• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT DHE PAVARËSISË NË 4122 Km

November 28, 2024 by s p

(Në përkujtim të burrave të Pavarësisë, që shkruan histori 112 vite më parë, në përkujtim të babait të kombit Ismail Qemal bej Vlora, që në rrugëtimin historik nga Stambolli evropian në Vlorë bëri 4122 kilometra, që historia e kombit tonë ta rregjistronte si heroin e shqiptarëve që shpalli pavarësinë shqiptare; në nderim e respekt të 40 firmëtarëve të pavarësisë si dhe gjithë delegatëve të Kuvendit të Vlorës, por dhe qeverisë së parë të përkohshme të Vlorës, që përfaqësonte gjithë trojet shqiptare).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT NGA STAMBOLLI NË VLORË: 4122 Km.

Me rastin e ditës së përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, mbarë shqiptarizma është me sy e veshë nga Vlora e flamurit, ku në imazhin e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, tek vepra e madhe e para 112 vitesh, tek shpallja e mëvetëqsisë. Ligjërata e plotë e Ismail Qemal bej Vlorës, të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen më madhore të kombit shqiptar, atë të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, ishte postulat i shekujve, për realizimin e ëndërrës së shumëpritur shekullore të shqiptarëve. Është pikërisht ligjerimi i një kombi të tërë që historia e ka gdhendur në histori madhore e së shkuarës kombëtare, dhe si detyrim i së ardhmes, fjalët e zemrës të mendjendriturit shqiptar Ismail Qemal bej Vlora, që bëri rrugëtimin historik nga Stambolli në Vlorën e tij të dashur, për të shpëtuar kombin në prag të shkërmoqjes së perandorisë osmane dhe urisë e lakmisë së fqinjëve për troje nga toka arbërore e drobitur prej vuajtjeve nga pushtimet e gjata. Ismail Qemal bej Vlora i cili jetoi në disa shtete si në Turqi, Greqi, Itali, Bullgari, Siri, për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër e Gjermani, erdhi në Shqipëri, si kryeministër, si kryetar i parë në historinë e shtetit shqiptar, që drejtoi nga 28 Nëntori i vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Ishte Ismail Qemali që vendosi vulën historike të burrit të madh të flamurit, të Pavarësisë së shqiptarëve, të diplomatit e shtetformuesit që shkroi histori epokale për shqiptarët. Pavarësia shqiptare dhe epoka e rilindjes shqiptare dhe e rilindësve nuk mund të ndahen, për vetë kushtet që u poqën nga një brez i madh intelektualësh eruditë që punuan gjatë për mëvetësinë dhe krijimin e shtetit. Pavarësia udhëtoi nga Moti i Madh i Gjergj Kastriotit tek Moti i Madh i Ismail Qemalit 4 shekuj e 63 vjet. (1443-1912). Ismail Qemali me udhëtimin e tij të famshëm, plaku i bardhë të flamurit, në nëntor 1912 rrugëtoi 4122 kilometra nga Stambolli evropian në Vlorë. Ai me patriot të tjerë përshkruan rrugën Stamboll-Konstancë- Bukuresht; nga Bukureshti në Vjenë; nga Vjena në Budapest; nga Budapesti sërish në Vjenë; nga Vjena në Trieste; nga Trieste në Durrës për tu finalizuar në Vlorën e përjetësuar të flamurit. Pavarësia për shqiptarët ka qenë shpesh në rend të ditës, në penën e intelektualizmit shqiptar, në mendjen gjeniale të rilindjes shqiptare të frymëzuar edhe nga iluminizmi francez. Por nga ana tjetër Pavarësia ka qenë edhe në grykën e pushkës e në majën e jataganit në qindra beteja nëpër shekuj. Amaneti i gjakut të shqiptarëve udhëtoi përmes shekujsh për t’u naltuar më 1912-tën.

VULLNETI I POPULLIT SHQIPTAR FINALIZOHET 112 VITE MË PARË

Në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve tingëllon edhe sot pas 112 vitesh fjalët e Ismail Qemalit, që mbajti në atë kuvend historik, në ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarinë dhe shqiptarët, më 28 nëntor 1912, në atë kuvend që u hap në orën 16, pasdite, në shtëpinë e kushëriut të Ismail bej Qemalit, Xhemil bej Vlorës dhe ku morën pjesë 42 delegatë. Ligjërata e pavarësisë ishte: “Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjet e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpërblejë me të mirë Shqiptarët shërbimet e mëdhá që i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ që un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdha që kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vend edhe nga an’e Pushteteve të mëdha e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare..” dhe që finalizohet me shprehjen e vullnetit të popullit “që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.. (sipas Revistës “Flamuri”, të publikuar në korrik-Shëndre 1952, nr. 31-36,  faqe 3, në Romë; si dhe “Besa”, nânduer 1954, nr.15, Istanbul (Constantinople). Është fakt historik se, ligjërimi 5 minutësh i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, përmbante 450 fjalë. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!” dhe ndërkohë Pavarësia e Ismail Qemalit përfshinte të gjitha trevat shqiptare, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa e shqiptarëve, që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.

SHQIPTARËT &  TROJET SHQIPTARE: “TË LIRË TË PAVARUR DHE MËVEHTE..!”

Ja ligjërata e tij me flamur në dorë menjëherë pasi ishte nënshkruar pavarësia: “Vëllezër shqipëtarë!  Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të lirë të pavarur dhe mëvehte, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë). Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë. Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!”. (Sipas origjinalit në AQSH, Fondi dokumentar 245/II, Dosja 1. faqe 43; si dhe libri “Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh) 1888 – 1919”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, faqe 231-232). Kabineti i qeverisë së Vlorës është i dokumentuar në këtë mënyrë: Kryeministër dhe minmistër i jashtëm: Ismail Qemali; Zëvendëskryeministër Nikoll Kaçorri, më vonë Ministër i Jashtëm Myfit Libohova, Ministër i Luftës Mehmet Pashë Dërralla, Ministër i Drejtësisë Petro Poga, Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave Abdi Toptani, Ministër i Bujqësisë Pandeli Cale, Ministër i Post Telegrafit Lef Nosi.

FJALËARTI ISMAIL QEMALI DHE FLAMURI I SHQIPËRISË SË LIRË

Pas shpalljes së mëvehtësisë, perpjekjet 14 mujore të qeverisë së parë të përkohshme nuk rreshtën në kushtet tejet të vështira, por në kujtesën e kombit nuk harrohen fjalët e Ismail Qemalit për Kosovën kreshnike dhe krejt Shqipërinë e përbashkuar në një shtet të vetëm dhe të unifikuar. Është pikërisht ligjërata e babait të kombit, Ismail Qemalit në Vlorë në tetorin e vitit 1913, që shprehej: “Zotërinj! Ju lutem të më ndjeni që ju bëra të më prisni por kam për t‘ju thënë një lajm të mirë që ma solli zoti koshull/konsull i Austrohungarisë, me të cilin fola gjer tani. Ky lajm do ta shpërblejë mundin që muarrtë të prisnin gjer tani. Zoti Kushull më lajmëroi se, Serbët u hoqën nga të gjitha viset që kishin zënë kohët e fundit edhe këto ditë do të hiqen nga ato nja dy vise ku gjenden akoma. Kam shpresë që për së shpejti do t‘u jap edhe një lajm të mirë që Grekët u hoqën nga viset të vendosura t‘i mbesin Shqipërisë. Kërkova të piqem me ju edhe t‘ju thom se ç‘bëri e ç‘nuk bëri qeverija gjer më ditën e sotme edhe përse u banë disa vepra të cilat ndofta nuk duheshin të ishin bërë. Tani mbushet njëmbëdhjet muaj që kur se po rrojmë nën hijen e flamurit të Shqipërisë së lirë. Sot e një mot mot, kur të huajt i shkelën të gjitha viset e Shqipërisë, po thua, pa kurrë farë kundërshtimi, neve të bijve të këtij vendi, nuk na kishte mbetur veçse një detyrë; të përpiqemi për të formuar një qeveri, e cila duke i mbajtur të liruara viset që nuk kishin rënë akoma nën pushtetin e të huajve, të përpiqemi e të ngrejmë zërin tonë për shpëtimin e viseve të tjera e për të drejtat e Kombit Shqiptar”. Fjalëarti, plaku i bardhë i flamurit e donte Shqipërinë përtej kufijve të “Shqipërisë londineze”, në kufijtë që kërkonte që në prillin e 1913-tës, në kryeqendrat e kancelarive europiane. 

DOKUMENTI I PAVARËSISË SHQIPTARE DHE FIRMËTARËT E PAVARËSISË

Dokumenti i pavarësisë është ekspozuar për herë të parë në nëntor 1937 me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, fotografuar nga Marubi. Revista e përmuajshme “Përpjekja shqiptare”, nr.13, datë 13.1.1938, fq 52 (Kapitulli “jeta dhe librat”); rol në ruajtjen e dokumentit ka luajtur Lef Nosi, anëtar i kuvendit të Vlorës dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit; dhe që ky dokument ka qenë ruajtur në një nga kasafortat e Bankës së Shqipërisë, edhe sipas Aleksandër Xhuvanit, por edhe sipas Kristo Frashërit dhe që është sot një mister i që shkon deri në vitin 1962, në 50-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe më tej që që ka aludime që duket se nuk po hedhin dritë realisht mbi të vërtetën. Asambleja e Kuvendit të Vlorës prej 40 delegatëve në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912, hartoi një procesverbal, ku u radhitën firmat e të dërguarve të përzgjedhur delegatë të kuvendit kombëtar të Vlorës. Dokumenti u diktua nga Ismail Qemal bej Vlora, u shkrua në shqip nga Luigj Gurakuqi dhe në osmanllisht nga Shefqet Dajiut. Teksti i procesverbalit ka këtë përmbajtje: “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912, pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Pasi u përmendën prej Ismail Qemal Beut Kryetarit të Kongresit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet Shqipnia, kongresistët me nji zâ pranuan Independencën edhe e proklamuan Shqipniën Shtet Independent e të lirë. Nënshkruesit e delkaratës së Pavarësisë janë: Ismail Kemal bej Vlora (1844 -1919); Dom Nikoll Kaçorri (1862-1917); Vehbi Dibra Agolli (1867-1937); Jorgji Karbunara – Babë Dudë Karbunara (1842-1917); Elmas Boce (1852-1925); Veli Harçi (1850-1914); Qazim Kokoshi (1882-1945); Jani Minga (1872-1947); Rexhep Mitrovica (1888-1960); Dhimitër Tutulani (1875-1937); Aristidh Ruçi (1875-1950); Abdi Toptani (1864-1942); Abas Dilaver Celkupa (1855-1926); Mit’hat Frashëri (1880-1949); Shefqet Dajiu (1882-1946); Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957); Xhelal Koprëncka (1782-1919); Hajredin Cakrani (1860-1942); Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949); Iljaz Vrioni (1882-1932); Sali Gjuka (1876-1925); Dhimitër Beratti (1888-1970); Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945); Dhimitër Zografi (1878-1947); Murad Toptani (1867-1918); Pandeli Cale (1879-1923); Luigj Gurakuqi (1879-1925); Bedri Pejani (1885-1946); Spiridon Ilo (1876-1950); Thanas Floqi (1884-1945); Qemal Mullaj (1881-1966); Lef Nosi (1873-1946); Dr. Hafiz Myrteza Ali Struga; Nuri Sojliu (1870-1940); Mustafa Merlika Kruja (1887-1958); Ferit Vokopola (1887-1969); Ymer Deliallisi (1873-1944); Xhemal Deliallisi (1880-1941); Nebi Sefa (1861-1942); Zyhdi Ohri (1872-1938). Ndërsa më 1962 përvjetorin e 50-të të shpalljes së Pavarësisë, Nexhip Pelivan Alpan (nga Zhulati i Gjirokastrës), botoi në Turqi librin “Arnavutlugun Bagimsizligi ve Avlonyali Ismail Kemal” (Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë…), ku në faqen 24, Nexhip Alpan ka përkthyer shkrimin në osmanllisht që thotë se në dokumentin “Dokumenti i shpalljes së Pavarësisë” dhe përfundi katër rreshta në turqisht: “Ismail Qemal Beu, kryetar i Kongresit (Kuvendit) deklaroi rreziqet e mjerimet ku ndodhej Shqipëria dhe kongresistët pranuan me një zá independencën dhe proklamuan shqipërinë shtet independent e të lirë”.

Filed Under: Politike

In Memoriam Prof Sami Repishti – Personalitet i shquar i kombit shqiptar

November 28, 2024 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Prof. Sami Repishti, një nga figurat më të shquara jo vetëm në historinë e komunitetit shqiptar por edhe të kombit shqiptar ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 99-vjeçare. Ishte një personalitet i shquar, një intelektual, profesor kolegji, autor librash e shkrimesh, udhëheqës organizatash në komunitet, e njeri shumë i respektuar.

U rrit në një familje patriotike dhe veprimtaria e tij në shërbim të kombit ka zgjatur për më shumë se 70 vjet. Që kur ishte i ri u aktivizua kundër pushtuesve nazistë, por qendrimet e tij patriotike për Kosovën e futën në konflikt me komunistët të cilët e dënuan me 15 vjet burg. U lirua pas 10 vitesh dhe u arratis në Jugosllavi, ku përsëri e burgosën për veprimtarinë e tij politike kombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara, u bë shpejt një nga udhëheqësit më të njohur, me dëshmitë e tij në Kongresin Amerikan, me korrespondencat me politikanë e gazetarë, me shkrimet dhe tekstet e protestës.

Luajti rol kyç në lobimin për Kosovën dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike dhe ishte instrumental në themelimin e organizatave si NAAC, Liga etj.

Do të na mungojë shumë Prof. Sami Repishti. Por edhe do të vazhdojë të na frymëzojë me punën dhe veprën e tij të madhe. Për mua, për familjen time, për shumë nga veprimtarët e komunitetit ka qenë një privilegj dhe një nder i madh që kemi pasur rastin të punojnë me të për dekada me radhë.

Çfarë udhëtimi i jashtëzakonshëm ka qenë jeta e tij!

Por kujtimi më i vyer që do të më mbetet nga Prof Sami Repishti është udhëtimi që bëmë bashkë në prill 2000, në Kosovën e çliruar nga pushtuesi serb. Më kujtohen vizita emocionuese te Varrezat e Jasharëve si dhe mikpritje fenomenale që na bëri Presidenti Ibrahim Rugova në shtëpinë e tij. Ai e njihte mirë dhe e vlerësonte Prof. Repishtin.

Kur e nisi punën Prof. Sami Repishti Kosova nuk ishte në radarin e vëmendjes amerikane, por puna e tij dhe e patriotëve të tjerë dha rezultate, Kosova u bë e lirë dhe e pavarur.

Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë si një luftëtar të vendosur për pavarësinë e saj dhe do t’ia mbajë gjithmonë gjallë kujtimin.

Shqiptarët kudo në trojet e tyre do ta kujtojnë me respekt dhe mirënjohje sepse e kanë patur një avokat e veprimtar të vendosur për të drejtat e tyre.

Ishte i vendosur për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe me rënien e komunizmit iu dha mundësia të kthehej përsëri në atdhe.

Me rastin e 90-vjetorit, me një numër bashkëpunëtorësh e miq të tij organizuam një veprimtari të bukur për të vlerësuar punën dhe veprën e tij. Në vitin 2018, kur Federata PanShqiptare Vatra e nderoi me një çmim special, pata fatin të mbaj fjalimin prezantues. Ka marrë shumë çmime e nderime, por gëzimi më i madh që ka pasur ishte pavarësia e Kosovës dhe ardhja e demokracisë në Shqipëri.

I paharruar qoftë kujtimi i Prof Sami Repishtit!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Sociale

IN MEMORIAM, SAMI I. REPISHTI, PhD.1925-2024

November 28, 2024 by s p

A person in a suit and tie

Description automatically generated

Me 27 nëntor 2024 ndrroi jetë qetësisht pranë familjes humanisti shqiptaro-amerikan Dr.Sami Repishti. Lindi në Shkodër, Shqipëri, 1925. Aty kreu filloren e të mesmen; filloi universitaren, histori modern në Universitetin e Firenze-s. Studenti Sami Repishti, 14 vjeçar, u aktivizue në demonstratat studenteske të 5-7 prillit kundër pushtuesve fashistë. Babai Hafiz Ibrahim Repishti,D.D. Istanbul, vullnetar në rrethimin e Shkodrës (1912-13) Shef i arsimit, 1916, Imam, deputet fanolist republikan, për Shkodrën (1923-24) ra viktimë e terrorit fashist (1942). Qytetar Nderi, 2012, Nana Hava Bushati Repishti, viktimë e tri diktaturave, u dekorue nga Senatorja e N.Y.State N.Fernandez me “Certificate of Accomplishment”. Kaloi vite me dy fëmijë në kampin Tepelenë. 17 vjeçari Zyhdi Repishti u masakrue nga nazistët (’44).
Larg rrymave politike, Repishti qendroi si demokrat dhe intelektual jo-konformist. Me ardhjen e pushtetit diktatorial stalinist, ai u gjet në nji situatë që impononte politikisht dhe moralisht marrjen e nji qëndrimi patriotik. U aktivizue në veprimtari antikomuniste për liri e demokraci liberale perëndimore. U arrestue, 1946. I riu Sami u torturue egërsisht, dhe me 27 nandor 1947, u dënue me 15 vjet burgim të randë e punë të detyrueshme. Me nji vëlla të arratisun, nana e moshueme, motra dhe vëllau i mitun u internuen në Tepelenë. I liruem nga burgu, korrik 1956, punëtor krahu i përbuzun e i përndjekun, Samiu vendosi të arratiset në ish-Jugosllavi, në gusht 1959, tue lanë familjen në nji gjendje shumë të vështirë. U mbajt për 11 muej incommunicado, u dërgue në kampin Gerovo, Kroaci, 1960, dhe u dëbue në Itali, 1961. Emigroi në Amerikë më 9 prill 1962 ku banoi deri në frymën e fundit.

Në Botën e Lirë, refugjati Sami Repishti iu nënshtrue nji arsimimi rigoroz dhe fitoi diplomën B.A.(1964), M.A.(‘69) dhe PhD.(French,’73) nga Universiteti “la Sorbonne” Paris, (bursist), dhe Graduate Center, CUNY. Për 25 vjet ka dhanë mësim në gjimnazet amerikane (Malverne HS); ka sherbye si kryetar i departamentit të gjuhëve të hueja, dhe njikohësisht si pedagog i jashtëm pranë Adelphi Univ. (1973-78),NY. Profesor Repishti ashtë autor kryesisht i dy vëllimeve autobiografike Pika Loti – Tregime burgu(1997), e “Nën hijen e Rozafës – Narrativë e jetueme(2004) dhe 8 vëllime studimesh, si dhe bashkautor i 12 vëllimeve tjera. Ka qenë, dhe mbetet publicist i angazhuem për problemin e “Shqipërisë lindore”. Kosova e lirë, e pavarun, demokratike, e bashkueme dhe europiane ka qenë leitmotivi i jetës tij. I aktivizuem në lamin politik, ai bashkëthemeloi e drejtoi disa organizata shqiptaro-amerikane: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Kosova Relief Fund, USA, Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane (AACL), e Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (N.A.A.C.) për shumë vite grupimet politike ma efektive në SHBA. Që nga viti 1965, ai ka dëshmue para dy Dhomave të Kongresit Amerikan për problemet kombëtare shqiptare dhe ka mbajtë lidhje të vazhdueshme me kuadrot e Kongresit, Departmentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Panorama (Tiranë) e cilësoi ”…ish i burgosuri Sami Repishti është ndoshta personaliteti më i shquar dhe më i urtë që shqiptarët kanë sot në SHBA…”. Ashtë dekorue nga qeveritë shqiptare, amerikane e kosovare. Prof. Sami Repishti jetoi në Amerikë, bashkë me bashkëshorten e tij, Diana Repishti, arsimtare, djalin Daren, mjek, vajzën Ava, juriste, e pesë nipa e mbesa (Bryan, Julia Nicole, Audrey dhe Alexander).
Dëshira e fundit: Liri, Paqë në Botë dhe Mirëkuptim!

FAMILJA REPISHTI

Filed Under: LETERSI

FAMILJA REPISHTI NJOFTON KOMUNITETIN SHQIPTAR NË AMERIKË

November 28, 2024 by s p

Familja Repishti njofton mbarë komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat, opinionin publik, miq, dashamirës e bashkëpunëtorë se familja pret ngushëllimet për Sami Repishtin:

DITËN E SHTUNË, 30 NËNTOR 2024 NGA ORA 3 PM – 7 PM

ADRESA:

Ballard-Durand Funeral & Cremation Services

2 Maple Ave, White Plains, NY 10601

Përcjellja për në banesën e fundit zhvillohet DITËN E HËNË, 2 DHJETOR 2024, ORA 10 AM.

Filed Under: Opinion

VATRA PËRSHËNDET VENDIMIN E GJYQËSORIT SHQIPTAR PËR LIRIMIN NGA ARRESTI TË LIDERIT TË OPOZITËS PROF. DR. SALI BERISHA

November 28, 2024 by s p

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” mirëpret vendimin e gjygjësorit shqiptar për lirimin nga arresti shtëpiak të liderit të opozitës shqiptare Prof. Dr. Sali Berisha.

Ky vendim është lajm i mirë për Shqipërinë, ambientin politik, klimën parlamentare, demokracinë dhe pavarësinë e gjygjësorit në Shqipëri.

Në këtë kohë dinamike kur Shqipëria angazhohet për integrim në BE, një mjedis stabil politik me funksionim të mirëfilltë të institucioneve të drejtësisë dhe raporte brenda normave të konkurencës politike pozitë – opozitë i duhet më shumti Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke i dëshiruar shëndet dhe punë të mbarë Dr. Berishës, unë si kryetar dhe “VATRA” si organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, besojmë fuqishëm në drejtësinë dhe fuqinë e së drejtës dhe të vërtetës.

Urojmë që të dëgjojmë vetëm lajme të mira nga atdheu i ynë i begatë.

Me shpresën për tu takuar së shpejti në Tiranë dhe Uashington,

Me respekt

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 620
  • 621
  • 622
  • 623
  • 624
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT