• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PORTRETI FIZIK I KRYEHEROIT NË HISTORIOGRAFINË TURKE”

March 4, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Autorët bashkëkohës, arbër dhe italianë, e portretizojnë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si: burrë shtatlartë, me trup muskuloz, me përmasa proporcionale dhe theksojnë faktin se në të gjithë kompleksitetin e vet ai shfaqte bukuri të rrallë fizike, e cila ishte e gërshetuar aq bukur me cilësitë e tij mendore e shpirtërore etj. Mirëpo, nëse përshkrimi fizik, i cili gjendet në veprat e biografëve të hershëm të Heroit tonë Kombëtar, Dhimitër Frangu e Marin Barleti dhe autorëve të tjerë perëndimorë bashkëkohës, ku duhet të veçoj humanistin e shquar italian, Giovanni Giovano Pontano, mund të merret me rezerva nga ndonjë studiues skeptik dhe tendencioz, i cili tregohet mosbesues ndaj dëshmive të tyre; atëherë çfarë mund të thuhet kundër kronistëve osmanë dhe historianëve të mëvonshëm turq?!… Pavarësisht urrejtjes së tyre patologjike për arbërit në përgjithësi dhe për Kryeheroin tonë në veçanti, pjesa më e madhe e kronistëve osmanë të kohës nuk e fshehin dot “admirimin” për armikun më të tmershëm të Perandorisë Osmane gjatë shek. XV.

Prandaj, për shumë arsye, përshkrimi fizik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga “penat” më të njohura të palës kundërshtare mbart në vetvete një vlerë shumë të veçantë. Historiani i njohur osman, Hoxha Sad’ed’Din (1536-1599), në veprën e tij me titull “Tâc-üt-Tevârih” (Kurora e historive), e botuar në vitin 1575, duke shfrytëzuar veprat historike të kronistëve paraardhës, shkruan se “Sundimtari i arbërve (Gjon Kastrioti) kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë.” Historiani tjetër, osman, Sollakzade, thotë se: “Sundimtari i arbërve kishte një djalë me shtat të pashëm, që quhej Iskender. Pamja e këtij njeriu të bukur të çlodhte, ndërsa fytyra e tij tërheqëse të jepte një kënaqësi.” Po ashtu, edhe Mynexhimbashi, i cili e përshkruan në mënyrë shumë sintetike, thotë se: “Dikur, sundimtari i vendeve të arbërve kishte një djalë të bukur e të pashëm, të cilin e quanin Iskender.” Edhe në historiografinë zyrtare turke të shek. XX, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu lavdërohet për aftësitë e tij organizative, trimërinë e skajshme, qetësinë në rast nevoje, cilësitë e tij si luftëtar dhe mbi të gjitha për pasionin dhe fuqinë e vullnetit të tij. Po ashtu, shënohet se Skënderbeu u përlesh pavarësisht pengesave dhe e mbrojti vendin e tij për kundër “mësymjes turke” për 25 vite me rradhë e me një numër të vogël luftëtarësh, edhe pse disa prej zotërinjve feudalë arbër e tradhtuan dhe e sulmuan.

Njëri prej historishkruesve më popullorë e më të njohur të Republikës së Turqisë, Reshat Mehmet Koçu, e përshkruan Heroin tonë Kombëtar në monografinë e tij për sulltan Mehmetin II Fatih si njërin prej armiqve më të fortë dhe të tmerrshëm të Mehmetit II, ndërkohë që tjetri cilësohet Janosh Huniadi. Ky autor shton se Skënderbeu ishte sa i zgjuar dhe kurajoz aq edhe i hijshëm. Ky admirim i tërthortë, që Bülent Bilmez e cilëson si “respekt ndaj armikut”, vijon me superlativa si: “ishte një djalë i talentuar kur u mor në saraje”… më pas, “luftoi në beteja të shumta dhe u bë i njohur për trimërinë e tij”… Po ashtu, ai përshkruhet si “çmendurisht trim”… dhe shtohet se: “ai qe një luftëtar shumë i fortë.” Në historiografinë moderne turke pranohet gjerësisht se: “Skënderbeu nuk njohu asnjëherë ndonjë humbje përfundimtare kundër fushatave të sulltan Muratit II dhe Mehmetit II”, ndërsa theksohet se baza e tij kryesore, “Kruja, nuk u mor dot për sa kohë ai qe gjallë” dhe po ashtu, në shumë tekste nënvizohet fakti se: “ai nuk u mposht kurrë.”

Filed Under: Politike

Kosova rast Sui Generis në arenën ndërkombëtare: Domosdoshmëria e njohjes së sovranitetit të jashtëm nga OKB, NATO dhe BE

March 4, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

1.Kosova – Një Shtet me Status të Përcaktuar nga Rrethana unike

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka ndërtuar një shtet funksional me institucione të konsoliduara, një kushtetutë demokratike dhe një qeverisje që synon integrimin euro-atlantik. Megjithatë, sovraniteti i saj i jashtëm mbetet i pjesshëm për shkak të pengesave politike dhe juridike ndërkombëta.

Në arenën ndërkombëtare, Kosova përfaqëson një rast sui generis, që nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me rastet e tjera të shteteve të reja. Kjo vjen si rezultat i disa faktorëve:

Ndërhyrja humanitare e NATO-s në vitin 1999, e cila ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik nga Serbia.

Administrimi i përkohshëm nga OKB-ja përmes UNMIK-ut, duke krijuar një rrugë të mbikëqyrur drejt pavarësisë.

Deklarata e Pavarësisë e vitit 2008, e cila u mbështet nga fuqitë kryesore perëndimore dhe u konfirmua si e ligjshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vitin 2010.

Pavarësia pa një marrëveshje me shtetin amë (Serbinë), duke krijuar një precedent të veçantë në të drejtën ndërkombëtare.

Megjithatë, sfidat për një sovranitet të plotë mbeten ende të mëdha. Kosova duhet të përshpejtojë integrimin në OKB, NATO dhe BE për të siguruar njohje të plotë dhe stabilitet të qëndrueshëm.

2. Kosova në OKB: Një Anëtarësim i Vështirë, por i Domosdoshëm

2.1. Pse Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së?

Anëtarësimi në OKB është një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës. Megjithëse mbi 100 vende e kanë njohur pavarësinë e saj, Kosova ende nuk është pranuar si anëtare e OKB-së për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit.

Në OKB, një shtet i ri mund të pranohet vetëm nëse:

1. Aprovohet nga Këshilli i Sigurimit me të paktën 9 vota nga 15, pa asnjë veto nga pesë anëtarët e përhershëm (SHBA, Britania, Franca, Rusia, Kina).

2. Votimi në Asamblenë e Përgjithshme, ku duhen dy të tretat e votave të shteteve anëtare.

Rusia dhe Kina vazhdojnë ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës për arsye gjeopolitike. Rusia e sheh Kosovën si precedent për rajone separatiste si Osetia Jugore dhe Donbasi, ndërsa Kina shqetësohet për Tajvanin dhe Tibetin.

2.2. Strategjitë për Anëtarësimin në OKB

Kosova duhet të ndjekë disa rrugë strategjike për të siguruar njohjen në OKB:

Forcimi i aleancave me vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, veçanërisht brenda BE-së, Afrikës dhe Amerikës Latine.

Lobimi për një rezolutë të re të Asamblesë së Përgjithshme që do të lejonte anëtarësimin e saj si “anëtare e veçantë” ose “observatore”, si Palestina dhe Vatikani.

Shtimi i presionit diplomatik ndaj Serbisë për të ndalur fushatën e saj të çnjohjeve.

Përdorimi i precedentëve ndërkombëtarë, si Sudani i Jugut, për të argumentuar se Kosova ka të drejtën e anëtarësimit në OKB.

Në këtë aspekt, SHBA dhe aleatët evropianë kanë një rol vendimtar për të shtyrë procesin në drejtimin e duhur.

3. NATO: Garancia e Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë Afatgjatë

3.1. Pse Kosova duhet të bëhet anëtare e NATO-s?

Kosova ka nevojë për anëtarësim në NATO për disa arsye strategjike:

Garantimi i sigurisë kombëtare dhe mbrojtja nga kërcënimet e Serbisë dhe Rusisë.

Largimi i çdo mundësie të konfliktit të ardhshëm në rajon.

Rritja e fuqisë së saj diplomatike dhe strategjike në arenën ndërkombëtare.

Forcimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në standardet e NATO-s.

3.2. Hapat drejt Anëtarësimit në NATO

Thellimi i bashkëpunimit me Partneritetin për Paqe, duke ndjekur modelin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Sigurimi i njohjes nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

Forcimi i marrëdhënieve me Turqinë, e cila mund të luajë një rol kyç në shtyrjen e procesit.

Investimi në infrastrukturën ushtarake dhe bashkëpunimi më i madh me ushtritë e NATO-s.

4. Bashkimi Evropian: Integrimi i Plotë dhe Njohja nga të Gjitha Vendet Anëtare

4.1. Pse Kosova nuk ka statusin e vendit kandidat?

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për BE për shkak të pesë vendeve mosnjohëse:

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

4.2. Strategjitë për Njohje nga BE

Përdorimi i procesit të zgjerimit të BE-së si një mundësi për të detyruar njohjen nga pesë shtetet e mbetura.

Angazhimi aktiv me Greqinë dhe Spanjën, të cilat janë më të hapura ndaj ndryshimit të qëndrimit.

Mbështetja e fuqishme nga SHBA për të ndikuar në njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Anëtarësimi në BE është një prioritet për Kosovën, pasi siguron zhvillim ekonomik, investime dhe stabilitet politik afatgjatë.

5.Një Proces i Domosdoshëm për Shtetësinë e Plotë

Kosova nuk mund të mbetet në një status të paqartë në arenën ndërkombëtare. Për të siguruar sovranitet të plotë, duhet të përshpejtojë anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE. Pa sovranitet të jashtëm të plotë, pavarësia e Kosovës mbetet e cënueshme dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve gjeopolitike.

Prandaj, veprimi diplomatik duhet të jetë më i fuqishëm se kurrë për të realizuar objektivin madhor: një Kosovë plotësisht sovrane dhe e integruar në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Komente

Sfidat e reja globale, rendi i ri dhe modeli i liderit për shqiptarët!

March 4, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Kandidate për Doktaturë, JMU, SHBA/

Ngjarja e fundit në Zyrën Ovale, ku bota ishte dëshmitare e një përplasjeje të hapur mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski, shënoi një kthesë dramatike në politikën globale. Ky moment nuk ishte thjesht një episod politik, por një sinjal i qartë se po hyjmë në një epokë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku rendi i vjetër po zhbëhet dhe një rend i ri po lind, shpeshherë në kaos dhe përplasje interesash.

Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore: A janë shqiptarët të përgatitur për këtë rend të ri?

A kemi ne lidershipin e duhur për të orientuar kombin në këtë peizazh gjeopolitik gjithnjë e më kompleks?

Një botë e re po formësohet, një botë ku nuk mund të flasim më për një rend unipolar të udhëhequr nga Perëndimi në mënyrë të padiskutueshme.

Po shohim përplasjen e modeleve të ndryshme të fuqisë, Amerika dhe Perëndimi tradicional, fuqitë në rritje si Kina dhe India, si dhe një Rusi e rizgjuar që kërkon të rindërtojë ndikimin e saj.

Lufta në Ukrainë, përplasjet ekonomike mes SHBA-së dhe Kinës, rikthimi i rivaliteteve energjetike, si dhe fragmentimi i aleancave tradicionale janë të gjitha shenja të një bote të paqëndrueshme, ku më shumë se kurrë, shtetet e vogla kanë nevojë për lidership të mençur dhe strategjik për të mbijetuar.

Në këtë realitet të ri, legjitimiteti i lidershipit global është në krizë.

Shumë liderë po shfaqin simptoma të autoritarizmit, ndërsa demokracitë po përballen me polarizim ekstrem dhe pakënaqësi të thella qytetare.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë spektatorë pasivë në këtë lojë të madhe.

Ne duhet të kemi një Projekt Kombëtar që përfshin një lidership të ri të aftë të lundrojë në këto ujëra të trazuara.

Lidershipi i sotëm shqiptar është larg pritshmërive të një kombi që dëshiron të mbijetojë dhe të përparojë në shekullin XXI.

Ai vuan nga:

• Mungesa e një vizioni të qartë kombëtar

• Kapja nga interesat oligarkike dhe korrupsioni strukturor

• Mungesa e aftësisë për të negociuar fuqishëm në arenën ndërkombëtare

• Një qasje reaktive dhe jo proaktive ndaj zhvillimeve globale

Kjo situatë kërkon një model të ri të liderit shqiptar, i cili duhet të përmbushë disa kritere thelbësore:

Lidershipi shqiptar nuk mund të jetë më i përqendruar vetëm te zgjedhjet e radhës apo te administrimi rutinor i shtetit.

Duhet një vizion i qartë për dekadat që vijnë.

Ky lidership duhet të marrë mësim nga modelet historike të suksesit, siç janë:

• Lee Kuan Yew në Singapor, i cili e transformoi një shtet të vogël në një superfuqi ekonomike.

• David Ben-Gurion në Izrael, i cili ndërtoi një komb të fortë në një rajon armiqësor përmes strategjisë dhe lidershipit të fortë.

• Konrad Adenauer në Gjermani, i cili e riktheu Gjermaninë në majat e zhvillimit përmes një modeli lidershipi të urtë dhe vizionar.

Shqipërisë i duhet një lider i këtij kalibri, një njeri i pajisur me njohuri të thella, integritet moral dhe aftësi për të parë përtej kufizimeve të momentit.

Korrupsioni është kanceri i shtetit shqiptar. Për ta çliruar Shqipërinë nga ky mallkim, duhet një udhëheqës që nuk është i lidhur me oligarkinë, një lider që nuk ka asnjë lidhje me pazaret e errëta të politikës dhe ekonomisë.

Një lider i tillë nuk mund të dalë nga strukturat e vjetra të sistemit, por duhet të vijë si një forcë e re, me integritet të plotë dhe me mbështetje të sinqertë popullore.

Në një botë ku marrëdhëniet ndërkombëtare janë një shah i madh global, Shqipëria nuk mund të mbijetojë me një lidership që nuk di të negociojë.

Lideri shqiptar duhet të ketë:

• Aftësi diplomatike të nivelit të lartë

• Kapacitet për të ndërtuar aleanca strategjike

• Aftësi për të mbrojtur interesat kombëtare pa servilizëm ndaj të mëdhenjve

Duke pasur parasysh ndryshimet e thella globale, shqiptarët nuk mund të mbeten më thjesht konsumues të historisë, por duhet të bëhen arkitektë të saj.

Projekti Shqiptar për Epokën e Re duhet të përfshijë:

• Një koncept të qartë kombëtar për rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë

• Një strategji zhvillimi që fuqizon ekonominë dhe burimet tona njerëzore

• Një politikë të jashtme aktive dhe jo pasive

Kjo nuk mund të ndodhë pa një lidership të qartë, kombëtarist dhe të përgatitur.

Bota ka hyrë në një epokë të re.

Shqiptarët nuk mund të përballen me të me lidershipin e vjetër, të dobët dhe të korruptuar.

Kërkohet një udhëheqje e re, e pastër, vizionare dhe kombëtare.

Historia nuk pret.

Shqiptarët duhet të zgjedhin: Ose do të formësojnë fatin e tyre me një lidership të ri, ose do të mbeten të humbur në vorbullën e historisë.

Filed Under: Komente

DIE TRANSVALER (1985) / “FLLUSKA, RAKIA DHE VODKA, EMRAT E QENVE TË FAMILJES MBRETËRORE SHQIPTARE NË AFRIKË TË JUGUT…” — MBRETI LEKA I MENDON SE NJË DITË DO TË KTHEHEN NË SHQIPËRI

March 4, 2025 by s p


Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11
Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Mars 2025

“Die Transvaler” ka botuar, të mërkurën e 16 janarit 1985, në faqen n°11, intervistën ekskluzive asokohe me mbretin Leka I në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Jo të gjithë mbretërit mbajnë skeptrin e një froni paqësor. Për disa, si princi në ekzil i Shqipërisë, Mbreti Leka I, kjo nënkupton orë të tëra pune në zyrë dhe kërkim ndihme derë më derë për të siguruar mirëqenien e nënshtetasve të tij. Në një intervistë me DIE TRANSVALER, ai hodhi dritë mbi detyrat e vërteta të një mbreti, të cilat janë shumë larg idesë së përrallës me të cilën rritemi.

Mbretëria e Lekës I është vepra e një jete

Ai mendon se do të kthehen një ditë

Ans Oosthuizen

Pretoria — Një mbret nën një kurorë dhe një kështjellë, i cili pëlqen ëmbëlsira të mëdha dhe qull misri me mishin e pjekur në barbëky, është shumë larg idesë romantike të një njeriu që mban këtë pozicion.

Për mbretin shqiptar në ekzil, Leka I, i cili shijon ëmbëlsirat me miqtë e tij afrikano-jugore, mbretërimi i tij është mbi të gjitha vepër e jetës së tij. Ai ndërhyn dhe punon që një ditë të kthehet sërish në vendin e tij për të përmbushur detyrën që i takon.

“Nëse nuk do të besoja në të, nuk do ta kisha bërë të gjithë punën.” — tha mbreti, duke kaluar krahun mbi tavolinën e tij të zënë. “Unë jam edukuar dhe trajnuar për një detyrë në jetë dhe prandaj duhet ta kryej atë.”

Në të njëjtën mënyrë do të rritet edhe princi i kurorës, i cili do të mbushë tre vjeç në mars të këtij viti. “Ne po mundohemi ta rrisim atë si një shqiptar, i cili është krejtësisht i ndryshëm nga shumica e evropianëve.” — tha Mbreti Leka.

Mbreti Leka ishte dy ditësh kur babai i tij, Mbreti Zog, duhej të largohej me familjen e tij nga shteti ballkanik i Shqipërisë. Kanë qenë gjashtë muaj para Luftës së Dytë Botërore, menjëherë pasi Italia pushtoi Shqipërinë.

17 vjet përpara se ai dhe gruaja e tij me origjinë australiane, Susan, duhej të transferoheshin në Zimbabve në prill 1980, Mbreti Leka mbeti në Spanjë, në janar 1979 qeveria spanjolle, nën presionin e katër qeverive të tjera, tha se duhej të largoheshin nga Spanja. Zimbabwe ishte vendi i parë ku ata mundën të vendoseshin.

Pas 15 muajsh, çifti mbretëror vendosi të vinte në Afrikën e Jugut “Afrika e Jugut është një nga vendet e pakta në botë që kupton se çfarë do të thotë lufta kundër komunizmit.” — tha Mbreti Leka.

“Ne synojmë të largohemi nga Afrika e Jugut gjatë këtij viti. Do të doja të shkoja në shtëpi (Shqipëri), por në këtë fazë nuk jemi ende të sigurt se ku do të jetë vendbanimi ynë i ardhshëm.” — thotë ai.

Mbreti në ekzil i Shqipërisë pas tryezës (zyrës) së tij. Prej këtu ai udhëheq nënshtetasit e tij, të cilët janë të shpërndarë në mbarë botën. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11
Mbreti në ekzil i Shqipërisë pas tryezës (zyrës) së tij. Prej këtu ai udhëheq nënshtetasit e tij, të cilët janë të shpërndarë në mbarë botën. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11

Plani i tij është të qëndrojë më afër Evropës. Afrika e Jugut është mjaft e izoluar për një njeri që udhëton deri në gjashtë muaj në vit dhe duhet të bëjë vizita të shpeshta jashtë vendit.

Megjithatë, mikpritja e Afrikës së Jugut do të mbetet gjithmonë me të dhe ai është mirënjohës për këtë, tha Mbreti Leka.

Ideja për të udhëtuar nuk është më emocionuese për të. Në çdo rast, ai nuk sheh shumë nga qytetet e mëdha botërore si Nju Jorku dhe Parisi që viziton në misionet e tij politike. Zakonisht ecën nga dera në derë dhe troket, thotë Mbreti Leka.

Por si duket “shtëpia” në të cilën dëshiron të kthehet njeriu, shkolla e të cilit ishte bota dhe që flet rrjedhshëm tetë gjuhë ?

Shqipëria është një vend malor, mjaft i izoluar, ku popullsia jeton ende si në shekullin e 18-të. “Është mjedisi në të cilin ata ndihen si në shtëpinë e tyre dhe që i bën ata të lumtur.” — tha Mbreti Leka. “Nëse nuk e kupton situatën, është jashtëzakonisht e vështirë ta kuptosh atë.”

Flamuri shqiptar është kuqezi. Dy kokat e shqiponjës në të zezë përfaqësojnë kombësinë dhe gjakun në një sfond të kuq. Dy kokat, njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi, me sa duket tregojnë natyrën dualiste të shqiptarëve.

Shqiptarët jetojnë jo vetëm në shtetin e tyre ballkanik në detin Mesdhe, por edhe në Kosovë, në disa pjesë të Belgjikës, Gjermanisë Perëndimore, Zvicrës, Turqisë, Amerikës, Kanadasë, Australisë e gjetkë.

Rreth 3 milionë shqiptarë jetojnë në vetë Shqipërinë, 2 miljon në Kosovë, në Jugosllavi ku ka pasur kryengritje sporadike që nga viti 1981, rreth 250.000 në Amerikë dhe 50.000 shqiptarë në Australi.

Edhe pse u takua me gruan e tij në Australi gjatë një vizite shtetërore atje, ajo nuk është shqiptare, por gjysmë franceze-irlandeze, shpjegon Mbreti Leka. Ndërsa jetonte në Spanjë, ajo jetonte me disa miq ku u njohën më mirë me njëri-tjetrin.

Detyrat dhe udhëtimet e tij profesionale konsistojnë kryesisht në mbajtjen e kontakteve me komunitetet shqiptare në mbarë botën. “Ne jemi të shqetësuar për të ardhmen e vendit tonë dhe jemi në kontakt edhe me vetë Shqipërinë. Vitin e kaluar kam bërë një udhëtim në Amerikën e Jugut dhe Evropë me vizita shtetërore. Këtë vit do të vijojnë të tjera.” — thotë Mbreti Leka.

Problemi kryesor në Shqipëri mbetet politik. Këtë vit, ai synon të krijojë kontakte edhe në Lindjen e Mesme dhe të shohë nëse problemet mund të zgjidhen gjatë rrugës.

Mbreti Leka I me princin e kurorës. Qeni me ta quhet Fluska, që në shqip do të thotë flluskë. Dy qentë e tjerë të mbretit janë Rakia, i quajtur sipas pijes tradicionale shqiptare, dhe Vodka. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11
Mbreti Leka I me princin e kurorës. Qeni me ta quhet Fluska, që në shqip do të thotë flluskë. Dy qentë e tjerë të mbretit janë Rakia, i quajtur sipas pijes tradicionale shqiptare, dhe Vodka. — Burimi : Die Transvaler, e mërkurë, 16 janar 1985, faqe n°11

Mbreti Leka mund të mos shohë të rikthehet mbretëria në Shqipëri për së gjalli, por është djali i tij i quajtur Leka Anwar (i quajtur sipas të ndjerit Sadat) Zog Reza (i Iranit) Baudoin i cili një ditë mund të sundojë si mbret.

Në këtë fazë, mbreti në ekzil nuk dëshiron të flasë shumë për këtë.

Filed Under: Kulture

GURAKUQI POET E PATRIOT I FLAKET

March 4, 2025 by s p

Nëno moj,mbaj zi për vllanë

Me tre plumba na e vranë

Na e vran’ e na e shanë

Na I thane tradhtor.

Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia

Kështu e pat  filluar Noli elegjinë e Tij te famshme”Syrgjyn-Vdekur”, per mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpunëtorin e Tij Luigj Gurakuqi , të vrarë më 2 Mars 1925 në Bari të Italisë. Noli pati arsye të madhe ta vajtojë”Katilinarqe” në nivel personal, historik e poetik këtë martir të Lëvizjes Kombëtare. Të vajtojë për këtë patriot të flakët e vigan.këtë poet e arsimdashës te madh. Gurakuqi filloi herët të merret me vargënime, sigurisht i shtyer nga entuziazmi I Rilindasëve para Tij, e veçmas nga mësuesi I madh I Tij, Plaku I nderuar, Jeronim de Rada,”Duke ndëgjuar zanin e Tij të fikët, e tue pa sytë e tij të mekur”, Kur Ai e përmente Shqipërinë dhe Skëndërbeun, para nxënësit të Tij dhe poetit të ardhshëm, I dha shkas e motiv, të shkruajë edhe ai diç për këtë strall që  e përjetoi nga kjo flakë e madhe patriotike. Shkrimet e Gurakuqit,nuk janë vetëm dëshmi e një akumulimi patriotik, sa edhe mllef ndaj dukurive negative, që atij I dukeshin  në letërsi dhe sistemin politik e shtetëror të otomanëve të urrejtur nga poeti I ri. Një numër tjetër vargjesh të Gurakuqit, janë mall e konsideratë ndaj shokëve, veçmas ndaj Filip Shirokës, Hil Mosit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, Në vragje e tilla, kemi edhe asosh që bëjnë çortim, ndaj një pjese shkrimesh, të cilat, sipas Gurakuqit, nuk shohin dritë për të tilla poezi, jo të nivelit artistik. Ata poet, nëse Gurakuqi ka menduar vetëm për një pjesë te veçantë, janë bastardhuesit e gjuhës dhe vargnimit shqip.

O t’falitun,ku e xut këtë dituni

Fort jeni tuj gabue

/ T’falun atdhetarit të Kosovës/

Gurakuqit I çante zemra, se këta ishin shkollarët shqiptarë, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, që atë culture, nuk e sjellnin për të mirën e atdheut dhe gjuhës së tyre shqipe. Gurakuqi kërkonte nga të rinjtë, që të këndojnë si “Alkej e Safo për Vegjilin”, ose të atillë që,  këndojne si Bajroni “ qi t’Tepelenit iu pat këndue luanin”. Më duket  se. Gurakuqi për një kërkesë të tillë, kaq të prer e mohim kaq të thellë, nuk kishte lexuar e vlersua nivelin e poetikës shqipe, andaj duket paksa kërkesë e madhe. Ndoshta Gurakuqi, nuk kishte pjekuri artistike e as moshë, që të kërkojë edhe më pak, të gjykojë aq rrept  letërsine dhe krijuesit  e letërsisë shqipe dhe të lëshojë nën nivelin që ishte. Dihet se,, në mesin e krijuesve të asaj kohe, kishte të tillë, që kënduan mirë për  shqiptarët e Shqipërinë, për  ngjarjet dhe kohën e tyre, kishte Bajrona e Safo të merituar, Si Naimi Frashëri e Jeronim De Rada, këtë të fundit, Gurakuqi pati fatin, ta kishte mësues. Ate se nuk e çmoi sa lypej e meritueshëm poezinë shqipe, Gurakuqi e dëshmoi edhe në veprën e Tij, ”Vargnimi  I Gjuhës Shqipe”, botuar më 1906. Në të cilen  mendimet teorike, nuk I ilustroi nga brumi I letërsisë shqipe, por me ate nga letërsia e huaj, të cilën me gjasa e njihte më mirë. Pra, Gurakluqi  nuk I përmente disa penda të spikatura të kohës. Ndërsa adhuronte disa të tjera, të cilat në krahasim me të parat, ishin më të ulëta, në pikëpamje të nivelit letrar, artistik e ideor. Si duket natyrshëm ishte paksa karakter I vrullshëm në vlerësim ashtu siç ishte edhe në jetën praktik, I tillë mund të ketë qene edhe ne vlerësim  letrar e artistik. Andaj, edhe disa mendime teorike në veprën e përmendur nuk mund të qëndronim shumë në kohë. Për mendimtar  mund të merret, se Ai u përpoq të thot diç edhe për vargnimet origjinale të letrësisë shqipe të kohës. Në poezinë “Qëndra” e cila konsiderohet për kryevepër poetike  e Gurakuqit, nuk na del aq mendimtar, aq sa duhej të dali dhe çfarë ishte në jetën praktike. Kuptohet,poetët mendimar jane më të rrallë,  ne  marrim Naimin, që ze krye në këtë drejtim, Ndërsa tentimet e Gurakluqit, janë vetëm tentime pozitive për kohën.  Të cilat nuk janë vazhduar më tej. Këtu nuk kemi romatizëm djaloshar, por stoizëm stabil para vështërsive.

Veç nji qëllim I naltë,t’ban me durue

e zemrën ta forcon

ner kundershtime s’vyen kurr me u ligshtue

mjerë ai qi nuk duron.

Kjo më duket është poenta e kësaj poezia, të cilën poeti,  që ishte burr, që rrallë lind malësia,  edhe në jetë e praktikoi.

            Për sa vjersha kushtuar miqve e bashkeveprimtarëve, vendlindjes e atdheut.Vlen të përmenden, Elegjia kushtuar motës së vdekur,”Tuf lulesh,kujtim i të dashunve”, ku më dukët se, vërehet një sentimentalizëm dhëmbjeje e pikëllimi, sa lexusin e benë të derdh pak lot. Gurakuqi, ka ditur të vërejë ngjarjet e ta lexon kohën, për të cilat ishte I interesuar dhe ato t’I shënojë edhe në vargjet e Tija. Kështu, “Dita e 29 tetur 1900” dëshmon për ndjeshmërinë e Tij patriotike, kushtuar arbëreshve të Zarës, që nderuan Skënderbeun. Këto kanë të bëjnë me edukimin e formimin e Tij patriotik prej malësori e atdhetari të përkushtuar. Luigj Gurakuqi shkroi edhe një numër të vogël poezish për të vegjlitë, me të cilat dëshmon për aftësitë dhe nivelin e përgatitjes së tij prej pedagogu. Ato pak vargje që I botoi në”Kendimet”, janë pasqyrë dëshmuese të një njohësi të mirë e të afërt për të vegjëlitë. Për pedagog,ai do të tregohet edhe në Normalen e Elbasanit 1909,në të cilën ishte Drejtori i parë  i sajë, e njëheri edhe hartuesi I shumë teksteve për nxënësit e sajë Gurakuqi duke bërë kështu përpjekje në krijimtari e punë patriotike, dosido iu desht të largohet nga krjimtaria letrare. Këte e bëri,siç thot Akademik Rexhep Qosja,duke parë  se puna patriotike, ishte shumë më efikase dhe e domosdoshme që nuk kishte kohë për pritje, se sa krijimtaria letrare”, Ai e la herët krijimtarinë, edhe pse “me ato pakëz  shkrime e pakez përkthime” që bëri mbetët në vend të merituar në historinë ë letërsisë shqipe. Luigj Gurakuqi, më shumë ishte njeri I aksionit e veprimit praktik kombëtar e intelektua. Kështu më 1908, në emër të delegatit të Shkodrës dhe arbëreshve të Italisë, mori pjesë në Kongrsin e  Manastirit, për çështje të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Gurakuqi dha mendimin se, “edhe kombi shqiptar, duhet të marr rrugën e qytetërimit,si gjithë kombet e qytetërura”, E  kur Shqipëria ishte nën zgjedhën  e otomanëve, u hap shkolla e parë e mësuesisë shqiptare, e njohur  me emërin “Normalja e Elbasanit” më 1909.Kjo ishte ngjarje,sa e madhe,aq edhe rëndësisë së domosdoshme për arsimin e popullit tonë. Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhovani e intelektualët të tjerë, punuan me nxënësit e kësaj shkolle, në përgatitjen e kuadrove “ si me mujt mirë me sherbye” arsimit kombëtar në shkollat e ardhshme në gjithë hapësirën etnike shqiptare. Nxënësit e kësaj shkolle u bënë pishtarët e arsimit tonë anë e mbanë, ku flitej shqipja. Poashtu,,këta bijë udhëhoqen edhe luftën për të mirën e popullit dhe Shqipërisë. Merita e dorës së parë, I bije hise, Drejtorit të parë me shkokë, të kësaj shkolle, si edhe për qëndresën e tyre rezistueëse, që këtë shkollë ta rihapin përseri më 1911. pasi turqit e mbyllën si të rrezikshme. Po ashtu Gurakuqi në aktivitetin e Tij në lëmin e gjuhës shqipe, ka merita për iniciativën e Tij, që më 1916, të merr pjesë të punojë e kontribojë në  formimin tash më të njohuren  “Komisija Letrare” në Shkodër, që njihet si veprim I parë konkret për fillimin e njësimit të gjuhës letrare kombëtare.

            Për Gurakuqin më së shumti mund të themi,Gurakuqi veprimtar kombëtar e parlamentar në ballë të opozitës dhe përball kundërshtarëve të jashtëm politik e kombëtar, si dhe publikimet e Tija në gazetat dhe revistat e kohës, si: Albania, Fjamuri i Arbërit e të tjera. Poashtu, ështe I njohur bashkëpunimi i Gurakuqit me shumë poet e patriot, si me Shiroken, Nolin, Skiroin, Fishtën e të tjerë.Bashkëpunoi ngusht me Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Isa Boletinin e Plakun mjekerr  bardh  Ismail Qemailin e Ded Gjo Lulin.Kur shihen me kend punoi, me kend qëndroi, kuptohet edhe ku ishte e kush ishte Luigj Gurakuqi. Me këto përsonalitete madhore historike, patjetër Gurakuqi kaliti patriotizmën e Tij e do të mbetët personalitet I madh në historine shqiptare. Për fatin e Tij të mirë, kjo ishte kohë e vrullit dhe e lavdisë sonë historike. Patrioti stoik, i menqur, i matur dhe enciklopedik, mik i veprës e përparimit, u gjet i pranishëm e në ball të oraginizimit e veprimit në data të lavdishme të historisë sonë kombëtare, u lavdua,më 28 nëntor 1912, që ishte në krahun e djathët të Plakut Mjekër Bardh Ismail Qemailit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi mbi pesë shekullor Otoman, në Vlorën Heroike, ku pat thënë: Kjo zgjedhë duhet të jëtë e fundit” dhe për shqiptarët,”Kjo festë  asht e mrekullueshme dhe e madhërishme”.

Me 1921/24 Gurakuqin e shohim Deputet të Shkodrës në Parlamentin shqiptar në Qeverinë e Zogut, vrasësit të tij të ardhshëm, në pushtetin e të cilit Gurakuqi shihte ”pushtetin e hurit dhe të litarit”. Veprimet kundër Zogut në parlament gjithmonë I kishte në mbrojtje të  interesave të fashtarësisë, dhe cdo herë foli në të mirë dhe mbrojtjen e tyre, Foli shumë për emancipimin e femnrës shqiptare, ishte I ashpër dhe I hapur, sa pati guxim, që Zogut para syve t’ia thot fjalët të shkruara nga Noli drejtuar mbretit satrap,  “birit i Kainit,Tabdil si bari”, “sternip I Nasradinit”. Zogu edhe pse u mundua t’ia ndal gojën ketij “zemer hekuri”,kurrë nuk ia arriti qëllimit. Gurakuqi për Shqipërinë ishte patrioti xhevair I shtenjët, që siç thot historiani me kompetencë I historise së letërsisë shqiptare Rexhep Qosja, ” Nuk ka ditur, as nuk ka dashur t’i bëjë punët vangavinga”. Pas vrasjes së Avni Rrusteit, u bë nxitje e favorshme për kryengritje, të cilën e udhëhoqi fan Noli, dhe mu nga kjo kryengritje, nuk vonoi dhe u kororizua me formimin e njohur të Qeverisë Demokratike, Revulucioni e Qershorit më 1924.Edhe pse nuk pati jetë të gjatë, nga armiqët ziliqar sërbë dhe intrigave të me sllavët  e kundërshtarëve tjerë, Jehona e tij qëndroi për shumë kohë  e njihet në histori e dëgjohet edhe sot në Shqipëri dhe gjitha trojet etnike shqiptare. Gurakuqi ishte dorë e djathët e Qeverisë Demokratike shqiptare të Nolit, ku kreu detyrën e Ministrit të Arsimit. Qosja me të drejtë thotë:”Humbëm Qeverine Demokratike, që askush nuk e pati para nesh në Ballkan”. Ishte Qeveri e parë e këtij lloji në siujdhesën tonë. Pas këtij dështimi, Gurakuqi me shokë, shkuan në emigrim, për tu përkatitur e pritur nje ditë të përshtatshme të rikthimit. Por, Zogolli përgatiti mercenar të soji të vetë, që mos ta gjente edhe njeherë e liga mbretërore, i ndoqi, i vrau i shau dhe i zhduku këta patriot atdhetarë, me dorë tradhtare të mercenarëve, Vrau historinë shqiptare, mes Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Avni Rrustemit, ndër të parcët vrau Gurakuqin më, 2 Mars 1925, në Bari të Italisë,  Gurakuqi mbeti syrgjyn-vdekur, si edhe Bajram Curri e Hasan Prishtina më vonë  në Selanik e  Avni Rrustemin pse ia vrau dajën mikun më besnik të sërbëve, Esat Pash Toptanin. Luigj Gurakuqi nuk ishte e as nuk mbeti “syrgjyn”.Pasi që tash një shekull, brez pas brezi, shqiptarët e mësojne, e lexojnë e shohi në përmendore të materializuar kudo në hapësirat shqiptare. Vepra letrare, pedagogjike e sodomos personaliteti I Tij historik është i gjallë dhe shërben simbol guximi e përparimi  shqiptar, me të drejtë Noli e mbyll elegjinë:

Nëno moj-ç’është përpjekur

gojë-mjaltë e zemër hekur

syrgjyn-gjall e syrgjyn vdekur

ky vigan liberator.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 624
  • 625
  • 626
  • 627
  • 628
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT