• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA PËR ROLIN E SHTYPIT TË LIRË

January 7, 2025 by s p

Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a microphone

Description automatically generated

Shpesh gjatë viteve, me 30 dhjetor, normalisht dhe modestësisht, por me respektin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë, kam kujtuar përvjetëtorët e kalimit në amshim të At Gjergj Fishtës, një prej kolosëve të shqiptarizmës dhe mbrojtësit të përbetuar të drejtave të shqiptarëve dhe të interesave të tyre kombëtare në trojet e veta shkullore. Ndonëse pak me vonesë — më mirë vonë se hiç – duke pasur parasysh se nuk vura re ndonjë shënim në median kryesore shqiptare, ndonjë kujtim të këtij përvjetori të kalimit në amshim të françeskanit e poetit shqiptar At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) — kësaj figure të madhe të Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare – gjithnjë i harruar dhe i përjashtuar, zyrtarisht, me eiptetin armik i popullit e bashkpuntor fashist. 

Pra, kanë kaluar 85-vite nga dita e kalimit në amshim të Atë Gjergj Fishtës – nga 30 dhjetori i vitit 1940 – dhe mediat kryesore shqiptare të cilat pretendojnë se janë të lira – 35-vjet pas “shembjes” së komunizmit në Shqipëri – preferojnë të injorojnë data të tilla, të   figurave të tilla kombëtare si Fishta – me shpresën se po të mos “kujtohet”, At Gjergj Fishta dhe veprat e tija, në heshtje, do të “harrohen”.  Dhe nëqoftse ai nuk përmendet kur e kërkon rasti, siç janë përvjetorët –– më në fund, përjashtimi i tij nga letërsia dhe historia e shqiptarëve, do të përjetësohet – ashtu siç e dëshironte regjimi sllavo-komunist i atëhershëm dhe apologjetët e sotëm, të atij sistemi anti-kombëtar sllavo-aziatik.   

Dihet se At Gjergj Fishta njihet më së miri si poet, por ai ka shkruar shumë edhe në prozë. Janë këto shkrime në prozë që janë më shumë të një natyre politike. Ai në të vërtetë e ka filluar veprimtarinë e tij gazetareske si shkrimtar e poet, me botimin e gazetave e revistave, quajtur “Posta e Shqipnisë”, revista “Hylli i Dritës”, “Orën e Maleve”, Gruen Shqiptare”, e tjera. 

Si për shumë çeshtje të botës së atëhershme shqiptare, Gjergj Fishta e ka përdor shtypin si një shkollë kombëtare dhe vatër kulture. Shkrimet e tij në poezi e sidomos në prozë, sipas At Daniel Gjeçajt, “tërheqin, nxisin, zemrojnë, pasurojnë mendje e shpirt, madhërojnë, mësojnë e qortojnë.”  Është vështirë ta marrim me mendë se çfarë do të mendonte At Gjergj Fishta për shtypin shqiptar të sotëm, në përgjithësi. Nga ato që dimë nga shkrimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës ës tij, pak e shumë, e dijmë se ç’mendonte ai për rolin dhe rëndësinë e shtypit të lirë, në kohën kur ai jetonte. Veprimtaria e tij bazohej në besimin në Zotin dhe në Lirinë e veprimit.  Ai ka themeluar “Hyllin e Dritës” me moton; “Ubi Spiritus Domini, ubi Libertas” – Aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe Liria”.  Për Fishtën, shkrimtari e gazetari i lirë është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që duhet përdorur mirë, pa e abuzuar, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, me një rast.

Atëherë cili duhet të jetë roli dhe qëllimi i një shtypi të lirë, sipas Fishtës, bazuar në shkrimet e tia, në Shqipërinë e 1913-s, të posa dalur nga robëria shumë shekullore dhe terri i padijes, nga 5-shekuj robëri. Kështu është shprehur ai me rastin e themelimit të revistës Hylli i Dritës; “Që e Përkohëshmja jonë (Hylli i Dritës (HD)) të arrij me ngjallë shpresën ndër zemra të Shqiptarëve se prej Hyut, ditë më të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”, ka shkruar Fishta në artikullin e parë botuar në HD I, 1913. 

At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se në atë artikull, Gjergj Fishta, “ka thekësua shumë mirë misionin dhe qëllimin e revistes françeskane, Hyllit të Dritës, qëllim i cili, sipas tij, ka për objekt, mbi të gjitha, Zotin e Kombin, Dijen e Fenë, Lirinë e Përparimin, Moralin e Kulturën.”  Hylli i Dritës i Fishtës dhe Albania e Konicës, konsiderohen si më prestigjozet që janë botuar deri më sot në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. 

Në fillim të shekullit të kaluar, Atë Gjergj Fishta do theksonte me forcë rolin e shtypit të lirë për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë nga robëria e gjatë shekullore otomane. E do polemizonte me forcë me “kalemxhnjtë” e kohës, duke këkuar që gazetat, “Nëse duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davarit terrin e mizorinë, e me përhapë të drejtën e qytetninë, ata duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona… domethanë që të ketë mbrendë gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve, e për t’i pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike, etj, etj. Përndryshe tue kenë se nuk u del koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet, gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i përgjegjen kësaj detyre të naltë, ashtë se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e shkarravinave të veta.  E këta njerz, sa ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen mbi të tjerë si gjyqtarë e mësues, e mbahen si prijësa të Kombi e atdhetarë të flakët.” 

 Po këta të njëjtit, mandej sipas tij, me “rrena, me të shpifuna e me trillime gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi (me shrkrimet e tyre) u marrin, nepër fletore, nderën burrave ma të kenun të shoqënive ma të zgjedhuna e herë ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna të rrêjshem, i marrin nëpër gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim, janë murtaja e njerëzimit, qelbësina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej mbrapshtinash, porsi çakaj të tërbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër gazeta të poshtnueme”. (Marrë nga Kombsija e Kleri katolik, sipas Radio vatikanit)

A thua Fishta do kishte të njëjtin mendim mbi një pjesë të madhe të shtypit të sotëm në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, 35 vite pas shembjes së një perandorie tjetër të errët gjysëm shekullore – atë të perandorisë sllavo-komuniste ndërkombëtare?! Cili do duhej të ishte sot roli i gazetarit shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mërgim – në rrethanat e liriës e demokrackisë në çerek shekullin e parë të XXI?!

Për Fishtën, shkrimtari e gazetari është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që e përdor mirë, pa e abuzuar, katedër edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa me një rast për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit. “Në një mënyrë të posaçme roli i fletoristave (gazetarëve). Gjithkush e di fuqinë e madhe që kanë fletoret në shpirtin e nji populli. Këto janë ato që shëndrisin mendjen e nji populli dhe drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet që këto të jenë shkrue e rregullue mirë. Për ndryshe, në vend që me kenë faktor i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa, At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit në një shoqëri, si ajo shqiptare.  Fishta besonte në rolin pozitiv të gazetarit dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si vatra të atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si armë mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur eksiztencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar Fishta për rolin e gazetarëve. 

Ndërsa, studiuesi dhe njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si poet e prozator, i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerzve të pendës Fishta priste shumë.  “Mbi të gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në sjellje, guxim në punë, sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në shpërblim. Ata lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë.”

Po gazetaria e sotëme në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në mërgim, çfarë mund të mësojë nga At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim — mbi rolin që gazetarët shqiptarë duhet të luajnë sot, si mbrojtës të së Vërtetës dhe si farkues të karakterit kombëtar fisnik shqiptar?

Frank Shkreli

108 vite nga "Hylli i dritës" së Gjergj Fishtës,

“Shpëtimi i nji populli nuk mund të mbështetet vetëm në trajtën e qeverimit, por duhet marrë në kujdes edhe shpirti që e frymëzon atë.” (Fishta në Hylli i Dritës, III, 1923, 104)

Filed Under: Opinion

Hapja e Ciklit Dimëror të Kinemasë Botërore – Bujar Alimani dhe Regjisorë të Rinj

January 6, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Pesë filma shqiptarë u shfaqën në sallën e shtëpisë së artit La Nacional mbrëmë në natën e hapjes së Ciklit Dimëror të Kinemasë Botërore, një aktivitet tri-ditor ku debutojnë me krijimet e tyre artistë nga pesëmbëdhjetë vende të botës. Për rreth dy orë e gjysmë, përzgjedhja e projeksioneve solli freskinë vizuale dhe elegancën filmike në filmat e shkurtër të regjisoreve të reja Dora Nano, Savina Alimani dhe Meri Dishnica krahas prurjes dramatike të dilemës morale në ekran nga Dhimiter Ismailaj Valona për të sjellë, në fund, filmin me metrazh të gjatë në stilin e dramës psikologjike me intensitet emocional të regjisorit të mirënjohur të kinematografisë bashkëkohore shqiptare Bujar Alimani.
Prezantuesi Walter Krochmal falënderoi organizatorët e Bronx World Film Cycle, një shoqatë jofitimprurëse, që beson te forca e filmit të pavarur për integrimin shoqëror. “Pikënisja e projektit të panoramës filmike nga institucioni më i vjetër kulturor spanjoll Shoqëria La Nacional në Manhattan vjen nga nisma Illyria e Madhe (Greater Illyria Initiative), ” tha ai.
Mes miqve dhe mysafirëve që ende uronin vitin e ri që sapo hyri, regjisori Bujar Alimani theksoi rëndësinë që ka përfaqësimi në platforma ndërkombëtare i filmave shqiptarë dhe veçanërisht debutimi i regjisoreve të reja që ato të kenë hapësirë dhe mundësi të jenë përpara audiencës. Alimani është vlerësuar për mjeshtërinë e tij regjisoriale dhe talentin si skenarist. Ai ka arritur të fitojë adhurimin e brezave të kinestëve të rinj, të cilët ai i inkurajon me dashamirësi në rrugën e tyre.
Pas projeksioneve, çifti i muzikantëve të njohur popullorë Merita Halili dhe Raif Hyseni kënaqën spektatorët me një përzgjedhje të harmonizuar të repertorit të tyre, të shoqëruar nga Lev “Lyova” Zhurbin në fidel në disa pjesë të muzikës izraelite të Evropës lindore.
Jashtë dritareve të larta të katit të dytë të La Nacional valëvitej flamuri spanjoll por shtëpia ishte plot me muzikë dhe kulturë shqiptare, me mysafirë e artdashës të ardhur nga Bruklin, Bronksi e Nju Xhersi dhe deri nga Italia. Natyrisht, arti asnjëherë nuk ka njohur kufi por dhënia e mundësisë artistëve tanë u jep hapësirën ku të shfaqin aftësitë e tyre. Mbështetja dhe nisma të tilla nga Bujar Alimani, e bëjnë të pranishme kinematografinë shqiptare në jetën artistike të Nju Jorkut duke gjetur vend në prezantime ndërkombëtare në cikle të vazhdueshme.
Cikli dimëror vazhdon edhe gjatë ditës së sotme dhe mbyllet nesër.

Fotot nga Bujar Alimani

Filed Under: Kulture

Dr. IBRAHIM TEMO NJË ZË MBROJTËS I POPUJVE TË BALLKANIT

January 6, 2025 by s p

Avzi Mustafa, Shkup/
Foto: wikipedia.org

Në veprimtarinë e Ibrahim Temos, kohëve të fundit, po hasim shumë informacione dhe punë frytdhënëse jo vetëm për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, por edhe për gjithë popujt e Ballkanit në rrugën e drejtë të çlirimit e të përparimit.

E tërë veprimtaria e tij në gjuhën osmane-turke ose në gjuhet e Perëndimit, sidomos në gjuhën frënge, e zbulon dr. Ibrahim Temon si një zëdhënës jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të turqve, maqedonasve, serbëve, vllahëve dhe rumunëve. Historiografia shqiptare, në bazë të teksteve që deri tani e kanë prezantuar këtë personalitet, ka shumë pak të dhëna. Edhe pse në Arkivin e Shqipërisë është një fond shumë i madh, nuk dihen arsyet pse nuk zbardhet deri në fund ai. Në Historinë e Shqipërisë emri i Ibrahim Temos përmendet vetëm tri herë: një herë si reformator, herën e dytë si themelues i Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe të tretën herë si kandidat i Parlamentit Turk.

Veprimtaria e tij zë vend të posaçëm në Rilindjen Kombëtare si një nga atdhetarët e denjë. Aktiviteti i tij lidhet drejtpërsëdrejti me patriotët mëdhenj, si Dervish Elbasani, Dervish Hima, Jashar Erebara, Faik Konica, Hamdi Ohëri, Kristo Luararasi, Ligor Marko, Mehdi Frashëri, Shahin Kolonja, Sotir Koleja e të tjerë.

Në këtë vështrim do të bëjmë fjalë për jetën, punën dhe kontributin e Ibrahim Temos në lëvizjen revolucionare, kulturore e publicistike jo vetën në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare, por edhe të popujve të Ballkanit.

Për të i madhi Faik Konica do të thotë se “Ibrahim Temo është një atdhetar i vërtetë”, se ai ka zemër më shqiptare se vet Faiku, se shkruan shqip më mirë se vet ai…. 

Familja e Ibrahim Temos e kishte origjinën nga krahina e Matit. Në Strugë u vendosën në kohën e Kara Mehmet Pashë Bushatlliut, vezirit të Shkodrës. Pas mbarimit të shkollës fillore dhe dy klasave të ruzhdijes, me ndihmën e disa miqve të babait të tij, shkon për studime në Stamboll. Pastaj regjistrohet në shkollën paraprake të mjekësisë të tipit idadije.

 Në vitin 1885/86 Ibrahim Temo kalon në gjimnazin mjekësor ushtarak. Më 1888/89 regjistrohet në fakultetin modern mjekësor ushtarak. Në këtë fakultet Temo, me intelektin e tij të çuditshëm, vitin e parë dhe të dytë i mbaron përnjëherë. Si një njeri me aftësi të veçanta komunikimi dhe shumë serioz, ai bie në kontakt me shumë studentë shqiptarë, por edhe me turq, me të cilët bisedonte për hallet e shqiptarëve dhe të vetë Perandorisë. Siç thotë Dr. Hasan Kaleshi, Ibrahim Temo ishte një katalizator ndërmjet studentëve brenda fakultetit dhe njerëzve përparimtarë jashtë fakultetit.

 Në këtë kohë Perandoria me kokë ishte kthyer kah Anadolli, kurse në Ballkan i kishte mbetur vetëm bishti, madje në të ishte bërë një mozaik kombesh, të cilët kërkonin t’i fitojnë të drejtat e tyre.

Me iniciativën e Temos dhe të katër studentëve të fakultetit ku studionte ai, u organizua një lidhje sekrete, ndërsa më vonë edhe klubi dhe komiteti me emrin “Bashkim e Përparim”, një subjekt që më vonë u bë bërthamë e lëvizjes së Turqve të Rinj. Ishte kjo organizata e parë politike ilegale në Perandorinë Osmane, që kishte për qëllim ta rrëzojë nga froni sulltani Abdyl Hamitin II. Prandaj ajo nuk kishte qëllim të ngushtë nacional, siç pretendonin në fillim disa anëtarë. Kështu, falë bindjes së Ibrahim Temos, në këtë organizatë mund të pranoheshin të gjithë ata nënshtetas osmanlinj që ishin të besueshëm dhe ishin në gjendje të mirë ekonomike, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale e konfesionale.

Kjo organizatë u përhap jo vetëm në Perandorinë Osmane , por edhe në Buhara, Kaukaz, Kajro, Tunizi, Algjer, Marok, Beograd, si dhe në disa qendra evropiane, si: në Paris, Gjenevë, Londër, Bruksel e Folkeston.

Pas një aktiviteti shumë intensiv, në vitin 1889 Ibrahimi vjen në Strugë për t’i kaluar pushimet verore dhe për t’u parë me prindërit dhe miqtë. Po në këtë verë, për aktivitetin e tij, Ibrahim Temo burgoset dhe përmes të Shkupit dhe Selanikut dërgohet në burgun e Stambollit. Megjithatë, në mungesë të provave dhe pas shumë kërkesave, ai lirohet nga aktakuza. Më 1893 i kryen studimet me sukses dhe e mbron temën e diplomës me titull “Kudiz hastaligi daulkelb” (Sëmundja e tërbimit). 

Veprimtaria e tij udhëhiqej në tri drejtime: në organizimin e degëve të organizatës, në profesionin e tij të mjekësisë dhe në organizatat humanitare. Ai punonte në spitalin e dëgjuar “Hajdarpasha”. Si studiues i pjekur, ai i shkroi veprat “Mjeku i shtëpisë”, “Ushqimi për jetë të gjatë”, “Pse e dua Ataturkun”, “Medicina popullore dhe mbajtja e shëndetit”, “Abetare me shkrola arabe”, “Formimi i Shoqatës Bashkim e Përparim”. Më vonë, po në këtë spital me renome, ai emërohet mjek i syve.

Në këtë kohë në disa qytete të Perandorisë kishte rënë një dergjë e madhe, kolera, nga e cila vdisnin qindra njerëz. Ibrahim Temo, i mbushur plot mllef se shumë pak po punohej për njerëzit e thjeshtë nga çdo aspekt, shkruan një poezi me titull “Termeku i madh”, të cilën Dr. Hasan Kaleshi e cilëson “poezi rasti”, ku ai e krahason kolerën me regjimin absolut të Sulltanin. Edhe për këtë poezi ai përsëri prangohet.

Ibrahim Temo edhe disa herë të tjera do të zhvendoset nga puna dhe disa herë do të burgoset për aktivitetin e tij politik. Andaj shpesh ishte i detyruar të udhëtojë prej një vendi në tjetrin. Meqë ishte njeri i kontakteve, ai bie në shoqëri me disa studentë vllahë dhe ilegalisht kalon në Rumani, për t’i ikur kështu burgut dhe për të ndërmjetësuar ndërmjet rumunëve dhe grekeve për ta ndarë shkollën dhe kishën.

Edhe këtu Temos iu dha mundësia që ta ushtronte profesionin e mjekut. Pastaj ai transferohet në një vendbanim nja 30 kilometra prej Konstancës e, më vonë, edhe në Dobruxhë, ku ishin të vendosur shumë shqiptarë dhe turq. Por, ai nuk u ndal as këtu me aktivitetin e tij. Madje me të madhe e ushtronte aktivitetin e tij politik edhe në Rumani. U bë bile edhe senator në Senatin e Rumanisë, ku mendimet e tija gjenin përkrahje tek populli rumun.

Temo udhëtonte nëpër shumë qytete të Ballkanit e të Evropës për ta shpjeguar idenë dhe për të themeluar komitete të xhonturqve. Ai kudo fliste për gjendjen e mjeruar, dërgonte letra, traktate, manifeste dhe shpeshherë i drejtohej edhe selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ankohej për gjendjen e rendë të popujve, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe besimin e tyre fetar. 

Po ashtu shkruante shpesh në shtypin e kohës, sidomos në gazetën e Dervish Himës “L’independence albanaise”. Ai bashkëpunonte me bashkëvendësin e tij, Dervish Himën, i cili ishte përfaqësues i krahinës së Danubit me Jashar Erabarën si përfaqësues të osmanlinjve në Bukuresht, me Behxhet Hoxhën nga Dibra e me shumë të tjerë. Ibrahim Temo do të mbetet jo vetëm organizator i “Itihatit ve Teraki”, por edhe zëdhënës i saj.

Pas mbarimit të së ashtuquajturës “Kiza Lindore”, Perandoria dhe fuqitë e mëdha evropiane u ndeshën me një problem shumë të komplikuar – me “Çështjen e Maqedonisë”. Kjo ndodhte pikërisht në kohën kur propagandat luftarake të shteteve ballkanike, si Bullgaria, Serbia dhe Greqia, vepronim me të madhe për ta dezinformuar opinionin evropian dhe për të ngjallë apetitet shoviniste të këtyre shteteve ndaj territorit të Maqedonisë. Madje, këto shtete shoviniste ballkanike, pos propagandës, ushtruan edhe forcë, duke hedhur çeta të armatosura si pretekst se gjoja ato i mbrojnë vëllezërit e gjakut. Edhe Serbia, edhe Bullgaria edhe Greqia thirreshin në “kohërat e mira”.

Greqia, me propagandën e saj, duke u mbështetur në aspektin historik e gjeografik, deklaronte se Maqedonia është “tokë greke”, ndërsa “banorët e saj me besim të krishterë janë pasardhësit e Filipit dhe të Perandorisë Bizantine”. 

Bullgaria e shikonte të ardhmen me Maqedoninë, pa të cilën shteti bullgar as që mund të formohej. 

Nga ana tjetër, Serbia propagandonte për një “bashkim të tërë serbëve”, duke filluar nga Bosnja e deri në Selanik e Durrës, andaj në Serbi thuhej: “Nëse Bosnja nuk mundet të vijë te ne, atëherë ne do të shkojnë atje dhe do të drejtohemi kah jugu.”, me çka mendohej në okupimet e territoreve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për të dalë kështu në det. Kjo shihet në këtë deklaratë të Nikolla Pashiqit: “Kjo në jug duhet të bashkëngjitet dhe asnjëherë të mos ndahet, për arsye se den baba den dihet se kush e ka pasur Maqedoninë”.

Ibrahim Temo në Paris pati edhe një takim me  Nikolla Pashiqin ku debatuan shumë ashpër mbi pretendimet serbe ndaj shteteve të Ballkanit e sidomos ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë.  

Edhe Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara për Maqedoninë dhe për “Çështjen e Maqedonisë”, kjo pikërisht për shkak të Luginës së Moravës dhe daljes në Selanik dhe Detin Egje, që kështu të afrohen sa më afër Stambollit.

Propagandat dhe hedhja e çetave nga shtetet e Ballkanit mbi popullatën që jetonte në territorin e Maqedonisë sollën shumë të papritura dhe shumë vuajtje. Por, moskuptime u paraqitën edhe nga shtetet e lartpërmendura, ndonëse shtetet e mëdha të Evropës, varësisht nga simpatia, bënë privilegje ndaj shteteve, duke e mohuar nacionalitetin e njëri-tjetrit.

Më 15 shkurt të vitit 1903, në Paris, Ibrahim Temo merr pjesë si i deleguar shqiptar në konferencën e dedikuar “Çështjes së Maqedonisë”. Kjo konferencë u mbajt në teatrin “Chateau d’Esu” (Shato Doy). Pasi folën shumë pjesëmarrës, fjalën e mori edhe një francez me emrin Pressense (Presenëse). Ky orator dëshironte ta shpjegojë “Çështjen e Maqedonisë” ashtu si dëshironin të tjerët, pa e njohur mirë as Turqinë Evropiane e as nacionalitetet që jetonin në territorin e Maqedonisë, por duke u mbështetur vetëm në statistika arbitrare.

Pasi e dëgjoi me kujdes zotin Presenëse, i cili me oratorinë e vet e filloi ta mashtronte opinion evropian duke i mohuar së pari vllahët, Ibrahim Temo e mori fjalën dhe tha: “Se arumunët nuk kanë vetëdije kombëtare se ato janë helenofil, këto nuk kanë të bëjnë me realitetin”. Ibrahim Temo iu kundërvu atij duke thënë se “Helenët e historisë as që ekzistojnë. Kurse vllahët, përkundrazi, ata e afirmojnë nacionalitetin e vet nga dita në ditë, duke krijuar katundet e veta e duke themeluar shkolla të reja ku e mësojnë gjuhën e tyre”. Pastaj Temo vazhdoi se: “Ata (vllahët) punojnë aktualisht për shkëputjen e kishës së tyre nga varësia e Patrikanës Ekumenike”. “Ju zotëri po thoni se ky popull është i parëndësishëm dhe lansoni gënjeshtra se bashkë me popujt të tjerë u jepni epitetin e renegatëve”, u shpreh ai. 

Më pastaj Ibrahim Temo, me një zë të lartë e të qartë, si dhe me një frëngjishte të përsosur, u ndal rreth shqiptarëve, duke thëne se “shqiptarët formojnë shumicën e popullsisë totale në Maqedoni, por aty jetojnë edhe popuj të tjerë”.

Në vazhdim do ta japim tekstin e plotë të fjalimit të Ibrahim Temos, ashtu siç e ka përkthyer miku im Baki Ymeri në shqip prej gjuhës frënge.

“… Nëse ata bëjnë nga ndonjëherë ekskursione kundër fqinjëve si pasojë e hakmarrjes dhe të mungesës së shkollave, siç ballafaqohemi gjithmonë me gjëra të ngjashme në anë (vende) të shumta të Evropës, për shembull në Sicili dhe në Korzikë, kjo nuk ndodh për tiranizimin e të krishterëve ku shpeshherë në bandat e tyre gjenin edhe shqiptar katolikë dhe ata nuk sulmojnë asnjëherë gratë, fëmijët, nderin, përkundër të disertacioneve të propagandave që trumbetojnë për të mashtruar Evropën. Krejt bota e shkolluar e dinë se shqiptarët janë një komb kalorësiak, që konservon kostumet nacionale dhe moralitetin e vet të lashtë. Unë kam qenë mjaft i habitur nga fjalët e Zt. Presenësenit, duke thënë se gjoja Aleksadrët dhe Filipët janë grekë dhe se kalojnë heshtje prejardhjen e tyre pellazgjike, si dhe tonën. Më në fund, shqiptarët siç ka theksuar Zt. Leralle, janë një komb i përbërë prej fiseve të shumta katolike, muhamedane, ortodokse, që ruajnë traditat dhe veshjet e tyre kombëtare. Dhe njëherë ata nuk janë renegatë që i përkulen forcës. Kjo konfirmohet me faktin se gjenden në të njëjtën familje edhe të krishterë edhe myslimanë të cilët e thirrin njërin-tjetrin, motra ime, vëllai im, kushërira ime etj.

Sot, këta janë priftërinjtë, hoxhallarët dhe shkollat e themeluara për të mbjellë urrejtjen dhe përçarjen kundër pjellës së të njëjtë racë, por prej sekteve të ndryshme. Sipas qeverisjeve, këta janë gjëra që i thellojnë antagonizmat ndërmjet popullsive që jeta në një shtet, disi ende primitiv. U takon njerëzve eminentë si Zt Presessait të hulumtojë burimet e vërteta të çrregullimit dhe të tiranisë. Ai nuk ka nxjerrë asnjë fjalë për pansllavizmin i cili është një ndër çështjet më të rëndësishme pas tiranisë qeveritare aktuale. Kjo çështje maqedonase që do të kallë atdheun tonë, mund të jetë vetë Evropa e cila mbjell aq shumë urrejtje ndërmjet popujve dhe e cila, jo vetëm që duhej ta shkurtojë dorën tiranike të qeverisë osmane, por duhej njëkohësisht t’i presë edhe gishtërinjtë e pansllavizmit. Në qoftë se ndërpritej njëri, mbetej tjetri, i cili bëhej më i fortë se i pari dhe nuk mbeti kështu, një çast qetësie në Evropë. Dinjiteti i Evropës mbi të gjitha, është shtypi francez, i cili e ka për borxh të merret me të vërtetën, do me thënë me çështjen e Turqisë evropiane dhe jo me çështjen maqedonase ( të imagjinuar – sipas rezultateve të fjalimit të Zt. Pressense-Maqedonia nuk ekziston. Nuk është e vërtetë se fakti se revolucionarët bullgarë gjenden në terr e tirani, përkundrazi. Në qoftë se qenësorja është t’i shërbesë njerëzores, nuk duhet dëgjua francezët që punojnë për zbutjen e një Maqedonie të ashtuquajtur Maqedoni, duke i lënë Shqiptarët të banojnë njërën nga pjesët më të bukura të Evropës dhe fishkëllejnë ç’prej moti rrugën e turqve mbi një urë pushtuese të Evropës nga ana e Italisë.

Po i prezantoj publikut të interesuar, në emër të së vërtetës, numrin e popullsisë së Turqisë Evropiane (vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Selanikut, Manastirit, Janinës, Adrianopojës) me përjashtim të rrethit të Konstatinopojës:

Shqiptarë (të krishterë dhe myslimanë)……………… 2.600.000

Osmanlinj (turq)……………………………………… 0.900.000

Sllavë (maqedonas, serbë e bullgarë)………………… 0.800.000

Grekë………………………………………………….. 0.550.000

Arumun (vlleh)……………………………………….. 0.520.000

Çifutë…………………………………………………. 0.095.000

Ciganë…………………………………………………. 0.020.000

Gjtihsej: 5.485.000

Dhe, tani duhet pritur autonomitë që mund të jepen dhe pa marrë parasysh shumicën dhe nevojat lokale, masakrat fantastike që i vërshojnë për çdo ditë shtypin evropian. Megjithatë pa marrë parasysh këtë, ne shqiptarët i mbetemi besnik drejtësisë së Evropës, ne nuk e presim këtë nga librat dhe francezët fisnikë, por përkundrazi, ne presim përkrahjen me drejtësi dhe barabarësi”.

Ibrahim Temo, me formimin e lëvizjes së Turqve të Rinj, që në fillim e pa se punët nuk do të shkojnë mirë dhe ashtu siç ai e kishte hartuar në programin e Shoqatës. Andaj në vitin 1902 e braktis punën si mjek dhe merr rrugën për në Evropën Perëndimore. Atje u takua me shumë miq e politikanë të ndryshëm, me të vetmin qëllim që t’i koordinojë punët e komiteteve. Në të njëjtën kohë ai specializon edhe për sëmundjen e syve në Paris.

Revolucioni i Xhonturqve e gjeti Temon në Kostancë. Aty, para shtëpisë ku banonte, ai e mbajti një fjalim të zjarrtë dhe ishte më se i bindur se tani “absolutizmit të Sulltanit iu thyen brinjët”. Por, nuk ishte kështu, ngase pas pak kohe Temo shkon në Selanik për ta vizituar klubin qendror të xhonturqve, ku aty u takua me Qamil Pashën, i cili i tha troç Temos se: “Kjo organizatë nuk është e njëjta me atë që ju e krijuat dhe në emrin e së cilës ju keni bërë agjitacion jashtë shtetit; në të vërtetë, kjo organizatë është rezultat i Manastirit dhe i Selanikut”.

I dëshpëruar nga ajo që e dëgjoi, ai kthehet në Strugë. Në atë kohë Perandoria i përgatiste votimet parlamentare. Prandaj populli i Strugës e dominoi këtë bashkëqytetar të tyre për deputet në Parlamentin Turk. Mirëpo, klubi i Xhemijetit nuk ia pranoi kandidaturën. Sipas Manol Pandevskit, shkaku ka qenë se ky gjoja ka qenë deputet në Parlamentin Turk.

Pas kësaj, pas një kohe të shkurtër, ai largohet nga Struga dhe shkon në Rumani. Por, më vonë shkon përsëri në Stamboll dhe punësohet si “Inspektor i shëndetësisë” në prefekturën e Paros (Bajagllu). 

Dr. Ibrahim Temo, përveç punës së drejtpërdrejtë ose edhe me organizimin e degëve në vende të ndryshme ky e shtrinte veprimtarinë e tij, por edhe nëpërmjet shtypit të kohës, edhe atë në gjuhë frënge, ai e proklamonte Reformën. Andaj shpesh edhe keqkuptohej. Kjo ishte arsyeja që ai do të shkruajë se “lufta është kundër Sulltanit e jo kundër popujve të Rumelisë”.

Temoja një kohë kishte punuar si punëtor edhe në një barnatore të një greku, ku e kuptoi edhe më mirë psikologjinë e grekëve. Atij i vjen shumë keq pse kisha greke ndjellë shovinizëm e armiqësi ndaj popujve, sidomos ndaj shqiptarëve, vllahëve, maqedonasve etj. 

Kur u paraqit problemi i ndarjeve të shkollave nga kishat, ai bashkë me vllahët nga Rumelia dhe shqiptarët ortodoksë të rrethit të Korçës do të shkojë në Sulltanat, bashkë me inspektorin e Arsimit, Apostol Margariti, si dhe me peshkopin nga Korça, Harallambi Bellomaçe, për ta zgjidhur problemin e arsimit nga kisha greke e bullgare. Mirëpo, një punësuar në Sulltanat deshi t’ia këpusë mjekrën Harallambiut kur e dëgjuan kërkesën e tij. Vetëm falë Temos çdo gjë kaloi pa pasoja. 

Temo, po ashtu, ka pasur bashkëpunim të ngushtë edhe me Dimitar Vllahovin, madje bashkë do të angazhohen që të mos ndalohen gazetat dhe të mos burgosen gazetarët që shkruanin mbi çështjet e kohës në Perandori, si dhe ndaj shteteve që e kishin fituar pavarësinë nga Perandoria dhe tani e kishin filluar luftën ndaj popujve të vegjël e të pambrojtur. Kështu ai do të botojë disa shkrime mbi problemin maqedonas, duke nxjerrë të vërtetën ndaj qëndrimeve të Rusisë, Gjermanisë, Italisë e Serbisë. Më vonë ai do të jetë ndër nismëtarët e parë për formimin e një organizate intelektuale “shqiptaro-maqedone” për t’i mbrojtur drejtat e tyre.

Me autoritetin e Temos, i cili një kohë e kryente edhe postin e kryetarit të qytetit Mexhidie, shumë turq të Dobruxhës në Ruamani gëzonin shumë të drejta.

Temo i urrente pushtetarët dhe e donte e i dilte në mbrojtje popullit të thjeshtë. Këtë e shohim kur ai u doli në mbrojtje varrezave serbe për ngritjen e një monumenti të ushtarëve serbë në Dobruxhë, edhe pse aty kishte mospajtime mes myslimanëve të kombësive te ndryshëm. Falë Ibrahim Temos, u realizua ajo kërkesë, duke thënë “se varrezat e atyre – të rënëve (ushtarëve), që nuk kanë faj, pos atyre që s’u dhimbsen….. ”. Për këtë qeveria Jugosllave e futi në listën e mirënjohjeve “Sveti Sava”, që nuk dihet a e pranoi ai apo jo.

Ky rilindës për të gjithë nacionalitetet e Ballkanit mendonte se gjuhët e ndryshme, që fliteshin në Ballkan, janë pengesë për mirëkuptim dhe kërkonte që në shkollat turke të mësohej edhe gjuha e shqiptarëve, bullgarëve, rumunëve, serbëve, por jo me “shkrola osmano-turke (e cirilike), por me shkrola latine”. Kështu e mori edhe epitetin si “Temo latinisti”.

Aktivitetin e vet politik nuk e la edhe kur ishte i zhgënjyer, ngaqë ai ia kishte kushtuar tërë jetën këtij ideali. Ai dha kontributin e tij deri në shpalljen e pavarësisë e më pas. Por, malli për vendlindje nuk iu shua kurrë. Ai në kujtimet e veta shprehet kështu: “Struga e jeme e bukur”.

Pas pavarësisë së Shqipërisë, Ibrahim Temo do të angazhohet në Kryqin e Kuq në qeverinë e Princ Vidit si drejtor provizor i shëndetësisë, ku do ta vazhdojë veprimtarinë e tij humanitare ndaj njerëzve të varfër pa dallim feje e kombësie.

Ibrahim Temo mbetet një ndër figurat me vlerë të madhe kombëtare në historinë e popullit tonë, por edhe të popujve të tjerë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse ai ishte vet i tillë. 

Temo e sakrifikoi jetën e tij për ta zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Andaj sot ai mbetet një rrënjë në tokë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët, ngase veprimtaria e tij shtrihet në përmasa ballkanike.

Filed Under: Interviste

Shqiptarët për Amerikën avokojnë për çështje kryesore gjatë ceremonive të betimit në Kongres

January 6, 2025 by s p

Washington, D.C. – 3 Janar 2025 – Anëtarët e Albanians for America (AFA) patën kënaqësinë të marrin pjesë në ceremonitë e betimit të Kongresit të 119-të këtë javë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me ligjvënësit për të promovuar çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Përfaqësuesit e AFA-s diskutuan mbi sigurinë, demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe rritjen e pjesëmarrjes së shqiptarëve-amerikanë në zgjedhje dhe në poste publike në nivel lokal, shtetëror dhe federal. Takime të rëndësishme u zhvilluan me disa anëtarë të Kongresit, përfshirë Rep. Brian Mast (R-FL), kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka një rol jetik në avancimin e angazhimit të SHBA-së me Kosovën dhe Shqipërinë. Ambasadori i Shqipërisë, Ervin Bushati, dhe i Kosovës, Ilir Dugolli, gjetën kohë nga axhendat e tyre të ngarkuara për të na pritur për diskutime.

AFA gjithashtu u takua me Rep. Pete Sessions (R-TX), Sen. Shelley Moore Capito (R-WV), Rep. Pat Fallon (R-TX), Rep. Zach Nunn (R-IA), Rep. John James (R-MI), Rep. Keith Self (R-TX), Rep. Brandon Gill (R-TX) dhe Sen. Elissa Slotkin (D-MI), të cilët përfaqësojnë distrikte të ndryshme dhe sjellin perspektiva dypartiake në komitete kyçe si ato të marrëdhënieve të jashtme, të mbrojtjes dhe buxhetimit. Këto biseda theksuan ndikimin në rritje dhe zërimin e unifikuar të shqiptarëve-amerikanë mbi çështjet ndërkombëtare dhe kombëtare. Gjithashtu, anëtarët e AFA-s festuan betimin e Senatores Slotkin në Muzeun Ndërkombëtar të Spiunazhit së bashku me drejtues të shquar shqiptaro-amerikanë si Suzana Shkreli, Drin dhe Rialda Kukaj, Gëzim Rushiti, Gino Mulliqi dhe Doc Vranici, duke theksuar unitetin dhe përkushtimin e komunitetit ndaj angazhimit qytetar.

Shqiptarët Për Amerikën vazhdojnë të shtyejnë përpara promovimin e prioriteteve shqiptaro-amerikane në Capitol Hill. Bashkohuni me ne për të fuqizuar zërin tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për komunitetin shqiptaro-amerikan. Për të mësuar më shumë dhe për të u bërë anëtar, vizitoni AlbaniansForAmerica.org.

Filed Under: Emigracion

EKSKLUZIVE/  HISTORIA E HARRUAR E VRASJES SË PABESË TË ISMAIL BEJ VLORËS

January 6, 2025 by s p

NGA EVARIST BEQIRI*

Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare, por të lënë krejtësisht në harresë nga historiografia dhe institucionet shqiptare. Po sjellim sot vetëm dy, nga një sërë artikujsh të shtypit evropian lidhur me ngjarjen që i dha goditjen e parë dhe vendimtare, përpjekjes  së parë për pavarësimin e Shqipërisë. Gazeta e Milanos (Mars, 1829) dhe Gazeta e Firences (nr. 29, 7 mars 1829), në shkrimet e tyre që po i publikojmë për herë të parë, pasqyruan vrasjen e pabesë të Ismail Bej Vlorës, në Janinë, më 5 janar 1829. Po në të njëjtën periudhë, po të njëjtin lajm e pasqyruan edhe disa gazeta të tjera europiane, si Gazeta Piemontese, Gazeta e Provincës Breshiane, Courrier D’Orient etj.

Ali Pasha Tepelena u ekzekutua më 24 janar 1822. Pas rënies së tij, në shumicën e trojeve të Toskërisë, pushteti i vërtetë mbeti në duar të asaj që William Meyer, konsulli britanik në Prevezë, e quajti “Liga e Toskërisë”, një oligarki ushtarake e përbërë nga udhëheqës të pakënaqur, që dikur kishin qenë pjesë e oborrit të Ali Pashës. Siç ishin mbajtësi i shpatës së Ali Pashës, Zylyftar Iljaz Poda, mbajtësi i vulës, Muhurdar Ago Vasjari, thesarmbajtësi Omer Vrioni, kreu i rojeve, Tahir Abazi, komandanti i rendit publik, Elmaz Meçe, si dhe disa krerë ushtarakë si Dervish Hasani dhe Sulço Gorça. Duke qenë fqinjët më të afërt të grekëve të rebeluar, si edhe duke mbajtur ende shumicën e forcave ushtarake operacionale në rajon pas shpërbërjes së qeverisë së Ali Pashës, qëndrimi i tyre kundër Revolucionit Grek ishte i një rëndësie kyçe.

Ismail Bej Vlora (1778-1829), shfaqet në këtë periudhë si udhëheqësi kryesor shqiptarë në Toskëri. Nga ana tjetër, osmanët forcuan aleancën me Omer Pasha Vrionin, si kundërpeshë. Ismail Bej Vlora ishte ngarkuar nga qeveria osmane për të luftuar Revolucionin Grek (1821–1829). Ai nuk pranoi që t’i kundërvihej kryengritjes greke dhe të vendoste në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve. Ai u largua nga fronti osmano-grek, bashkë me afro 4 mijë trupat e tij. Për shkak të rebelimit të tij, që në vitin 1822, Sulltani firmosi dy fermanë të ndryshme që duhet të zbatoheshin sipas situatës, njëri parashikonte internimin, ndërsa tjetri vrasjen e Ismail Bej Vlorës dhe të vëllait Beqir Bej Vlorës. 

Udhëheqësit shqiptarë pasi u tërhoqën nga fronti i luftës greko-osmane, ishin të interesuar për faktin se deri ku do të shtrihej revolucioni grek dhe deri sa mund ti kërcënonte tokat shqiptare. Nga burime greke mësojmë se në vitin 1827, vëllai i kryetarit të parë të shtetit grek, Kapodistrias, kishte hyrë në bisedime me Ismail bej Vlorën, për të negociuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Po këto burime bëjnë me dije se në bisedimet e zhvilluara ishte arritur marrëveshje mes palëve për paprekshmërinë territoriale të njëri-tjetrit. 

Në vjeshtën e vitit 1828, kur u bë e qartë se çështja greke po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën kryesimin e Ismail Bej Vlorës, Zylyftar (Iljaz) Podës dhe Shahin Bej Delvinës, mblodhën një kuvend në Berat. Ata diskutuan për kthimin e të drejtave që paria shqiptare kishte gëzuar tradicionalisht nën sundimin osman. Ismail Bej Vlora ishte kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit (6–8 nëntor 1828). Ky kuvend krijoi organizatën politike me emrin “Lidhja Shqiptare”, e kryesuar po nga Ismail Bej Vlora. Ajo kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit, si edhe punoi për shtrirjen e rrënjëve të saj në krahinat e tjera të Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo ngjarje vendimtare, për fatet e kombit tonë është anashkaluar gjithmonë. Ajo mbetet edhe sot e gjithë ditën e pavlerësuar nga historiografia dhe autoritetet zyrtare…

Në nëntor 1828, 84 vite para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, nga qyteti i Beratit, shqiptarët kërkuan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ata kërkuan krijimin e një shteti shqiptar, që si bërthamë territoriale do të kishte territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha Tepelena. Në një letër të vitit 1828, Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemal Bej Vlorës) i ftoi krerët shqiptarë të mos silleshin si nëpunës të shtetit osman, por si pjesë e udhëheqësisë së Shqipërisë, e cila kishte fuqinë dhe detyrimin të merrte vendime për të ardhmen e saj: “Mos u nxitoni për t’i shkatërruar dhe asgjësuar komitët [grekë], pasi sikurse e dimë të gjithë, ajo që po ndodh me punët e grekëve do të na ndodhë edhe neve. Që punët e popullit shqiptar të rregullohen ashtu siç duhet dhe të merren nën kontroll të plotë, jam marrë vesh me [Iljaz] Podën,… Ngaqë edhe ju jeni pjesë e parisë së Shqipërisë, hapini mirë sytë për të mbrojtur atdheun tonë.”

Ismail Bej Vlora filloi projektin për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Prandaj, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës” (5 janar 1829), së bashku me 18 njerëz të shpurës, në kështjellën e Janinës nga Reshit Mehmet Pasha (1780–1839). Menjëherë pas këtij akti, Reshit Mehmet Pasha (Kütahi), u emërua në postin e Vezirit të Madh nga Sulltani. 

Vrasja pabesisht e Ismail Bej Vlorës, u konsiderua si një fyerje kombëtare për shqiptarët. Ajo ngjalli zemërim të thellë në Jugun e Shqipërisë. Megjithatë, krahina e Vlorës do të mbetej një kala e pamposhtur për turqit edhe pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës. Vëllai i tij, Beqir Bej Vlora e çliroi  krahinën e Labërisë nga turqit. Gjatë kësaj periudhe osmanët u shfaqën të pafuqishëm për ta nënshtruar Vlorën. Në një raport që veziri i madh i drejton Stambollit më 12 shtator 1830, dëshmohet se: “Beqir Vlora (vëllai i të vrarit Ismail Vlora)… nuk do të lëshojë nga dora anët e Vlorës, që i ka në pushtetin e tij…” 

Vrasja e Ismail Bej Vlorës (1829), “Masakra e Manastirit” (gusht 1830), ku u masakruan pabesisht mijëra krerë shqiptarë, dhe rënia e Pashallëkut të Shkodrës (1831), treguan qartazi se osmanët do ta shtypnin dhunshëm çdo tentativë për shkëputje të trojeve shqiptare nga perandoria. Gjithsesi, Ismail Bej Vlora ka meritën e madhe që i dha për herë të parë çështjes shqiptare ngjyresën kombëtariste.

Kuvendi i Mesaplikut (1847), i cili krijoi “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”, shënon një tjetër ngjarje politike ku manifestohet publikisht nevoja e bashkimit politik të të gjithë shqiptarëve për të realizuar shkëputjen nga shteti osman. Në programin kombëtar u shpreh qartë domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve. Në këtë kryengritje, për herë të parë u shfaq kërkesa për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Mahmud Bej Vlora, i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, ishte një nga krerët kryesor të kësaj lëvizje, prandaj, si pasojë e qëndresës së familjes Vlora ndaj reformave të Tanzimatit, Mahmud Bej Vlora, Muhamet (Mehmet) beu dhe kushërinjtë, Selim Pasha Vlora dhe Mustafa Pasha Vlora, u internuan në Konia. 

Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, kundër masave që parashikonte Tanzimati dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë, është nga përpjekjet e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, u frenuan përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Prandaj, Mahmud Bej Vlora, i biri i Ismail Bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-1854, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali, për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila kërkoi të përfitonte nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë. 

Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët përgjatë shekullit të XIX-të, ku ka fillesat edhe Rilindja Kombëtare. Shqiptarët zhvilluan luftëra të pandërprera lokale kundër autoriteteve turke, sidomos gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit. Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili gjendet në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë. Ai është një vendim i Kuvendit të Labërisë (1847), nën kryesinë e Mahmud Bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslym Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”, brenda së cilës secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta edhe pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek, gjenerali Koletis, e përkrahu këtë kërkesë. Por, kolegët e tij dhe parlamenti grek nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.

Vizioni është një element thelbësor i lidershipit. Shpesh, idetë që përbëjnë vizionin janë aq të fuqishme sa kapërcejnë shekujt dhe bashkojnë breza të tërë njerëzish drejt realizimit të tyre. Vizioni i lirisë kishte hedhur rrënjë të thella në familjen Vlora, duke përfshirë të paktën tre breza në këtë kauzë madhore. Ismail Bej Vlora u vra, por nuk u mposht. Ideali i tij për një Shqipëri të pavarur u bë realitet 84 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, nga nipi i tij, Ismail Qemal Vlora. 

Periudha para Pavarësisë së Shqipërisë është një kapitull kyç në historinë tonë, e mbushur me ngjarje të rëndësishme që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Duhet siguruar që të gjithë kontribuuesit në çështjen tonë kombëtare të marrin vlerësimin e merituar. Njohja e thellë e së shkuarës është çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të begatë. Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme.

Në një kohë kur kujtesa kolektive është më e rëndësishme se kurrë, ne shqiptarët kemi nevojë për një histori kombëtare më të plotë dhe më të drejtë. Periudha para Pavarësisë është një pasqyrë e aspiratave, sakrificave dhe dëshirës për liri të të parëve tanë. Me shpresën se viti 2025, do të shënojë një kthesë në këtë drejtim, duke përdorur tashmë si duhet edhe teknologjinë e avancuar, si Inteligjencën Artificiale, ne duhet që t’ju bëjmë drejtësi të gjithë atyre që kanë kontribuuar në formimin e kombit tonë. 

Kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne, si individë dhe si shoqëri. Njohja e historisë është vendimtare në forcimin  identitetit tonë kombëtar. E vërteta historike dhe drejtësia historike janë të domosdoshme për të pasur një shoqëri të plotë dhe të drejtë…

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • 557
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT