• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REALIZIMI I ËNDËRRËS SË YMER BERBATIT PËR KOSOVËN E LIRË

September 14, 2024 by s p

Shpendi Topollaj/

(Rreth librit “Leximi i vetvetes”)

Nuk e di se sa i njohur është prof. Ymer Berbati dhe vepra e tij në Kosovë, por e di mirë se ai për mua është njëri nga intelektualët atdhetarë më të shquar që ajo trevë shqiptare ka nxjerrë. I veshur me sqimë, i gjatë dhe mjaft i pashëm, i matur në të folur dhe me një shikim të butë dashamirës, ai të bën shpejt për vete dhe mjafton një takim i vetëm me të, që të të duket se e ke pasur mik prej një kohe që nuk mbahet mend. Mjafton vetëm kaq, dhe miqësinë me njerëz të tillë, nuk ka nevojë ta vësh në provë. Sa bujare tregohet ndonjëherë natyra, duke u dhuruar disave të gjitha cilësitë, vlerat dhe virtytet që i duhen njeriut për të fituar dashurinë dhe respektin e të tjerëve. Ka qenë fat që u pamë rreth njëzet vjet më parë tek ajo kafeneja pas Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, dhe pavarësisht se takoheshim shumë rrallë, sa herë vinte në Durrës, gjithmonë e kam quajtuar njërin nga miqtë e mi më të shtrenjtë. Qysh nga viti 1997 kishte botuar disa libra me poezi, romanet “Nëpër jetë”, “Kthimi i Beqir Çaushit”, “Çakejtë” dhe “Me urtarë të lashtësisë”, dhe plot pesë libra me aforizma etj. dhe kjo ishte më se e mjaftueshme për të kuptuar se ai ishte njëri nga shkrimtarët e talentuar të Kosovës që meritonte konsideratën më të lartë. Por, kjo konsideratë m`u dyfishua, kur aty nga fundi i gushtit, u takuam dhe më dhuroi librin e tij me rreth 500 faqe “Leximi i vetvetes”. Të kuptohemi: ai nuk ka pasur aspak si qëllim të zbatojë atë postulatin e famshëm “Gnothi seauton”, pra “Njih vetveten”, të gdhendur në ballin e hyrjes së tempullit të Delfit, atje në Fokidë, pranë malit Parnas. Ymeri, teksa i kishte kaluar të tetëdhjetat, duke i besuar një kujtese fenomenale, me ato që kishte parë dhe përjetuar, ndërmerr një mision të vështirë: t`u tregojë brezave fatin që e ndoqi vendin dhe popullin e tij nën pushtimin e egër serb. Ai në epilog shkruan se “Nuk desha që këtë “libër” ta mbyll në varr, pa e lexuar para atyre që janë e do të vijnë pas meje”. Ymer Berbati, tani në moshën e shtyrë, nuk kërkon as të mburret, as të duket, as të bëjë heroin dhe as të ngjisë shkallët e karrierës. Ai vetëm kërkon, ashtu sikurse ka bërë gjithmonë ndërsa ishe mësues, që me të vërtetat e tij, me shembullin që ndoqi në jetë, të edukojë sa të mundë ndjenjën e dashurisë për atdheun, historinë e lavdishme të tij, kulturën e trashëguar ndër shekuj, përqafimin e mendësive të reja, sidomos ato perëndimore dhe mbi të gjitha, kultivimin e ndershmërisë në ndërgjegjen e njerëzve, si faktor i rëndësishëm bashkimi e përparimi. Se vetëm kështu, njeriu në veçanti apo dhe një popull i tërë, do të dijë të ruajë të paprekur lirinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë. Nga ana tjetër, ai ndihet krenar që gjithçka ka arritur e ka nisur nga hiçi, nga skamja e varfëria, nga përpuzja e deri burgosja, dhe pa pritur që t`u bëhet urë pushtetarëve dhe mendjemëdhenjve kokëboshë. Për të ka mjaftuar shembulli dhe fjala e mësuesve emërmëdhenj si Anton Çeta, Fehmi Agani, Zekeria Rexha e Ali Hadri e shokë, me të cilët ai krenohet. I tillë, do edhe ai të mbetet për nxënësit e tij. Ymeri e nis librin me gjetjen e rrënjëve të të parëve. Vetë ai ishte lindur në Gosë të Kavajës ku qe vendosur pas largimit nga Kosova familja e tij para çlirimit. Kur ai ishte ende fëmijë kishin ikur që andej për t`u kthyer sërish në Kosovë, duke marrë me vete kujtimet më të bukura, sidomos për mikpritjen që banorët i kishin rezervuar familjes së tij. Dhe sapo iu krijua mundësia, pra pasi erdhi demokracia, nuk ngurroi të takonte Berbatët e Tropojës. Dhe ata që gjeti e pritën me mall. Nostalgjia që ruante në shpirt, bëri që edhe në Gosë të shkonte dhe të takonte ata që kishin mbetur nga koha kur kishin banuar atje. Ymeri, ndoqi fillimisht hoxhën e fshatit, por kur pa se ai ishte sa i paditur, aq edhe një farë mashtruesi, e kuptoi kotësinë e ndjekjes verbërisht të dogmave fetare dhe këmbënguli që të shkollohej. Ishte ende i parritur kur iu desh të udhëtonte shpesh i vetëm, në borë e acar për të kapur orën e mësimit. E kishte kuptuar se që të ishe dikush në jetë, pra i dobishëm për vete, familjen, shoqërinë dhe atdheun, dukej të arsimoheshe. Ai më pas e kuptoi se librat dhe vetëm librat ishin ato që të pajisnin me kulturë dhe të bënin njeri me karakter të shëndoshë. U mor me veprimtari sportive e letrare dhe nuk reshti së bredhuri në gjirin e natyrës, zakon që nuk e ka harruar edhe tani që vitet i rëndojnë mbi shpinë. Te malet, pyjet, lëndinat ai sheh bukuritë e Kosovës, atje ai shplodhet, ripërtërihet e frymëzohet. Ymeri qysh në rini i ka dashur dhe ndihmuar shumë shokët e tij. “Nuk prita ndonjë zgjatje dore, – shkruan ai – por ua zgjata dorën të gjithë atyre që kishin nevojë për mua”. Dhe mbi të gjitha, ai mbeti përherë mirënjohës ndaj të tjerëve që në rrethana të vështira, i qëndruan pranë. Shokët e miqtë ai i konsideronte vëllezër, sikurse nuk i mungonte guximi t`i japë përgjigjen e duhur çdo provokacioni e fyerjeje nga kushdo qoftë ai: nxënës shkolle serb, mësues serb apo nëpunës i administratës serbe. Janë shumë domethënëse tregimet “Xhamat e “përgjakur” dhe “Pllaka e thyer”, ku bëhet fjalë se edhe pllakën te dera e shkollës e Likocit me emrin “Azem Bejta” e kishin coptuar e hedhur në baltë. “Dhembja dhe pikëllimi për pllakën e thyer më pikëllon përjetë”. Serbët edhe fëmijëve të tyre u kishin futur urrejtjen ndaj shqiptarëve. Por mbi të gjitha, ai admiron ata që e kanë të zjarrtë brenda shpirtit të tyre, ndjenjën e lirisë dhe të përpjekjeve deri në sakrifikim për ta fituar e ruajtur atë. Ndaj dhe do e gjeje atje ku ishte reagimi i shqiptarëve kundër shtypjes e padrejtësive. Duke ditur se për të tillë burra është shquar Drenica, ai derdh në letër gjithë dashurinë e tij për zemrën e saj, Prekazin dhe për ata njerëz të pamposhtur. Ja se me çfarë fjalësh plot ndjenja na e përshkruan ai “… Prekazi është një copë toke shumë e vogël, që lind burra të mëdhenj, burra dragoj me fletë. Prekazi është vullkan i amshueshëm, një vullkan që shpërthen sa herë kalorësit e largët mësyjnë truallin tonë. Në Prekaz jetojnë njerëz, që nga brendësia e tokës së tyre marrin fuqi për t`i mbrojtur me gjak vetrat e shtëpive. Po, Prekazi është kërthiza e atdheut, shkëndija e të gjitha lëvizjeve në kohë të turbullta, kur atdheut i kanoset përmbytja. Po, kjo copë tokë e zjarrtë, që quhet Prekaz, është Piemonti shqiptar, ku nuk u ndalën luftrat, betejat kundër pushtuesve, e sidomos kundër pushtuesit serb. Prekazi është vendi që nuk njeh robëri, ku liria kurrë nuk shuhet në zemrat e njerëzve”. Atje kanë lindur shumë trima që nuk u bënte dritë syri, dhe atje ai vend u shenjtërua, pasi aty lindi, jetoi e luftoi dragoi mbi dragoj, Adem Jashari që u sakrifikua me gjithë familjen e tij të stërmadhe, për të ndezur rezistencën heroike të UÇK – së, që sëbashku me forcat e NATO – s me SHBA në krye, sollën lirinë e shumëpritur. Dhe ja fjalët lapidare të shkrimtarit: “Jasharët ranë, por Jasharët jetojnë”. Jetojnë se me aktin e tyre bënë epope. Në librin e tij, që më shumë se sa kujtime, të bëhet se po lexon një roman epokal, parakalojnë lloj – lloj personazhesh, që nga ata besnikët e vendit të tyre, pra njerëzit e idealeve të larta, edhe nga ata që shpirtin ja kanë shitur shejtanit për përfitime e favore apo refugjatë që nuk i përgjigjen si duhet kujdesit të italianëve. Pasazhet ku përshkruhet masakra e ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, me urdhër të kasapit Millosheviç dhe kriminelë si Arkani në krye, janë plot vërtetësi, aq sa lexuesi beson se i ka parë me sytë e tij ato mizori. Edhe më parë, ai na jep skena rrëqethëse kur formacionet partizane, vihen në shërbim të Titos dhe vrasin pa të keq vëllezërit e tyre në rrugë e oborre shtëpishë, çka i detyron edhe ata t`u përgjigjen po me armë. Pra, kur u nënshtrohesh të huajve, këto do të jenë rezultatet edhe pse shumë të dhimbshme; do vrasë vëllai – vëllanë. Kapituj mjaft të rëndësishëm pas peripecive dhe vuajtjeve të shkaktuara nga përzënia prej policisë e ushtrisë serbe, zë mikpritja e popullit dhe administratës italiane, ku Ymeri me gruan e tij tashmë të ndjerë Nailen, një shqiptare dhe veprimtare e rrallë për emancipimin e gruas kosovare, shkuan dhe qëndruan deri sa lufta mori fund. Menjëherë, ata i panë vlerat e mëdha intelektuale dhe njerëzore të tyre dhe e caktuan Ymeri Berbatin si përfaqsues të kosovarëve në kampin e pritjes. Ata kur mësuan se ai ishte dhe poet, e përfshijnë në takime, konkurse dhe festivale të ndryshme. Dhe kur konstatuan erudicionin e tij dhe interesimin e tij të madh për kulturën italiane, e sidomos për atë arkeologjike, e shëtitën qytet më qytet dhe e pritën me gjithë të mirat nëpër shtëpitë e tyre. Askund më parë nuk është përshkruar kjo mikprije dhe dashamirësi e italianëve, sesa në këtë libër, gjë që ta shton respektin për ata njerëz të qytetëruar e zemërbardhë. Ymeri, nuk ngurron të shprehë keqardhje për faktin se vlerësohej më shumë në vend të huaj sesa në atdheun e tij. Po ashtu atje, ai viziton qytete dhe fshatra arbëreshe ku ngazëllehet jo vetëm nga dashamirësia dhe ruajtja e traditave, zakoneve e gjuhës prej tyre, por edhe nga liria me të cilën qeveritë e atij vendi u kishin garantuar atyre. Bukuritë e Italisë janë marramendëse, por Ymer Berbati, mendjen e kishte tek ai pluhuri i dashur i Kosovës së tij, ndaj dhe kthehet në Kosovën tashmë të lirë, ku jo gjithçka shkonte siç e kishte dashur. Megjithatë, ai po aty marton të birin Tomorrin me vajzën e mirë Teutën, ditën e shpalljes së Pavarësisë, pra më 28 Nëntor 1999, duke rregjistruar kështu të parën dasmë të pas luftës në tërë Kosovën. Në libër, ky autor bën fjalë edhe për shpërdorimin që shpesh herë i bëhet lirisë së fituar me gjak, pasi korrupsioni dhe sjellja e padenjë ndaj popullit tënd, nuk i nderon ata që e drejtojnë atë. Gjithashtu, ai është i shqetësuar për largimin nga vlerat e vërteta kulturore dhe rendja pas imitimeve vanitoze që nuk i thonë asgjë njerëzve të thjeshtë. Indinjatën e tij për këtë, ai e shpreh haptazi: “E tërë kjo shtrëngatë antikulturore evropiane e antikombëtare, u shfaq për shkak të paaftësisë kulturore të shoqërisë shqiptare, e cila nuk ishte në nivelin për ta penguar këtë dukuri antikombëtare të pasluftës, duke shfrytëzuar lirinë e demokracinë. Mësuesit, profesorët e intelektualët dhe, para së gjithash, politikanët para këtyre dukurive silleshin si të përgjumur, duke mos parashikuar pasojat që do të sillte pluhuri aziatik për Kosovën dhe për shqiptarët në tërësi”. Me këto kujtime të shkruara plot elegancë, sinqeritet dhe gjuhë të ëmbël e korrekte, çka na thotë edhe për punën plot përgjegjësi të bërë nga redaktori Sulejman Dërmaku, Ymer Berbati, na jep jo thjeshtë jetëshkrimin e tij, por atë të një populli të tërë. Këtu, ai nuk lexon vetveten, por këdo si vetvetja. Ndaj do të ishte e nevojshme që të ketë sa më shumë lexues. Se libra të tillë, do të ishte e domosdoshme t`i njihnin edhe politikanët e huaj, se vetëm kështu do të ishin të drejtë në kërkesat, sugjerimet dhe vendimet e tyre. Vetëm kështu do të përkrahin çdo nisiativë të qeverisë së Kosovës, për ta shpënë vendin drejt përparimit, pa qënë nevoja t`i bëjnë presion për lëshime asaj, duke u buzëqeshur e duke marrë me të mirë agresorët e ndërsyer nga politikani me dy faqe Aleksandar Vuçiçi.

Filed Under: Fejton

Si të zbuloni një gënjeshtar, duke përdorur komunikimin joverbal

September 14, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Ka shumë mënyra për të kuptuar nëse dikush nuk është i sinqertë me ju. Shenjat e mëposhtme nuk kërkojnë as fjalë dhe janë të gjitha komunikime joverbale. Gënjeshtra në mjediset profesionale çon në një mori problemesh në vendin e punës. Për një mjedis pune efektiv, ekipet duhet t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të ndërtojnë marrëdhënie bazuar mbi ndershmërinë dhe qëllimin e përbashkët për të arritur rezultatet më të mira në punë. Megjithatë, gjithmonë do të ketë kolegë, klientë të punësuar dhe drejtues të mundshëm që nuk thonë të vërtetën. Do të ishte mirë të kishim një shkop magjik që mund t’ju tregojë se kush gënjen dhe kush jo, por ky nuk është një opsion. Për fat të mirë, ka mënyra të tjera për të kuptuar nëse dikush është më pak i sinqertë me ju dhe kompaninë tuaj. Shenjat e mëposhtme nuk kërkojnë as fjalë dhe janë të gjitha me forma joverbale.

Çfarë është komunikimi joverbal?

Komunikimi joverbal përfshin mënyrat e shumta kur komunikojmë pa fjalë. Për shembull, shprehjet e fytyrës janë një kod ose sinjal që pasqyron se si ndihet një person nga momenti në moment.

Mikroshprehjet janë shprehje të fytyrës që ndodhin shpejt. Ato janë një reagim i natyrshëm ndaj një situate të pavullnetshme dhe një mënyrë për të vlerësuar emocionet e vërteta autentike që të tjerët po përjetojnë.

“Kur njerëzit përpiqen të fshehin se si ndihen, shprehja zvogëlohet në kohë nga disa sekonda në një fraksion të sekondës – një e dhjeta e sekondës – kështu që mund ta humbisni nëse mbyllni sytë”, thotë psikologu dhe autori Paul Ekman. “Shumica e njerëzve nuk i shohin emocionet e shfaqura në këto mikro-shprehje. Por, njerëzit mund të mësojnë t’i shohin ato. Të mësosh të lexosh shprehjet e fytyrës të jep një avantazh në biznes, sepse të lejon të komunikosh në mënyrë më efektive me partnerët e biznesit.”

Një formë tjetër e komunikimit joverbal është gjuha e trupit. Kjo përfshin mënyrat se si lëvizni trupin tuaj, duke përfshirë lëvizjet e pavetëdijshme. Nuk është e pazakontë që trupat tanë të komunikojnë diçka që fjalët tona nuk lidhen.

Për shembull, krahët e kryqëzuar para gjoksit janë zakonisht një shenjë e mbrojtjes. Kryqëzimi i këmbëve mund të tregojë se dikush ka nevojë për privatësi ose është i mbyllur. Të ulesh shumë larg tregon mosinteresim, ndërsa animi përpara tregon interes.

Zbulimi i gënjeshtarëve

A ndiheni ndonjëherë sikur dikush nuk është i sinqertë me ju? Ndoshta nuk mund ta shpjegosh me fjalë, por ke një ndjenjë të fortë se diçka nuk është në rregull. Shanset janë që ju të keni të drejtë. Me shumë mundësi, ju jeni të vetëdijshëm për ndryshimet në komunikimin joverbal të personit.

David Matsumoto është një ekspert në mikroshprehje, gjeste, sjellje joverbale, kulturë dhe emocione. Ai shpjegon se për t’u bërë mirë në zbulimin e gënjeshtrave, duhet të vëzhgoni njerëzit.

Matsumoto mëson se kur gjuha juaj e trupit dhe komunikimi joverbal janë kongruentë, fjalët që flisni kanë një vlerë shumë më të lartë. Në të kundërt, kur komunikimi juaj joverbal nuk është në përputhje me fjalët tuaja, njerëzit priren të shpërfillin fjalët e folura dhe të përqendrohen në gjuhën e trupit.

Hulumtimet tregojnë gjithashtu se kur njerëzit gënjejnë, ata përjetojnë emocione negative sepse e dinë se gënjejnë. Ata automatikisht do të ndiejnë njëfarë përbuzjeje, qoftë për veten e tyre apo për situatën që po i detyron të gënjejnë.

Njerëzit gjithashtu gënjejnë për të mbrojtur veten ose dikë tjetër nga ndëshkimi. Në disa raste, ata gënjejnë për të shmangur një situatë të sikletshme ose të pakëndshme ose për të rritur vetëvlerësimin në sytë e të tjerëve.

Të gjitha këto arsye për të gënjyer kanë një qëllim të qartë. Por, emocionet njerëzore është e pamundur të fshihen plotësisht dhe do të shfaqen në mënyrë joverbale në një formë (përveç nëse keni të bëni me një psikopat ose sociopat).

Kur mendoni se dikush është i pandershëm, përpiquni t’i vëzhgoni për mospërputhje emocionale. Sikleti mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë zemërimin, përbuzjen, neverinë, frikën dhe trishtimin. Stresi gjithashtu mund të tregojë një gënjeshtër dhe emocioni çliron adrenalinën. Adrenalina u jep më shumë energji gjymtyrëve, gjë që mund të rezultojë në nervozizëm.

Është gjithashtu e dobishme të kërkoni gjeste të pazakonta. Shpesh këto do të vijnë në “grupe”, që do të thotë dy ose më shumë gjeste joverbale që nënkuptojnë shqetësim. Ato mund të jenë aq të thjeshta sa një vrenjtje e fytyrës, një ngritje e shpatullave ose rrudhje vetullash. Pasi të mësoni se si të identifikoni më mirë shqetësimin, është shumë më e lehtë të shikoni botën e brendshme të dikujt.

Mbani në mend se nuk ka asnjë sinjal të pagabueshëm ose universal që demonstron pandershmërinë. Ka disa shenja joverbale që kur janë në një grup, mund të nënkuptojnë se e vërteta nuk po mbështetet. Këto shenja mund të përfshijnë:

Pulitja e tepërt e qerpikëvë

Sytë që vërtiten përreth

Kontakt i parregullt me sy

Personat ndihen të ngacmuar

Prekja e tepërt e trupit

Lëvizjet e shpejta të kokës

Pohon po ndërsa thotë jo ose anasjelltas

Skuqje e fytyrës

Djersitje

Shtrëngimi i gishtave

Mbani mend, të gjitha këto janë shenja të mundshme mashtrimi, jo konfirmime të mashtrimit. Zbulimi i gënjeshtrës është kompleks dhe nuk është aq i thjeshtë sa të vëzhgosh dikë që prek hundën.

Duhet praktikë dhe trajnim i saktë. Megjithatë, duke përdorur aftësitë tuaja të të menduarit kritik, vëzhgimin, përvojën dhe njohuritë e sfondit të një personi dhe situate, ju mund të keni shumë nga mjetet e nevojshme për të bërë një vlerësim të qartë të së vërtetës.

Filed Under: ESSE

“5 përgjigje ndaj turfullimeve të z. Vućič për të shpallur luftë”?!

September 14, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht e ndjek me interes strategjik, disi edhe me keqëardhje riciklimin e oshilacioneve si dhe trimërimin mbas lufte të z. Vuçič, Presidentit të Serbisë (ish-Ministrit të Milosheviçit) si dhe ushtarit të axhendës së Rusisë – Putiniste, se: “do të shpallte luftë për kthimin e gjendjes së mëparshme (para 1999) gjeopolitike në Kosove dhe Metohi … ” !!

Ndërsa këto trufullime, gjithësesi, kanë gjetur një interes të shtuar jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe në Washington, Bruksel, etj në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO”, do perpiqem, të përcjell publikisht disa gjetje dhe përgjigje/mesazhe strategjike, jo vetëm ndaj Beogradit të pushtuar nga oshillacionet e Millosheviçit:

Së pari, të zgjohet dhe të harrojë endrrat neo-staliniste në Rajon dhe posacërisht për Kosovën martire, pasi përtej të gjithave: “prej datës së çlirimit nga pushtuesit Serb (12 Qershor 1999) Republika e Kosovës, sigurisht që nuk është por dhe nuk ka për tu kthyer më kurrë si pjesë e jurdiksionit territorial dhe hartës gjeopolitike të Serbisë”. Pikë.

Së dyti, të lëri përrallat me/pa mbret që nuk i beson as më as Moska, as Dodik, dhe sigurisht as ushtria e radikaleve në Beograd. E vërteta, pra kufijtë dhe harta gjeopolitike e patjetërsueshme janë rrenjosur dhe skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit në shekuj si dhe nga fuqia ushtarake e Aleancës Euroatlantike në 1999. Kështu “përsa kohë të ketë edhe Shqiptarë si dhe prezencë të USA/NATO-s në Kosovë, Serbia ka ZERO shance për të “shpallur luftë”, por dhe ka ZERO fuqi/këllqe për të sulmuar ushtarakisht sovranitetin si dhe tërsinë teritoriele të Kosovës”.

Thënë këtë, përsëris thirrjen miqësore për aktorët mëndjehapur në Beograd: “të mos lejojnë që qeveria e Vućič, etj mbas Tij, të shpenzojnë kot stër koti mbi 1.5 miliard € në vit nga mundi i popullit serb (për armatatosjen nga me Tanke; Mig-29, Rafale, Helikopter, raketa dhe dronë vrases) pasi e vërteta është se asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”.

Së treti, riciklimi manktheve të Millosheviçit (Eprorit) apo trimërimi Juaj (z.Vucic) 25 vjet mbas humbjes së luftës gjakatare, mund të ushqejë militantët si dhe axhendën e radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “laraskat dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrësësi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar ( që gjunjëzoi makinerine kriminale tç Millosheviçit në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) !

Së katërti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 31 muajt e luftës neo-naziste të Putinit në Ukrainë: “oshilacionet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Por Kremlini ka dështuar për të hapur një front të ri lufte si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA në rajon. Po ashtu z. Vuçiç, ka (keq) dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 5 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin, Paris)!

Së pesti, përtej dhe përfshi këtë rast (kërcenimin për shpallje lufte ndaj Kosovës dhe NATO-s..!!) përsëris se megjithë përpjekjet dhe progresin 25 vjeçar për tu larguar nga urrejtja dhe gjakëderdhja shekullore, fatëkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e ballanit perëndimor, mbetet ende të kërcënuara kryesisht nga Serbia.

Në shtesë, gjeni edhe “tre rekomandime strategjike” për faktorët shtetërorë si dhe ekspertet/kolegët mendjehapur në Prishtinë, Tiranë, USA/NATO, etj:

1. Përkundër “dogmave internacionaliste dhe kakofonisë sovraniste”, Prishtina Zyrtare kurrësesi nuk do duhej/t të marrë (pa u konsultuar) vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më tepër: “riciklimin e dalldisjes/kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë si oportunitete populiste, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin me dinjitet të Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

2. Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike njëherësh, të zhvillojnë projektin: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke mos u fshehur prapagandës egocentrike që vjen nga fuqia e mbipushtetit dhe mbas “gishtit të përkujdesjes diplomatike”, por duke harmonizuar dhe garantuar SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” do të kontribuojë për paqen afatgjatë në rajon, sigurisht përfshi edhe Serbinë.

3. Aktorëve me peshë strategjike si dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (a) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (b) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto dy kushte gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se këto trufullime staliniste për luftë mbeten një këmbanë alarmi, për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të ballkanit se: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqesore, sigurisë, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Shqiperisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Kronike

VATRA DHUROI 100 FLAMUJ KOMBËTARË, 100 LIBRA SHQIP DHE 100 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE NË RIVERDALE

September 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë

Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit dhe anëtari i kryesisë Ilir Cubi u pritën nga kryetari i qendrës z.Sinan Alimi, drejtoresha e shkollës shqipe Gonxhe Meta, sekretari Fitni Istrefi, përgjegjësi i fesë islame të qendrës Nafis Vlashi, anëtari i bordit Shkëlqim Toska dhe mësueset Valdete Cenalia, Eglantina Mataj, Orkida Agaj, Fatjona Limani, Rabela Mlloja, Fatbardha Kapo, Labinota Zhaku, përgjegjësja për eventet e shoqatës Fatmire Mante dhe përgjegjësja për eventet e shkollës Mirjeta Dauti. Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane Struga është themeluar në vitin 1977, ndërsa Shkolla Shqipe ka rreth 40 vite që ruan gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe identitetin shqiptar. Shkolla Shqipe aktualisht ka 120 nxënës të regjistruar dhe zhvillon mësimin me dy turne çdo të shtunë nga 2 orë mësimi të gjuhës shqipe e kulturës kombëtare. Shkolla Shqipe zhvillon kurse vallëzimi, muzike e këngësh dhe aktivitete sportive duke u shndërruar në një qendër të fuqishme, sociale, edukative, kulturore e atdhetare. Kryetari i qendrës z. Sinan Alimi i shpjegoi zyrtarëve të Vatrës rrugëtimin historik të qendrës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur gjuhën e kulturën kombëtare. Vatra i përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit e shoqatës për punën e shkëlqyer patriotike e komunitare dhe garantoi mbështetje maksimale e pjesëmarrje të gjerë në aktivitetet edukative e atdhetare të Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga. Ky ishte një aktivitet i shkëlqyer komunitar, edukativ e atdhetar ku Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“VOTA E DIASPORËS DO BËJË NDRYSHIMIN E SHQIPËRISË”

September 14, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Michigan bashkoi komunitetin shqiptar në Detroit në pritjen e ish-ministrit të shëndetësisë dhe kryetarit të demokristianëve shqiptarë z.Nard Ndoka. Ai u takua me një pjesë të rëndësishme të drejtuesve të komunitetit shqiptar të Michiganit: Babain e Teqesë Bektiashiane në Taylor Dr. Eliton Pashaj, nënkryetari i Federatës Vatra z.Alfons Grishaj, drejtori i degëve të Vatrës në USA dhe Canada z.Mondi Rakaj, drejtori i AlbTVUSA z.Gani Vila, patrioti dhe aktivisti i çështjes kombëtare z.Ben Pllumaj, anëtari i Këshillit të Vatrës gazetari z.Rafael Floqi.

Në këtë takim të përzemërt u fol në veçanti për votën e diasporës, e cila do të jetë deçizive për ndryshimet pozitive në Shqipëri. Z.Ndoka vlerësoi punën e mërgatës së Amerikës dhe figurën e Sali Berishës, si një lidër historik por edhe si një qendrestar kundër manipulimit dhe izolimit fals të përgatitur nga pushteti politik. Z. Ndoka theksoi se e ka përkrahur kryeminstrin shqiptar Rama, kur ka menduar se i ka shërbyer Shqipërisë. Por tani, sipas z.Ndoka Rama është konsumuar keq dhe po i bën dëm Shqipërisë.

Zoti Grishaj kujtoi momente të viteve 1990 dhe më vonë kur bashkëpunuan për levizjen për demokraci në Shqipëri.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 748
  • 749
  • 750
  • 751
  • 752
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT