• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dënimi i Trump është caktuar për 10 janar. Ç’ mund të ndodhë më pas?

January 5, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

NJU JORK – Jemi përballë dilemës së paparë më parë, se si, kur apo, edhe nëse do të dënohet një ish- president dhe një president i ardhshëm i SHBA-së. Gjykatësi në çështjen e parave të heshtura të Presidentit të zgjedhur Donald Trump mori së fundi një vendim dramatik, edhe pse mund ta mbyllte çështjen në një “fund të heshtur”.

Në një vendim të premten, gjykatësi i Manhattan-it, Juan M. Merchan e caktoi datën e shpalljes së dënimit, 10 ditë përpara datës së inaugurimit të Trump -it, por gjykatësi shtoi se ai po prirej drejt një dënimi që do të përbënte, thjesht një mbyllje të çështjes, pa ndonjë dënim të vërtetë. Ai tha se Trump mund të merrte pjesë në gjyq në 10 janar qoftë edhe nga distanca, për shkak të detyrave të tij të tranzicionit.

Megjithatë, kjo do ta bënte që Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë thjesht si “një i dënuar për krime” dhe kjo do t’i bënte gazetarët e MSNBC që t’u shkonte goja lëng.

Por a do të shkohet gjer aty? Trumpi dëshiron që dënimi t’i hiqej dhe çështja të pushohej, ndërsa drejtori i komunikimit Steven Cheung, tha se presidenti i zgjedhur do të “vazhdojë të luftojë”. Por është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë me këtë rast të paprecedent dhe të paparashikueshëm. Këtu janë disa nga pyetjet kryesore dhe çfarë ne dimë:

Pse Trump-in “e pret” një dënim?

Trump u dënua në maj për 34 akuza për krimin e falsifikimin e të dhënave të tij të biznesit nga një juri. Ato i përkisnin një pagese prej 130,000 dollarësh, të bërë përmes ish-avokatit të tij personal në vitin 2016, për të mbajtur larg aktoren porno Stormy Daniels, nga publikimi i historisë së pretenduar të saj, për marrëdhënie seksuale me Trump një dekadë më parë. Trumpi e mohon pretendimin e saj dhe thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe.

Dënimi i Trump-it u caktua fillimisht për më 11 korrik. Por me kërkesë të avokatëve të tij, procedura u shty dy herë, duke përfunduar së fundi në një datë në fund të nëntorit, pas zgjedhjeve presidenciale. Pastaj Trump fitoi, dhe Merchan e vuri gjithçka për vendimin në pritje për të parë se çfarë të bënte.

Çfarë urdhëroi gjykatësi?

Merchan ia rrëzoi kërkesën e Trumpit për të hedhur poshtë dënimin dhe të gjithë çështjen. Gjykatësi urdhëroi që Trump të paraqitej – virtualisht ose personalisht, sipas dëshirës së tij – për masën e dënimit në orën 9:30 të mëngjesit të datës 10 Janar.

Cili do të jetë dënimi i Trump-it?

Kjo nuk do të ishte përfundimtare, për derisa gjyqtari ta shpallte vendimin dhe ai vuri në dukje se me ligj, ai do duhet t’u jepte prokurorëve dhe Trump-it një mundësi për të peshuar qëndrimin e tyre. Akuzat parashikojnë dënime të mundshme që variojnë: nga një gjobë ose me kusht, deri në katër vjet burg.

Por gjyqtari shkroi se “opsioni më i zbatueshëm” duket të jetë, ai që quhet “një shkarkim i pakushtëzuar”, që përfundon një çështje pa burgim, gjobë ose me kusht. Por “një shkarkim i pakushtëzuar” e lë dënimin e të pandehurit të shkruhet në rekordet penale. Dhe me ligj në Nju Jork, çdo person i dënuar për një krim duhet të sigurojë një mostër të ADN-së për bazën e të dhënave të krimit të shtetit, madje edhe në rastet e një shkarkimi pa kushte.

A mund ta apelojë, apo ta ndalojë Trump këtë dënim?

Kjo është e turbullt dhe paqartë. Apelimi i një dënimi ose dënimi është një gjë, por gjërat e para për të sfiduar llojet e tjera të vendimeve vijuese gjatë një rasti të tillë janë të ndërlikuara.

Ish-gjyqtarja e Manhattan-it, Diane Kiesel tha, se sipas ligjit të Nju Jorkut, vendimi i së premtes nuk mund të apelohet, por kjo “nuk do të thotë, se ai nuk mund të gjykohet”.

Ndërkohë, avokatët e Trump janë përpjekur që një gjykatë federale ta merrte përsipër kontrollin e çështjes. Prokurorët e Gjykatës së Rrethit të 2-të të Apelit do të duhet, deri në 13 janar të paraqesin një përgjigje, tre ditë pasi Trump të dënohej.

Mbrojtja gjithashtu ka sugjeruar se do të kërkonte, ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, nëse Merchan nuk e hidhte poshtë çështjen. Në 25 nëntor në një letër drejtuar gjykatësit, avokatët e Trump-it pretendonin se Kushtetuta e SHBA e lejon apelimin në Gjykatën e Lartë sepse mbrojtja, po paraqiste argumente për imunitet presidencial.

Pjesa më e madhe e argumentit të tyre ka të bëjë me vendimin e korrikut të Gjykatës së Lartë mbi këtë temë, i cili u dha mbrojtje të konsiderueshme ligjore presidentëve. Avokatët e Trump mund të përpiqen ta bindin Gjykatën e Lartë, se ajo duhet të vazhdojë me këtë çështje, duke u përfshirë tani edhe në çështjen e parave të heshtura.

Një zëdhënës i Trump tha se nuk ishte marrë asnjë vendim, nëse do të kundërshtohej vendimi i Merchan.

Çfarë thonë prokurorët për gjithë këtë?

Ata nuk pranuan të komentojnë vendimin e Merchan. Ata e kishin inkurajuar më parë që ai të mbështeste verdiktin dhe i ofruan opsione të tilla, si vonesa e dënimit derisa Trump të largohej nga detyra, duke premtuar se ai nuk do të burgosej, ose mbylljen e çështjes, duke vënë në dukje se ai ishte dënuar, por nuk u dënua për shkak të imunitetit presidencial. Merchan tha se i këto ide i dukeshin të paqëndrueshme.

Ja pse kjo është një “Çështje Frankenstein”

Gjykatësi dhuroi para – një shumë të vogël, 35 dollarë, por kjo është në shkelje të qartë e një rregulli që i ndalon gjyqtarët e Nju Jorkut të bëjnë donacione politike të çdo lloji – për një operacion politik, si ai pro-Biden, anti-Trump, duke përfshirë fondet që gjyqtari caktoi për ” t’ i rezistuar Partisë Republikane dhe trashëgimisë radikale të krahut të djathtë të Donald Trump.” A do të ishin pro qytetarët, që gjyqtari të gjykonte këtë çështje, nëse ai do të kishte dhuruar disa dollarë për lëvizjen “Rizgjidhni Donald Trump, MAGA përgjithmonë!”? Absolutisht jo.

Prokurori i Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg kandidoi për postin e prokurorit në një qark me shumicë demokratike, duke promovuar aftësitë e tij për gjueti ndaj Trump. Ai në mënyrë të çuditshme (dhe në mënyrë të rreme) mburrej gjatë e fushatës, “Është fakt, që unë e kam paditur Trumpin mbi 100 herë”.

E rëndësishmja, është se akuzat e DA (District Attorney/Prokurorit të Districtit) kundër Trump, zgjerojnë kufijtë e jashtëm të veprimit të ligjit dhe procesit të duhur. Kjo nuk është në juri. Kjo u takon prokurorëve që zgjodhën ta çojnë çështjen dhe gjyqtarit që e la të luhej siç ndodhi.

Zyra e shtypit e prokurorisë së qarkut dhe stafi i saj shpesh shpallën se akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit janë “të zakonshme” dhe, në të vërtetë, “bukë e gjalpë”. Kjo është e vërtetë, vetëm nëse vizatoni linja përkufizimi të ligjit aq të gjera sa t’i bëni ato të pakuptimta. Sigurisht që DA akuzon mjaft shpesh për falsifikim? Pothuajse çdo rast mashtrimi përfshin një lloj dokumentacioni të rremë.

Akuzat kundër Trump janë të errëta dhe të paprecedente

Por kur impononi parametra domethënës gjatë një hetimi, e vërteta del në pah: Akuzat kundër Trump-it janë të errëta dhe pothuajse tërësisht të paprecedente. Në fakt, asnjë prokuror shtetëror – në Nju Jork, apo Wyoming, apo kudo qoftë – nuk i ka akuzuar ndonjëherë me ligjet federale të zgjedhjeve si një krim të drejtpërdrejtë të shtetit, kundër askujt, për asgjë rast. Asnjë. ndonjëherë. Edhe duke lënë mënjanë specifikat e ligjit zgjedhor, vetë DA e Manhattan-it pothuajse nuk sjell asnjë rast, në të cilin falsifikimi i të dhënave të biznesit është akuza e vetme.

Duke qëndruar vetëm aty, akuzat për falsifikim do të ishin thjesht kundërvajtje, sipas ligjit të Nju Jorkut, i cili paraqiste dy probleme për DA. Së pari, askush nuk kujdeset për një kundërvajtje, dhe do të ishte për të qeshur që të ngrihej akuza e parë kundër një ish-presidenti për një vepër të parëndësishme që bie në të njëjtin klasifikim penal teknik si vjedhja e një Snapple apo një qese Cheetos nga një dyqan. Së dyti, statuti i parashkrimit për një kundërvajtje ishte – dy vjet – dhe ka të ngjarë të ketë skaduar prej kohësh në sjelljen e Trump, e cila daton në 2016 dhe 2017.

Pra, për t’i fryrë akuzat deri në krimin e nivelit më të ulët (klasa E, në një shkallë nga klasa A deri në E) – dhe për t’i rikthyer ato në jetë brenda afatit më të gjatë të parashkrimit të krimit – DA pretendoi se falsifikimi i rekordeve të biznesit është kryer “me qëllim për të kryer një krim tjetër”. Këtu, sipas prokurorëve, “ky krim tjetër” është një shkelje e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut, i cili nga ana e tij përfshin tre “mjete të paligjshme” të veçanta: krimet e fushatës federale, krimet tatimore dhe falsifikimin e akoma më shumë dokumenteve. Në mënyrë të pafalshme, DA refuzoi të specifikonte, se cilat ishin në të vërtetë ato mjete të paligjshme – dhe gjykatësi nuk pranoi t’i detyronte jurinë të sqaronte ato – derisa sa të mbyllte argumentet. Aq sa për detyrimin kushtetues për njoftimin e të pandehurit për akuzat ndaj tij përpara gjykimit. (Për këtë, njerëz, janë aktakuzat.)

Në këto aspekte kryesore, akuzat kundër Trump nuk janë thjesht të pazakonta. Ato janë si me porosi, me sa duket, të krijuara individualisht për ish-presidentin dhe askënd tjetër.

Punonjësit e DA të ( District Attorney/Prokurorit të Districtit) Manhattan thuhet se e kanë quajtur këtë si “Një rast Zombie” për shkak të dobësive të ndryshme ligjore, duke përfshirë mekanizmin e çuditshëm të tarifimit. Por ky rast, mund tw karakterizohet më mirë, si “Çështja Frankenstein”, e arnuar me pjesë të papërshtatshme të një konstruksioni të shëmtuar, të sikletshëm, por, pak a shumë funksional, që në fund të fundit, mund të kthehet kundër krijuesin së tij.

A mund ta apelojë Trump dënimin e tij?

Po. Por me ligj, ai nuk mund ta bëjë këtë derisa të dënohet. Trump do të apelojë, siç është e drejta e tij, dhe ai është i sigurt se do t’i kundërshtojë akuzat e shpikura të ndërtuara nga DA. Nuk shkoj aq larg sa të them se cilado gjykatë apeli, ka të ngjarë të rrëzojë çdo dënim – ligji i Nju Jorkut është mjaft i gjerë dhe i mjegullt sa për të lejuar (potencialisht) makinacione të tilla – por ai do të ketë një goditje të mirë.

Fjala e jurisë është me të vërtetë e shenjtë. Por nuk mund të rregullojë gjithçka që i parapriu. Këtu, prokurorët zgjodhën njeriun e tyre, të paktën tani për tani – por ata gjithashtu e dolën kundër ligjit dhe manipuluan atë në një mënyrë të paprecedente, në përpjekjen për të kapur prenë e tyre “një kundërshtar politik si Trump”.

A mund ta falë Trump veten, pasi të jetë president?

Jo në këtë rast. Faljet presidenciale zbatohen vetëm për krimet federale. Pasi Trump dënohet nga një gjykatë e shtetit të Nju Jorkut. Ndaj ata po nxitojnë ta dënojnë, thjesht për t’i vënë nofkën e “të dënuarit” para se të betohet.

Asnjë njeri nuk është mbi ligjin

Kjo është bërë klishe, por është një pikë e rëndësishme dhe ia vlen të ndalemi për të reflektuar mbi rëndësinë e këtij parimi thelbësor. Por është gjithashtu e pakuptimtë, nëse ne do të tolerojmë (ose më keq, të festojmë) pa diskutim devijimet nga procesi dhe parimi për të arritur drejtësi. Ja vlen këtu të kujtojmë një citim të Martin Luther King Jr. “Injustice anywhere is a threat to justice everywhere.” (Padrejtësia ndonjëherë është një kërcënim për drejtësinë kurdoherë.) edhe në bëhet fjalë për njeriun e zgjedhur si më i fuqishmi i botës.

Filed Under: Analiza

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

January 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Janar 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e shkrimtarit dhe diplomatit z.Ylljet Aliçka “Parullat” dhe “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, diplomatëve, drejtuesve të shoqatave kryesore patriotike në New York e më gjërë, Federata “Vatra” si lideri i padiskutueshëm i veprimtarive patriotike e kulturore në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkoi shqiptarët në një festë kulturore dhe letrare që promovon vlerat atdhetare, kulturën e letërsinë më të mirë shqipe. Editori i Diellit në prezantimin e shkrimtarit Ylljet Aliçka para pjesëmarrësve u ndal te kontributi në letërsi, kinematografi, diplomaci dhe çmimet në arën ndërkombëtare si arritje personale por edhe kombëtare. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Vatra dhe vlerësoi personalitetin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në diplomaci dhe letrat shqipe. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti u shpreh në analizën e saj se vëllimi me tregime “Parullat” është letërsi artistike por aty ka ngjarje të një realiteti të përjetuar. Çështja është se e tashmja jone nuk është shumë larg atij realiteti. Prandaj sot mund te pyesim: A jemi më afër të kuptuarit të vetes kur kemi në duar “Parullat në gur”? Dr. Ardiana Mici pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, analizoi veprën “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Dr. Mici u shpreh se Me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka vjen si një autor i afirmuar tashmë për mendimin e tij të mprehtë dhe provokues në veprat e mëparshme. “Metamorfoza e një kryeqyteti” është një roman që shpalos gradualisht transformimet që përjeton kryeqyteti shqiptar në kushtet e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në periudhën kalimtare nga sistemi komunist drejt pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Edhe pse romani titullohet “Metamorfoza e një kryeqyteti”, në thelb ai fokusohet tek transformimet që pëson mënyra e jetesës dhe njerëzit e tij më shumë sesa tek ndryshimet që pëson peizazhi urban, ndonëse edhe këto nuk janë të pakta. Narrativa e romanit gërsheton mjeshtërisht historitë personale me ndryshimet e forta politike, shoqërore dhe ekonomike që ndodhnin në vend gjatë sistemit komunist, degradimit dhe rënies së tij. Duke zgjedhur pikërisht këtë sfond historik shkrimtari e ndërton romanin përmes përjetimeve të personazheve, përplasjes së brendshme të ndjenjave dhe mendimeve të tyre në përpjekje për të bërë zgjedhjen e duhur për ti mbijetuar diktaturës apo për të zgjidhur dilemat e mëdha në lidhje me identitetin dhe përkatësinë shoqërore dhe politike në momentet e ndryshimit.

Shkrimtari z.Ylljet Aliçka në fjalën e tij shprehu mirënjohje dhe falënderim për Vatrën e mërgatën shqiptare në New York për mikpritjen. Z. Aliçka theksoi se gjatë kohës së komunizmit teksa dëgjonte fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” ishte njohur me aktivitet e Vatrës. “Vatra është qëndër shumë e rëndësishme emblematike, historike dhe patriotike” u shpreh shkrimtari Aliçka. Para të pranishmëve diplomati e shkrimtari Aliçka përgjatë bashkëbisedimit me të pranishmit prezantoi 6 veprat e tij në prozë dhe përkthimet ndërkombëtare, diskutoi rreth krizës së leximit në ditën e sotme, rëndësinë e përkthimit të veprave letrare në gjuhët e veçanta, situatën politike e shoqërore në Shqipëri, letërsinë shqipe si peisazh në raport me letërsinë ndërkombëtare, diversitetin kulturor, edukimin dhe integrimin e fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ky takim i ngrohtë dhe shumë i rëndësishëm kulturor e letrar te Vatra ngroh dhe fton shqiptarët drejtë komunitetit, aktiviteteve kulturore dhe librit si rrugë drejtë lirisë dhe zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“SHTIGJE TË LIRISË” – DOLI NGA SHTYPI LEKSIKONI I TЁ BURGOSURVE POLITIKЁ SHQIPTARЁ NЁ JUGOSLLAVI

January 4, 2025 by s p

Prof. Zymer Ujkan Neziri/

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës përuroi vëllimin Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I. Përurimi, i drejtuar nga Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare, u bë në sallën e Institutit të Historisë, në Prishtinë, më 27 dhjetor 2024. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës. Fjalë përshëndetëse mbajtën kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, si dhe drejtoresha e Institutit të Historisë, prof. dr. Teuta Shala-Peli. Veterani i Lëvizjes Kombëtare, Meriman Braha, foli në emër të Redaksisë (Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Binak Ulaj, Shefik Sadiku, Agim Sylejmani). Në emër të rreth 60 bashkëpunëtorëve të Leksikonit përshëndeti veterani i UÇK-së, Salih B. Lajçi, komandant brigade dhe i burgosur politik. Përurimin e mbylli me një fjalë rasti Zymer U. Neziri.

Përpos kryeministrit, Albin Kurti, dhe drejtoreshës, prof. dr. Teuta Shala-Peli, të pranishëm ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Shemsedin Dreshaj, Enver Dugolli, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë, luftëtarë të tri ushtrive tona çlirimtare, studiues e profesorë të Institutit të Historisë, të Institutit Albanologjik dhe të Universitetit të Prishtinës, mysafirë nga viset e ndryshme të Atdheut: nga Lushnja, nga Kërçova, nga Pollogu, nga Plava e Gucia, nga Medvegja, Bujanoci e Presheva dhe nga viset e tjera.

Ky libër, i financuar nga Korporata Energjetike e Kosovës, ka rreth 300 biografi të të burgosurish politikë. Ata i kishte dënuar pushteti jugosllav gjatë viteve 1944-1953. Ishin nga Kosova, Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Pazarit, Plava e Gucia, Ulqini me rrethinë. Disa i kanë dënuar me vdekje, i kanë pushkatuar, ose kanë vdekur në burgje dhe varret ende nuk u dihen. Vetëm të asaj periudhe, 1944-1953, kemi në evidencë rreth 900 sish. Vëllimet e tërësishme të planifikuara, 1944-1999, kalojnë shifrën dyzet, për rreth 12 mijë biografi. Por, ky projekt i madh kombëtar dhe evropian nuk mund të realizohet pa u themeluar Instituti përkatës, i cili më herët është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këtë leksikon njëkohësisht po fillon edhe larja e borxhit për të pasuruar historinë tonë më të re me portrete të vuajtësve të dënimeve, që sipas historianes Sabile Keçmezi-Basha, janë rreth 700 shekuj burg politikë në burgjet jugosllave, në periudhën 1944-1999, e ndër ta i famshmi Adem Demaçi. Po ia shtuam kësaj shifre edhe rreth 300 shekuj të tjerë të viteve 1912-1941, del se për 100 vjet robëri jugosllave, veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare është gjykuar me rreth 1000 shekuj burg politik. Mesatarisht, në çdo vit robërie kemi nga dhjetë shekuj burg politik.

Vuajtje të rënda për ata brenda edhe për ata jashtë. Jugosllavia ishte burg kolektiv për shqiptarët. Brenda atij shekulli edhe qindra e mijëra i kanë vrarë, i kanë përndjekur dhe i kanë shpërngulur në Turqi, por Lëvizja Kombëtare nuk është ndalur me kryengritje e demonstrata deri te lufta e brezit të Adem Jasharit, 1997-2001.

(Shtigje të lirisë: Leksikon i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi, 1944-1953, I, përgatitës për shtyp Zymer Ujkan Neziri, 462 faqe (Prishtinë: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, 2024), ISBN 978-9951-833-12-7; 978-9951-833-13-4.

Filed Under: ESSE

Partneritet historik që lidh Shkodrën, Shqipërinë dhe New York-un për shkëmbim akademik dhe kulturor

January 4, 2025 by s p

Shkodër, Shqipëri dhe New York, SHBA – Një partneritet transformues është konsoliduar midis Universitetit Monroe (www.monroecollege.edu), me kampuse në New York City dhe Westchester County, dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (www.unishk.edu.al) në Shkodër, Shqipëri. Ky Memorandum Mirëkuptimi (MOU), i lehtësuar nga Bota Consulting Group (www.botaconsultinggroup.com) në krye me CEO-në Lola Gazivoda, përfaqëson një hap vendimtar në avancimin e arsimit dhe shkëmbimit kulturor midis të dyja institucioneve dhe vendeve. Së bashku, po punojmë për zhvillimin e programeve, shkëmbimeve të studentëve dhe stafit akademik, si dhe iniciativave kulturore për të thelluar bashkëpunimin dhe krijuar lidhje domethënëse përtej kufijve.

Lidhja e komuniteteve përtej kufijve – Universiteti Monroe, një institucion i njohur i themeluar në vitin 1933, shërben një trupë studentore të larmishme prej mbi 7,000 studentësh në kampuset e tij në New York City dhe Westchester County. Me studentë që përfaqësojnë një gamë të gjerë kulturash dhe prejardhjesh etnike, Monroe është thellësisht i përkushtuar për krijimin e një komuniteti gjithëpërfshirës dhe angazhimin me fqinjët përreth përmes programeve dhe iniciativave që shtyejnë përpara ndikim pozitiv në shoqëri. I njohur për programet e tij inovative dhe angazhimin ndaj suksesit të studentëve, Universiteti Monroe është bërë një destinacion për shumë studentë shqiptaro-amerikanë që synojnë arsim të lartë. Ky MOU do të forcojë jo vetëm lidhjet e Universitetit Monroe me komunitetin shqiptaro-amerikan në New York, por gjithashtu do të thellojë lidhjet e tij jashtë vendit, duke krijuar një urë të vërtetë akademike dhe kulturore globale.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi,” i themeluar në vitin 1957, është një nga universitetet më të vjetra dhe prestigjioze të Shqipërisë. I vendosur në Shkodër, një qendër kulturore dhe akademike në veri të Shqipërisë, ai shërben rreth 5200 studentë çdo vit. Universiteti është thellësisht i përkushtuar për avancimin e mundësive arsimore dhe profesionale të studentëve të tij duke kultivuar një kulturë të rigorozitetit akademik, inovacionit dhe angazhimit global. Me stafin e tij të dedikuar, kërkimet bashkëkohore dhe fokusin në bashkëpunim ndërkombëtar, Universiteti i Shkodrës siguron që studentët e tij të jenë të përgatitur për të pasur sukses në një botë të ndërlidhur, duke ruajtur njëkohësiht lidhje të forta me trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Partneritet për të nxitur rritjen – Ky partneritet siguron një kuadër për:

Shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik për të pasuruar përvojat akademike dhe kulturore.

Projekte kërkimore të përbashkëta për të nxitur inovacionin.

Programe kulturore për të thelluar të kuptuarit dhe për të festuar trashëgiminë e përbashkët.

Konferenca dhe seminare për të angazhuar si komunitetet akademike ashtu edhe ato lokale.

“Ky partneritet përfaqëson një moment të rëndësishëm për të dy institucionet,” tha Dekani Gersom Lopez i Universitetit Monroe. “Është kënaqësi të fillosh këtë nismë për shkak të nivelit të lartë të studentëve që tashmë ndjekin studimet në Monroe si shqiptaro-amerikanë. Ata punojnë fort dhe studiojnë edhe më fort, dhe ne jemi shumë entuziastë për të parë çfarë do të arrijë ky partneritet.”

Prof.Dr. Tonin Gjuraj, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi,” deklaroi, “Si rektori i sapozgjedhur, jam jashtëzakonisht krenar për trupën tonë të jashtëzakonshme të studentëve dhe potencialin e tyre për të formësuar të ardhmen. Ky partneritet thekson vizionin tim për të pozicionuar Universitetin e Shkodrës në pararojë të bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin tonë për të inovuar, lidhur dhe udhëhequr në skenën globale.”

Mirënjohje për mbështetësit kryesorë:

Bota Consulting Group: E themeluar nga Lola Gazivoda, Bota Consulting Group është e specializuar në krijimin e partneriteteve strategjike dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si lehtësuese e këtij partneriteti, Bota Consulting Group është thellësisht e angazhuar për të siguruar suksesin e programeve të tij dhe për të ofruar mbështetje të gjithanshme për studentët dhe stafin akademik. “Ky bashkëpunim është një testament për fuqinë e rrjetëzimit,” tha Lola Gazivoda. “Bëhet fjalë për krijimin e mundësive për të rinjtë shqiptarë dhe për t’u siguruar që studentët e Universitetit Monroe – si shqiptaro-amerikanë ashtu edhe popullsia e tij shumëkulturore – të mund të përjetojnë kulturën dhe ekselencën akademike të Shqipërisë. Duke lidhur talentin dhe institucionet globale, Bota Consulting Group synon të nxisë rezultate me ndikim, duke përfshirë përvoja të pasuruara akademike, shkëmbime kulturore dhe mundësi novatore që përfitohen nga të gjitha palët e interesuara. Jam krenare që Bota Consulting Group mundi të ndihmojë në realizimin e këtij vizioni dhe mezi pres të mbështesë nismat e ardhshme në kuadrin e këtij partneriteti.”

Këshilli i Biznesit të Westchester (BCW): Ky partneritet u bë gjithashtu i mundur nëpërmes mbështetjes së Këshillit të Biznesit të Westchester (BCW) dhe Presidentes së tij, Marsha Gordon, e cila prezantoi Universitetin Monroe me këtë mundësi të jashtëzakonshme. Përkushtimi i BCW për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan lokal luajti një rol thelbësor në vendosjen e themeleve për këtë bashkëpunim

Kontakti:

Monroe University

Website: www.monroecollege.edu

Telefon: (914) 740-6407

Addresa: 434 Main Street, New Rochelle, NY 10801

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Website: www.unishk.edu.al

Telefon: +355 (0)22 244800

Addresa: Rruga e Universitetit, Shkodër, Albania

Bota Consulting Group

Website: www.botaconsultinggroup.com

Email: info@botaconsultinggroup.com

Telefon: (914) 266-2213

Filed Under: Kronike

VEPËR (MONOMENTALE) E PROFESOR TEFË TOPALLIT PËR 126 KRIJUES NGA TËRTHORET SHQIPFOLËSE

January 4, 2025 by s p

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu/

(Tefë Topalli, Krestomaci e Albanologjisë I, AShSh, Tiranë, 2022, botuar në fund të vitit 2024)

Kohë më parë, pikërisht, më 21.11.2024, Prof. dr. Tefë Topalli, “Profesor Emeritues” në Universitetin e Tiranës, në adresën time elektronike, më dërgoi një sihariq të mirë e të pritshëm, me këto fjalë: “Si detyrim miqësor, po ju lajmoj se libri “Krestomaci e Alba-nologjis-1” – me zërat e gjuhëtarëve të hapësirës Shqipfolëse, doli para një jave dhe është magazinuar në fshatin Lundër, jashtë Tiranës. E ka shtypur Enti Botues “FILARA” dhe besoj që këto ditë vjen në librarinë “LIBRI AKADEMIK”, në oborrin e Akademisë së Shkencave.

Numri i kopjeve nuk mjafton për zërat e përfshirë nga Arvanitasit, Arbëreshët e Italisë, gjuhëtarët shqiptarë të RMV, si dhe linguistët vendës…”.

Me të mësuar këtë lajm të mirë, kisha kureshtjen sesi të siguroj sa më parë këtë libër, në 13 faqet e të cilit, lakohet edhe emri im, faqe të cilat, të skanuara, veç m’i kishte dërguar akademik Gjovalin Shkurtaj, kurse librin, pas pak ditësh, pa porosi, për befa-sinë time, ma solli kolegu im i nderuar, prof. dr. Begzad Baliu, të cilës vepër edhe po i rrekem në këtë vështrim modest.

Për shumë kë, termi kresto-maci, është i rrallë e madje edhe i panjohur, meqë në jetën e përditshme nuk përdoret dhe aq, edhe pse fjalorët e shqipes e kanë këtë shpjegim për këtë fjalë: “Krestomaci f. libr., Përmble-dhje studimesh shkencore ose pjesësh të zgjedhura letrare nga autorë të ndry-shëm, që bëhet sipas një programi të caktuar mësimor dhe shërben zakonisht si tekst për shkollat. Krestomaci e autorëve të Rilindjes”.

Në botën e dijes te ne dhe më gjerë janë përdorur termat: fjalor, leksikon, biobibliografi e ndonjë term tjetër, e që të gjithë këta terma kanë një bazë, nëse jo të njëjtë trajtimi e shpjegimi, të përafërtë – po.

Prof. Topalli, Parathënien e librit të tij “Krestomaci e albanologjisë I”, me 126 “zëra gjuhëtarësh të hapë-sirës Shqipfolëse” të shtrirë në 1668 faqe, e fillon me këto fjalë: “Ky libër mund të ishte hartuar edhe në kufijtë e një Leksikoni, ku të përmbahe-shin të dhjënat e gjuhëtarëve shqiptarë dhe albanologëve të huaj, të cilët edhe i kanë nisur studimet për shqipen e shqiptarët, duke filluar nga shekulli XVIII dhe përgjatë shekullit të 19-të, kur po njihej populli ynë dhe lëvizja e tij për pavarësi kombëtare”.

Pa vajtur tutje, kur është fjala e studimeve të të huajve, të cilët, studimet për ne e gju-hën tonë, si të parët e më të moçmit që jemi, jo të gjithë dhe jo gjithherë, këtë e bënë për nder, respekt, dasha-mirësi e interes të shqip-tarëve, por, madje, më tepër se për ne, i mëshuan shqipes e shqiptarëve, si një popull me një gjuhë ndër tri gjuhët më të vjetra të kontinentit (Këtë të dhënë e mbështesim në faktin që e sjellë gazeta pres¬tigjioze amerikane “New York Times (29 gusht 2914), e që më 28 korrik 2023 edhe gazeta “Tema”, e cila, në një artikull të nxjerrë nga “Science”, dëshmon se, të studiuara me metoda të sofistikuara “origjina e gjuhëve indo-evropiane dhe e gjuhës shqipe, e cila, bashkë me armenishten dhe greqishten, konfirmohet se është një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane që fliten ende, vërteton përfundimisht dhe në mënyrë të pakundër-shtueshme shkencërisht që, si populli shqip¬tar, ashtu dhe gjuha shqipe, janë të paktën 6 mijë vjet të vjetër dhe autoktonë në këto troje”), për interesat e tyre, për punë krahasimi të gjuhëve të tyre me gjuhën shqipe.

Megjithatë, assesi nuk mund të mohohet kontributi i shumë historianëve, gjuhëtarëve, albanologëve, indoevropianistëve në këtë fushë, pa studimet e të cilëve do të ishim shumë më të vonuar se që jemi sot. Ndër ata të cilët u morën me shqipen e shqiptarët, e do puna të përmendim vetëm disa, si: historiani suedez, Hans Thunman, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik, diplomati gjerman, Johan Georg fon Han, gjuhëtari slloven Franc Miklosiç, gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer, gjuhëtari danez Holger Pedersen, gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski, gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe etj., (përkrahës të tezës ilire të prejardhjes së gjuhës shqipe); filologu gjerman Karl Pauli, filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek; filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt, gjuhëtari ruso-gjerman Maks Vasmer, gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand, gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni, gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, historiani gjerman Gotfrid Shram (përfaqësues të tezës trake të prejardhjes së shqipes); Norbert Jokl, Paul Kreçmer, linguisti italian Vitore Pisani, filologu e ballkanologu serb Milan Budimir, gjuhëtari gjerman, indoevropianisti, keltolog, sllavist, mik i shqiptarëve Rolf Këde¬riq etj. (ithtar të tezës

iliro-trake të shqipes) si dhe disa të tjerë të mendimeve të tjera për shqipen (https://lajmpress.org-/shqipja-dhe-shqiptaret-ne-studimet-e-studjesve-te-huaj/ 17 gusht 2020.. Por, le të mbetet kjo temë për ndonjë rast tjetër të veçantë.

Librat si ky që e kemi në dorë, kanë zanafillë të hershme, andaj edhe Krestomacinë e profesor Topallit e quajtëm edhe si libër monumental, ku do të kujtohen zëra studiuesish tanë me vite e shekuj, në të mirë të dijes, historisë, filologjisë, kulturës e traditës sonë. Sigurisht se edhe para këtij libri kemi pasur leksikone (si lloj fjalorësh), si p.sh. Leksikoni Suda ose Siuda (në gjuhën greko-bizantine) me mbi 30 mijë zëra, nga më shumë fusha të dijes; Lexikon altilyrischen Personennamen (Leksikon i emrave të njerëzve në ilirishten e vjetër), 1929; Leksikon i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001″, me 2600 zëra shkrimtarësh, hartuar nga Hasan Hasani; dy fjalorët e letrarit e përkthyesit, albanologut të shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, mikut të shqiptarëve: “Fjalor historik e Kosovës” (Historical Dictionary of Kosovo), “Fjalor historik i Shqipërisë” (Historical Dictionary of Albanien); Jusuf S. Vatovci, Leksikon i magjistrave dhe i doktorëve të shkencave në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë 1430-1995, Prishtinë, 1998, te i cili dominojnë vetëm jetëshkrimet (biografitë) e magjistrave dhe doktorëve të shkencave, jo edhe bibliografitë, një komponent shumë i rëndësishëm për lexuesit dhe studiuesit, Dr. Bahtijar Kryeziu “Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I”, Prishtinë, 2003, me 144 intelektualë të këtij rangu, të cilët kanë gjetur vend në 582 faqe të kësaj vepre, ku përveç biografive, është dhënë edhe bibliografia e tyre dhe burimet e literaturës e së shpejti, po nga i njëjti autor, pritet të botohet edhe libri tjetër edhe më gjithëpërfshirës, për 173 intelektualë, nga të cilët 93 janë doktorë shkencash fushash të ndryshme, “Leksikon i masterave/magjistrave dhe i doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës II”, të shtrirë në 862 faqe teksti, 24 cm. diplomuar pas datës 1 janar 2001 e deri më 31 dhjetor 2023.

Natyrisht se në gjuhën tonë nuk mungojnë as leksikone e as fjalorë të tjerë enciklopedikë – shumëzërash, porse libri “Krestomaci e Albanologjisë – I”, të cilin e kemi bërë objekt trajtimi kësaj radhe, është një prurje e veçantë që dallon për nuancat e caktuara që e karakterizojnë këtë vepër nga leksikonet e edhe nga fjalorët e botuar deri më sot. Në këtë vepër ai ka punuar ndryshe, me një metodologji – teknikë tjetër pune, krahasuar me botimet e prezantuara deri më tash, siç do të shohim pak më poshtë.

Profesor Tefë Topalli, si një pedagog i spikatur e i përkorë në punën e tij të mësimdhënësit, pas punës së tij në arsimin parauniversitar: në rrethin e Kukësit dhe të Shkodrës, në Plan të Dukagjinit e në Zadrimë, angazhohet në Universitetin e Shkodrës, Tiranës, Korçës, Podgoricës dhe Beogradit; kualifikohet në Universitetin e Bolonjës, Pizës e Barit (1997-2000); e shohim të jetë hartues programesh e ligjëratash për lëndë të reja kurrikulare në degën Gjuhë shqipe – Letërsi; të angazhuar si pjesëmarrës dhe koordinator në trajnimin e pedagogëve të universiteteve ballkanike, me qendër në Gjermani (2001-2003); pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore; bashkëpunëtor në organe të ndryshme shkencore në vend dhe jashtë vendi: Prishtinë, Shkup e gjetiu, e për të gjitha këto të arrira, profesor Topalli mund të quhet, pa ngurrim, një erudit në shkencat albanologjike dhe “Profesor Emertiues”, e si dëshmi e bagazhit të tij profesional-shkencor, flasin edhe këta libra të botuar, si:

1. Antologji letrare (ushtrime sintakse, 303 faqe, Shkodër, 2006).

2. Gramatika nëpërmjet tekstit (318 faqe, Tiranë, 2007).

3. Kërkime gjuhësore (vëllimi I, II, 1067 faqe, Shkodër, 2011).

4. Gjuhë teksti (monografi, 400 faqe, Shkodër, 2011).

5. Sintaksa e fjalisë (sprovë monografike, 746 faqe, Shkodër, 2011).

6. Leksikoni: gjuhëtarë shqiptarë dhe albanologë (800 faqe, me bashkautor, Shkodër 2012).

7. Leksikon istaknutih Albanskih lingvista (në dy gjuhë, Podgorica – Skadar, 2013).

8. Fol shqip (Shkrime nga “Posta e Shqypnisëˮ, 1916-1918, Lezhë 2018).

9. Ushtrime për stilistikën e gjuhës shqipe (626 faqe, Lezhë, 2019).

10. Zadrima letrare (1168 faqe, Lezhë, 2020).

11. Sapa (562 faqe, Tiranë, 2021).

12. Krestomaci e albanologjisë -1 (1668 faqe, AShSh, Tiranë, 2022, botuar më 2024).

Me botimin e librit të fundit, botuar në fund të vitit 2024, profesor Topalli ka bërë një punë të vyer, të rëndësishme për dijen tonë. Në këtë Krestomaci, siç e ka titulluar ai veprën e vet, ka marrë në syzim 126 personalitete, kryesisht gjuhëtarë me emër, disa nga të cilët i ka radhitur në dy grupe, e që në grupin “e parë zënë vend gjuhëtarët tanë – thotë prof. Topalli, ndër më të njohuritë me rendiment shkencor, që nga Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiri (Demiraj – B. K.)… deri tek një brez më i ri: Androkli Kostallari, Ferdinand Leka, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Hajri Shehu, Rami Memushaj, Ludmila Buxheli, Ali Jashari, Valter Memishaj, Shezai Rrokaj, Bardhyl Demiraj, etj., të cilët kanë hartuar vepra themelore me rëndësi të veçantë për studimet albanologjike” (Jetëshkrimi dhe veprimtaria shkencore e të gjithë gjuhëtarëve që nuk përfshihen në FESh (botimi i fundit akademik), është ndërtuar mbi CV-të e vetë atyre, përshtatur nga autori i veprës, në masën e duhur të këtij libri).

Pa dashur të japim mend për metodologjinë e pëlqyer të punës dhe arsyeve që ka pasur parasysh autori i veprës (e që ky venerim yni nuk i ulë vlerën veprës assesi), kujtojmë se në grupin e parë, kanë pasur vendin e tyre së pakut edhe dy akademikët tanë, këndej kufiri (Akademik Idriz Ajeti dhe Akademik Besim Bukshi), kurse në grupin e dytë (për shkak të moshës), Akademik Rexhep Ismajli, Prof. dr. Shefkije Islamaj, Prof. dr. Qemal Murati, Prof. dr. Begzad Baliu e ndonjë tjetër.

Hartimi i kësaj vepre, dallon nga disa fjalorë enciklopedikë e leksikone, ngase te çdonjëri gjuhëtar, janë përzgjedhur nga 3-4 e më tepër fragmente vlerësimi nga studiues të ndryshëm, për akëcilin studiues të përfaqësuar në faqet e Krestomacisë I, e ky është një tregues – sinjal i mirë për të fituar bindjen apriori, çdokush, se në ç’nivel është e çfarë përgatitje ka ai zë që ka vendin në këtë vepër. Këtë metodë – teknikë pune e konsideron të qëlluar, me të drejtë, edhe profesor Topalli, kur nënvizon se për këta gjuhëtarë, “janë dhënë fragmente të veprave themelore, por që nuk mungojnë edhe analiza konkrete të thelluara, që kanë bërë vetë autorët, apo konsiderata e vlerësime të të tjerëve, të cilat janë mbajtur në tubime e veprimtari dhe janë botuar në revista të ndryshme shkencore. Në këtë mënyrë, libri merr formën e një krestomacie, me lexime të shkurtra, që zbulojnë natyrën dhe fushën e kërkimeve gjuhësore të zërave të paraqitur”.

Gjuhëtarët e përfshirë në këtë vepër (madhore), janë radhitur sipas moshës së tyre, nga më i madhi me moshë (Konstandin Kristoforidhi, Elbasan, 22 maj 1827 – 7 mars 1895), deri tek studiuesja më e re (Ajten Hajdari – Qamili, Strugë, 3 shkurt 1979). Kjo bie në sy, me të hapur faqet e Krestomacisë I (faqe 5 – 7) e që pas çdo emri, shënuar jo sipas ABC-së, por sipas moshës së tyre, lexuesi mund të gjejë emrin e akëcilit gjuhëtarë, kurse në fund të faqeve të veprës, faqe 1663- 1669, është shënuar Indeksi i emrave, sipas rendit alfabetik A – Zh, dhe pas emrit janë dhënë edhe faqet e citimeve të veprave të ndryshme për të cilat ka shkruar çdo gjuhëtarë, kjo një punë shumë e mirë për të hyrë më lehtë në botën e dijes e të shkencës (për veprat e ndryshme, të cilat i ka zënë në gojë autori i një studimi). Edhe diçka tjetër dallon në shënimin e zërave të përfshirë në këtë vepër: të shkruarit e emrit dhe mbiemrit, jo sipas një standardi tanimë të pranuar përtej modelit tradicional shqiptar: mbiemri, inicialja e parë e prindit dhe emri, por emri dhe mbiemri, siç edhe e përdorim ne në jetën e përditshëm në ligjërimin e folur e në të shkruarit e zakonshëm. Nuk di nëse një model i këtillë pune është më i pranueshëm në ditët e sotme apo jo, krahasuar me atë europian e më gjerë?

Sido që të jetë, kemi bindjen e thellë dhe të padyshimtë se profesor Tefë Topalli, na ka dhuruar një libër të vlefshëm, i cili, me lëndën e përzgjedhur në këtë mënyrë të paraqitjes së tij, i ka munguar literaturës shqipe.

Urojmë profesor Tefën, ashtu siç edhe ka paralajmëruar, se ky libër është vetëm botimi i pjesës së parë, që për aq sa është e mundshme më shpejt, t’i rreket pjesës së dytë, ku do të përfshiheshin edhe shumë gjuhëtarë të tjerë, të cilët për një arsye ose një tjetër kanë mbetur pa u përfshirë në pjesën e parë, e që për të gjithë gjuhëtarët e përfaqësuar në pjesën e parë dhe ata që do të përfshihen në pjesën e dytë, profesor Tefë Topalli, nëse jo nga një shtatore, po ju skalit nga një bust, për t’i bërë të tillët të pavdekshëm për shumë mote e shekuj!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT