• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës

August 29, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot, më 28.08.2024 shënohen 100 vjet nga lindja e At Zef Pllumit, Nder i Kombit. Ndonëse 17 vite më parë, në 2007 ai u nda nga kjo botë, vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.

Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.

At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.

Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.

Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.

At Zef Pllumi (Bogë, 28 gusht 1924 – Romë, 26 shtator 2007) ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shqiptar.

Kur qe 22 vjeç, më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq.

Në vitin 1958 shugurohet meshtar. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh.

Më 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, u burgos përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.

Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”..

Më shumë se një dekret presidencial për mua vlen vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën më dërgoi pas marrjes së çmimit. (Më poshtë faksimilja e letrës.)

Në një speciale të gazetës “55” në 27 shtator 2007 kam shkruar: “Vepra e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregues” e të tjera “Histori të shkrueme ” janë një sinor i përjetshëm, ato “dëshmojnë para botës se asnjë njeri nuk është i detyruar prej rrethanave të bëhet i keq, i ulët, të humbasë humanizmin e tij. At Zef Pllumi tregon me jetën e tij se edhe ne shqiptarët mund ta kalojmë provën e zjarrit, atë që ndan mënjanë arin e kulluar dhe ndan mënjanë skoriet e kombit. At Zef Pllumi, nxënësi i Fishtës, Harapit, Shllakut, mësuesve të përjetshëm të këtij kombi, sot më shumë se kurrë më ngjan me Diogjenin, filozofin grek, “atij s’mund t’i marrësh asgjë, pse s’ka asgjë të vetën dhe s’mund t’i japësh asgjë që i mungon, pse ai ka zemrën plot e përplot me dashuri!…”

At Zef Pllumi la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë shpresën, besimin dhe shpirtin, por të qëndrojë, te rezistojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes.

Filed Under: Sofra Poetike

Një britmë për atë që justifikohet “aq munda, ashtu ishte koha!”

August 29, 2024 by s p

Agim Baçi/

Rrallherë mund të ndodhë që të trembesh nga një faqe libri. Më saktë nga një fjali e shkruar. Por ja që shkrimtarja Ayn Rand nuk të kursen nga kjo tronditje.

Çfarë mund ta shkaktojë një katastrofë tërësore për njerëzit: të kërkosh të unifikosh mendjen dhe pamjen e anëtarëve të një shoqërie, deri sa të besosh se ka edhe “dashuri me urdhër!”? Nëse arrin të shkosh te “një shoqëri që dashuron me urdhër!”, atëherë me shumë mundësi je në rrugë për në greminë. Sepse kur ta përcaktojnë dhe Dashurinë, nuk ka më asgjë të jetë e jotja, ose ka vetëm hiçasgjë. Në një shoqëri të tillë mungon tërësisht Njeriu.

Jeta në rrëfimin e Rand nuk nis me emër njeriu, por me numër – pra veçse me kokëtundës, pa ndjenja. Në sfond, si për të plotësuar gjithë telajon ku shtrihet rrëzimi i Njeriut, qëndron “dhoma e çiftëzimit”. Jeta dhe puna s’të përkasin më ty. Janë pronë e të gjithëve. Mendimet duhet të jenë njëlloj. Dashuritë njëlloj. “Shkelja e nenit për Preferenca të Barabarta” është krim që ndëshkohet. Por a mundet që të duam njëlloj? A mund të kemi ndjesi të barabarta për këdo?

Nëse do besonim se ka dashuri njëlloj, përjetim njëlloj, atëherë je thjesht në një gënjeshtër të madhe, pavarëshsit nëse e she ti apo jo.

Dhe Ayn Rand, njohëse e shoqërisë totalitare, ka përshkruar ngjyrat e errëta që vijnë nga humbja e përditshme e njerëzores në një shoqëri “ideologjike-diktatoriale”. Në fakt, duket sikur Rand na fton që në fillim përballë telajos së bardhë dhe sheh vetë se si pak e nga pak autorja plotëson pikturën me humbjen e çdo vetie njerëzore. Natyrisht është një pikturë e zezë, ku janë zënë hapësirat e së bardhës. Siç është dhe vetë kopertina e sugjeruar thuajse në të gjitha botimet e këtij libri, ku gjithçka është e zezë – madje më e errëta e së zezës. Ka humbur fjala “Unë”. “Barazia 72521” është thjesht një dallim, por nuk është person. Eshtë “një prej të tjerëve”. Eshtë rritur pa nënë, pa baba, në një turmë që e udhëheq drejt një bote ku humb gjithçka individuale.

Shqiptarët, për fat të keq, kanë fjetur për dekada në këtë shtrat absurd të humbjes së fytyrës së tyre. Dhe shenjat e atij gjumi i kemi mbartur edhe pas më shumë se tridhjetë vitesh nga ai zgjim, pasi nuk arritëm të dilnim nga ajo errësirë me njerëz që të besonin se mund të kishin mendimet e tyre, idetë e tyre. Shumica thjesht kishte krijuar bindjen se çdokush duhej të ishte ushtar i partisë.

Por çndodh me personazhin tonë “Barazia 72521”? Ai zbulon Elektricitetin dhe Librin. Nga ky kontakt ai nis të mendojë. Dhe autorja duket sikur na thotë: Eshtë një kapërcim i madh të lejosh veten të mendosh në atë botë absurdi! Elektriciteti dhe libri vijnë si një metaforë që ndez llampat tona të brendshme. Drita dhe Libri janë zbulimi i “Un”-it dhe “Ego”-s. Dhe njeriu nis të shohë dhe mendojë.

Cila është dëshira më e fortë e diktaturës ndaj njerëzve të republikës së saj: të mos mendojnë ndryshe nga ajo që sugjerojnë partia, të mos shohë më tutje se ç’i kërkohet nga partia. Pse? Sepse ashtu ata kontrollohen më mirë.

Sepse nëse nuk ka dashuri, nuk ka as mëshirë. Nuk ka as Njeri, ndaj dhe gjithçka ndaj kujtdo mund të justifikohet lehtësisht.

Dhe çfarë ka ndodhur në një shumicë dërrmuese te ata që kaluan vite jete nën diktaturë duke aprovuar apo vepruar vetëm me urdhër, edhe kur i merrnin tjetrit jetën, familjen, pronën? Ka ndodhur ë të triumfojë formula trishtuese: “Aq munda të bëja!”. E në emër të gënjeshtsës ndaj së shkuarës sonë, kemi vijuar të mos guxojmë t’i shkojmë në thelb analizës së njeriut të djeshëm, që humbi dhunshëm vetveten dhe të tjerët.

***

Nëse është thënë shpesh se Letërsia nuk është vetëm lexuese e së djeshmes por edhe pararendëse e rrugëtimit që do të bëjë, atëherë mund të themi me bindje se Ayn Rand ja ka arritur. I botuar në vitin 1937, fatkeqësisht ky libër arriti të vërtetohej mbi shumë popuj. Fatkeqësisht, në mënyrën më të dhushme pikërisht në Shqipëri…

Filed Under: Fejton

“SHËN NËNË TEREZA NË PULLAT SHQIPTARE”

August 29, 2024 by s p

Hysen S. Dizdari/

Në kujtim të 114 vjetorit lindjes Nënë Terezës (26 Gusht 1910-26 Gusht 2024). Në kujtim të 45 vjetorit të marrjes Çmimit Nobel , nga Nënë Tereza. Në kujtim të 8 vjetorit Shënjëtërimint të Shën Nënë Terezës.

Libri album me pullat postare shqiptare, kushtuar Nënë Terezës ,doli në botimi i parë në vitin, 2018.Tani kanë kaluar 6 vite dhe ky libër është pritur mirë nga lexuesit, por në mënyrë të veçantë nga, studjuesit e filatelisë dhe koleksionistët e pullave postare shqiptare ,në Shqipëri dhe vendet e hueja. Duke marrë parasysh, vlerat e larta morale e njerzore të këtij libri, por edhe kërkesat e shumta të lexuesve, po bëjmë ribotimin e tij ,me rastin e 114 vjetorit e lindjes dhe 8 vjetorit të shenjëtërimit të Shën Nënë Terezës.

Gjatë këtyre viteve, libri-album: “Nënë Tereza në pullat shqiptare”,botim i viti 2018, ka marrë pjesë, në ekspozitat e librit filatelike në shkallë ndërkombëtare dhe është vlersuar me 3 çmime (medalje) si më poshtë:

1-Në ekspozitën, ndërkombëtare: “China-2019, është vlersuar me medalje-SILVER.

2-Në ekspozitën, ndërkombëtare: “Cinisello-Balsamo-2019”, Itali, është vlersuar me-VERMEIL.

3-Në ekspozitën, ndërkombëtare : “Nordia-2019”, është vlersuar me medalje-SILVER. Në këtë botimin të ri, janë marrë parasysh, mangësit e vrejtjet që ka paraqitur ky liber në ekspozitat e librit filatelik ndëkombëtarë, duke marrë për bazë edhe përmisimet e kritereve të vlesimit të literaturës filatelike, të propozuera nga Shoqata Botërore e Autorve në Filateli (AIJP-antar i të cilës jam ). Me një kujdes të veçantë, janë bërë përmisimët e duhura ,duke marrë parasysh, edhe ndryshimet e reja që janë pasqyruar në botimin e ri, të katalogun , Michel -2024 për Shqipërinë.

Shën Nënë Tereza me misionin e saj, shpirtërorë, moralë e humanitarë, kushtuar të varfërvë në gjithë botën ka marrë dhe vlersime pozitive, nga përsonalitete botërore:

Papa Gjon Pali i II ,duke vlersuar Nënë Terezen theksonë:

“SI MUND NE TË HARROJMË GONXHE (ANJËZE) BOJAXHIU, NËNË TEREZEN TË KALKUTËS, BIJEN E POPULLIT SHQIPTARË QË I KA DHANË NDER E SHKELQIM KOMBIT TË SAJ DHE KISHËS KATOLIKE.”

Kurse ish President i SHBA, Bill Klintoni në vitin 2002 ka theksuar:

“ NËNË TEREZA ISHTE E PARA QË MË BËRI TË DUA KOMBIN SHQIPTARË.DHE TANI NDIHEM SHUMË KRENARË QË PLOTËSOVA NJË DETYRË MORALE, NDAJ SAJ DHE VLERAVE TË LIRISË.”

Me 4 shtatorë, 2016 në sheshin, Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të 250.000 besimtarve, dhe 15 përsonaliteteve botërore, u mbajt Mesha e Shenjët e kanonizimit Shenjëtore e të Lumturuemes ,shqiptares Nënë Tereza.

Papa Françesku ,në Omeli me 4 shtator 2016 theksoi:

“NËNA TEREZA NA KA MËSUAR TË NDIHMOJMË NJERZIT PA DALLIME IDOLOGJIKE, RRACE DHE BESIMI FETARË.”

Shën Nënë Tereza shqiptarja e famshme ,e njohur në të gjithë botën është bërë shenjëtore e dashurisë njerzore, me vepren e saj në shërbim të varfërve të gjithë, nejrzimit , pa dallime, race feje dhe etnie, dhe sot është bërë ,modeli më i përsosur i respektit , i moralit dhe dashurisë njerzore , në të gjitha vendet e botës.

NË KËTË PËRVJETORIT TË RËNDËSISHËM DHE ME RASTIN E RIBOTIMIT TË LIBRIT: “SHËN NËNË TEREZA NË PULLAT SHQIPTARE” I PËRSHENDETI SHQIPTARËT DHE LEXUESIT, KUDO NË BOTË, ME NJË POEZI TË SHKRUAR NGA SHËN NËNË TEREZA ME TITULLË:

GJEJ KOHË :

Gjej kohë të mendosh – është burimi i fuqisë.

Gjej kohë të lutesh – është fuqi dhe kjo, më e madhja në botë.

Gjej kohë të qeshësh – është muzikë shpirtërore brenda teje.

Gjej kohë të luash – është vazhdim i fëminisë.

Gjej kohë të duash është dhuratë e Hynjive.

Gjej kohë të jepesh është triumfi i dashurisë.

Gjej kohë të lexosh – është trualli i mençurisë.

Gjej kohë të shoqërosh – është rrugë lumturie.

Gjej kohë të punosh prapë – ke blerë ardhëmërinë.

Gjej kohë të bëshë mirë – janë flatrat që të çojnë në Qiell.

Filed Under: Ekonomi

DISA EMËTIME GJEOGRAFIKE ME EMRIN ALBANY NE AMERIKËN E VERIUT

August 29, 2024 by s p

Dr. ALBERT KURTI/

(Pjesa e dytë) – Qyteti Albany në shtetin e Xhorxhias shtrihet në jug të saj dhe ka largësi nga Atlanta prej 170 milje (273 km). Qyteti është themeluar në vitin 1836 nga tregtari Nelson Tift, pranë brigjeve të lumit Flint. Që nga viti 1853 u bë seli e qarkut më të ri të shteti, Dougherty. Popullsia e qytetit llogaritet rreth 80 mijë banorë. Një nga ngjarjet kryesore historike e shekullit XIX në Albany ishte emancipimi. Zhvillimi kryesor i shekullit XX konsiderohet lëvizja e të drejtve civile. Këtu u hodhën themelet e një kapitulli të Shoqatës së Përparimit e njerëzve me ngjyrë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe rigjallërimin e saj në vitet 1940. Në 1996 u hap universiteti shtetëror (New Georgia Encyclopedia).

Nëse shkojmë ne Kanada, pikërisht në provincën Skocia e Re konstatojmë një tjetër vendbanime me emrin Albany (New Albany). Ky është vendbanim i vogël dhe shtrihet në perëndim të provincës. Edhe nga vetë emri i provincës, New Albany është krijuar nga emigrantët e ardhur nga Skocia. Edhe sot skocezët e emërtojnë vendin e tyre edhe si Alba e Albany.

Nëse kthehemi në SHBA, në shtetin e Indjanë konstatojnë një tjetër vendbanim me emrin Albany. Ai ndodhet 67 milje nga Indjanapolisi. Vendbanimi është ngritur përgjatë lumit Mississinewa dhe bën pjesë në qarkun e Delaware dhe në atë të Randolph. Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2020, në Albany jetojnë rreth 2300 banorë.

Në Kanada, një lumë në provincën e Ontarios emërtohet Albany. Lumi ndodhet në veri të Ontarios Qendore, që buron në liqenin Sant Josef në një lartësi prej 371 m dhe rrjedh në drejtim të lindjes në gjirin Xhejms. Nga 600 milje, 250 milje lumi është i lundrueshëm dhe për shumë dekada shërbeu si rrugë e rëndësishme në tregtinë e gëzofit. Dega kryesore është lumi Kenogami me gjatësi 200 milje (Britannica).

Në perëndim të SHBA, në shetin e Kalifornisë, pikërsisht përgjatë bregut lindor të San Franciskos ndodhet kodra Albany, pranë qytetit me të njtën emër. Albany është është një kodër e rrumbullakët me lartësi 94 m.

Disa fakte për kodrën Albany:

1. Kodra përbëhet nga gurë ranor dhe argjilë të periudhës së Jurasikut (145 milion vjet më parë).

2. Paraardhësit e Huchiun jëtuan në skajin verior të kodrës për mijëra vjet.

3. Eksploruesit e hershëm spanjonjën e quajtën kodrën El Cerrito de San Antonio.

4. Bimët dhe kafshët që gjenden në këtë kodër është një përzierje e specieve bregdetare dhe atyre të kodrave aty pranë.

5. Shkenctarët kanë gjetur 100 llojë bimë vendase, mbi 100 lloj fluturash e tenjash, 100 lloj zogjsh.

6. 11 hektarë të skajit jugperëndimor të kodrës janë në pronësi private (Tending the Ancient Shoreline hill:TASH).

Filed Under: Histori

Rebelimi

August 29, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Historia e rebelimit që u shndërrua në revolucion, një histori e viteve 1763–75, është pothuajse e pamundur të sintetizohet në një ese, një kapitull, apo edhe në një libër. Çfarë mund të themi atëherë? Ndoshta vetëm kjo: revolucioni u bë nga një “koalicion i grupeve të ndryshme shoqërore”, i motivuar nga një sërë ankesash individuale, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën. Patriotët nuk ishin aspak gjithmonë demokratë, dhe besnikët nuk ishin të gjithë monarkistë tiranë. Skllevërit dhe indianët nuk ishin adhurues të nocioneve hipokrite, ekskluziviste të kolonistëve për lirinë dhe shpesh favorizonin kurorën. Ka shumë për t’u krenuar në revoltën koloniale dhe shumë për t’u turpëruar gjithashtu. Ndonjëherë miti është më i fuqishëm, më ndikues se realiteti. Pa dyshim që kjo ka qenë e vërtetë për çuarjen deri në Revolucionin Amerikan. Të kritikosh motivet dhe taktikat e patriotëve ose të Etërve Themelues do të thotë të ftosh qortim dhe mbrojtje pasionante. Në fund të fundit, nëse Pilgrims dhe Plymouth Rock përfaqësojnë mitin e parë të origjinës së zgjedhur, atëherë, me siguri, Revolucioni Amerikan duhet të qëndrojë si i dyti. Kush jemi ne, të paktën kush mendojmë se jemi, është e mbështjellë në mënyrë akute në narrativën revolucionare. Të vësh në dyshim atë llogari do të thotë të na pyesësh ne. Megjithatë, kjo është ajo që ndershmëria intelektuale dhe sfidat e tanishme kërkojnë – të shqyrtojmë origjinën themeluese të Amerikës, lythat dhe të gjitha, dhe të përpiqemi drejt një bashkimi vërtet më të përsosur.

“Lufta e pavarësisë nuk kishte të bënte vetëm me sundimin e shtëpisë, por me atë se kush do të sundonte në shtëpi”. — Historiani Carl Becker

Çfarë lloj revolucioni ishte? Radikal apo konservator? Ushtarak apo social? Farsë sinqerisht demokratike apo hipokrite? Ndoshta pak nga të gjitha. Ajo që me siguri nuk ishte, ishte ajo që paraqitet në fillin e rehatshëm, patriotik, të shkollës së mesme, me të cilën të gjithë jemi mësuar. Megjithatë, as nuk ishte diçka jashtë një fabule të privilegjit të bardhë që mund të hidhet poshtë plotësisht. Le të fillojmë me pikturën e famshme në faqen përballë, të porositur nga Kongresi i SHBA-së dhe e ekspozuar në Kapitol Rotunda. Ky interpretim ngre disa pyetje: Kush, saktësisht, e fitoi luftën dhe çfarë lloj lufte ishte ajo? Çfarë nuk përshkruhet? Dhe pse? Artisti kap momentin e dorëzimit britanik pas betejës së Yorktown në 1781. Është gjithçka kaq e rregullt, kaq simetrike, me ushtarë të rregullt të ushtrisë kontinentale të montuar dhe në këmbë në të djathtë dhe ushtarë francezë po aq të mprehtë, të mbushur me uniforma të bardha të pastra, në të majtë. Të kuqtë e përulur qëndrojnë poshtë një oficeri amerikan dhe ofrojnë dorëzimin e tyre, ndërsa gjenerali Xhorxh Uashington e vështron nga pas, djathtas. Sikur ky të ishte portreti i vetëm i disponueshëm për pasardhësit, shikuesi mund të supozonte se Lufta e Pavarësisë ishte një çështje ushtarake mjaft konvencionale, e zhvilluar rregullisht midis dy ushtrive zotërinjsh. Imazhi popullor është diçka e tillë: ushtria kontinentale – me njëfarë ndihme nga francezët – mundi britanikët dhe fitoi një komb të ri, të pavarur. Nuk kishte papastërti, pa ndyrë, asgjë të çrregullt apo komplekse. Nuk kishte gra, as zezakë, as amerikanë vendas, sigurisht nuk kishte besnikë apo milici të pahijshme koloniale. Ndoshta kjo është mënyra se si amerikanët pëlqejnë të kujtojnë Revolucionin, se si mësuesit e shkollave fillore e transmetojnë këtë të kaluar epike. Siç e kemi parë në kapitujt e mëparshëm, mënyra se si e kujtojmë të kaluarën është po aq magjepsëse dhe udhëzuese sa edhe realiteti i ngjarjeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Revolucionin Amerikan, i cili, është miti i origjinës së dytë të Amerikës, një sagë e lirisë koloniale që godet njëherë e përgjithmonë tiraninë britanike, një histori e kryesuar vetëm nga vendosja fillestare e kolonive. Sikur të ishte kaq e thjeshtë. Kur vlerësojmë Revolucionin Amerikan, në thelb duhet të analizojmë përgjigjet gjithëpërfshirëse për pyetjet e mëposhtme: Si dhe pse rebelët – ushtria e të cilëve nuk fitoi kurrë një betejë në fushë të hapur – mundën perandorinë më e fuqishme në botën perëndimore? Si u jetua dhe përjetua përvoja sociale dhe ushtarake e revolucionit nga një popullsi e ndryshme koloniale? Dhe së fundi, çfarë do të thoshte të “fitosh” dhe cilët ishin saktësisht fituesit dhe humbësit e luftës? Duke kërkuar t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, mund të mos na pëlqejë gjithmonë ajo që gjejmë, ose mund të hutohemi nga konglomerati i rrëmujshëm i përvojës Revolucionare. Megjithatë, ndoshta do të zbulojmë gjithashtu diçka të thellë se kush ishim ne si amerikanë, kush u përpoqëm të ishim dhe sa larg kemi arritur në arritjen e revolucionit tonë të madh. Nga Lexington në Bunker Hill ne lamë kolonistët tanë të ankthshëm – dhe të pashpresë të ndarë – amerikanë në prag të rebelimit, vetëm dymbëdhjetë vjet pas disfatës së Francës në Luftën Shtatë Vjecare. Me përfitimin e pashmangshmërisë, revolucioni duket i pashmangshëm, megjithatë asgjë nuk ishte e paracaktuar. U desh një shkëndijë për të përfshirë kontinentin në gjakderdhje. Do të vinte në Massachusetts. Në prag të luftës, britanikët, si shumë ushtri të rregullta perandorake përpara tyre, besonin se mund t’i frikësonin rebelët me një shfaqje të uniformave mbresëlënëse, marshime me hapa të mbyllur dhe një shfaqje themelore të forcës. Brenda dhe rreth Bostonit, britanikët kërkuan të kapnin depo të mëdha armësh koloniale dhe, në këtë drejtim strategjik, marshuan nga qyteti drejt fshatit Concord në prill 1775. Por shfaqja e hapur e forcës ushtarake në fakt ngriti tensionet, u radikalizua popullsia dhe shkaktoi konflikt. Përveç kësaj, kapja e armatimeve të centralizuara nuk do të funksiononte në vetvete në Amerikë, për shkak të një karakteristike të kolonistëve: ata ishin të armatosur. Konsideroni, për një moment, pasojat radikale të një popullsie të armatosur. Amerikanët ishin unikë në atë që, ndryshe nga anglezët, skocezët apo irlandezët, pothuajse të gjithë të bardhët ishin pronarë të armëve. Mjetet ishin aty. Dukej se lufta do të vinte përfundimisht; ishte çështje se kur dhe ku. Rreth orës 4:00 të mëngjesit të 19 prillit 1775, rregulltarët britanikë, në rrugën për në Concord, u përplasën me një shfaqje të vogël koloniale të forcës: shtatëdhjetë apo më shumë milicë ishin mbledhur – me musketa – në gjelbërimin e qytetit Lexington. Një oficer britanik i urdhëroi ata të shpërndaheshin. Ata nuk e bënë. Askush nuk e di se kush qëlloi i pari, por ishin ushtarët britanikë që gjuajtën të fundit, të paktën për momentin. Kur u largua tymi, disa kolonistë – nënshtetas anglezë – shtriheshin të vdekur, të tjerë u plagosën dhe pjesa tjetër kishin ikur. Rruga për në Concord ishte e hapur dhe britanikët e morën atë.

Pastaj, gjatë rrugës për në bazën e tyre në Boston, diçka ndodhi. Kolonistët nga qytetet fqinje, shkaktuan qindra viktima në rradhët e trupave britanike që tërhiqeshin. Ishte një ditë e përgjakshme dhe ndryshoi rrjedhën e historisë amerikane.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 779
  • 780
  • 781
  • 782
  • 783
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT