• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE U MBYLL SHKOLLA “NORMALE” E ELBASANIT “IKONA E ARSIMIT SHQIP”!?

February 27, 2025 by s p

Kadri Tarelli /

Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

Festa e mësuesit “7 Marsi” po afron dhe si mësues i vjetër që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, mendoj t’i bëj një urim e përshëndetje kolegëve të hershëm e të rinj, të cilët unë i quaj “Misionarë të dijes dhe edukimit”. E meritojnë….! 

Ç’ bëri tepër misionari,

kur përhapi Krisht e fe? 

Jeta juaj flakë pishtari,

Gjuhë shqipe e mëmëdhe. K. Tarerlli. Libri: “Koha në vargje”. “Gjuhë shqipe e mëmëdhe”. Motrave Qirjazi. 2020.

– Urime! “Ta gëzojmë festën e shkollës shqipe! Është dita jonë e shenjtë”. Dua të gëzoj edhe unë, por seç kam që më pengon dhe më shpon si gozhda në këpucë, duke pyetur veten dhe të tjerët: 

. Po simbolin e mësuesisë “Normalen”, ku e kemi, që u zhduk pa lënë gjurmë, sikur të mos ishte fare……!? – Është pyetja e parë që hap thesin e ngjeshur e të pa njohurave dhe të papriturave, që kërkojnë të shpërthejnë. 

. Pse u mbyllën shkollat pedagogjike….? Çfarë fituam dhe humbëm? A ka ndonjë studim dhe pendim…..?

. Kujt i preu udhën e të nxënit shqip, mësuesve të rinj që përgatiten e për t’i shërbyer arsimit dhe kombit…..!? 

. Cili ministër, kryeministër apo president, mendoi dhe firmosi: Të mbyllej Shkolla “Normale”, simboli i arsimit shqip, nga ku dolën me qindra e mijëra mësues, që pavarësisht vështirësive hapën shkolla edhe aty ku askujt nuk ia priste mendja…..!?

Thesi i pyetjeve është i madh, por po ndalem këtu, në një ngjarje të ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë.

 U ndodhëm në Elbasan, më: 02, vjeshta e tretë, 2023, të ftuar nga Prof. Dr. Selman Sheme, në sallën e Bibliotekës Publike, “Q. Baholli”, të qytetit të Elbasanit, ku u bë përurimi i librit, “Çështja Çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”.

Në rreshtin e parë të të pranishmëve, ndodhej edhe Prof. Rudolf Deliana (1), një burrë i moshuar, i cili kur mori fjalën, u prezantua si kryetari i shoqatës “Normalisti”. Nuk e njihja më parë. Pas tij më erdhi radha të flas edhe unë. Përshëndeta të pranishmit dhe ……., më vjen keq që veprova pa u menduar gjatë, duke thënë: – Meqenëse  këtu në sallë na nderon kryetari i shoqatës “Normalisti”, z. Rudolf Deliana, me dhimbje si mësues i hershëm, po bëj një pyetje: – Ku është sot shkolla “Normale”, me të cilën mburrej Elbasani, por mburreshim edhe ne mësuesit? Pse u mbyll dhe nuk a asnjë shenjë të saj? Të paktën, nuk e lanë as për muze…! Kjo shkollë ishte simbol i arsimit shqip. Anëtarë “Normalistë”, besoj janë shumë, por “Normalen” ku e kini…..!? – Vura re se sytë ju mbushën me lot dhe nuk mundi të më përgjigjet. Por edhe unë nuk munda të flas më. E preka aty ku atij i dhembi shpirti, ashtu siç i dhemb shpirti çdo normalisti dhe qytetari elbasanas. Artikulli: “Çamëria, krah i shqyer i kombit Shqiptar”. Botuar: Revista “Albanian Post”. 21. 10. 2023, Gazeta “Dielli”, SHBA. 23. 10. 2023, Gazeta “Bota sot”, 23. 10. 2023, Zemra shqiptare. 25. 10. 2023.

Unë nuk jam normalist, pasi kam mbaruar gjimnazin “16 Shtatori”, (Më pas u quajt gjimnazi “Nako Spiru”), në Durrës, e më pas Universitetin në Tiranë. Kështu nuk kam ato ndjesi si kolegët e mi që kanë studiuar në atë shkollë famëmadhe. Megjithatë jo vetëm dëshira, por më shumë logjika më shtyn në mendoj, se mbyllja kësaj shkolle dhe si motrat e saj në mbarë vendin, ishte një marrëzi e radhës në shtetin dhe pushtetin tonë të quajtur demokratik. Nuk e di si mund t’i japin të drejtën vetes, ata që firmosën mbylljen…….!? 

Gjykoni vetë këto pak radhë që kam lexuar në internet: “Pas 111 vjet të punës, “Normalja” u mbyll (1910), me vendim të Ministrisë së Arsimit e Shkencës. U shndërrua në gjimnaz, në të cilin do ta kryejnë praktikën pedagogjike studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. – Pika që s’u bie…..! – Sepse fëmija 6-vjeçar nuk ka nevojë për shkencëtar, dijetar apo profesor, por për “Mësues” që ta mësoj si të lexojë, të shkruaj, të dëgjojë e të përgjigjet, më tej si të sillet në shkollë me mësuesin, me shokët e shoqet, si të veprojë në shtëpi e në rrugë. Po çudirat tek ne nuk paskan të sosur…..! 

Ndaj nuk më rrihet pa pyetur veten dhe të tjerët:. 

. Çfarë pune i prishte Universitetit, kjo shkollë e Mesme “Normale”, kur aty mësonin nxënës nga mosha 14-18 vjeç, të cilët me të mbaruar arsimin e mesëm, mund të mbushnin sallat e Universitetit……!? 

. Po si e pranuan elbasanasit këtë “karamele” të ngjyrosur…..!? Ende nuk i jap dot shpjegim, por e di që, askush nuk më jep sqarim. 

. A u bë mirë apo keq…..? Nuk ka nevojë të pyesësh specialistët, as mësuesi e vjetër, mjafton të ngacmosh një drejtues shkolle; se cilët mësues të ciklit të ulët janë më të mirë dhe më të aftë, ata që kanë mbaruar të Mesmen  pedagogjike, pikërisht ata që u rritën duke u bërë mësues, apo ata që kanë mbaruar Universitetin, që pasi u rritën e bënë mësues. Jo specialistët, por edhe mendja më pak e kënduar, nuk e përtyp atë çka ndodhi: që Universitetet tanë u mbushën me studentë me arsim të mesëm të çfarëdoshëm, mundet edhe me shkollën e gazhinës apo hotelerisë, të cilët quhen mësues, pa u bërë kurrë mësues. 

Mbase gaboj, por çdo analizë, madje edhe më e cekëta, më shtyn të mendoj: Ç’ bëhet me ne shqiptarët, që prishim simbolet e kombit, siç ishte  shkolla “Normale” e Elbasanit, që u mbyll me një të rënë të lapsit. Nuk di si ta përtyp edhe unë këtë dukuri të çuditshme. 

Para një viti me rastin e 115-vjetorit të “Kongresit të shkronjave”, në Manastir, qeveria jonë e shpalli këtë ditë, 22 Nëntorin, “Festë kombëtare”. Nuk ka gjë më të bukur dhe më fisnike, për një ngjarje pa të cilën, “Mëvetësia” e Shqipërisë, zor se mund të realizohej. Kështu shenjtërimi i kësaj date meriton fjalët më të mira, por qeveritarët tanë harruan se ishin mësuesit ata që i përhapën dhe i vunë, i mbollën në duart, sytë dhe shpirtin e vocërrakëve, shkronjat e fjalës shqipe. Dhe, mësuesit u bënë mësues pikërisht në “Normalen e Elbasanit”, duke i hapur udhën edhe shkollave të tjera në mbarë vendin. A ka vend pyetja: ku shkuan shkollat pedagogjike ….!?  

Diku lexoj: “Në ditën e 1 dhjetorit, të vitit 1909, (Pak dit pas një vjetorit të “Kongresit të shkronjave” të Manastirit. 22 nëntor, 1908), në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme, u çel si lule, Shkolla “Normale”, e para  shkollë e mesme në  gjuhën shqipe,  e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe”. Ndaj sot pyes: – A nuk është ngazëlluese pjesëmarrja, ku  gjysma e nxënësve ishin nga Dardania e Çamëria……!?

Në fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte me: “Një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e dritës mbi gjithë Shqipërinë”. 

Historia është e njohur për të gjithë shqiptarët, në veçanti për normalistët, se “Normalja” e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme të historisë 101-vjeçare. Ajo disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit italian e gjerman. Megjithatë, mbajti të palëkundur vazhdimësinë e zhvillimit dhe përparimit, falë mbështetjes nga populli arsimdashës i Elbasanit dhe i mbarë Shqipërisë 

Periudhën më të qëndrueshme e pat prej vitit 1921 deri më 1939, e më tej, gjatë viteve 1945 deri 2010. Për tërë kohën e qëndresës së saj, i dha arsimit shqiptar 15 000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në frymën pedagogjike e patriotike, për të shërbyer në të gjitha shkollat e viseve shqiptare. Në periudhën e “Shqipnisë së Bashkueme” 1941-1944, një pjesë e tyre shkoi në Dardani e viset shqiptare në Maqedoni, duke ngjallur frymën e atdhetarizmit shqiptar dhe bashkimit kombëtar. Jo vetëm kaq, por “Normalistët” e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e ca  prej tyre, ranë dëshmorë. A nuk mjaftojnë këto zhvillime e qëndrime, që kjo shkollë të qëndronte e hapur, në nderim të mësuesve dhe të rënëve për liri….!? Çfarë duhet të bënte më shumë, që politikanët dhe shtetarët tanë të mendoheshin, që mos bënin atë që bënë?

A nuk duhet të çuditemi dhe të mërzitemi, kur shikojmë, dëgjojmë e vizitojmë “Shtëpitë muze” të personaliteteve që nderuan kombin tonë në fushën e artit dhe kulturës Shqiptare. Shumë mirë bëjmë, madje edhe më shumë duhet të kujdesemi për njerëzit e çmuar të kombit, pasi Ciceroni që nga lashtësia na kujton: “O popuj, ruani njerëzit e mëdhenj, se nëpërmjet tyre do t’u njohë bota”.  

Ndërkohë “Normalja” e Elbasanit, “Ikona e arsimit shqip”, me aq vlera mësimore dhe atdhetare, u fshi nga faqe e dheut, sikur nuk ka qenë fare. Unë i mirëkuptoj qytetarët e Elbasanit, që nuk mund të përplaseshin me qeverinë dhe vendimin e saj, madje as mund të përplasen edhe sot. Por në këtë gjykim, më duket edhe më e pakta mundësi, kërkesa që ndërtesa e shollës të bëhet “Muze”. Me një fjalë të themi: “Na ishte një herë!”, kur qytetarët janë bërë të flasin me vete….!

Ndoshta e teproj me pyetje, të cilat më së shumti mbeten pa përgjigje, ndaj i detyruar po vazhdoj: – Çfarë vlere kanë titujt dhe nderimet që i janë dhënë kësaj shkolle dhe profesorëve të saj, kur ajo nuk është më, as si objekt shkollor? – Gjykoni dhe thoni të vërtetën si ndjeheni kur lexoni këto pak radhë:

– “Normales së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit” (2014). Ose: Në shenjë kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit. Ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në bankënotën 100 lekësh, në njërën anë  foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër, foto-portreti i drejtorit të  parë, Luigj Gurakuqi. Po kur paska pasur kaq merita e vlera dhe ka nderuar kombin, pse e mbyllën shtetarët tanë të ndritur. Shkolla nuk ra dëshmor, megjithëse qëndroi si heroinë në trazirat e historisë. Çudia shqiptare vazhdon: – Shkollës ia mbyllën gojën e ia shuajnë emrin, pa ju dridhur dora, buza, syri dhe qerpiku. 

Të them të drejtën, dua t’i mallkoj ata që dikur i hartuan dhe i zbatuan reformat, por nuk ngjit mallkimi im, pasi nuk jam as prift e as hoxhë. Dua të shaj por nuk jam analist, që rrihen me njëri-tjetrin dhe nuk lenë pa sharë, babë, nënë, motër e vëlla, madje edhe me libër shtëpie. Dua të bërtas, por nuk më dëgjohet zëri, se nuk jam as politikan dhe as shtetar, që premtojnë shumë dhe s’bëjnë asgjë, ose bëjnë të kundërtën, duke u mbuluar e fshehur, me shprehjen tashmë dalëmode: “Në emër të reformave”. Reforma që nuk paskan fund, aq sa janë vendosur mbi njëra-tjetrën duke i zënë frymën vetvetes.

Në këto hulli mendimi, ka gjetur shteg edhe mbyllja e shkollave pedagogjike, që “çuditërisht” do bënim çudira, me hapjen e degëve nëpër Universitetet, që u shtuan si kërpudhat pas shiut. Cilat janë rezultatet…? – Nga sa dëgjojmë nëpër mediat tona, duhet të lemerisemi, se analfabetizmi është shtuar e shtruar këmbë kryq në mjedisi tonë. Ngushëllohemi me shpresë se këto lajme tronditëse nuk janë të vërteta. 

Do më pëlqente të isha i gabuar në trajtimin e një teme që prek një nga shtyllat kryesore të kombit dhe shtetit tonë, që është arsimi në tërësi dhe ai pedagogjik kombëtar, në veçanti. – “E ardhmja nuk fal. Justifikimet janë vetëm motivime banale të së tashmes, por jo të së ardhmes”. – Thotë Tomor Plangarica, kur trajton këtë temë të mprehtë me theks kombëtar. 

Shkolla dhe arsimi ynë është një pemë delikate, që u mboll e u rrit me mundim e gjak brezash. Pemë që nuk duron goditje të panevojshme, sepse lulëzon ngadalë dhe i jep frutat pas 20 vjetësh, kur shkollari del në jetë.

Urime dhe sukses kolegë të nderuar! Arsimi ynë ka nevojë për misionarë të gjuhës e shkollës shqipe.

Kadri Tarelli.

Fund shkurti 2025. 

Shënim: 

1. Më 02, shkurt, 2024, Rudolf Deliana. Kryetari i shoqatës “Normalisti”, është ndarë nga jeta, në moshën 92-vjeçare. Një prej mësuesve më të njohur e ndër më të nderuarit e gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit. 

Deliana ishte pasardhës i familjes së Kostandin Kristoforidhit.

2. Foto është marrë nga gazeta “Dielli”. 

Filed Under: Kronike

“Gold Card”

February 27, 2025 by s p

Av. Hasan Metuku/

Dje, më 25 shkurt 2025, Presidenti Trump njoftoi se do të kërkojë t’i japë fund Programit të vizave EB-5 të Investitorëve emigrues në SHBA, program i cili u siguron investitorëve të huaj qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Ky njoftim u bë në zyrën ovale në prani të Sekretarit të Tregtisë së SHBA-së, Howard Lutnick, i cili foli për dështimin dhe mashtrim në programin e vizave EB-5.

Programi i vizave EB-5 kërkon që një shtetas i huaj të investojë në bizneset amerikane që krijojnë 10 ose më shumë vende pune për investitor. Programi ka një shumë investimi prej 1,050,000 dollarë që mund të reduktohet në 800,000 dollarë nëse investimi bëhet në një zonë me papunësi të lartë, zonë rurale ose nëpërmjet një projekti të infrastrukturës qeveritare. Investitorët dhe familjaret e tyre (gruaja dhe femijet nen 21 vjec) mund të marrin nënshtetësinë amerikane pas pesë vjetësh qëndrimi të përhershëm.

Sipas deklarates se tij, Presidenti synon të zëvendësojë vizën EB-5 me një program “Gold Card” (Karta e Artë), për të cilën presidenti njoftoi se do të kërkonte një investim prej 5 milionë dollarësh dhe që do të jepte “kartën jeshile plus përfitime”, duke përfshirë një rrugë drejt shtetësisë që tashmë ofron programi EB-5.

Presidenti Trump nuk dha detaje të tjera, megjithëse vuri në dukje se një plan i detajuar do të publikohej në dy javët e ardhshme. Sipas Presidentit, qëllimi është tërheqja e njerëzve të pasur në Shtetet e Bashkuara të cilët do të krijonin biznese, vende të reja pune dhe do të ndihmonin në uljen e deficitit të vendit. Kuptohet, që burimi i fondeve dhe vetë aplikantët do ti nënshtrohen një vettingu gjatë procesit- kjo sipas deklaratës.

Në Kushtetutë, Kongresit i jepet autoriteti për të miratuar ligje të emigracionit që kontrollojnë pranimin, përjashtimin dhe natyralizimin. Ky pushtet bazohet në nenin 1 të Kushtetutës, Seksioni 8, Klauzola 18, e cila i jep Kongresit fuqinë për të nxjerrë ligje që janë të nevojshme dhe të duhura në zbatim të Kushtetutës.

Për më tepër, Gjykata e Lartë ka vendosur që Kongresi ka fuqi “të plotë” mbi emigracionin, që do të thotë se Kongresi ka pothuajse autoritet të suprem mbi miratimin e ligjeve të emigracionit.

Në vitin 2022, Kongresi riautorizoi programin e vizave EB-5 deri më 30 shtator 2027, me miratimin e Aktit të Reformës dhe Integritetit EB-5. Me sa duket, presidenti nuk ka autoritet për të goditur një akt të Kongresit, përfshirë këtu edhe programin ekzistues të vizave EB-5.

Kongresi gjithashtu ka kontroll ekskluziv mbi ndarjen e numrave të kartave jeshile të bazuara në punësim dhe çdo ndryshim në këtë duhet të bëhet duke amenduar statutin.

Presidenti mund të propozojë legjislacion të ri për emigracionin, por vetëm Kongresi mund të bëjë ligje të reja dhe të ndryshojë ligjet ekzistuese.

Presidenti ka gjithashtu autoritetin për të zbatuar ligjet e imigracionit përmes agjencive si, Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së, Agjensia e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së dhe Agjensia e Doganave dhe e Mbrojtes së Kufijve të SHBA-së.

Përpjekja e fundit e Presidentit për të goditur programin e vizave të investirove të huaj EB-5 do të përballej me padi apo veprime të menjëhershme gjyqësore nga palët e interesuara për të urdhëruar dhe rrëzuar çdo propozim të tillë.

Shumë urdhra të tjerë ekzekutivë të Presidentit janë dërguar në gjykatë dhe kjo nismë e fundit e tijë, nëse nuk kalon përmes Kongresit mund të përfundojë gjithashtu në gjykatë.

Për më tepër informacion do të ndjekim zhvillimet ligjore që do vijojnë.

Filed Under: Analiza

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐬𝐢 “𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞“ 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐲𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐭? 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐧𝐚𝐥𝐢𝐳𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐝𝐫𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐄𝐝𝐰𝐚𝐫𝐝 𝐒𝐚𝐢𝐝

February 27, 2025 by s p

Gëzim Mekuli/

Kosova, si një vend me një histori të gjatë të okupimit dhe ndërhyrjes së jashtme, përfaqëson një shembull të qartë të asaj që Edward Said e ka analizuar në veprat e tij “Orientalism”, “Culture and Imperialism” dhe “Covering Islam”. Në librin e tij “Culture and Imperialism” (1993), një nga librat më me ndikim, Edward Said shkruan: “Asnjë kulturë nuk është e izoluar dhe e pastër në vetvete. Imperializmi dhe kolonializmi nuk kanë sunduar thjeshtë popujt; ata kanë ndikuar edhe mënyrën se si ne mendojmë, shkruajmë dhe përfytyrojmë veten dhe të tjerët. Letërsia, arti dhe historia janë ndërtuar brenda këtij sistemi fuqie, dhe shpesh e kanë përjetësuar atë.”

𝐋𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬 𝐭𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫,

Kjo copëz është shumë e rëndësishme sepse shpjegon se si kultura dhe ideologjia janë të ndërlidhura me pushtetin dhe politikën. Said argumenton se imperializmi nuk ka qenë vetëm një pushtim fizik i territoreve, por edhe një mënyrë për të kontrolluar mendjet dhe imagjinatën e njerëzve nëpërmjet letërsisë, arsimimit, edukimit dhe mediave.

Në këtë libër, Said analizon se si romanet e shkrimtarëve si Jane Austen, Joseph Conrad dhe Rudyard Kipling nuk janë thjesht vepra letrare, por reflektojnë dhe mbështesin idetë koloniale të kohës së tyre, duke e bërë të qartë se edhe letërsia më “e pafajshme” është e ndikuar nga struktura globale e pushtetit.

Nëpërmjet mendimit kritik të Said, mund të kuptojmë se si Serbia ka ndërtuar narrativën për Kosovën, duke e paraqitur atë si një hapësirë të papërgatitur për shtet, jo e aftë dhe gjithmonë në nevojë për mbikëqyrje dhe ndërhyrje nga “të tjerët”.

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐧𝐞̈𝐧 𝐉𝐮𝐠𝐨𝐬𝐥𝐥𝐚𝐯𝐢𝐧𝐞̈/𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐧𝐞̈: 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐬 𝐢 𝐨𝐫𝐢𝐞𝐧𝐭𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭?

Sipas Said, Orientalizmi është një sistem mendimi që e vendosë Perëndimin si superior, e të gjithëfuqishëm, dhe Lindjen e shef si inferiore, ekzotike dhe të paaftë për të qeverisur vetveten.

Në këtë logjikë, mënyra se si Serbia i ka përshkruar shqiptarët gjatë shekujve ka qenë tipike për një narrativë kolonialiste. Shqiptarët janë parë si “të egër”, “primitivë” dhe “të paaftë për shtetndërtim”. Kjo justifikonte shtypjen e tyre ndaj Kosovës dhe trajtimin e shqiptarëve si një popull që duhej të kontrollohej nga një fuqi “më e civilizuar”; në këtë rast, Serbia.

Në “Culture and Imperialism”, Said tregon se si Perandoritë kanë përdorur gjuhën e paternalizmit për të justifikuar dominimin e tyre.

E njëjta logjikë është përdorur historikisht nga Jugosllavia/Serbia për të arsyetuar represionin ndaj shqiptarëve.

Ja disa shembuj të paternalizmit serb në diskursin politik, mediatik dhe kulturor:

𝟏. “𝐍𝐞 𝐞 𝐝𝐢𝐦𝐞̈ 𝐦𝐞̈ 𝐦𝐢𝐫𝐞̈ 𝐬𝐞 𝐜̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐢𝐫𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐣𝐮.” Një shprehje klasike e paternalizmit, e përdorur nga Serbia dhe kolonizatorët, por edhe nga institucione ndërkombëtare që imponojnë politika ndaj vendeve të tjera.

𝟐. “𝐀𝐭𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐣𝐚𝐧𝐞̈ 𝐞𝐧𝐝𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐚𝐭𝐬𝐡𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐞𝐦𝐨𝐤𝐫𝐚𝐜𝐢.” Një argument i përdorur për të justifikuar mbikëqyrjen e gjatë të një vendi ose ndërhyrjen në punët e brendshme të tij.

𝟑. “𝐊𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐞𝐯𝐨𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐡𝐲𝐫𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭’𝐢 𝐜𝐢𝐯𝐢𝐥𝐢𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐚𝐭𝐚.” Një narrativë e përdorur historikisht nga Serbia dhe nga fuqitë koloniale për të justifikuar pushtimin dhe imponimin e normave të tyre.

𝟒. “𝐀𝐭𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐞 𝐤𝐮𝐩𝐭𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐞𝐧𝐝𝐞 𝐬𝐞 𝐜̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐦𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐢𝐫𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐚.” Një qasje serbe e cila e trajton popullin shqiptar si fëmijë, të cilët nuk kanë aftësinë për të marrë vendime të duhura.

Kjo retorikë, e përforcuar nga akademia serbe, kinematografia serbe, letërsia dhe mediat serbe, përgatiti terrenin për dhunën sistematike dhe spastrimin etnik të viteve 1912, 1926, 1940, 1990 dhe 2002.

𝐍𝐝𝐞̈𝐫𝐡𝐲𝐫𝐣𝐚 𝐩𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐨𝐫𝐞: 𝐂̧𝐥𝐢𝐫𝐢𝐦 𝐩𝐨, 𝐩𝐨𝐫 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐨𝐥𝐨𝐧𝐢𝐚𝐥𝐢𝐳𝐞̈𝐦 𝐢 𝐫𝐢?

Ndërhyrja e NATO-s në 1999 dhe ardhja e administratës së UNMIK-ut u panë si një çlirim nga kolonializmi serb. Megjithatë, siç argumenton Said në “Culture and Imperialism”, imperializmi modern shpesh nuk vjen në formën e pushtimit të drejtpërdrejtë (fizik), por përmes institucioneve që marrin kontrollin e politikës dhe ekonomisë së një vendi.

Kosova, edhe pas shpalljes së pavarësisë në 2008, mbeti e varur nga një aparat burokratik ndërkombëtar dhe i strukturave të Beogradit, ku UNMIK-u dhe më pas EULEX-i morën rolin e administruesve të vërtetë të vendit.

Në “Covering Islam”, Said analizon sesi Perëndimi përdor median për të ndërtuar perceptime të caktuara rreth vendeve myslimane. E njëjta logjikë mund të shihet edhe në mënyrën se si Perëndimi e ka paraqitur Kosovën: një vend “problematik”, “pa institucione të fuqishme”, “i korruptuar”, “një rrezik për stabilitetin e rajonit”. Kjo përallë justifikon vazhdimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe mungesën e sovranitetit të plotë.

𝐄𝐥𝐢𝐭𝐚 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞: 𝐩𝐫𝐨𝐝𝐮𝐤𝐭 𝐢 𝐤𝐨𝐦𝐩𝐥𝐞𝐤𝐬𝐢𝐭 𝐩𝐮𝐬𝐡𝐭𝐮𝐞𝐬/𝐤𝐨𝐥𝐨𝐧𝐢𝐚𝐥

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që Said analizon është ndikimi i kolonializmit mbi arsimimin/edukimin, akademinë, letërsinë dhe mediat. Në «Culture and Imperialism», Said shpjegon se kolonializmi nuk dominon vetëm territorin, por edhe mendimin, duke prodhuar elita të cilat shërbejnë si riprodhues të narrativave të tyre koloniale.

Në Kosovë dhe Shqipëri, ky fenomen është i dukshëm në mënyrën se si shumë akademikë, gazetarë dhe opinionistë adoptojnë një qasje servile ndaj Perëndimit.

Përmes organizatave joqeveritare (OJQ-ve), mediave të financuara nga jashtë dhe sistemit arsimor të ndërtuar mbi vlera të huazuara e jo autoktone, krijohet një elitë intelektuale e cila jo vetëm që nuk e kritkon këtë dukuri, jo vetëm që nuk e sfidon këtë mbikëqyrje, por e justifikon dhe e legjitimon atë.

Shumë prej tyre e shohin çdo kritikë ndaj Perëndimit si një «𝐩𝐫𝐚𝐩𝐚𝐦𝐛𝐞𝐭𝐣𝐞 𝐧𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭𝐞» dhe nuk guxojnë të diskutojnë ndikimin kolonial që Perëndimi dhe Serbia vazhdon të ketë mbi Kosovën.

𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,

Në këtë kontekst, gazetaria shqipe nuk funksionon si një instrument kritik i politikave, por si një rrogëtare e narrativave të huaja. Media e Prishtinës dhe Tiranës promovon figura dhe politika që janë në linjë me interesat e aktorëve ndërkombëtarë (serb), ndërsa zërat kritikë ndaj ndërhyrjes së jashtme u mbyllet goja ose margjinalizohen. Kjo tregon se, ashtu siç argumenton Said, kolonializmi nuk ka nevojë të jetë i dukshëm për të qenë i fuqishëm; ai mund të mbijetojë edhe përmes strukturave kulturore, mediatike dhe intelektuale të një vendi.

𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐬𝐢 ‘𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞’ 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐲𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐭?

Një nga pyetjet më të rëndësishme që më del mua nga analiza e Said është: 𝐀 𝐞 𝐩𝐞𝐫𝐜𝐞𝐩𝐭𝐨𝐧 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧 𝐦𝐞̈ 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐞̈ 𝐬𝐢 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞 𝐬𝐞𝐬𝐚 𝐬𝐢 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦?

Pavarësisht se Kosova (Faktori shqiptar) është një vend me shumicë myslimane, shqiptarët historikisht kanë qenë të orientuar edhe nga kultura evropiane.

Megjithatë, Perëndimi e ka paraqitur Kosovën si një vend «të paqëndrueshëm», duke e trajtuar atë me të njëjtën gjuhë paternaliste që përdoret për Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Edhe pas 25 vitesh nga çlirimi, Kosova vazhdon të mbetet nën kontrollin e mekanizmave ndërkombëtarë, duke dëshmuar se ajo nuk shihet ende si pjesë e plotë e Perëndimit, por si një «hapësirë në zhvillim» që ka nevojë për udhëzim të vazhdueshëm.

𝐊𝐨𝐧𝐬𝐞𝐤𝐮𝐞𝐧𝐭 𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐢𝐤𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐟𝐮𝐧𝐝𝐢𝐭;

Duke përdorur librat e Said, mund të shohim se Kosova (pra kombi shqiptar) ka kaluar nga një kolonializëm i drejtpërdrejtë serb në një formë më «të butë» të kolonializmit ndërkombëtar. Perëndimi e ka vendosur Kosovën në një hapësirë të ndërmjetme: as plotësisht e lirë, as plotësisht e kolonizuar, por gjithmonë nën mbikëqyrje.

Pyetja që mbetet është: 𝑨 𝒅𝒐 𝒕𝒂 𝒍𝒆𝒋𝒐𝒋𝒆̈ 𝒏𝒅𝒐𝒏𝒋𝒆̈𝒉𝒆𝒓𝒆̈ 𝑷𝒆𝒓𝒆̈𝒏𝒅𝒊𝒎𝒊 𝑲𝒐𝒔𝒐𝒗𝒆̈𝒏 𝒕𝒆̈ 𝒋𝒆𝒕𝒆̈ 𝒗𝒆̈𝒓𝒕𝒆𝒕𝒆̈ 𝒆 𝑷𝒂𝒗𝒂𝒓𝒖𝒓, 𝒂𝒑𝒐 𝒅𝒐 𝒕𝒆̈ 𝒗𝒂𝒛𝒉𝒅𝒐𝒋𝒆̈ 𝒕𝒂 𝒔𝒉𝒐𝒉𝒆̈ 𝒂𝒕𝒆̈ 𝒔𝒊 𝒏𝒋𝒆̈ 𝑳𝒊𝒏𝒅𝒋𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒗𝒐𝒄𝒌𝒆̈𝒍 𝒃𝒓𝒆𝒏𝒅𝒂 𝑬𝒗𝒓𝒐𝒑𝒆̈𝒔?

Filed Under: ESSE

POROSI PA EKUIVOKE

February 27, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Tani që ka përfunduar procesi zgjedhor dhe thuajse edhe ai i numërimit të votave, Kosova duhet ta kthejë vendmendjen tek interesat e veta kombëtare dhe shtetërore. Është kohë e pakohë në gjeopolitikën globale. Neve jemi faktor i vogël për të ndikuar në gjeopolitikën botërore, por jemi jashtëzakonisht të ndikueshëm. Realisht, dinamika e zhvillimeve ndërkombëtare, deshtem apo jo ne, na pëlqeu apo jo, i kushtuam vëmendje apo jo, ka ndikim madhor tek ne, respektivisht në Kosovë.

Në secilën paraqitje time publike (sado të limituar) dhe në shkrimet e publikuara, ka kohë që kam potencuar, theksuar, e ritheksuar nevojën e menjëherëshme të Kosovës për t’u fokusuar në zhvillimin e një diplomacie proaktive. Ka kohë që kam tërhjekur vërejtjen se problemi më madhor që Kosova mund ta ketë nesër në tavolinë mund të burojë nga një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë. Kam theksuar se frika jonë e vetme, por reale, është se në një marrëveshje të tillë mes elefantësh politikë, ne mund të mbesim vecse një monedhë kusuritje. Dhe, kjo do ishte jo e lehtë për Kosovën. E papranueshme ndoshta për ne, por e pandryshueshme. Andaj, të vajtojmë këtë situatë pasi që ajo të ndodhë është e kot. Të veprojmë sot që të mos e lejojmë shtetin tonë të vije në atë situatë është jo vetëm nevojë e kohës, por patriotizëm i vërtetë. Kushdo që përnjëmend e do vendin më shumë se interesin e vet politik a partiak, sot duhet të vihet në shërbim të angazhimit të gjithmbarshëm e gjithëpërfshirës për shpëtimin e Kosovës nga eventualiteti i mbejtes monedhë kusuritjesh në marrëveshjet e mëdha gjeopolitike botërore.

Deklaratat e fundit të Presidentit Trump për Ukrainën dhe intensifikimi i angazhimit të Washingtonit zyrtar për një marrëveshje të shpejtë në mes Ukrainës e Rusisë, bile pa përshirjen e Ukrainës fare, janë indikacione që frika ime e kahmotshme tanimë po kthehet në një realitet që kërkon përgjegjësi në veprime e gatishmëri për angazhim.

Historikisht, Kosova ka fituar në krah me SHBA-të. Por, le ta kuptojmë njëherë e mirë se këto fitore janë arritë jo për shkak se ne patëm fat në një lojë fati e disi na ra jackpot-i, por sepse angazhimi dhe veprimi ynë kombëtar ishte mirë i drejtuar, në kohë, dhe pa asnjë mëdyshje e pa asnjë kalkulim politik vetanak. Beteja diplomatike e Kosovës për të fituar përkrahjen e SHBA-ve për të arritë tek lirija e pavarësia ishte fituar përmes Capitol Hill-it, respektivisht Kongresit të SHBA-ve. Aty ne sfiduam dhe kundërargumentuam suksesshëm të gjithë lobimin madhor propagandues serb kundër shqiptarëve e Kosovës, e besa edhe animin kah Beogradi të shumë zyrtarëve të administratave të njëpasnjëshme amerikane.

Tash ka ardhur koha që t’i përvjelim mangët edhe njëherë e t’i rikthehemi angazhimit tonë fuqishëm e pragmatik pikërisht në Capitol Hill.

Që nga koha kur për herë të para pata shkelë në Kongresin e SHBA-ve, më 2002, asokohe si pjesë e stafit të Komitetit për Marrëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit nën lidershipin e heroit të kauzës sonë, z. Tom Lantos, gjithënjë me ndihmën dhe propozimin e heroit tonë të gjallë, z. Joe DioGuardi, e deri të tani, kam mësuar shumëcka nga kuluaret e Washingtonit. Dhe, kur them se na duhet t’i përvjelim mangët edhe njëherë, e them pa ekuivoke e jo në stilin e vizitave protokollare e as tyre sa për një foto. Të tilla kemi pasë dhe do kemi në vazhdimësi. Por, puna reale bëhet nëpër zyrat dhe me stafin e Kongresistëve e Senatorëve kyc të politikës së jashtme në Kongres e Senat; bëhet nëpër takimet substanciale që kanë objektiv e strategji; bëhet duke ngritur kauzë e duke argumentuar për të në vazhdimësi!

Kauza jonë dihet—sforcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënjeve me SHBA-të dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë. Me fjalë tjera, nuk duhet të mbesim monedhë kusuritje e marrëveshjeve të elefantëve. Assesi!

Strategjia dihet sepse e kemi provuar dhe ka pasë sukses në të kaluarën. Ne jemi sot shtet dhe republikë e pavarur pasi që suksesshëm arritëm ta kemi në krah Amerikën dhe krejt perëndimin mandej. Metodat mund të mos jenë të njejta tanimë sepse kohërat kanë ndryshuar, por strategjia jo. Faktet i kemi, por argumentimi i tyre është art në vehte që duhet bërë në mënyrën e duhur para njerëzve kyc në Washington. Ne nuk jemi armiq as të Amerikës e as të Trump. Përkundrazi, jemi aleatët më lojal të tyre. Jemi shteti dhe populli më pro-amerikan. Por, krejt kjo duhet argumentuar në mënyrën që sot e kupton administrate e re, permes miqëve të shumtë që ende kemi në Capitol Hill.

Nga angazhimi im mbi dy-dekadësh në Washington për interesin shtetëror të Kosovës dhe kauzën tonë kombëtare në përgjithësi, e them nga përvoja, se momentumi i humbur është humbja e garantuar. Momentum politik është aset i papersëritshëm nëse shfrytëzohet mencur; dhe i njejti momentum mund të jetë edhe humbje e madhe nëse nuk shfrytëzohet fare apo mencur.

Kosova nuk e ka aspak komoditetin e diskutimeve pafund mbi cështje që janë mikroskopike në oqeanin politik të zhvillimeve ndërkombëtare. Duhet para fotografia e plotë – fokusi duhet të jetë në tërësinë e assesi në elementet mikroskopike që e përbëjnë atë. Ne edhe mund të cajmë kokën me njëri-tjetrin për këto elementet, por tërësia është ajo që përcakton vendin tonë në skenën globale.

Është momentumi i tejkalimit të vetës për secilin që mundet dhe beson se mundet të ndihmojë që Kosova të ruaj vetën dhe ne bashkërisht të ruajmë Kosovën përbrenda orbitës së gjeopolitikes dhe interesave gjeostrategjike amerikane. Nuk duhet ta gënjejmë vetën asnjëherë se dalja jonë eventuale nga kjo orbitë është pa zarar sepse kemi Evropën. Më falni, por, Evropa në përgjithësi (pra BE) nuk besoj se e ka as vullnetin, as kapacitetin, e as interesin primar të merret me ruajtjen e shtetit tonën nga dallgët e gjeopolitikës globale—ndoshta edhe jo qëllimisht, por thjeshtë sepse fokusin e ka në vetvetën dhe ruajtjen e tërësisë së vet!

Kushdo që mendon se veprimet e fundit – qoftë quani drastike, qoftë jokonvencionale, qoftë ndryshe – të Presidentit Trump karshi lojtarëve shumë më të rëndësishëm se në në sferën globale janë të përkohëshme apo joserioze, ose nuk vet nuk është serioz, ose thjeshtë nuk e kupton rëndësinë e fuqisë që i uluri në Zyrën Ovale e ka!

Nuk dua të them e as të tingëlloj bile se disi duhet pasur frikë e duhet qenë pesimistë. Përkundrazi, dua të them se duhet të jemi vigjilentë dhe proaktiv. Duhet të veprojmë tash. E përsërisë, Amerika nuk është as miku i Serbisë e aq më pak armiku ynë që do na abandonojë tanimë. Assesi! Edhe Presidenti Trump në momente kruciale ka treguar se Amerika është me ne—në mandatin e tij të parë, Kosova fitoi ushtrinë, dhe njohjen madhore nga Izraeli. Tani, në këtë mandat, është obligim yni që përmes Kongresit të SHBA-ve, nëse jo direkt me Zyrën Ovale, jo vetëm të mos mbetemi monedhe kusuritje mes elefantësh, por të jemi pjesë e përfitimit për shtetin dhe kombin tonë, bashkë me elefantin perëndimor!

Sic kam bërë tash e mbi dy dekada, pa asnjë kalkulim tjetër (e shpeshëherë edhe duke paguar kosto politike sikur brenda subjektit tim, ashtu edhe më gjerë), unë do e vazhdoj misionin tim për vendin e kombin. Por, e pranoj, se vet “nuk shkohet as në xhehnet” siç thot populli, andaj duhet angazhim, bashkërendim, e mirëkuptim i përbashkët. Ta shfrytëzojmë momentumin. Bashkërisht! Mbi të gjitha e mbi të gjithë ne—Republika e Kosovës!

Filed Under: Ekonomi

“ STUHI NË GOTË ” 

February 27, 2025 by s p

Kristaq BALLI 

FOTO TË RRALLA TË FOTOGRAFIT TË SHQUAR  GEORGE TAMES NGA “LIVELY MORGUE” 

Xhorxh Tejms (George  

Tames, 1919-1994) njihet në opinionin botëror si një prej  fotoreporterëve të famshëm  shqiptaro-amerikanë të shek.  XX, i cili, si rrallë kush, ka  fotografuar në Capitol Hill dhe  Shtëpinë e Bardhë 10  presidentë rresht (nga Rusvelti  deri tek Xhorxh H.W. Bush)1)2),  zv, presidentët respektivë,  senatorë e kongresmenë, administratat presidenciale, si dhe shumë foto të tjera me  përmbajtje historike, politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e  artistike për organin mediatik “The New York Times”. Fotografia  e tij “Puna më e vetmuar në Botë” (The Lonely Job in the  World)3), që i kushtohet presidentit Xhon Kenedi, është një nga  fotot më të njohura presidenciale dhe një emblemë kontraverse e  punës, vështirësive dhe përgjegjësive globale të të gjithë  presidentëve amerikanë. Njëheresh ai është shumë i njohur për  fotopeizazhet e tij madhështore të kompozuara në përmasave të  gjera e gjithëpërfshirëse urbanistike, arkitekturore, historike e kulturore të Uashingtonit, të mjediseve të jashtme e të  brendshme të Kapitol Dome, Shtëpisë së Bardhë, Senatit,  memorialeve të Abrahaham Linkolnit, Xhorxh Washingtonit,  obeliskëve të ngjarjeve e njerëzve të shquar amerikanë, fushatave  spektakolare elektorale dhe konventave presidenciale, etj.,  sidomos ato të fotografuara në kënde të gjera aerale nga avionët,  natën, që përbëjnë sprova të vyera panoramike.  

Krijimtaria e tij fotografike e botuar dhe e pabotuar prej  mijra e mijra fotosh dhe negativësh, e cila përbën një rekord  fotogazetarie, ndodhet sot e ruajtur në megaarkivin e kësaj  multimedie, arkiv që figurativisht quhet edhe “Morgu i Gjallë”  (Lively Morgue).

George Tames njihet nga opinion shqiptar nëpërmjet një  ekspozite mjaft interesante të tij në Muzeun Historik Kombëtar,  Tiranë në vitin 2016, të titulluar “Presidentë Amerikanë dhe  Marrëdhëniet Shqiptare”4), një sërë botimeve të disa studiuesve  që e njohin, si dhe më pak në organet kulturore e artistike. Prej  tyre, George Tames renditet ndër artistët fotografë shqiptarë apo  me origjinë shqiptare që e kanë ushtruar tërësisht, apo pjesërisht  veprimtarinë e tyre jashtë Shqipërisë, si Pero Kaçauni, Kristaq  Sotiri, Gjon Mili, George D. Boria, etj. 

… 

…Është viti 1953. Europa po fshin gjurmët shkatërrimtare të  Luftës së Dytë Botërore dhe ka filluar të shërojë plagët e luftës e 

të shëndoshë jetën ekonomike të saj. Shumë shtete të mëdhenj  sidomos bujqësore në fuksion të plotësimit më të madh me  drithëra dhe prodhime ushqimore e blegtorale. Ndërkohë  Amerika vijon ritmin e rritjes së prodhimit të drithrave, pa  kuptuar e vlerësuar se eksportet e saj në rajonet e dëmtuara nga  lufta, sidomos në Europë, po ulen gradualisht dhe kanë filluar  shenjat e para të rezervave e stoqeve nëpër depo e magazina.  

Bujqësia, pothuajse e përqëndruar në fermat private, nuk  mban ritmin e kërkesë dhe ofertës, sepse fermerët e mëdhenj e  mesatarë nuk janë në dijeni për ritmin dhe politikat shtetërore  të eksporteve të prodhimeve të tyre, prej nga varen ata. 

 Ndërkohë, në korridoret e Kapitol Hill dhe Senatit në  Uashington, kjo situatë u shfrytëzua për ta shndrruar atë në një  debat politik. Sipas një pjese politikanësh opozitarë. garancitë  federale për fermerët e grurit kanë kapur në kurth taksapaguesit  për tepricën, në shumën prej afro 1 miliard dollarësh. Fermerët  evropianë, të cilët ishin shkatërruar nga lufta, ishin kthyer në  ciklin e prodhimit të plotë. Askush nuk po blinte grurë amerikan,  çmimet po binin dhe toka vazhdonte të prodhonte.. Për këtë  arsye çmimet po binin, ndërsa toka vazhdonte të prodhonte,  teksa po paralajmërohej një inflancion dhe recension financiar… 

Kryetitujt e shtypit drejtonin një thirrje dhe një notë  shqetësimi të madh për këtë mospërputhje. Fantazma e një  teprice të re gruri varej mbi horizontin e fermerëve. Ata po 

prodhonin të korra në nivel rekord. Sipas tyre, ky fenomen ishte  paralajmëruar që një vit më parë. “Të gjithë mund të kenë  probleme të tilla, ne jo!”  

Mes debateve të ndezura të politikanëve dhe tablosë  mediatike në Uashington rreth asaj se çfarë duhej bërë në lidhje  me këtë situatë, fotografi George Tames, me intuitën, por edhe  me integritetin e tij profesional, mori misionin për të shkuar vetë  në Kansas, në kontenë Colby, gjatë periudhës së korrjeve, për  të fotografuar tablonë reale, si dhe për të kuptuar realisht çfarë  mendonin fermerët për të.  

Kansasi, një shtet në qendër të SHBA-ve, konsidrohej si  hambar i drithrave dhe eksportues i madh amerikan. Me këtë  rast, në kushtet e prodhimit të tepërt,ai u mor si etalon i  diskutimit në qarqet politike e ekonomike të Uashingtonit.

Në të vërtetë edhe pse situata ishte konsideruar në mënyrë  ironike si “Superprodhim dhe Vetmi”, Tames e ndjeu atë si një  panoramë të zakonshme pune, aspak dramatike, madje shumë  herë në dukje të një qetësie “olimpike” Këtë e tregojnë disa  dhjetra foto të tij të reealizuara në mes të fushave me grurë dhe në ambiente të tjera rurale në Colby.  

Një pjesë e fotove të tij u botuan menjëherë në “The New  York Times” më 26 korrik 1953. Të tjerat janë botuar më 1954 dhe 1959. Ato kanë marrë vëmendje të veçantë edhe sepse  “…treguan një histori shumë të ndryshme nga bomba në  Uashington. Shumë nga këto imazhe nuk janë takuar kurrë më  parë”.

Por, a kishte edhe diçka prej epërsisë amerikane për të  qeshur në këtë kombinim të “tepricës dhe vetmisë”? 

Sigurisht që pati disa, por, në kontekstin e shkrimit po  përmend vetëm një: Senatori nga New Mexico dhe ish-sekretar  i bujqësisë Clinton P. Anderson, i dërgoi gazetës “The New York  Times”, ku deklaronte me një lloj sarkazme se “…teprica e grurit  të vendit ishte një masë e supremacisë dietike amerikane; arsyeja  që ne nuk hamë aq shumë grurë sa evropianët ështe se ne po  konsumojmë më shumë mish, bulmet dhe vezë… Unë jam po aq  i sigurt se fakti që buka pritet sot në feta nga furrat e bukës është  kryesisht standardi ynë më i lartë i jetesës. Amvisave amerikane  u pëlqen kështu….” 

Fotografitë në Kansas të George Tames ju përcjellin  shikuesve disa mesazhe dhe perceptime të rëndësishme  shoqërore e profesionale:

Në rrafshin politik e ekonomik, ato tregojnë fuqinë politike  dhe kauzën ekonomike të Shteteve të Bashkuara që, edhe në raste  vështirësish, ato dinë të menaxhojnë politikisht dhe  ekonomikisht eksese, apo situata të tilla të papritura e të veçanta.  Pavarësisht se ç’mund të ndodhë, shteti i siguron bizneset dhe  fermerët nëpërmjet investimeve e subvencioneve, që prodhuesit  të mos rrezikojnë.  

Nga pikpamja profesionale, fotot e George Tames, përbëjnë  

një prej albumeve të tij me vlera të larta e të shumanshme sociale,  por kryesisht ato janë nga veprat e tij më përfaqësuese në  kontektin artistik.  

Edhe pse tematika, apo përmbajtja e tyre është ajo e  atmosferës së jetës dhe punës të një komuniteti fermerësh gjatë  stinës së korrjeve, konceptimi kompozicional priret nga  përfshirja e hapësirave e tablove të gjera, thuajse të pafundme të 

fushave me grurë, ku lëvrijnë autokombajna e makineri shirëse,  si dhe njerëz, më së shumti mjeshtra e punëtorë, fermerë,  mjedise dhe brendi të “shtëpizave” të tyre të improvizuara në  kampingje, ku ata banojnë përkohësisht bashkë me familjet e  fëmijët, apo edhe mbrëmje intime rinore, të cilët, gjithë së  bashku përbëjnë armatën e punonjësve të palodhur “shtegtues”  gjatë korrjeve që nga Teksasi, Oklahoma, Kansasi, Nebraska e  deri në Dakota. Gjithçka që taton pulsin e punës dhe të  atmosferës së jetës boheme në fushat e pamata të drithit.  

Sigurisht, fotot e përcjellin me detale e me gjithë vërtetësinë  e tyre tablonë e jetës në momente të vështira, vendimtare,  sakrifikuese edhe sepse ato kanë fuqinë e sfidës që George Tames  ka mundur të përzgjedhë e të përcjellë me dashurinë e tij prej një 

njeriu dhe shpirtin e artistit me ndjeshmëri të veçanta 

emocionale. Tiparet më shprehëse estetike që të sugjerojnë dhe  që i bëjnë ato vepra të paharrueshme janë humanizmi dhe  lirizmi. Humanizmi – nëpërmjet pasqyrimit të vërtetë e shumë të  larmishëm të fuqisë e dinjitetit shpirtëror të personazheve të pa  “inskenuar”, realë, të fotografuar në momente deçizive nga një  artist, që edhe pse akoma i ri, arriti ta ngjizë këtë tipar nga  mendja, syri e imagjinata në marrëdhënie me dhomën e errët të  aparatit të tij. Ai fotografoi horizonte të gjera në filma të vegjël,  por edhe në miniaturë tablotë dilnin po aq ekspresive e  madhështore. 

Ndërkohë, atmosfera dhe kumti i thellë lirik, çiltërsia dhe  lirizmi i gjendjeve emocionale të këtyre fotove, të pa takuara herë  tjetër, është produkt estetik i fantazisë krijuese të përthyer e  filtruar në lentet e një mjeshtri të vërtetë të artit vizual.

□ □ □ 

____________ 

1. Balli K.: FOTOGRAFI I DHJETË PRESIDENTËVE AMERIKANË – Gazeta Dielli.com (The Sun) 16 Korrik 2024 

2) Balli K.: LUFTA E E FTOHTË NË DISA FOTO TE FOTOGRAFIT  GEORGE TAMES ME ORIGJINË SHQIPTARO – AMERIKANE Gazeta  DIELLI.com (The Sun), 17 Gusht 2024 

3) Balli K. : NJË FOTO BOTËRORE PRESIDENCIALE Gazeta DIELLI.com  (The Sun), 1 Tetor 2024  

4) Balli K. “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare , “Koha Jonë”,  19 Nëntor 2016. f. 18- 

Për kuriozitet, të tjera foto nga ky cikël:

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 632
  • 633
  • 634
  • 635
  • 636
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT