• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përpara certifikimit të Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të duhej të njihej shteti, simbolet dhe dokumentet e Republikës së Kosovës

January 7, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të tij zyrtare është një element kyç për ruajtjen e sovranitetit dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Ky kusht është i lidhur ngushtë me funksionimin e institucioneve dhe ndërtimin e një shoqërie të integruar, ku njohja e shtetit është themeli për pjesëmarrjen e çdo subjekti politik në proceset demokratike.

Lista Serbe, e cila pretendon të përfaqësojë interesat e komunitetit serb në Kosovë, ka sfiduar vazhdimisht autoritetin dhe legjitimitetin e shtetit të Kosovës përmes veprimeve të ndryshme:

Refuzimi i simboleve dhe dokumenteve të Kosovës: Shembuj të tillë janë refuzimi i targave të Kosovës (2022), që nxiti tensione në veri dhe pengoi zbatimin e vendimeve shtetërore, si dhe përdorimi i dokumenteve serbe në vend të atyre kosovar.

Bojkoti i institucioneve të Kosovës: Në vitin 2018, Lista Serbe bojkotoi Kuvendin e Kosovës pas miratimit të Ligjit për Ushtrinë, dhe në 2022, përfaqësuesit e saj dhanë dorëheqjen nga institucionet lokale dhe qendrore në veri si kundërpërgjigje ndaj masave të qeverisë për zbatimin e ligjit.

Varësia nga Beogradi: Lista Serbe ka shpesh vepruar si një instrument i politikave të Serbisë në Kosovë, duke minuar përpjekjet për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare.

Rëndësia e njohjes së shtetit dhe simboleve të Kosovës

Njohja e shtetit dhe simboleve të Kosovës është e domosdoshme për ruajtjen e sovranitetit dhe për funksionimin e institucioneve demokratike. Pa këtë njohje, rrezikohet minimi i shtetit nga brenda, siç ilustrohet nga përdorimi i dokumenteve serbe dhe pengimi i autoritetit shtetëror në veri.

Njohja e këtyre simboleve ka gjithashtu rëndësi për legjitimitetin e institucioneve demokratike, pasi pjesëmarrja në to duhet të bazohet në pranimin e shtetit. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në ndërtimin e besimit dhe integrimin ndëretnik, duke forcuar stabilitetin dhe bashkëjetesën.

Shembuj ndërkombëtarë të rasteve të ngjashme

Irlanda e Veriut – Marrëveshja e Good Friday (1998): Përfshirja e Sinn Féin-it në qeverinë e përbashkët të Irlandës së Veriut ishte e mundur vetëm pasi ata pranuan institucionet e Mbretërisë së Bashkuar si legjitime, duke hequr dorë nga dhuna.

Bosnje-Hercegovina – Marrëveshja e Dejtonit (1995): Pas luftës në Bosnje, të gjitha palët, përfshirë Republika Srpska, ishin të detyruara të respektonin shtetin e përbashkët, dhe çdo sfidë ndaj tij ka sjellë ndërhyrje ndërkombëtare dhe sanksione.

Katalonja dhe Spanja: Pjesëmarrja e lëvizjeve separatiste katalanase në zgjedhjet kombëtare ka qenë e mundur vetëm nëse respektonin Kushtetutën e Spanjës, dhe ata që kanë kundërshtuar këtë kusht kanë përfunduar me sanksione ligjore.

Strategji për implementimin e këtij kushti

Për të siguruar që Lista Serbe të njohë shtetin e Kosovës, mund të ndërmerren këto hapa:

-Deklarata përkushtimi ndaj Kushtetutës së Kosovës: Çdo subjekt politik duhet të dorëzojë një deklaratë ku pranon Kushtetutën dhe simbolet e Kosovës për të qenë të certifikuar.

-Kushtëzimi i financimit publik: Subjektet që nuk respektojnë Kushtetutën duhet të përjashtohen nga fonde publike.

Mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë: Kosova mund të kërkojë mbështetje nga SHBA-ja dhe BE-ja për të ndërmjetësuar këtë proces.

Zbatimi i ligjit në veri: Zbatimi i ligjit duhet të forcohet në veri për të eliminuar strukturat paralele dhe për të mbështetur sovranitetin shtetëror.

Kushtëzimi që Lista Serbe të njohë shtetin dhe simbolet e Kosovës është një hap i nevojshëm për forcimin e institucioneve shtetërore dhe ndërtimin e një shoqërie të integruar. Ky proces është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Filed Under: Politike

TË KAPUR ME THONJ E ME DHËMBË PAS PUSHTETIT

January 7, 2025 by s p

Kosta Nake/

Duke perifrazuar dhe shqiptarizuar fjalët e kantautorit anglez Stivën Morisei ato do të metamorfizoheshin kështu: “Blloku ishte në radhë të parë një biznes dhe publiku shqiptar duhej të financonte jetën luksoze të tij.” Atëherë nuk ishte ndonjë luks i madh krahasuar me vilat e pushtetarëve, oligarkëve dhe pasunarëve të sotëm të fryrë me para krimi e korrupsioni, por krahasimisht me kushtet e jetesës të pjesës tjetër të popullsisë. Një shkallë përposh Bllokut ishte një kastë tjetër e madhe të privilegjuarish që shërbente si amortizator i pushtetit dhe si filtër për të shkuar nga arat, fabrikat, kantjeret te maja e piramidës. Pikërisht kjo kastë, e përfaqësuar nga familja Bendo, është sjellë nga autori duke filluar nga mesi i viteve ’80 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Tre vëllezër: Bejto, Sadiku me bashkëshorten Lefteri, Beniami me bashkëshorten Nausika dhe familjarët e tyre që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj shtetit të diktaturës së proletariatit, mbijetojnë ose e pësojnë. Vepra ndjek hullinë e romanit klasik me një vijë lineare të subjektit, me dy-tri thyerje digresive, duke kaluar nga një familje te tjetra, me një hapësirë disi më të gjerë për poetin Beniamin Bendo.

Për këtë personazh mund të të shkojë mendja te një shkrimtar real, ish-partizan trim, i cili, gjatë një vizite jashtë shtetit, u tremb nga një fëmijë që i drejtoi një pistoletë plastike të mbushur me ujë. Nuk ka rëndësi përputhja apo devijimi nga incidenti real, frika që zhbëri figurën e trumbetuar të trimit, e fut veprën në një shteg ku gjithçka që do vijë më pas do të spërkatet me pompën e satirës dhe humorit. Ja një nga spicat e fillimit që i futen poetit Beniamin: “Me një gjest krejt spontan, ngriti me dorë një tufë leshrash derdhur pa kujdes mbi ballë… për t’u kujtuar kolegëve se ishte po ajo lëvizje që bënte me leshrat e veta edhe poeti i famshëm sovjetik, Majakovski.”

Fushën e letërsisë e të arteve do ta plotësojnë edhe dy figura të tjera – kritiku Shazivar Fundo dhe skulptori Martin Shpiragu, të cilët, edhe pse të vendosur në skalionin e dytë të karaktereve, do t’i kujtojnë lexuesit njerëz realë. Kritiku Shazivar Fundo – llafazan trim e vetullzi, i njohur për shtatin e shkurtër, i ka provuar xipat e hostenit edhe në veprat e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, sigurisht i pagëzuar me emra të tjerë, Mitro Karapataqi te “Arka e djallit” dhe Zija Shkurti te “Dimri i vetmisë së madhe”, por që janë trinjakë nga thonjtë e këmbëve e deri te fijet e flokëve.

Skulptori Martin Shpiragu është një nga ata që realizuan shtatoren vigane të Udhëheqësit dhe ideatori i maskës së fytyrës gjatë ditëve të kufomës mbi tokë dhe pastaj i kokës së shtatores.

Përveç Kadaresë, edhe autorë të tjerë janë përpjekur të hedhin dritë mbi atë që ndodhte të kupolën e Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike. Në harkun e një viti kam lexuar trilogjinë “Psherëtima e një qyteti” të Thoma Angjellarit dhe romanin autobiografik “Vila me tri porta” të Vera Bekteshit. Ylljet Aliçkaj ka ardhur me qasjen e vet duke kapur si detaj letrat që i drejtoheshin Udhëheqësit nga bashkëpunëtorët që dilnin tradhëtarë e dënoheshin me pushkatim. Kështu ndodhi edhe me Bejto Bendon, besnik i palëkundur i Partisë dhe Enverit, letër që përfundoi çuditërisht me porosinë “Para se të pushkatohet, tradhëtarit t’i shkulet mishi me darë dhe t’i hidhet ca kripë në plagë.” Kërkesa e fundit e Bejtos ishte që ta lejonin të mbante në gji portretin e Udhëheqësit. Letër i shkruan edhe Sadiku për t’u distancuar nga i vëllai, madje i ofron edhe shërbimin si spiun. Për këtë letër reagimi i Udhëheqësit është: “Po pse, mo qen, bir qeni, pse nuk u kujtove më parë të bëheshe spiun familjar?” E njohur është edhe letra që la ish-kryeministri para vrasjes ose vetvrasjes, kurse ish-ministri i Ekonomisë para togës së pushkatimit kishte thirrur: “O shoku Enver, marrsh nga ditët e mia!” Kjo marrëdhënie me viktimat nxjerr në skenë edhe një nga ekzekutorët, prokurorin Janaq Kristo, një kriminel i shëndetshëm, shpirtkazmë në shkallën sipërane.

Shpotitës është autori edhe me Enver Hoxhën që “me vetëm një votë të tijën, nuk kishte forcë t’i kundërvihej shumicës… dhe u detyrua të pranonte vendimin unanim të shokëve që Udhëheqësit t’i kufizoheshin oraret e qëndrimit në punë.”

Telashi i dytë i madh i ndodh poetit Beniamin Bendo me vdekjen e Udhëheqësit. Duke dashur që poezia e tij të bëhet pjesë e Antologjisë kombëtare kushtuar Udhëheqësit të pavdekshëm, poeti guxon ta kritikojë: “Vdiqe i heshtur e askujt s’i the/ Po pse? Po pse? Po pse?” Kaq mjafton që të dënohet duke u dërguar një vit për riedukim në fshat. Gara me vrap nga treni për të prerë bileta për autobuzin e linjës, përvojë që e kemi provuar masivisht me linjat e autobuzëve ndërqytetas, zbulon dhimbshëm se çdo të thoshte riedukim në fshat, pasuar edhe nga skena të tjera si ndarja e karameleve të jashtme dhe injoranca për të dhënat e armës luftarake. Grotesku kulmon kur Pashku, kryetar i këshillit të fshatit, i kërkon Beniaminit të shkruajë vjershë për arrestimin e Nevzatit, sabotatorit të pasurisë socialiste, këlyshit të një familje diversanti. E vetmja rreze drite nga jeta e fshatit mbetet flirti i Beniaminit me kuzhinieren, pas vështrimeve epshore dhe takimeve të rastësishme baritore te burimi.

Gjenerata e re përfaqësohet nga fëmijët e vëllezërve Bendo, një portretizim më i plotë është ai i Vladimirit, djalit të madh të Sadikut, i cili fliste shkurt, thoshte gjërat më të nevojshme “natyrisht në përputhje me vijën e Partisë.” Ka një lëvizje paralele mes atit e birit: Sadiku distancohet nga vëllai i pushkatuar, Vladimiri ndahet nga Aida, bija e gjeneralit të shpallur armik dhe i kërkon asaj të abortojë beben dymuajshe. Martohet brenda një jave me Gjenovefën, bijën e një oficeri të lartë policie, për të plotësuar kushtin e diplomatëve që shkonin jashtë shtetit dhe duhej të ishin të martuar.

Autori është përpjekur të pasqyrojë atë mëdyshjen e madhe të brezit të tretë kur gjërat filluan të ndryshojnë. Më të lehtë e ka Beniamini që provon me hajkun, shumë të vështirë e ka komunisti Sadik, veterani i luftës. Janë tri pyetje që duan përgjigje: A mund të jetojë ai pa idealin e luftës së klasave? A do ta kuptonin dot udhëheqësit e rinj se në atë regjim të gjithë ishin bashkëvuajtës e bashkëfajtorë? A do të hapeshin kufijtë për të hyrë në Shqipëri me kuç me maç? Ka një përgjigje nga pasardhësi i Udhëheqësit: Të pranohet pluralizmi politik, të lejohet sharja e sistemit komunist, por kursesi nuk duhet dorëzuar pushteti.

Pjesa e dytë e romanit ka në fokus ndryshimet e mëdha pas ndryshimit të sistemit politik. Lirohet nga burgu Rudiani, djali i Bejtos me deklaratat e forta: “armiku më i madh i persekutorëve është kujtesa”, “çdo krim i pandëshkuar është krim që vazhdon,” “nuk kemi qenë të gjithë bashkëvuajtës,” “çdokush i mat gjërat me kutin e interesave të tij, protagonizmit, përfitimit, sipas moralit që i përshtatet më mirë.” Nga ana tjetër, si detaj i ri i viteve të burgut vjen kërkesa e të burgosurve që nuk realizonin dot normë e nxjerrjes së kromit, për të thyer kockat e krahut.

Vladimiri mbetet fillimisht pa punë. Familja e krijuar me nxitim për motive jashtë dashurisë, merr tatëpjetën. Ai themelon fondacionin “Ringjallja e vlerave kulturore kombëtare” dhe në statut fut edhe shitjen e titujve të fisnikërisë jashtë vendit: bej, aga, efendi, bajraktar, nga ku autori gjen rastin për të ironizuar disa shqiptarë që kishin blerë titujt Personalitet i Shquar i Shekullit apo Globit me ato botimet që reklamoheshin me bujë. Gjenofeva nga ana e saj lidhet me një shoqatë italiane dhe flirton me drejtuesin e saj, i cili “për arsye pune” e merr të vizitojë zyrat në Brindizi, “pikërisht në kohën kur prirja e Vladimirit kundër tradhëtisë bashkëshortore po shpalosej më hapur se kurrë.”

Ndryshimi i madh ndodh kur Vladimiri bëhet filantrop, shkon në krahinën që ishte vendlindja e të atit dhe dhuron kostume sportive për skuadrën e futbollit dhe rrëmben titullin Qytetar Nderi. Shitja e titujve të rremë të fisnikërisë shqiptare kthehet sa në biznes fitimprurës, aq edhe në akt turpërues. Gjenovefa e detyron t’i japë titull dashnorit të saj, kurse një titull tjetër shitet dy herë duke e çuar përballjen në gjykatë.

Ndodh si me Arsen Mjaltin te romani “Stinë pandemie” i Fatos Kongolit – Vladimiri bën fushatë për deputet dhe fiton duke u dalluar për goditjen e kundërshtarit papandehur dhe aftësinë për blerjen e votave, “u përshtat me sjelljet dhe veshjet e një politikani të ri me pespektivë: burrë i pashëm, me gjykim të shëndoshë, lehtësisht i dhjamosur…” Dikush zbuloi se kishte qenë i angazhuar me Sigurimin e Shtetit dhe pozita e tij u lëkund, por partia e mbajti në gjirin e vet. Janë ndodhi që na vendosin në bashkëkohësi dhe na kujtojnë sakaq figura ministrash e kryetarë bashkish që i janë dhënë drejtësisë apo që politika e ka penguar drejtësinë të veprojë mbi ta.

Edhe sikur familja Bendo të ishte e madhe sa ajo e Forsajtëve të Gollsuortihit, nën çatinë e saj nuk do të mund të strehohej gjithë jeta tiranase, prandaj autori sjell dhe një numër detajesh të tjera për ta zgjeruar skenën e veprimit: Shoqatat e pajtimit të gjaqeve dhe shoqata e ish-të burgosurve japin dëshmi të rreme me pagesë për t’u krijuar mundësi të interesuarve të kërkojnë azil jashtë Shqipërisë. Përmendet lëvizja studentore shoqëruar me dyshimet se mos ishin të manipuluar nga armiqtë e jashtëm. Rigrupohen veteranët për të ndikuar te bashkitë që emrat e rrugëve të mbushen nga lista e tyre fisnore.

Udhëtimi i poetit të varrezave Beniamin me Faslliun, përgjegjës i një zyre funerale drejt Vlorës për të marrë një xhenaze, përdoret si artificë për të treguar ngritjen e skemave piramidale që sollën rënien e shtetit. Udhëtimi që bëhet përmes pikave të shumta të kontrollit të bandave, zbulon atmosferën konfliktuale me tifozllëkun Nano-Berisha. Në një farsë kthehet edhe rivarrimi i të pushkatuarve nga diktatura, kur sheh që pjesë e kortezheve bëhen ata që dikur duartrokisnin e brohorisnin për ekzekutimin e viktimave.

Dyshimi i kryetarit Pashk se edhe te karamelet e sjella nga jashtë mund të kishte veprime keqdashëse të sigurimeve të huaja, tregon shkallën e lartë të indokrinimit të njerëzve të paditur.

Vladimiri e Lina kujtojnë shokët e tyre të gjimnazit, Andrean dhe Petron, për të treguar dramën e madhe të librit artistik. Andrea: “Eh. Librat, tani i kemi sa të plasim, i shkelim me këmbë e s’i lexojmë… Qoftexhiu i lagjes sime i mbështjell qoftet me fijet e holla të Biblës, kurse me faqet e Uliksit të Xhojsit bëjnë kaush për të shitur caracë e hide.” Ky deklarim përfton një antitezë me atë qasje të etshme ndaj “librave të ndalur” të kohës së socializmit si “Harku i Triumfit” i Remarkut, “Neveria” i Satrit, apo Bibla.

Romani mbyllet me epilog. Sarkastik është përshkrimi i fatit të Ema Bendos, bijës së Sadikut: Militante në radhët e shoqërisë civile, rebele e frymëzuar nga Simone de Beauvoir, Virginia Woolf, Oriana Fallaci, e aftë të dallonte politikanin vizionar nga ai i korruptuar, asgjësuese e kundërshtarëve me të qeshurën e saj të zhurmshme dhe përdorimin e fjalëve të ndyra, ndërruese partish, “e prirur për t’u dalë në krah vetëm humbësve,” e vlerësuar nga ndërkombëtarët si qenie me prirje vizionare. Si tangente domethënëse mbi fatin e karaktereve ngrihet tymi dhe gjëmimi katastrofik i demontimit të municionit luftarak në periferi të kryeqytetit.

(Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” i Ylljet Aliçkajt, Onufri 2019).

Filed Under: LETERSI

“Kcimi i Tropojës” në UNESCO

January 7, 2025 by s p

Agron PREBIBAJ/

Shqipëria tashmë në UNESCO tre herë, e nisur me Polifoninë Labe me plotë tinguj e ndjenjë, pasuam me Xhubletën veshje e vajzës e gruas malësore, e pasuar po me tinguj ritmikë muzikorë me “Kcimin i Tropojës”, çfarë do të thotë se po marrim, vlerësimimin për ato që na përkasin ne si komb. Dr. Rovena Vata si koordinatore për vlerat e “Kcimit të Tropojës”, citon: “Ai është k’cim me vlera artistike, pra “Kcimi i Tropojës” nuk është valle, por është para vallës, pra Kcim. E veçanta e këtij Kcimi është fakti se kcehet e shoqëruar me elemente paramuzikor, si gurë apo rrasa etj.

“Kcimi i Tropojës” është gjithëpërfshirës, në harmoni, shpreh gëzim, komunikim, solidaritet, qytetari, estetikë”! Por Mjeshtri i Madh z.Skender Haklaj, përsonaliteti me shkëlqim i cili parakalon secilin artist, profesor të botës së kulturës e artit shqiptarë që nuk është mjaftuar me arritjet si korograf e profesionist i valles apo “kcimit të Tropojës”, asaj shqiptare, por vrapoi me dashuri, përkushtim e vetëbindje profosionale në përmbi 12 vite drejt UNESCO, për vallen e bukur energjiko-ritmike-qiellore, vitale shqiptare, atë të Tropojës, derisa arriti ta kurorëzojë zyrtarisht si vallen shqiptare e cila përcjell gëzim, harmoni e bashkim shpirtëror, tashmë pasuri e njerëzimit.

Ne kemi mjeshtra të mëdhej në muzikë, kulturë, art etj, por nuk kemi njerëz që vrapojnë me nerv shqiptari-njerëzor e profesional për të bërë të vetën atë çfarë e kemi tonën, nuk kemi as mbështetje instucionale nga Ministria e Kulturës, ndaj kjo e veçon individin me karekterin e fortë e këmbëngulës me argumenta shkencorë, ndaj secilit profesor, mjeshter e akademik që hesht e nuk guxon të lobojë nëpërmjet vrapimit shpirtëror të një artisti që adhuron mëshirshëm për kombin. Kombet të medhej bëhen më mendimtarë, kalorës lirie (çlirimtarë), artistë e shkënctarë, nobelistë e shënjëtore, ndaj dhe këta ja kanë për detyrë kombit ta nxehin edhe dellin e atdhedashurisë në betejën e paqtë të gjithçkaje për ta bërë nderkombtarisht të tyre atë çfarë ju përket kombit të tyre.

Por mesa duket keta burra intelektualë të të gjitha fushave nuk e nxehin gjakun as nervin, pasi presin se organizatat botërore, do vijnë e na thonë: “na tregoni ju Shqiptarë, sa burra e gra të mirë jeni, çfarë keni bërë, etj”?

Ndërsa këtë hap kalorësi e mori individualisht, Mjeshtri i Madh Skender Haklaj, duke marrë mbeshtetjen e Dr.Rovena Vata – kryesuese në plotësimin e dosjes për UNESCO, pjesa shkencore, plotësimi i formularit, vëndosja e kontaktit me komunitetin në të gjitha qytetet e Shqipërisë, përgatitjen e letrave të mbështetjes nga shoqatat mbarëshqiptare në botë.

Dr.Rovena Vata kishte rolin koordinues, konsulent, ekspert dhe kërkim shkencor, e cila do finalizohej me zyrtarizimin e “Kcimi i Tropojës” pasuri e njerëzimit.

Ndërsa Mjeshtri i Madh Kole Susaj e ka vlersuar Mjeshtrin Skender Haklaj; “Kalorësin Akademik të kombit”, një personalitet i rrallë shqiptar!

Filed Under: ESSE

Atdhetarizmi si diskurs politik – maskë e mungesës së ideve të guximshme dhe planeve zvillimore  

January 7, 2025 by s p

Shkruan: Enver Sulaj/

Mes atdhetarizmit si diskurs politik dhe akuzave të ndërsjella pozitë-opozitë, duket se po zhvillohet ajo, që mund ta quajmë fushatë e heshtur apo parafushatë e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Secili subjekt politik ka krijuar tashmë strategjinë e vet, ka targetuar grupin e votuesve dhe ka vënë në veprim analistët, opinionbërësit dhe militantët partiak, të cilët dikur brohorisnin në tubime publike, me flamuj partie e pankarta në dorë, ndërsa sot i gjejmë në rrjete sociale, duke sharë e duke u hakërryer ndaj kundërshtarëve politikë, apo edhe ndaj atyre që shprehin lirshëm mendimin e tyre. Shumë shqetësuese mbetet klima e komunikimit të ashpër e barrikadimit ideologjik, jo rrallë me një diskurs të thjeshtë e shumë transparent propagandistik. Nuk vërehet një debat i hapur, i prajshëm e intelektual mbi shqetësimet që e rëndojnë shoqërinë tonë, për të ofruar zgjidhje përmes programesh konkrete dhe pa mohuar edhe arritjet tona si shoqëri në tërë periudhën e pasluftës, por edhe dështimet e keqpërdorimet, që janë jo të pakta, e, për të cilat, secili subjekt politik ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë faturën e duhur.

Në mungesë të ideve të guximshme e zgjidhjeve për çështjet e zhvillimit ekonomik, të integrimeve evropiane dhe të raporteve me Serbinë, streha më e sigurtë e subjekteve politike në krejt këto vitet e pasluftës, madje edhe në këto zgjedhje, nga të cilat do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbetet retorika e mbështetur mbi idetë e atdhetarizmit dhe populizmit, për të vënë në lëvizje votuesit e për të tërhequr sa më shumë votat e tyre. 

Ne nuk jemi qendra e botës dhe jo gjithçka varet nga dëshirat dhe ëndrrat tona për t‘i zgjidhur problemet që gjenden mbi tavolinë, por çdoherë janë kompromiset ato që i shtyjnë çështjet përpara, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në situatën aktuale. „Status quo“-ja dhe konflikti i ngrirë nuk janë garancione se në një kohë tjetër, në të ardhmen, do të kemi zgjidhje më të mira, ngase gjithçka varet nga interesat gjeostrategjike të lojtarëve të mëdhenj në skenën globale, por edhe nga zhvillimet dhe orientimet e brendshme ideologjike e strategjike tonat. 

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shtrirja e institucioneve në veri të Kosovës, programet e ndihmave për pensionistët, fëmijët e programet sociale, sigurisht që janë arritje e pamohueshme e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Kurti, që në sytë e opinionit të përgjithshëm krijojnë perceptimin e një mirëqenieje, pa pasur nevojë fare t’i amplifikojë këto arritje në sytë e publikut, sepse disa parti opozitare, me akuza e sharje primitive, duket se po ia bëjnë shërbimin më të mirë, që do të shihet më 9 shkurt.

Nepotizmi, keqpërdorimi i buxhetit të shtetit, pasurimi i dyshimtë i grupeve të caktura, mungesa e sigurimeve shoqërore shëndetësore, mosndërtimi i një sistemi të drejtë e të sigurtë pensional, mungesa përditë e më shumë e fuqisë punëtore, si pasojë e largimit të popullatës, janë tregues të gjendjes ku jemi, por edhe të së ardhmes, për të cilën, nga ajo që shihet në horizont, askush nuk na garanton se do të jetë më e mirë.

Dora e shtetit duhet të jetë e gjatë dhe të arrijë te të gjithë. Në një vend ku pritjet janë të mëdha, sigurisht që edhe zhgënjimet mund të jenë të tilla, që në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, si alternativë të dhembshme e të vetme kanë ikjen, braktisjen e atdheut. Motoja e lashtë romake „Ubi bene, ibi patria“, duhet të shndërrohet në „Ubi patria, ibi bene“. Kjo e fundit është vështirë t‘i imponohet gjeneratës së re, që tashmë kufijtë e lirisë, kreatitivitetit dhe të hapërimit i ka të pafundmë, ndërkohë atyre që pretendojnë ta udhëheqin shtetin u mbetet të bëjnë parashikimet e duhura, të domosdoshme e urgjente, që dikur të mos bëhet vonë. 

Filed Under: Analiza

AT GJERGJ FISHTA PËR ROLIN E SHTYPIT TË LIRË

January 7, 2025 by s p

Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a microphone

Description automatically generated

Shpesh gjatë viteve, me 30 dhjetor, normalisht dhe modestësisht, por me respektin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë, kam kujtuar përvjetëtorët e kalimit në amshim të At Gjergj Fishtës, një prej kolosëve të shqiptarizmës dhe mbrojtësit të përbetuar të drejtave të shqiptarëve dhe të interesave të tyre kombëtare në trojet e veta shkullore. Ndonëse pak me vonesë — më mirë vonë se hiç – duke pasur parasysh se nuk vura re ndonjë shënim në median kryesore shqiptare, ndonjë kujtim të këtij përvjetori të kalimit në amshim të françeskanit e poetit shqiptar At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) — kësaj figure të madhe të Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare – gjithnjë i harruar dhe i përjashtuar, zyrtarisht, me eiptetin armik i popullit e bashkpuntor fashist. 

Pra, kanë kaluar 85-vite nga dita e kalimit në amshim të Atë Gjergj Fishtës – nga 30 dhjetori i vitit 1940 – dhe mediat kryesore shqiptare të cilat pretendojnë se janë të lira – 35-vjet pas “shembjes” së komunizmit në Shqipëri – preferojnë të injorojnë data të tilla, të   figurave të tilla kombëtare si Fishta – me shpresën se po të mos “kujtohet”, At Gjergj Fishta dhe veprat e tija, në heshtje, do të “harrohen”.  Dhe nëqoftse ai nuk përmendet kur e kërkon rasti, siç janë përvjetorët –– më në fund, përjashtimi i tij nga letërsia dhe historia e shqiptarëve, do të përjetësohet – ashtu siç e dëshironte regjimi sllavo-komunist i atëhershëm dhe apologjetët e sotëm, të atij sistemi anti-kombëtar sllavo-aziatik.   

Dihet se At Gjergj Fishta njihet më së miri si poet, por ai ka shkruar shumë edhe në prozë. Janë këto shkrime në prozë që janë më shumë të një natyre politike. Ai në të vërtetë e ka filluar veprimtarinë e tij gazetareske si shkrimtar e poet, me botimin e gazetave e revistave, quajtur “Posta e Shqipnisë”, revista “Hylli i Dritës”, “Orën e Maleve”, Gruen Shqiptare”, e tjera. 

Si për shumë çeshtje të botës së atëhershme shqiptare, Gjergj Fishta e ka përdor shtypin si një shkollë kombëtare dhe vatër kulture. Shkrimet e tij në poezi e sidomos në prozë, sipas At Daniel Gjeçajt, “tërheqin, nxisin, zemrojnë, pasurojnë mendje e shpirt, madhërojnë, mësojnë e qortojnë.”  Është vështirë ta marrim me mendë se çfarë do të mendonte At Gjergj Fishta për shtypin shqiptar të sotëm, në përgjithësi. Nga ato që dimë nga shkrimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës ës tij, pak e shumë, e dijmë se ç’mendonte ai për rolin dhe rëndësinë e shtypit të lirë, në kohën kur ai jetonte. Veprimtaria e tij bazohej në besimin në Zotin dhe në Lirinë e veprimit.  Ai ka themeluar “Hyllin e Dritës” me moton; “Ubi Spiritus Domini, ubi Libertas” – Aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe Liria”.  Për Fishtën, shkrimtari e gazetari i lirë është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që duhet përdorur mirë, pa e abuzuar, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, me një rast.

Atëherë cili duhet të jetë roli dhe qëllimi i një shtypi të lirë, sipas Fishtës, bazuar në shkrimet e tia, në Shqipërinë e 1913-s, të posa dalur nga robëria shumë shekullore dhe terri i padijes, nga 5-shekuj robëri. Kështu është shprehur ai me rastin e themelimit të revistës Hylli i Dritës; “Që e Përkohëshmja jonë (Hylli i Dritës (HD)) të arrij me ngjallë shpresën ndër zemra të Shqiptarëve se prej Hyut, ditë më të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”, ka shkruar Fishta në artikullin e parë botuar në HD I, 1913. 

At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se në atë artikull, Gjergj Fishta, “ka thekësua shumë mirë misionin dhe qëllimin e revistes françeskane, Hyllit të Dritës, qëllim i cili, sipas tij, ka për objekt, mbi të gjitha, Zotin e Kombin, Dijen e Fenë, Lirinë e Përparimin, Moralin e Kulturën.”  Hylli i Dritës i Fishtës dhe Albania e Konicës, konsiderohen si më prestigjozet që janë botuar deri më sot në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. 

Në fillim të shekullit të kaluar, Atë Gjergj Fishta do theksonte me forcë rolin e shtypit të lirë për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë nga robëria e gjatë shekullore otomane. E do polemizonte me forcë me “kalemxhnjtë” e kohës, duke këkuar që gazetat, “Nëse duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davarit terrin e mizorinë, e me përhapë të drejtën e qytetninë, ata duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona… domethanë që të ketë mbrendë gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve, e për t’i pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike, etj, etj. Përndryshe tue kenë se nuk u del koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet, gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i përgjegjen kësaj detyre të naltë, ashtë se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e shkarravinave të veta.  E këta njerz, sa ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen mbi të tjerë si gjyqtarë e mësues, e mbahen si prijësa të Kombi e atdhetarë të flakët.” 

 Po këta të njëjtit, mandej sipas tij, me “rrena, me të shpifuna e me trillime gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi (me shrkrimet e tyre) u marrin, nepër fletore, nderën burrave ma të kenun të shoqënive ma të zgjedhuna e herë ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna të rrêjshem, i marrin nëpër gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim, janë murtaja e njerëzimit, qelbësina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej mbrapshtinash, porsi çakaj të tërbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër gazeta të poshtnueme”. (Marrë nga Kombsija e Kleri katolik, sipas Radio vatikanit)

A thua Fishta do kishte të njëjtin mendim mbi një pjesë të madhe të shtypit të sotëm në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, 35 vite pas shembjes së një perandorie tjetër të errët gjysëm shekullore – atë të perandorisë sllavo-komuniste ndërkombëtare?! Cili do duhej të ishte sot roli i gazetarit shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mërgim – në rrethanat e liriës e demokrackisë në çerek shekullin e parë të XXI?!

Për Fishtën, shkrimtari e gazetari është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që e përdor mirë, pa e abuzuar, katedër edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa me një rast për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit. “Në një mënyrë të posaçme roli i fletoristave (gazetarëve). Gjithkush e di fuqinë e madhe që kanë fletoret në shpirtin e nji populli. Këto janë ato që shëndrisin mendjen e nji populli dhe drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet që këto të jenë shkrue e rregullue mirë. Për ndryshe, në vend që me kenë faktor i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa, At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit në një shoqëri, si ajo shqiptare.  Fishta besonte në rolin pozitiv të gazetarit dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si vatra të atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si armë mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur eksiztencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar Fishta për rolin e gazetarëve. 

Ndërsa, studiuesi dhe njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si poet e prozator, i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerzve të pendës Fishta priste shumë.  “Mbi të gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në sjellje, guxim në punë, sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në shpërblim. Ata lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë.”

Po gazetaria e sotëme në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në mërgim, çfarë mund të mësojë nga At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim — mbi rolin që gazetarët shqiptarë duhet të luajnë sot, si mbrojtës të së Vërtetës dhe si farkues të karakterit kombëtar fisnik shqiptar?

Frank Shkreli

108 vite nga "Hylli i dritës" së Gjergj Fishtës,

“Shpëtimi i nji populli nuk mund të mbështetet vetëm në trajtën e qeverimit, por duhet marrë në kujdes edhe shpirti që e frymëzon atë.” (Fishta në Hylli i Dritës, III, 1923, 104)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 712
  • 713
  • 714
  • 715
  • 716
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT