet dhe humanist i internacionalizmes proletare, prandaj edhe shoqërinë shqiptare kurrë nuk do të mund ta shihte ashtu të pastër, pa botën tjetër kulturore, shpirtërore dhe fetare.

Për Kadri Zekën mardhëniet shqiptaro-serbe nuk do të shtroheshin si mardhënie të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, por si mardhënie të Kosovës dhe Serbisë. Për më shumë se një shekull Serbia ka përgatitur shpirtërisht, politikisht dhe madje moralisht, ka ushqyer dhe ka ndërsyer serbët e Kosovës dhe kolonët serb të sjellur nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi e Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Urrejtja e madhe, apo muri i gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk është krijuar në fund të shekullit XX gjatë Luftës së Kosovës. Jo. Gjatë është punuar për ndrtimin e tij. Për të është investuar gjatë, shumë dhe shumë kohë. Në ndërtimin e këtij muri teorikisht dhe historikisht është investuar pothujase pa ndërprerë më shumë se një shekull e gjysmë. Dhe nuk është investuar as nga një brez e as një bartës politik. Për ndërtimin e madh të murit të gjakut ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë invesatuar kryeministrat e ministrat serbë, politikanët e partive që janë quajtuar radikale dhe partive që janë quajtur paqësore, akademikët, shkencëtarët e të gjitha profileve, poetët dhe këngëtarët, priftët, etj., konceptet e të cilëve i kanë aprovuar, i kanë instrumentalizuar dhe i kanë vënë në jetë institucionet shtetërore (qeverëtë e të gjitha kohëve, Ushtritë, policitë, sigurimet e brendshme); institucionte shkencore (Akademia Serbe, Universiteti); dhe institucionet fetare (Kisha Ortodokse Pravosllave).

Për shkak të këtij investimi të gjatë dhe të madh teorik dhe praktik muri i madh i gjakut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është vështirë të tejkalohet, dhe vështirë të tejkalohet sidomos nëse kjo kërkohet të kalohet nga ana shqiptare, sikur kërkojnë miqtë tanë, nëse në ngritjen e tij vazhdojnë të investojnë edhe më tej institucionet shtetërore, shkencore dhe fetare serbe, pa e ndjerë fajin për krimet e bëra mbi shqiptarët dhe popujt tjerë fqinje.

Për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, Kadri Zeka do të punonte në krijimin dhe ndërtimin e raporteve të reja ndërmjet serbëve, që nuk do të ishin raporte ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve, sikur përpiqeshin t’i ndërtonin bartësit e politikës serbe gjatë shekullit të fundit, as si raporte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sikur pretendohet t’i ndërtojnë sot disa qarqe shqiptare pa koncepte historike për çështjen shqiptare dhe ballkanike; dhe më nund as si raporte ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sikur përpiqen t’i krijojnë disa qarçe ndërkombëtare të tezës së multietnicitetit të Kosovës, por si raporte ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që në të vërtetë janë raporte historike ndërmjet këtyre shteteve dhe popujve fqinje.

Evropa dhe arrivizmi ynë politik

Po ta jetonte kohën tonë, Kadri Zeka gjendjen tonë të rëndë ekonomike, sociale dhe politike nuk do ta shpjegonte thjesht me parolla politike dhe me arrivizëm politik, sikur do të shprehej Jusuf Gërvalla. Duke shkruar për gjendjen ekonomike, sociale dhe politike të Kosovës së fillimit të viteve tetëdhjetë ai theksonte: “Kosova jo vetëm që nuk është e varfër, por me fushat dhe nëntokën e saj të pasur, ajo është krahina më e pasur në Jugosllavi. Ajo disponon me 64 % të rezervave të thëngjill-linjitit në Jugosllavi, 67 % të mineraleve të plumbit e të zinkut, 24% të hekurnikelit. Ajo prodhon miliarda kilovat energji elektrike e miliona ton xehe të ndryshme. Kosova prodhon 93% të të gjithë argjendit në Jugosllavi, e të mos flasim për fushat e gjëra, për lumenjtë e mallet e pasura të Kosovës”(60). Të dhënat e tij dhe të njohura sot edhe më gjerësisht tragojnë se Kosova nuk është viktimë e mendësisë së ultë politik, kulturore dhe arsimore. Ajo nuk është viktimë e një vendi që nuk mund të jetoj prej pasurisë natyrore dhe mendore të atij vendi dhe të atij populli. Kosova është viktimë e mosmarrëveshtjeve politiko-ushtarake të sferave ndërkombëtare të interesit. Kosova mund të jetoj edhe vetëm prej pasurive nëntokësore të saj edhe prej pasurisë mbitoksore të saj. Ajo mund të jetoj më në find edhe vetëm prej pasurisë së natalitetit dhe fuqisë rinore që ka.

Çka do të bënte Kadri Zeka sot tri vjet pas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë. Do ta bënte jetën dhe politiken e arrivistit, sikur po bëjnë sot pasardhësit e tij politik, apo do të vazhdonte të punonte me konceptet dhe idealet, me të cilat punonte atëherë. Sigurisht nuk kishte pse t’i ndryshonte ato. Humanisti i radhëve të para, sot do të ngritej kundër gjendjes së mjerë sociale të popullit, që ishte bartës i luftës në Kosovë, por do të ngritej edhe kundër arrivizmit dhe politikës që përfaqëson sot brezi i ri i politikanëve të Kosovës. Do të ngritej kundër sjelljes së bashkësisë ndërkombëtare, që sikur shkruante atëher “flet shumë dhe nuk thotë asgjë”, ndërsa sot do të mund të thuhej “punon shumë e nuk bënë asgjë”. Nuk dua të them se ai do të ngrente çështjen e statusit politik të Kosovës. Për këtë do të punonte sot sikur ka punuar dje, pa anime, pa improvizime dhe pa u lodhur. Le të kujtojmë se ai ishte humanist dhe konceptet e tij ishin sociale, prandaj për asnjë kusht dhe në emër të çfardo trysnie e posti kurr nuk do të lejonte që të mbyllë sytë dhe veshët para gjendjes së rënd sociale të banorëve të Kosovës, sidomos të zonave të luftës. Zor të besohet se Kadri Zeka dhe shokët e idealeve të tij do të flenin të qetë, pas paraqitjes së çdonatshme të familjeve të dëshmorëve nën tenda, nën dyer të fqinjëve, në ahuret e përshtatura për të kaluar dimrin etj.

Zor të besohet se Kadri Zeka dhe brezi i idealistëve të tij do të pajtoheshin të duronin një mjerim të tillë, nëpër të cilion po kalojmë, në emër të pritjes së marrveshtjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e statutit të Kosovës, në emër të të cilës profiter dhe matrapaz të të gjitha ngjyrave dhe idelogjive përfitojnë e stërpërfitojnë edhe me djersën tonë. Kosovës i duhet liria dhe mundësia për të punuar. Kosova nuk ka nevojë për dhurta, Kosova ka nevojë për ndihma dhe përkrahje që si dje, si sot ju jepen madje edhe rajoneve të varfëra të shteteve të pasura të Evropës, Çoftë edhe për shkak të një vere të thatë apo dimri të ftohetë. E në Kosovë ka ndodhur termet, ka ndodhë përmbytje biblike nga dora e njeriut.

Prej “dhuratave” të tilla nuk përfitojnë qytetarët e Kosovës, prej dhuratave të tilla përfitojnë individët e të gjitha ngjyrave dhe shumë shumë përfitojnë klanet, grupet dhe krijesat që organizohen brenda natës, që përfitojnë brenda natës si me shkopin magjik, që janë bartëse të interesave të caktuara klanore e mafioze dhe politike e ideologjike. Prej “dhuratave” të tilla përfitojnë përfitojnë individët që me gjunjë dhe brryla janë aty ku kanë synuar gjithmonë për të shërbyer: aparatqik, pothador, mashtrues dhe denoncues.

A do të heshte Kadri Zeka sot dhe çka do të thoshte ai sot. Prej njerëzve të tillë, -reagonte ai, – prej klaneve dhe grupeve të tilla, më shumë se prej askujt tjetër, i vjen rreziku Kosovës dhe i mbyllen rrugët për synimet e saj historike. Ata që janë mësuar të përvidhen deri dje në politikën e Beogradit dhe shkollën e saj përvidhen sot dhe shfrytëzojnë për për interesa individuale dhe klanore edhe dhuratat që na i jep bota. Për shkas se ne i dime pajojat tragjike në të cilat na kanë quar mashtruesit, pithadorët dhe përfituesit e tillë, nuk kemi se si të mos dëshprohemi dhe të mës shqetësohemi sot për të ardhmen tone.

Gjatë, tepër gjatë të tillët e kanë mashtruar Beogradin për ndërtimin e bashkim-vllazërimit ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, por më në fund, mashtrimet, gënjeshtrat, demagogjinë dhe përfitimet e tyre persoanale, familjare dhe klanore i kemi paguar si popullm e gjak deri në gju dhe me përndjekje biblike. Me të njëjtën demagogjike sillen e përvidhemi sot shumë individ të kësaj shkolle, dhe të njëjtat premtime i jepen bashkësisë ndërkombëtare. Është e kuptueshme prandaj pse shqetësimet tona rriten. Kemi të drejtë. Demagogjinë e tyre si individ dhe si grupe, si popull do ta paguajmë më shtrenjtë se çe kemi paguar dje.

Dëshprimi dhe vendosmëria e madhe

Në këtë rrjedhë, ai sigurisht do të dëshprohej shumë, për mungesen e guximit qytetar përgjithësisht të inteligjwencies për të përkrahur Lëvizjen Ushtarake në Kosovë gjatë luftës, por do të dëshprohej edhe më shumë për shkak të mungesës së guximit intelektual të kësaj inteligjencie për të përkrahur rezultatet e luftës. Në këtë situat ai do të zgjedhte rrugën e punës dhe të aktivitetit të pandalshëm, dhe nuk do të dorëzohej para përndjekjes së përndjekësve të ri të mendimit politik, nuk do të dëshprohej prej përndjekësve të përditëshëm, sikur janë dëshpruar intelektualët e paktë që viteve të fundit kanë guxuar ta artikulojnë drejt dhe guximshëm mendimin e tyre politik dhe kulturor.

Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Metush Krasniqi Isa Kastrati, Avdi Xhaqku

Në vend të dëshprimit ai do ta ftonte muzen letrare të Jusuf Gërvallës, si dhe filozofinë e këmbëngultësisë të Rexhep Males, për t’i bërë kritikën shoqërisë shqiptare të kohës sonë. Besojmë se njëra prej kritikave më të rendësishme do të ishte kritika e shoqërisë kosovare të kurseve. Në Kosovës ka shumë vjetë që jetohet prej arsimimit të improvizuar. Në Kosovë, ndryshe nga ç’pritej që të ndërtohej shkolla e vërtetë kombëtare e nivelit evropian, është ndërtuar shkolla të nivelit më të ulët. Vetëdija kulturore, shoqërore dhe sidomos ekonomike e politike po krijohet me kurse dite e nate. Kurset e tilla, të cilat përgjithësisht quhen trajnime, të kujtonë atë shoqëri që u krijua me të njëjtat përmasat dhe metodat, pas Luftës së Dytë Botërore, e ne i dimë rezultatet e saj sot. Në të vërtetë ne i dimi pasojat tragjike nëpër të cilat kemi kaluar dhe sidomos pasojat me të cilat kemi përfunduar. Tashmë ne i dime pasojat e kursistëve të kësaj shkolle dhe të shkollave të tilla, s’kemi si të mos jemi të dëshpruar prej kurseve dhe kursistëve të rinjë, të cilët brenda natës marrin fatin e shoqërisë së sotme në duart e tyre, duke lënë mënjanë dhe në rrugë, individët e arsimuar me vite të tëra në Kosovë apo jashtë saj.

Çdo të bënte Kadri Zeka në këtë rast?

Do të punonte shumë që të ndërtohet vetëdija politike e brezit të ri, por nuk do të pranonte kurrë që lëvizja e re kombëtare të bëhej pa praninë e studentëve, sikur bëhet sot. Do të ishte rinia, përkatësisht studentët, ajo që do të vendoste për fatin e tokave të shkëputura të Kosovës, do të ishte rinia ajo që do të ndërprente gjykimet e drejtuesve të luftës, përkatësisht gjykimin simbolik të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Do të ishte ai në krye të klasës punëtore të Kosovës që do të vendoste për fatin e pasurisë nëntoksore dhe mbitokësore të Kosovës, do të ngrihej kundër gjendjes së mjerë të rreth 70% të popullit të Kosovës, standardi i të cilës bie edhe për shkak të ngritjes pa mbulesë të standardi të një përqindjejeje të vogël vendasish, të cilët punojnë me të huajt pa pasur përgjegjësi për Kosovën dhe standardin e saj të përgjithshëm etj. Më pare se sa të ishte në krye të Partive politike, më pare se sa të ishte në krye të institucioneve shtetërore, më pare se sa të barrikadohej në ndonjë shërbim në drejtoratet të cilat në të vërtetë i drejtojnë kryesisht të haujt, ai do të ishte në krye të aktiviteteve të kalsës punëtore, në krye të organizatave që mbrojnë vlerat e luftës dhe fitoren e saj, në krye të organizatave që organizatave që përcjellin dhe mbrojnë materialisht dhe moralisht familjet e dëshmorëve etj.

Gruaja e Kadriut dhe nana e vellezerve Gervalla ne Stuttgart

Në të vërtetë, Kadri Zeka në kohën tonë, do të ishte aty ku ka buruar dhe buron lëvizja morale dhe pragmatike e çështjes shqiptare.

Lavdi jetes dhe vepres se deshmorit Kadri Zeka, lavdi shokeve te idealit te tij, lavdi te gjithe deshmoreve te kombit.

Filed Under: ESSE

At Gjergi Fishta (1870-1940), poeti kombëtar i shqiptarëve

January 16, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

I pari shkrimtar i propozuar nga Klubi i Poetëve të New York-ut për çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1934, prozator, poet, përkthyes. Disa nga veprat, që ka shkruar e botuar: “Lahuta e Malcis”, poemë (zarë, Kroaci, 1902, një vellim prej 17.000 vargjesh, qe u cilësuan si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shgipes),. “Anzat e Parnasit”, satirë (Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, 1907), “Pika e voese” më vonë e ribotuar si “Vallja e Parrizit” (Zarë, 1909),”Shgiptari i qytetnuem” melodramë (1911), “Vllaznia apo Shen Francescu i Assisi-t (1922),

“Juda makabe” tragjedi (1914), “Gomari i Babatasit” (Shkodër, 1924), “Mrizi i Zanave” (Shkodër, 1924), etj., të cilat janë botuar apo kanë mbetur pa u botuar.

Jeta dhe vepra e poetit kombëtar

At Gjergj Fishta, ka lindur mbas tre villezërve dhe nje motër te cilën e donte shumë. Në moshën 7-vjeçare ne vitin 1878 fillon mësimet e para te edukatës shkollore në gytetin e lashte Shkodër. Dy vjet më vonë, vijon mësimet e rregullta në Seminarin e Troshanit (shkollë e klerikëve katolik). 6 vjet më vonë shkon për të ndjekur studimet në Bosnje (në Kuvendin e Sutiekes), ku, merr dije në degën e filozofisë, ndërsa në Kuvendin e Livnos, mëson me adhurim në fushën e dijës teologjike.

Në një ditë të ftohtë, më 25.02.1894, në Kishën e Troshanit thotë meshën e parë, duke qenë i veshur me zhgunin dhe sandalet e zbathura të Shën Françeskut të Asizit. Ai ishte kapelan në famullinë e Lezhës, mësimdhënës e meshtar në Kolegjin e Troshanit dhe për 12 muaj gjendet në Gomsiqe të Pukës.

Në bashkëpunim me abating e Mirditës Imzot Prenk Doçin themelon Shoqninë

Letrare Kulturore “Bashkimi”, boton artikuj të rëndësishëm e të mrehtë, duke përhapur të vërtetën në një numër sa më te madh njerëzish. Ishte i pari që hapi klasat qytetëze, duke future gjuhën shgipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane. Ai më pas ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon e drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore-shkencore “Hylli i Dritës” (Shkodër, 1913). Fishta, hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisnë të dalin rregullisht periodikë te shtypit katolik dhe kulturorë në qytetin e Shkodrës.

Fishta, krijoi lidhje dhe ura bashkëpunimi me të gjithë albanologët e njohur evropiane asokohe, duke i pasur si bashkëpunëtore dhe bashkëtrajtues të shumë temave interesante mbi albanologjinë në trojet etnike shqiptare, gjuhën, visaret e kombit, traditën, letërsine, historine ndër shekuj, faqet e ndritura te krishtërimit të hershëm ndër shgiptare etj. Në bashkëpunim me liberatorin Luigj Gurakuqin themelon “Komisien Letrare” të Shkodrës (1916) e paralelisht drejton gazetën “Posta e Shqypnisë”.

Përvoja e tij e gjerë në zotimin per çeshtjen kombëtare bëri të mundur që ai me zhgunin e fratit të përfaqsojë atdheun e vet në Konferencën e Paqes në Paris, ku kryeson delegacionin diplomatik.

Duke perfaqësuar denjësisht alternativën e opozitës, Fishta ishte deputet i Shkodrës dhe zgjidhet n/Kryetar i Parlamentit. Me dorën e vet përuron hapjen e gjimanzit te njohur “Illyricum”‘ në Shkodër, që mbas kalimit në amshim do të marrë emrin e tij, por komunistët e mbyllin menjeherë me të ardhur në pushtet.

Më 1924 merr pjesë në levizjet politike te kohës, duke genë përkrah opozitës noliste dhe me pas emigron në Itali. Për kulturën e gjerë që kishte, emërohet Lektor Jubilar në Teologji e Filozofi. Ai dy herë është perfaqësues i delegacionit shqiptar në Athinë e Stamboll. Për tre vjet me radhë zgjidhet si Provincial i Urdhërit Françeskan në Shgipëri dhe një vit para se të mbyllte sytë ishte Akademik i Italisë, një ndër titujt më të mëdhenj, që ende nuk e ka fituar asnjë njeri i kombit të vet deri më sot. Pikërisht për këtë fat dhe ndër historiografia komuniste e anatemoi Fishtën deri në përbaltje për gjysëm shekulli, duke mos thënë asnjëherë arsyen, se ishte një atdhetar i flaktë dhe kundër shovinizmit racist dhe të tërbuar sllav.

Pesë ditë mbas Krishtlindjeve, më 30 dhjetor 1940 mbylli sytë (kaloi në amshim), ai që i hapi sytë gjithë popullit shgiptar. Fishta varroset në Shkodër, mes lotëve dhe pikëllimit të madh të bashkëqytetarëve, vëllezërve te dashur në Krishtin e Atdheun.

Kur eshtrat e tij ishin pajtuar me luminë e pasosun, ndodhi akti më kundër njerëzor, ku, eshtrat e tij zhvarrosën nga rregjimi i diktatorit të tërbuar kundërshqiptar e kundërkatolik Enver Hoxhës, ashtu sikurs ekishin vepruar turqit me eshtrat e Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të “Çetës së Profetëve”, “apo serbët me babain e grumbullimit të zellshëm e kodifikimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” At Shtjefen Kryeziu Gjeçovi dhe së fundi persëri komunistët eshtrat e trimit Ded Gjon Lulit udheheqësit të Kryengritjes se Malësisë së Madhe (më 6 Prill 1911), të cilat me përbuzje i udhën në ujërat e ftohta të lumit Drin.

Gjashtë vjet mbas vendosjes së demokracisë, për vlerat e së ciles ai punoi e jetoi gjithnjë, më 28 nëntor 1996, mbas 56 vjetëve At Gjergi Fishta, rrivarrosët me nje ceremoni, ku, merr pjesë gjithe hierarkia e klerit katolik, duke i bërë edhe nje herë nderim relikeve te rigjetura të eshtrave të tij. Para atyre pak eshtrave, që Zoti deshti ti ruante, u bënë nderime e homazhe në qendër të Kishës Françeskane e menjëherë filloi puna per të ribotuar serinë e veprave letrare të tij.

Pa Fishtën, historia e letrave shqipe do të ishte e mangët për te gjithë françeskanët shqiptare të përvuajtur. Ai ishte dhe mbeti një intelektual i madh dhe një atdhetar i papërsërishëm si shembull i përkushtimit plot devocion e dashuri të pakufishme. Pader Gjergji, ishte një njeri me vizione të qarta. Vepra e tij u bë burim frymëzimi dhe dashurie për trenomin Fe-Atdhe-Perparim, ç’ka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur kësisoj gjeniun në nivele të reja cilësore, që i ka qëndruar kohës edhe sot.

Vlerësime pozitive për poetin kombëtar kishte vazhdimisht, sipas këndvështrimeve të ndryshme mbi atë që ai dhuroi në letrat shqipe, si njohës i kthjellët i tërësisë të kulturës së tabanit te lashte autenik dhe përtej tij. Opinione pozitive, kanë shprehur përmes pendës dhe mendjes në kohe dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektuale të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkeatdhetarët e tij në Veri e Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shgiptare askohe dhe sot.

Kështu Karl Shtainmes e krahason poetin me Gëten e Shilerin, ndërsa francezët e thërrasin “Tirteu i Shqipërise”. Albanologu i njohur italiane At Fulvio Cordignano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fuçi të çuditshme ther e pren aty ku djeg.

“Ndërsa pesë vjet me vonë, albanologu i shquar italian Prof. Gaetano Petrotta, me pendën dhe mendjen e tij ka lënë të gdhendur këtë vlerësim shumë domethënes: “Ndër veprat e këtij eshtë shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdekshme e kanë për t’u bërë poezi e kombit të Skënderbeut…

I madh për të madhin Faik Konica, për At Gjergi Fishtën, në shenjë nderimi dhe respekti të thelle, ka lëne si deshmi te tij vlerësimin konçiz: “Kot të koti perpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letersinë e tyre një vepër më te plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Profesor Ernest Koliqi, thotë: “Fishta, ishte vravashka e shqiptarizmes e bashkimit në gjakun dhe gjuhën e përbashkët.” Për poetin brilant françeskan, që ka luajtur nje rol te rëndësishem ne Rilindjen Kombëtare Prof.

Abaz Ermenji, shkruan: “At Gjergj Fishta, eshtë ndoshta më i madhi poet shgiptar gjerë më sot.

Edhe ky pjesën më të rëndësishme të veprave të tij, ia pat kushtuar çështjes nacionale’ 

Më 1989, studiuesi At Danjel Gjeçaj (botues i Lahutës së Malcis në Itali), jep esencialisht këtë formulim: “

“… Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej, sepse në këngët e tija

ishte shgiptar, shgiptari në doke, nè kanu, nè mitologji, në foklor, në aspirata, në jetë, në lufte e në ngallnime.”

Poeti i valëve te Liqenit të Pogradecit e miku i tij i ngushtë Lasgush Poradeci, e pati cilësuar bukur meshtarin françeskan, si: “Shkembi i tokës dhe shkembi i shpirtit shgiptar.” Gjykim të mirë ka ka gdhendur albanologu italian Dr. Antonio Baldacci, ku, midis te tjerave sintetizon: “At Fishta, mund të thirret apostull i Atdheut të vet…”

Shkurt dhe saktë, duke bërë paralelizëm me historinë shumëshekullore shqiptare, At Augusto Gemelli, ka shkruar: “Në historin e Shgypnis, emni i At Fishtës do të rrij krahas me atë te Gjergi Kastriotit. Dy emna këta, të cilët janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme nji lumni e vetme”. Shkrimtari i shquar Prof. Martin Camaj, shkruan: “Mua me ka bërë pershtypje një gjë ne seleksionimin e shkrimtarëve të vendit. Janë ndaluar shkrimtarë qe ishin krejtësisht të talentuar. I tillë ishte Fishta, qe ishte shumë i kulturuar në pikëpamjet e letërsisë.”

Mbi korpusin e botuar të veprave të Fishtës në Kosovë, të ndara në katër vëllime, shquhet edhe shkrimi hyrës që shoqëron kryeveprën “Lahuta e Malcis”, shkruar me art nga studiuesi Prof. Anton Nike Berisha, ku, mund të kundrohet me endje parathënia me titull kuptimplote: “Vepër e genësisë së botës dhe shpirtit shgiptar”, ku, ndër të tjera autori Dr. Berisha sintetizon: “Rëndësia dhe vlera e “Lahuta e Malcis” dëshmohet pos tjerash edhe me aktualitetin gë ka kjo sot, qoftë si tematike, gofte si pasuri gjuhësore shprehëse dhe si kuptimësi: -ruajtja e genësisë shgiptare, forcimi dhe pasurimi i vetëdijes dhe vetëdijësimit kombëtar, për atë gellimin e fundit thelbësor që del nga gjithe vepra letrare e këtij krijuesi madhor për mirëqënien tonë të sotme dhe të nesërme.”

Fishta një shqiptar i devotshëm

Kontributi i Fishtës, është simbol i shgiptarizmës së kulluar. Vepra e tij madhore perbën një perlë të vërtetë ne fondin e arte te historise së letërsisë shqiptare. Si meshtar i përvuajtur i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua dhe respektua si bari shpirtëror shembullor nga, mbasi ai ruante të kristalizuar traditat tipike shqiptare, si besë, burrëri, guxim, trimëri etj.

Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e poetit kombëtar shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumanshme e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më se shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës, se Homeri shgiptar, nuk është aspak transplantim i teologjisë apo i parimeve të Urdherit Françeskan, të cilit me devocion i përkiste, por ndryshe, ishte me shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërterihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore.

Për më tepër kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën e kulturës botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez mbas brezi përmes puplës së denje të shkrimtarit cilësor.

Filed Under: Opinion

Jeta dhe veprimtaria e Ndre Mjedës si politikan dhe teolog

January 15, 2025 by s p

Inesa Sulaj/

Mjeda politikan – Gjatë viteve 1912-1915, Mjeda u angazhua kryesisht me politikën kombëtare, ndërkohë që eshte“thyer”pendën poetike. Pas 1912-ës kishin ardhur kohë vendimtare për fatet e Shqipërisë, prandaj Mjeda vendosi të sakrifikojë punët dhe planet e vjetra:ai iu kushtua plotësisht politikës kombëtare. Mjeda mori pjesë aktive në jetën parlamentare 1921-1924 duke u rradhitur në opozitën shqiptare,ku u shqua për opsionet,për përgatitjen e gjithanshme, për hartimin e ligjeve, për drejtimin me kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe për debatet në seancat plenare. Mjeda u zgjodh si deputet i Shkodrës që në krijimin e Parlamentit të parë Shqiptarë në vitin 1921.Që në fillimet e parlamentit, Mjeda u zgjodh si anëtar i komisionit parlamentar të bujqësisë, ku u dallua per kontributin e tij. Ai qe mjaft aktiv në debatet për bujqësinë shqiptare dhe për ndihmesën që dha për hartimin e projektligjit mbi favorizimin e bujqësisë shqiptare. Mjeda interesohej për Zadrimën, fshatrat në zonën e Luginës së Drinit, Barbullushin në periudhën që ishte deputet në Tiranë , për të zgjidhur ankesat dhe problemet e fshatarëve. Më 20.07.1921, Mjeda votoi kundër projektit të qeverisë së Xhafer Ypit për futjen e duhanit të huaj në Shqipëri,me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas.

Angazhimet e Mjedës në bujqësi lidheshin ngushtë me aspiratat e tij atdhetare e demokratike. Ai ishte i pari që solli veglat bujqësore për fshatrat e Zadrimës dhe shpenzoi një pjesë të mirë të kohës për tu marr me bujqësi. Mjeda synonte përmirësimin e jetës së popullit , kryesisht përmes punës së vetë njerëzve. Pas drejtimit të komisionit bujqësor, Dom Ndre Mjeda së bashku më Mustafa Krujën u caktuan në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Mjeda pati një veprimtari të gjerë në këtë komision parlamentar kryesisht për hartime projektligjesh. Mjeda u përfshi dhe në çështjen e Mirditës , në 03.07.1921 Mjeda dhe deputetët e Shkodrës , i drejtohen Kryeministrit, Iliaz Vrioni ku përshkruanin gjëndjen e vërtetë Mirditës, duke treguar rrugët e zgjidhjes së çështjes së Mirditës. Ai ishte krejtësisht i angazhuar në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit kombëtar.

Në 11 tetor të këtij viti u krijua me iniciativën e Avni Rustemit Bashkimi i Shenjtë që përbëhej nga 40 deputetë ku morën pjesë dhe Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi të cilët punuan për krijimin e një qeverie të aftë për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga ndërhyrjet jugosllave. Bashkimi i Shenjtë u shpërbë dhe filloi lufta mes dy partive politike të dy partive të mëdha: popullores dhe asaj përparimtares ku bënte pjesë dhe politikani Ndre Mjeda. Nuk ishin të gjithë deputetët në nivelin e Mjedës që të arrinin të përcaktonin bashkëjetesën në mes të diversitetit dhe unitetit , asaj që ishte e tanishme dhe asaj që do ishte e ardhme, e vetjakes dhe përgjithshmes.

Mjeda është ndër politikanët shqiptarë ndoshta i pari që solli praktikën e lobingjeve në Shqipëri, praktikë kjo e vendeve të qytetëruara, ku lufta politike dallohej për tolerancë e civilizim. Në vitin 1923 Ndre Mjeda së bashku me Hilë Mosin përgatitën projektligjin për zbritjen e taksës për lejet e gjahut të peshkut . Mjeda ngriti zërin në seancat e parlamentit, në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, të qytetarëve katolikë, për shtresat e varfëra të popullit si dhe për arsimimin e tyre. Në 05.03.1923 Mjeda u zgjodh në Komisionin e Arsimit, Punëve Botore e Bujqësi. Mjeda u tregua ndër më vepruesit në punimet e parlamentit duke punuar njëkohësisht në 2 ose 3 komisione parlamentare.

Ndre Mjeda që kishte njohur rregullat e lojës në perëndim, këmbëngulte për hartimin e ligjeve, rregulloreve që rregullonin veprimtarine e parlamentit. Njohës i mirë i ligjeve si dhe gjuhëve të mëdha europiane , ai kishte mundësi të shfrytëzonte përvojën e shteteve me tradita demokratike. Mjeda u caktua nga Komisioni i Drejtësisë dhe hartoi ligjin e Këshillit ligjgatitës të cilin e ndau në 4 kapituj me 25 dispozita , kapitulli 1 përmbante Krijimin dhe organizimin e Këshillit, kapitulli 2 përmbante Sekretarinë, kapitulli 3 përmbante Të drejtat dhe detyrat e Këshillit dhe kapitulli 4 përmbante Dispozitat tranzitore. Ndre Mjeda hartoi rregulloren e parlamentit Rregullorja e brendshme e Parlamentit e cila u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Këto dispozita përcaktonin ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij.

Mjeda kryesoi komisionin parlamentar të arsimit , ai shqyrtoi organikën e Ministrisë së Arsimit , nga pozita e tij si specialist i vjetër i kësaj fushe . Ai paraqiti në cilësinë e kryetarit të komisionit të arsimit, 3 projektligje të rëndësishme për arsimin kombëtar: ligji organik për profesorët e shkollave të mesme, ligji mbi mësuesit shëtitës dhe ligji mbi revistën pedagogjike.

Në vitin 1923 Parlamenti Shqiptar krijoi komisionin parlamentar të posacëm, Komisionin e Arkeologjisë me në krye Ndre Mjedën. Mjeda njihej për interesimin e tij për gjetjet arkeologjike në vendin tonë, i cili i konsideronte si një nga burimet më efikase për të vërtetuar autoktoninë e shqiptarëve. Me këtë rast u angazhuan studiuesi nga Viena, Dr. Karl Patsch, Justin Godart i cili ishte shef i kërkimeve arkeologjike franceze në Shqipëri dhe Leon Rey arkeologu francez. Ndre Mjeda së bashku me ministrin e arsimit bënë përpjekje për të kufizuar zonat në të cilat ishte planifikuar për të bërë kërkime arkeologjike nga pala franceze në Durrës edhe pse qeveria franceze donte të kishte të drejtë të bënte kërkime në gjithë territorin shqiptar.

Në 12.05.1923 në parlament pasi filluan bisedimet mbi projektligjin mbi komunitetet fetare , Mjeda ngriti zërin për të drejtat e qytetarëve katolike ndërkohë që njihet për përpjekjet për të respektuar besimet e të tjerëve, për të bashkëpunuar e dialoguar me të tjerët.16 Përpjekja e Mjedës për të biseduar me deputetët ortodoksë, flet për botëkuptimin e tij demokratik. Në 1925 Mjeda u tërhoq përfundimisht nga jeta politike , dhe vendos ti shërbejë atdheut në një fushë tjetër në atë të gjuhësisë.

Mjeda Teolog – Ndre Mjeda filloi të shquhej që në moshë të rë për një talent natyror në fushën e letrave dhe shkencave humane.Kjo gjë u dallua dhe u kultivua në kohën e studimeve të gjata të viteve 1880-1895,kur që në moshën 16 vjecare ai u dërgua për studime nga jezuitët në vende të ndryshmë të Europës si: Itali Cremona,Chieri), France(El Pog ,Cosse-le,Vivien),Kroaci (Kraljevica), Spanjë (Porta Coeli,Ara Christi) dhe deri në Poloni)Krakow. Këtu Mjeda përfundoi studimet e larta u shugurua për meshtar të kishës katolike e më pas u laurua dhe Doktor në Teologji. Me kthimin në atdhe , Ndre Mjeda realizoi një prej planeve të tij më të zjarrta: të bëhej misionar. Ai ishte një nga teologët më të shquar të etërve jezuite. Ai botoi shumë libra në ndihmë të meshtarëve si dhe katekizma për të mësuar doktrinen e krishterë. Në 15 qershor 1895 Ndre Mjeda merr kungimin si prift dhe shpallet At i Shoqërisë së Jezuitëve në Kroaci.

Disa prej hartimeve dhe përkthimeve biblike që u botuan gjatë jetës së tij studentore: Jeta e Shën Gjon Brechmansit(1888), Përngjasimi i Zojës së Bekuar përkthyer nga spanjishtja në Romë (1888). Këtë aktivitet Mjeda e vazhdoi dhe pas kthimit në atdhe , duke qënë kjo edhe një fillim i mbarë për zhvillimin e mëtejshëm të arsimimit kulturor e fetar, të cilin ai e kultivoi tërë jetën. Gjatë punës shumëvjeçare baritore e shpirtërore në famullitë: Vig , Mnelë (1899-1900), Dajç të Zadrimës (1902-1906), Kukël (1907-1937) dhe disa famulli të tjera përreth , duke parë nevojën e mësimeve biblike në shqip Mjeda vazhdoi të merrej me përkthimin dhe hartimin e librave shpirtërorë e teologjik. Në vjeshtë të vitit 1898 Mjeda u largua nga Shoqëria e Jezuitëve , një ndarje me karakter të qetë e diplomatik.Në 1899 me kthimin në atdhe , ai u vendos famulltar i Vigut ku qëndroi deri në 15 mars 1902. Gjatë periudhës që Mjeda ishte famulltar i Vigut, krahas angazhimeve të shumta në fushë të letërsisë, gjuhësisë e historisë, ai reformoi gjithë veprimtarinë e tij famulltare. Në këtë mes përfshihet dhe puna e tij për restaurimin e banesës së famulltarisë, dhe kishës.

Në vitin 1901 ai hartoi një doracak të vlefshëm me alfabetin e jezuitëve për famulltaritë e fshatrave, por edhe besimtarët, me titullin “E diela ndër kisha t’katundeve” me një gjuhë të pastër e të kuptueshme duke shpjeguar veprimet që bëhen në kishë,si nga prifti ashtu dhe nga besimtarët. Ndërsa pjesa e dytë që përfshihej në këtë doracak ishte një katekizëm i shkurtër i doktrinës së krishterë më titull T’mbledhunit e vocërr e msimit t’Kshten”. Në prill të vitit 1902 Mjeda vendoset sekretar i Ipeshkvit te Sapës dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1906.

Dom Ndre Mjeda ishte kryetar i Apostullimit të Uratës, si dhe anëtar i Komisionit të ndërtimit të kishave. Mjeda vetë ndërtoi kisha e qela të ndryshme, si Kishën e Shën Mëhillit në Vig , Kishën e Mnelës, Kishën e Kodhelit, Kishën e Nënshatit ku mori pjesë dhe drejtpërdrejtë në ndërtimin e saj. Mjeda ka kontribuar dhe ka qënë bashkëpunëtor i revistave Elcia, Kumbona e së Diellës, Leka, Hylli i Dritës dhe Zani i Shna Ndou. Ndërkohë që jepte mësim në Dajç të Zadrimës në vitin 1904 Ndre Mjeda ka bërë shërbime fetare në ndihme të një famulltari Imzot Lazër Lisma .

Në 17 mars 1905 Mjeda mori detyrën në një nga famullitë më të vjetra në Grash , ku hartoi dhe ndërtoi një qelë me dy kate ku banoi dhe vetë. Në vitin 1907 kur Mjeda u vendos në Kukël, kisha qelë ashtu sikurse i gjithë fshati ishin në gjëndje të vajtueshme . Ai shërbeu plot për 30 vjet në famullinë e Kuklit . Fillimisht ai filloi ndërtoi shtëpinë famullitare dhe më pas Kishën me ndihmën financiare të Perandorisë së Austro –Hungarisë. Mjeda për nevojat e kishës ,për shtresën rinore përktheu dhe botoi, librin Historia Shejtë të teologut të njohur të Kishës Katolike Roberto Ballarminit dhe Katekizmi i Madh e cila ishte një përmbledhje e shkurtër e mësimit të krishterë, i cili gjatë vitit 1927 pati 4 botime. Për edukimin e brezave të rinj shqiptarë, Mjeda përktheu edhe librin e njohur për rininë europiane “Shën Luigi Gonxage”, botuar në Shkodër 1927. Duke vlerësuar rolin që në historinë shqiptare kishte Zoja e Bekuar –nëna e Jezu Krishtit , Mjeda e vuri pendën e tij të mbrehur në funksion të kësaj shenjtëreshe. Ndaj botoi në Shkodër në vitin 1929 edhe pjesën e parë të librit Lumni e Zojës së Bekueme, libër që u përkthye që nga koha studentore. Më pas ai përgatiti një libër tjetër Jeta e se Lumës Virgjin Mri nxjerrë nga vepra Ceta e Profetëve P.Bogdan, botuar në Shkodër 1930. Mjeda, me anë të shkrimeve, hartimeve, përkthimeve të shkëlqyera, shpalosi njohuritë e thella që kishte në fushën e teologjisë.

Filed Under: Histori

PREÇ ZOGAJ, MIRËNJOHJE NGA VLORA!

January 15, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Një ngjarje e shënuar letraro-kulturore e hijeshoi Vlorën – Qytetin e Diellit dhe Detit ditën e premte të 10 Janarit 2025, kur në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë erdhi kryemiku i asaj paraditeje poeti i njohur shqiptar Preç Zogaj. Ai e kishte nisur nga Gjirokastra Udhëtimin Poetik të Shenjtëruar me librin më të ri me poezi të zgjedhura “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, për të marrë bekim në Qytetin e Flamurit. Dhe Vlora e mirëpriti me bujari, siç di të presë mëmëzonja e Pavarësisë. Ai erdhi dhe u përcoll siç i takon, si mik i lartë, burrë me vlera, njeri i mirë dhe zotni i ditur e me zemër të madhe, sepse Vlora e ka njohur, e ka dashur, e njeh dhe e do për virtytet e tij dhe ndihmesën e rëndësishme që i ka dhënë letërsisë shqipe, prozës dhe poezisë, publicistikës dhe gazetarisë, kulturës kombëtare dukshëm, si dhe politikës e shtetit shqiptar. Preç Zogaj erdhi në Vlorë i shoqëruar nga zotërinj të nderuar dhe miq të mirë të shkrimit të mendimit dhe ndjenjës si: poeti dhe studiuesi dr. Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, nga studiuesi i njohur i letërsisë, ish-pedagog i “Universitetit “Eqerem Çabej” Gjirokastrë, prof. Gëzim Basha, Pedagog i Letërsisë Moderne në Universitetin Wisconsin, SHBA, si dhe nga dr. Henri Çili – një figurë e njohur në sferën akademike dhe publike në Shqipëri, me një karrierë të mirënjohur si themelues dhe drejtues i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i këtij vëllimi poetik të jetës së autorit Zogaj. Ai u prit siç pritet miku fisnik nga vetë Rektorja e Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, prof.dr. Aurela Saliaj, nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, prof.dr. Ronad Zisi, ish – Rektor i Universitetit tonë, studiues i njohur i Letërsisë shqipe, nga pedagogë e mësues, studentë e nxënës të shkollave të mesme të qytetit, poetë, shkrimtarë dhe artistë, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, gazetarë, intelektualë dhe dashamirës të poezisë së tij. 

Veprimtaria, që u zhvillua në sallën “Ali Asllani” të Universitetit pati pjesëmarrje të madhe, seriozitet, vëmendje dhe interes të dukshëm, që u vërejt në diskutimet, pyetjet, përgjigjet dhe mesazhet që u përcollën, në vlerësimet për “Pasqyrën e mëkatit” si vëllimin poetik të jetës letrare 40-vjeçare të lezhjanit tonë 67-vjeçar, ndjenjathellit e mendimurtit të përmasave kombëtare Preç Zogaj. 

E zonja e shtëpisë, Rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, prof. dr. Aurela Saliaj e përzëgoi autorin për vlerat që i lë letërsisë shqipe dhe vlerësoi dëshirën e tij për ta sjellë më pranë të rinjve, pse jo për t’i nxitur që edhe ata të lexojnë dhe shkruajnë poezi. Pas paraqitjes së jetëshkrimit letrar të autorit Zogaj që bëri znj. Deliana Proj, njohjen me veprën letrare dhe autoritetin krijues të poetit e bëri dr. Henri Çili, botues i “UET” PRESS, ndërsa një vështrim analitik të thukët e bëri prof. Gëzim Basha – një njohës shumë i mirë i veprës së autorit Preç Zogaj, ardhur enkas nga Amerika. 

Takimi vijoi në formën e një bashkëbisedimi të dëlirë midis autorit dhe pjesëmarrësve në sallë, i moderuar nga përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë prof. as. dr. Monika Hasani Hoshafi.

Pjesë e diskutimit mbi natyrën, stilin, karakteristikat dhe elementët e veçantë të poezisë së Zogajt, të prodhuar në trajektoren e 40 viteve gjatë periudhave të ndryshme të jetës sa tij, u bënë nga pedagogët dr. Ermir Xhindi – kritik i njohur dhe mendimtar letërsie, nga dr. Edlira Çerkezi, pedagoge letërsie në departament dhe Msc. Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës shkencore dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë.

Nuk e quaj të udhës të flas për mjetet letrare e stilistikore të poetit, veçoritë e profilin letrar të Preçit, ngaqë nuk dëshiroj të përsëris ato që dihen apo atë që e kanë bërë të tjerët më mirë se sa unë, as të përshkruaj çfarë folën lektorët seriozë të asaj veprimtarie mbresëlënëse në Universitetin e Vlorës, sepse poezia e zgjedhur e Zogajt është e mirëpritur nga lexuesi i çdo moshe. Ajo rron se mbushet sa te thjeshtësia e autorit, tek kultura e tij e plotë, sepse i ka rrënjët në gurrën e kulluar popullore dhe trupin e fortë, degët me lule me aromë të këndshme, ndaj gjethet poetike i çelin të reja në çdo poezi, të tijat, origjinale, të freskëta, të pastra, të kaltra, të shëndetshme, të dobishme, me frymë moderne e fytyrë qytetare, me eshtër kombëtare, me  vlera artistike dhe estetike të larta. Se është poezi e vlerësuar, prandaj e ka vendin sipër, tek poezia e mirë shqiptare, që lexohet me ëndje dhe dëshirë, se ka art të bukur dhe mesazhe të larta humane. Dhe për këtë i shprehim mirënjohjen e gjithëkohshme poetit lezhjan, që është edhe nga Vlora, edhe nga Elbasani, edhe nga Gjirokastra, edhe nga Tropoja, edhe nga Tepelena, edhe nga Skrapari, edhe nga Durrësi, edhe nga Shkodra, edhe nga Gjakova, edhe nga Skrapari, edhe nga Saranda edhe nga Ulqini, edhe nga Fieri, edhe nga Korça, edhe nga Pogradeci, edhe nga Mirdita, edhe nga Dibra, edhe nga Preveza… Ai vërtet vjen nga areali poetik i Lezhës, por tashmë i përket poezisë shqipe. Poezia e Preç Zogajt është Karta e Identitetit të Dashurisë Njerëzore, në të gjitha kuptimet dhe shkallëzimet e mrekullueshme që rrok hapësira e kësaj fjale; është Pasaporta e Mirënjohjes Dritërore në të gjitha virtytet bujare që rrok organigrama e këtij visari shpirtëror. Sikurse në jetën e përditshme aktive të këtij personaliteti, këto cilësi që shpreha e vërejmë “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, librin 550 faqsh me poezitë e zgjedhura të 40 viteve: 1984-2024, duke iu qasur tematikave të larmishme, me ngjyra të ngrohta dhe të ëmbla, me fuqinë e imazhit, të tejdukshme, të paububushme, me gjuhën e ndjerë të një poeti të vërtetë dhe për të vërtetën, një  pjesë e tyre botuar për herë të parë. Ai është një poet i lindur, por ka ditur ta mbajë, ta ruajë dhe t’i shërbejë si duhet shëndetit letrar, duke lexuar e krijuar vijueshëm e përditësueshëm letërsinë më të mirë botërore dhe shqiptare, duke krijuar stilin e tij, gjuhën e tij për poezinë gjithmonë të re, që, si një mjeshtër i artit të fjalës, di ta përcjellë realitetin jetësor në të gjitha këndvështrimet e mundshme, me të gjitha ngjyrat e dukshme dhe të padukshme, me gjerësi e thellësi metaforike në vargje lakonike, me trishtim e optimizëm, bukur e me dhembje, me dashuri dhe plagë, të bekuar nga humanizmi letrar, estetik dhe religjioz, në ballë të luftës së pambarimtë të së resë me të vjetrën, pa u dukur, pa u mburrur, që unë jam ai luftëtari përparimtar.

Vargjet e Zogajt të ngelen në mendje, sepse kanë shumë kuptime, të fusin në mendim dhe të frymëzojnë të bëhesh i mirë, i bukur dhe i dobishëm edhe në vjershërim, sepse siç u shpreh studiuesi i tij G. Basha “Përmbledhja e poezisë së zgjedhur të Preç Zogajt është një kaskadë gjuhësore mahnitëse dhe manifestim i plotë i maturisë estetike, që konfirmon jo vetëm vendin e autorit në hierarkinë kanonike të poezisë shqipe, por edhe kapacitetin e sotëm të shqipes për ta mbërrirë sublimimin poetik me spontanitet fluid”. 

Atë ditë, tek “Ali Asllani” në Universitet, në fjalën time të vogël për nderim të Preçit tonë të madh, si njeri, si mirësi, si letërsi artistike dhe estetike, si standard i lartë intelektual dhe qytetar, gazetar, politikan e shtetar, i urova me zemër mirëseardhjen në Vlorë dhe në emër tim, edhe të poetëve të Vlorës, që e vlerësojnë dhe e nderojnë. Ai ka arritje në poezi, sepse mbështetet me elegancë në folklor, pa u zënë në befasi nga folklorizmi, sepse pi ujë të kulluar nga gurra dhe i shijon. Dhe vijon Udhëtimin shkrimor e poetik në këmbë, me dinjitet, me emrin e tij të përveçëm. Por, si mund ta harrojmë ne që Preç Zogaj tha ato fjalë aq të mira dhe na vlerësoi shumë Ali Asllanin dhe Fatos Arapin e mua m’u bë zemra mal. Ai kujtoi engjëllorin Ndoc Gjetja dhe Rudolf Markun modern, duke u treguar pa u dukur një shembull i shkëlqyer i Mirënjohjes. Në parantezë, vlen të theksoj se Universiteti ynë ka krijuar një traditë të mirë për paraqitjen e poetëve më në zë para studentëve tanë, kolegëve të penës dhe miqve të shumtë. Kemi bërë përurime të autorëve të njohur si Rudolf Marku, Mero Baze, Vllasova Musta, Daut Gumeni, Odise Kote, e do ta vijojmë me dëshirë e mirësi stafetën, krahas autorëve tanë të Vlorës, patjetër. 

Para auditorit të përzgjedhur e shumë të interesuar, përmenda faktin, që unë kam nga Lezha tash e gjysmë shekulli Tonin Nikollin, vëllamin tim jo vetëm poetik dhe i kujtova, që ai, burri i lartë Preç Zogaj, sikurse Petraq Risto e Xhevdet Shehu, janë treguar dashamirës me ne, kur, në rininë e hershme studentore, apo më herët si nxënës të blertë në Tiranë, na botonin shkrimet e vjershëzat tek “Zëri i Rinisë” mua, Odise Kotes, Toninit, Adrian Lagjit, si letrarë të rinj të atyre viteve… 

Ndërkohë, ne në Vlorë, ndihemi mirë dhe bëhemi besimtarë shpirtërorë te shenjtëria e trinisë. Ku e kam fjalën. Fatmirësisht, na kujtohet, që nga tre qytete të vegjël “provincialë” si Lezha, Tropoja dhe Tepelena dolën nga tre trima atë poezisë së re, dhe, përkatësisht nga Lezha: Ndoc Gjetja (dritë kujtimi!), Rudolf Marku e Preç Zogaj, nga Tropoja Hamit Aliaj (dritë!), Ndoc Papleka e Skënder Buçpapa, nga Tepelena Petrit Ruka dhe Qazim Shemaj (dritë u pastë kujtimi), si dhe Iliran Zhupa, të cilët tronditën “bablokët e metropolit”, u hëngrën arrët ujqërve të Tiranës dhe qyteteve të mëdha… edhe pse nuk mund të pranohet si term akademik, 3 Trinitë themeluan shkollat poetike të Lezhës, Tropojës e Tepelenës, pa le të bëhen xhelozë “të rëndët”… 

Ne kemi Poetin e Vlorës, Hiqmet Meçaj e “Tokës së pagjumë”, identitarin tonë të ndritshëm në rrafsh kombëtar, i cili u shfaq lart qysh nga viti 1963, që në vitin 1983 fitoi çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit”, që pati shumë, shumë dashamirës, por patjetër edhe ca të verbuar nga ligësia dhe paaftësia. Sikurse 3 lezhjanët, 3 tepelenasit, 3 tropojanët, edhe Hiqmeti Ynë na frymëzonte shumë dhe na frymëzon, aq më tepër për sfidat e tij nëpër dallgët dhe furtunat e kohës, që ka përballuar me stoicizëm, deri sot në moshën 81-vjeçare… 

Shkurt, atë ditë me Preçin u kënaqëm dhe mësuam shumë. “Është gëzim për mua, kur shoh Poet Preçin midis jush! Është bukur, kur Universiteti juaj bëhet zëdhënës i Shkrimit dhe Shkruesit! Është lumturi kur shoh Bashkimin Poetik të krijuesve shqiptarë”, më shkruan Tonin Nikolli nga Zvicra. “Takim mbresëlënës me mjeshtrin e poezisë shqipe, poetin Prec Zogaj në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, u shpreh poeti dhe shkrimtari Eqerem Canaj, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. “Ishte një ndër takimet më moderne të kohëve të fundit, duke u nisur nga mënyra e organizimit, etika organizative dhe respekti që z. Preç imponon me atë çka prezanton në krijimtarinë e vet shumëplanëshe” tha mësuesja e devotshme dhe poetja e njohur e Vlorës Anila Toto. 

Dhe në fund të këtij takimi me vlera, si qershia mbi tortë u regjistrua në kujtesën e Universitetit dhe të Vlorës së kulturës edhe një kujtim i bukur i poetëve vlonjatë me poetin e njohur shqiptar Preç Zogaj, pas përurimit të vëllimit poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” në sallën “Ali Asllani”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, e premte, 10.01.2025:

Nga e majta në të djathtë: Ergys Alushi, dr. Aleksandër Çipa, prof. Gëzim Basha, Anila Toto, prof. Aurela Saliaj (Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, dr. Henri Çili (botues, themelues dhe drejtues i UET), Preç Zogaj, Eqerem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Elma Rama dhe Albert Habazaj.

Faleminderit, Rektore për këtë mundësi që na dhe, që solle Poetin Preç Zogaj në Vlorë!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 539
  • 540
  • 541
  • 542
  • 543
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT