• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veliaj dhe fjala “ndyrësirë” si alibi

February 28, 2025 by s p

Satirë Nga Rafael Floqi/

Karikatura AI

Në një proces ku perceptimi ka po aq rëndësi sa edhe faktet, Erion Veliaj ka zgjedhur të sillet si një i burgosur ordiner. Komentet e tij të fundit nga qelia, ku ai thotë se “Kolegu im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar”, mund të interpretohen nga prokuroria si kërcënim direkt i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky është vetëm një shembull i përfshirë në një fushatë akuzash dhe fyerjesh që Veliaj ka drejtuar ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Prej 10 shkurtit, kur Veliaj u arrestua, ai ka zgjedhur një strategji të ashpër komunikimi, e cila kalon përtej komunikimit institucional. Ai i portretizon vetes si një viktimë të një komploti politik, ndërkohë që vazhdon sulmet verbale ndaj drejtësisë, duke përdorur epitetet “zvarranik” dhe “kasapi i drejtësisë” e “sigurims” për prokurorin dhe gjykatësin.

Në mesazhet e tij, Veliaj ka quajtur prokurorin Olsi Dado si “muzikant të dështuar”, “hajvan” dhe “lunatik”, ndërsa gjykatësin Erjon Bani si “thertore të drejtësisë” dhe “shërbëtor të turpshëm”. Veliaj gjithashtu e ka akuzuar Dadon për korrupsion dhe përdorimin e pushtetit në mënyrë të paligjshme.

Një nga arsyet kryesore që çuan në lënien e tij në burg ishte kërcënimi i mundshëm ndaj hetuesve të BKH-së, përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët, dhe përdorimi i pushtetit për të penguar hetimin. Prokuroria ka regjistruar kërcënime të drejtpërdrejta ndaj hetuesve, që mund të krijojnë një mjedis të pasigurt për të tjerët që mund të jenë të ftuar për të dëshmuar.

Ah, po, kjo situatë është një vërtetë ngushëlluese, nuk ka dyshim. Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga një analizë kaq të thelluar dhe të menduar me kujdes për ngjarjen e fundit, kur politikanët tanë të mençur dhe të drejtëpërdrejtë, si gjithmonë, po bëjnë të pamundurën për të na shpëtuar nga shkatërrimi? 

E sigurtë, është e dukshme që për ne, qytetarët, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për pavarësinë e SPAK-ut, sepse ky institucion është një simbol i paanshmërisë dhe ndershmërisë. Sigurisht, Rama i ka dhënë një leksion të pashoq për prokurorët dhe gjyqtarët, duke i urdhëruar që të zgjohet dhe të punojnë kundër “armiqve” në SPAK, sepse kush tjetër mund të bëjë më mirë këtë punë sesa një njeri që është aq i përkushtuar ndaj drejtësisë. Dhe, sigurisht, deputetët socialistë e ndjejnë të nevojshme ta dëgjojnë të heshtur, pasi si gjithmonë, nuk duan të prishin atmosferën e shijshme të kontrollit të plotë të një kryeministri, ashtu siç ndodhte dikur në kohët më të mira të Enver Hoxhës. Një tjetër shembull brilant i respektit ndaj ndarjes së pushteteve. 

Po dhe institucioni i drejtësisë, ato të pavarurit që nderojnë çdo ditë nevojën për të reaguar? Reaguan, pa dyshim, duke mbështetur SPAK-un dhe duke kërkuar që të gjithë “aktorët” të respektojnë pavarësinë e prokurorëve – por, o çudi! – asnjëherë nuk përmendet emri i atij që në të vërtetë është nxitësi i gjithë kësaj, Edi Rama, i cili deklaron hapur: “Ka gjëra që nuk shkojnë, por ama, duke filluar nga kjo e korrupsionit, që është më e tmerrshmja. Është më e tmerrshmja që ne ta pranojmë pa luftë. Që të na kërkojnë ne hesap të tjerët. Ne duhet t’i kërkojmë hesap njëri-tjetrit. Askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot hesap për luftën ndaj korrupsionit. Çfarë po ndodh këtu, nuk jemi ne viktima.” Jo,more, 

Përveç, natyrisht, që ndihmën për të arritur këtë inkurajim të madh e ka dhënë edhe gjyqtari Bino, i cili gjithashtu dha një vendim të guximshëm dhe i qëndroi bindjes së tij, duke refuzuar të bjerë në kthetrat e politikës.

Dhe sa për reagimet nga opozita, po, kjo është me të vërtetë një përvojë befasuese! Ku Sali Berisha, që akuzon SPAK-un se ka dalë jashtë kontrollit, duket se nuk do ta pranojë kurrë që ky ka qenë një projekt i sponsorizuar nga ai vetë dhe ata që janë në pushtet. Por, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse, siç thotë Rama, gjithçka është nën kontroll. 

Vetëm se kur këto pushtete janë të përqendruara në duar të një njeriu, si një monark që mbështetet tek njerëzit e tij të besuar, asgjë nuk mund të shkojë keq, apo jo?  Në fund të ditës, nuk ka nevojë për shumë analizë, sepse të gjithë e dimë që kjo është një histori e përjetshme e “krimit që sjell krimin”, që mbështetet në ndihmën e atyre që duan të “rikthejnë një të shkuar të lavdishme”. Dhe nëse ndonjëherë mendoni se do të shpëtojmë përmes ndonjë revolucioni të SPAK-ut, po, sigurisht, mund të jeni të sigurt se ky është vetëm një iluzion. 

Në një sallë gjyqi që mund të ishte për të qeshur, por që nuk është aspak komike, Erion Veliaj ka shpërthyer në një reagim të fortë ndaj asaj që ai e quan “fyerje” nga prokurori Olsi Dado. Për të, fjalët si “ndyrësirë” kanë kaluar nga thjesht një ofendim i zakonshëm në një akt të dënuar politikisht, duke e ngritur lart atë në një luftë të ashpër për të mbrojtur “ndërgjegjen” e tij të shenjtë – ndoshta ka harruar se fjalët e tij vetë shpesh përdoren si shpërblim për kritikët e tij.

Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe •  ndyrësirë ,ndyrësíra është -emër i gjinisë femërore; numri shumës; -(të) 1. numri njëjës; të qenët i ndyrë; antonim; pastërti. 2. mbeturinë e papastër: grumbull ndyrësish. 3. kuptim i figurshëm; veprim a punë e ulët, e pandershme dhe e turpshme: ndyrësitë e të këqijve. / fjalë a shprehje e ndyrë: s’la ndyrësi pa i thënë.  Nga kjo del pyetja a rimon emri Erion me i ndyri apo i menderi. Ndoshta jo dhe aq po era është e njejtë.

Nga kjo del pyetja a ka bërë Lali Eri një punë të pandershme. E në një mesazh që tingëllon si një akt i rrezikshëm i vetëjustifikimit, Veliaj kërkoi që gjykata të publikojë audion e asaj seance, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të vendosin vetë nëse “ndyrësira” është një term i pranuar për një kryebashkiak. Dhe për ta mbështetur këtë pretendim, ai përdor një gjuhë që, për ironinë e tij të hidhur, mund të nxisë më shumë ironizime sesa mbështetje.

Në fakt, me fjalë të tilla si “gënjeshtar” dhe “je patologjik”, Veliaj nënkupton se ai është viktima e një komploti të rrezikshëm, një aktor që, sipas tij, po përpiqet të vrasë politikisht një njeri që ka bërë gjithçka për të mbajtur Tiranën nën kontrollin e tij. Po, çfarë mund të thonë qytetarët për këtë “ndyrësirë”? Për të mos përmendur dhe tendencën për ta bërë seancën një “kasaphanë” politike, ku ai, natyrisht, është vetëm një “heroi” një Pavëël Vllasov modern.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme dhe SPAK, në një përgjigje të mençur dhe të qetë, hedh poshtë çdo akuzë për përdorimin e fjalës “ndyrësirë” nga prokurori Dado, duke nxjerrë si dëshmi se regjistrimi audio dhe transkriptimi nuk e mbështesin këtë pretendim. 

Tani, duke parë gjithçka nga këndvështrimi i Veliajt, është e qartë se ai ka shumë për të thënë – dhe shumë më shumë për të fshehur. Gjuha e Veliajt është e papranueshme, por është strategjike. Kanosja ndaj prokurorit është vepër penale, që ndiqet me ankimin e prokurorit. Nëse Olsi Dado i drejtohet institucioneve, duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet nga çështja. Veliaj po ndjek këtë strategji për ta detyruar prokurorin që të largohet. Deri tani Olsi Dado i ka qëndruar presioneve. Gjuha është sigurisht e papranueshme.

Një aktor i politikës, gjithmonë gati të mbrojë veten, pavarësisht se sa i thellë është plani për të mbajtur vendin e tij të sigurt, dhe ndërkohë, të mbajë qytetarët në errësirë të plotë për atë që është në të vërtetë. Në fund, kjo ngjarje sjell një pyetje të thjeshtë për të gjithë ne: A është kjo një dramë, një komedi, apo thjesht një tjetër përpjekje për të shfrytëzuar ndyrësirat e politikës për t’u mbrojtur nga ato që duhet të jenë punët e ndyra të korrupsionit ?

Filed Under: Fejton

“GJERGJ KASTRIOTI” VJEN NË LEZHË

February 28, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Më në fund statuja e “GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT” do të hijeshojë qytetin e tij të zemrës❤️, Lezhën🇦🇱.

👉Kjo kryevepër monumentale e skulptorit, Ardian Pepa, që do ta vendosim këto ditë, do të zbulohet gjatë ceremonisë madhështore që do të organizojmë më “2 Mars 2025”, në orën 10:00, përballë Memorialit, në kuadrin e 581 vjetorit të “Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës.” Kësaj rradhe, “2 Marsi” do të kremtohet nga Bashkia Lezhë, shumë më madhështor se çdo herë tjetër.

👉Ju bëj ftesë publike qytetarëve të Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë, por në veçanti vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë-Bujanovc-Medvegjë, së bashku me ata në Diasporë (kushdo që ka kohë e mundësi), të na bashkohen në këtë ditë të madhe për Kombin Shqiptar.

Filed Under: Emigracion

PSE VRASJA E LUIGJ GURAKUQIT, GËZONTE ARMIQTË E SHQIPTARËVE

February 28, 2025 by s p

Nga Prof.dr. Skender ASANI/

Pikërisht para plot një shekull, më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u qëllua për vdekje Luigj Gurakuqi, një prej kontribuesve më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ai nuk ishte thjesht një patriot, por një arkitekt i Shqipërisë moderne, një figurë kyçe në lëvizjen kombëtare, një njeri që me mendjen dhe zemrën e tij i dha shtysë Pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar.

E gjithë biografia e tij jetësore është ngusht e lidhur me atdheun dhe kombin, duke mos kursyer asgjë në favor të ngritjes dhe prosperimit të shqiptarëve, si gjithë kombet tjera të civilizuara.

Nëse ndjekim diagramin e jetës dhe veprës së tij, do të hetojmë se Gurakuqi ishte present gjithkund ku vendosej për fatet e kombit të tij. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku me mençurinë e tij luajti një rol të rëndësishëm në unifikimin e alfabetit shqip, duke e bërë atë një nga shtyllat e identitetit kombëtar. Nuk u ndal me kaq – në Normale e Elbasanit, si drejtor i parë i saj, ai u përkushtua për edukimin e brezave të rinj shqiptarë, duke e parë arsimin si rrugën e vetme për emancipim kombëtar dhe orientim perendimor.

Vendi i Luigj Gurakuqit në historinë tonë kombëtare do të ketë një peshë të posaçme në momentin kur Shqipëria do të shpallte pavarësinë më 28 nëntor 1912. Ai ishte aty, jo vetëm si firmëtar, por edhe shkruesi i teksti të proklamatës së Pavarësisë.

Karriera e tij politike e shtetërore ishte ngusht e lidhur me fatet e Shqipërisë, në kohën kur ajo duhej të zhvillohej si shtet dhe të ruajë pacënueshmërinë territorial nga ambicjet grabitqare të fqinjëve. Si ministër dhe si politikan, Gurakuqi vijoi të punojë për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar dhe pikërisht kjo kauzë atij do t’i kushtonte me jetë.

Vrasja e Gurakuqit mori jehonë të gjerë në shtypin e kohës, kurse skenën e vrasjes në mënyrë autetnike e sjellë në kujtimet e veta patrioti Sejfi Vllamasi:

“Nuk qëndroi gjatë aty, nga ora 21.00 doli nga kafeneja, kur papritmas ndjeu krismat e një revolveri. Gjithçka ndodhi kaq shpejt e pakuptuar, sa ai as nuk pati kohë të thoshte asgjë. Ra përmbys si një lis i këputur në mes, i mbytur në një pellg gjaku. Një nga tre plumbat e kishte përshkuar në zemër e porsa e hipën në karrocë që ta çonin në spital ajo zemër e madhe pushoi së rrahuri.”

Mbi vrasjen e Luigj Gurakuqit janë hedhur hipoteza e spekulime nga më të ndryshmet. Por hulumtimet e fundit që i kemi bërë në Arkivin Shtetëror të Kroacisë hedhin dritë mbi një të vërtetë tronditëse: Balton Stambolla, vrasësi i Gurakuqit, nuk ishte një vrasës i zakonshëm. Ai ishte një vrasës serik me misione të qarta politike, të urdhëruara nga qarqe armiqësore ndaj Shqipërisë.

Pas atentatit në Bari, Stambolla kishte marrë udhëzime për të vrarë edhe një firmëtar tjetër të Pavarësisë në Kroaci, si dhe një prift atdhetar shqiptar. Por shërbimet kroate e zbuluan planin e tij, e arrestuan dhe i sekuestruan armën dhe valutën që i ishte dhënë për të kryer këto atentate. Kjo e vërtetë e re shton një tjetër pjesë në mozaikun e historisë së errët të vrasjeve politike të kohës. Porositësit e kësaj vrasje ishin kundërshtarët politik të Gurakuqit, të cilët pretendonin se në këtë mënyrë do të pësonte goditje lëvizja kombëtare shqiptare, që si synim përfundimtar kishte bashkimi kombëtare. Prandaj, jo rastësisht pas vrasjes së Luigj Gurakuqit, eliminohet edhe Bajram Curri, kurse plani për të eliminuar drejtuesit e lëvizjes kombëtare nuk ndalej këtu – qëllimi final ishte goditja e Hasan Prishtinës, i cili do të vritej në vitin 1933, me ç’ka po përmbushej një dëshirë e Beogradit dhe qarqeve të caktuara në Tiranë, për të shuar rezistencën shqiptare në trevat verilindore. Me fjalë të tjera, vrasjet fatkeqësisht realizoheshin nga vet shqiptarët, por dollia ngrihej në Beograd, sepse vetëm qarqet sheveniste serbe e dini peshën dhe rëndësinë që kishin në lëvizjen kombëtare figurat si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj.

Instituti ynë, si gjithmonë, edhe kësaj radhe, në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë së Veriut, po e nderon fugurën madhore të Luigj Gurakuqit përmes një pulle postale, e cila do të qarkullojë bashkë me portretin e tij, duke bartur kështu edhe simbolikisht mesazhin përbashkues për një atdhetar që lind në çdo 100 vjet.

Kërkesa e Institutit tonë, që u pranua me kënaqësi, shënon një moment të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë tonë, përfshi edhe jetën dhe veprën e Gurakuqit. . Si anëtar i Bordit të Filatelisë, së bashku me kolegët e mi, kemi dhënë kontributin tonë për të bërë të mundur këtë nderim të merituar falë edhe angazhimit të drejtorit të Postave, për përshpjetimin e këtij procesi.

Eliminimi i Luigj Gurakuqit nuk ishte thjeshtë një luftë për pushtet, por ishte më tepër një virus vdekjeprurës që asgjësonte çdo përpjekje për konsolidim dhe bashkim kombëtar. Mbase kjo ngjarje mund të na shërbejë si reflektim edhe në ditët e sotme për të mësuar nga pësimet e historisë dhe mbi të gjitha për të shëndërruar përçarjet dhe mosmarrëveshjet në bashkëpunim dhe mirëkuptim të brendshëm kombëtar.

Fjala e Hasan Prishtinës në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit, ndoshta mund të jetë mesazhi më kuptimplotë i këtij reflektimi:

“Lamtumirë o mik i madh, o ndera e kombit tonë. Fli i qetë Gurakuq se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin dhe përparimin e Shqipërisë do ta realizojmë. Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufinit të Shqipnisë së sotme dhe që sado tue vuejtë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj sa edhe ata që janë nën hijen e flamurit kombëtar”.

Jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit nuk mund të fshihen nga kujtesa kombëtare, ndërkohë që dokumentet e gjetura viteve të fundit, që hedhin dritë mbi rrethanat dhe motivet e vrasjes së tij, do të shpalosen shumë shpejt në Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Filed Under: Politike

Jeronim De Rada, poeti i kumbimeve profetike, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane

February 28, 2025 by s p

Albert Vataj/

Jeronim De Rada do të ndërmendet në detyresën e gjeneratave si një personalitet që tejkaloi çdo përkufizim. Ai diti dhe mundi të jepej me mish dhe me shpirt të epërmeve virtyte, të shenjtave obligime. Gjithçka përmbledhtaz përbën aktin e tij si kontributor i atdhetarizmë është thelbësisht misioni i një shenjtori. Edhe pse ai nuk ishte i shuguruar si i tillë, kujtesa e vlerave dhe veprës që la trashëgim i ngritën atij një altar, një predikuese të shqiptarizmës, një gjunjëzore përtëritjesh shpirtërore. Ai luajti një rol dritonjës në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte nistori i veprës letrare me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh. Tradita poetike e shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Jeronim De Rada ishte poeti i kumbimeve profetike brenda panteonit të letërsisë botërore, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane, dritëlëshuesi mbi terrin e kahershëm të kumteve shpirtërore të arbrit. Jeronim de Radës (Girolamo de Rada), poeti, publicisti, folkloristi, filologu dhe mësuesi, themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe u lind më 19 nëntor 1814 dhe vdiq më 28 shkurt 1903.

Jeronim De Rada“Mësues i Popullit” jetoi dhe kontribuoi kësisoj. Rrugëtimi i gjatë iveprimtarsë së tij të paepur pikënisi në vitin 1834, asokohe kur De Rada ndodhej në Napoli me studime. Më 1848, nxori të parën gazetë shqiptare, të titulluar “L’Albanese d’Italia”. Kjo gazetë u bë tribun i mendimit dhe pikëpamjeve të tij për ngjarjet e kohës. Dështimi i revolucionit më 1848, shënon një krisje të thellë në themelet e kësaj shtatoreje të idealeve të mëdha. Asokohe mbyll “L’Albanese d’Italia”. Me një barrë të rëndë zhgënjimi u tërhoq në fshatin e tij të lindjes, deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX. Një erë e re për De Radën nis më 1861, periudhë kur ai shfaqet i përtërirë dhe me energji të mëdha, një zë jehues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” më 1861, ai rivjen me një vepër po kaq të zëshme, “Lashtësia e kombit shqiptar”, 1864 dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” 1866, kumte të cilat luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të Shqipërisë dhe vlerave të saj të patëdyta. Ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Pikë kulmore për rolin e këtij veprimtari atdhetar është përkrahja që ai i dha më 1878-ën Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke ngritur zërin fuqishëm kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar gjithashtu mëtoi për interesat e epërme të çështjes kombëtare nëpërmjet revistës “Flamuri Arbrit”, botuar prej tij në jetësimin ndërvitas, 1883-1885. Në “Testamentin politik” të 1902-it shprehu optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës së Italisë ndaj atdheut të të parëve.

De Rada gjithashtu ka një kontribut të çmuar në fushën e studimeve gjuhësore. Gjurmët e tij janë të plazmuara fuqishëm në mendimin e kohës për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke kumtuar dhe mbrojtur energjikisht zanafillën e lashtë të tyre. Jeronim De Rada është nga të parët studiues vendas të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi më 1870 dhe 1894 vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura deri asokohe. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari 1895 në Koriliano Kalabro, i dyti 1897 në Lungro. Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë, gjersa vdiq u shua për të mbetur një “Mësues i Popullit, një Rilindas i madh i çështjes Kombëtare Shqiptare.

Tekst te Jeronim De Rades te korigjuar me doren e tijMjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Radës. Nisi të botojë që herët, por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos” (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij. Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV është edhe në qendër të poemës “Serafina Topia”, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori në poemën “Pasqyra e një jete njerëzore” (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më e rëndësishme e De Radës është “Skënderbeu i pafan”, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse. Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. “Skënderbeu i pafan” është kryevepra e De Radës dhe në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve e të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në “Këngët e Milosaos”, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.

At Zef ValentiniZef Valentini për Jeronim De Radën

“Te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit.

Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen “Quid est veritas? (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit

Megjithatë e vërteta është se ky njeri mistik duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen e Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për të gjithë italianët jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë mision, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por, në vëllimin e periudhës së parë të ‘Autobiologjisë’ së tij, autori do të shkruajë: ‘Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit ‘të bërjes dhe pasjes’ së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar’. Ndoshta teologët nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat”

Doreshkrim i Jeronim De RadesVepra dhe vlerat

Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha vetëm diçka kumbon njëlloj, patriotizmi i lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ja pse me plot të drejtë rrëfehet se ai diti të shfrytëzojë edhe gramatikën e ftohtë të gjuhës, si fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e Shqipërisë. Edhe atëherë kur për disa zakone a doke të caktuara kishte ide shumë të vagullta, De Rada nuk u interesua shumë të informohej; rregullohej e ambientohej lirisht në çdo fushë falë bindjes se vula e etnicitetit shqiptar ishte para së gjithash gjuha, religjioni antik i atdheut, kujtimet e Skënderbeut dhe ideali i rifitimit të pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur. Pjesa tjetër mund të qe edhe e përafërt, ajo s’prishte punë.

Në thelb, që në rini De Rada shfaq mbresat e ekzistencës së një bote të vet poetike, përtej asaj të fituar nga leximet. Këngët popullore i afruan një fushë të re ku të mund ta jetonte këtë botë, e një gjuhë të re, më të freskët e më arkaike, për ta bërë atë më interesante.

E ai u krodh në të pa shumë shkujdesje, duke zbukuruar shumë prej motiveve të shkollës romantike, përtej atyre tassiane apo të këngëve tradicionale. Rezultati qe një përshtypje e thellë dhe e lumtur e lexuesve tashmë të mësuar me fantazinë e tassianëve dhe romantikëve, e që të shtyrë prej parimeve të kësaj rryme, prisnin me festë gjithçka që mund të tingëllonte si një epikë autentike popullore. “Megjithatë, nuk besoj, nënvizon Valentini, se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit”. Nuk mund ta themi nëse De Rada ishte apo jo i ndërgjegjshëm për një gjë të tillë; e nëse qe, nuk mund të shtojmë nëse kjo ndërgjegjshmëri do ta kishte shmangur vallë nga mënyra e tij e të shkruarit (nisur nga bindja se, nëse do të donte, ai fare lehtë mund të shkruante edhe ndryshe). Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ish i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.

Shtepia e Jeronim De Rades – Fundi i tij i trishtë

Jeronim De Rada, njëri prej përfaqësuesve kryesorë të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, inspiruesi kryesor e autoritar i intelektualëve arbëreshë të kohës, kumtohet se u nda nga jeta trishtueshëm në një varfëri që “guxoi” ta persekutonte në vitet e tij të vështira të moshës së thyer. Mbamendet se atij i erdhi vdekja duke e gjetur të mbërthyer përbindshëm nga një skamje lemerisëse. Ai mbylli sytë si një virtuoz i mendimit dhe kontributit atdhetar, anipse nën hijen e mrrylët të asaj skamje që duket se ia afroi më shumë varrin shtratit ku tretej ai kurm i shterrun mishi, por zemërzjarr e pendëmprehtë.

Njerëzit që iu ndodhën më pranë ditën që iu “shua qiriu i jetës”, shtangën të habitur kur në xhepat e këtij intelektuali të spikatur, në vend të të hollave, u gjet vetëm një cironkë e tharë në tym. Një absurditet që mund të matet vetëm me vetveten, sepse me personalitete si De Rada mund të nderohet e krenohet çdo komb, në mos për patriotizmin e kulluar që ai shpalosi, së paku për majat e larta që arriti si poet, si gjuhëtar, si pedagog e jurist.

Filed Under: LETERSI

Përkujtohet Qamil Buxheli, shkrimtari i shquar me origjinë çame 

February 28, 2025 by s p

Sildi Koqini/

Më 27 shkurt 2025, në ambientet e “Tirana Internacional”, në një aktivitet, të organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, që përkon me 100 vjetorin e lindjes së  shkrimtarit të  shquar Qamil Buxheli. u zhvillua promovimi i librit monografik të shkrimtarit Arben Iliazi për jetën dhe veprën e këtij  personalitetit të letrave shqipe. 

Mes pjesëmarrësve të shumtë nga komuniteti cam dhe elitat entelektuale të Tiranës e Durrësit, studiues e profesorë të njohur, e pranishme në këtë takim ishte edhe e nderuara, bija e Qamil Buxhelit, profesore Mila Buxheli: “Ndihem e nderuar si pjesëmarrëse e takimit mbresëlënës, për promovimin e librit të publicistit dhe poetit të njohur Arben Iliazi, kushtuar krijimtarisë së tim eti, shkrimtarit Qamil Buxheli.

Me këtê rast përshëndes dhe falënderoj përzemërsisht për gjestin fisnik, organizatorin e takimit, z. Alket Veliu dhe Fondacionin Çamëria “Hoxha Tahsini”, sepse mundësuan organizimin e këtij takimi. Gjithashtu urimet më të mira janë për Arben Iliazi, autorin e librit “Qamil Buxheli, mjeshtër i madh i humorit dhe satirës”. Libri është shkruar me shumë dashuri e profesionalizëm. Edhe pse ështe një studim modest, autori shquhet për analiza të sakta të veçorive të krijimtarisë letrare të Buxhelit. Uroj dhe besoj që libri do të pritet mirë si nga lexuesit, ashtu dhe nga kritika. Falënderoj përzemërsisht pjesëmarrësit e shumtë në këtë takim të këndshëm. Ju uroj te gjithëve shëndet, mbarësi e suksese! U mbledhshim vetëm për gëzime”!

Profesor Ymer Çiraku, me shkrimet e tij periodike nëpër vite, ka ndriçuar këtë  figurë  të  madhe të  letërsisë. Qamil Buxheli është vlerësuar nga kritika letrare si një nga të mëdhenjtë e humorit në letërsinë shqipe, tha në këtë takim prof. Çiraku. “Në letërsi, ai iu përkushtua specifikisht zhanrit të humorit dhe satirës, që përbën një vështirësi më vete suplementare, pasi pushteti totalitar në filozofinë e vet, e refuzonte oponencën, ose e pranonte atë vetëm si lustër demagogjike dhe të orientuar. Shkrimtari, pati jo pak konseguenca, që u shfaqën me heqje veprash të tij nga qarkullimi, me kritika në forumet e larta partiake të kohës, me shkarkime nga funksione zyrtare, e deri dy herë largime nga vendbanimi në Tiranë. 

Kontributi i tij në revistën “Ylli”, është i njohur në përkrahjen e talenteve te reja, përmes botimeve nga krijimtaria e tyre, në përcjelljen e debatit letrar, në botimin e krijimeve cilësore, duke anashkaluar jo me pak kurajo edhe disa tabu ideologjike. Mund të thuhet se proza humoristike buxheliane mbart si ndikim, diçka nga fabulat groteske dhe shpotitë therrëse të natyrës sociale të humoristit të njohur turk Azis Nesinit. Ashtu si dhe nga fryma e aventurave aq të sinqerta e plot peripeci të Shvejkut të Hashekut. Këto pikëtakime të begata, vinin sepse krahas talentit të lindur, ky krijues i madh i humorit e satirës, zotëronte edhe një kulturë të gjerë letrare e më shumë se kaq. Mjaft nga veprat e humoristëve dhe satiristëve me famë botërore, ai i lexonte drejtpërdrejt në origjinal: në frengjisht, italisht e rusisht. Kultura e tij solide dhe e pasur letrare e jetësore, dëshmohej edhe në debatet publike e në bisedat e lira mes miqsh, ku ndërthurreshin hijshëm logjika e argumentit me një parfum humori, që s`i ndahej për asnjë çast. Mjaft prej batutave të tij anektodike, të mençura e të guximshme, vazhdojnë edhe sot që të qarkullojnë, shpesh edhe si anonimat. 

Një përshëndetje e veçantë erdhi nga z. Agron Calliku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Durrës, i cili lexoi dhe një poezi të tij kushtura Çamërisë, duke ngjallur mjaft emocione. Shkrimtari Qamil Buxheli ishte njeri me shije të përparuara estetike, me një vetëdije krijuese për t’u admiruar, me një talent dhe inteligjencë të rrallë, tha zoti Calliku. Ai krijoi tekste komike me vlera të larta, larg humorit vulgar e banal, mbështetur në humorin e shëndoshë të traditës popullore, duke e pasuruar atë me elemente të një traditë të re, me mesazhe të fuqishme dhe forma të reja shprehëse dhe estetike. 

I nderuari, redaktori i librit, Prof. Pandeli Koçi, poet e shkrimtar, një  mik i hershëm, dashamirës dhe mbështetës i madh i Qamil Buxhelit, mes të tjerash tha:”Po përkujtojmë  sot një  nga figurat më  madhore të letë rsisë  dhe artit shqiptar, të  kulturës shqiptare, krijues i kalibrit të  madh, me një  thelb të  pavdekshëm. Libri i Arben Iliazit është shkruar me shumë dashuri dhe profesionalizëm. Nuk është thjesht një ese, por një studim i mirëfilltë.

Vepra e Buxhelit ka përmasa të  pakrahasueshme me shumë  krijues të  tjerë  shqiptarë. Ai shkroi shumë  dhe ishte një  kryemjeshtër i vërtetë  i humorit dhe i satirës. Emri i tij do të  përmendet gjatë  gjithë  historisë  së  letërsisë, pasi vepra e tij nuk kishte vetëm nivel të  lartë  artistk, por edhe një  thelb kombëtar. E kemi adhuruar Buxhelin qysh në  fëmijëri, tha Dr. Virion Graçi, shkrimtar dhe studiues i njohur, i cili mbajti kumtesën : “Qamil Buxheli për faraonët dhe firaunët”. Duke lexuar librin e Arben Iliazit për Qamil Buxhelin, në 100 vjetorin e lindjes, m’u gjallëruan mbresat që kam nga leximet e këtij autori të madh të humorit, kudo ku i gjeja shkrimet e librat e tij, në librari, në biblioteka, në faqet e revistës javore “Hosteni”, në përmbledhje tregimesh të zgjedhura humoristike; gjeje në skica/skeçke, nëanekdota, nëfjalë të urta me bishtdhe në histori të palexuara, të qarkulluara gojarisht nga njëri te tjetri sipas modelit mbrojtës: Kështu ka thënë Qamil Buxheli. Me sa duket, kishim nevojë për guximin e tij dhe për gëzimin që të shkaktonte e shpotia e tij, ironia rrezëlluese. Qamil Buxheli është i pari dhe i fundit autor deri tani që ka vepër të plotë letrare në llojin e satirës, duke qenë njëherësh pionier dhe kulm: është autor i romanit të parësatirik, kultivoi tregimin humoristik dhe mbetet mëprodhimtari deri sot; kultivoi tregimin e shkurtër dhe anekdotën dhe mbetet i patejkaluar, sikurse është i shquar për reportazhet problemore, skicat letrare. Paradoksalisht, krijimtaria e tij satiriko-humoristike lulëzoi përgjatë seriozitetit solemn të regjimit diktatorial, në periudhën ku censura, autocensura, liria e fjalës, liria krijuese në çdo dimension, ishin kodifikuara nga shteti dhe entet e tij botuese, ishin të kontrolluara maksimalisht nga autoritetet zyrtare që me artin i lidhte kryesisht vija e ideologjike e partisë-shtet dhe punësimi komod në Tiranë, nëpër redaksi – si garantues të bionomit harmonik propagandë-krijimtari, ndërsa të qeshurën nuk e donin, i frikeshin po aq sa organeve të dhunës e të sigurisë. Me Q. Buxhelin ndodhi si me shkrimtarët e mëdhej: instinkti krijues, vullneti i pakompromis për të mirën, për të bukurën, për të drejtën dhe të vërtetat domethënëse jetësore e ndihuan t’i sfidojë kufizimet dhe dogmat e epokës së tij, të ngrihet me gjuhën e satirës kundër veseve, mangësive, vaniteteve individuale e atyre grupore. Besoj, lexuesit e shumtë, sa herë do ta kujtojnë Q. Buxhelin, do të buzëqëshin dhe do të bëhen më të matur, më të pjekur, më të fisnikëruar

Studiuesi dhe shkrimtari Ahmet Mehmeti, tha se Qamil Buxheli nuk e hoqi kurrë nga goja origjinën e tij. Kur i kujtoje vendlindjen – Pandalejmonin, qënia e tij merrte psikologjinë  e dhembshur të fëmijës para lodrave të moshës. Që në luftë nisi të shkruante vjersha, por edhe përralla, të cilat vetë autori i kujtonte me nostalgji. Qysh në vjershat dhe elegjitë e para u dukën shkëndijat e talentit që po vinte, një talent jo si të tjerët.

Në vitet e hershme të rinisë, kur ishte 18 vjeç, si pjesëmarrës i betejave të Mezhgoranit, ka shkruar poezi me figuracion të pasur, siç është ajo kushtuar Asim Zenelit (korrik 1943), e cila u bë këngë me titull “Një zë po del nga Gryk’e Mezhgoranit”, dhe “Kënga e Ali Demit” (1944). 

Dy këngët e tij, si dhe ato të përmbledhura në “Këngë partizane” (1943) padyshim janë ndër krijimet më të mira të epikës atdhetare që trashëgojmë nga ajo periudhë. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Qamil Buxheli ka shkruar edhe poezi për Çamërinë, ku motivi kombëtar, përkatësisht tema e luftës për çlirim kombëtar nga pushtuesit e ndryshëm, është dominues në segmentin e një pjese të etnisë, si pjesë integrale e asaj lufte. Mjaft të sjellim në vëmendje vjershën “O Çamëria trime”.

Në mbyllje, autori i librit Arben Iliazi, tha: Të shkruash për Qamil Buxhelin është një sipërmarrje e vështirë dhe me risk, pasi pesha specifike e tij është e madhe. Qamil Buxheli është një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit, ndonëse e shkruar në shekullin XX, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e letërsisë shqipe. Në  këtë  libër jam përpjekur të  argumentoj dhe të them se Buxheli krijoi me duart e tij një kozmos letrar. Buxheli e mbante në gji gjithë universin  njerëzor, historik, politik e social të Shqipërisë. Ai është një luks për ata që e kanë shijuar ndjeshmërinë e humorit të tij. Rrallë shkrimtarë kanë ndenjur kaq bukur mbi truallin e humorit si Qamil Buxheli. U drejtohemi me një thirrje institucioneve të vendit, që t’ia botojnë të plotë veprën e tij shumëdimensionale. Botimi i plotë i veprës letrare dhe publicistike është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor. Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha, nderon veten. I ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet”.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 6 persona
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti që thotë "151 PROMOVIM LIBRI SHTER 1 RIT DHE MADH 1 SATIRES ME ORIGJINE NGA AMEKA UNHI.ANI ARBEN QAMILBUXIELI IBERILIA BUXTELI ILIAZE"
Mund të jetë një imazh i 1 person, tribunë dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 2 persona, tribunë dhe teksti që thotë ""HABANTAHSINI" PROMOVIMLIBRI MJESHTERI I MADH I HUMORIT DHE SATIRES ME ORIOJNE INE NOA A ARBEN 3AИ"

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 631
  • 632
  • 633
  • 634
  • 635
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT