• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TREGIM BEFASUES PËR FËMIJË “ANA E VOGËL DHE DHELPRA LILI”

February 3, 2025 by s p

Hasan Gremi/

Edhe një herë shkrimtarja dhe studiuesja e njohur Klara Kodra na befason me vëllimin e saj të ri për fëmijë, “Ana e vogël dhe dhelpra Lili*, botuar nga sh. b. “Agora” dhe i paraqitur në panairin e fundit. Ku qëndron e papritura në këtë tregim të vogël? Qëndron te një nga personazhet kryesorë që nuk i përket botës njerëzore, po të kafshëve, dhelpra Lili që jeton në një kopsht zoologjik dhe çuditërisht nuk është, si në përgjithësi personazhet dhelpra të përrallave dhe tregimeve, një personazh negativ. Ajo na del personazh pozitiv dhe mjaft simpatik. Sigurisht, jo për një trill të thjeshtë të autores, po për të shprehur një mesazh.  Një  mesazh të ri që jepet në një formë të re, origjinale.  Një mesazh që është lidhur ngushtë me mjedisin natyror në rrezik dhe me kafshët e pyllit që gjithashtu ndodhen në rrezik zhdukjeje. Gjithashtu një mesazh dashurie për tërë frymorët që si ne kanë ndjenja dhe vuajnë. Në këtë tregim të vogël dhelpra rizbulohet me veçoritë e saj biologjike. Ajo shihet si e bukur. Në fakt dhelprat kanë një bukuri natyrore brenda llojit të vet: qimet e gjata e të buta me ngjyrën e gjetheve të kuqe  që shkunden                                                                                                                 nga drurët në vjeshtë, bishtin e gjatë që i ngjan një  freskoreje. Ajo shihet gjithashtu si e zgjuar: dinakëria tradicionale e dhelprave është një armë e fuqishme në luftën për jetën. Njëqind dredhimet e saj janë provë zgjuarsie. Ajo shihet edhe si nënë. Dihet se kafshët janë jashtëzakonisht të lidhura me këlyshët e tyre; janë të gatshme të bëjnë gjithçka për ta. A ju kujtohet “Dhelpra me të bijat e lodhura”  që kërkon më kot një kokërr rrush te  “ Këngët e Milosaos”?  A s’ të zgjon vallë një farë dhemshurie?                                                                                                Dhelpra e tregimit të Klara Kodrës është nënë. Dhe është e ndarë nga fëmijët prej dorës së njeriut. Pra, dhelpra zhvishet nga tiparet negative të dinakërisë dhe lakmisë që ka nëpër përralla dhe që lidhen me antropomorfizimin e kësaj kafshe. Në mjedisin e saj natyror këto nuk janë vese, po thjeshtë shfaqje të luftës së natyrshme për mbijetesë.                                                                                                                                 Pra, personazhi i dhelprës së rizbuluar meriton dashuri. Dhe protagonistja e vogël ia jep, pasi zhvishet nga paragjykimet tradicionale për “dhelprën dinake”, duke folur me babanë e vet  si njeri më me përvojë që tregohet i drejtë.                                                                                                                                                        Pra, mesazhi i këtij tregimi për fëmijë është i rëndësishëm. Ai ka gjetur formën e përshtatëshme, dy monologë një të vajzës së vogël dhe një të dhelprës së antropomorfizuar. Autorja ka menduar të depërtojë në ndjenjat e fëmijës dhe – deri diku- të vihet në vendin e personazhit kafshë.                                                                                                                            Tregimi përshkohet nga dramatizmi i cili qendron krah për krah me një lirizëm të butë. Ky tregim të sjell ndërmend një tjetër tregim të llojit animalistik të kësaj autoreje i shkruar për fëmijë “Vogëlushja e shtëpisë* që kishte fituar çmimin për shkrimtarët e huaj në konkursin “ Teramo“ në Itali..                                                                                                                                                  

C:\Users\Administrator\Desktop\DHELPRA.jpg

Në këtë vëllim është në qendër  macja simpatike Xheki. Veçse ajo portretizohet nga jashtë, jo nga brenda. Ajo nuk antropomorfizohet, as nuk bëhen përpjekje për të kuptuar ndjenjat e saj në një vështrim më objektiv, po vizatohet portreti i saj i jashtëm, sytë e saj, ngjyra e qimeve të saj,  lëvizjet e saj, cilësitë dhe të metat e saj dhe të gjitha këto ndriçohen nga dashuria që ka për të rrëfimtarja e cila është një alta-ego i autores. Edhe në këtë vëllim të ri, tok me simpatinë e protagonistes së vogël Ana për dhelprën, ndihet qëndrimi simpatizues i autores, ndonëse i fshehur. Mund të shpresohet se kjo simpati e dhemshuri të ndihet edhe nga lexuesit e vegjël. Tregimi shfaqet me një gjuhë të kuptueshme dhe komunikuese për fëmijët. 

Filed Under: Kulture

Kosova dhe Presidenti Trump

February 3, 2025 by s p

Faton Bislimi /

Kosova dhe Presidenti Trump/

Dje, Presidenti Trump vazhdoi të implementojë në praktikë ato që deri dje njiheshin si “kërcënime elektorale,” duke firmosur urdhërin ekzekutiv për tarifa 25% në produktet kanadeze, meksikane, dhe kineze, që importohen nga SHBA-të. 

Ky vendim shënon një moment kritik, sidomos në marrëdhënjet në mes SHBA-së dhe Kanadasë. Të dyja këto vende me një sistem ekonomik jashtezakonisht të ndërlidhur dhe ndërvarur bile me marrëveshje bilaterale për sigurinë që është unike në botë. Të dyja po ashtu vende anëtare të NATO-s. 

Shto këtu edhe diskutimin serioz nga Shtëpia e Bardhë për Grenlandën, që së fundi ka nxitur mbi gjysmën e popullatës së Danimarkës ta shohin SHBA-në si kërcënim ndaj vendit të tyre. 

Mos të harrojmë, përsësi se edhe Danimarka është anëtare e NATO-s. 

Çështja më shqetësuese tanimë në gjeopolitikën globale është siguria ndërkombëtare: a do të ndikojnë apo ndoshta edhe zhbëjnë aleancën më të fortë ushtarake në botë, NATO, këto kontradikta të thella ekonomiko-politike në mes të SHBA-ve dhe vendeve aleate në NATO?

Nejse, ajo që për neve është kryekëput shumë e rëndësishme, është vendi ynë si Kosovë në krejt këtë vorbullë dinamike të gjeopolitikës botërore. 

Vlerësoj se është obligim yni patriotik, kombëtar e politik, që të jemi proaktiv dhe të zëmë vendin tonë meritor karshi Administratës Trump. 

Të pretendojmë se ne mund të vazhdojmë të sillemi me komoditetin e përkrahjes së garantuar amerikane, është gabim i pafalshëm. Mos të harrojmë: dështimi për t’u përgatitur është përgatitje për dështim! 

Klasa politike e Kosovës (pozitë e opozitë) duhet të jetë e njëzëshme karshi marrëdhënjeve me SHBA dhe ta bëjë fokus primar të angazhimit, interesin kombëtar të Republikës së Kosovës. 

Janë të kota debatet pro e kundër të së kaluarës, po aq të kota sa edhe idetë e afërsisë ose ftohtësisë së dikujt karshi një zyrtari amerikan apo një përfaqësuesi të Presidentit Trump. Nëse Presidenti Trump ka kristalizuar diçka në javët e para në Shtëpinë e Bardhë është çasja e tij e pakompromis ndaj kujtdo e gjithëckaje që sipas tij dëmton apo nuk përkrah interesin kombëtar amerikan. 

Nëse Kosova dëshiron të mos bije nga radari i aleatëve të SHBA-ve nën Trump, ajo duhet ta sforcojë marrëdhënjen me Amerikën, duke konfirmuar se përkrahja amerikane për të është pikërisht në interesin strategjik e gjeopolitik kombëtar amerikan. Besimi ynë se ‘Amerika e din’ dhe ne s’kem nevojë me ‘iu kallxu atyre se na jemi me ta,’ është vetkënaqësi e padobishme, e besa e dëmshme! 

Përkundrazi, përvoja ime mbi dy dekadëshe në Capitol Hill në Washington, DC, për kauzën kombëtare shqiptare, më thot se angazhimi ynë tani duhet shumëfishuar. Tani është momenti kritik të zëmë vendin meritor në listën e prioriteteve të Presidentit Trump. Tani është nevoja për të konsoliduar përpjekjet tona kombëtare e shtetërore për Kosovën. Çfarëdo vonimi ne këtë drejtim, rritë shumë koston politike për ne. 

Si shqiptar me atdhedashuri të pafund per Kosovën, unë do e vazhdoj misionin tim bashkë me secilin dhe të gjithë që vlerësojnë se Kosova pa SHBA-të është shumë fragjile dhe e ka të pamundur rrugëtimin e sigurtë drejtë familjes së madhe euroatlantike. 

Ajo që mund të bëjmë sot me pak, mund të mos arrihet nesër as me shumë më shumë. Koha është aset që nuk kthehet asnjëherë; momentumet e humbura mbesim veçse objekte studimi për historinë! 

Dje, Presidenti Trump vazhdoi të implementojë në praktikë ato që deri dje njiheshin si “kërcënime elektorale,” duke firmosur urdhërin ekzekutiv për tarifa 25% në produktet kanadeze, meksikane, dhe kineze, që importohen nga SHBA-të. 

Ky vendim shënon një moment kritik, sidomos në marrëdhënjet në mes SHBA-së dhe Kanadasë. Të dyja këto vende me një sistem ekonomik jashtezakonisht të ndërlidhur dhe ndërvarur bile me marrëveshje bilaterale për sigurinë që është unike në botë. Të dyja po ashtu vende anëtare të NATO-s. 

Shto këtu edhe diskutimin serioz nga Shtëpia e Bardhë për Grenlandën, që së fundi ka nxitur mbi gjysmën e popullatës së Danimarkës ta shohin SHBA-në si kërcënim ndaj vendit të tyre. 

Mos të harrojmë, përsësi se edhe Danimarka është anëtare e NATO-s. 

Çështja më shqetësuese tanimë në gjeopolitikën globale është siguria ndërkombëtare: a do të ndikojnë apo ndoshta edhe zhbëjnë aleancën më të fortë ushtarake në botë, NATO, këto kontradikta të thella ekonomiko-politike në mes të SHBA-ve dhe vendeve aleate në NATO?

Nejse, ajo që për neve është kryekëput shumë e rëndësishme, është vendi ynë si Kosovë në krejt këtë vorbullë dinamike të gjeopolitikës botërore. 

Vlerësoj se është obligim yni patriotik, kombëtar e politik, që të jemi proaktiv dhe të zëmë vendin tonë meritor karshi Administratës Trump. 

Të pretendojmë se ne mund të vazhdojmë të sillemi me komoditetin e përkrahjes së garantuar amerikane, është gabim i pafalshëm. Mos të harrojmë: dështimi për t’u përgatitur është përgatitje për dështim! 

Klasa politike e Kosovës (pozitë e opozitë) duhet të jetë e njëzëshme karshi marrëdhënjeve me SHBA dhe ta bëjë fokus primar të angazhimit, interesin kombëtar të Republikës së Kosovës. 

Janë të kota debatet pro e kundër të së kaluarës, po aq të kota sa edhe idetë e afërsisë ose ftohtësisë së dikujt karshi një zyrtari amerikan apo një përfaqësuesi të Presidentit Trump. Nëse Presidenti Trump ka kristalizuar diçka në javët e para në Shtëpinë e Bardhë është çasja e tij e pakompromis ndaj kujtdo e gjithëckaje që sipas tij dëmton apo nuk përkrah interesin kombëtar amerikan. 

Nëse Kosova dëshiron të mos bije nga radari i aleatëve të SHBA-ve nën Trump, ajo duhet ta sforcojë marrëdhënjen me Amerikën, duke konfirmuar se përkrahja amerikane për të është pikërisht në interesin strategjik e gjeopolitik kombëtar amerikan. Besimi ynë se ‘Amerika e din’ dhe ne s’kem nevojë me ‘iu kallxu atyre se na jemi me ta,’ është vetkënaqësi e padobishme, e besa e dëmshme! 

Përkundrazi, përvoja ime mbi dy dekadëshe në Capitol Hill në Washington, DC, për kauzën kombëtare shqiptare, më thot se angazhimi ynë tani duhet shumëfishuar. Tani është momenti kritik të zëmë vendin meritor në listën e prioriteteve të Presidentit Trump. Tani është nevoja për të konsoliduar përpjekjet tona kombëtare e shtetërore për Kosovën. Çfarëdo vonimi ne këtë drejtim, rritë shumë koston politike për ne. 

Si shqiptar me atdhedashuri të pafund per Kosovën, unë do e vazhdoj misionin tim bashkë me secilin dhe të gjithë që vlerësojnë se Kosova pa SHBA-të është shumë fragjile dhe e ka të pamundur rrugëtimin e sigurtë drejtë familjes së madhe euroatlantike. 

Ajo që mund të bëjmë sot me pak, mund të mos arrihet nesër as me shumë më shumë. Koha është aset që nuk kthehet asnjëherë; momentumet e humbura mbesim veçse objekte studimi për historinë! 

Filed Under: Ekonomi

Memo: Rizbulimi i historisë apo demaskimi i “deep state”

February 3, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Koncepti i “deep state” ose “shteti i thellë” është një teori që sugjeron se një grup i fshehtë i individëve, shpesh nga institucione të fuqishme si agjencitë e inteligjencës, ushtria, dhe burokracia, vepron pas skenave për të manipuluar ose kontrolluar politikat e shtetit, duke e shpërfillur ndonjëherë vullnetin e popullit dhe qeveritarëve të zgjedhur. Kjo teori, që ka fituar popullaritet në dekadat e fundit, është shpesh përdorur për të shpjeguar veprime ose vendime që duken të paqartë ose të larguara nga interesat e drejtpërdrejta të shumicës së njerëzve.

Në këtë kontekst, deklasifikimi i dokumenteve lidhur me vrasjet e John F. Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr. nga administrata Trump, ishte një moment i rëndësishëm që e solli këtë temë në diskutim. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në vitin 2025 për të deklasifikuar dokumentet që lidhen me vrasjet e këtyre figurave të njohura të historisë amerikane. Ky akt ka ngritur pyetje për ndikimin e “shtetit të thellë” dhe për rolin që mund të kenë pasur agjencitë si CIA, FBI dhe institucione të tjera në mbajtjen e disa informacioneve sekret për një periudhë kaq të gjatë, ndoshta i nxitur dhe nga dy atentatet kundra tij.

Deklasifikimi i këtyre dokumenteve mund të ndihmojë në zbardhjen e aspekteve të panjohura të këtyre ngjarjeve tragjike, duke ofruar mundësinë që të nxirren në dritë fakte që mund të kishin qenë të mbajtura sekret për arsye të paqarta ose për shkak të ndikimeve të “shtetit të thellë”. Ndonëse disa besojnë se ky hap mund të hedhë dritë mbi mundësitë e një komploti më të gjerë, të tjerë dyshojnë nëse do të shfaqen ndonjë informacion i rëndësishëm që mund të ndryshojë kuptimin që kemi për këto vrasje.

Kjo ka krijuar një lloj tensioni politik, pasi deklasifikimi mund të sfidojë perceptimin që publiku ka pasur për këto ngjarje, dhe gjithashtu mund të nxisë diskutime rreth ndikimit të agjencive të inteligjencës dhe pasojave të mundshme për rolin e “shtetit të thellë” në manipulimin e ngjarjeve të mëdha historike. 

Për të krijuar një opinion më të detajuar dhe të plotë mbi çështjen e deklasifikimit të dokumenteve lidhur me vrasjet e John Kennedy-t, Martin Luther King-ut dhe Robert Kennedy-t, është e rëndësishme të shqyrtojmë disa aspekte kyçe, përfshirë ndikimin e këtyre ngjarjeve në shoqërinë amerikane, mundësitë që deklasifikimi i dokumenteve të sjellë përmbysje të realiteteve historike, dhe mundësitë që këto informacione të mund të hedhin dritë mbi teoritë e konspiracionit që kanë mbizotëruar për dekada të tëra.

Vrasja e John F. Kennedy dhe Pasojat

Në vitin 1963, vrasja e presidentit John F. Kennedy shokoi jo vetëm SHBA, por gjithë botën. Disa muaj pas ngjarjes, një komision qeveritar, i njohur si Komisioni Warren, deklaroi se Kennedy ishte qëlluar për vdekje nga Lee Harvey Oswald, një ish-ushtar që vepronte i vetëm. Megjithatë, që nga ajo kohë, kjo teori ka qenë e diskutuar dhe shumë kritikë të komisionit të hetimit e kanë quajtur të paplotë dhe të paqëndrueshme. Gjatë viteve, janë formuluar shumë teori konspirative që sugjerojnë se pas vrasjes mund të qëndronin grupime më të fuqishme, si CIA, mafia, ose madje qeveria sovjetike dhe kubanët në mërgim.

Një element kyç që ka kontribuar në këtë ndjenjë dyshimi është mënyra se si dokumentet lidhur me vrasjen janë trajtuar nga autoritetet amerikane. Shumë informacione, përfshirë ato që mund të hedhin dritë mbi hetimet e zhvilluara, janë mbajtur të klasifikuara për dekada të tëra. Kjo ka nxitur një ndjenjë të thellë mosbesimi te qytetarët, të cilët ndjehen se po fshehen të vërteta të rëndësishme. Ndaj, kërkesat për deklasifikimin e këtyre dokumenteve kanë qenë të shumta, dhe tani, pas dekadash spekulimesh, ekziston mundësia që publikimi i këtyre dokumenteve të na sjellë më afër të vërtetës.

Senatori Robert F. Kennedy i shtrirë në tokë disa minuta pasi u qëllua më 5 qershor 1968

Deklasifikimi i këtyre materialeve ka potencialin të zbulojë detaje të panjohura deri tani, siç sugjeron James Robenalt, një ekspert i çështjes, i cili beson se dokumentet mund të zbulojnë lidhjet e CIA-s me Oswaldin dhe mund të ndihmojnë në lidhjen e copëzave të ngjarjeve të atij periudhe. Ky proces mund të mundësojë që të mësojmë më shumë rreth ndihmës që agjencitë amerikane mund të kenë ofruar për të mbuluar detaje që lidhen me vrasjen, ose mund të hedhin dritë mbi përpjekjet për të penguar hetimet.

Vrasja e Robert Kennedy dhe Martin Luther King

kennedy

Edhe vrasjet e Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King kanë qenë të mbështjella me mistere dhe dyshime. Robert Kennedy u qëllua për vdekje në qershor të vitit 1968, ndërsa Martin Luther King, lideri i drejtave civile, u vra në prill të vitit 1968. Ashtu si me vrasjen e John Kennedy, këto ngjarje kanë nxitur një mori teorish konspirative, dhe mundësia që deklasifikimi i dokumenteve të lidhura me to të hedhë dritë mbi motivet e mundshme dhe autorët e vërtetë të këtyre ngjarjeve është një aspekt që ka tërhequr interesin e shumë ekspertëve dhe qytetarëve.

Deklasifikimi i këtyre dokumenteve mund të shfaqë detaje të panjohura deri tani lidhur me hetimet e zhvilluara për këto vrasje, duke mundësuar që të sqarohen dyshimet dhe të konfirmohen, ose hedhur poshtë, teori të ndryshme konspirative. Për shembull, në lidhje me vrasjen e Martin Luther King, ka pasur shumë spekulime rreth mundësisë që organizatat që kundërshtonin lëvizjen për të drejtat e njeriut mund të kenë pasur një rol në vrasjen e tij, një teori që ende është objekt diskutimi.

Vlerësimi i Mundësive të Deklasifikimit

Martin Luther King duke përshëndetur mbështetësit më 28 gusht 1963 në Uashington, gjatë "Marshit në Uashington. Në këtë ngjarje, ai mbajti fjalimin e tij "E kam një ëndërr"

Deklasifikimi i dokumenteve ka mundësinë të ndihmojë në një proces të domosdoshëm të transparencës dhe mund të japë mundësinë që opinionet publike të informohen në mënyrë të plotë për ngjarjet që kanë ndodhur në vitet ’60. Kjo mund të ndihmojë në uljen e nivelit të dyshimeve dhe të përmirësojë besimin e publikut ndaj institucioneve që kanë administruar këto hetime, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të shohin një pamje të plotë të situatës.

Sidoqoftë, ka disa sfida të mundshme që lidhen me deklasifikimin e këtyre dokumenteve. Një nga këto është shqetësimi se publikimi i disa materialeve mund të dëmtojë agjencitë e sigurisë kombëtare dhe mund të zbulojë burime ose metoda të mbledhjes së informacionit që mund të kompromentojnë sigurinë kombëtare. Kjo është arsyeja pse disa dokumente mund të mbeten të klasifikuara, pavarësisht kërkesave të mëdha për deklasifikim.

Në fund të fundit, deklasifikimi i këtyre dokumenteve është një hap i rëndësishëm drejt sqarimit të ngjarjeve të rëndësishme historike që kanë pasur një ndikim të thellë në historinë moderne të SHBA-së dhe në perceptimin global të drejtësisë dhe transparencës. Por, siç sugjeron edhe ekspertët e fushës, përmbysja e gjithë historisë mund të mos jetë aq e thjeshtë siç duket dhe dokumentet mund të konfirmojnë përfundimet që janë bërë deri më tani, ose mund të hedhin dritë mbi aspekte të reja që do të ndryshojnë mënyrën se si ne i kuptojmë këto ngjarje.

Përfundimi:

Deklasifikimi i dokumenteve lidhur me vrasjet e John F. Kennedy, Robert Kennedy dhe Martin Luther King ka potencialin të na ndihmojë të kuptojmë më mirë ngjarjet që kanë formësuar historinë e SHBA-së dhe të zbulojmë informacione që mund të hedhin dritë mbi teori të ndryshme konspirative. Megjithatë, kjo ka nevojë për një balancë të kujdesshme mes transparencës dhe ruajtjes së sigurisë kombëtare. Nëse këto dokumente do të çojnë në një sqarim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjeve, ato mund të përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e besimit te institucionet dhe në përmirësimin e kuptimit të historisë. 

Filed Under: Komente

Anglishtja e përkryer (Perfect English)

February 3, 2025 by s p

Lazer Stani/

Gjithmonë, kur kam pak kohë të lirë para ose pas punës, bëj një shtëtitje nga Penn Station deri në Herald Square, ku ndalem e ndez një cigare, i përhumbur në mendimet e mia, krejtësisht i çliruar nga ankthet e ditës. Edhe atë pasdite të vonë vjeshte këmbët me kishin çuar vetvetiu në Herald Square, ku ndalova, i shmangur disi nga turmat e njerëzve, që bridhin lart e poshtë dhe ndeza një cigare. Atë çast më terhoqi vëmendjen një burrë i veshur në mënyrë të çuditshme që ishte ngjitur mbi një nga shkëmbinjtë e vendosur në shesh dhe po recitonte. Recitonte si një mjeshtër i vërtetë i skenës, si një aktor profesionist, pa e vrarë mendjen për njerëzit që kalonin indiferentë përbri tij. Papritmas bërtiti në kupë të qiellit:

Hej njerëz, poezia që do recitoj tani është e Louise Glück fituese e çmimit Nobel.

“I have a friend who still believes in haven…”

(“Kam një mike që ende beson në Parajsë…”)

Interpretonte me pasion, duke tundur duart dhe trupin sipas ritmit të vargjeve, me një zë të thellë të që të ngjethte mishin.

Papritmas ndaloi në mes të recitimit:

“Kjo nuk është poezi, bërtiti. Ajo nuk është poete. Komiteti i Nobelit është çmendur! Janë çmendur të gjithë: redaktorët, botuesit, kritikët, juritë, Komiteti i Nobelit. Askush nuk e njeh më poezinë, tha duke iu drejtuar turmës mospërfillëse.

Unë po e degjoja me vemendje i magjepsur nga anglishtja e tij përfekte. Për herë të parë ndjeva dhimbje për veten që nuk do të flisja dhe as do të shkruaja kurrë një anglishte të tillë të përkryer. Disa humbje i kemi të parashkruara qëkur vijmë në këtë botë dhe betejen me to nuk do ta fitojmë kurrë.

Papritmas m’u avit një grua e panjohur dhe, duke më buzëqeshur, tha:

“Pse e dëgjon? A nuk e shikon se është krejtësisht i çmendur?

“Anglishtja e tij është e përkryer,”, i ktheva, duke thithur i pikëlluar cigarën time.

E panjohura, duke menduar se po bëja shaka, ia krisi të qeshurit.

“Paskeni një humor ekselent”, tha gruaja që ende vazhdonte të qeshte dhe u largua, duke më lënë në pikëllimin tim në sheshin tashmë pothuajse të zbrazët, ku burri i ngjitur mbi shkëmb ende vazhdonte të recitonte në anglishten e tij të përkryer.

Filed Under: ESSE

Shahin Kolonja një nga protagonistët e shquar të Lëvizjen sonë Kombëtare

February 3, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shahin Kolonja, i njohur edhe si Shahin Teki Ypi lindi në vitin 1865 në Starje të Kolonjës, nga një familje e njohur; i biri i Karahman beut dhe nipi i Sulejman Pashës, guvernatorit të Plevljes. Pas mbaroi ruzhdien në Korçë, vazhdoi studimet e larta në Shkollën e Administratës Civile Mbretërore “Mülkiye-iSehahane” për ekonomi dhe administratë civile dhe u diplomua me rezultatin “shkëlqyeshëm” në vitin 1892. Përveç gjuhës amtare shqipe, ai njihte greqishten, të cilën shumë njerëz të lindur dhe të rritur në Rumeli e mësuan në rrugë, si dhe turqishten, arabishten, persishten dhe frëngjishten, të cilat i mësoi gjatë shkollimit. Gjatë studimeve në kryeqytet u njoh me Ibrahim Temon dhe vëllezërit Frashëri, Samiun dhe Naimin dhe u martua me Nevreze Frashërin, vajzën e Naimit.

Takimi i Shahin Kolonjës me xhonturqit dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës u zhvillua gjatë viteve të tij studentore në Mülkiye. Sipas asaj që shkruan Ibrahim Temo, një nga themeluesit e Bashkimit Osman, në kujtimet e tij, “Shahin Kolonja mundi të bëhej anëtar i shoqërisë në ato ditë. Ai siguroi që studentët e tjerë shqiptarë në Mekteb-i Mülkiye t’i bashkoheshin shoqërisë “Bashkim e Përparim”.

Pas diplomimit, Shahini emërohet zëvendësdrejtor i Shkollës Bujqësore në Selanik, ku dha edhe mësim. Pastaj kishte shërbyer si drejtor në disa shkollave idadije, fillimisht në Edrene, duke qenë njëri nga shqiptarët e punësuar në administratën publike osmane. Në vitin 1898 u emërua kajmekam i Kozhanit në vilajetin e Manastirit dhe për një kohë ishte guvernator i sanxhakut të Malit Athos (Aynaroz).

Shahin Kolonja e braktisi shërbimin civil për të ndjekur veprimtaritë në shërbim të çështjes kombëtare. Arrestohet në Manastir dhe dënohet me tre vjet burg për shpërndarje librash në gjuhën shqipe. Në vitin 1897 ai u shkroi një memorandum autoriteteve osmane për lejimin e botimit të një gazete në gjuhën shqipe. Kërkesa e tij u hodh poshtë. Dy vjet më vonë, kërkoi ndihmë nga Konsulli austro-hungarez në Manastir për botimin e një gazette në gjuhën shqipe. Për shkak të vështirësive dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga autoritetet, ai u largua nga vendi. Shahin Kolonja shkoi në vende të ndryshme të Evropës dhe më në fund u vendos në Sofje.

Nga viti 1901 deri në vitin 1908 ai botoi në Sofje revistën “Drita”, me ndihmën e Kristo Luarasit dhe mbështetjen financiare të Austro-Hungarisë, me qëllim përhapjen e dijes dhe mësimin e gjuhës shqipe te shqiptarët dhe për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Përmes gazetës, Shahini do të punonte për arritjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe sigurimin e librave shqip. Shahin Kolonja mbrojti zgjimin kombëtar shqiptar dhe sigurinë e ekzistencës kombëtare brenda Perandorisë Osmane, megjithatë ai mbështeti edhe aktivitetet e çetave të armatosura guerile që luftonin kundër Perandorisë.

Shahin Kolonja nuk kishte besim te arbëreshët (italo-shqiptarët), të cilët i shihte si pengje të qeverisë italiane që mbrojnë qëndrimet italiane ndaj çështjes shqiptare dhe refuzoi të bashkëpunonte me ta. Gjatë periudhës së vonë osmane, ai mbështeti ndihmën austro-hungareze për interesat gjeopolitike shqiptare në Ballkan.

Më 1904, Shahini përktheu dhe botoi në Drita manifestin e zgjimit kombëtar shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” të Sami Frashërit. Personalisht Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Ai luajti një rol udhëheqës në klubin “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Qiriazit. Bashkë me vëllezërit Topulli dhe patriotë të tjerë shkoi në Shkup “për ta propaganduar idenë kombëtare”. Në vitin 1906, Shahin Kolonja u përfshi në aktivitete që synonin përfshirjen e veprimtarëve shqiptarë në Komitetin revolucionar shqiptar të Manastirit, në mesin e diasporës shqiptare në Bukuresht, Konstancë, Sofje dhe Egjipt. Në vitet 1907-1908,në bashkëpunim me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin,Mihal Gramenon dhe të tjerë atdhetarë shqiptarë, Shahin Kolonja,bëri përpjekje të organizonte Komitetin “ Për Liri a për vdekje të shqiptarëve e Shqipërisë “, i cili do të përgjigjej për fatet e popullit në të katër vilajetet shqiptare.Jo vetëm nëpërmjet faqeve të “Dritës” por edhe në biseda e takime në Sofje, Bukuresht apo Vjenë, Shahin Kolonja pat çuar tej idenë e këtij Komiteti, i cili parashihte në thelb bashkimin e krejt çetave shqiptare nën një komandë unike, duke i dhënë kështu një lloj sigurie Lëvizjes Kombëtare që po rritej përmes rreziqeve të mëdha.

Në ditët pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese, Komiteti “Bashkim dhe Përparim nuk i pengoi aktivitetet e klubeve shqiptare dhe mbështeti ngritjen e tyre, duke menduar se mund ta vinte nën kontroll lëvizjen shqiptare. Deri në fund të vitit 1908 ishin formuar afërsisht tridhjetë klube e shoqëri atdhetare kombëtare, ndërkohë që numri i tyre gjatë viteve 1908-1912 arriti në 80, pa përfshirë këtu shoqëritë atdhetare që ishin krijuar në diasporë.

Në veri themelimi i klubeve shqiptare ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Në Kosovë ka pasur persona të cilët ende besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Vetëm në Shkup u bë e mundur të krijohej një klub. Nga Selaniku për krijimin e Klubit u dërguan dy patriotë të zotë, Shahin Kolonja dhe Bajo Topulli.

Në vitin 1908, Shahin Kolonja u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman me mbështetjen financiare të veprimtarëve shqiptarë. Ai ishte njëri nga 26 deputetët që përfaqësonin katër vilajetet shqiptare. Në të njëjtin vit, ai u zgjodh një nga delegatët e Kongresit të Manastirit, si përfaqësues i Kolonjës, në të cilin u vendos alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Një numër udhëheqësish shqiptarë e kuptuan se krijimi i një alfabeti të vetëm do ta forconte unitetin dhe arsimin kombëtar, prandaj u shtrua nevoja e njësimit të alfabetit për gjuhën shqipe. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve. Me përcaktimin e alfabetit, shqiptarët dëshmuan se ishin të bashkuar; të përgatitur si një trup i vetëm, një faktor i gatshëm për të fituar sovranitetin, një komunitet që duhet ta ketë vendin e tij në arenën ndërkombëtare.

Atdhetarët, që morën pjesë në Kongres, e ndjenin si detyrim ta trajtonin çështjen e alfabetit në një kuadër më të gjerë kombëtar me hartimin e një platforme politike dhe të një projekti të përbashkët kombëtar.268 Hartimi i një programi kombëtar kishte si çështje themelore të drejtat kombëtare të popullit shqiptar për zhvillimin arsimor dhe kulturor të tij. Programi politik, ndonëse nuk përmbante kërkesa të qarta politike rreth organizimit autonom, si bashkimi i territoreve shqiptare në një vilajet të vetëm a forma e qeverisjes së territoreve shqiptare, pati rëndësi të veçantë, se e trajtoi çështjen shqiptare në tërësinë e saj. Miratimi i dokumenteve të karakterit politik tregonte se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, pas Revolucionit Xhonturk, kishte ruajtur pavarësinë e saj nga xhonturqit dhe kishte zhvilluar karakterin e saj të pavarur, me objektiv sigurimin e të drejtave politike të shqiptarëve si komb i veçantë brenda Perandorisë Osmane. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm i Shahin Kolonjës në Kongres ishte se ai përgatiti dhe paraqiti një program që, kur vlerësohej për nga përmbajtja, përfshinte kërkesën për një administratë të plotë autonome. Teksti përfshin shumë kërkesa në fushën e arsimit, administratës, civile, ushtarake dhe ekonomike:

Gjuha e mësimit, në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme, do të jetë shqip; shpenzimet e këtyre shkollave do të mbulohen nga shteti, kurse turqishtja do të mësohet për herë të parë pas vitit të katërt.

Ndihma financiare që administrata greke u ka dërguar shkollave të vëllezërve tanë të krishterë shqiptarë duhet të ndalohet në çdo mënyrë. Si kompensim për këtë, pronat e kishave të menaxhohen rregullisht dhe gjithashtu shteti të plotësojë nevojat e shkollave ortodokse shqipe, që këto shkolla të shqiptarëve të krishterë të bëhen shkolla kombëtare shqiptare.

Menaxhimi i rregullt i fondacioneve shqiptaro-myslimane në Shqipëri dhe ndarja e një pjese të të ardhurave të tyre për qëllime kombëtare.

Të gjitha objektet historike të gjetura në krahinat e Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës duhet të mblidhen në një muze të një qyteti shqiptar, siç është Elbasani dhe ky muze të konsiderohet si degë e Muzeut Kombëtar Osman në Stamboll.

Ulja e shërbimit ushtarak në dy ose dy vjet e gjysmë dhe ushtarët shqiptarë të shërbejnë vetëm në krahinat e tyre ose të paktën në Shqipëri, përveç rasteve të mobilizimit për luftë.

Oficerët e nivelit më të ulët të jenë shqiptarë që të stërvisin më mire trupat shqiptare.

Oficerët e xhandarmërisë të punësuar në Shqipëri duhet të jenë shqiptarë, të diplomuar në shkolla ushtarake ose shkolla speciale të xhandarmërisë.

Zgjedhjet për kryetar bashkie duhet të ndjekin një sistem të hapur zgjedhor, kompetencat e Kryetarit duhet të zgjerohen dhe mbleldhja e taksave duhet t’u lihet zyrtarëve komunalë.

Sipërmarrje të tilla si shfrytëzimi i minierave në Shqipëri, ndërtimi dhe funksionimi i hekurudhave, duhet të kryhen në një mënyrë që të merren parasysh interesat e shqiptarëve. Për këtë çështje të miratohet një ligj, për të pakësuar ndërhyrjet dhe ndikimin e huaj.

T’u jepet prioritet shqiptarëve ndaj elementeve të tjerë gjatë emërimit të nëpunësve civilë në krahinat shqiptare dhe, kurdoherë që është e mundur, të merret parasysh popullsia vendase.

Të gjitha të ardhurat për punët publike, si ndërtimi i rrugëve, të gjitha mjetet e transportit, duhet t’i lihen pushtetit vendor. Po kështu, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përdoren për punë publike.

Hapja e dy fermave të mëdha dhe një shkolle të madhe fillore bujqësore në pjesën jugore të Shqipërisë dhe në tokën e punueshme të Myzeqesë.

Dhënia e të drejtës këshillave administrative të sanxhaqeve dhe krahinave për mbledhjen e taksave të veçanta për të shtuar numrin e shkollave dhe për të përhapur arsimin në Shqipëri.

Për të krijuar një universitet shqiptar, në buxhetin e arsimit të parashikohen çdo vit pesë bursa për pesë shqiptarë, të cilët do të dërgohen në qendrat e qytetërimit në Evropë dhe Amerikë, për t’u specializuar si profesorë.

Njohja zyrtare e gjuhës dhe e kombësisë shqipe nga administrata dhe regjistrimi i togfjalëshit “shqiptar i krishterë” ose “shqiptar mysliman” në regjistrat e popullsisë.

Pagat e klerit katolik dhe ortodoks shqiptar të paguhen nga shteti, për të parandaluar ndërhyrjet dhe ndikimet e huaja, si ato të Austrisë, Italisë dhe Greqisë.

Shahin Kolonja e vazhdoi veprimtarinë e tij politike si kundërshtar i Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Sofje dhe Bukuresht midis viteve 1910 dhe 1912. Pas pavarësisë së Shqipërisë, ai shkoi në Vlorë në vitin 1913. Por atmosfera politike këtu dhe veçanërisht konkurenca e ashpër në mes të politikanëve e lanë të zhgënjyer, ndërkohë që Kryeministri ismail Qemali ishte në krye të delegacionit shqiptar në Londër. Në pamundësi për të qëndruar më në një ambient të tillë, ai u kthye në Sofje. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij nga dita në ditë, u detyrua të tërhiqet nga politika. Kthehet në Stamboll në vitin 1915, në një gjendje të rëndë shëndetësore, së bashku me bashkëshorten e tij Nevrezen dhe tre fëmijët e tyre, ku dhe vdiq në tetor të vitit 1919.

Shahin Kolonja ia kushtoi të gjithë jetën zhvillimit arsimor dhe kulturor të shqiptarëve dhe lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, duek qenë një nga protagonistët e shquar të Lëvizjen sonë Kombëtare.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 675
  • 676
  • 677
  • 678
  • 679
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT