• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONFERENCAT PËR SHTYP TË LDK- së PARA STADIUMIT TË PRISHTINËS!

September 12, 2024 by s p

Jusuf Buxhovi/

Kur informimi ishte kauzë kombëtare.

Në fillim të marsit të vitit 1990, kur LDK-ja – parti e parë shqiptare me rreth 700 mijë anëtarë brenda një kohe të shkurtër kishte rrënuar gjithë strukturën organizative të LKJ – së dhe si parti ishte më e fuqishmja dhe më e organizuarja në hapësirat e ish Jugosllavisë, për t’ia ndalë turrin disi rritës dhe ndikimit të saj në sensibilizimin e opinioti jugosllav dhe atij ndërkombëtar rreth çështjes së Kosovës së ripushtuar nga Serbia, Beogradi urdhëroi ndalimin e konferencave për shtyp të LDK-së që mbante çdo të premte në orën 10 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve ku ishte e vendosur për ç’gjë ekzistonte inetesim i madh i shtypit vendor dhe veçmas atij ndërkombëtar. Meqë kumtesat e kësaj partie në shumë gjuhë dhe profesinalisht nl nivel të lartë, i vlersonte si zë i demosit shqiptar për liri dhe barazi.

Në këto rrethana, kur policia ia vuri drynat Shoqatës, Kryesia e LDK-së vendosi që konferencat për shtyp t’i mbajë rregullisht para stadionit të Prishtinës dhe në platonën e pallatit “Boro-Ramizi”.

Siç shihet edhe nga fotografitë e fotoreporterit të “Rilindjes”,Iliaz Bylykbashi, këto konferenca u ndoqën me interesim edhe më të madh nga shtypi vendor, jugosllav dhe ai botëror. Pas tri javësh, pas protestave të ambasadës amerikane në Beograd qendrës së të PENIT europian dhe shumë personaliteteve të tjera botërore, policia jugosllave, hoqi dryrin nga dyert e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe largoi forcat policore që e mbanin të rrethuar.

Ishte kjo një fitore tjetër e nadhe në raport me shtetin represiv jugosllav që kërkonte Kosovës t’i vihej perdja e territ informativ.

Kështu, pra, ishte asokohe, kur informini me plot rreziqe, ishte pjesë e kauzës kombëtare…

Filed Under: Komente

Dita e Kujtimit, 11 Shtator 2001

September 12, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më 12 Shtator 2024, pranë Sheshit “Lou Gehrig Plaza” në Bronx , New York Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson organizoi për të tretin vit rradhazi me qytetarët, politikanët dhe OJQ-të “Diten e Kujtimit” për 11 Shtator 2001, në nderim të afro 3000 heronjve që humbën jetën gjatë atij sulmi terrorist. Edhe vite më parë ish Presidenti Ruben Diaz Jr. i kushtonte kohën dhe respektin e duhur kësaj date të rëndësishme historike.

Kaluan 23 vite dhe çdo qytetar në SHBA kujton me dhimbje 11 Shtatorin e vitit 2001, si dhe viktimat në njerëz që humbën jetën gjatë asaj tragjedie, kur terroristët islamikë rrëmbyen avionët dhe përflakën hapësirën amerikane duke goditur Pentagonin dhe World Trade Center.

Çdo kush që e do jetën lirinë, paqen pyet me të drejtë: Kur do të marrë fund terrorizmi?

Edhe unë si dëshmimtare okulare e asaj ngjarje që tronditi botën, bashkohem me dhimbjen e madhe që shkaktoi ajo katastrofë. Nuk po ndalem si e përjetova atë histori, pasi e kam publikuar më të zgjeruar e titulluar “Kur do të marrë fund terrorizmi” tek libri “Nënës” në vitin 2007 botim i “Bota e Gruas Shqiptare” në mediat shqiptare si dhe e dërgova për botim tek gazeta amerikane “New York Times”.

Ceremonia madhështore në Bronx u drejtua nën moderimin e spikerit të Tv – Bronx Net, Gary Azelbank. Si fillim në nderim të rënëve u mbajt një minutë heshtje, më pas “Hymni Amerikan” u këndua nga sopranoja Renee Vredle, lutjet fetare u mbajtën nga Kleri katolik, mysliman etj dhe nga Rabbai i Institutit hebre në Riverdale. Banda frymore “Pipes & Drums” e shtetit të New Yorkut ekzekutoi muzikë të zgjedhur si homazh për viktimat e 11 shtatorit 2001.

Fjalën e hapjes e mbajti Presidentia e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson. Eventin gjithashtu e përshëndeti Gjykatësi i Lartë Administrativ për Çështjet Civile në Gjykatën e Lartë në Bronx, New York – Hon. Joseph E. Capella, Presidenti i BCBA Sergio Villaverde, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një ftesë për këtë Ceremoni mbërriti edhe në postën time elektronike, ku pata rast të takohem me Presidenten Vanessa L. Gibson, nëpunësen e lartë të Bashkisë në Bronx Cecilia Hernandez, Senatorin Jose M. Serrano, Liderin e Bordit për Komunitetet Keny Agosto etj.

Sulmet e 11 Shtatorit janë një seri sulmesh të kordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt SHBA më 11 Shtator 2001. Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në New York, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë.

World Trade Center (Qendra Botërore e Tregtisë) shkurt WTC, ishte një kompleks ndërtesash i ndërtuar 1973 në lagjen Manhattan në jug të New Yorkut. Lartësia e saj ishte 417 m, me 110 kate dhe me sipërfaqe 400.000 m2. arkitekt i së cilës ishte Minoru Yamasaki. Në vendin ku ndodhej WTC është ngritur një ndërtesë tjetër me emrin Freedom Tower – Kulla e lirisë, që është më e madhe se WTC.

Terroristët arritën të shkatërronin Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe të dëmtonin rëndë Pentagonin në Washington. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit.

Ditët pas tragjedisë gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkuan për persona që mund të kishin mbijetuar. Ndërsa në mbrëmje, Presidenti Bush iu drejtua vendit me këto fjalë: “Ne po hetojmë se kush fshihet pas këtyre akteve mizore. Kam urdhëruar të gjitha organet e rendit që të gjejnë personat përgjegjës. Nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata”.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit bazuar edhe tek mediat amerikane dhe shënimet e enciklopedisë shqiptare, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.

Sigurina e udhëtimeve ajrore u ashpërsua ndjeshëm pas sulmeve të 11 shtatorit. Administrata për Sigurinë në Transport u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe avionë. U deshën më shumë se 8 muaj për të pastruar Ground Zero, siç u quajt zona ku dikur ishin kullat binjake. U ngrit një memorial dhe muze me emrat e të gjitha viktimave në të cilat u skalitën panele të bronxta, të grupuara sipas vendit ku individët gjendeshin në ditën e sulmit.

Projekti u inagurua në nëntor të vitit 2014. Sot – One World Trade Center ose Kulla e Lirisë, është 541 metra e lartë, më shumë se sa kulla origjinale veriore. Për rindërtimin e Pentagonit u deshën më pak se një vit, me stafin që u rikthye në zyra, në gusht të 2002-shit.

Çdo 11 Shtator në Manhattan ndizet e ndriçon një Instalacion ikonik në shenjë homazhi për viktimat e asaj tragjedie. Instalacioni artistik konsiston në dy shtylla drita ngjyrë blu, te cilat simbolizojnë dy kullat binjake dhe është kthyer në një simbol të përvitshëm në lidhje me atë se si qytetarët e New York-ut e kujtojnë qëndresën dhe forcën e tyre pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ky instalacion u prezantua për herë të parë gjashtë muaj pas ngjarjeve të 11 shtatorit, në mars të vitit 2002, teksa operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave vijonin në rrënojat e kullave binjake.

Përkujtimi i 9/11/2001 tashmë është kthyer në traditë e vlerë historike nga Bashkia në Bronx edhe për brezat e rinj, ku mes viktimave që humbën jetën në krye të detyrës ishin edhe tre shqiptaro – amerikanët Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe i riu Simon Dedvukaj, të cilët punonin si mirëmbajtës tek Kullat Binjake 110 katëshe në Manhattan. Edhe unë si e mbijetuar e asaj tragjedie (njohur ligjërisht nga shteti amerikan) ftohem çdo vit nga Bashkia në Bronx për të marrë pjesë në Ceremoninë Përkujtimore dedikuar 11 Shtatorit 2001. Sëbashku me mua të pranishme ishin edhe aktivistet e njohura, anëtaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, poetja Merita Prenga, Merlin Tushe, Rezarta Gashi etj……

Pasi u lexuan 144 emrat e viktimave që humbën jetën (ish banorë të qytetit në Bronx) në atë tragjedi Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson falenderoi organizatorët, forcat e rendit dhe ftoi të gjithë pjesëmarrësit në koktejin e shtruar enkas për këtë event.

Zhvillimi i ngjarjeve të datës 11 Shtatori 2001

Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh u përplas mbi kullën jugore, duke krijuar një zjarr të madh.

Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë u mbyllën urat dhe tunelet në New York.

Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informoi popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit pezulloi të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.

Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Washingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.

Ora 10:05 e mëngjesit. U rrëzua Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbuluan qytetin e New Yorkut.

Ora 10:10 e mëngjesit, Rrëzohet Aeroplani i linjës United Airlines numër 93 në shtetin e Pensilvanisë.

Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuoet, më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.

Ora 10:28 e mëngjesit, Rrëzohet Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut.

Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuoen.

Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles u rrëzua me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit.

Filed Under: Reportazh

Uniteti në Diversitet: Trashëgimia Ekumenike e Nolit

September 12, 2024 by s p

Dr. Ines Murzaku/

Fjalimi i Nolit në Asamblenë e Kombeve ne Gjeneve ne 10 shtator 1924, ishte i shkëlqyer nga aspekti letrar dhe retorik.Por fjalimi I Nolit ishte i pasur dhe I organizuar ne tematikat politike dhe teologjike me te spikatura te kohes per ti dhen Shqiperise qe Noli e quante nje “një kaçkë e fortë” vendin qe meritonte ne Lidhjen e Kombeve. Lidhja e Kombeve, e themeluar në vitin 1920 pas Luftës së Parë Botërore, ishte organizata e parë ndërkombëtare që kishte si mision kryesor ruajtjen e paqes botërore. Ajo përfaqësonte një përpjekje novatore për të krijuar një forum ku kombet mund të zgjidhnin mosmarrëveshjet përmes diplomacisë në vend të luftës. 

Nder temat me intersante e trajtuar nga Noli eshte paqja dhe edukimi – teme qe kurre nuk dalin nga moda. Mbasi Noli krtitikon rende ne menyre publike Asamblene qe deri atehere kishe pasur vetem:

Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë”, dmth. erë dhe e asgjë më tepër.

Noli ofron nje qasje te re per paqen – duke e lidhur paqen me edukimin, ose duke mos e kuptuar paqen pa edukimin me paqen. Sipas Nolit, edukimin shkollor eshte mjet I efektshem per te arritur nje paqe pa fjale por me vepra. Ky eshte nje mendim I perparuar dhe pionier per kohen, qe I jep nje rendesi te vecante forces dhe efektit te shkollimit, qe ishte gjithashtu nje nga pikat e programit te qeverise se Nolit paraqitur ne 19 qershor 1924. Pra, ai po I paraqiste Lidhjes se Kombeve cafre program I tij kishte ne plan te arise ne Shqiperine shume-fetare.

Dhe ne fjalimin e tije ne Lidhjen e Kombeve ai thekson:

Por, paqja nuk do të vijë prej traktateve. Këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krime  sa edhe vrasjet me pakicë.

Noli ishe kryeminister I nje vendi me tre fe, Islamin, Krishterimin dhe Bektashismin. Por ne menyre fetare dhe ekumenike Noli shihte paqen dhe edukimin me parimet paqesore si je mjet qe bashkonte te Krishteret per edhe Myslimanet. Dhembshuria, Drejtësia dhe paqja – jane parime qe teologjia Islame dhe ajo e Krishtere theksojnë si vlera. Pra ketu shihet nje qasje pionere, moderne, ekumenike dhe inter-religjiose dhe larhgepamese e Nolit per te sjelle te Krishteret (Katoliket dhe Ortodokset) dhe Myslimanet dhe te Krishteret ne dialog mbi keto parime universale- edukimin dhe paqen universale. Paqja per Nolin ishte rezultat I nje “çarmatimin moral që do t’i parprijë çarmatimit material”. 

Noli ketu flet, si prift ortodoks, per investim ne nje paqe te brendeshme, ku njerezit e te ghitha racave te bashkepunojne per sigurimin e paqes universal.

Noli e mbyll fjalen e tij drestuar Asamblese se Kombeve me:

Bota është gati për Ungjillin e ri – qe per Nolin eshte Ungjilli I bashkimit nderkombetar pa dallime race e feje. 

Edhe pse Noli e kritikoi Lidhjen e Kombeve, ai eshte I ndergjgeshem se nuk ka paqe te qendrueshme pa organizatat nderkombetare dhe udheheqes si presidenti Willson. Lidhja e Kombeve, qe Noli e vleresonte, vendosi bazat për organizatat e ardhshme ndërkombëtare, veçanërisht për Kombet e Bashkuara (OKB) qe na bene te mundur kete conference qe ne jemi mirenjohes.

Filed Under: Politike

Edikti i Milanos – Dokumenti i Perandorit ilir Konstandini që ndryshoi historinë e Perëndimit

September 12, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

“Shkoni pra mësoni gjithë kombet, pagëzohini ata… mësohuni atyne që të ruajnë të gjitha sa ju kam porositun.”(Mt. 28:19-20).

Edikti i Milanos, lëshuar nga perandori Kostandin I (lat. Flavius Valerius Constantinus), datë e cila shënon një ngjarje të rëndësishme për historinë e qytërimit perëndimor europian dhe shqiptar gjak i së cilës ishte. Historianët me të mirë të kohës sonë e kanë pranuar si një fakt të provuar origjinën ilire të kombit tonë, duke e përfshirë ndër popujt më të vjetër të Europës, krahas romakëbe dhe grekëbe të vjetër, para dhe mbas lindjes së Krishti. Ata që e nderuan racën tone shqiptare, janë këta perandora të origjines ilire shqiptare që sunduan më se nji shekull e gjysmë në krye të Imperatorisë Romake, e cila ishte ma e madhja dhe ma e forta e planetit tone.
Këto figura të shquara qenë dhe mbeten ndër ma të mbëdhajat në historinë botërore. Pikërisht n’at kohë kur perandoria romake kishte filluar të marrë tëposhtë, si rezultat i krizës së mbrendëshme dhe sulmeve që Romës po i banin popujt barbar, erdhën në fuqi, ma s’pari, njëri mbas tjetrit, tre perandorë të races iliriano-shqiptare: Klaudi- Aureliani dhe Probi.
Këta tre kolosë paten zotësinë dhe kurajon me i dhënë fund anarkisë politike, dhe me e ba përsëri Romën Supreme dhe të pashoqe në botën e lashtë. Këta sunduan në shekullin e tretë, duke I prerë hovin sulmeve barbare ma se nji shekull, dhe ma vonë erdhën në fuqi dy kollosët e vërtetë edhe këta ilirian: Dokleciani dhe Kostandini i Madh, dy gjinitë konstruktive që plotësuan veprën e të parëve duke çelur një faze të re edhe ma të shkëlqyeshme se kurrë në historinë e Romës, dhe i priu ushtrisë ngadhënjyese në të gjitha skajet e perandorisë, duke ndërtuar e vure themele të rinj me gjithfarë triumfesh e shkëlqimi.
Njëri ndër perandorët më të fuqishëm të Romës, pa mëdyshje se mbetet Valer Diokletiani (Diokleciani), që sundoi nga viti 284-305 pas erës sonë. Diokleciani vinte nga një familje ilire Dioklea në pellgun e liqenit të Shkodrës. Sistemi qeveritar që vuri Diokleciani veproi me sukses deri sa të ishte gjallë ai-vetë. Sado që në teori të katër princat kishin pushtetin e barabartë, autoriteti,dhe prestigii I Dioklecianit qëndronin aq lart sa kolegët e tij, nji August dhe dy Qezar, ishin ma tepër mëkëmbësit e tij se sa sovranë të plotfuqishëm në pjesët e tyre të perandorisë.
Kur në vitin 291 zgjodhi dy Ilirë të tjerë që të shërbenin si Cezarë: Kostadin Klorin dhe Galerin. Kështu, Diokleciani qeveriste pjesën lindore, Maksimiani Italinë dhe Afrikën, ndërsa Konstadini qeveriste Britaninë, Galinë dhe Spanjën, ndërsa Galeri Ilirikun deri në kufi me Danubin.
Pas një sundimi 25 vjeçar, nder më të suksesshmit e Perandorisë, Dioklecianin e mbërtheu dëshira që të jetonte në paqe e qetësi. Abdikoi nga froni më 305 pas erës sonë, duke u vendosur në brigjet e Solanës (Spliti i sotëm në bregdetin e Adriatikut në pjesën e Kroacisë). Aty iu perkushtua meditimit dhe kopshtarisë. Vdiq në vitin 313.
Pas Dioklecianit për pak kohë nëpër fronin perandorak do të kalojnë dhe bashkëqeverisësit e tij Maksimiani, Konstadin Klori dhe Galeri. Klori u bë August pas abdikimit të Dioklecianit nga froni, mirëpo gjeti vdekjen pesëmbëdhjetë muaj më vonë (306) gjatë luftimeve në Jork, Britani.
Për pak kohë postin e perandorit do të ushtrojë edhe Galeri, por ai nuk ishte në gjendje që të mbetej më tutje në front nga shkaku I një sëmundje të neveritshme të njohur me emrin “morbus pediculosus”(zgjeba) nga e cila në vitin 311 gjeti vdekjen. Me Konstadin Klorin dhe Galerin nuk përfundoi dinastia iliredardane në fronin perandorak. Do të jetë i biri i pare i Klorit, Konstadini, i quajtur “i madh”, i cili do të drejtojë Perandorinë nga vitet 306-337 dhe me të drejtë merret njëri ndër perandorët me të suksesshëm dhe më të rëndësishëm të Perandorisë jo vetëm pse bëri reformat ë mëdha shoqërore dhe politike, jo vetëm pse ia doli që vendin ta mbrojë nga sulmet barbare, por pse e shënoi përqafimin e krisherimit nga ana i tij.
Kostandini kishte lind nga nji familje fisnike iliriane në Naissus (Nishi i sotëm), që ishte asohere mbrenda kufive të llirisë. Sikurse kuptohet nga koha në të cilën flasim, ishte një vendbanim ilir (shqiptar), deri në fund shek. XIX, d.m.th. shumë më vonë se ardhja e serbëve dhe sllavëve të tjerë në Europën Juglindore në shek.VII.
Në këtë kumtesë modeste historike, do të mundohem të ofroj një kronologji të shkurtër rreth perandorit Kostandi i Madh dhe rëndësisë së këtij dokumenti. Simbas studiosve historiane Michel N. Hart pershkron se. Perandorët e ndryshëm romakë nga mezi i shek. I-IV, nuk pranuan realitetine ri, Krishterimin, dhe me mënyra të ndryshme, urdhëra dhe ligje u përpoqën jo vetëm që të pengohej përhapja e Ungjillit në Perandorinë e tyre të stërmadhe, por që krishtërimi të zhdukej.

Në kontekstin historik, nxënësit e Krishtit Zot, për të zbatuar porosinë e Mësuesit të tyre të dashur, me zell e perkushtim, u shpërndanë nëpër kombe të ndryshme, për tu transmetuar Ungjillin e Krishtit, Rrugën dhe të Vërtetën e Tij, duke u ndeshur në shumë probleme, pengesa, kërcënime dhe vështirësi… buroosje internime konfiskimet e pasurive, torturat dhe vrasjet ishin diçka e zakonshme për pushtetarët dhe paganët.Origjina e tij, me të drejtë pranohet si ilir (shqiptar) nga historiografia.
Me Kostandinin, dëshmohet sërish, se ishin ilirët paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, ata që pranuan e përhapën zyrtarisht Krishtërimin në Europën pagane. Ashtu Kostandini, në njezetë vitet e ardhshme ai u detyrua të luftonte kundër rivalëve të tjerë për fronin perandorak, të cilët ishin: Maksimiani, Masenci, Licini, Galeri e Maksimin Daia. Gjithsesi kishin mbetur tre persona, që duhej të ndanin mes tyre pushtetin suprem: Licini, që sundonte Ilirinë, Trakinë e Provincat e Danubit; Maksimini, që kishte pjesën lindore të perandorisë, dhe Kostandini, por edhe Masenci, që edhe pse nuk ishte i veshur me pushtet zyrtar merrte pjesë aktive në luftën për pushtet.312 Galeri e Maksimiani vdesin dhe Kostandini pas disa betejave ripushton Italinë, lidhet në aleancë me Licinin, për më tepër duke i dhënë për grua motrën nga babai, Kostançën dhe i kundërvihet Masencit.

Keshtu sipas legjendës, para se të hynte në luftë kunder meksencit ne nji mbramje kostandini pa në ëndërr Krishtin. Ditën tjetër pa një Kryq të mbivendosur në Diell me këto fjalë të shkruara: in học signo vinces!” (Nën këtë shenjë, do të fitosh! Ështe fjala për shenjën e Kryqit!). Keshtu kjo profeci shënoi fillimin e dilemes së tij, për t’u kthyer i krishterë. Ku ne pranveren e vjetit 312 kastandini I kudervihet maksencit.
Kështu kostandini në krye të legjoneve të zgjedhura të llirisë, kaloi Alpet në Mont-Cenis dhe arriti në Piemont para se Maksenti të kishte lëvize prej vendit. Nji ushtri italiane u shkatërrue para Turinit dhe pak ma vonë Kastandini hyri në Milano.
Mandej, ai shtini në dorë nji mbas nji qytetet e Italisë Veriore, ku kishte garnizone ushtarake, dhe veçanërisht Veronën. Mbas fitores në Verona komandantët e ushtrisë I tërhoqën vërejtjen se kishte ekspozue vehten në shumë raste tue sulmue me nji guxim të hatashëm. Beteja e fundit u zhvillue disa kilometra jashtë Romës.
Kostandini vetë I prini ushtrisë dhe brënda ditës duel ngallënjyes tue pa rivalin e tij Maksenti. Të mbytej në lumen Tiber e mire njohum si beteja e Saxa Rubra-s, e cila përfundoi në favor të Kostandinit, I cili bëhet zoti I plotfuqishëm I gjithë Europës. Senati Italian asokohe e priti fituesin si shpëtimater të Romes dhe e njohu ligjerisht si fitimtar, duke I dhene titullin august.
Kështu Kostandini hipi në fronin e perandorise romake të Perendimit, duke u vënë krahas Licinit, I cili tashmë qe proklamuar august dhe perandor I Lindjes qysh në vitin 308. Përpara se të nisej per në Milano, ai i dhuroi papa Melkiadit pallatin antik të familjes së Lateraneve dhe ndërtoi me shpenzimet e veta bazilikën e pare të Romës, atë të Shën Gjonit të Lateranos.
Në ditët e para të janarit të vitit 313, Kostandini u largua nga Roma për t’u takuar me Licinin. Kostandini kishte nji frymë ilire dhe njëkohësisht ndihej po ashtu edhe romak për kulturë dhe edukim. Kētë e deshmojnë faktet dhe ngjarjet politike përgjatë jetës së tij. E pikërisht duke vijuar ecjen në këtë hulli, themeloi edhe Romën e Re mbi Helespont, me rite të krishtera, porpa hequr dorë nga formulat tradicional të fees së lashtë të shtetit.
Kostandini i Madh (274-337), Perandori Romak (306-337), është i pari perandor Romak i kthyer në fenë e krishterë. Në moshën rinore, ai besonte se Zoti i Romakëve SOL (Dielli). Dita e dielë, që prej asaj kohe është ditë e shenjtë pushimi, vendosuar nga ai në vitin 321, kur do të ishte më pas perandor. Kësisoj, nga një pagan adhurues i Diellit, Kostandini nisi të shihte krishtërimin si një sjellës të fitores, prandaj vendosi të ndalohej keqtrajtimi i të krishterëve.
Fillimisht i kishte ndëshkuar rreptë, eger me brutalitetin tipik të një iliri, pa mëshirë, por më vonë dalangadalë kishte nisur t’i donte dhe t’i mbronte me pasionin po aq tipik të një iliri fisnik. Më vonë Kishës i dha mbrojtje dhe dhurata financiare. Kështu Kostandini pa në Perëndinë e Krishterë, prurësin e fitores.

Eshtë e rëndësishme të thuhet se në politikën e Kostandinit, është pa dyshim ai i nënshkrimit (dhënies) së lirisë së fesë për të krishterët. Kryqëzimi dhe keqtrajtimi i të krishterëve mori fund dhe bashkëperandori i Kostandinit, Licinius, iu bashkua Kostandinit në lëshimin e dekretit (Ediktit të Milano-s) në vitin 313, që ligjëroi pranimin e të Krishterëve në Perandorine Romane.

Siç dihet, perandori i parë romak që përndogi të krishterët ishte Neroni (viti 64 mbas Kr.). Kur dikush pohonte se ishte i krishterë, menjëherë arrestohej e torturohej dhe n.q.s, këmbëngulte, vritej. Kjo situatë u bë më e vështirë në dekadën e parë të shek. IV, kur bashkësunduesit e Lindjes Galeri dhe nipi i tij Maksimini shtrënguan masat, duke u përpjekur që të zbatoheshin me përpikmëri ligjet në fuqi kundër Krishterimit.
Vetëm në ditët e fundit të jetës së tij, Galeri kuptoi se ishte e pamundur të zhdukej Krishterimi dhe më 30 prill 311 nxorri dekret, me të cilin u lejonte të krishterëve të ushtronin lirshëm besimin dhe adhurimin e tyre, pa shkaktuar trazira në shtet dhe pa prishur rendin publik..
Edikti i Milanos, ishte dokumenti, që i dha krishterimit një status ligjor të njējtë (barazvlefshëm) me fenë tradicionale romake dhe besimet e tjera fetare të shpallura në territoret e Perandorisē. Sidoqoftë, vendimet e Mediolanës, padyshim ishin mjaft të rëndësishme për Kishën. Që drejtoj edhe këshillin e Niceas në vitin 325. „Kostandini I madth, Ai hapi një epokë të re historike, e cila u lejoi të krishterëve në të gjitha sferat e jetës, pozita të rëndësishme në shoqërinë perandorake, përkundrejt rrezikut të persekutimit që kishte ekzistuar më parë.
Edikti, lejoi për të parën herë munděsinë e zgiedhjes-vetjake të fesë së krishtere duke i hequr kështu paganizmit ekskluzivitetin e fesë shtetërore. Sigurisht, vendimet e Ediktit, ndikuan pozitivisht jo vetëm në shoqërinë e atëhershme romake, por në jeten e Kishës, sepse pati një zhvillim të madh: sëpari, adhurimi hyjnor, i cili, mundej të kryhej i lire; sëdyti, u shtua numri i qytetarëve, që zgjidhnin Krishterimin si fe të tyre, sëtreti, organizimi administrativ i kishave pati një hov të madh; sëkatërti, arkitektura kishtare, pasi u ndërtuan kisha të mëdha, të bukura dhe madhështore.
Po ashtu, Edikti i Milanos, themeloi kështu-një fazë tranzitore të marrëdhënieve ndërmjet perandorisë dhe të krishterëve, duke vendosur njëkohësisht këtë dokument si një kufi historik, i cili, shënoi nga ana e tij një moment të veçantë dhe mjaft të rëndësishëm të zhvillimit të doktrinës politike të Kishës romane. Asokohe, ishte në modë të ishin dy bashkë-perandorë, ose edhe tre. Dy perandorët Kostandini dhe Liçinio, mbetën miq për një kohë të shkurtër. Kostandini, nuk mund të pranonte askënd pranë famës dhe emrit të tij. Vetëm pak muaj më vonë pas hartimit të tij.

(Ediktit) Liçinio dhe Kostandini, patën mosmarrëveshje sërish, sepse për te parin dekret ishte bërë një lëshim tejet i madh i mundshëm nga ana e shtetit, kurse për të dytin bëhej fjalë vetëm për një pikënisje për zgjerimin e marrëdhënieve lehtësuese ndaj të krishterëve.
Me fitoren e Kostandinit në dy betejat e zhvilluara mes tyre, (beteja e Adrianopolit ane ajo e Krisopolit), ai doli ngadhnjyes si një kampion i Krishtërimit dhe në vitin 324, bëhet kështu i vetmi perandor për Lindjen dhe Perëndimin njëherazi, i njohur si Totius orbis imperator’. Paraardhësi i tij, Diocleciani kishte nisur të bënte ndarjen e autoritetin civil nga ai ushtarak.
Kostandini i Madh e përfundoi këtë nismë me vlerë dhe e shpalli veten komandant suprem. Qeveria qendrore drejtohej nga Kostandini dhe këshilli i tij, ndërsa senati rimori fuqinë që kishte pasur në shek. III mbas Kr., Kostandini, shpërndau gjithashtu famëkeqen gardën Pretoriane. Ai u bë perandor edhe për çështjet fetare, duke genë në të njëjtën kohë.
Kostandini i Madh e ndau perandorinë në katër prefektura, por gjithnjë duke mbetur ai vetëperandori absolut, ide-këto të nisura që më parë nga-paraardhësi i tij Diokleciani. Kostandini si nji mbretërit ma të mëdhenj të njerëzimit, dy veprat për të cilat ai përmendet, veçanërisht janë: Pranimi I Krishtërimit si feja zyrtare e perandorisë dhe, ndertimi i qytetit të ri në brigjet e Bosforit Turqi, larg Romës, diku afër Trojës se famshme antike, mbi qytetin 7 mijë vjeçar Buzeanum, ose I njohur si Byzantium, kryeqendrës së perandorisë së mëvonshme të Bizantit të kryeqytetit që ka mbajtë emrin e tij të pavdekshëm deri sa kryeqyteti I Kostandinit u zaptue prej osmanllinjve më vitin 1453.
Ndërtimi i qytetit të ri filloi me vjetim 326 mbas Krishtit dhe përfundoi me një ceremony madhështore përuruese më 11 maj të vitit 330. Si krye qender e zhvillimit të qytetërimit perendimor. Mbas shekullit të pestë Roma dhe gjithë Europa Perendimore u pushtuen nga popujt barbarë dhe bota e qytetërueme u mbulue nga errësira e Mesjetes.
Gjatë kësaj kohe Perandoria Romake e lindjes, apo Bizantine sikur njihet ma mire në histori, mbajti gjallë traditat e kulturës latine dhe greke të vjetër. Atje u shpëtuen thesarët e letërsisë dhe të kulturës antike. Kështu që kur Europa u zgjue prej gjumit të mesjestës, ajo gjeti në bibliotekat dhe shkollat e botës Bizantine kryeveprat e kulturës klasike dhe I dhanë frymëzimi intelektuall fazes së re të qytetërimit që asht duke vazhduar edhe sot.
Si mbas statistikes historike Perandori Kostandini i Madh, u pagëzua i krishterë, pak para vdekjes së tij mesditën e 22 majit 337. Sipas porosisë së tij, funerali ishte madhështor. Akti i konvertimit të Kostandinit nga pagan në të krishterë, përbën një akt historik jo vetëm pse shembulli i tij u ndoq nga nji numër i madh nënshtetasish të perandorisë, por edhe sepse me këtë rast, mbas tre shekujsh përndjekjeje në perandorinë romake, krishtërimi nisi të marrë frymë lirisht.

Ai, konsiderohet si një ndër njerëzit ma të mëdlej të historisë sonë. Ai është një ndër figurat me të mëdha të historisë europiane dhe pa asnjë dyshim edhe asaj iliro-shqiptare gjatë mijëvjeçarin të pare. Konstandini, ishte një nga ilirët e shumtë, që arritën të ishin perandora dhe themeluesa te Romês, ndoshta më i madhi dhe më i zoti prej tyre, shtetin e sẽ cilës e riorganizoi dhe ndërtoi me fitoren përfundimtare edhe të krishterimit në fundin e shekullit të katërt, duke u shndërruar kështu në figurë qendrore, dhe kulturorë që themeloi Europëne krishterë të Mesjetës. (Shih: Jacob Burckhardt, ‘Costantino il Grande ei suoi tempi’, Sansoni, Firenze, 1957. pp.493, Milano, 2013.)

Filed Under: Histori

NJË SHTATORE NË PODUJEVË PËR PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVËN 

September 11, 2024 by s p

“Për më të dijturin dhe më të urtin e të gjithëve” (At Zef Pllumi)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
May be an image of monument

Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, fund javën që kaloi, me 7 shtator, në Podujevë u përurua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë historik të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002). Kjo shtatore në Podujevë, u bashkohet  disa shtatoreve si motra të Presidentit historik në Prishtinë, Rugovë, Istog dhe Pejë, mos qofsha gabim.  Në ceremoninë e përurimit morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit dhe dhe qeverisë qendrore dhe përfaqsues të administratës lokale të Podujevës, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij, si dhe qytetarë nga treva e Llapit por edhe nga gjithë trevat shqiptare. Fjalën kryesore me këtë rast e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani.  Në emër të familjes Rugova përshëndeti djali i Presidentit Rugova, Ukë Rugova.

“Shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e zbuluar sot në Podujevë, nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat punoi deri në vdekje ati themeltar i Republikës sonë: për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike”, është shprehur fillimisht, Presidentja Vjosa Osmani, duke përshëndetur të pranishmit. “Prandaj, sot po nderojmë kujtimin për udhëheqsin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim e mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht, në Kosovë.  Përball shtypjes dhe dhunës së Millosheviqit, ai zgjodhi rezistencën paqësore. Kur rruga përpara, ishte e pasigurt, vemdosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ishte e palëkundur.  Ai ishte njeri i dijeve. Siç thoshte At Zef Pllumi, ‘Ai ishte më i dijturi dhe më i urti i të gjithëve’.  Presidenti Rugova ishte një njeri i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës.” 

“Në vitet më të errëta të historisë tonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij: pavarësi dhe asgjë më pak. Në ditë më të errëta, ai dëshmoi se forca e Kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm, për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Kjo shtatore është një nderim për burrshetasin, për kryearkitektin e shtetit tonë, i cili na priu në kohët më të rënda për ne. Ishte mjeshtria diplomatike e Presidentit Rugova, ajo që forcoi lidhjet tona me miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kuptoi se rrugëtimi drejt shtetësisë, nuk mund të bëhej i vetëm. Ndaj besoi fort se shtëpia mbahet me miq. Ai ndërtoi ura besimi me liderët anë e kënd globit, të bazuar në respektin reciprok dhe në vlerat e përbashkëta. E këto miqësi janë bërë shtyllat mbi të cilat qëndron edhe shteti ynë i ri. Ajo që bëri Presidenti Rugova nuk ishte vetëm vizioni i tij politik por edhe integriteti i tij. Ai kurr, askujt nuk i punoi pas shpine.  Presidenti Rugova ishte transparent, i ndershëm dhe thellëssisht i përkushtuar ndaj punës së bazuar në vlera”, ka thenë ndër të tjera Dr. Vjosa Osmani.  “Ai besonte në unitet, nepërmjet vlerave të përbashkëta, ndaj udhëhoqi me çiltërsi dhe pastërti morale.  Presidenti Rugova nuk ishte i vetmi në këtë mision. Ai ju kishte të gjithë juve prapa tij…”. 

Presidentja Osmani e përfundoi fjalën e saj me këtë rast, duke thënë se vizioni i Presidentit Rugova për Kosovën “është më aktual së kurrë “.  Me këtë rast, Presidnrtja e Republikës së Kosovës, bëri thirrje për bashkim të klasës politike për realizimin e plotë të ëndrresë së Ibrahim Rugovës: “Si udhëheqës dhe përfaqësues të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të fokusuar në realizimin e ëndrrës së plotë të Presidentit Rugova. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm një aleancë strategjike, por është, poashtu edhe themeli i sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes sonë…Le të qëndrojë kjo shtatore si simbol i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë, si shtet, si popull dhe si Komb”, përfundoi Presidentja e Republikës së Kosovës, fjalimin e saj me rastin e përurimit, fund javën që kaloi, të shtatores së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës në Podujevë.

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidenti historik të Kosovës, Dr. Ibrahim mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, cili nuk foli në ceremoninë e zhvilluar në Podujevë, por ka shënuar në portalin zyrtar të tij fjalët dedikuar Presidentit Ibrahim Rugova me këtë rast:“Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi. Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”.

May be an image of 4 people and text

Por në emër të qeverisë Kurti foli me këtë rast Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, duke e cilësuar Presidentin Ibrahim Rugova, “Si intelektual e idealist, kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej ekzistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës”, tha ajo ndër të tjera. “Shqiptarët dhe bota po shihnin se brenda natyrës së qetë e të butë, shprehjes së hollë e të kulturuar, brishtësisë dhe elegancës së intelektualit Rugova, ekzistonte një vullkan i rrallë energjie dhe vendosmërie për Kosovën. Dhe, së bashku me të, edhe ne të gjithë, një popull i tërë, po e formësonim e po e forconim Kosovën me një imazh të ri.” Ministrja e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla shtoi se Presidenti Rugova, “Me vizionin largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur e të mençur, zgjoi mobilizimin më të madh në historinë e shqiptarëve për një rezistencë pa dhunë, por shumë aktive dhe konsekuente. Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë e filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb, goditje që do të ishte e përmasave ndoshta apokaliptike.”

Vizionit dhe parimeve, Ibrahim Rugova u qëndroi edhe në vitet nëntëdhjetë, edhe gjatë luftës 98/99, nënvijoi Zonja Gërvalla: “Edhe një herë, vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime, dhe sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga një rivalitet i egër politik, i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë, edhe pasi ishte fituar liria.”  Ajo paralajmëroi se, “furtunat në Ballkan ende nuk kanë pushuar. Kosova e lirë dhe e pavarur, të cilën po mundohemi ta zhvillojmë e përparojmë, është trashëgimia më e madhe e vizionarit Ibrahim Rugova. Prandaj, sot kur po e kujtojmë dhe nderojmë veprën e tij, duhet të reflektojmë për rrugën e vizionin e tij, rrugën e vështirë të Kosovës deri këtu”, përfundoi ajo fjalën e saj.

A person in a military uniform standing at a podium with a person in a crowd

Description automatically generated

Ndërkaq, Kryetari Komunës së Podujevës, që miratoi dhe financoi shtatoren e Presidentit Rugova, Z. Shpëtim Mulliqi tha se, “Në këtë ditë, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, një prej ngjarjeve më të ndritura të Kosovës, po nderojmë njërin nga figurat më të shquara të historisë sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, duke e zbuluar shtatoren e tij në qendër të qytetit tonë. Ky monument, që tashmë do të qëndrojë në Parkun e Qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Kryekomunari i Podujevës, Z. Shpejtim Bulliqi. Ai, ndër të tjra, se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi që simbolizoi lëvizjen për liri të Kosovës. “Shtatorja që po e zbulojmë sot është më shumë se një vepër arti; ajo është një simbol i përkushtimit të Rugovës për paqe, dialog dhe unitet. Ky monument na kujton për çdo ditë se liria dhe pavarësia jonë janë arritur falë përkushtimit dhe sakrificës së njerëzve të mëdhenj si Rugova, që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër”.

Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.”   Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar, ndoshta, kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve — pas një periudhe errësire shekullore 500-vjeçare dhe më pas të përvojës së shekullit të kaluar, të një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të kundërshtarëve që përfaqësonin këto vlera kombëtare dhe zhdukjen e identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve. Një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare 34 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — sidomos, në Shqipëri, por, fatkeqsisht, edhe në Kosovë. Megjithse përurimi i një shtatorje tjetër në Kosovë — në nder të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në Podujevë – është një simbol shprese në mbrojtje të  vlerave të këtij Kombi shqiptar – një pasqyrim i aspiratave dhe i një qytetërimi i botës shqiptare që përfaqësonte Dr Ibrahim Rugova,  i një bote –e cila siç është shprehur edhe i ndjeri Ismail Kadare – ka nevojë sot të mbrohet.

Frank Shkreli

*Për më shumë foto nga ceremonia: Komuna e Podujevës | Podujevë | Facebook

A group of people standing around a statue

Description automatically generated
May be an image of 9 people and monument
May be an image of 1 person
May be an image of one or more people, crowd, the Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception and text
May be an image of 7 people and monument
May be an image of 6 people and crowd

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 752
  • 753
  • 754
  • 755
  • 756
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT