• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani priti në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma

January 10, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma. Në këtë takim u ritheksua aleanca e palëkundur mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.


Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces.

Të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Në takim u diskutua për përkushtimin e Kosovës për reforma në sundimin e ligjit, avancimin e qeverisjes së mirë dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.


Presidentja Osmani dhe Sekretari Verma diskutuan gjithashtu kontributin e Kosovës në çështjet ndërkombëtare, përfshirë pritjen e qytetarëve afganë, mbështetjen për Ukrainën dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe sigurisë globale.

Filed Under: Rajon

Fisnikëria e një zemre amerikane – «Feld American Service» në Shqipëri

January 10, 2025 by s p

Luan Rama/

Disa herë më ka rënë rasti të vizitoj varret e ushtarëve amerikanë në brigjet e Normandisë, në Collevile-sur-Mer, varret e ushtarëve që zbarkuan dhe ranë në Omaha Beach apo në Utah Beach, atëm ëngjes qershori të vitit 1944. Mijra varre të bardhë me mermerin e Karrarës mes të cilëve dhe ai i serxhentit Frederick Niland, alias «ushtari Rayan», rreshtuar si në kohë lufte mes atij gjelbërimi dhe paqeje të pafund, duke treguar sakrificën e madhe të popullit amerikan. Të tjera varreza të ushtarëve amerikanë, kësaj rradhe të luftës së Parë Botërore, gjënden në tokën e Francës si në Suresnes, Argonne, Saint-Michel, Oise-Aisne, Somme, Aisne-Marne de Bellau… Janë varret e atyre ushtarëve që kapërcyen oqeanin dhe në shenjë solidariteti në vitin 1917 erdhën në ndihmë të aleatëve për triumfin e Paqes dhe që të ndërtohej një botë e re. Këto mijra varre, jashtë Amerikës, përtej Atlantikut, janë dëshmia e shpirtit të madh amerikan e cila nuk u tregua vetëm në tokën franceze.

Një ditë, tek po punoja rreth versionit frëngjisht të librit të sapo botuar «Bonjour d’Albanie», mbi ushtrinë franceze në frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore, një miku im më pyeti i habitur? – Pse, ka patur amerikanë në Korçë gjatë kësaj lufte? – Po, – iu përgjegja, duke i treguar një mori fotografish që kisha botuar dhe që ishin foto të marra nga fotografët francezë të misionit fotografik të Ushtrisë së Lindjes (L’Armée d’Orient), e cila vepronte në kufirin jugor shqiptar, në zonat e Korçës, Pogradecit e më pas Devollit, Ersekës dhe luginës së Shkumbinit. Në fakt, historia e amerikanëve në Korçë dhe Pogradec gjatë Luftës së Parë Botërore ka qënë pak e njohur, për të mos thënë aspak. Përshkrimet historike mungojnë, madje dhe këto foto, janë vendosur së fundi në sitin e Mediatekës Franceze të Arkitekturës e Fotografisë në Paris. Por ishin disa kujtime të botuara të vullnetarëve amerikanë të «Seksionit 10» të «Feld Amerikan Service», që dëshmojnë në mënyrë më konkrete veprimtarinë e amerikanëve në frontin shqiptar, veçanërisht në zonën e Korçës, në liqenet e Prespës, Ohrit, Maliqit apo dhe në Leshnicë e malet përreth.

Në vitet 1916-1917, mijra amerikanë erdhën të ndihmonin aleatët francezë, britanikë, italianë, etj, në luftën e tyre kundër ushtrive austro-hungareze, bullgare e turke. Forcat kryesore u angazhuan në Francë, pranë ushtrisë franceze e britanike apo dhe asaj italiane, ndërkohë që vullnetarë të tjerë amerikanë erdhën gjer në Ballkan, siç ishte dhe «Seksioni 10» i ndihmës, ku amerikanët u angazhuan me automjetet e tyre të ambulancave, kuzhinës lëvizëse, etj, që të ndihmonin në këtë luftë të jashtëzakonshme.

Fronti shqiptar në të kohë bombardohej natë e ditë nga aviacioni austriak e gjerman. Një ditë u bombarduan dhe qytetarët e Korçës çka shkaktoi një panik të madh në qytet. Një fakt interesant na sjell në ditarin e tij të luftës dhe ushtari francez Roger Pernot, i cili tregon për bombardimet e avionëve mbi ushtarët aleatë dhe mbi njerëzit e pafajshëm, shtëpitë, qytetet. Ai tregon sesi ishte rrëzuar një nga këta avionë. “… S’ka dyshim që është «boshi» që na ka bombarduar ditët e fundit, ai që vrau automobilistin amerikan dhe kolegët e tij, i cili vërtitej sipër kokave tona në ditët me diell… »
Historia e «Seksionit të 10»-të të «Feld American Service», në Ballkan nis kur kjo njësi, me automjetet përkatëse, e ngarkuar në anije në portin e Marsejës, më 26 dhjetor 1916 u nis drejt Selanikut ku ishte dhe shtabi i Ushtrisë Aleate, e komanduar nga gjenerali francez Maurice Sarail.

Ndër vullnetarët amerikanë ishin Henry M. Suckley, Hamilton Lillie, William Dennison Swan JR, Franck J. Taylor, Burnet C.Wohlford, William J. Losh, etj. Nga Selaniku, seksioni amerikan i ndihmës i drejtuar nga kapiteni Henry M. Suckley, u dërgua menjëherë drejt Korçës ku shumë shpejt, veç qytetit, ata u vendosën edhe në Goricë e Zvezda. Një tjetër unitet, ai i quajtur “Standford Unit” u dërgua në fillim të korrikut 1917 për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve, duke ndjekur kështu operacionet e ushtrisë franceze në liqenet e Maliqit, Ohrit, në malet rreth Pogradecit, Korçës, etj. Në ditarin e tij, James W. Harle JR, nga New York City, i cili kishte hyrë në këtë shërbim që në shkurtin e vitit 1915, duke iu bashkuar pastaj “Seksionit 10”, në ditarin e tij përshkruan vrasjen e shefit të tij Henry Suckley, të cilin ai e konsideronte si një nga “njerëzit më simpatikë që kishte njohur në jetën e tij”.

Në fakt, në 19 mars 1917, Suckley, mjeku përgjegjës i seksionit, ishte në Zemblak duke drejtuar transportimin e të plagosurve francezë. Pranë tij ishin bashkëpatriotët e tij si Robert Wood, nga Esathampton, Long Island, Jo Richardson nga Boston, si dhe shoferi i tij, ndihmësi shqiptar dhe një kuzhinjer. Në mesditë, ata vështruan një avion armik, i cili filloi të bombardonte mbi ata edhe pse në tendat e tyre ishin shenjat e Kryqit të Kuq dhe se bëhej fjalë për një ambulancë mjeksore. Pas katër bombave, avioni ishte kthyer sërrish dhe duke hedhur dy bomba të tjera, njëra prej tyre vrau ndihmësin e tij shqiptar si dhe plagosi rëndë shefin e seksionit, Henry Suckley. Ushtari Jo ishte ngritur menjëherë dhe kishte vrapuar drejt shefit të tij të plagosur, i cili i pëshpëriti se ishte prekur në bark. Tutje dergjej ndihmësi shqiptar, emrin e të cilit ne nuk e dime. Cili ishte në të vërtetë? Menjëherë Suckley-n e kishin transportuar me ambulancë drejt Korçës, ndërkohë që kuzhinjeri i seksionit ishte plagosur në këmbë. Në tregimin e tij, James W. Harle JR. mes të tjerave shkruan për qëndrimin gazmor të shefit të tij në spitalin e Korçës dhe bezdinë e tij që po merreshin shumë me të, ndërkohë që ata duhej të bënin diçka për luftën.

Por të nesërmen në mëngjes, Suckley kishte dhënë frymën e fundit. Po atë ditë, në drekë, ai ishte përcjellur me nderimet ushtarake për në varr. Ndër të tjera, në kujtimet e tij ai shton: ”Oficeri francez, lietnanti Constant, u bë zëdhëndës i ndjenjave tona përmes një fjalimi të thjeshtë por gjithë hire, duke thënë: “Para se të jepte jetën në shërbim të Francës, Suckley i kishte kushtuar vendit tonë të gjitha forcat e tij morale, intelektuale e fizike. Që prej dy vjetësh në ushtrinë franceze, me angazhimin e tij ai kishte merituar “Kryqin e Luftës”, duke bashkuar në një thjeshtësinë e ushtarit dhe cilësitë e larta të një prijësi. Ai vlerësonte se për t’i bërë për vete ushtarët e tij, duhej tu tregonte shëmbullin e tij në mënyrë të admirueshme. Më kujtohet që një mbrëmje, pas një beteje të ashpër dhe të gjatë, mes borës dhe stuhisë, duke menduar se roja e natës duhej të ishte tepër cfilitëse për ushtarët e tij të lodhur, ai kërkoi që edhe pse ishte shefi i tyre, ta kryente vetë. Si mund që pas kësaj ushtarët e tij të ankoheshin? Ai jetonte me ata, mes tyre, punonte me ta dhe njëkohësisht i komandonte. Ai ishte më i miri nga ne dhe ai u vra. Por mbi të gjitha, vdekja e tij ishte heroike. Sapo u godit, ai kërkoi që të merreshin me të tjerët, edhe pse vetë ishte goditur tepër rëndë. Ai asnjëherë nuk mendonte për veten e tij. Me cigaren në gojë atë e transportuan në spital… Ne i detyrojmë mirënjohjen tonë. Vdiq për Francën duke treguar se dhe në këtë tokë të largët është fisnikëria e një zemre amerikane!…»

Për vdekjen e Suckley kishte shkruar në kujtimet e tij dhe William Dennison Swan JR., nga Massachusets, i cili e kishte ndjekur bombardimin e asaj dite në Korçë dhe periferinë e saj. «Atë mëngjes u ngrita herët dhe shkova ne spital për të çuar një të plagosur. Mora vesh lajmin e tmerrshëm se Suckley po vdiste. Avioni armik i kishte hedhur bombat në rrugën e Zemblakut. Kur kishte dëgjuar avionin, Henry kishte nxituar në dalje të tendës së ambulances, por një nga bombat kishte rënë 15 jard larg tij. Edhe pse i prekur rëndë, me vetëdije siç ishte, atë e dërguan me ambulancë në Korçë, ku qëndroi deri mëngjesin e ditës tjetër, kur dhe vdiq. Gjatë gjithë kohës ishte me vetëdije, pinte duhan dhe bënte shaka e diskutonte ngrohtësisht me shokët e tij. Ai ankohej vazhdimisht që pse e shqetësonin kur do duhej që ata të ishin atje ku bëhej lufta. Ai vdiq paqësisht në orën 9 të mëngjesit. Pasdite u varros me ceremoni ushtarake. Ne që ishim në front nuk mundëm ta përcillnim në funeralet e tij, por kjo ishte ajo që donte dhe ai…”
Në ditaret e tyre të luftës, veç ngjarjeve në front, bombardimeve, të vrarët, transportimit të pagosurve, për bombardimet veçanërisht në Zemblak, Bilisht, Shuli, Gorica apo në malet e Leshnicës, ata përshkruajnë edhe episode jetësore, në kontakt me njerëzit, duke i treguar ato me një ndjesi humori.

William J. Losh, nga San Françisko, tregonte se si kishte shkuar njëherë në Korçë për të festuar ditëlindjen e tij. Mbushte 21 vjeç. Një tjetër ditë, në një rrugë të pjerët kodrinore, duke pritur t’i ftohej motori i makinës, ai kishte parë dikë që vinte hipur mbi gomar, veshur me një fustanellë gjer në fund të këmbëve dhe që i binte gomarit. Për të qeshur, ai i kishte thirrur në anglisht: ”Hello Jo! Përse i bije gomarit!…” Por tjetri i ishte përgjigjur menjëherë po në anglisht. Amerikani ishte habitur nga kjo e papritur, por shpejt, shqiptari ia kishte kthyer se sapo ishte kthyer nga Pittsbourgh i Pensilvanisë. “Të vish nga Pittsbourgh në një rrugë vetmitare, veshur me një kostum të habitshëm, duke rrahur një gomar?! – kishte shpërthyer me të qeshura ushtari William. Në ditarin e tij, Hamilton Lillie kishte shkruar: “E djelë 20 maj 1917. Në kthim nga fshati i Zhelovës, duke hyrë në Korçë, pikëtakova përballë një kortezh dasme. Përpara ishin gomerët e ngarkuar me baullet dhe kuti druri të lyera bukur, ndërsa mbrapa, gomarin me nusen me vello e shoqëronte burri i saj. Gjithë njerëzit shtyheshin që të shikonin kortezhin.

Sipas ceremonisë së martesës, çifti nuk duhet të rrijë sëbashku gjatë dy ditëve. Martesa bëhet gjithnjë të djelën dhe festimet e dasmës janë gjatë gjithë javës. Të hënën, në një karvan me muzikë, prindërit shkojnë për të parë nusen…” Më tutje ai shtonte: “E hënë 21 maj. Takova në rrugë delegacionin e plakave që shkonin të shikonin nusen që ishte martuar dje. Të gjitha kishin hapur çadrat e zeza dhe shoqëroheshin nga një vajzë që i binte tamburasë.” James W. Harle JR, na tregon dhe historinë e një vajze adoleshente që fshatarët e Zhelovës donin ta çonin tek mjeku. “Këmba e saj ishte fryer tmerrësisht duke filluar nga gjuri dhe ajo kishte dhimbje të mëdha. E mora vajzën me ambulancë. Në Bilisht nxitova menjëherë tek dhoma e mjekut francez, një burrë i këndshëm, i cili pasi i pa këmbën më kërkoi shpjegime, por duhej përkthyer. Atëherë zbrita në rrugë dhe thirra: ”A ka këtu ndonjë që flet anglisht?… Një shqiptar shtatlartë e i dobët u shfaq nga turma dhe erdhi të pyeste se ç’donte amerikani…” Në fletoren e tij ai tregon sesi një ditë ai kishte kapur dy aviatorë gjermanë, një lietnant dhe një mitralier, të cilët, meqë motorri i avionit kishte filluar të bënte zhurmë, kishin flakur bombat mbi liqen dhe nga frika kishin zbritur. “Mendoj se duhet të jem i pari amerikan që ka kapur një gjerman, – shkruante ai. – Terreni ishte gjithë gropa dhe helika kishte goditur tokën duke e kthyer avionin me kurriz dhe duke i flakur aviatorët sikur të ishin bretkoca gjigande. Shkova drejt avionit të përmbysur në drejtim të pilotit duke i thënë se ata ishin robërit e mi. Pranoi duke mu përgjegjur me një frëngjishte më të mirë se timen… Me siguri duhej të ishte aviator që kishte vrarë Henry Suckley dhe dy të tjerët…”

Më 21 shtator, nga Korça, Brunet C.Wohlford, nga Escondido, jo larg nga Kalifornia dhe student i Universitetit të Stanford, përshkruan një çast nga beteja në zonën e brigjeve të Ohrit: “Sulmet franceze u zhvilluan në zonën e liqenit të Ohrit. Objektivi ishte të shtyhej linja e frontit për të penguar furnizimet e gjermanëve nga Durrësi dhe Manastiri. Francezët duan ta pushtojnë rrugën Korçë-Manastir që mbahej nga gjermanët dhe nga ora 3 e mëngjesit u zgjova nga sulmi që kishte filluar dhe menjëherë u dërgova në postin tim. Atje u takova me një lietnant francez dhe bashkë me të u zvarritëm në lartësinë e një kodrine për të parë fushën e betejës. Dallova që francezët ishin në një grup kodrinash dhe përballë tyre, austriakët në disa kodrina të tjera. Mes tyre ishte një luginë jo e madhe që përshkohet nga një lum i vogël. Bateritë e topave francezë kishin si detyrë që të bënin te heshtnin llogoret gjermane përballë, të cilat ishin në faqen malore. Mund të shikoje vetëm dritën e mitralozëve francezë, pasi mitralierët ishin fshehur mes drurëve. Ishte një zjarr i madh që bëri të heshtin pushkët gjermane, duke i detyruar të tërhiqen. Pastaj këmbësoria u hodh në sulm dhe e mori kodrinën. Nuk e di nëse ndeshën shumë rezistencë apo jo, pasi pashë çekët që dorëzoheshin në të shumtën e rasteve, vullnetarisht.”

Lexoj këto fragmente shkrimesh e kujtimesh dhe imagjinoj për një çast Heminguein 19 vjeçar, që dhe ai, si këta amerikanë të frontit shqiptar zbarkonte si ushtar në Itali. Amerika dërgonte në Europë ushtarët e saj… Dhe ai ishte një ndër të parët amerikanë që plagosej në frontin italian kundër austriakëve: 227 plagë të lehta dhe dy plumba në të dyja këmbët… Ai e përshkruan me një emocion të thellë plagosjen e tij dhe kohën kur infermierët dhe mjekët qëndronin mbi kokën e tij… Ishin këto imazhe që ai do t’i përshkruante dhe në romanin e tij, Lamtumirë armë, roman që kur ishim të rinj nuk e ndanim nga dora, apo në letrat që u dërgonte prindërve, ku ai u shkruante: «Të dashur prindër. Kam marrë pjesë gjatë gjithë betejës së madhe dhe kam një koleksion me pushkë e municione austriake, dekorata gjermane e austriake, por në morinë e kujtimeve të mia, mbart në mëndje imazhin e aq shumë të vrarëve dhe robërve austriakë, saqë toka ishte nxirë e tëra… Të 227 plagët që më bëri topi i transhesë përballë, për çastin nuk më shkaktuan dhimbje, por vetëm pata përshtypjen se këmbët e mia ishin në këpucë kauçuku plot ujë që ziente. Kur kapiteni, një shoku im, më pa kishte thënë: «I varfëri Hem, së shpejti do të prehet në Paqe!…» Dhe në një nga poezitë e tij të luftës, të titulluar ”Në fushën e luftës”, Heminguei do të shkruante: “Vdekja e ushtarëve asnjëherë nuk është e bukur / Atje ku ata bien kryqet vendin shënojnë / Kryqe druri ka atje ku janë varret / Ngulur mbi fytyrën e tyre janë…”
Nga fundi i luftës, në vitin 1918, në frontin shqiptar erdhi në Korçë gjenerali Humbert, në një kohë mjaft kritike kur shqiptarët kishin frikë se me largimin e ushtrisë franceze, formacione të ushtrisë greke futeshin në jugun shqiptar për të ripushtuar Korçën, Ersekën, Përmetin e Pogradecin. Pikërisht atëherë francezët krijuan zonën e administrimit ushtarak francez të kufijve shqiptarë (të jugut) në mënyrë që mos t’i lejonin grekët të kapërcenin kufirin.

Për pritjen e gjeneralit në Korçë shkruan atëherë dhe revista e emigrantëve shqiptarë të “Federatës Vatra” në Amerikë Review Adriatic, nën titullin “Vive la France, Vive l’Albanie!: “Populli i territorit të Korçës pati rastin të manifestojë ndjenjat që ushqen për Francën në praninë e gjeneralit Humbert që mbërriti në Korçë në 4 qershor dhe që u prit me thirrjet “Vive la France, Vive l’Albanie!” Trupat e milicisë lokale dhe ato të xhandarmërisë, me prijësit e tyre në krye mbanin flamurin shqiptar. Ishte i njëjti flamur që i kishte udhëhequr krahas francezëve në luftën kundër të njëjtit armik…” Nga kjo periudhë e luftës ka mbetur në arkivin shqiptar dhe një fotografi mjaft simbolike dhe që tregon një grup vullnetarësh shqiptarë që me uniformat e tyre të luftës niseshin drejt frontit shqiptar. Para tyre, dy flamuj kryqëzohen së bashku: flamuri shqiptar dhe ai amerikan…

Filed Under: Histori

Faik Konica në zanafillat e teorisë së përgjithshme të përkthimit

January 10, 2025 by s p

Prof. Dr. Remzi Përnaska, Prof. Dr. Tomorr Plangarica/

Kumtesa është hartuar duke u mbështetur në vepërzën e gjeniut Konica: sprovë për gjuhët natyrore e sendërgjuara – studim për një prej çështjeve madhore të gjuhësisë së përgjithshme teorike që kishte zënë mendjet nga më të ndriturat e Evropës së fundit të shekullit të 19-të dhe të fillimit të shekullit të 20-të e më tej.

Vepërza e Konicës mundëson në vijimësi interpretim dhe rikuptimësim të koncepteve të mesazheve që bart. Ngaqë qasjet ndaj kësaj vepre janë të kursyera edhe sot e kësaj dite, e ngaqë natyra e saj, si në tërësi korpusi konician, u shmanget shtjellimeve të gjera, duke u endur kryesisht mbi maja lartësish, pa u shqetësuar shumë për rrugëtimin deri atje, qasjen tonë në mënyrë të ndërgjegjshme e pozicionojmë në rolin e lexuesit të një epoke tjetër, që joshet e entuziazmohet nga vlerat e trashëguara, i cili ka mundësi të rindërtojë kuptimet e bartura në tekst, e për më tepër, të interpretojë mesazhet, duke plotësuar në këtë mënyrë lakunat e natyrshme tekstore që bart teksti për më tepër, një tekst konician, e një shekull më parë.

Po nisem nga këto dy parakushte epistemologjike:

teoria e përgjithshme e përkthimit, e përvijuar tashmë si dije, mbështetet mbi kontribute studimesh dhe përvojash përkthimi që përftuan në një kohë të caktuar përvijimin e saj si dije sistemore; angazhimi i Konicës në ato fillime të përvijimit të teorisë është serioz, mbresëlënës dhe grishës, pa komplekse, madje tejet ambicioz;

një dije formësohet si e tillë, ndërsa qartësohen profile të veçanta; shqyrtimi, një sistem konceptesh të ngjizura në një terminologji funksionale dhe një ecuri e përshtatshme kërkimi; Konica, edhe pse u end në hapësirat e kursyera të shqyrtimeve teorike, arriti të specifikojë profile të veçanta që do të çonin në një dijë të veçantë, vuri në funksionim një tërësi konceptesh duke u ndeshur atyre një sistem marrëdhëniesh të veçanta në përftim e përkthim dhe po ashtu u prir ta ngulisë kërkimin duke përvijuar njëherazi hapa që mundësojnë një metodologji funksionale në shqyrtim. Argumentet e tij përftohen në hapësira që përbënin nivelet elitare të diskutimeve të fillim shekullit XX në fushën e gjuhësisë e kulturës në përgjithësi, debate, shqyrtime dhe trajtime që do të mundësonin në dhjetëvjeçarët në vijim lindjen e disiplinave të veçanta si stilistika, gjuhësia psikologjike e psikolinguistika, e më tej neurolinguistika, gjuhësia gjenerative; etj.

Dikursi konician përftohet i lidhur ngushtë me diskurset elitare shkencore e kulturore franceze të fillim shekullit XX dhe konsiderohet i denjë prej tyre për përkatësinë në ato hapësira. Duhet theksuar që guximi i Konicës për t’u bërë pjesë e shqyrtimeve, trajtimeve dhe debateve për probleme tejet delikate të gjuhësisë së përgjithshme teorike të fillimit të shekullit XX është jo thjesht tregues i statusit shkencor të përvijuar prej tij tashmë por edhe i autoritetit e peshës specifike që mund të merrte ky autoritet në kushte më të favorshme për dijetarin. Shqyrtimi i këtij statusi a këtij autoriteti shkencor të çon në kuota të larta të intelektualizmit të kohës në Paris, pranë zërave autoritare, të tillë si Apolineri, Rëmi dë Gurmon-i, etj.

Gijom Apolineri në shkrimin e vet “Për dy vepra për çështjen e gjuhëve të sendërgjuara” nuk ngurron të pohojë: “Por libri i vet është i një të dituri… Mendimet e Pyrrhus Bardylis janë të shquara. Kjo pjesë e veprës së vet pjellë e teorive të Rëmi dë Gurmanit për imazhet dhe metaforat, duhet të njihet mirë prej të gjithë përkthyesve”.

Ky vlerësim madhor na shtyn të zgjedhim të trajtojmë pikërisht ndihmesën e poligrafit shqiptar për teorinë e përgjithshme të përkthimit.

Në kohën që botoi këtë vepërzë (1904) nuk kishte një teori të përgjithshme të përkthimit, ndaj edhe titulli i kumtesës ngërthen fjalën zanafillë. As Faiku nuk ka lënë një teori të përkthimit, por vepërza ka lëndë të bollshme për të nxjerrë në dritë idetë themelore të autorit tonë të parapëlqyer, lëndë të bollshme për të vënë në pah ndihmesën e tij madhore për një teori të përgjithshme të përkthimit. Sipas Konicës, gjuha, si formë e ekzistencës sonë, është treguese dhe shprehëse e përkatësisë dhe veçantisë së “racës” sonë.

Për fat, në hapësirat në të cilat do të vendoseshin më vonë dijet e teorisë së përgjithshme të përkthimit, Konica endet paraprakisht dhe vë piketa interesante, ngaqë pikë vështrimet e tij ishin të orientuara nga njohja dhe interpretimi i veçantive të gjuhës/ligjërimit, prej të cilave burojnë funksionet e gjuhës, të cilat pa mëdyshje Konica ngulmon t’i vërej më gjerë sesa thjesht komunikuese; funksionet shprehëse, emocionale, estetike janë të bashkëhartuara njëherazi në gjuhë, sipas Konicës. E pikërisht, duke i njohur gjuhës këtë shumësi funksionesh, atij i shpërhapet horizonti në interpretimin më të plotë të letërsisë artistike dhe në këtë kuadër edhe të përkthimit të letërsisë.

I bindur në drejtësinë e tezave të tij, të cilat priret t’i ilustrojë e konkretizojë me shembuj jo të paktë, Konica vendoset natyrshëm në pozicione interpretimi që do të njihen në gjuhësi si “relativizëm gjuhësor”, me përfaqësues Worf-in e Sapir-in, teza që me variacionet e pësuara në rrjedhë të kohës, me mënjanimin e ridaljen sërish në gjuhësi mbeten joshëse edhe sot.

Dhe argumenti i tij i parë, themelori, është vetë konceptimi i gjuhës. “Një gjuhë, e shqyrtuar në marrëdhëniet e saj me tërësinë e njerëzve që e flasin, mund të përkufizohej si fizionomi tingullore e racës (nënvizimi ynë). Sepse … fjalët janë përfaqësuese të gjenisë kombëtare, si për nga tingëllimi i tyre i izoluar dhe vetë vlera e tyre, ashtu edhe për nga natyra e kombinimeve që janë paracaktuar të formojnë”.

Dhe ai godet përsëri fort: “Të marra në vetvete, qoftë në tërësinë, qoftë në detajet, gjuhët janë në lidhje edhe më të ngushta dhe më të drejtpërdrejta me mendjen dhe me pamjen e racës”.

Me një fjalë, dhe kjo është vënë re shumë herë, gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e vet të zakonshme të drejtojë idetë analitike, e qartë dhe e përkorë – frëngjishtja; e prerë dhe e thatë – anglishtja; me ndërtim të squllët me tipare të flaskëta – italishtja. Ja, sa për shembull, tri gjuhë të shënjuara qartë nga karakteri i tri racave përkatëse.

Konica erdhi në parashtrimet e fushës së përkthimit duke zotëruar teorikisht e praktikisht mjetin që realizon procesin; njohjen e thelluar të problematikës që lidhet me gjuhën, ligjërimin, kulturën dhe estetikën e gjuhës; madje me një njohje të thelluar të teknologjisë së përftimit të procesit te komunikimit përmes gjuhëve natyrore, njohje e përforcuar me argumente, duke u vënë përballë me procesin e eksperimentuar të komunikimit përmes gjuhëve të sendërtuara, si laboratori në të cilin shkencëtari edhe në prani të eksperimentit të dështuar, njeh gjithsesi rrugët që nuk e çojnë në sukses; duke vijuar të adhurojë atë çka natyra e ka përftuar mrekullisht dhe duke mos mënuar të qaset ndaj atij objekti njohjeje të vazhdueshme.

Konica teorizon dhe përcakton veçanti të procesit të përkthimit pasi parashtron qartë dhe pa mëdyshje veçantitë e mjetit të përdorimit në atë proces, të gjuhës, të lidhura ngushtë me aspektet e përkatësisë së saj (raca) dhe procesit të përdorimit nga shkrimtarët a individët; me statusin e veçantë që mjetet gjuhësore fitojnë në kohë (vështrimi diakronik) i ndryshimeve gjuhësore dhe në hapësira, për gjuhë përkatëse.

Autori ynë, me dijet e gjera që ka, mund t’i shtojë edhe më shembujt domethënës për shkaqet e ndryshimeve në gjuhë, por është i bindur se “Gjuha është në ndryshim të përhershëm” ndaj vrojtimi ynë nuk i kap disa gjëra, ngaqë përdorimi ua ka zbutur thepat dhe i përkasin diakronisë. “Nëse do të mundnim t’i shihnim gjuhët në tërë historinë e tyre, në historinë e të gjitha fjalëve të tyre dhe të të gjitha rregullave të tyre, do të shihnim në të njëjtën kohe që asgjë në to nuk është e rastësishme dhe që në to gjithçka është në lidhje të ngushtë me karakterin e racave përkatëse”.

Vlerat në komunikimin letrar përftohen ndërsa rezonojnë me veçantitë dhe cilësitë e racës/ gjuhës përkatëse, me talentin e shkrimtarit dhe me statusin kulturor të lexuesit.

Për të, raportet e shprehura prej fjalëve ndryshojnë, në një farë mase, tek i njëjti popull, si edhe nga individi në individ. Dhe autori kthehet përsëri te letërsia, ku vlera e fjalëve përcaktohet edhe nga ndjeshmëria e veçantë e lexuesit, çka sjell që çdo libër do të ndjehej nga secili lexues në mënyrën e vet, të ndryshme nga ajo çka ka dashur shkrimtari; dhe këtij do t’i “duhet të përdorë një metodë tjetër për të krijuar në mendjen e lexuesve atë gjendje që dëshiron: ai do t’i lidhë fjalët midis tyre, do t’i shoqërizojë me të tjera, duke i grupuar, duke i ndarë dhe duke përdorur në atë mënyrë që të krijohet një mjedis i veçantë, që do të prekë ndjeshmërinë e lexuesit në mënyrën e parashikuar, dhe jo në një mënyrë të panjohur dhe të pasigurt, si do të ndodhte nëse mendimi i autorit do t’u besohej vetëm fjalëve krejt të nevojshme. Ky art për ta bërë për vete ndjeshmërinë e lexuesit është stili vetë”.

Të kuptuarit e stilit si një trinitet, ku intergrohen natyrshëm tri përbërës, raca/gjuha përkatëse me veçantitë e saj, shkrimtari dhe lexuesi veçse ia modernizojnë më tej pamjen parashtrimeve të tij, madje ia zgjerojnë përkatësinë kohore ideve të tij, duke ia shtyrë kufijtë edhe shumë vite më tej, në vitet e mëpastajme. Ai thekson “Stili rezulton pra në një farë mënyre nga bashkëpunimi i racës dhe i dorës së lexuesve me shkrimtarin. Stili është vetë ky trinitet, aq misterioz dhe aq i pandashëm sa edhe tjetri”.

Në parashtrimet e Konicës duket se gjejmë grimca e thelbe të teorive të sotme të komunikimit, që i japin një vlerë të veçantë, në raport me kodin gjuhësor, dhënësit , folësit, thënësit dhe nga ana tjetër marrësit, dëgjuesit, lexuesit, bashkëthënësit, si interpretë që japin e marrin në procesin e ndërtimit së bashku të domethënieve përmes shenjave tekstore; e në procesin e komunikimit përmes tekstit e në varësi të kodeve gjuhësore, kulturore, psikologjike… që vetë lexuesit zotërojnë, e që i vënë në funksionim në atë proces, interpretojnë e i japin kuptim tekstit vetë.

Përfillja e rolit të lexuesit në procesin e receptimit të veprës letrare do të përbëjë sërish ndër ato piketa në të cilat vite më vonë do të përvijoheshin teori dhe interpretime që do të formonin drejtime të mëdha në shqyrtim, si estetika receptive, pragmatika letrare, etj.

Për autorin tonë, lexuesit, për nga shkalla e zgjuarsisë së tyre, niveli kulturor, edhe natyra e shijeve të tyre, ndahen në disa kategori. “Shkrimtari i drejtohet detyrimisht një dore lexuesish.

Askush nuk do të dinte të shkruante për të gjithë kombin; ai që do të donte ta bënte këtë, do të detyrohej ta përshtatë gjuhën e vet me gjuhën e dorës së lexuesve me pak të mësuar – i ngjashëm me një admiral që përshtat ecjen e skuadrës së vet të anijeve me shpejtësinë maksimale të anijes së vet më pak të shpejtë. Një shkrimtar i tillë do të përfundonte për pasojë që të mos përdorë veçse 200 ose 300 fjalë që formojnë fjalorin e një argati ferme”.

Dhe Faiku tregohet vërtet largvajtës: Sipas tij, roli i shkrimtarit qëndron jo të ndjellë, po të pohojë; jo t’i bëjë njerëzit të ndiejnë, po të kuptojnë; jo të lërë të kuptohet, po të rrënjosë”. Dhe ai është tërësisht kundër kësaj. Një përkthim thuajse i përkryer mbetet i mundshëm kur të dyja gjuhët kanë pasuri të barabarta dhe zhdërvjelltësi të barabartë.

Pasi ka folur për gjuhën në lidhje me ata që e kanë krijuar, dhe në lidhjet e veta me të huajt që e mësojnë ose e marrin, ai krejt natyrshëm flet për raportet nga gjuha në gjuhë. Dhe për t’ua ruajtur natyrën argumentuese këtyre lidhjeve nuk hapërderdhet, por përqendrohet vetëm në një shfaqje të tyre, parashtron disa vështrime për përkthimin, dhe iu futet drejtazi fakteve duke vënë re se nuk ka ende asnjë teori të përgjithshme të përkthimit. Asnjë parim i përgjithshëm nuk i udhëheq përkthyesit të cilët marrtas mëtojnë të japin shijen e veprës. Për Faikun, ky mëtim është i mrekullueshëm, por ai që kërkon domosdoshmërisht është sendërtimi i këtij mëtimi pra si të vihet në jetë.

Le t’ia lemë fjalën mjeshtrit të konceptimit dhe formuluesit të rrallë si ai; ‘Ja ç ‘duhet të jetë, për mendimin tim, pikënisja e një teorie të përkthimit.

Çdo libër i lë njëfarë përshtypje lexuesit. Pra, përkthyesi, duke e shkruar të njëjtin libër në një gjuhë tjetër, duhet të shkaktojë në ndjeshmërinë e lexuesit të huaj një përshtypje të ngjashme, në mos po të njëjtë me atë të përjetuar prej lexuesit të tekstit origjinal. Parakuptohet, pra, se përkthyesi, në teori, nga njëra anë, të jetë kaq i mësuar me gjuhën e tekstit sa t’i kapë ngjyrimet më pak të kapshme; dhe, nga ana tjetër, kaq i mësuar me gjuhën e përkthimit sa të jetë në gjendje të kalojë në të gjithçka ka ndjerë”.

Dhe menjëherë një e papritur prej penës së polemistit tonë të mprehtë, një e çarë logjike në arsyetimin e tij mbërthyes: “Pra, si u përpoqa të provoj, kjo bashkëjetesë e dy gjendjeve gjuhësore tek i njëjti njeri nuk është e mundur”. Po i njëjti Faik gjetiu pat pohuar se një përkthim i përsosur është (teorikisht) i mundur.

“Përkthyesi nuk ka të drejtë të qortojë, të ndreqë gabimet e shkrimtarit. Le të marrim me mend një tekst francez dhe që një gabim si “mettre en exedution: nuk është gabim i rëndomtë; ai ka veçantinë të jetë formuar në analogji me “metre en oeuvre”. Do të duhet, pra, të zgjidhet në gjuhën e përkthimit, një gabim i çfarëdoshëm, por që të ndjellë një mekanizëm analogjik të krahasueshëm me atë që ka përcaktuar gabimin e tekstit.

“Librat e përkthyer duhet t’u nënshtrohen në të vërtetë dy kritikave të dallueshme; njëra të ketë të bëjë me veprën e përkthyesit, tjetra me veprën e shkrimtarit origjinal. “Kritika e para është shumë më e rëndësishme, sepse, para se të jepet një gjykim për një libër të përkthyer, ka rëndësi të dihet deri në ç ‘pikë ai pasqyron mënyrën e shkrimtarit”.

“Përkthyesi nuk duhet të tërhiqet përpara çdo ndryshimi, edhe sikur të jetë i detyruar t’i shtojë tekstit një paragraf të tërë nga xhepi i vet për të përftuar përshtypjen e dëshiruar”.

“Por këtu përkthyesi mund të bëjë një pyetje të hollë: po të kishte për të përkthyer një vepër të vjetër, p.sh., një tragjedi të Shekspirit, cilën gjuhë do të duhej të zgjidhte për përkthim? Në të mirë të gjuhës moderne do të ishte arsyetimi që gjuha e Shekspirit nuk kishte asgjë arkaike për bashkëkohësit e poetit; ajo, si gjuhë, bënte po atë përshtypje te spektatorët e asaj kohe që bën te ne edhe një pjesë dramatike e shkruar prej një autori të kohës sonë. Duke e dhënë përkthimin në gjuhe moderne, do t’i vinim spektatorët në një gjendje gjuhësore të barasvlershme me atë të vetë spektatorëve për të cilët pati shkruar Shekspiri”.

Pasi ka folur për kushtet në të cilat përkthimi gjendet përballë imtësive, pasi parashtron problematikën që haste në procesin e përkthimit në lidhje me arkaizmat, shprehësinë e fjalëve në tekst, nivelet e regjistrat gjuhësorë, e veçanërisht përballjen me përkthimin e përdorimeve metaforike, ai kalon tek e tëra, dukuritë më të rëndësishme të së cilës janë, sipas tij, veçimi dhe ritmi.

“Quaj veçim aspektin e ri që përfton një vepër, menjëherë sapo zhvendoset nga mjedisi i vet, ndahet nga veprat që e rrethojnë.”

“Po kaq e rëndësishme sa pyetja e veçimit dhe e grupimit është edhe ajo e ritmit”. Ritmi i jep stilit më shumë se gjithçka pamjen e lëvizjes dhe të gjallërisë. Është qarkullim gjaku dhe rrahje zemre. Gjithashtu, ai është karakteristika më vendimtare e shkrimtarit të vërtetë. Të mos kesh ndjenjën e ritmit, do të thotë të mos e njohësh gjuhën si një të tërë, dhe të mos ajgëtosh prej tij veçse dritëza të turbullta dhe të herahershme”.

“Meqë çdo gjuhë ka një ritëm të përgjithshëm, secili shkrimtar ka ritmin e vet karakteristik që e dallon nga shkrimtarët e tjerë. Pra, ka rëndësi të dorës së parë që të provohet t’i jepet përkthimit hovi që ndjell teksti origjinal”. Dhe për ta shkoklavitur këtë ekuacion me disa të panjohura për njohjen e plotë të një gjuhe, jep shtatë njohje të veçanta, të pjesshme, si edhe lidhjet ndër vedi:

1. Njohja gramatikore: mënyrat e matarimit të fjalëve midis tyre.

2. Njohja leksikore: vlerat objektive ose të përhershme të fjalëve.

3. Njohja letrare: vlerat subjektive ose të çastit të fjalëve.

4. Njohja kritike: vlerat subjektive e fjalëve në çaste të ndryshme të historisë së një

letërsie të dhënë.

5. Njohja ritmike: nocioni i lëvizjes së fjalëve të organizuara në grupe.

6. Njohja etimologjikë: kërkimi i atësisë së fjalëve. Për shembull, hote vjen nga latinishtja hospitem.

7. Njohja thelbësore: kërkimi gjenealogjik i fjalëve. Për shembull, thelbi i fjalës hote duket te fjala sanskrite ghas, që do të thotë ha: hote është pra, për nga thelbi ai që ju ftoni në sofrën tuaj ose ai që ju fton në të vetën.

Këto shtatë njohje mund të përvetësohen jo domosdoshmërisht në rendin e shënuar më sipër. Rëndom, studimi i njohjeve gramatikore dhe leksikore bëhet në të njëjtën kohë. Shumica e të huajve ndalen me kaq. Dhe me të vërtetë, vetëm njohja letrare dhe ritmike ju bëjnë ta ndjeni një vepër”.

“Përkthyesi duhet të shkojë madje deri te njohja kritike. Sepse po t’i duhej të përkthente një libër të vjetëruar, do t’i duhej të jetë i aftë, deri në njëfarë mase, ta lexojë me sytë e lexuesve të kohës së botimit. Për sa u përket njohjeve etimologjike dhe thelbësore, kjo është punë e gjuhëtarit dhe mund të jesh përkthyes i shkëlqyer e megjithatë te mos i zotërosh hiç”.

Kriticizmi i natyrshëm i dijetarit në procesin e shqyrtimit të objektit të tij të studimit ia lë vendin po aq natyrshëm edhe entuziazmit që përftohet njëherazi prej thellësisë në njohje, talentit e origjinalitetit në këndvështrim. Kërkues dhe mëtues gjithnjë i të përsosurës, ideales, Konica nuk e mohon atë as në fushën e përkthimit, por e sheh atë të përftuar gjithsesi në kufijtë që e kapërcejnë të zakonshmen. Ballazi ai pohon: “Nga tërësia e vërejtjeve të mia për përkthyesit, ndoshta, shtyhesh të nxjerrësh përfundimin se për mendimin tim përkthimi është përpjekje e kotë.

As që e mëtoj një gjë të tillë. Me gjithë pamundësinë që ka përkthyesi t’i ndjejë nga fundi në krye dy gjuhë njëherazi, një përkthim thuajse i përkryer mbetet i mundshëm, kur të dyja gjuhët kanë pasuri të barabarta dhe zhdërvjelltësi të barabartë. Atëherë, me përpjekje diturake dhe me hollësinë e ndjeshmërisë së vet, përkthyesi do të mundë t’i afrohet, deri në cekje, kësaj përsosurie ideale drejt së cilës duhet të synojë. Domosdoshmërish i shkëputur, prej ligjeve të trashëgimisë, nga zotërimi i një gjuhe që s’është e tij, përkthyesi do të ndreqë këtë të metë të qenësishme të natyrës së vet si i huaj, duke i shtyrë sa më larg që të jetë e mundur caqet e njohshme të një gjuhe të huaj”.

Në mbyllje – Shkëndijat e gjenialitetit u pasqyruan në vepërza e shkrime të ndryshme të Konicës, por jeta nuk i mundësoi atij të punonte dhe përftonte një teori sistemore të pikëvështrimeve të tij dhe të prodhonte në këtë mënyrë edhe një vepër të plotë që do të pasqyronte dhe funksionalizonte këndvështrimet e tij në fushën e përkthimit. Gjithsesi tekstet që priren të trajtojnë ide e teza të guximshme e tejpamëse për kohën (dhe teksti i Konicës është i tillë), bashkë me zbrazëtitë a lakunat që bartin natyrshëm, kanë aftësinë të futen në proces komunikimi me lexues të epokave të mëvonshme, e të rezonojnë me to, të ngjallin interesin e lexuesit pavarësisht nga natyra josistemore e shprehjes së ideve e opinioneve; lexuesi i kohëve të mëpastajme rindërton kuptimet e synuara me kompetencën që i ofron epoka e re; ky proces rindërtimi të kuptimit të mesazheve prej lexuesit të sotëm përfton jo pak entuziazëm në lidhje me tekstet e Konicës, sepse këndvështrimet e tij qëndrojnë jo pak herë në bazën e dijeve të sotme, pavarësisht se referencat tona janë për autorë të tjerë, të shkollave e drejtimeve të ndryshme evropiane, që patën fatin që nuk e pati Konica (i cili, jo për arsye të nivelit, nuk arriti të imponohej në ‘tregun’ e ideve të kohës); studiuesit e tjerë i bënë të njohura dhe të përvetësueshme idetë e tyre. Gjithsesi, duke e bërë pjesë të ‘tregut’ të sotëm të ideve, vepra e tij të nxit të rikuptimësosh mesazhet e përvojat që bart, të cilave koha nuk ia ka zbehur hijeshinë, dhe prej të cilave përkthimtaria jonë shton gjithsesi diçka më shumë në përmasën e saj.

Kumtesë e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare Ditët e Albanologjisë organizuar nga Instituti i Studimeve Albanologjike, Prishtinë, 23 maj 2016.

Filed Under: Opinion

Si u krijua SHPA “Çamëria” 34 vjet më parë

January 10, 2025 by s p

Nga Hilmi Saqe

Themelues/

Në këtë 34 vjetor të krijimit të Shoqërisë Çamëria është momenti që jo vetëm të besojmë në fuqinë tonë si trashëgimtarë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të vlerësojmë mençurinë e burrave që e deshën shumë Çamërinë dhe sakrifikuan gjithcka për të. Krijimi i Shoqërisë Politike Atdhetare Camëria (Sot Shoqata patriotike Camëria), në 10 janar të vitit 1991, është një ngjarje historike në historinë e kombit shqiptar, pasi shënon fundin e heshtjes së madhe për këtë problem të madh kombëtar.

Politika izoluese e regjimit komunist jo vetëm që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar, por i privoi refugjatët camë në Shqipëri nga shumë të drejta njerëzore e kombëtare, duke i trajtuar si njerëz të kategorisë së dytë, jo si gjithë qytetarët e tjerë. Madje në vitin 1953 u hoqi shtetësinë greke arbirtrarisht, me një dekret të posaçëm antikushtetues, të njëanshëm, duke e ndërlikuar edhe më shumë cështjen përpara drejtësisë.

Lufta kundër nesh çamëve dhe shpresat për rikthimin tonë në Çamëri po veniteshin nga heshtja dhe mospërfillja e zgjidhjes së çështjes sonë nga shteti komunist shqiptar, gjë që na kishte revoltuar të gjithëve, por diktatura ndaj gjithë shqiptarëve kishte gati Shpatën e Demokleut. Shembujt e kokave që iknin ishin mijëra dhe të pafajshëm. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “Grupit të Teme Sejkos”. Por, me shpalljen e pluralizmit politik, ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.

Nga Dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi u aktivizuam së bashku me shumë të tjerë në themelimin e SHPA ”Çamëria”, dhe në luftën për zgjidhjen e cështjes sonë për kthimin sa më të shpejtë që të ishte e mundur në vendin tonë – në Çamëri, e cila ishte mohuar, luftuar e denigruar nga diktatura moniste shqiptare. Nuk ishte rreshtuar një numër i kufizuarish atdhetarësh, por të gjithë shqiptarët e Çamërisë që jetonin në Shqipëri, që nga Konispoli dhe deri në Shkodër. Për këtë gjë është shkruar shumë dhe një kontribut të madh dha edhe gazeta “Çamëria – Vatra Amëtare”.

Për këto veprimtari një pjesë e vogël është dhënë edhe në vëllimin e I-rë dhe të II-të të ”Gjenocidi Grek kundër Çamërisë dhe helenizimi i Shqipërisë vazhdon”, por në mënyrë të përgjithëshme dhe koherente i ka dhënë gazeta jonë “Çamëria – Vatra Amëtare”.

***

Pas ndryshimit të sistemit në vitin 1991-1992 në pamje të parë u duk se çdo shenjë dhe mënyrë fuksionimi e shtetit dhe partive do të ndryshonte me rrënjë, por sistemi ndryshoi vetëm emërtimet e partive dhe të shtetit, dhe në thelb çdo gjë pothuajse mbeti e njëjtë, në përmbajtje dhe pjesërisht në formë për shqiptarët e ndershëm dhe veçanërisht për ne çamët.

“Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria”, ishte e para Shoqëri me karakter kombëtar që u krijua ishte “Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria”, në programin dhe statutin e së cilës u përcaktua gjithçka në rrafshin kombëtar për sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes çame.

Momentet e para, para themelimit të SHPA ”Çamëria” ishin shumë shpresëdhënëse për çdo shqiptar të Çamërisë. Kjo gjë u shfaq në gjithë hapësirat ku jetonin çamët dhe jo vetëm. Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, filluan organizimin për krijimin e Shoqërisë Çamëria, qysh në dhjetor 1990, me biseda të veçanta me grupe. Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë hija e diktaturës.

Patriotët çamë u organizuan vetë, pa i shtytur njeri, në familjen e tyre çame, për të kontribuar edhe në çështjen kombëtare. Organizimi, me synim krijimin e shoqatës, filloi nga mesi i dhjetorit 1990. Resul Taipi, ushtarak, nga Grikëhori, vendlindja ime, ishte një nga organizatorët e palodhur në ngritjen e seksioneve në lagjet e Tiranës dhe të Degëve nëpër Rrethe dhe bashkë me të tjerë, krijuan mundesinë në shtrirjen e Shoqërisë Camëria në gjithë Shqipërinë.

Takimet e para të koordinuara u bënë studion e skulptorit Ilmi Kasemi, në shtëpinë time, në shtëpinë e Ferhat Sejkos e Sali Bollatit, dhe dy herë në një dhomë të veçantë te pallati i Kulturës. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, etnograf, unë Hilmi Saqe, inxhinier, së bashku me tim vëlla, Lutfi Saqen, pedagog, Ilmi Kasemi skulptor, Ferhat Sejko, mjek, Sali Bollati, inxhinier, Petrit Kasemi pedagog, Emin Sejko, Arshin Rexha gazetar, Hasan Minga historian, Petrit Demi historian, Gazali Sejko, jurist, Hasan Musaj kaldaist, Jaho Saliu ushtarak, Martin Demi arsimtar, Rexhep Çami elektricist, Ramazan Banushi pensionist, Bejdo Mehmeti mjek, Daut Xhaferi oficer, dhe katër pesë – ditë më vonë iu bashkuan këtij grupi Nexhat Merxhushi, mësues dhe historian, Fatos Mero Rrapaj folklorist, Laurant Bici pedagog e historian, Ballkize Halili gazetare, Ibrahim Hoxha historian, Gjin Varfi piktor etj. Falë bashkimit të gjithë shqiptarëve të Çamërisë, më 10 Janar 1991 u njoftua themelimi i Shoqërisë Çamëria. Vendimi për miratimin nga Ministria e Drejtësisë, mbante firmën e ministrit Enver Halili dhe u transmetua në TVSH në lajmet e mbrëmjes. Selia e Shoqërisë u vendos fillimisht ku ka qenë deri vonë selia e ambasadës italiane dhe më pas u transferua në Rrugën e Kavajës. Logon e Shoqërsë e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi, i biri i shkrimtarit të njohur Andrea Varfi. Menjëhërë në Tiranë dhe në rrethe filloi organizimi. U krijuan 27 degë, gati në gjithë Shqipërinë.

Vijonte puna edhe për ngritjen e seksioneve në lagje. I pari seksion që u krijua ishte ai i lagjes Ali Demi. Dy herë te Varri i Bamit u bë mbledhja për ngritjen e komisioneve pranë Shoqërisë. Jo më pak kontribut kanë dhënë dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj. Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti, etj. Në Fier: Agush Veliu, Naim Dalipi, etj. Në Durrës: Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmeri patrioti Daman Sinani, i cili u zgjodh edhe Nënkryetar i Shoqërisë, duke mos perjashtuar dhe Emine Sadikun dhe Hyqmet Zanen. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zeneli. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.

Nga fundi i muajit janar 1991, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë, për të zgjedhur drejtuesit definitivë të shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar i Shoqërisë Çamëria, Daman Sinani Nënkryetar dhe Arshin Rexha Sekretar i Përgjithshëm. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve u bë duke respektuar Statutin, me vota te fshehta dhe në mënyrën më demokratike.

Tubimi i parë i shoqatës u organizua me rastin e ardhjes së kryeministrit grek Micotaqis, më 31 janar 1991, ku patrioti ynë Tahir Dervishi, me një megafon në dorë, doli para benzit të kryeministrit Micotaqis, në bulavardin qendror para kryeministrisë, dhe i foli me një greqishte të kulluar, aq sa Kryeministri grek qëndroi i hutuar dhe e dëgjoi me vëmendje, kuptohet pa i dhënë përgjigje.

Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në adresë të saj në prag të ndryshimeve të mëdha. SHPA “Çamëria” e sapo krijuar reagoi me anë të një letre, duke ja prezantuar edhe ambasadës greke në Tiranë, në adresë të Kryeministrit Micotaqis, por dhe mikpritësit, presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë. Çamëria me këtë rast riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, fundi i shtatorit 1944 dhe ai i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945, nëpërmjet Komitetit Antifashist Çam, si përfaqësuese e vetme legjitime e popullatës çame në atë kohë. Rikthimin apo riatdhesimin, Ripronësimin dhe Gëzimin e të gjitha të Drejtave Njerëzore dhe qytetare në vatrën e tyre. Ramiz Alia, i pyetur nga një gazetar shqiptar para takimit, nëse parashihej një ngritje e Çështjes Çame, deklaroi për herë të fundit të karrierës së tij, se “Çështja Çame ekziston në një mënyrë të caktuar dhe do të zgjidhet në një kohë të caktuar”. Pritej qe Ramiz Alia ta ngrinte këtë çështje, por ai preferoi të heshtte përsëri gjate bisedimeve zyrtare, duke mos i dhënë me këtë rast një shkasë Kryeministrit grek të prononcohej zyrtarisht.

Kryeministri Micotaqis, i pyetur vetëm nga gazetarë shqiptarë, në kthim nga vizita e tij e parë në Shqipëri, deklaroi: “Problemi Çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”.

Si aktivitet me rëndësi duhet të përmendim daljen e numrit të parë të gazetës “Çamëria”, më 25 mars 1991, nën drejtimin e prof. Bashkim Kuçukut dhe Arshin Rexhës. Më kujtohet kur doli artikulli i parë i shkruar nga prof. Bashkim Kuçuku, me titull:…” Çamëria, Palestinë e Harruar…”, pati jehonë të madhe te komuniteti çam dhe në mbarë opinionin shqiptar.

Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj. Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para. Për të njohur të rinjtë me traditën e valleve karakteristike, si Vallja e Osman Takes etj. u thirrën veteranët çamë Ibrahim Hoxha dhe Xhemil Demi. Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve, për të përkujtuar ditën e gjenocidit. Shoqëria Çamëria filloi të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë

Në periudhën e parë të krijimit të SHPA ”Çamëria” ka pasur relativisht shumë veprimtari brenda dhe jashtë Shqipërisë, për zgjidhjen e problemit të madh çam. Në takimet me personalitete të shteteve të ndryshme dhe ambasadat e tyre në Tiranë, shpesh pyetja e parë qe u vinte në mendje atyre ishte: Sa është numri i popullsisë së Çamërisë, që jeton sot në shtetin shqiptar? Ky veprim i SHPA ”Çamëria” në dokumentimin popullisë sonë ishte i domosdoshëm, dhe u krye nën drejtimin e Krytarit të parë të saj – Docent Abaz Dojaka.

Në përgjithësi se si ka punuar ShPA “Çamëria” që nga themelimi i saj, më 10 Janar 1991, deri në vitin 2000, është trajtuar pjesërisht në librin tim “Genocidi Grek Kundër Çamërisë vazhdon”, vëllimi i parë dhe i dytë, por këtu po trajtojmë disa probleme dhe takime të ndryshme gjatë rrugëtimit të SHPA “Çamëria” ndër vite, si edhe aktivitetit e kryesisë së Përgjithme dhe të degëve dhe luftën që është bërë kundër zërit të SHPA “Çamëria” nga elementë të ndryshëm, me ose pa pushtet shtetëror, si dhe lufta e shtetit grek për shuarjen dhe përçarjen tonë, luftë që e kemi pasur vazhdimisht që kur u dëbuam nga vatrat tona.

PD që ishte në pushtet dhe kishte shumicën në parlamentin shqiptar në vitet e para pas 1990, miratoi ligjin Nr.7839 Date 30.6.1994 mbi “Gjenocidin Grek kundër Çamërisë”, duke njohur 27 Qershorin si Ditën e Gjenocidit, gjë që për ne ishte një mbështetje domethënëse. Fillimi i PD-së u duk i mbarë, prandaj mbështetja e elektoratit çam ishte pothuajse i gjithë me PD-në.

Ndërsa PS nuk shfaqi asnjë interes ose mbështetje të zgjidhjes së çështjes çame. Elementët çamë që militonin ose simpatizonin PS-në ishin pothuajse të papërfillshëm. Me kalimin viteve kursi i dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së alternonte në varësi të interesave të tyre partiake dhe personale në raport me shtetin grek. Në vëllimin e parë “Gjenocidi grek kundër Çamërisë Vazhdon”, janë dhënë një pjesë e vogël e veprimtarisë së SHPA ”Çamëria” në raport me kancelaritë Euro-Atllantike, por veprimtaritë e organeve të zgjedhura gjatë asaj periudhe kanë qenë aktive dhe dinamike në përgjithësi nga gjithë popullsia e komunitetit çam në Shqipëri në të gjitha 27 degët.

Këtu do të trajtojmë vetëm disa momente të punës sonë, që ruhen në arkivin personal të Shoqatës. Më datë 27 Nëntor 1997 kërkuam takim me Ambasadoren e SHBA-ve Znj. Mariza Lino, por ata na kumunikuan se ambasadorja ishte e zënë dhe mund të na priste Sekretarja Politike e Ambasades, Znj. Lynn Gurion. Nga ana e SHPA ”Çamëria” morën pjesë Hilmi Saqe, Arshin Rexha dhe Agush Veliu. Nga ana jonë u trajtuan të gjitha problemet dhe shqetësimet tona dhe gjithë historia që nga 1913 dhe deri në vitin 1991, duke përfshirë gjenocidin grek, spastrimin e plotë etnik të Çamërisë nga shqiptarët myslimanë, si dhe trajtimin negativ ndaj çështjes çame nga diktatura moniste. Sekretarja Lynn pyeti:

– A i keni shtruar këto kërkesa ministrit të Jashtëm Milo?

– A keni marrë takim me Ambasadorin grek në Tiranë?

– Qeveria shqiptare a i ka shtruar këto probleme delegacioneve greke?

Dhe disa pyetje të tjera.

Ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të znj.Gurion.

As Milot, as ambasada greke dhe as qeveria shqiptare s’ishin me ne, në asnjë nga këto. Në fund i dorëzuam një material të plotë të Çështjes Çame, së bashku me kërkesat tona për qeverinë e SHBA-ve.

1-Në fund zonja Grion na premtoi se të gjitha kërkesat tona do ja bënte prezent ambasadores Mariza Lino.

2- Do të bëjmë prezent kërkesat tuaja në organet tona eprore.

Takimi kaloi në mirëkuptim të plotë.

Në fund i shprehëm bindjen, se tek SHBA-të ne kemi besim se problemet e shtruara do të mbështeten nga Departamenti Amerikan i Shtëtit për zgjidhje adekuate. Takimi zgjati 60 minuta.

Nga viti 1997 – 2000 kam drejtuar SHPA ”ÇAMERIA”. Forumet drejtuese të degëve dhe ajo qendrore punonin për Çamërine, natyrisht pa asnjë lloj shpërblimi. Por pavarësisht kësaj detyrat duhet të kryeheshin njëlloj, madje më mirë se i shërbenim një çështjeje tepër të rëndësishme. Një event që vlen të evidentohet është me rastin e 27 Qershorit 1998 të Genocidit grek kundër Çamërisë. Shtetarët shqiptarë dhe organet përkatëse të tyre kishin planifikuar dhe organizuar pikërisht në ditën gjenocidit grek ndaj nesh një koncert grek në Hotel Rogner të Tiranës, ku do të merrte pjesë dhe presidenti i Shqipërisë. Ndërsa ne, SHPA”Çamëria” kishim organizuar një mbledhje përkujtimore në Muzeun Historik Kombëtar dhe në mbrëmje në qendër të Tiranës te monumenti i Skënderbeut kishim planifikuar një homazh për të rënët e Çamërisë nga gjakësorët grekë duke ndezur

qirinjë të shumtë dhe me pjesëmarrje të gjerë.

Në të njëtën kohë nëpërmjet “Radio Kontakt-it”, njoftuam kundërshtimin tonë të drejtë dhe me forcë të zhvillimit të koncertit të provokuar nga grekët në Tiranë dhe organizatorët shqiptarë. Në Tiranë pati një reaksion jo të vogël atë mbrëmje të dhimbshme për ne nga qindra pjesëmarrësit e mitingut tonë dhe jo vetëm ata. Nga ana tjetër një grup të rinjsh kishin njoftuar Hotel Rongerin, se nëqoftëse do të jepej koncert grek atje do të kishte pasoja të mëdha për vet Hotel Rognerin, organizatorët e atij koncerti grek dhe pjesëmarrësit në atë koncert antishqiptar.

Vonë në mbrëmje morëm njoftim se grekët nuk dhanë asnjë koncert atë natë në Tiranë dhe presidenti i vendit nuk kishte vajtur.

Më datën 18 dhe 19 Nëntor 1999 u organizua “OSCE Istanbul Sumit”, ku merrnin pjesë gjithë personalitetet kryesore të shteteve përkatëse dhe më kryesori ishte presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton. Nga SHPA ”Çamëria” merrnin pjesë H. Saqe, H. Minga dhe G. Haxhiu. Falë organizatorëve, ne ishim të privilegjuar si SHPA “Çamëria”, mbasi na siguruan lidhje direkt me telefon dhe me fax me të gjithë delegacionet e OSBE-së që merrnin pjese në këtë Samit. Në fakt gjatë këtyre dy diteve u lidhëm direkt me personelin e delegacioneve të SHBA, Britanisë, Gjermanisë, Kanadasë, Austrisë, Italisë, Hollandës, Izraelit, Zvicrës, Francës etj. Problemin, shqetësimin dhe kërkesat tona ua transmentuam direkt përfaqësuesve zyrtarë të shteteve që merrnin pjesë me shkrim dhe me gojë. Numrat e telef onave dhe Fax të tyre disponohen edhe sot. Përfaqësuesit zyrtarë të kryetarëve të shteteve që merrnin pjesë në delegacionet përkatëse, na siguronin se çështjen tonë do t’a kalonin te eprorët e tyre. Po kështu patëm takime me ambasadat e huaja kryesore të akredituara në Tiranë. Kemi organizuar protesta relativisht të mëdha sa herë që delegaciont kryesore të shtetit grek bënin vizita zyrtare në Tiranë, ose me rastin e dites së 27 Qershorit 1944 të gjenocidit grek kundër Çamërisë. Natyrisht për realizimin e këtyre veprimtarive ka pasur edhe shumë shkopij nën rrota nga reaksioni antiçam dhe antishqiptar, nga lobet greke brenda vendit tonë, të organizuara dhe te paguara nga shtet-kisha greke, madje kohët e fundit këto janë shtuar shumë.

E keqja qëndron tek shteti dhe partitë politike shqiptare, që gjithmonë kanë luajtur dhe luajne politikën e Strucit.

Po ne a kemi pasur të meta? Patjetër, por për një gjë jemi të sigurtë: Disa vite përpara te SHPA ”ÇAMËRIA” nuk ka pasur ngecje në vend, aktiviteti dhe veprimtaria e saj kanë qenë jo të vogla, si brenda Shqipërise ashtu dhe jashtë saj.

Nëqoftëse kemi pasur ndonjë herë kënaqësi të madhe shpirtërore, ka qenë pikërisht koha kur gjithçka fizike, shpirtërore dhe ekonomike ia kemi kushtuar çështjes çame, jo vetëm gjatë drejtimit të Shoqërisë, por që para themelimit të saj, në dhjetor 1990, së bashku me shumë bashkëatdhetarë të tjerë.

Plagët tona rrjedhin gjak akoma, ndaj ne nuk mund të heshtim! Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Shteti shqiptar, partitë politike shqiptare, me sa duket do të vazhdojnë të luajnë politikën e Strucit, si gjithmonë, duke injoruar problemin çam dhe të Çamërisë. Prandaj, si ish- themelues i Shoqatës “Çamëria” dhe Kryetar i saj në vitet 1997-2000, mendoj se del detyrë kryesore e SHA ”Çamëria” që të aktivizojë të gjitha degët, në Tiranë dhe në rrethe dhe të merren vendime të rëndësishme për forcimin e luftës sonë të drejtë për zgjidhjen e problemit çam. Çamëria është shpirti i gjithë çamëve. Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë. Me siguri dita e zgjidhjes së problemit tonë do të vijë, siç i erdhi Kosovës.

Filed Under: Histori

Kongresmeni Keith Self emërohet Kryetar i Nënkomisionit të Punëve të Jashtme për Europën

January 10, 2025 by s p

Washington, D.C., 8 Janar 2025 – Kongresmeni Keith Self, anëtar i respektuar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, është emëruar Kryetar i Nënkomisionit të Punëve të Jashtme për Europën. AFA shpreh urimet e përzemërta ndaj kongresmenit Self, i cili pasqyron përkushtimin dhe angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve transatlantike dhe trajtimin e çështjeve kritike gjeopolitike në Europë.

Kongresmeni Self ka qenë dhe mbetet mbështetës i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan, duke ndihmuar në ndërtimin e lidhjeve të fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës. Udhëheqja dhe miqësia e tij kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të përbashkëta si paqja, demokracia dhe mirëqenia.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 546
  • 547
  • 548
  • 549
  • 550
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT