• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRE VITE, TRE BOTIME, NJË LIDER QË NA FRYMËZON: NJË REKORD I RRALLË PËR LIBRIN “THEMELUESI-LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT”

January 4, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

Tre vite, tre botime, një lider që na frymëzon. Një rekord i rrallë për një libër. Pas botimit të parë në nëntor 2022, botimit të dytë nëntor 2023, botimi i tretë i përditësuar i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, në dhjetor 2024, shënon një tjetër ngjarje domethënëse. Në të dy ribotimet, nuk kemi lëvizur asgjë nga thelbit i përmbajtjes, përveç korrigjimeve të vogla dhe pasurimit me materiale të reja.

Nuni i titullit të librit “Themeluesi” është gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, dhe ky ishte që në zanafillë një ogur i mirë. Në traditën abrahamike, “Ismail” do të thotë Zoti i dëgjoi lutjet tuaja. Dhe unë besoj se Zoti  i ka dëgjuar dy herë lutjet e shqiptarëve, njëherë kur iu dha Ismail Qemalin dhe njëherë kur iu dha Ismail Kadarenë…

“Nosce te ipsum,”– shkruhej në tempullin e Apollos në Delfi.  Gjëja më e vështirë është të njohësh veten dhe të gjesh vendin që të takon në këtë botë. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë të rinjtë nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Ne shqiptarët kemi nevojë që ta njohim më mirë veten. Nënvleftësimi i njerëzve të mëdhenj çon tek ulja e standardeve dhe rritja e mediokritetit në shoqëri. Kjo plagë ka qenë një bashkudhëtare e shoqërisë shqiptare, e cila ka shkaktuar edhe një krizë identitare. Sepse siç thoshte poeti i madh Ali Asllani: “Kur nderohet një i lig, është i miri në rrezik.”

Lidershipi i Ismail Qemalit mbështetej mbi bazamentin e mirënjohjes dhe ne duhet t’i japim atij nderimin që i takon. Sepse Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri. Ismail Qemali i dha jetë trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemalit nuk do ta kishim sot Shqipërinë. Emri i Ismail Qemalit vijon të nderohet brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ismail Qemali përfshihet në antologjinë “Stars and Sands” të Joseph L. Baron, kushtuar personazheve të shquar botëror, të cilët kanë ndihmuar hebrenjtë nëpër gjithë botën. Njëkohësisht, ai ishte ndër të parët dhe të paktët zëra, që kundërshtuan masakrat ndaj popullsisë armene në Perandorinë Osmane. Duke filluar nga 3 qershori 2023, emrin e tij e mban tashmë edhe një rrugë në Staten Island, New York, SHBA.

“Synimi i artit është hyjnor,” – thotë Viktor Hygo –  “dhe kur shkruan për historinë, ti e risjell në jetë, e ringjall personazhin.” Unë jam përpjekur që me anë të këtij libri t’a sjell Ismail Qemal Vlorën me sa më shumë vërtetësi. Dhe ashtu siç ai ishte në të vërtetë, një idealist dhe një shqiptarë i madh.

Sipas Faik Konicës, “idealizmi mund të dal vetëm nga dy burime që janë,  kultura e lartë dhe vuajtjet e përbrezëshme.”. Ismail Qemal Vlora e kishte si kulturën e jashtëzakonshme ashtu edhe trashëgiminë e sakrificave familjare. Vlora e Flamurit dhe Labëria, e mëkoi atë që në vegjëli me frymën e saj atdhetare, duke ndezur në zemrën e tij flakën e atdhedashurisë që nuk u shua kurrë.

“Aq pak i nderon Shqipëria njerëzit qe e nderuan,” – vijon sërish Faik Konica – “sa gjen sot shumë shqiptarë që kujtojnë se Skënderbeu dhe Gjergj Kastrioti ishin dy veta.” Edhe sot mund të ketë shumë shqiptarë që mund të mendojnë se, Ismail Qemali dhe Ismail Qemal Vlora janë dy persona të ndryshëm. Prandaj, ne duhet të bëjmë më shumë që shpëtimtari i Shqipërisë Ismail Qemali, të nderohet e të njihet plotësisht nga brezat e rinj.

Ne kemi sot sërish nevojë për Ismail Qemalin më tepër seç ai ka nevojë për ne, dhe gjithmonë ka për të qenë kështu. Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Lidershipi i tij është dëshmia me e mirë e faktit që kur shqiptarët bashkohen janë në gjendje të realizojnë gjëra madhështore.

Arbëreshët e shquar Dorsa, De Rada, Skiro, Lorekio etj., së bashku me Vaso Pashën dhe Sami Frashërin ishin ideologët e parë të çështjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u përqendruan kryesisht në lëmin historik, kulturor dhe gjuhësor. Ndërsa, Ismail Qemali udhëhoqi dhe themeloi shtratin ideor mbi të cilin u strukturua lëvizja politike kombëtare shqiptare.

Disa vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Faik Konica shkruante se pengesa kryesore e shqiptarëve drejt Pavarësisë ishte “mungesa e mësimit politik”. Ismail Qemali me lidershipin e tij e tejkaloi këtë pengesë në dukje të pakalueshme. Ai ishte një hap para të tjerëve në njohjen e rrezikut që po i kanosej Shqipërisë nën Perandorinë Osmane. “Ne në politikën tonë,” – thoshte Ismail Qemali –   “do të bëhemi me të gjithë ata që janë kundër grabitësve të trojeve tona, sllavëve dhe grekëve.”

Ismail Qemali realizoi një strategji gjithëpërfshirëse për të formësuar dinamikat rajonale. Strategjia e tij synonte shpëtimin e Shqipërisë. Dhe njëkohësisht t’i tregonte Evropës se shqiptarët e kishin maturinë e duhur politike për t’u vetëqeverisur. Ai shndrit si lideri më përbashkues në historinë tonë kombëtare.

Ismail Qemali personifikon vlerat më të mira të shpirtit të shqiptarit. Ai ishte një lider vizionar, që e shikonte shërbimin publik si një detyrim ndaj atdheut. Sipas tij, shqiptari të shenjta ka tre gjëra: “Familjen, nderin dhe atdheun.” Ismail Qemali thoshte se: “Perëndia është ndihmësi i njerëzve të drejtë.” Dhe si një njeri i madh, ai ishte i drejtë dhe ëndërrimtar. Ëndrra e tij për një Shqipëri të bashkuar, të begatë dhe evropiane vazhdon të na frymëzoj edhe sot e kësaj dite.

Kritikët pretendojnë se ai nuk qe i zoti që ta mbante gjatë pushtetin dhe nuk arriti të shmangte copëtimin e trojeve shqiptare. Ka diçka pjesërisht të vërtetë këtu, megjithëse vendimi për ndarjen e trojeve shqiptare ishte përtej mundësive të tij. Vizioni i tij që shqiptarët kudo në trojet e tyre etnike të jetojnë në liri, paqe dhe harmoni me fqinjët e tyre po realizohet tashmë.

Vizioni i Ismail Qemalit është quajtur edhe si “tepër perëndimor” për kohën. Dhe Ismail Qemali i ka pranuar vetë i pari të metat e qeverisjes së tij. Por, ai besonte tek fuqia e fjalës dhe tek dialogu midis njerëzve e kombeve, për të garantuar bashkëjetesën paqësore dhe progresin e njerëzimit. Ai besonte fort se integriteti moral e besnikëria e politikanit, ndikon tek raporti i mirë me shoqërinë dhe tek emancipimi i saj.

Shqipëria lindi në një moment tepër të vështirë për marrëdhëniet ndërkombëtare globale. Lufta e Parë Botërore ishte te portat dhe një rend i ri global po dukej në horizont. Rendi i ri global që lindi pas mbarimit të luftës, do të sillte rrëzimin e  perandorisë Austro-Hungareze, që ishte përkrahësja kryesore e shtetit të ri shqiptar. Ndoshta nëse situata në arenën ndërkombëtare nuk do të kishte qenë kaq e trazuar, edhe fati i së porsalindurës Shqipëri e i qeverisë së saj të parë do të kishte qenë krejt ndryshe…

Në fund, sigurisht, që ky nuk është një libër me receta të gatshme; ai vjen si një ftesë për reflektim, mbi historinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Mesazhi që libri përcjell është universal dhe i vlefshëm në çdo kohë; ai ndërthur raportin midis lirisë, pushtetit dhe lidershipit. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemalit, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe dhembshuria në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Lidershipi i Ismail Qemalit përcjell një mesazh të madh humanizimi për botën mbarë.

Lidershipi fillon me besimin që ju mund të bëni diçka që ka vlerë dhe thelbi i tij është ruajtja e ekuilibrit. Me anë të lidershipit mund të lexohet dhe të interpretohet karakteri i njeriut. Cilësitë morale të Ismail Qemalit, bota e tij e brendshme shpirtërore, ishin në harmoni me pamjen e jashtme fisnike. Ismail Qemalin e përshkruajnë si “një njeri sypatrembur dhe të pavarur”. Dy cilësi këto të domosdoshme për lidershipin.

Ismail Qemali si një lider transformues ishte për ndryshimin e statuskuosë. Ai edhe pse i përkiste shtresës së pasur të bejlerëve, u bë zëri i “opingarëve”. Motoja e tij ishte: “Shqipëria për shqiptarët.” Reformat shtetndërtuese që ai filloi të ndërmerrte vinin në kundërshti me interesat e klasës së vjetër sunduese, e cila synonte të ruante sërish privilegjet që kishte pasur në perandori. Prandaj, ata e penguan me çdo mënyrë Qeverinë e Vlorës. Sipas fjalëve të Ismail Qemalit: “Pa u vra tradhëtia, nuk bashkohet Shqipëria.”

Ismail Qemal Vlora është jo vetëm “Themeluesi” i shtetit shqiptar, por edhe “Themeluesi” i idesë së Shqipërisë evropiane. Ai besonte tek ideali i paqes dhe i bashkëpunimit midis kombeve. Ky libër dhe lidershipi i Ismail Qemal Vlorës është në vetvete një himn për shpirtin fisnik dhe të pamposhtur të shqiptarit ndër shekuj. Ismail Qemal Vlora ishte një lider i popullit dhe për popullin; ai nuk e pa kurrë pushtetin si privilegj, por si një detyrim për t’i shërbyer popullit dhe vendit të tij. Ky është edhe thelbi i trashëgimisë së ndritur të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani, shkruan për Ismail Qemalin: “Dielli mbet gjithmonë Diell / Kurdoherë me kokë në qiell.” Ismail Qemali qëndron sot në ballë të Altarit të Kombit dhe të nderosh Ismail Qemalin do të thotë të nderosh gjeninë universale të lidershipit. Ai është “Dielli i Shqiptarisë” dhe drita e tij vezulluese vazhdon të na tregoj edhe sot e gjithë ditën, rrugën që duhet të ndjekim drejt së ardhmes tonë evropiane.

“Bota njerëzore,” – shkruan Plutarku – “kuptohet më mirë nëpërmjet njerëzve që bënë historinë.” Pavarësisht ndryshimeve që sjellin epokat e ndryshme, thelbi i asaj që është “udhëheqja/lidershipi” mbetet e paprekur. Dhe reflektimi mbi figura si kjo e Atit të Kombit, na ndihmon të zgjerojmë dhembshurinë. Ajo na lidh me sakrificat e paraardhësve tanë dhe me shembullin e tyre të ndritur. Mbi këtë bazament mirënjohje ne mund të ndërtojmë shembullin tonë për gjeneratat e ardhshme.

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”. Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

Filed Under: LETERSI

DAILY EXPRESS (1939) / “VENDI KU DUA TË JEM ËSHTË SHQIPËRIA…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN ZOG NË STOKHOLM

January 4, 2025 by s p


Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  4 Janar 2025

“Daily Express” ka botuar, të enjten e 20 korrikut 1939, në faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog në Stokholm, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hilde Marchant, e cila intervistoi mbretëreshën Geraldinë të martën, u prit dje nga ish-mbreti Zog. Në hotelin e tij, i rrethuar nga “të gjitha formalitetet e një pallati të vogël”, kryeprijësi malësor i dikurshëm ende i shënuar nga plagët e ditëve të tij të hershme, i ruajtur nga burra që mbanin thika të fshehura, foli për projektin e tij për t’u vendosur në Angli “deri në kthimin e tij në Tiranë”. 

Zogu mban audiencë

Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3

(Me një kostum bezhë, këmishë mandarinë dhe kravatë me pika të kuqe dhe të verdha)

Nazistët brohorasin poshtë dritares

Nga Hilde Marchant

Stokholm, e mërkurë.

Ahmet Zogu, ish-mbreti i Shqipërisë, ende mban kokën sikur të ishte duke mbajtur një kurorë.

I veshur me një kostum ngjyrë bezhë, këpucë ngjyrë bezhë, një këmishë mandarinë, një kravatë të verdhë me pika të kuqe, ai më priti sot në sallonin e suitës së tij të hotelit.

Ndonëse tani ai është një endacak nëpër hotelet madhështore të Evropës, dhoma e tij e dyfishtë (me banjë) ka të gjithë formalitetin e një pallati të vogël. Sekretari i tij më prezantoi, dhe ai më puthi dorën. Më pas, i ulur në një kolltuk të butë, ai më tregoi planet e tij për të hequr mbulesat e pluhurit nga froni i Shqipërisë.

“Unë jam ende duke punuar për kthimin. Diplomatikisht jam ende aktiv dhe për pak kohë do të kthehem në Tiranë.”

Zogu, i cili – me ndihmën e Italisë – mori fronin dhe titullin e Shqipërisë pas një sërë gjakmarrjesh me prijësit rivalë, po fiton me shpejtësi kulturën evropiane. Ai tha : “Unë i admiroj artet dhe arritjet shpirtërore të Veriut. Unë kam qenë gjithmonë një admirues i madh i kulturës së vendeve veriore.”

Një gazetar danez pyeti nëse kishte ndërmend të shkonte në Danimarkë.

“Kisha shpresuar të shkoja në Danimarkë, por për fat të keq nuk kemi kohë.”

Një gazetar finlandez e pyeti nëse kishte në plan të shkonte në Finlandë.

“Shpresoja të shkoja në Finlandë. Unë e admiroj shumë pavarësinë dhe përparimin tuaj. Por kam frikë se nuk do të arrij dot atje.”

Një gazetar holandez pyeti për Hollandën :

“Vërtet e admiroj shumë Hollandën, por kam frikë se nuk do të mund t’ju vizitoj.”

Kur e pyeta pse kishte zgjedhur Anglinë, ai tha : “Është e natyrshme që të shkoj në Angli. Unë me të vërtetë e admiroj shumë Anglinë dhe shpresoj të jem në gjendje të pranoj pak nga liria dhe mikpritja që ju u jepni gjithmonë njerëzve që janë shtyrë drejt ekzilit.”

“Sigurisht, vendi ku dua të jem është Shqipëria. Unë nuk mendoj se do të kalojë shumë kohë përpara se të arrij atje.”

Një gazetari francez i tha : “E dua dhe e admiroj Francën. Unë do të shkoj atje vetëm për disa ditë, vetëm për një vizitë turistike.”

Nuk kishte gazetarë të tjerë të huaj për të pyetur se çfarë admironte ai në vendet e tyre.

Ai u tha gazetarëve suedezë : “Unë e dua këtë vend dhe e admiroj mënyrën se si keni luftuar për pavarësinë tuaj. Ne u përpoqëm ta bënim këtë në Shqipëri, por për fat të keq shanset ishin kundër nesh.”

“Këtu mund të gjejmë lirinë, të mohuar më parë”

“Këtu, në Suedi, duke bërë turne dhe vizita me gruan time, ne jemi në gjendje të gjejmë lirinë që nuk na është dhënë në shtëpi.”

Më pas, botës në përgjithësi : “Në shekullin e njëzetë asnjë komb, sado i vogël apo i madh qoftë, nuk mund të jetojë pa liri. Paqja e vetme midis kombeve, të vegjël dhe të mëdhenj, është kur ata lejohen të zhvillohen në liri.”

“Unë po e shijoj shumë udhëtimin tim. Kam vizituar galeritë e artit dhe muzetë, dhe vende me interes. Këtë pasdite do të shkoj në një observator për të vështruar qiellin.”

Para kësaj, ai kishte planifikuar të bënte pazar me gruan e tij, ndërsa foshnja po ajrosej në park në shoqërinë e dadove dhe fëmijëve të shtresës së mesme të Stokholmit.

Sot në mëngjes, një anije e Forcave Gjermane ishte ankoruar në port, pikërisht nën dritaren e tij.

Në bord ishin ekipet e Lojërave Sudeze. Sapo mësuan se ish-Mbreti Zog ishte në suitën e katit të tretë, u mblodhën me dylbi, qeshën e brohoritën dhe bënë përshëndetjen naziste nën ballkonin e tij.

Intervista e Zogut ishte tejet formale. Ai nuk do të bënte asnjë koment për ditët e fundit të përballjes së tij në Tiranë.

Plagët dhe rojet e tij dëshmojnë për jetën e tij të hershme

Tani ai shpreson që, duke përvetësuar kulturën dhe veshjet evropiane, të ambientohet në peisazhin verior.

Megjithatë, ai ende mban shenja të prijësit malësor. Ai ka plagë në kyçin e dorës.

Burrat që bëjnë rojen në derën e tij duket se janë të paarmatosur, por shumica e tyre mbajnë thika të vogla në xhepat e tyre.

Zogu duket se është i prirur drejt një jete të zymtë fshatare në Angli.

Ai tashmë ka kërkuar një pronë, por me të mbërritur në Londër do të qëndrojë në shtëpinë e konsullit shqiptar, i cili që nga pushtimi italian nuk ka pranuar të shpërngulet.

Zogu më tha : “Shpresoj që anglezët të më duan. Ne kemi aq shumë nevojë për t’u vendosur në një shtëpi atje.”

Për të paguar qiranë e tij, ai do të arkëtojë një pjesë të arit të tij të vjetër —përllogaritet se ai ka 1,000,000 sterlina. Kjo varet nga kohëzgjatja e qëndrimit jashtë Shqipërisë. Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për t’i lejuar atij të bëjë një pushim të përhershëm.

Geraldina pret fotografin

Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3

Ndërsa Mbreti Zog priti dje gazetarët, mbretëresha Geraldinë u “intervistua – fotografua” nga fotografi i Daily Express në Stokholm. Ai është fotografi i parë që pritet zyrtarisht që kur mbretëresha e re u detyrua të ikte nga Shqipëria me foshnjën e saj, atëherë vetëm disa ditëshe. Fotot tregojnë se sa mirë është tani nga kalvari i udhëtimit të saj tetëmbëdhjetë orësh në rrugët me gunga drejt Greqisë. “Isha shumë e sëmurë,” i tha ajo Hilde Marchant-it të martën, “dhe nuk e dija vërtet se çfarë po ndodhte. Fëmija qau gjatë gjithë kohës… Tani ai është mirë.”

Filed Under: Opinion

100 VJETORI I OPERACIONIT TË LIDHJES SË KOMBEVE NË SHQIPËRI NË VITIN 1924 DHE KONTRIBUTI I EUGENE DHE HELENE PITTARD  (NOELLE ROGER) 

January 4, 2025 by s p

Kudret Isaj/

Vijon nga numri i kaluar…

Prof Eugène Pittard i deleguar i Lidhjes së Kombeve për shpëtimin e banorëve të  Shqipërisë së veriut nga zia e bukës në vitin 1924.

Kur gjëmuan topat e fillimit të luftës së parë botërore në vitin 1914, Eugene Pittard me bashkëshorten e tij Helene ndodhej me pushime në Val d’Herens, një pikë klimaterike në kantonin Valais. Ata i ndërprenë pushimet dhe u nisën vullnetarë të kryqit të kuq francez në spitalin 101 të Lionit, duke e lënë Zhan Zhakun djalin e tyre 10 vjeçar nën përkujdesjen e prindërve të tyre në Gjenevë. Asnjë institucion apo shoqatë e kryqit të kuq zviceran dhe francez nuk i kishte dërguar çiftit Pittard ndonjë thirrje apo shkresë zyrtare për të ndërmarrë një hap të tillë. Ata iu përgjigjën zërit të ndërgjegjes dhe dhanë kontributin e tyre secili në profilin e tij. Eugène Pittard duke iu dhënë kurajo të plagosurve me fjalimet e tij dantoneske duke iu mjekuar plagët e shpirtit, ndërsa Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger duke iu mjekuar të plagosurve plagët e luftës si infermjere e Kryqit të kuq. Në 4 tetor të vitit 1921, Prof Eugène Pittard themeloi në Tiranë Kryqin e Kuq shqiptar me mbështetjen dhe me përkrahjen e një grupi dashamirësish dhe intelektualësh patriotë dhe përparimtarë si dhe me përkrahjen e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri. Shoqëria shqiptare me 70 % të popullsisë myslimane, atë ditë hodhi një hap të madh drejt perëndimit duke zgjedhur kryqin e kuq në vend të gjysmëhënës së kuqe. Prof Eugène Pittard u zgjodh njëzëri përfaqësues i Kryqit të kuq shqiptar në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të kuq me seli në Gjenevë. Përpos krijimit të kryqit të kuq shqiptar, Prof Eugène Pittard ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për pedagogjinë shqiptare. Në harkun kohor të viteve 1920-1940, Prof Eugène Pittard ndonëse fizikisht nuk ndodhej në Shqipëri ka bashkëpunuar pothuajse me të gjithë ministrat e arsimit të Shqipërisë që nga Sotir Peci duke vijuar me Kristo Floqin, Hil Mosin, Rexhep Mitrovicën, Xhaferr Ypin dhe shumë ministra të tjerë. Prof Eugène Pittard ishte i pajisur me të gjitha garancitë e nevojshme nga ministria e arsimit në Tiranë për të zgjedhur dhe për të lidhur kontrata pune me pedagogë zviceranë që ishin të gatshëm të jepnin mësim në shkollat e Tiranës, të Durrësit, të Korcës dhe të Shkodrës. Në vitin 1922, Fan Noli ka botuar një artikull në një gazetë të Gjenevës, në të cilin i bën thirrje të rinjve nga Gjeneva që të vijnë të punojnë si mësues në Shqipëri. Pas botimit të këtij artikulli, një mësues i ri nga Gjeneva, Rene Rjeben i dërgon një letër ministrisë së arsimit në Tiranë, në të cilën shpreh dëshirën të nënshkruajë një kontratë pune për të punuar si mësues në Shqipëri(AQSH, v.1922, F.195). Duhet vënë në spikamë fakti që Prof Eugène Pittard ka dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare. Pas përfundimit të misionit të tij humanitar si i deleguar i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924, Prof Eugene Pittard në harkun kohor të viteve 1925-1930 ka dhënë një ndihmesë të veçantë për luftimin e sëmundjes së malarjes në Shqipëri duke bashkëpunuar me departamentin e shëndetësisë të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, duke bashkëpunuar me mjekë shqiptarë të specializuar për sëmundjen e malarjes në Shqipëri, duke bashkëpunuar me konteshën britanike Elisabeth Carnarvon, duke bashkëpunuar me Xhemil Dinon, ministrin fuqiplotë të Shqipërisë në Romë si dhe me bakteriologun francez Dr Bernard Daudy, drejtor i laboratorit bakteriologjik në spitalin e Durrësit. Do të ndalemi tani tek një element i rëndësishëm i konstitucionit shpirtëror të çiftit Pittard, i cili ka të bëjë me vullnetarizmin e tyre dhe kontributin që ata kanë dhënë për Shqipërinë dhe Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në janar të vitit 1924 në veri të Shqipërisë, në Shkodër, Mirditë, Tropojë, Kukës, Mat dhe Lezhë kishte plasur zia e bukës dhe njerëzit vdisnin nga uria. Edith Durhami, kontesha Elisabeth Carnarvon, Justin Godart dhe Prof Eugène Pittard i ranë kambanave të alarmit në Lidhjen e Kombeve dhe në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të kuq në Gjenevë. Në mars të vitit 1924, Prof Eugène Pittard u emërua i deleguar i Lidhjes së Kombeve për administrimin dhe shpërndarjen e misrit popullsisë së varfër dhe të skamur në veri të Shqipërisë. Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij Hélène mbërriti në Tiranë në 1 prill të vitit 1924. Pasi takoi me kryeministrin e vendit Shefqet Vërlaci dhe me disa ministra të qeverisë shqiptare Prof Eugène Pittard u nis në Shkodër ku ngriti shtabin e tij në hotel Europa.  

Meqenëse po flasim për zinë e bukës në vitin 1924 në Shqipëri, do të heqim një paralele me kampet e refugjatëve që po ndërtohen sot nga qeveria shqiptare në Shëngjin të Lezhës në bashkëpunim me qeverinë italiane. Në prill të vitit 1924, Prof Eugène Pittard, i deleguari i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, priste me ankth ditë e natë në portin e vogël të Shëngjinit anijet e Lidhjes së Kombeve të ngarkuara me misër për të ushqyer malësorët shqiptarë që po vdisnin nga uria. Ai luftoi me konseguencën më të madhe që vagonat me misër të dërguara nga Lidhja e Kombeve të ngarkoheshin në kamiona dhe të niseshin në Shkodër dhe asnjë kokërr misri të mos binte në duart e kontrabandistëve të rrugës. Ndoshta Prof Eugène Pittard që në vitin 1924 e kishte parashikuar në subkoshiencën e tij që porti i Shëngjinit, i cili në antikitet njihej me emrin San Giovanni di Medua, një ditë do të priste refugjatë dhe do t’i përtërinte lidhjet e tij të vjetra dje me Lidhjen e Kombeve dhe sot me Kombet e Bashkuara. Nëse në atë kohë qeveria shqiptare do të kishte zbatuar me përpikëri urdhërin e kryeministrit shqiptar Fan Noli, nënshkruar prej tij në gusht të vitit 1924, sot qyteti i Shëngjinit do të quhej qyteti Wilson. Për hir të së vërtetës duhet pohuar që pas vdekjes së presidentit amerikan Woodrow Wilson në 3 shkurt 1924, ka qenë Faik Konica, i cili në emër të federatës shqiptare «Vatra» i propozoi parlamentit shqiptar emërtimin e qytetit të Shëngjinit me emrin Wilson. Prof Eugène Pittard me të mbërritur në Shkodër në ditët e para të muajit prill të vitit 1924 nisi menjëherë nga puna për shpërndarjen e misrit dërguar nga Lidhja e Kombeve sipas listave të përpiluara më parë nga bashkia e Shkodrës dhe nga bashkia e Lezhës, ndonëse ai shprehu habinë që me mbërritjen e tij në qytet këto lista ishin dhjetëfishuar. Prof Eugène Pittard për të zgjidhur këtë situatë alarmante krijoi një shtab të përbashkët në bashkinë e Shkodrës duke bashkëpunuar me autoritetet lokale si dhe me konsujt e konsullatave të huaja që ishin të akredituara në Shkodër. Bashkëkohësit kujtojnë që Prof Eugène Pittard me Helenën janë ngjitur shpesh herë në malet me dëborë për të furnizuar malësorët me misër. Prof Eugène Pittard u kthye në Gjenevë në fund të muajit prill të vitit 1924 për të paraqitur raportin e tij në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve dhe për të bërë thirrje për fonde dhe donacione të tjera për Shqipërinë. Operacioni i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri zgjati gjashtë muaj nga marsi deri në gusht të vitit 1924 dhe pjesa e dytë e tij do të përmbyllej me sukses nga dy delegatët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq Henri Cuénod dhe Raymond Schlemmer. Pas përfundimit të operacionit humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri për shpëtimin e banorëve të krahinave të veriut nga zia e bukës, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Sulejman Delvina në 22 korrik të vitit 1924, i dërgon një telegram zotit Eric Drummond, sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në të cilin e falenderon përzemërsisht në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar. 

Atentati i Mamurrasit në 6 prill 1924 kundër të deleguarit të Lidhjes së Kombeve  Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) 

Në 6 prill të vitit 1924, gjatë kryerjes së misionit humanitar të Prof Eugène Pittard në Shqipëri një bandë kriminelësh dhe mercenarësh kishin disa ditë që kishin zënë pritë në pyllin e Mamurrasit për t’i bërë atentat Prof Eugène Pittard-it, të deleguarit të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, atentat në të cilin u vranë dy turistët amerikanë De Long dhe Coleman që po kalonin me makinë në rrugën e Mamurrasit për të shkuar në Shkodër. Duke mos bërë dot dallimin midis gjuhës frënge dhe gjuhës angleze që flisnin të huajt, banditët menduan se po qëllonin mbi Eugène Pittard-in, të deleguarin e Lidhjes së Kombeve në Shqipëri. Vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamurras ishte një ngjarje e rëndë për Shqipërinë dhe tronditi pozitat e saj ndërkombëtare. Megjithatë, Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger nuk u frikësuan dhe nuk e braktisën frontin e betejës së tyre në Shkodër dhe nuk e lanë të papërfunduar operacionin e Lidhjes së Kombeve në Shqipëri. Kur populli i Shkodrës e pa çiftin Pittard të kthehej shëndoshë e mirë në hotel Europa, ditën e dielë në mbrëmje në 6 prill 1924, shkodranët dolën në rrugë masivisht për t’i përqafuar dhe për t’ju dhuruar trëndafila që i kishin këputur në kopshtet e tyre. Qëllimi i këtij atentati ishte diskreditimi i qeverisë shqiptare para Lidhjes së Kombeve dhe kancelarive europiane që nuk ishte e zonja të mbronte jetën e të deleguarit të Lidhjes së Kombeve gjatë kryerjes së misionit të tij në Shqipëri. Eshtë një shenjë fisnikërie për shtetin shqiptar të ngrejë një memorial në Mamurras në kujtim të dy qytetarëve amerikanë që humbën jetën në atentat në Shqipëri në prill të vitit 1924, duke shlyer në këtë mënyrë një borxh moral njëqind vjecar si ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu ndaj familjeve të dy qytetarëve amerikanë.  

A do të përkujtohet në Tiranë, 100 vjetori i operacionit humanitar të Lidhjes   së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924? 

Në gusht të vitit 1924 u mbushën plot 100 vjet nga përfundimi me sukses i operacionit humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, operacion, i cili nuk duhet lënë në harresë, për shkak se ka të bëjë pikërisht me institucionin e mirënjohjes dhe me kujtesën historike të popullit shqiptar. Ky operacion shumëkombësh, në të cilin morën pjesë të gjitha ingranazhet e Lidhjes së Kombeve dhe të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq meriton të përkujtohet me nderimet më të larta nga Kombet e Bashkuara, nga Konfederata Zvicerane dhe nga vendi mikpritës Shqipëria dhe shteti shqiptar. Ahmet Zogu në vitin 1927, në cilësinë e Presidentit të Republikës Shqiptare e dekoroi Prof Eugène Pittard-in me dekoratën e lartë : Komandant me yll Oficer madhor i Urdhërit të Skënderbeut dhe e bëri detyrën e tij. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse në vitin 2025, Presidenti i Republikës së Shqipërisë do ta nderonte Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger me Urdhërin e Flamurit Kombëtar. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse Universiteti i Tiranës do ta nderonte Prof Eugène Pittard-in, ish-rektorin e Universitetit të Gjenevës me titullin Doktor Honoris Causa. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) do të shpalleshin qytetarë nderi të Tiranës dhe të Shkodrës, qytet në të cilin Prof Eugène Pittard organizoi dhe dirigjoi operacionin humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse busti i Prof Eugène Pittard, mikut të çmuar të Shqipërisë do të vendosej nga Bashkia e Tiranës në një shesh të kryeqytetit dhe një rrugë e Tiranës do të mbante emrin : Rruga Eugène dhe Hélène Pittard(Noëlle Roger). Shqipëria për Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij do të ishte një atdhe i dytë. Ky vend i ilirëve të lashtë do të shndërrohej për ta në një yll polar që ata do ta ndiqnin gjithë jetën dhe nuk do të ndaheshin asnjëherë prej tij. Figura të tilla emblematike si Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger), na përngjajnë me meteoritet e ndritshëm që koha dhe vitet që kalojnë nuk ua zbehin shkëlqimin. Përkundrazi, ata shkëlqejnë gjithmonë e më tepër duke na dhënë dritë nga dritësia e tyre.  

Filed Under: Politike

Baza qelizore e kujtesës dhe të menduarit

January 4, 2025 by s p

Nga Dr. Nelson R. Cabej

Pjesa e dytë

Engrama si bazë e proceseve njohëse dhe e të menduarit

Vërtetimi eksperimental i ekzistencës së engramës së kujtesës

Njohja shkencore e engramës është një nga detyrat themelore të së sotme. Biologët sot besojnë se engrama është njësia elementare e ruajtjes së informacionit  rreth përvojave individuale dhe kompjutacionit3. Ndryshimet specifike që pësojnë neuronet engramë-mbajtëse janë: forcimi i lidhjeve sinaptike midis neuroneve, shtimi i kreshtave të dendriteve dhe shtimi i ndjeshmërisë së atyre neuroneve. Me rëndësi thelbësore për konsolidimin e engramës së kujtesës është sinteza e proteinës, siç provohet nga fakti që ndalimi eksperimental i sintezës së proteinës e fut engramën në një gjendje “të fjetur” (inaktive).  

Eksperimentet gjatë dekadës së parë të këtij shekulli kanë konfirmuar se një përvojë e të mësuarit (stërvitja e minjve për të hyrë e dalë nga një labirinth, të mësuarit e diçkaje të re, krijimi i një refleksi të kondicionuar, etj.), kodohet në formën e një informacioni neurogjenik në një grup neuronesh specifikë, që përbëjnë engramën, dhe kur kafsha ose njeriu stimulohet të kujtojë atë që ka mësuar reaktivohet po ajo engramë, po ato neurone. Reaktivimi i neuroneve engram-mbajtëse provonte ekzistencën e engramës por për të vërtetuar bindshëm se engrama ishte përgjegjëse për kujtesën duhej të shkatërroheshin neuronet që bënin pjesë në engramë dhe të shihej në se kujtesa ruhej ende. Për studimin eksperimental të engramave të kujtesës në këto dy dekadat e fundit janë përdorur fshirja e engramës, riaktivimi optogjenetik (me rreze drite) i engramës dhe krijimi i engramave artificiale. 

Fshirja e engramave

Verifikimi i funksionit të engramës si baza qelizore e kujtesës mund të provohej duke eliminuar neuronet që marrin pjesë në formimin dhe/ose në reaktivimin e saj. Në qoftë se pas këtij operacioni kujtesa të zhdukej, kjo do të tregonte se engrama ishte me të vërtetë mbajtëse e kujtesës. Kjo u arrit të bëhej për herë të parë në vitin 2009 nga një grup biologësh në laboratorin e Sheena Josselyn në Toronto, Kanada. Duke shfrytëzuar një engramë të identifikuar që kodonte në amigdalë (një pjesë e trurit në formën e bajames) frikën që shkaktonte një tingull në trurin e minjve, ata shkatërruan neuronet që merrnin pjesë në atë engramë dhe vunë re se minjtë nuk reagonin, gjw qw tregonte se kishin humbur kujtesën ndaj atij tingulli; kur ata shkatërruan një numër të njëjtë neuronesh që nuk bënin pjesë në engramë minjtë e ruanin kujtesën.

Riaktivimi i engramave me metoda optogjenetike 

Rruga normale e riaktivimit të engramës është ekspozimi i kafshës ndaj stimulit që shpuri në formimin e saj. Por kohët e fundit biologët kanë arritur të “zgjojnë” ose aktivojnë engrama “të fjetura” edhe në mungesë të stimulit që bëri të mundur formimin e tyre, vetëm nëpërmjet metodave optogjenetike, duke përdorur dritën e lëshuar me precision vetëm mbi neuronet engramë-mbajtëse. Ky rrezatim stimulonte aktivimin e neuroneve të engramës dhe “zgjimin” e kujtesës përkatëse. Në këto eksperimente u provua se drita e fokusuar me precision në neuronet engram-mbajtëse mund të zëvendësojë stimulin e kondicionuar.  

Kur minjve u shkaktohej eksperimentalisht sëmundja e Alzheimer-it, vihej re se engramat e heshtura të minjve kujtesë-humbur nuk mund të riaktivoheshin as në prani të stimuluesve natyrorë të tyre, por mund të aktivoheshin artificialisht, në mënyrë optogjenetike (me rezatim të përqëndruar në neuronet e engramës), i cili, duke nxitur shtimin e dëndësisë së kreshtave në dendritet (zgjatime në njerin pol të neuroneve) dhe forcimin e lidhjeve midis neuroneve, riaktivon engramën e heshtur të kujtesës4. Thuajse një dekadë më parë një grup studiuesish të Howard Hughes Institute në MIT (Boston, MA) mundën të krijojnë engrama artificiale.

Nga engrama te të menduarit

Njohja e mekanizmave të formimit të engramës na ndihmon për të kuptuar shkallët e mëtejshme të evolucionit të aftësive njohëse, instinkteve, aftësive përgjithësuese, arsyetimit logjik, deri te të menduarit e njeriut.

Pasi përshkruam mekanizmat e krijimit, rinxjerrjes, heshtjes dhe humbjes së engramave si mbartëse të informacionit neurogjen mbi gjërat, ngjarjet dhe dukuritë e rrethinës në të cilën jetojnë kafshët, le të shohim shkurtimisht lidhjen e mundshme të tyre me aftësitë njohëse dhe të menduarit.  

Dihet përgjithësisht se kafshët mendojnë. Mjafton të kujtojmë një shëmbull të thjeshtë, kërcimin e sigurtë të ketrit nga një degë në tjetrën. Fakti që ai e bën këtë pa u rëzuar tregon se ai, duke u mbështetur në përvojën e vet (pas dështimeve të mëparshme), para se ta kryejë kërcimin ka llogaritur largësinë e vet nga dega në të cilën do të kërcejë, largësinë që mund të kërcejë ai nga lart-poshtë, nga posht-lartë dhe horizontalisht, pa rezikuar që të bjerë, madhësinë e degës më të vogël që mund ta mbajë peshën e tij në rënie, duke përfshirë vlerësimin e rezikut të rënies aksidentale. Tani besohet se të gjitha këto përvoja janë regjistruar në engrama të veçanta në trurin e tij. Para se të marrë vendimin për të kërcyer, në trurin e ketrit ndodh edhe lidhja e tërë engramave të mësipërme, por edhe të tjerave, të cilat procesohen dhe integrohen kryesisht në koren frontale të trurit dhe/ose në hipotalamus ku edhe merret vendimi. Kërcimi i suksesshëm i ketrit tregon bindshëm se ai ka integruar dhe kalkuluar të tërë parametrat e mësipërme para se të mirrte vendimin per të kërcyer në degën tjetër. 

Evolucioni i botës së kafshëve bëri të mundur edhe kalimin në një formë më të lartë të aftësive njohëse të disa gjitarëve deri te ndërgjegjësimi për ekzistencëen e vetes si një individ i grupit. Kështu kur një qeni i vihet ushqimi para pasqyrës që i lejon të shohë fytyrën dhe kokën e tij, brenda fare pak ditësh ai kupton se në pasqyrë është duke parë veten sepse sapo t’i vihet në kokë pak pluhur i bardhë ose i zi, ai përpiqet ta heqë me këmbë pluhurin nga koka.

Një shimpanze mëson të përdorë gurin për të çarë arrët, të qëroje frutat, të përdorë shkopin për të rrëzuar frutat nga pema, etj. ose deri të krijojë “vegla” primitive guri, por një formë më e lartë cilësisht e ndryshme e aftësis njohëse u arrit me daljen e njeriut në skenën e historisë natyrore.   

Jetesa në grup dhe sidomos gjuha e folur dhe të shkruarit ndihmuan shumë në atë kërcim të madh që bëri njeriu në zhvillimin e aftësive njohëse deri në atë që sot njihet si “të menduarit e ri”, të menduarit logjik, gjatë evolucionit relativisht të shkurtër të tij dhe bënë të mundur zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës dhe kulturës njerëzore, si dhe transformimin kolosal që i bëri njeriu natyrës për të përmirësuar jetën e tij.

Në fund të fundit, lidhja e engramave të ndryshme në indin nervor qëndron në bazën e zhvillimit të njohjes njerëzore, krijimit të koncepteve dhe përgjithësimeve shkencore. Nga kjo pikëpamje edhe idetë dhe zbulimet e reja, duke përfshirë ato më gjenialet, janë rezultat i lidhjeve të reja ose të kombinimeve të reja të engramave të ndryshme në trurin e njeriut. 

Filed Under: Analiza

Hapja e parlamentit të parë shqiptar pasqyruar në “Chicago Daily News”

January 3, 2025 by s p

Ilir Ikonomi/

Hapja e parlamentit të parë shqiptar në Tiranë më 21 prill 1921, tërhoqi vemendjen e korrespondentit të gazetës Chicago Daily News, i cili na jep një përshkrim të rrallë në numrin e datës 26 prill, si dëshmitar i ngjarjes. Kuvendi u mblodh në shtëpinë e Zija Toptanit, ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Dritaret e sipërme të ndërtesës në foto, që shohin nga Rruga e Elbasanit, janë të sallës ku u mblodhën deputetët, e cila sipas korrespondentit i ngjante një klase shkolle.

Ja përkthimi i plotë:

SHQIPËRIA E RE PO LIND THUAJSE SI AMERIKA

“Asnjanësia e rreptë dhe e sinqertë me fqinjët”, shpallet si synim i vendit.

Nga EDGAR ANSELM MOWRER

Tiranë, Shqipëri, 22 prill – Për herë të parë në jetën time jam i pranishëm në lindjen e një shteti. Në prani të përfaqësuesve të Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe anëtarëve të Kryqit të Kuq Amerikan u zhvillua sot seanca e dytë e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa shikoja punimet, mu kujtuan rrëfimet historike për seancat e gjata që mbaheshin dikur në Filadelfia, nga të cilat dalëngadalë lindi kushtetuta amerikane. Të huajt që janë të prirur të qeshin me shqiptarët – me varfërinë e tyre, mungesën e përvojës, mentalitetin turk dhe grindjet personale apo fetare, duhet të kujtojnë se si u formuan Shtetet e Bashkuara.

Organet qeverisëse, të dala prej kuvendit të patriotëve, përbëhen nga një lloj regjence prej katër anëtarësh, me një kabinet dhe një dhomë deputetësh, por vetëm tani përfaqësuesit e parlamentit, i pari i zgjedhur ligjërisht dhe me votën e popullit, mblidhen si individë të lirë. Duke përshëndetur anëtarët e organit ligjvënës, Dr. (Mihal) Turtulli i regjencës tha se politika shqiptare bazohet në “asnjanësinë e rreptë dhe të sinqertë me fqinjët” dhe se shpresonte që negociatat e pritshme për zbrazjen e trojeve shqiptare të mbajtura në mënyrë të paligjshme nga vendet e tjera do të përfundonin me sukses.

“Që Shqipëria është në gjendje të shkëlqyer, – tha ai, – këtë e tregon legjitimiteti i zgjedhjeve dhe qetësia që mbretëron në të gjithë vendin”.

VENDI NDESHET ME VËSHTIRËSI.

Megjithatë, Shqipëria po përjeton disa vështirësi. Rivaliteti fetar ka penguar zgjedhjet në Shkodër; zgjedhjet e Dibrës po kontestohen, ndërsa qarku i Himarës, ku grekët janë të fortë, ndodhet në një lloj revolte. Në Gjirokastër dhe Korçë elementi shqiptar ka mbizotëruar plotësisht.

Anëtarët e parlamentit të ri janë jashtëzakonisht demokratikë. Sot në mëngjes, me miratim të njëzëshëm, u hoqën titujt “bej” dhe “pasha” me origjinë turke dhe një nga aktet e para të asamblesë së re do të jetë miratimi i ligjit për heqjen e të gjithë titujve. Tani e tutje të gjithë njerëzit do të quhen “zoti” ose “z.”. Parlamenti i ri ndoshta do të jetë republikan edhe në frymë dhe, ndonëse mendohet se një formë monarkike e qeverisjes ka disa avantazhe, vendi mund të shpallet Republika e Shqipërisë.

Disa nga dallimet fetare u zgjidhën pjesërisht sot në mëngjes, kur Imzot Fan Noli dhe kleriku mysliman Hoxha Kadri, bashkëpunuan si pjesë e një komisioni. Asambleja e re është shumë nacionaliste. Procedurat janë solemne dhe seancat po zhvillohen në një sallë që duket si klasë shkolle në shtëpinë e dikurshme të familjes së Esat Pashës. Gjithçka është tepër e thjeshtë. Anëtarët e asamblesë janë të tipeve nga më të ndryshmit, nga evropiani kozmopolit e deri te kryeplaku i fshatit. Anëtari më i vjetër, që është kryetari i përkohshëm, ka moshën nën 60 vjeç dhe Asambleja është ndoshta më e reja në botë si moshë. Shumë prej deputetëve mbajnë feste shqiptare të zeza ose të bardha, ndërsa të tjerë nuk kanë asgjë në kokë. Hoxha Kadri mban një çallmë të bardhë mbi fesin e kuq.

NJË KUVEND PIKTORESK DHE SOLEMN.

Asambleja është sa piktoreske aq edhe solemne. Përbërja e saj duhet t’i bindë pesimistët se e kanë gabim kur deklarojnë se luftërat fetare do ta përçajnë Shqipërinë dhe kur flasin me përbuzje, duke e quajtur këtë vend një “Turqi të vogël”. Sigurisht që vështirësitë janë të mëdha, por vullneti për t’i tejkaluar ato dhe patriotizmi i madh i anëtarëve, për mendimin tim, janë në nivelin e vështirësive.

Vendi ka nevojë për ndihmën e huaj. Dështimi i fuqive për ta njohur Shqipërinë mund ta vonojë, por nuk mund të pengojë përgjithmonë formimin e këtij shteti të ri, ideali i të cilit janë Shtetet e Bashkuara. Sot shqiptarët po kryejnë me vetëbesim punën për shndërrimin e fshatit të Tiranës në kryeqytetin e një shteti të vogël, por aktiv dhe modern.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • 561
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT