• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“AMA”, rrjedha që buron nga thellësitë e shpirtit shqiptar

January 9, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Kur “AMA” u themelua, nuk ishte një ide kalimtare për një recital muzikor. Ishte një përpjekje për të kapur diçka më të thellë, më madhështore – një urë mes brezash, një lidhje mes të shkuarës dhe të ardhmes, një rikthim në rrënjët tona. Fjala “AMA” mbart një domethënie të veçantë: burimi, fillimi i një rrjedhe. Si një burim që nis nga mali për të vazhduar rrugëtimin e vet, “AMA” bart traditat tona muzikore dhe kulturore, duke synuar të përshkojë kohët dhe hapësirat, deri sa të arrijë atje ku zërat tanë do të dëgjohen dhe ku vlerat tona do të çmohen.

Këtë vit, “AMA” është ndriçuar nga një frymë e re. Koordinatorja jonë, Besarta Basha, një artiste dhe një mjeshtre e çiftelisë, ka sjellë jo vetëm aftësitë e saj muzikore, por edhe një përkushtim që përshkruhet me shpirt dhe pasion. Tingulli i çiftelisë së saj, i rritur mes jehonave të maleve shqiptare, na kujton se “AMA” është më shumë se një ngjarje – është një mision për të mbajtur gjallë zërin e së kaluarës dhe për ta përkthyer atë në një trashëgimi të së ardhmes. Falë Besartës dhe energjisë së saj artistike, Recitali “AMA” këtë vit pasurohet me një dimension të ri, ku arti dhe edukimi përqafohen si një e tërë.

Sot, “AMA” është një zë i gjallë në një botë ku shumëkush rrezikon të humbasë lidhjen me origjinën e tij. Përmes Recitalit “AMA”, edicionit të tij të 12-të, Recitali “AMA” fton fëmijët, nipërit dhe mbesat tuaja që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ky recital nuk është vetëm një përjetim muzikor, por edhe një kuptim i thellë i vlerës së një kënge, i forcës së një melodie dhe i rrënjëve që ato bartin.

Këtu, në këtë recital, përzihen meloditë klasike me tingujt e këngës shqiptare. Këtu tradita dhe moderniteti bashkohen në një dialog që mbështjell kohërat. “AMA” është një thirrje për të ruajtur atë që jemi dhe për ta treguar botës.

Recitali “AMA” ju fton të regjistroni fëmijët tuaj, nipërit dhe mbesat. Le t’i mësojmë atyre se një këngë është shumë më tepër se nota muzikore – është histori, është krenari, është trashëgimi.

📩 Për pyetje dhe regjistrime: Besap21@yahoo.com

Bashkohuni me Recitalin “AMA” dhe le të ndërtojmë së bashku një frymë që do të mbetet e gjallë për shumë vite.

Filed Under: Kulture

Trashëgimia e Biden, “Një urë drejt askundit…”

January 9, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Duke parë trashëgiminë e Joe Biden, ajo mund të përfundojë duke u parë si “një urë drejt askundit.” Në historinë amerikane, presidentët me një mandat shpesh herë kujtohen më shumë për qëndrimet e tyre parimore sesa për dështimet e tyre të dukshme. Gerald Ford fitoi respekt me kalimin e kohës, për faljen e Ricard Nikson-it, një veprim që shumë tani e konsiderojnë akt sakrifice. Xhimi Karter është vlerësuar nga historianët e fundit për përpjekjet e tij për të sfiduar amerikanët të përmirësohen. Dhe Xhorxh H. Bush mbahet mend me simpati, të paktën nga demokratët, për guximin e tij për të rritur taksat pavarësisht pasojave politike.

“Unë e shoh veten si një urë, jo si ndonjë gjë tjetër”, tha Biden gjatë fushatës së tij 2020. “Ka një brez të tërë liderësh siç e patë që qëndronin pas meje. Ata janë e ardhmja e këtij vendi.”

Por, pasi ai ishte në detyrë, thanë ndihmësit, ai kurrë nuk mendoi seriozisht të kalonte një mandat të dytë. Por edhe tani ai vazhdon ta shohë veten si kandidati i vetëm që kishte dëshmuar se mund ta mposhtte Trumpin dhe po deklaron këtë edhe në ditët e fundit. Dhe atëherë kur demokratët dolën relativisht mirë në zgjedhjet e kongresit të vitit 2022, ai e pa rezultatin si një konfirmim se qasja e tij po funksiononte.

80-vjetori i tij erdhi 12 ditë më vonë – dhe, pavarësisht mohimeve të tij, kishte filluar të shfaqej. Nga mesi i vitit 2023, 77% e votuesve thanë se mendonin se Biden ishte shumë i vjetër për të shërbyer një mandat tjetër, duke përfshirë një numër 69% mahnitës e për demokratët. Të cilët deri para debatit me Trump vazhdonin ta mbronin atë pavarësisht shfaqjeve senile dhe demencës të dukshme. Demokratët u treguan falso, duke akuzuar për “fake news” atë që gjithë bota e shihte.

Vendimi i tij për të kandiduar ishte një akt me pasoja masive. Një kandidat më i ri mund të ketë qenë në gjendje të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve. Dhe “grushti i pallatit” dhe zëvendësimi me Kamalan prodhoi një shpenzim prej 1.5 miliard dollarësh, dhe shfaqje me artistë Hollivudi dhe dështime totale dhe një efekt fitoreje trifekta, Presidencën, Senatin dhe Kongresin një fitore për republikanët e MAGA-s.

Por ironia tani është se trashëgimia e Bidenit tani qëndron në duart e Trumpit.

Njësoj ndoshta si paraardhësit e tij , Biden mund të përfundojë duke u rivlerësuar më vonë për “idealizmin dhe përpjekjet e tij”, edhe pse dështimet e tij mund të dominojnë perceptimin publik në të tashmen. Satira, në këtë rast, do të shtonte se përpjekjet e tij për të ndërtuar një të ardhme më të mirë kanë krijuar më shumë pyetje sesa përgjigje.

Dhe veprimet e tij të fundit, falja e Hunter Biden, dekorimet e Sorosit, Klintonit dhe pengesat e tij të fundit për industrinë e naftës e tregojnë ata me shumë se një plak inatçor që mbetet duke u grindur. “Drill, Baby, Drill” qe parulla gjatë fushatës së tij, që Donald Trump premtoi të kryente më shumë shpime për naftë dhe gaz. Tani Joe Biden i kundërpërgjigjet – duke ndaluar këto projekte në zona të mëdha. Çfarë do të thotë kjo për presidentin e zgjedhur? Më pak se dy javë para se Joe Biden të largohet nga Zyra Ovale dhe Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, presidenti në largim duket se po i shfrytëzon ditët e fundit për t’i vendosur pengesa pasardhësit të tij – dhe për ta zemëruar seriozisht.

Epo, duke ndjekur të gjitha standardet që vetë Joe Biden vendosi, presidenca e tij duket si një shaka e hidhur historike. Ai hyri me një premtim madhështor për shpëtimin e “shpirtit të kombit.” Por tani, shpëtimtari është kthyer në spektator, dhe tragjikisht, Donald Trump duket sikur po përgatitet ta vendosë vulën e tij përfundimtare – tamam atë, që Biden premtoi se do ta ndalonte dhe që ende mendon se mund ta kishte ndaluar me gjithë 2 atentate dhe gjashtë gjyqe kundër Trump. Tani demokratët po mburren se po i dorëzojnë paqësisht pushtetin atij që e quajtën “fashist”.

Joe Biden, misionari i madh i moralit dhe shpëtimit, qëndron tani përballë një ironie monumentale: misioni i tij historik ka përfunduar si një trampolinë për kundërshtarin që ai deshi ta ç’ rrënjoste. Imagjinoni një president që për dy vite miratoi “ligje kolosale për të ardhmen” – sipas demokratëve, por që amerikanët, në vend që t’i duartrokasin, e pyetën: “A mund të na ndihmosh të paguajmë qiranë këtë muaj?”

Ndërsa ai vetë e shihte veten si “urë,” shumë mendojnë se kjo urë i dërgoi demokratët drejt një humbjeje të pashmangshme.

Administrata e Joe Biden ka pasur arritje të rëndësishme, si zgjerimi i NATO-s, miratimi i projektligjit dypartiak për infrastrukturën, mbrojtja e Ukrainës dhe Izraelit, si dhe forcimi i aleancave në rajonin e Paqësorit. Megjithatë, presidenca e tij është shoqëruar edhe me katër iluzione të mëdha dhe po aq mashtrime, të cilat rrezikojnë trashëgiminë e tij. Këto iluzione përfshijnë: rritjen e emigracionit në vitin 2021, që ai e quajti “sezonal”; supozimin se talebanët nuk do të pushtonin shpejt Afganistanin, pavarësisht paralajmërimeve të Pentagonit; këmbënguljen se inflacioni ishte kalimtar, edhe kur ekonomistët si Larry Summers paralajmëronin për të kundërtën; dhe idenë se ai ishte kandidati më i mirë demokrat për të mposhtur Donald Trump.

Gabimet në gjykim, shpesh të bazuara në vetëbesim të tepërt, dëmtuan besueshmërinë e Biden. Për shembull, administrata e tij refuzoi të përshkruante krizën e emigracionit si “krizë”, duke e quajtur atë një “sfidë”. Tërheqja kaotike nga Afganistani, që rezultoi në rënien e qeverisë afgane, ishte një tjetër pikë kthese që uli vlerësimet e tij. Këto vendime e dëmtuan presidencën e Biden, e cila nuk arriti të rimarrë mbështetje pozitive pas vitit 2021. Ndoshta demokratët, përfshirë figura të shquara si Nancy Pelosi, mund të kishin ndikuar më herët në vendimin e tij për të mos kandiduar sërish, duke shmangur kështu një situatë që u përball më vonë nga të tjerë si Dean Phillips, i cili guxoi të vinte në pikëpyetje lidershipin e Biden.

Pas këtyre gjykimeve të gabuara qëndrojnë mashtrimet kryesore të presidencës. Së pari, Biden kandidoi në vitin 2020 duke dhënë të kuptohet se do të shërbente vetëm një mandat, gjë që më pas ndryshoi. Së dyti, ai premtoi një qeverisje bipartizane dhe të moderuar, por më pas ndërmori politika që përqafonin shpenzime të mëdha dhe polarizime politike. Së treti, administrata e tij këmbënguli se presidenti ishte i aftë mendërisht dhe fizikisht për të shërbyer një mandat të dytë, megjithëse raporte si ato të “The Wall Street Journal” kanë ngritur dyshime serioze mbi shëndetin e tij. Së fundi, Biden premtoi se nuk do ta falte djalin e tij, Hunter Biden, nëse ai dënohej për krime.

Ndërsa vendimi i tij për të mos u tërhequr nga gara presidenciale erdhi tepër vonë për të demonstruar një akt të mirëfilltë burrështetasi, mashtrimet e tjera mbeten më pak të falshme. Votuesit që e përkrahën për një qeverisje të qetë dhe të sigurt u zhgënjyen kur Biden zgjodhi të ndiqte një qasje më radikale, duke promovuar shpenzime të mëdha dhe duke demonizuar opozitën si kërcënim për demokracinë. Si rezultat, reagimi i republikanëve ndaj kësaj qasjeje kontribuoi në rigjallërimin e bazës së Donald Trump, duke e bërë të mundur rikandidimin e tij.

Raportet mbi gjendjen shëndetësore të Biden, të cilat tregojnë për ditë të mira dhe të këqija në funksionimin e tij, e shtojnë shqetësimin për aftësinë e tij për të udhëhequr. Nëse presidenti vetë nuk ka qenë i vetëdijshëm për rënien e tij, atëherë përgjegjësia bie mbi stafin e tij, që me sa duket e shfrytëzoi këtë situatë për përfitime personale. Ky është një skandal që meriton një hetim të gjerë nga Kongresi.

Trashëgimia e Joe Biden, me gjithë disa suksese të pamohueshme, mbetet e njollosur nga vendime të gabuara dhe mashtrime që e dëmtojnë rëndë pozitën e tij në kujtesën kombëtare. Dështimi për të ndjekur një qasje më realiste dhe të ndershme në presidencën e tij do të mbetet një pengesë e madhe për vlerësimin e tij historik Dhe jo vetëm mosha? Oh, Biden ka qenë simboli i urtësisë, por në vitin 2023, kur 77% e amerikanëve menduan se ai ishte shumë i vjetër për të shërbyer, u duk sikur vetë historia i thoshte: “Koha për ta lënë karrocën, Joe!”

Ironia e madhe qëndron te trashëgimia e tij.

Nëse Trump arrin të çmontojë gjithçka që Biden ndërtoi, atëherë presidenca e tij do të mbetet si një fusnotë e harruar në histori – një Karter pa Habitat for Humanity.

Në këtë pikë, Biden nuk ka më në dorë asgjë përveç qëndrimit dhe shikimit, duke ndjekur zhvillimet nga një kolltuk në Delaware siç bëri 40 për qind të kohës.

Një president që hyri si kalorësi i shpëtimit, tani mbetet si filozofi i ndonjë tragjedie greke: një simbol i madhësisë që mund të kishte qenë… por nuk qe!

Filed Under: Komente

TEATRI I DIASPORËS

January 9, 2025 by s p

Ka disa muaj që komuniteti shqiptar në Amerikë po prezantohet me një entitet të ri në fushën e argëtimit. Pikërisht me “Teatrin e diasporës ” i themeluar në korrik të vitit 2024 nga Elisabeta Gace dhe Erand Sojli. Kjo nisëm e jashtëzakonshme ka sjellë në komunitet një frymë të re e cila ka aktivizuar aktorë të spikatur të cilët kanë kohë që jetojnë në Amerikë por që nuk kanë qenë aktiv deri para themelimit të këtij Teatri.

Gazeta Dielli si një lajmëtare e së bukurës dhe risive që burojnë nga komuniteti shqiptaro-amerikan, vlerëson dhe promovon këtë përpjekje kolosale të dy njerëzve që po japin kohën dhe energjinë e tyre në emër të kulturës. Elisabeta Gace si një marketing Event Manager që ka punuar për kompani të fuqishme si IBM dhe me një eksperiencë të suksesshme në fushën e menaxhimit është bërë promotori i këtij teatri dhe me nuhatjen e saj ka arritur të tërheqë në këtë ide edhe Erand Sojlin e Portokallisë dhe të dhjetëra shfaqjeve teatrale që kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit postkomunist në Shqipëri.

Është shumë e rëndësishme për një komunitet të ketë alternativë argëtimi një shfaqje teatri. Dhe pikërisht ky është dhe qëllimi! Sipas Elisabetës, komuniteti shqiptar në Amerikë ka nevojë për alternativa argëtuese ku njerëzit të qeshin po pse jo dhe të kenë mundësinë të shikojnë një histori që ti bëjë të mendojnë e më pas të reflektojnë. Dhe pikërisht këtu është dhe qëllimi kryesor i teatrit të diasporës. Siç e dijmë teatri është një zhanër me të cilin shqiptarët janë edukuar, janë frymëzuar dhe kanë qeshur dhe qarë! Shpesh herë me dashje ose pa dashje i lëmë në hije artistët e mëdhenj që jetojnë dhe punojnë këtu, dhe ende kanë për të dhënë në të gjitha zhanret! Prandaj është e rëndësishme që ti mbështesim në çdo lloj forme! Sepse janë artistë të cilët na kanë dhënë kënaqësi nëpërmjet artit të tyre në e televizione, në skena nëpër galeri etj

Një veçanti specifike që e dallon teatrin e diasporës është edhe dramaturgjia ose pjesa teatrale që vihet në skenë. Sojli thotë se është i dedikuar që krijimtaria e tij ti dedikohet jetës shqiptaro-amerikane këtu në SHBA. Problematikat ngjarjet dhe ndjesitë që na pushtojnë çdo ditë në raport me njëri-tjetrin, me atdheun, me politikën, me dashurinë etj.

Shfaqja e parë e teatrit të diasporës me titull “BURRË E GRUA MISH E THUA” nga ku nisi dhe rrugëtimin kjo nisëm, me aktorët Erand Sojli dhe Mariza Ikonomi i dedikohej jetës në çift dhe përmbysjes së ëndrrës amerikane të një çifti që vjen në Amerikë për të jetuar në qiellgërvishtësit e Manhattan-it dhe përfundojnë në bodrumet e Bostonit. Nëpërmjet lojës aktoreske dhe muzikës kjo komedi solli gëzim dhe të qeshura pa fund për komunitetin shqiptaro-amerikan në disa shtete të Amerikës su Massachusetts, New York, Philadelphia etj. Në këto momente #theatridiasporës vjen me komedinë e dytë “Femrat e Mia” me aktore të komunitetit tonë që përfshijnë deri në 3 breza.

Një djalë i dashuruar me një stjuardesë e ka problem ti prezantojë të dashurën e tij të huaj mamasë e cila i ka vënë kusht që nusen ta marrë shqiptare! Nëna e interpretuar nga aktorja Mariana Kondi e cila interpreton rolin e nënës bashkë me Kieda Budini një aktore shqiptare e re që jeton në diasporë (në Vjenë) bashke Grupin e Dea Band (Arian Kerliu Did Tezha dhe Elis Lloshi) dhe 3 Balerinat e vogla Lauren, Julia dhe Gabrielle Gace plotësojnë kuadrin e tre brezave të komunitetit tonë. Duke na sjellë në skenë traditat tona të dasmës dhe humorin për të cilin komuniteti ynë ka kaq shumë nevojë. Komedia “Femrat e Mia” pas premierës në Worcester dhe New Jersey vjen në datë 11 Janar 2025 ditë e shtunë në Oren 9 pm në New York Soho Playhousë dhe në datë 12 Janar në Philadelphia në orën 6pm. Në i ftojmë të gjithë bashkombasit tanë ta shikojnë këtë komedi e cila nuk do ju zhgënjejë. I urojmë shumë suksese #theatridiasporës për më tepër biletat mund ti gjeni online në eventbrite ose në numrin e telefonit +1 (617) 818-1423 Mos e humbisni.

Filed Under: Opinion

Francezi Kouchner dhe marka gjermane (DM) monedhë zyrtare në Kosovë (1999)

January 9, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

“Që në ditët e para, në shtator 1999, vendosa që monedha zyrtare e Kosovës të ishte marka gjermane. Ishte një e papritur e këndshme për ekonomistët, një rast për të protestuar për botën politike. Një breshëri fyerjes u nis nga të afërmit e president serb Milosheviç. Maria Bakëroja sillte në Prishtinë, në këtë vend të rrezikshëm, valixhet me marka gjermane, ose me aeroplanin e linjës ose me helikopterët e OKB-së, në fshehtësi dhe pa pikë mbrojtje. Në qoftë se misioni ynë ia arriti pjesërisht qëllimit, kjo u përkushtohet trimërive të tilla dhe përshtatjeve që iu bënë ligjit.

Çdo gjë eci vaj, DM-ja qarkulloi me bollëk…Kalimi në euro u bë pa asnjë pengesë, si në të gjitha vendet evropiane.

Një nga çështjet e rralla, të cilat i mendova mirë dhe mora vendim përpara se të vija në Prishtinë, ishte futja e markës gjermane si monedhë zyrtare për Kosovën. Për të rindërtuar dhe rimëkëmbur buxhetin e Kosovës, na nevojitej një monedhë me vlerë. Cili do të ishte ai investues që do të interesohej për dinarin jugosllav, i cili nuk këmbehej kurrkund! Zhgënjimi i disa francezëve u shpall me fjali të tillë: “Pse nuk e fute frëngen franceze?” Zgjuarsi e madhe! Në Kosovë qarkullonte marka për shkëmbime financiare në më shumë se gjysmën e Kosovës, ndërsa franga nuk ishte e njohur,” shkruar ish-shefi i UNMIK-ut, francezi Bernard Kouchner, në librin e tij,” Les guerriers de la paix. “(2002), të cilin e kishte shkruar për miqtë e tij të vdekur në Bagdad dhe me të cilët kishte bashkëpunuar gjatë jetës së tij në Ballkan dhe Kosovë. “Gjatë dy vjetësh, nga Kosova në Irak, ata luftuan hap pas hapi për të propozuar një jetë pa vrasje, një jetë me më pak urrejtje, për popujt që historia i kishte hedhur për shekuj me radhë në përplasje. Pata privilegjin të punoja me këta aktivistë të botës, këta “luftëtarë të paqes”. Kur mendoj për ta, them me vete: nuk kemi dështuar.”

Filed Under: Histori

Informacioni, dinjiteti dhe rënia e murit të turpit…

January 8, 2025 by s p

Agim Baçi/

Çfarë duhet të bëjmë kur ne si prindër dhe mësuesit nuk kemi më autoritetin e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve se çfarë është më e rëndësishme në jetë, se çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e dobishme” – “e padobishme”? A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?

Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, teksa thekson vështirësinë për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, sjell në vëmendje gabimin që bëjmë ne si të rritur, duke mos lexuar realitetin e vështirë përballë spektaklit, por u kujtojmë atyre edukimin që kemi marrë ne dikur apo prindërit tanë.

Por a jemi ne sot të vetëdijshëm që fëmijë kanë sot një fjalor të mangët shpjegimi për gjendjen e tyre emocionale? A i dëgjojmë ne për ankthin që i shkakton bota e spektaklit, e videove yë atyre që vrapojnë vetëm pas famës?

Edhe më të vështirë e kanë komunikimin ata prindër që janë rritur me një komunitet që ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, dhe tashmë gjendet përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke dëgjuar muzikë apo duke ndjekur video njëra pas tjetrës.

A mundemi ne të rriturit t’i ruajmë nga admirimi që mund të krijonë për rrugën më të shkurtër për t’u bërë të famshëm dhe me para, si personazhet që ata dëgjojnë e shohin gjatë kohës me vetminë e tyre.

Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe moskumunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti.

Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.

Ne të gjithë prej kohësh shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.

Eshtë përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë qe ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë në jetë raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që për fëmijët tanë të jetë baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, të të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se, të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • 552
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT