• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albert Spahi (Beni), in memoriam…

February 18, 2025 by s p

Albanian Community TV/

Me hidherim te thelle dhe me zemer te renduar njoftojme se u largua pergjithmone nga ne pronari i Televizionit ACTV, Albert Spahi (Beni) ne moshen 62 vjeçare.

Pas nje semundjeje te rende, Beni u largua sot drejt parajses se perjetshme i rrethuar me dashuri nga familjaret e tij, nga miq dhe te aferm, te cilet te pikelluar humben sot ne menyre te parakoheshme njeriun e pazevendesueshem.

Beni ishte nje familjar i dashur dhe shembullor, nje shok i pazevendesueshem per ndihmen e pakursyer qe deshironte t’i jepte edhe njerezve te panjohur qe mund te takonte.

Ai ishte simbol i humanistit te thjeshte dhe punetor. Albert Spahi ketu ne Amerike ishte nje biznesmen i sukseshem, por edhe nje intelektual i formuar.

Ai ishte nje artist i vertete, instrumentist, interpretues, humorist i kendshem qe mbushte cdo hapesire shoqerore me optimizem dhe pozitivitet.

Ai vraponte cdo dite, punonte shume sikur te ishte ne gare me kohen.

Ai la pas nje boshllek te madh. Do t’i mungoje shume familjes dhe te afermve, shokeve dhe miqve.

Beni do ti mungoje pa mase stafit te Televizionit ACTV. Tek ky television do te mungoje pasioni i Tij pa fund per ta shnderruar kete televizion ne hapesiren e perbashket te informimit, promovimit dhe krenarise shqiptare ne Amerike.

Lamtumire Beni!

Pusho ne parajse mik dhe shok i dashur!

Filed Under: Sociale

TEMA E LIRISË DHE E PAVARËSISË SË KOSOVËS NË POEZINË E DIN MEHMETIT

February 18, 2025 by s p

Prof. Dr. Besim Muhadri*

Konceptimi poetik i qëndresës dhe i lirisë

Din Mehmeti është një ndër poetët e shquar bashkëkohorë të letërsisë shqipe, ndoshta “ndër më të angazhuarit me problemet shoqërore, historike sociale dhe ekzistenciale”. Duke qenë kështu ai pa dyshim se është njëri nga poetët e letërsisë shqipe, i cili tashmë ka krijuar një histori të mirëfilltë të shkrimit të poezisë së qëndresës. Të një qëndrese të mirëfilltë që i kundërvihet dhunës së ushtruar me shekuj nga pushtuesit, të cilët qëndruan gjatë në këto troje të sfilitura nga robëria. I lindur me dëshirën, siç shprehet ai në një poezi “për të vdekur duke udhëtuar në shpirtin e popullit të tij”, Din Mehmeti përmes vargjeve të tij plot rrezatime lirie dhe qëndrese, gjatë gjashtëdhjetë viteve të krijimtarisë së tij “ka skeduar një histori të veçantë, historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të një periudhe trazirash e konfliktesh asnjëherë të ndriçuara deri në fund. Prandaj, poezia e tij me të drejtë është cilësuar edhe si “një histori e Kosovës, e shkruar në vargje…”

Poezia e Din Mehmetit me tematikë nga e kaluara jonë historike, shndërrohet në një “biografi në vargje e njerëzve të vendlindjes” dhe në “një dramë të vogël të dramës së madhe sociale dhe historike” Kjo shihet edhe te poema As nuk vdes as nuk jeton, me nëntitullin Rënia e Ali Pashë Maxharit në Gjakovë, por edhe te shumë poezi dhe poema të tjera të kësaj natyre. Sigurisht se “rritja në një ambient specifik me këngë e krenari, ka bërë që shpirti kryengritës i poetit të brumoset me ndjenjën e ndjenjën e kërkimit të lirisë.

Poezia e Din Mehmetit, është cilësuar si poezi e qëndresës dhe e konsekuencës, por edhe poezi e “përjetimit të sinqertë dhe e frymëzimit të thellë, në planin e ndjenjës dhe të ekspresionit”. Këtë e shohim në shumë poezi të këtij poeti, por me dukshëm e hasim te vëllimet poetike të vutëve 80-90 të shekullit të kaluar.

Fjala e tij poetike, e shfaqur përmes metaforës së kullës, gjakut, diellit, krismës etj., u bë një mesazh i fuqishëm shprese dhe frymëzimi për, liri, çlirim dhe pavarësi të vendit të tij. Nga poezia në poezi, nga cikli në cikël dhe nga libri në libër, ai do të jetë përherë e më prezent në jetën e njeriut të këtij trualli, i cili i ndodhur në zgripcin e jetës dhe vdekjes, në mes dilemës dhe vendosmërisë, po përjetonte “këngën” më të keqe të jetës, që do të thotë shtypjen dhe represionin.

Poezia Kur hyri në këngën time fjala Republikë, është një krijim, që po ashtu paraqet një segment tjetër të përpjekjeve të këtij autori për të pasqyruar në mënyrë permanente ngjarjet që përshkuan Kosovën gjatë viteve. Duke qenë një poet i cili ndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe besnike ngjarjet dhe zhvillimet në Kosovë, Din Mehmeti përmes kësaj poezie paraqet një realitet të ri, atë të shpalljes së Kosovës Republikë, një ëndërr e kamotshme e të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë, por edhe e atyre që me vite të tëra u dergjën burgjeve dhe kazamateve serbe. Sublimiteti i shpalljes së Kosovës Republikë u bë më 2 korrik të vitit 1990, akti i cili u përmbyll me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008 si dhe me pranimin e Shtetit të Kosovës nga mbi 100 vende të botës

Fjala “Republikë” hyri në këngën e poetit, si një akt madhështor, me “gumëzhitjet e hapave të pishtarëve të lirisë/ me vdekjet e vjetra dhe të reja/ me zjarret e shpirtrave të djegur dhe me shtëpitë e verbuara nga gjuajtjet, me vajin e nënave për djemtë e tretur”. Do të thotë me të gjitha fatkeqësitë dhe tragjeditë, por edhe me madhështitë e saj..

Në fund të vitit 1997, përkatësisht në fillimpranverën e vitit 1998 Kosova u gjend në luftë të armatosur. Ndodhi rënia heroike e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe e familjes së tij, e cila sensibilizoi mbarë opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar. Lufta për liri që tashmë kishte filluar, po përkrahej nga masa e gjerë e popullit.

Edhe poeti, krahas angazhimeve të tjera, krahas luftëtarëve që luftonin për liri, bën përpjekje të sublimojë zërin e tij në shërbim të çështjes. Ai në atë kohë shkroi një varg poezish që lidhen me luftën dhe krismat e lirisë. Aktin heroik të Adem Jasharit, poeti e koncepton si një akt madhështor dhe të domosdoshëm për kohën:

Ata s’deshën të lënë

Jetën të digjet në pragjet e shtëpive

Me eshtrat e tyre

Tokën e bënë të pathyeshme

Konceptimi i luftës dhe portretizimi dëshmorëve në poezitë e Din Mehmetit bëhet pa ngarkim metaforash dhe figurash të tjera stilistike, sepse tashmë kishte ardhur koha që poetët “t’i armatosnin vargjet”. Poezia duhej të ishte më e drejtpërdrejtë, më transparente. Madje me këtë rast poeti shndërrohet në rolin e kushtrimdhënësit. Si kushtrim tingëllon edhe poezia “Manifest poetik”, për të cilën temë do të flasim në një kapitull tjetër të këtij punimi. Duke parë rrezikun nga zhbërja si popull, një e keqe e madhe që vinte nga regjimi i egër pushtues dhe barbar serb, Din Mehmeti në mes tjerash shkruan:

Poet ka ardhur koha

Kur duhet t’i armatosësh

Edhe vargjet

T’i vendosësh mitralozat

Në çdo rrokje

Në çdo fjalë

Poeti në këtë poezi kërkon nga poetët që t’i ikin vetmisë krijuese, të ikin nga ëndrra dhe sugjestioni krijues e të dalin në terren, aty ku takohen jeta me vdekjen, robëria me lirinë, lufta dhe dëshira për të bërë paqe, në mënyrë që në vargjet e tyre të ketë më tepër gjak jete, më tepër rrezatim drite dhe kënge, që do të ishte një shpresë më shumë për fitore, që do të ishte një lloj arme e fuqishme për të arritur atë për të cilën kishin kënduar ata me vite e dekada, sepse, siç shprehet poeti, “e bukur është ta mbrosh jetën nga shfarosja…”:

Më 1999, kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, poeti shkroi poezinë “Unë dhe liria”, të cilën do ta botojë te vëllimi poetik Mos vdis kur vdiset, dy vjet pas përfundimit të luftës. Në strofën e parë të kësaj poezie, ku dominon figura e personifikimit, poeti shprehet:

Liria erdhi

Si një dritë e përndezur shpirti

Nga zjarri i gjakut të Hyjnive

Vargu pohues Liria erdhi, që vjen si një klithmë apo si një lajm i shumëpritur, që natyrisht është një klithmë sa gëzimi, aq edhe dyshimi, plotësohet nga vargu tjetër, apo cilësori krahasues Si një dritë e përndezur shpirti. Siç mund të vërehet, poeti i gëzohet ardhjes së lirisë, kësaj “ëndrre drite”, “flakë gjaku” dhe “duhi shpirti”, por para tij njëkohësisht shfaqen edhe dilemat se ç’farë mund të bëjë ai për atë (lirinë) dhe ç’mund të bëjë ajo (liria) për të (poetin), pas gjithë asaj mungese, ashtu sikurse edhe shfaqja e dilemës tjetër se a mund ta përqafojë ai lirinë më tërë robërinë e stërzgjatur të jetës që kishte.

Akti i ardhjes së lirisë nënkupton edhe aktin e përfundimit të luftës. Por koha e zhvillimit të ngjarjeve në dramën e përgjakshme në mes këtyre akteve, është e stërmbushur tragjedi, dhembje dhe trauma, të cilat janë fiksuar thellë në shpirtin dhe qenien e poetit dhe të popullit të tij. Pasojat janë të rënda, të cilat do të ruhen gjatë në kujtesën e njeriut të kësaj treve.

Poezia Vargje të pëlcitura, publikimi i së cilës, qoftë në libër, qoftë edhe para se të futej në libër, u mirëprit dhe në atë kohë u konsiderua si një himn për heronjtë e lirisë të rënë në kohë dhe periudha të caktuara të historisë. Poezia është shkruar brenda një periudhe dramatike njëzetvjeçare, që nga demonstratat e vitit 1981 e deri në çlirimin e Kosovës. Në fund të saj janë shënuar vitet 1981-1999, me anë të cilave poeti në një farë mënyre, përveç periudhës së shkrimit të kësaj poezie, shënjohet edhe periudha të cilës edhe i takojnë dëshmorët e rënë, të cilëve u këndon poeti. Ai edhe mund të ketë kënduar, në këtë rast edhe për heronj të kohërave të tjera, por kjo datë e vënë në fund të librit, më tepër na flet për këtë periudhë dramatike të historisë më të re të Kosovës, e cila ndryshoi tërë rrjedhën e historisë:

Flini të qetë

ju s’keni pse ankoheni

gjërat më të shtrenjta

i dhatë për Kosovën

Duke qenë një ndër poezitë më emblematike të përpjekjeve dhe luftërave të vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, ajo u lexua në ditën e Shpalljes së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, në Akademinë solemne të mbajtur në mbrëmjen e asaj ditë të shumëpritur, para ambasadorëve të shteteve të Kuintit dhe para të gjithë udiencës shqiptare anekënd botës.

Kosova dhe Evropa në poezinë e Din Mehmetit

Kosova dhe çështja e saj janë një këngë e gjatë e poetit të shqetësuar. Dhe kur mendohej se Kosova po ecte në rrugën e përcaktimit të statusit final të saj, me një fjalë, të përmbylljes së kapitullit të gjatë të historisë së dhimbshme të padrejtësive të bëra mbi të, në skenën e shqetësimit poetik të Din Mehmetit, Pavarësinë, sërish shfaqet mosbesimi në faktorin ndërkombëtar të vendosjes për fatin e popujve, prandaj edhe të popullit shqiptar. Ky shqetësim mbase ishte shumë i arsyeshëm, shumë me vend, sepse poeti shprehte fikën e përsëritjes së historisë. Të asaj historie me plot dredhi, që ra pamëshirshëm mbi fytyrën dhe trupin e atdheut të poetit.

Një shqetësim të tillë poeti e shpërfaq edhe përmes poezisë Letër e Binak Bregut Evropës. Evropa në këtë poezi del si një sinonim i vendosjes për fatin e popujve, ndërsa ajo (poezia) është shkruar dhe botuar mu në kohën kur në Vjenë (2006) po mbaheshin bisedimet për statusin e Kosovës, ndërsa në opinionin ndërkombëtar dhe kombëtar të gjithë i binin fort telit të politikës së zgjidhjes apo moszgjidhjes së këtij problemi.

Evropa, edhe si një sinonim i një të keqeje të konceptuar edhe si derivat i një padrejtësie të pareshtur, në vizionin poetik të Din Mehmetit vjen e konceptuar si një e keqe tjetër, nga e cila mund të vijnë të gjitha të këqijat, por edhe të mirat. Prandaj, i ndodhur në mes dilemës së besimit dhe mosbesimit, por edhe të mësimit nga pësimi historik, Din Mehmeti, përmes kësaj forme poetike sikur dëshiron t’ia “bëjë me dije Evropës” se pas të gjitha atyre të këqijave, padrejtësive, rrebesheve dhe mallkimeve që për njëqind vjet kishin rënë dhe kishin nemitur trupin e atdheut më nuk mund të luhet me fatin e tij:

Pash qiell e tokë mos m’i hilo fjalët

I thuaj Evropës të bën të fala Binak Bregu

I bregut të gjakut të vet

Mos më shkel në bukë

Mos më shkel në kripë

Siç bëre dikur

Kur ishim të shtalbër…

Vargu i fundit është shprehje e një realiteti brutal të krijuar apo të përjetuar dhe një mesazh i qartë dhe i fuqishëm drejtuar Evropës nga ana e poetit, qoftë edhe ne këtë formë, pra me gojën e heroit lirik, alias Binak Bregut të Bjeshkëve të Nemuna. Letra e të cilit drejtuar Evropës në kohën e definimit të statusit dhe të dhënies fund vuajtjeve dhe padrejtësive të mëdha shekullore ndaj një populli të tërë, është edhe një zë i fuqishëm dhe i alternuar poetik i Din Mehmetit.

Mos e ndaj trupin tonë

Nga shpirti ynë

Mos e lavro tokën tonë

Me pllug të huaj pa e pyetur të zonë

Mos shkrep farë mbi eshtrat

E gjyshërve tanë se krisma mbijnë

Se nuk jemi ata që ishim dikur

*Kumtesë e lexuar në simpoziumin në Filadelfia, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Komunitet

BETEJA E NJË KOMBI PA SHTET NË MBROJTJE TË TOKAVE DHE IDENTITETIT TË TIJ

February 18, 2025 by s p

Ruajtja e tokave dhe identitetit kombëtar, ashtu si paraardhësit tanë mbrojtën Nokshiqin dhe Plavën me jetën e tyre, sot kemi për detyrë të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Asimilimi dhe ndarja janë kërcënime që mund të shmangen vetëm përmes një angazhimi të vazhdueshëm në edukim dhe vetëdije kombëtare.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Historia shqiptare është e mbushur me beteja të lavdishme që dëshmojnë për trimërinë dhe vendosmërinë e popullit tonë për të mbrojtur tokat dhe identitetin e tij. Një nga këto beteja, shpesh e anashkaluar në historiografinë e përgjithshme, është Beteja e Nokshiqit e vitit 1879. Kjo fitore e lavdishme kundër forcave malazeze dëshmon për aftësitë e shkëlqyera ushtarake dhe përpjekjet diplomatike të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre. Në këtë 145-vjetor, është e rëndësishme të kujtojmë këtë ngjarje historike dhe të nxjerrim mësime për të ardhmen e kombit tonë.

Pas Luftës Ruso-Turke (1877-1878), Kongresi i Berlinit vendosi ndryshime territoriale në Ballkan, duke shpërblyer Malin e Zi me toka shqiptare, përfshirë Hotin, Grudën, Plavën dhe Gucinë. Kjo ndarje ishte e papranueshme për shqiptarët, të cilët nuk pranuan të dorëzonin trojet e tyre. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizatë patriotike dhe ushtarake e krijuar në vitin 1878, u bë mburojë e interesave shqiptare dhe organizoi rezistencën ndaj këtyre vendimeve të padrejta.

Në dhjetor të vitit 1879, trupat malazeze u përpoqën të pushtonin Nokshiqin, një zonë kyçe pranë Plavës dhe Gucisë. Shqiptarët, të udhëhequr nga prijës të shquar si Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi dhe bajraktarët e krahinave përreth, ngritën një mbrojtje të organizuar dhe përdorën strategji të zgjuara luftarake. 1. Pozicionimi Taktil – Shqiptarët përdorën terrenin malor për të mbrojtur veten dhe për të zhvilluar luftë guerile kundër forcave më të mëdha malazeze. 2. Uniteti dhe Mobilizimi i Popullit – Fisnikët dhe populli u bashkuan për një qëllim të përbashkët, duke treguar se çështja kombëtare ishte mbi interesat lokale. 3. Kundërsulmet Vendimtare – Pas disa përleshjeve, shqiptarët kaluan në kundërsulm dhe zmbrapsën ushtrinë malazeze, duke e detyruar të tërhiqej me humbje të mëdha.

Fitorja e Nokshiqit ishte një sukses i jashtëzakonshëm për shqiptarët, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe diplomatik. Për herë të parë, një komb pa shtet organizoi një rezistencë të suksesshme kundër vendimeve të fuqive të mëdha dhe mbrojti me armë tokat e tij. Kjo betejë ndihmoi në forcimin e qëndrimeve të Lidhjes së Prizrenit dhe i tregoi botës se shqiptarët nuk do të pranonin ndarjen e trojeve të tyre pa luftë.

Rëndësia e Bashkimit Kombëtar siç dëshmoi Beteja e Nokshiqit, uniteti ishte arma më e fuqishme e shqiptarëve. Edhe sot, sfidat kombëtare kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe diasporë. Çështjet kombëtare duhet të jenë mbi interesat personale dhe politike.

Rëndësia e diplomacisë dhe zërit ndërkombëtar në 1879, shqiptarët jo vetëm që luftuan në terren, por përdorën edhe diplomacinë për të mbrojtur interesat e tyre. Edhe sot, është jetike që Shqipëria dhe Kosova të kenë një strategji të qartë diplomatike për të mbrojtur çështjet e tyre kombëtare në arenën ndërkombëtare.

Ruajtja e tokave dhe identitetit Kombëtar ashtu si paraardhësit tanë mbrojtën Nokshiqin dhe Plavën me jetën e tyre, sot kemi për detyrë të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Asimilimi dhe ndarja janë kërcënime që mund të shmangen vetëm përmes një angazhimi të vazhdueshëm në edukim dhe vetëdije kombëtare.

Beteja e Nokshiqit mbetet një nga shembujt më të ndritur të trimërisë dhe zgjuarsisë shqiptare. Në 145-vjetorin e saj, ajo na mëson se liria dhe dinjiteti kombëtar fitohen dhe mbrohen vetëm me përkushtim, unitet dhe vendosmëri. Ky është një mesazh i fuqishëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm: historia na mëson, por varet nga ne që të mos e përsërisim atë me humbje, por me fitore.

(Kumtesë me rastin e 145 vjetorit të “EPOPESË SË NOKSHIQIT”)

Shkup, 18 shkurt 2025

Filed Under: Opinion

VËREJTJE MBI SHKATËRRIMIN E MUZIKËS SHQIPTARE

February 18, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Në krijimtarinë time poetike me tendencë tekstet e këngëve, gjithmonë jam munduar të shpalos anën pozitive për këngëtarët dhe kompozitorët e nderuar. Të kujdesesh për ndjeshmërinë dhe respektin është shumë e rëndësishme, veçanërisht kur ke të bësh me një temë kaq delikate.

Është hera e parë që trajtoj një temë si vërejtje dhe është e natyrshme të jesh i kujdesshëm dhe i ndjeshëm, pasi flet për një fenomen shumë të rëndësishëm, i cili ka ndikuar në shumë krijues dhe muzikantë. Po përpiqem për të strukturuar mendimet dhe të formuloj një mesazh të qartë dhe të respektueshëm për ata që janë të përkushtuar ndaj artit, por gjithashtu të ngrisim shqetësimin për ata që dëmtojnë vlerat e muzikës shqiptare.

Në një kohë kur arti i vërtetë muzikor kërkon përkujdesje dhe përkushtim, ne jemi dëshmitarë të një fenomeni shqetësues që po dëmton rëndë vlerat e muzikës shqiptare. Përdorimi i termit “tregu muzikor” ka bërë që muzika, që dikur ishte një shprehje e shpirtit, të kthehet në një produkt që mund të blihet dhe shitet. Por, as zemra e askushit dhe as shpirti i artit nuk mund të shiten, dhe kjo është arsyeja pse muzika nuk mund të quhet “treg” – sepse muzika është më shumë se një transaksion; ajo është një mesazh i shpirtit.

Sot, ndërsa muzika e vërtetë po kërkon kujdes dhe vlerësim, duket se një pjesë e madhe e saj po bie viktimë e një prodhimi mediokër dhe komercial.

Kjo gjendje ka një burim të qartë: tingujt e zakonshëm dhe të rëndomtë, tekstet vulgare dhe meloditë pa shpirt.

Prodhimi mediokër i muzikës, mungesa e ideve artistike, banalizimi i gjuhës së teksteve me vargje pa kuptim dhe varfërimi i cilësisë muzikore pa emocion dhe pa respekt për artin, është një pasqyrë e qartë e degradimit kulturor që po përjetojmë.

Ndërsa muzika që ka pasur vlerë dhe shpirt, ajo që dikur nderohej dhe respektohej, jo vetëm po anashkalohet me një shpejtësi alarmante, por po lëngon në hije. Kjo është një shenjë e qartë e një kalimi në një fazë të degradimit kulturor që nuk mund të injorohet.

Në këtë mes, dikush mund të pyesë: Si kemi arritur deri këtu? Shumë nga këngëtarët e rinj që shpallen si ikona të muzikës, mburren me numra të mëdhenj ndjekësish në rrjetet sociale, por shumë herë dështojnë të imponojnë një performancë të denjë në skenë.

Mungesa e profesionalizmit dhe e njohurive të thella mbi artin e muzikës ka bërë që muzika jonë të shndërrohet në një “produkt” që ndjek vetëm interesat e shpejta dhe fitimin e menjëhershëm, duke injoruar mjeshtërinë dhe vlerat e thella artistike që dikur përbënin identitetin e muzikës shqiptare.

Për fat të keq, institucionet artistike që duhet të jenë në ballë të mbrojtjes së artit, qëndrojnë indiferente. Një katastrofë muzikore e etur për fitim të shpejtë ka prishur shijet e njerëzve, duke promovuar banalitetin si model referimi dhe duke refuzuar mjeshtërinë e vërtetë muzikore.

Në këtë situatë të rrezikshme për të ardhmen e muzikës shqiptare, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Muzikantët e vërtetë është e domosdoshme që të kundërshtojnë këtë barbarizëm të shijeve.

Ata duhet të ngrihen dhe të luftojnë për mbrojtjen e vlerave që kanë kontribuar në trashëgiminë tonë, duhet të bëhen zëri i së vërtetës. Ne si shoqëri duhet të themi “mjaft!” dhe të mbrojmë artin nga analfabetizmi muzikor që po e dëmton.

Ne kemi qenë dëshmitarë të krijimeve të jashtëzakonshme nga kompozitorë dhe artistë të nderuar, të cilët me mjeshtri dhe përkushtim kanë udhëhequr muzikën tonë përpara. Është koha që të riaktivizojmë vlerat e asaj muzike dhe t’i kthejmë seriozitetin dhe respektin që meriton. Le të mos mbetemi indiferentë përballë kësaj rrjedhe destruktive, por të ngrihemi dhe të mbrojmë muzikën nga mediokriteti që po e shkatërron.

Kjo është një thirrje për të gjithë ata që vërtet duan të shërbejnë për artin e vërtetë, të qëndrojnë të fortë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e identitetit tonë muzikor, duke respektuar dhe promovuar mjeshtërinë që e ka ndihmuar këtë art të lulëzojë për shumë vite.

Le të mos mbetemi apatikë përballë kësaj rryme destruktive. Është detyrë e jona të ruajmë dhe të kultivojmë muzikën me profesionalizëm, duke i dhënë vlerën e duhur mjeshtërve të vërtetë dhe duke luftuar mediokritetin që po e gërryen thelbin e artit tonë.

U përpoqa të ruaj një ton të kujdesshëm dhe të respektueshëm ndaj atyre që janë ende të përkushtuar ndaj artit, ndërkohë që theksoj nevojën për të luftuar kundër trendëve të shkatërrimit të cilësisë muzikore.

Michigan, Shkurt 2025

Filed Under: ESSE

Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

February 18, 2025 by s p

Organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në ambientet e amfiteatrit të Institutit të Historisë, sot nisi Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryeministri Kurti ishte folës kryesor në hapjen e kësaj konference të IKKL-së e cila ka për qëllim të trajtojë përmasat, pasojat, dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 në vendin tonë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti potencoi para të pranishmëve se kjo konferencë është një dëshmi e vendosmërisë sonë për të mos harruar ata që ranë në rrugën e çlirimit, ata që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur me dhunë, për të cilët kemi përgjegjësi morale, shoqërore dhe institucionale që krimet të mos mbeten të pandëshkuara dhe të mos përsëriten kurrë më. Më tej, ai shtoi se konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi.

“Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.

Institutin për krimet e Kryera Gjatë Luftës e kemi themeluar me misionin fisnik, dokumentimin e të vërtetës historike. Konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi”, tha ai.

Kryeministri theksoi se krimet nuk mund të mbeten në heshtje, e as të mbulohen me harresë, andaj ne vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë, derisa çdo krim të dokumentohet e ndëshkohet, e çdo viktimë të ketë drejtësi.

Kjo konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të zgjasë tri ditë dhe do të mbledhë për diskutim pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, përfshirë profesorë, akademikë, studiues, drejtues e përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Është nder që sot të jem pjesë e hapjes së kësaj konference ndërkombëtare, e cila ka për qëllim të trajtojë përmasat, pasojat, dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 në vendin tonë.

Kosova ka përjetuar një periudhë të errët, me dhunë, me krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat e ndryshme të armatosura të shtetit të njëjtë, Serbisë. Populli ynë i ka mbijetuar gjenocidit, spastrimit etnik dhe shkatërrimeve masive.

Me mijëra të vrarë, të zhdukur dhe të dëbuar, me viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, me dënime të pamatshme materiale e shpirtërore, pasojat e luftës ndjehen ende. Familjarët e viktimave e dinë dhembjen më mirë se kushdo. Çdo ditë jetojnë me kujtimet që dhembin, me mungesën që nuk mbushet.

Krimet nuk mund të mbeten në heshtje, e as të mbulohen me harresë. Andaj ne po vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë. Derisa çdo krim të dokumentohet e ndëshkohet. Derisa çdo viktimë të ketë drejtësi.

Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.

Institutin për krimet e Kryera Gjatë Luftës e kemi themeluar me misionin fisnik, dokumentimin e të vërtetës historike. Konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi.

Ne po e çojmë përpara këtë përpjekje duke ngritur kërkimin shkencor dhe duke ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm për dokumentim. Sepse përgjegjësi të përbashkët kemi që të gjithë: institucionet e Republikës së Kosovës, akademia e universiteti, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo konferencë është edhe një dëshmi e vendosmërisë sonë për të mos harruar. Për ata që ranë në rrugën e çlirimit, për ata që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur me dhunë, ne kemi përgjegjësi morale, shoqërore dhe institucionale që këto krime të mos mbeten të pandëshkuara, dhe të mos përsëriten kurrë më.

Në emër të Republikës së Kosovës, ju falënderoj për përkushtimin dhe për dashurinë që tregoni e dëshmoni për të vërtetën. Me mirënjohje për punën tuaj, ju uroj suksese në këtë konferencë.

Gëzuar Dita e Pavarësisë!

Lavdi të rënëve për liri! Rroftë Kosova Republikë, e pavarur dhe sovrane!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 649
  • 650
  • 651
  • 652
  • 653
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT