• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FORMIMI I SHTETIT ISLAMIK BEKTASHI NË SHQIPËRI, INICIATIVË E RREZIKSHME ANTIKOMBËTARE

October 16, 2024 by s p

NIKË GASHAJ

Politolog/

Për formimin e shtetit islamik Bektashi në Tiranë, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë njoftoi opinion shqiptar përmes “New York Times”. Pra këtë e bëri nëpërmjet të një medie të huaj, për pa u konsultua me faktorin shqiptar. Ideja e Rames për formimin e një shteti islamik bektashi në Tiranë është apolitike, respektivisht politikë  e rrezikshme antikombëtare. Nëse kemi të bëjmë  me një shtet breda shtetit shqiptar, kjo cenon kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Sepse, Kushtetuta e Shqipërisë nuk lëjon një shtet brenda shtetit.

Për sa i përketë  komunitetit fetar të bektashive, ata janë pjesë e islamit, apo pjesë e shkëputur e islamit. Njohësit e politikës së Edi Ramës, supozojnë se kjo iniciativë e Ramës e ka burimin nga Beogradi, nga Vuçiqi, për të bërë përçarje ndërfetare dhe kombëtare. Më tutje duhet të konstatohet se krijimi i shtetit bektashi është antikushtetues, se Shqipëria sipas kushtetutës është shtet kombëtar dhe unik i pa ndashëm, pra shtet laik, ndërsa feja dhe shteti janë të ndarura dhe të pavarura nga njëra tjetri. 

 Iniciativa në fjalë mund të nxisë konflikte ndërfetare ndër shqiptarët në Shqipëri me pasoja të renda negative dhe afatgjate. Meqenëse, formimi i shtetit fetar bektashi paraqet diskriminim ndërfetar në Shqipëri, ndëra diskriminimi është i ndaluar me të drejtat ndërkombëtare dhe si i tillë është i sanksionuar. Mirëpo, fatkeqësisht, sikur shihet kryeministri Rama, si dhe këshilltarët e kabinetit të tij qeveritar një gjë të tillë nuk e kanë të njohur.

 Iniciativa e “ mençme” e kryministrit Rama mund të rezultojë me kërkesën e bashkësive të tjera fetare për formin e shtetëve të tyre brenda shtetit shqiptar. Andaj, si rezultat e iniciativës së Edi Ramës, brenda shtetit shqiptar mund të formohen 4 shtete fetare: bektashiane, myslimane, katolike dhe ortodokse. 

Në anën tjetër, po ashtu Serbia, sipas modelit të formimit të shtetit islamik  bektashianë në Shqipëri mund të kërkojë formimin e enklavës politike të kishës ortodokse serbe në Mitrovicën Veriore të Kosovës, pra të shtetit serb brenda Kosovës, me qellim të shkatërrimit të Shtetit të Kosovës. Pra kjo do të ishte rezultati i politikës të Edi Ramës me formimin eventual të Shtetit islamik bektashi në Shqipëri.

Kundra kësaj iniciativë me të drejtë kanë reaguar intelektualë të shumtë dhe të njohur në mbarë hapësirën shqiptare. Ndër të tjerët, hisoriania e njohur, Elena Kocaqi, shprehet : 

“Krijimi e një shteti Bektashian brenda territorit të Shqipërisë, e prezentuar nga kryeministri Edi Rama, është e pabesueshme. Të dalë kryeministri i një vendi dhe të vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit, kjo është e paprecedante në historinë botërore. Kjo është një nga avanturat politike të gjithë karrierës politike të Edi Ramës, sepse gjatë gjithë karrierës së tij   ka bërë avantura në politikën e jashtme, por kjo është një avanturë e rrezikshme, pra kjo është tradhti kombëtare”. 

Rama për formimin e shtetit islamik bektashi në Tiranë si model e merr Vatikanin. Mirëpo, Vatikani është formuar në një kohë tjetër të lashtë historike, në kushte të tjera të ndryshme historike dhe politike, prandej ai nuk mund të merret si mostër për formimin e shtetit islamik bektashi sot në Tiranë. 

Njohjet nga shkencat politike njoftojnë se shtetet moderne bashkëkohore  janë: shtetet kombëtare dhe shtetet qytetare(civile). Ndërsa janë raste të rralla që shteti formohet në baza fetare, për shembull sikurse janë  shtetet islamike: Irani, Pakistani itj. Prandaj, parimisht Kombi dhe feja janë dy kategori të ndryshme shoqërore. Për shqiptarët përzierja e kombit dhe fesë  paraqet çështje të rrezikshme kombëtare, meqenëse në atë mënyrë bëhet shpërbërja e kombit. Në atë drejtim armiqët shqiptar gjatë historisë, sikurse janë: serbët dhe grekët, por dhe të tjerë,  gjithmonë kanë tentuar dhe dëshiruar  përçarjen fetare tek shqiptarët, si dhe përzierjen e fesë me kombin me qellim të shkatërrimit të shqiptarisë. Mirëpo, për fat të mirë, gjatë historisë një numër largëpamës i intelektualëve shqiptar, duke e zbuluar qëllimin dhe strategjinë atishqiptare të armiqëve shekullor  kanë ndermarrë masa të duhura për kultivimin e harmonisë ndërfetare tek shqiptarët dhe të ndërtimit të unitetit kombëtar, çka ata për fatëbardhësi dhe ia kanë arrijtur qellimit. Prandej, sot në shekullin 21, shqiptarët e kanë shumë më lehtë të ruajnë tolerancën dhe harmoninë fetare, si dhe unitetin kombëtar, meqenëse sot shqiptarët kanë mjaftë njerëzë të shkolluar, itelektualë me kulturë dhe dije. Prandaj, ideja për formim e shtetit islamik bektashi në Tiranë, d.m.th. të shtet brenda shtetit, paraqet një ide të rrezikshme antikombëtare. Mirëpo, kjo është dhe pasojë e një amatorizmi të madh politikë.

Shqiptarët gjatë historisë, po ashtu dhe sot kryesisht janë ballafaquar dhe ballafaqohen me krizën e kuadrave në sferën politike, ku kryesisht ka dominuar dhe dominon një amatorizëm i madh i kuadrave politikë, për çka çështja shqiptare ka vuajtuar dhe kryesisht vuan për shkak të kuadrave politikisht të paarsimuara. Natyrisht, me respekt përjashtimeve individuale politike.

Më në fund, formimi i shtetit islamik bektashi në Tiranë, paraqet synim të dezintegrimit të Shqipërisë kombëtare. Sajesa e një shteti islamik në ”zemër” të Evropës do të ishte precedencë. Dhe ajo është në kundershtim me vlerat evropiane,  si dhe me perpjekjet formale të Shqipërisë për antarsimin  në Unionin Evropian.

Filed Under: Politike

KLEMENTIANA, KALAJA APO KËSHTJELLA  QË U SHUA NDËR SHEKUJ PËR  T’I  LËNË AMANET  EMRIN  KELMENDIT

October 16, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ   

Vendi ku quhet Forca e Kelmendit

[

“Kështjella e Kelmendit”

HYRJE

Edhe në trojet e Malesisë së Madhe (si edhe në ato të Shqipërisë ), ndër shekuj nga autoktonët Iliro-Shqiptar janë ndertuar vepra civile e mbrojtëse, të cilat në thelb  tregojnë qytetrimin dhe  zhvillimin e trojeve  Iliro- Shqiptare . Rrebeshet  e moteve që kaluan ndër këto  troje shpesh rrafshuan , qytete, qyteza , fortesa, kala apo kështjella, por fatësisht nuk rrafshuan  kujtesen e banorëve autokton të këtyre trojeve  për historinë e tyre, e cila perveç  gojdhenave, legjendave, dekumentacionit apo historisë së shkruar, kanë  si dëshmi qytetrimi e zhvillimi , toponime, rrënoja, themele , gurë dhe  shenja objektesh të ndryshme, të cilat  vendasit i njohin , dhe kanë trashiguar historinë e tyre nga njeri brez në tjetrin, edhe pse mbi  keto  kanë kaluar,  apo mijera vite.  

HISTORI NGA KËSHTJELLA KLEMENTIANA 

Kështjella  Klementiana (ose shqip kështjella Kelmendi)  është e njohur  të pakten që në shekullin e VI , kur  perandori romak (i lindjes) , Justiniani i parë (me origjinë Ilire)  , do të ndërtonte e rindërtonte qytete , fortesa e kështjella  në trojet e perandorisë tij. Prokopi i Cezaresë , bashkohes i Justinianit parë (527-565)  dhe autor i tre veprave , ku njëra nga këto është ajo DE AEDIFICIS (Mbi ndërtimet) në librin e IV në mes emrave të fortesave të rindertuara e ndertuara në  Iliri shënon emrin e fortesës  Klementiana..1. Ndërsa historiani serb Vladislav Popoviç shkruan se kështjella Klementiana duhet të ketë qënë e vendosur në viset e Kelmendit ose në veri të liqenit të Shkodrës.2. Për Klementianen si kështjellë apo  fortesë  shkruajnë edhe historianë , albanologë dhe studiues të huaj dhe vendas. Studiuesi dhe Albanologu i njohur  Milan Shuflai, për Fortesën (Kështjellen Klementiana),  ndër të tjera shkruan : “ Mbas shekullit VIII  zhduken ngadalë të gjitha keshtjellat romako-bizantine te cilat nuk moren karakter qyteti . Duket më së shumti qëndroi fortesa Klementiana. Në shekullin e XVII nga ky fortifikim merr emrin fisi shumë i fortë i Klementineve (shqip Kelmend)…3. Në këtë mendim është edhe studiuesi e  gjuhtari i njohur shqiptar Eqerem Çabej kur shkruan: “Emri  kështjellës Klementiana… duhet të përmbajnë fazen e lashtë të fisit të sotëm të Kelmendit të Veriut”.4.  Gjithashtu studiuesit  shqiptarë  Lekë  Rrotani dhe Palokë Rrotani   në studimin e tyre me teme : Kelmendi dhe Kelmendasit (mbi vjetërsinë e banimit në Kelmend, mbi prejardhejn e kelmendasve dhe mbi vazhdimsinë e banimit këtu,  ndër të tjera cilësojnë:  “…Vijmë tash tek shekulli VI pas Krishtit. Nuk kemi perse lodhemi e të kerkojmë dokumente të shumta . Dokumenti më i sigurt është vepra “De aedificias” e Prokopit nga Cezareja qe permend Kështjellen e quajtur  KLEMENTIANA, të cilen e vendosë  diku në thellësi të maleve veriore shqiptare. Deri më sot  nuk është percaktuar ende saktësisht  vendndodhja e kësaj  kështjelle  me gjithë hipotezat e ndryshme. Ne mendojmë  se perderisa ai e quan Klementiana  dhe Kelmendi që po marrim në shqyrtim, ka vazhduar jeten në ato rrethina, përse të mos e kerkojmë këtë Kështjellë  brenda Kelmendit, çka do të vertetonte kështu më së miri  vazhdimsinë e banimit  aty ? . Ndonse mund të duket kjo një hipotezë e jona , ne ngulim kembë  se kjo kështjellë  gjendet ne VUKEL të Kelmendit. Përmbledhtas po themi se këtu kemi zbuluar një vendbanim -kështjellë me mure rrethues 1526 metra, me dy porta hyrje  (njëra nga të cilat e mbyllur me gurë më pas ) dhe me dy kulla mbrojtës. Këtu kemi mjaftë gjetje arkeologjike  : qeramike, armë e vegla  hekuri dhe dy monedha bronxi  te shekullit  II – III pas Krsihtit. Brenda rrethimit  ka banesa me një urbanistikë  të rregullt…”.5.  Për  këtë studim interesant vlen të sqarohet se  Prokopi i Cezares ka jetuar dhe shkruar gjatë shekullit VI-të pas lindjes së Krishtit, gjë që  e bënë  të besueshme  ekzistencen e Fortesës apo Kështjellës së Klementianes në trojet e Kelmendit dhe konkrestisht në  Vukel, ku janë konstatuar muriet dhe rrënojat, si dhe për këto ka trashigimi  gojore  në Vukë dhe Kelmend.  Gjetjet arkeologjike të sipercituara që i përkasin shekullit II – III-të  vertetojnë se  fortesa apo Kështjella e  Kelmendit ka  ekzistuar ndoshta  edhe më përpara  shekujve  II dhe III-të  pas Krishtit, si dhe na bëjnë të mendoj se  kjo Keshtjelle  ka sherbyer jo vetem si fortesë apo kompleks fortesash  për qellime ushtarake të perandorisë Romake, por ka pasur edhe karakter të një qytetrimi civil gjë që  na jep të drejtë t’a quajmë, jo thjeshte Keshtjelle ,por nje  qender urbane qe me nivelin me te vogel  ishte Qyteze. Natyrisht muriet dhe rrenojat janë deshmia më e gjallë e një qytetrimi dhe zhvillimi të trojeve të  Kelmendit, ku  duke ditur historinë e  kështjellave –qyteza apo qytete  të  mbreterisë  Ilire, të pakten që nga Teuta e deri tek mbreti Ilir Genci (apo Genti), themi se  kështjella apo në trajtat një qyteze  në Kelmend me emrin e njohur në histori  Klementiana , duhet të kenë një moshë rreth  2250 vjeçare. Kjo moshë e kësaje  kështjelle na  bënë që  të themi pa droje se gjatë se gjatë  luftrave  mbrojtese…,fortunave të moteve dhe rrokopujave historike, ka pasur dëmtime dhe si rrjellojë edhe nevoja për rikonstruksione të bëra në kohen e pushtimit të perandorisë Romake, gjë  që këto rikonstruksione janë shënuar në histori si ndertim i ri i kësaje kështjelle në shkrimet e shekullit VI të Prokopit nga Cezareja, që jetonte dhe shkruante nën Perandorin Romake… Për historinë e kësaj kështjelle është me vlera të citohet edhe studiuesi i  njohur  Ermanno Armao që në një  botim të tij duke ju referuar një kleriku e studiuesi shqiptar,  ndër të tjera citoj: “…Ate Rrok Gurashi  ka vertetuar per mua me mirsjellje  se e quajtura “ Kala e Kelmendit” është e rrethuar në perendim nga Maja e Rriskut, në lindje nga  Maja e Shenikut (Shenkollit) dhe në  jug nga Maja e Kllogjenës…”.6.  Në favor të ekzistences së kështjelles Klementiana  në Vukel shprehet edhe ish konsulli francez ne Shkoder  Hekard  (Hecquard) në mesin e shekullit XIX, ku ndonse ai nuk i “vrojton” rrënojat e saj , ndër të tjera shkruan : ”Jo larg Vuklit, ndodhej siç thonë një kështjelle e fortifikuar, nga e cila sot nuk  gjendet asnjë gjurmë, dhe disa vjet më parë  një banor i këtij fshati, duke mbjellë një hardhi gjeti disa monedha  ari të kohës së perandorëve Kostandin dhe Valentin….”.7. Ndërsa studiuesi dhe  Historiani Marin Sirdani (me orgjinë nga Boga), duke shkruar për “HEROINAT E MALEVE”, në luften antiotomane (gjate shek.XVII) , thotë se : “GJYTETEZA E KELMENDIT, është vendi  ku  është fuqia më e madhe e Kelmendit, dhe ku mblidhen kuvendet, madje në këto kuvende merrnin pjesë edhe gra e vajza, që ma se një herë kishin ra në luftë dhe ishin da me nderë, ku një ndër këto heroina kishte qënë edhe Nora (e Kelmendit) që vrau pashen turk…8.  Mirpo  ky autor Qytezën e vendos ne Nikç e jo në Vukel, gjë që na bënë të mendojmë  se mos vall ka pasur një Qyteze (me fortesën përkatese) edhe në Nikç , apo është një “lapsus”… Albanologu dhe studiuesi Franc Nopça, për pozicionin (tashma thuajse natyror) të kështjellës Klementiana  në Vukel, shkruan: “Kelmendasit në vitin 1624 kishin filluar luftën kundër ushtrive turko-osmane të komanduara nga  Arvat Pasha. Kelmendasit  me të cilët si duket ka qënë i lidhur fisi i Vralit  që banonte në tokat e Vuklit, u terhoq në një vend të fortifikuar të quajtur  FORTESA E  KELMENDIT , që përbëhet nga një pllajë e rrethuar me shkëmbë nga të tria anët dhe nga një anë e pjerrët me majen tatpjetë..”9.  Në shkrime të ndryshme thuhet se Kelmendasit e morën emrin nga kështjella, ku disa studiues këtë e përcaktojnë  tepër vonë, pra ë shekujt e XVI – XVII, gjë që nuk përkon me realitetin kohor pasi  kështjellen Klementiana, dhe emrin e Kelmendit e takojmë shumë më përpara…  Kështjella Klementiana ka qënë qendra e qytetrimit, zhvillimit dhe mbrojtjes të Kelmendit e Kelmendasve gjatë shekujve e motmoteve të historsë së këtyre trojve etnike Iliro-Shqiptare, të njohura kombëtarisht e ndëkombëtarisht… 

REFFERENCAT:

1.Ilirët dhe Iliria te autorët antikë , fq.437-441 , Akademia e shkencave të Shqiperisë ,Instituti i Arkeologjisë ,perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan  Ceka , Skender Anamali, botime Toena ,Tiranë 2002.  

2.Dom Nikë Ukgjini , Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit, fq.84.   

3.Milan  Shuflaj ,Serbet dhe  Shqiptaret  fq.15.  

4. Eqerem  Çabej; Disa faza më të moçme të shqipës në dritën e gjuhëve fqinje, buletini shkencor i institutit pedagogjik të Shkodrës, 1964.54.Lekë  Rrotani dhe 5.Palokë Rrotani   Shkodra ndër Shekuj  fq.284-285 , Vii.II. fq.284-285 ,Muzeu historik Shkoder 1998.  

6.Ermanno Armao ; Vende ,Kisha, Lumenj,Male e Toponime të ndryshme të një harte të lashtë teë Shqipërisë Veriore, Fq.157. ( Harta është e Hartografeve Coronelli dhe Cantelli të shekullit XVII,N.B.).  

7.Hyacinthe Hecquard ….HISTORIA DHE PËRSHKRIMI I SHQIPËRISË SË EPERME OSE I GEGERISË, fq.176.  

8.At Marin Sirdani ; NDRIÇIME TË  HISTORISË, TË KULTURËS DHE TË ARTIT SHQIPTAR ,fq.222.  

9.Franc  Nopça, FISET E MALËSISË SË SHQIPËRISË VERIORE dhe e drejta zakonore e tyre fq.184-185.  

Filed Under: Analiza

MBI SUBLIMEN

October 16, 2024 by s p

Zija Vukaj/

-kulturologji-

«Sublimja i tërheq lexuesit e dëgjuesit jo në bindje, por në ekstazë: sepse ajo që është e mrekullueshme i shoqërohet gjithmonë një ndjenje përhumbjeje dhe dominon mbi atë që është vetëm bindëse dhe e këndshme, për shkak se bindja në përgjithësi është në prirjen tonë, ndërsa ajo, duke i dhënë argumentit një fuqi dhe një forcë të pamposhtur, mbisundon çdo dëgjues.»

Për t’i kuptuar deri në fund këto fjalë, që shfaqen në batutat e para të Traktatit, duhet larguar ideja që sublimja është një çast i thjeshtë i arratisjes së dëshiruar nga realiteti; përkundrazi, Anonimi ngulmon se letërsia është në gjendje të modelojë shpirtin dhe se njëlloj për një shpirt të ngritur e fisnik është e mundur të ngjallet në një vepër të tërë arti (“rezonanca e një shpirti të madh”, μεγαλοφροσύνης ἀπήχημα). Pra në këtë mënyrë Sublimja resht së qeni një përgojim polemik i kritikës letrare dhe përqafon çështje të karakterit etik, duke zgjeruar kështu fushën e vet e duke përuruar linjën e kërkimeve që do të bëhet pastaj e përveçme nga letërsia dhe estetika.

Sublimja është metri me të cilin maten autori dhe përfituesi i veprës, të lidhur mes tyre si në një polaritet, nga një raport empatie: duke nisur nga bindja që të gjithë njerëzit janë të bashkuar nga i njëjti tension, të lindur nga natyra e shpirtit të secilit, drejt madhësisë, përfitimit të sublimes e parë si njohja e madhësisë së shpirtit të autorit, njohje që buron nga vepra e artit dhe nënvizohet nga lartësimi qoftë i stilit, qoftë i ideve të paraqitura.

Anonimi e thjeshtëson gjithë këtë duke e ilistruar me njohjen e tij të gjerë të letërsisë, duke sugjeruar si modele një sërë autorësh, maja e artit të fjalës. Qasen kështu një nga një Homeri, tragjikët, Pindari, Safoja, Platoni e deri Bibla dhe komediografi Aristofan, aq sa edhe qeshja është një pathos hokatar dhe sublim i bashkëlindur me njeriun: “në fakt e qeshura është një emocion kënaqësie”. Por referimet nga poetët helenikë janë të mangëta.

Natyrisht, Apolloni tek “Argonautikat” është poet i patëmetë, dhe kështu është Teokriti te “Bukoliket”, përveç pak elegjive të lëna pas dore; por do të donit të ishtit Homer apo Apollon? E pra? Eratosteni tek Erigona- poemth krejt i pakritikueshëm, a është vallë poet më i madh se Arkiloku, që mbart pas shumë gjëra të papërpunuara të atij shpirti hyjnor i vështirë për t’iu nënshtruar një rregulle? Në lirikë do të zgjidhnit të ishit Bakilidi apo Pindari dhe në tragjedi Ioni i Keas apo Sofokliu, për Zeus? Sepse njëshat janë të pagabueshëm dhe në stërhollimin terësisht kaligrafik, teksa Pindari e Sofokliu nganjëherë djegin nga afshi, shpesh shuhen pa shkak dhe bien papritmas. E pra askush me mendje të shëndoshë nuk do të ndërronte një tragjedi të vetme si “Edipi mbret” me të gjitha dramat së bashku të Jonit.

Filed Under: ESSE

Rrethimi i parë e i dytë i Shkodrës antike nga kronistët e kohës

October 16, 2024 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Duke shfletuar faqet e historisë së popullit tonë ndër shekuj, shohim se ngjarjet më të rëndësishme i përkasin shekujve të kaluar, ku dëshmohet më së miri mbijetesa si faza më e lavdishme e ndodhive, që sot pak ose shumë janë të fiksuar në librat e historisë nga autorë të ndryshëm deri në ditët tona. Rrethimi i parë e i dytë i Shkodrës antike nga kronistët e kohës dhe autor të ndryshëm të mëvonshëm jepen me nota të dhimbshme. Aty flitet ose jepen përshkrimet e mjerimit, që kaploi popullin fisnik shkodran. Pikërisht të kësaj periudhe, janë edhe shpërnguljet e dhimbshme të banorëve autokton nepër vende të ndryshme të Europës dhe mbi të gjitha vendosja e tyre si kolonë në Italinë e Jugut, Zarë të Kroacisë etj.

Libri i Marin Barlecit: “Rrethimi i Shkodrës”, u shtyp në Venedik nga venedikasit Bernardin dhe Vitalibus (10 Janar 1504), u përkthye prej origjinalit latinisht në gjuhën shqipe prej Prof. Henrrik Lacaj (Tiranë, 1962) nga Universiteti Shtetnor i Tiranës.

Shpërngulja e parë e vitit 1474 (sikurse njihet në shkencës e demografisë emigrimi masiv i banorëve autokton arbënorë), ndodhi për arsye të masakrave të barbarëve otomanë si shenj hakmarrjeje të rezistencës së armatosur për 26 vjet të popullit të Arbërit nën udhëheqjen e Gjergj Gjon Kastriotit ndaj invazioneve mizore të taborreve të Perandorisë Otomane.

Më shumë se 260.000 arbërorë (shqiptarë) nga trungu amë Arbëria kaluan detin Adriatik dhe gjetën Atdheun e Dytë të tyre dheun latin, duke u vendosur në Kalabri e ishullin e Siçilisë (Italia e Jugut), duke krijuar katunde, qytetëza të reja me kolonë kompakt arbërorë. Ekzistenca e komunitetit të madh arbëresh është prova e një dëshmie historike të mbijetesës të një pjese të popullsisë arbërore në Jug të Italisë.

Ndonëse kanë kaluar afërsisht 6 shekuj traditat, zakonet, gjuha arbërishte me dialektet e nëndialektet, vallet, kostumet popullore, feja e të parëve të tyre të krishterë të ritit bizantin dhe katolik, ende kultivohen dhe dëshmohen me krenari se janë stërnipa të tokës së Gjergj Gjon Kastriotit…Shpërngulja e dytë ishte ajo që ndodhi gjatë kohës që qytetit antik i Shkodrës vuante rrethimin e dytë të vitit 1478. Popullsia vendase grupe – grupe në formë kalvanesh merrte drejtimin e emigrimit drejt tokës helene. Sipas burimeve historike, mendohet se mbi 18,300 banorë të dëshpëruar nga barbaritë e Perandorisë Mizore dhe Shfarosëse Otomane, qenë të detyruar për të mos eliminuar dhe shuar si popullsi autoktone ikën drejt limaneve të Greqisë.Në dy krahë ose drejtime të kundërta filloi ikja e popullsisë shkodrane: në drejtim të pjesës jugore drejt veriut të Greqisë dhe në pjesën veriore ose gjatë bredetit të lindor të Detit Adriatik. Më konkretisht kjo pjesë e popullsisë u vendos si kolonë në trevat e populluara dalmatine.Disa pjesë nga libri i humanistit Martin Barleci:

“E unë sidomos e dija mirë dhe e rrëfeja sinqerisht se për një punë të tillë nuk kisha aq talent, ose nuk isha i paisun me një stil të rrjedhëshem dhe me gjykime të vlefshme, madje, nga kjo anë isha i pagdhenun, i shterpë, i thatë. Edhe në të vërtetë, në kjoftë se asht e vështirë me shkrue mbi çeshtje të tjera, aq ma tepër në histori, që asht e larme, gjenë vështirësi në kulm se aty ngjarjet e ndryshme, digresionet e ndryshme, fatet e ndryshme të njerzimit duhët të përshkruhën herë me një stil e herë me një tjetër, në mënyrë që shpirti i shqetsuem i atij që shkruen të ushqehët me veprën që krijon, gjithashtu, tu kënaqet shpirti edhe lexuesve…Këtej rrodhi që unë i randuem nga pesha e një barre kaq të madhe, e gjykova ma të arsyeshme të rrij në heshtje sesa tua vras veshin lexuesve…Mirëpo, nga ana tjetër kur mu kujtue fatkeqësia e madhe e Atdheut tem aq të dashtun, por edhe besnikia e pashembull që kurdoherë ka tregue populli shumë besnik i Shkodrës… kur, mu kujtue edhe fitoria lavdiplote që korrën shkodranët kundër terbimit të të gjithë atyne barbarëve të pashpirtë, merita këto të cilat në asnjë mënyrë s’duhën lanë në harresë, pse do të ishte mosmirënjohje, madje, mund të japim mbi të gjitha material të shkelqyeshëm për me shkrue e, pra, meritojnë patjetër të nxirrën në dritë, atëherë, vendosa ti përveshëm kambë e krye kësaj pune madhështore.�Qellimi ishte që të dukej se e kryej detyrën teme ndaj Atdheut si qytetar i ndershëm dhe, se u dëshroj nder’ e lavdi atyne qytetarëve aq besnikë. Aq fort i ranë Shkodrës dhe aq i shkallmuen shkodranët me muej e muej ata mijra barbarësh saqë, nuk do të na bante një përshtypje ma të madhe rrethimi i dikurshëm i Saguntit në Spanjë, ose ai i Kasilinit në Itali, kur i pat dermue me ushtritë e veta ai udhëheqësi i tmershëm i Kartagjenasve, ai burri i fortë Hanibali.” (f.17-18).“Sot Shkodra, asht qendra e bregut të Maqedonisë dhe e asaj pjesë së Dalmacisë, që e ka afër…Mbi origjinën e saj nuk kemi fakte, nuk kemi asgja të sigurt, mandej, nuk ka mbetë asnjë kujtim rreth saj; sepse, qyteti mbasi u dogj dy herë nga barbarët dhe mbasi u shkatërrue nga Anici, pretor i Romakëve, u dogj krejt edhe vetvetiu. Edhe dihët fare mirë se, në këte kohë u dogjën të gjithë monumentët e vendit dhe të gjitha shkrimet historike të këtij qyteti… (f.27) “Thonë, se Shkodrën e themeloi njëfarë Johani, princ shqiptar… që u dëbue, kur e detyruan të largohej prej qytetit, ndërsa po nisej, e paska namë Shkodrën tue lëshue mbi té mallkimet dhe namët ma të mëdha. Unë kishe me thanë se i Madhi Zot duhët ti ketë marrë parasyshë lutjet e atij njeriu në kjoftë se ka kenë burrë me të vërtetë i mirë, sëpse, qytetin e Shkodrës dhe krejt atë krahinë gjithmonë e kanë merzitë anmiqtë ma mizorë; të gjitha të zezat i ka provue ai vend…” (f.29) “Ky qytet sot ka fitue nam të madh, sëpse historia e tij asht me të vërtetë madhështore… Asht një qytet i fortë prej natyre, por i fortë edhe prej dorës së njeriut…. Pjesës së poshtme të këtij qyteti i binte përmes lumi Drinit, mbi të cilën ishte ndertue një urë guri e mrekullueshme, që ishte aq e gjatë saqë shkonte e prekte Bunën… (f.30) “… Kur u pa se vetë fortesa paraqitej si vend ma i sigurt, shkodranët filluan ta përqendronin qytetin vetëm mbrenda atij rrethi. Dhe me të vërtetë kjo qytezë, për natyrë që ka bie thik nga të katër anët me përjashtim të asaj anë që asht nga veriu, aty zbret si të thuesh me njëfarë pjerrësie dhe aty afër me distancë sa me hjedhë një shigjetë, ndodhet një kodër plot vneshta e ullishta….e, asht quejt kodra e Pashës. Nga qyteza syni i përlanë të gjitha fushat përreth. Sot rranzat e qytetit andej nga lindja i lagë një degë e vogël e Drinit, kurse nga përendimi kalon Buna…” “Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e detit të Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të Krishtenëve. Pra, Otomani tue marrë parasyshë këte, ka ushqye një shpresë shumë të madhe me e shti në dorë, sëpse në këte mënyrë do ti vinte shumë lehtë me hy edhe në Dalmaci, n’Iliri dhe në Daunie…”. “Maji 1474. Do të shkoja shumë gjatë po të tregoja sesa mijë turq lanë jetën aty me turp, sesi shkodranët tue luftue aq burrnisht mbrojtën vetën, Atdheun, gratë e fëmijët e tyne; kështu Turku, si u lodh mëkot, u tërhoq me turpin ma të madh; … shkodranët fituan nám e lavdi të pavdekëshme për këte fitore të lartë e të shkëlqyeshme nën udhëheqjën e Rektorit Anton Loredanit… E, sulltani, me qellim që shpirti i tij të ndezej gjithnjë e mashumë për atë fushatë, paguante njenin, që dita ditës t’ia kujtonte sulmin që duhej të bante mbi Shkodër.” (f. 31-32) “Me 15 qershor 1474, arriti edhe një numur i madh njerëzish nga garda e Sulltanit, që në gjuhën e vendit i quajnë Jeniçerë (trupa e ré). Këta burra thuajse të gjithë janë të krishtenë edhe u janë marrë me pahir prindëve të tyne… Nga këta burra kishin ardhë rreth pesëmijë vetë. … disa ushtarakë të Sulltan Mehmetit, të cilët dëshmonin se ishin të krishtenë, iu afruan tinëz ledheve të qytetit dhe i lajmëruan shkodranët se Kruja ishte dorëzue… Krutanët kishin kenë të detyruem me iu dorëzue turkut jo nga frika, por vetëm nga nevoja sëpse kishin kalue një kohë shumë të gjatë që e kishte rrethue anmiku dhe ishin mbarue thuejse fare të gjitha ushqimet e, nuk kishin pra mëse të ushqehëshin …Kruja asht një qytet i Shqipnisë, kështjellë shumë e fortë dhe një çels fare i sigurt i asaj krahinë… ajo qëndron mbi një shkamb shumë të naltë dhe nga të katër anët bie thik; rreth e përqark ka fusha të mëdha; në ato fusha luftoi Cezari kundër Pompeut …Thonë, se, Sulltani kur paska pa pozicionin e qytetit të Shkodrës dhe mbasi paska vërejtë mirë nga çdo anë fushat përreth e paska lavdue Shkodrën sa s’ka dhe, paska thanë: “Oh, se ç’vend të shkelqyeshëm e të lartë paska zgjedhë Shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëve të vet” (f. 44).“Atëherë u ngrit një shqiptar, fra Bartolomeu… ishte tregue trim dhe i zoti nën udhëheqjën e të madhit Skenderbe, në luftë kundër turqve… e dini mirë o shokë lufte, se ky tiran dinak e i poshtër asnjë vend të fortifikuem të krishtenësh nuk ka pushtue me armë, por gjithmonë vetëm me dredhi e trathti ose me marrëveshje, me premtime e me besë, të cilat masandej nuk i ka mbajtë aspak… Po a kujtoni, ju, o shkodranë, se po të dorëzoheni do të ju falë ai?… Do ta bajë copë copë mishin tuaj ashtu si ban kasapi me dhentë në thertore, ai do të ju shkyjë gjymtyrët tueja! A nuk i mbyti në mënyrën ma barbare fqinjtë tanë krutanë, të cilët nuk ka dy ditë që u dorëzuan?… E kur u dorëzue qyteti i Theodozizë, që sot quhët Kafa dhe gjindët në bregun Taurik, sa të krishtenë i preu në besë dhe i vrau! Sa burra i nguli ndër hûnjë atje në Lesb! Po çka të tham masandej përsa të tjerë që ka vra e pré mizorisht ndonse në moshë të njomë e, gjithmonë tue i pré në besë?… Shto masandej, veç kësaj, edhe vese të tjera si shfrenimin e tij, mendjemadhësinë, ai (siç thonë) qyshë në moshën ma të vogël i mori këto vese, u ba i pashpirtë, i pafëtyrë, i pafrê, me njëfjalë i poshtër në çdo pikëpamje…�Tashti a mund të besohët se një shpirt kaq mizor e i ndytë, të shporret në pleqni prej të gjitha këtyne të zezave që prej natyre lindin në gjak qysh në moshën ma të njomë?… Çfarë poshtërsishë nuk ka ba ai njeri: çdo flligshti; ai ka shnderue, ai ka thye kunorë. Ai ka dhunue Kishë, ka hjekë të gjithë meshtarët, ka ngatrrue urdhna, ka perly mbretni e, gjithnjë asht orvatë të ngatrrojë e të shuaj çdo gja religjoze, të madhnueshme e të ndershme, a ligjët a kanunët e jetës, a zakone, a besë e nderë, apo çdo disiplinë të drejtë…Né na asht ngarkue barra që të mbrojmë Fenë Katolike edhe të gjithë krishtënimin, pra, mjafton kjo me na nxitë që të derdhim gjakun tonë deri në pikën e fundit… Kjo do të jetë për ju dafina e përherëshme, kjo do të jetë diadema e shkëlqyeshme dhe e pavdekshme, kjo do të jetë palma, ky do të jetë ngadhënjimi i juaj i vërtetë e, qysh sot si ju, ashtu edhe Shkodrës do ti dalë nami në të katër anët e dheut. Që sot të gjithë popujt e të gjitha kombët për hirë të trimnisë suej, me të drejtë do ta quajnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë Fesë së vërtetë… mbrojeni trimënisht me hekur qytetin e Atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun deri në pikën e fundit!” (f. 51) “Sulltani vetë ju drejtue të pranishëmve me këto fjalë: “Ju po e shihni mirë burra se u bane tre muaj që e kemi rrethue këte qytet e me çfarë rrethimi! Edhe plasëm tue e rrahë nga të katër anët me artileri të çdo kalibri; ledhët thuejse i kemi rrafshue përdhé; fortifikimët i kemi rrënue… duhët trimnisht edhe të hakmerreni për kërdinë e dikurshme. Ngopuni sa të mundeni me gjakun e të krishtenëve, sëpse kështu na mëson kanuni ynë; duhët të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë.” (f. 45 – 63). “… Njerëzia as nuk ndigjonin as nuk shihnin ma gja me sy. Toka ishte ba krejt tym e barut e dukëj se deri qielli ish turbullue e po shembëj, kaq mbizotnonte në të katër anët pështjellimi, rrëmuja, errësina.” “Të njajtin qendrim burrnor mbanin edhe gratë, të cilat në çdo pikëpamje s’u lëshonin rrugë burrave, a për zêll a për gatishmëni, a për punën e parreshtun për me pregatitë çdo gja që kishte lidhje me shpëtimin e Atdheut. Gratë, natyrisht, si seks i butë, meritojnë levdata të veçanta për veprime të tilla. Ato bashkë me burra u ngjitëshin fortifikimeve, luftonin trimnisht me armikun; shumë prej tyne mbetën të vrame nga artileria”. (f. 76). “Mirëpo turqit nuk mbaronin kurrë, sëpse ishin të panumër, ata s’pushonin kurrë së luftuemi, u vinin gjithnjë forca të reja; përkundrazi të krishtenët tashma mëzi po rezistonin, mëzi po mbrohëshin. Ndër barbarët njena palë zëvendsonte tjetrën, edhe hypnin mbi grumbujt e kufomave, në këte mënyrë formuen njëfarë shkalle për me iu futë qytetit përmbrenda. Ndërkaq armiku gjithnjë shtinte në top kundër të krishtenëve dhe, asnjë gjyle nuk shkonte bosh, kështu bahej kërdi ndër të rrethuemit. Njëherë u vranë tetëmbëdhetë vetë të krishtenë vetëm prej një gjyles së gurit e, kjo kërdi vazhdonte papushim; gjylet nuk mbaronin kurrë… toka ishte e mbulueme me gjyle e shigjeta, deri litarët e kumbonëve nuk shiheshin ma nga shigjetat e nguluna në to. Shkodranët, për një muaj rresht për me ndezë zjarrin nuk përdornin dru tjetër përveç shigjetave të armikut. Sa neveri të vinte me shikue nëpër ajër gjymtyrët e te krishtenëve, të cilët i coptonte topi; nuk kishte vend në fortifikime e në mure ku mos të gjindeshin copa mishi. Të gjitha lagjët e qytetit, rrugë e rrugica ishin lye e zhye me gjakun e të krishtenëve. Shtëpitë shembëshin, Kishat rrafshoheshin përdhé… Kaq me shumicë vinin predhat dhe kaq të denduna ishin krizmat e goditjet e tyne, sa me të drejtë mund të krahasoheshin me breshnin.” (f. 88) “Ah sikur mos t’ia kisha ndigjue kurrë zanin Shkodrës! Kot erdha; të gjitha përpjekjët e mija shkuan kot!”. Pastaj, mori guximin e çka nuk volli nga goja e vet kundër të Madhit Zot që nuk ia kishte plotsue dëshirat dhe nuk po e lente me sundue botën, ashtusi pat lanë dikur Aleksandrin, mbretin e Maqedonisë dhe Jul Cezarin. Shtonte mbasandej, se po të donte Zoti të mbahej si një rival i tij, Atij i mjaftonte sundimi i qiellit…” (f. 90). “Flor Johima, komandant i rojeve të Shkodrës, shumë i zoti si në luftë ashtu edhe në paqë… Brofi në kambë dhe biseda e tij kjé kjo: Qytetarë trima! Besoj, të gjithë e dini se deri në çfarë pike arrinë zemrimi i padrejtë e i padurueshëm i barbarëve…. pa kenë ngacmue njëherë nga ana e jonë. Na atyne nuk u kemi ba asnjë të padrejtë e ata janë që na kanë plaçkitë tokat tona, na kanë dhunue për turp çdo gja të Shenjtë e njerëzore… për një vit që jemi të rrethuem. Po ku ka besë barbari? Ku ka ai ndjenja njerëzore? Ku ka ai mëshirë? Ai, si i thonë një fjale, nuk ka as idenë e mëshirës. Ai veç në mos kjoftë i zoti, se përshpirt dhambët e vet do ti ngulte në mishin tonë dhe të fëmijve tonë edhe do të na shkyente përsëgjalli. Do të ishte shumë e randë dhe e vështirë bashjetesa ndërmjet nesh e barbarëve, sëpse na jemi shumë larg prej tyne me fé, me zakone e me natyrë. Ata gjithnjë synojnë të hakmerrën tamam si bishat e egra …Po çka të thom pastaj për mënyrën e të jetuemit e për zakonët e tyne? Për kuvendët e djallëzueme të tyne? Për miqësinë e shoqninë e tyne? Na me këto punë jemi aq larg sa janë njerëzit prej kafshëve të egra. Ndërsa, të gjithë popujt simbas rregullave ma të lashta kanë qëndrue të matun e të përkurmë edhe gjithmonë i kanë urrejtë ma së forti flligështitë e trupit, përkundrazi, këta kanë përhapë disa zakone që nuk mund të thuhën me gojë dhe, në këtë mënyrë i kanë hapë shteg vetës së tyne për të gjitha aktet ku janë ma të poshtrat. Ata nuk kanë të ndalueme të thyejnë kunorën e martesës edhe me një njeri të farëfisit, të ndjekin andjet e poshtra të mishit e të gjakut, menjëfjalë, të bajnë çdo poshtërsi e paturpësi.… Prandej, këta nuk kanë asnjë ndryshim nga bishat e egra, madje, mund të thuhët se janë edhe ma të këqij, sëpse bishat veprojnë simbas instiktit ashtusi ua ka dhanë natyra, e këta përkundrazi me një lakmi e etje të furishme, lëshohën si të tërbuem ndër të gjitha mbrapshtitë… nëkjoftëse, nuk doni të kujdeseni për vetën tuaj, të keni parasyshë të paktën fëmijët tuaj dhe mbasardhësit tuaj, sëpse këta tue jetue pranë tyne do ti kapë sëmundja, epidemia, do të infektohën randë. Do të duroni ju që fëmijët tuaj të rritën dhe të edukohën në gjithë këte llom vesësh? Në mes të gjitha këtyne zakoneve kaq të liga? Kujtoni, ju, se fëmijët tuaj do të dalin njerëz të mirë e të ndershëm në mes të një murtaje kaq të randë dhe në gjithë këte pellg mbrapështishë?…E çfarë poshtërsie! Tmer! Ata rrëmbyen nga krahtë e nanava të krishtena foshnjët dhe fëmijët e rritun edhe ua hoqën sytë prindëve, i vërbuan. Ata dhunuan gratë ndër sytë e burrave të tyne; ua çnderuan vajzat; torturuan mashkujt ashtusi u pëlqente atyne, i banë skllavë dhe i mbajtën si bagëti. E kush do të ua ndalojë atyne që të veprojnë prap ashtu? E kush do të ua presë hovin? Ku do të ankohemi na? Kujt do ti kërkojmë ndihmë e mbështetje? Ata do të jenë vetë fajtorë e vetë gjyqtarë. Sigurisht vullneti juaj do ta ndjekë këshillen që po ju jap. Pra, ju, o qytetarë, ju zonja e ju djelmë, mundësisht, mos të humbim kohë: Të ikim nga ky Atdhé i pafat e i mjerë; të shporremi nga këta njerzë mizorë e të humbun!” (f. 99 – 103).

Filed Under: Analiza

“VELLOJA E KRYQËZUAR” APO ROMANI PËR DASHURINË DHE LIRINË

October 16, 2024 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Ditë më parë doli në dritë romani “Velloja e kryqëzuar”, i krijuesit shqiptaro-amerikan, Prend Ndoja. Proza e shpërfaqur në këtë roman është një prozë sa tradicionale, aq edhe moderne. Një rrëfim tepër i sinqertë, i bazuar edhe në ngjarje reale të marra nga një kohë tepër e vështirë e atdheut të shkrimtarit. Romani, përveç thurjes së ëndrrave dhe realizimit të një dashurie të sinqertë në mes dy të rinjve, shpërfaq edhe nuanca idealiste, për të mos thënë edhe romantike, të cilat aspak nuk ia dëmtojnë qëllimin autorit për të dhënë mesazhe artistike përmes kësaj forme letrare.

Përveç gjendjes së rëndë në kushte robërie të njeriut shqiptar të Kosovës, autori lexuesit i ofron shumë informacione që ndërlidhen me kushtet e rënda dhe dramatike të një populli që jeton dhe ndërpritet dhunshëm në zhvillimin e tij normal nga një shtet dhe pushtet kriminal siç ishte Serbia apo bota sllave në përgjithësi, karshi popullit shqiptar.

Ngjarjet në roman zhvillohen brenda një periudhe bukur të gjatë kohore, ndoshta 12-vjeçare, ku shpërfaqen shumë aspekte, siç është mungesa e lirisë, dhuna psikologjike dhe fizike ndaj popullit të tij e veçanërisht ndaj rinisë studentore, intelektualëve dhe të gjithë atyre që në forma të ndryshme kundërshtuan robërinë dhe dhunën, duke aspiruar lirinë. I tillë është edhe personazhi kryesor i romanit, Lisi, që në roman përfaqëson një brez që lind, rritet, shkollohet dhe zhvillohet në kushte të rënda okupimi. Lisi është sinonim i të riut idealist, të guximshëm, i cili, në një moment të vështirë të jetës, detyrohet të lëshojë atdheun dhe të ik në perëndim, përkatësisht në Amerikë, duke lënë prapa vetes një dashuri të filluar dhe një atdhe të pranguar. Atje ai ndërton ëndrra të tjera, perspektivë të re, duke treguar përkushtim, guxim dhe arritje në fushën e biznesit, por pa e harruara asnjëherë atdheun dhe dashurinë e lënë peng në Kosovën e tij, që digjej e përvëlohej në flakët e luftës. Krahas kësaj, autori Ndoja, përmes prozës së tij, arrin të na jap tablo nga lufta për liri që zhvillohet në Kosovë, por edhe të ndërtojë imazhin e një populli që punon dhe lufton për lirinë e vet, pavarësisht sakrificave dhe pasojave.

Në anën tjetër, e dashura e tij, Era, një emër sa simbolik aq edhe domethënës, simbolizon bukurinë, karakterin, mençurinë dhe besnikërinë e femrës shqiptare. Përveç kësaj, Era është edhe sinonim i femrës shqiptare të legjendave dhe të këngëve të lashta, që sakrifikohen për të mirën e përgjithshme, duke ruajtur nderin dhe besën e dhënë.

Më duhet të themi se romani “Velloja e kryqëzuar” i Prend Ndojës është një roman që karakterizohet për shumë aspekte, si në aspektin tematik, ashtu edhe në atë narrativ dhe sintaksor. Është një prozë që lexohet me një frymë, jo për shkak të temës dhe ngjarjeve që trajtohen, por edhe për shkak të bukurpërshkrimit dhe bukurndërtimit. Është i shkruar mirë, bukur dhe rrjedhshëm, që lexuesin përveç që e bën kurioz, atë e mban gjithnjë në ankth dhe të interesuar për ato që do të ndodhin na faqet në vazhdim……

Me një fjalë, romani “Velloja e kryqëzuar” i Prend Ndojës është romani për dashurinë dhe lirinë. Roman për sakrificën e brezave shqiptarë për liri dhe krahas saj, edhe roman i besës së dhënë dhe i ëndrrave të vrara e të ndërprera dhunshëm nga pushtuesit e Atdheut të shkrimtarit.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 702
  • 703
  • 704
  • 705
  • 706
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT