• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse Putini do/po gjunjëzohet nga Perëndimi dhe Ukraina?

June 26, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-n, kam ndjekur me interes të shtuar rreth 850 ditë/netët e fushëbetejës së përgjakshme të Rusisë – Putiniste ndaj Ukrainës si dhe interesave të Aleancës Euroatlantike dhe vlerave perëndimore. Në të njëjtën kohë kam publikuar 10-ra vlerësime strategjike si dhe i kam ndarë ato me koleg/personalitete të sigurisë të Këshillit të Atlantikut dhe Institutit të Luftës në Washington; Qëndrën Marshall, Gjermani; Bruksel, Kolegjin e NATO-s, Romë, etj.

Pa pretenduar kurrësesi të “privatizoj të vërtetën shteruese” kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e “revanisë konspiracioniste”, pasi nuk kam kohë të shpërdoroj me mjerimin e kuvendarëve të emëruar, dalldisjet analistëve të gjithëditur dhe sekserëve të vetë (de)graduar Gjeneral, që turfullojnë nëpër banaqe mediatike për skenarë ogurzi, avionë, tanke, raketa; “pronarin e çelësit të valixhes atomike, për ditën e qametit”, duke e trajtuar kështu, “luftën jo vetëm për Ukrainën” me rrethanat e Luftës së II-të Botërore; të luftës së ftohtë apo fushatave kriminale të Bollshevikëve, Nazistëve, Stalinistëve, Putinisteve, etj.

28 muaj pas nisjes së fushatës ushtarake të Kremlinit ndaj sovranitetit të Ukrainës, më duhet të ri-sjell në vetëdijen strategjike si dhe atë publike njeherësh, se udhëheqës të deformuar nga paranojat e përjetësisë së (mbi) pushtetit, nostalgjikë të “lavdisë së ushtrisë së kuqe”; politikanë mëndjendryshkur dhe kamikazë anti-perëndimor/USA, në Kremlin, Teheran, Phenian, Beograd, e gjetkë, ose “fërkojnë duart” ose vijojnë të mbivlerësojnë fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale [numër mercenarësh, tankesh; Mig/29, raketa, armë bërthamore etj], si dhe me fuqinë e helmit të prapagandës bollshevike.

Gjithësesi, në respekt të opinionit mbarëkombëtar, Rajonal, NATO-s, etj si dhe këdo të frymëzuar apo të frikësuar nga “hija e rëndë e Kremlinit”, që parashikuan skenarin më të zi: “maksimumi 3-4 muaj, (9 Maj-22) Rusia do ta celebronte me valle në Kiev fitoren e lavdishme të pushtimit të Ukrainës si dhe triumfin ndaj Aleancës Euroatlantike”, më duhet “t’i qetësoj me 6 mesazhe gjeostrategjike:

Pikësëpari, në dhjetra opinione, jam përpjekur të ndaj këndvështrime por edhe të përcjell mesazhe euro-atlantike, sigurisht dhe optimiste. Thënë këtë: “kurrësesi nuk e kam menduar, as shkruar, që përballja me një superfuqi të pushtuar nga oshilacionet staliniste, do ishte e lehtë, as që Rusia do gjunjëzohej për 24 orë apo 14 muaj”. Në të kundërt, që në krye të herës si dhe në vijim kam përsëritur se: “do të jetë një luftë e përgjakshme, relativisht e gjatë, por që do ta rraskapisë dhe gjunjëzojë Rusinë – Putiniste. Por sigurisht Luftën do ta fitojë Ukraina martire dhe vendosmëria e Perëndimit”.

Dhe ja ku jemi, mbas 850 ditë/netë luftime. Falë sakrificave dhe rezistencës sublime të Ukrainës, falë mbështetjes së fuqishme dhe të pakushtëzuar të Aleancës Euro-Atlantike si dhe përtej prapagandës dëshpëruese të Kremlinit, Rusia-Putiniste mbasi në 28 muaj ka dështuar për të arritur objektivin strategjik: “pushtimin e Ukrainës” po përpëlitet dhe rrokulliset drejt humbjes turpëruese të Luftës.

Mbas 28 muaj luftime: “Kremlini ka humbur iniciativën strategjike të luftës. E vërtetë, ka disa përparime të sforcuara në rrafshin taktik dhe po bën gjithka të ri-marrë epërsinë operacionale në fushëbetejë”. Por, pavarësisht bombardimeve si shtet terrorist ndaj popullsisë civile, Spitaleve, Shkollave, Hidrocentraleve, tubacionit ndërkombëtar të amoniakut; avantazheve nga mbrojtja në transhe për të penguar kundërofensivën e Ukrainës, Rusia ka “ humbur mbi 50 % të territoreve të pushuara; mbi 500 mijë të vrarë dhe plagosur; më shumë se 11 Trilion € shpenzime për luftën, (ose 6 vjet të GDPse Neto), duke rrënuar kështu moralin e ushtrisë si dhe kombit rus rreth luftës !

Ndërsa për borizanët e “suksesit ekonomik gjatë luftës në Ukrainë”, referuar Bankës Botërore konfirmohet se: “në listën e GDP-së për 2023, Rusia është e rreshtuar e 11 me 1, 860 trilionë €, 14 herë më pak se USA (26,954); shumë mbas Gjermanisë (4,430), Francës (3,052), Italisë (2,190), etj”.

Së dyti, Pse Rusia e ka dështuar për të sfiduar fuqinë ushtarake, kufijtë dhe interesat e Aleancës Euro-Atlantike ? Pse lufta e ka forcuar “përtej çdo pritshmërie” solidaritetin për mbështetjen e Ukrainës si dhe kohezionin mes 32 vendeve të NATO-s ?

Për shkak të kësaj lufte neonaziste, është konfirmuar anëtarësimin de-jure i Ukrainës në BE ndërsa me Finlandën dhe Suedinë, NATO u zgjerua me 2-fishin që trashëgoi nga lufta e ftohtë (16/32). Po ashtu nga vetëm 5 vende para luftës (02/2022), sot 23 prej tyre (përfshi RSh) kanë arritur 2 % të GDP-së për buxhetin e mbrojtjes. Statusi Ukrainës në Samitin e Vilnus (para 1 viti), u ri-formalizua në nivelin e “Komitetit NATO – Ukrainë”, pra edhe më afër derës së anëtarësimit. Në më pak se 1 muaj para Samitit të Washingtonit, Sekretari Stoltenberg, konfirmoi se: “bashkë me fitoren e luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”.

Pra 850 ditë luftime të përgjakshme vërtetuan (me 2-3 përjashtime nga aktorë kontrovers), se Rusia-Putiniste e ka humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes NATO-s dhe BE, duke përdorur “gazin si armë gjeopolitike” apo duke kërcënuar (si shtet terrorist) me fuqinë bërthamore.

Miratimi i paketës shtesë (250 miliard) nga Senatit USA dhe 55 Miliard Euro nga BE; ndërsa në “takimin e G-7 për Ukrainën” u vendos përdorimi i aseteve (+1 miliard euro) nga saksionet e Rusisë për armatosjen e Ukrainës, etj. Kjo vendosmëri do të konfirmohet edhe në Samitin Washingtonit (9-11 Korrik 2024) si prova të forta se për Aleancen Euro-atlantike (USA/NATO/BE): “nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës”!

Në planin e mbështetjes ushtarake, në terren kanë mbërritur paketa e zgjeruar e armatimeve të gjeneratës së fundit nga SHBA, UK, Gjermania dhe pothuaj të gjitha vendet e NATO-s (tanke Abrams, Challenger, Leopard, sistemeve Patriot, Dronë, Avion F-16, Helikopter luftimi, municione artilerie, etj), që janë garanci e mbështetjes deri në fitoren e Ukrainës me të keqen e përbashkët (Rusisë – Putiniste).

Shtojmë, se “kërcënimi delikuent i Putinit që Rusia do sulmojë çdo vend që armatos Ukrainën (duke nënkuptuar, USA, UK, Gjermani, Poloni, etj)”, ndërkohe që është e provuar botërisht që vetë Rusia – Putiniste po furnizon me armë shtetet dhe grupet terroriste: “këtë deklaratë e gjej edhe më cinike se e gjithë ndërmarrja e tij kriminale”. Përgjigjen me herët e ka marrë nga USA, UK, Gjermani, etj, ndërsa së fundi përgjigjen e fuqisë së forcës ushtarake e mori edhe nga Franca zyrtare, me “propozimin për ndërhyrjen edhe me trupa në Ukrainë”. Kjo vendosmëri e imponoi Putinin për të bërë “dhelprën”, pra nga kërcënimet te oferta për “marreveshje për paqen” dmth të nënështrimit të Ukrainës dhe Perëndimit për statuskuonë e territoreve e pushtuara, përfshi Krimenë. Marrëveshje (!) që jo vetëm askush nuk do ta pranojë, por as Lavrovi-Tij nuk do e besonte si ofertë për paqe të qëndrueshme!

Për sa pasojat fatale në rast përdorimi të armëve bërthamore (Rusia 5977 njësi kundrejt 5428 USA; 290 Franca; 225 UK) me të cilat Putini kërcënon se do “ti bëjë gjëmën qytetërimit”, përgjigja e perëndimit mbetet e ftohte: “nëse vetëm do të guxonte”, Rusia jo vetëm do të damkosej përjetësisht si “shtet terrorist” por edhe do të ndëshkohej/t në mënyrë shëmbullore nga fuqia e pamposhtur e USA/NATO/UK, ndërsa Putinistët do dënoheshin si nazistët: “për krime kundër njerëzimit”!

Së treti, Kremlini është vetëdemaskuar në luftën për të tronditur rendin e sigurisë globale. Që në krye të herës, (por edhe në mbi 28 muaj luftime) u konfirmua se agresioni ushtarak, nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës por edhe: “kërcënim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, si dhe ndaj interesave dhe vlerave Trans-atlantike (USA/UN/NATO/BE)” !

Prandaj, pas 28 muaj luftimesh Rusia – Putiniste gjendet edhe më e izoluar por dhe më e diskredituar se asnjëherë më parë në historinë e saj gjeopolitike. Për shkak të kësaj lufte rrezikon potencialisht përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare është lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit si dhe për listën e Gjeneralëve dhe zullumqarëve rreth tij; nga 195 (përfshi Kosovën) vetëm 4 shtete terroriste e njohën këtë aventure neo-naziste; është përjashtuar nga Samitet G-8/7 (me miratimin edhe të Kinës…), nga Kampionati i Futbollit (Euro-2024), si dhe i janë ngrirë mbi 200 miliard € asete përr shkak të saksioneve ndaj Rusisë.

Vëtëm për shkak të kësaj lufte-neonaziste, Putinit refuzojnë t’i japin dorën edhe autokratët e Azis Jug-lindore. Për më qartë, ndërsa Putini pritet në bunkerin e Kim Jong-ut, në të kundërt, Presidenti Zelenski pritet “si hero” nga të gjitha kancelaritë dhe kryeqytetet e aleancës euroatlantike si dhe botës së qytetëruar.

Së katërti: megjithë jargavitjen dëshpëruese dhe ndihma të kufizuara në industrinë ushtarake, Rusia ka mbetur e “keq-zhgënjyer”, për të tërhequr Pekinin në një aventurë gjeostrategjike duke përfshirë Kinën në një front lufte ndaj Tajvanit. Në të kundërt, që në fillim të kësaj ndërmarrje kriminale, me qetësinë Aziatike, Pekini paralajmëroi Moskën për mos-vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi.

Kanë dështuar edhe llogaritë e pinjollit të KGB-së si dhe “diplomatët dhe gjeneralët e lemerisur” nga Putini, të cilët nga “deliri i fitores së padiskutueshme” as nuk e kishin konsideruan që: “kur vjen fjala për interesa gjeopolitike, Kina nuk mund të jetë kurrësesi aleate e natyrshme me Rusinë në luftën kundër USA dhe BE”.

Së pesti: me gjithë perden e hekurt diçitale, putinistët e kanë humbur edhe betejën për të mbajtur gjallë kohezionin e kombit Rus. Në të kundërt, mbi 500 mijë të vrarë dhe plagosur në fushëbetejë; më shumë se 11 trilionë € kosto në 850 ditë/natë lufte, ose mbi 5 herë më shumë se Prodhimi i Përgjithshëm vjetor Neto i Rusisë (2023 = 1, 860 trilionë €); etj e kanë leqendisur moralin e ushtrisë, epërsinë strategjike, peshën gjeopolitike dhe bashkë me këto edhe krenarinë dhe kohezionin e kombit Rus.

Ndoshta për “meritë të armës bollshevike të dezinformimit” krijuan një mjegullnajë rreth shpërdorimit (si limon i shtrydhur) të mercenarit të salsiçeve (Progozhin) dhe Dodikut në Ballkan, si ndër përpjekjet për të rikuperuar kohezionin, ndërsa Moska i ka mbështetur shpresat te rekrutimi mijra mercenare/fukarenj (që luftojne për para dhe jo për Rusinë) për të mbajtur dhe avancuar vijën e frontit në fushëbetejë.

Së gjashti: Rusia – Putiniste, fatëmiresisht ka humbur edhe betejën për të ndezur një front lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve të korruptuar, oshilacionet e neo-Millosheviçëve në Beograd apo ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan, duke kërcënuar “deri me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe paqen, statuskuone dhe interest gjeopolitike të Aleancës Euroalantike në rajon.

E thënë edhe me gjuhën popullore, në këtë përballje të përgjakshme: “njëra veze do të thyhet”. Prandaj nuk besoj se edhe mendjet më të ndryshkura dhe ata që hanë nga sallata/prapaganda Ruse, mendojnë se: “është opsion që perëndimi ta humbasë këtë luftë për jetë a vdekje me të keqen e përbashkët”. Konsideruar këto, jam edhe më i bindur se bashkë me humbjen turpëruese të luftës neo-naziste për pushtimin e një vendi sovran, Ukrainës stoike, Rusia – Putinste do të gjynjëzohet në përballjen edhe fuqinë e pakonkurueshme ushtarake të USA/NATO-s, si dhe dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)!

Në shtesë, faktorët me peshë politike (jo vulëhumbur dhe egocentrikë të sëmurë, që premtojnë parajsa piramidale, si 50 milion për FSK, toka në Mars për ish-pronarët, etj përralla si këto që do turpëronin edhe Ali Komikun e Bagdatit) si dhe aktorët shtetërorë të Tiranës do i këshilloja që: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret mbas lufte Rusinë (përfshi në Ballkan), mbart një rrethanë të favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN) si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në Rajon, Mesdhe, etj”.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Analiza

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë: ´´Zbulo abuzimin me drograt dhe mbroni fëmijët & rinjtë nga vartësitë“

June 26, 2024 by s p

Në Shqipëri dhe Kosovë, përdorimi i drogave është një problem i madh dhe në rritje. Në Kosovë, numri i përdoruesve të drogës është në trend të rritjes, dhe konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët. Federata e Mjekëve shqiptarë në Europë mbajti me sukese Konferencën e XXIII europiane në Qytetin e bukur të Prizrenit. Kjo konferencë u realizua në kuadër të Sensibilizimit mbi ´´Drogat dhe Shëndeti Mendor´´ dhe si vazhdim i misionit humanist të mobilizimit të mjekëve në Europë, organizoi në bashkëpunim me Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, Konferencën e XXIII-të Shkencore të akredituar (8 Kredite). Konferencën e Federatës dhe bashkëpunimin me Universitetin e Prizrenit e përgëzoi zyrtarisht Z. Albin Kurti- Kryeministri i Republikës së Kosovës.Në fjalën e mirëseardhjes – Dr. Aurora Dollenberg – President of AMFE (Federata e Mjekëve në Europë) falenderoi pjesëmarrjen e gjerë dhe folësit/Profesorat e Nderit për kontributin e tyre vullnetar.

Konkluzionet nga kjo konference mjekesore ishin:

1. Sipas të dhënave të Qendrës Mediko-Psikoterapeutike Labirint, janë 5,000 – 6,000 përdorues të varur drogash në Kosovë, që kanë probleme me sjelljen dhe rrethin, ndërsa numri i përgjithshëm i përdoruesve kalon 30,0001. Në Shqipëri, droga trafikohet përmes Kukësit ose Prizrenit, pastaj përmes Ferizajt dhe Gjilanit në Kosovë

2. Shqipëria është një nga vendet kryesore tranzit të trafikimit të heroinës dhe kokainës 3.Përdorimi i drogave ka pasojat e mëdha në shëndetin mendor. Përdorimi i substancave narkotike ndikon në shëndetin mendor të adoleshentëve

4. Përdorimi i substancave ka simptoma të zakonshme të sjelljes. Disa shenja dhe simptoma të të gjitha çrregullimeve të përdorimit të substancave përfshijnë: Duke pasur nxitje intensive për të përdorur substanca

5.Është e rëndësishme që të merret parasysh se përdorimi i drogës dhe varësia nga droga janë çështje serioze të shëndetit mendor dhe kërkojnë trajtim profesional. Nëse ju ose dikush që e njihni po përballen me këto çështje, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë nga një profesionist i shëndetit mendor.

Dekorim me titullin ´´ Goodwill AMBASADOR´´, për meritën e lartë të kontributit në federatë, e morën këto personalitete shqiptare: Z. Shaqir Totaj, Kryetar i Qytetit të Prizrenit, Dr. Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit-Prizren “Ukshin Hoti” , Dr. Fatmire Kollçaku, Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Dr.Jusuf Ulaj, Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Dr. Narqize Hoxhaj, Drejtoreshë e Spitalit Prizren. Paneli me të ftuarit e Nderit: Prof. Gazmend SH Bojaj, Prof. Fadil Çitaku, Prof. Lule Elezi, Dr. Edmond Nushi, Gjergji Pasha dhe Erdi Rexha, dhanë një kontribut të vyer organizativ.

Një Urim i përzemërt i shkon referentave të konferencës, të cilët paraqiten punime të shkëlqyera: 1- ´´Drogat dhe urgjencat më të shpeshta mjekësore´´- Dr. Aurora Dollenberg-Specialiste e Urgjencës dhe Mjekësisë Familjare, Psikoterapiste, CEO Dollenberg Clinic

2- “Ndikimi i substancave psikoaktive në gjendjen mendore të adoleshentëve – Dr.Behar Kamberi, Specialist i Pediatrisë 3-´´Sfida institucionale për evidentimin dhe trajtimin e rasteve të abuzimit me drogat´´- Dr. Arsim Gerxhaliu-Specialist i Mjekësisë Ligjor 4-´´Mbështetje psikologjike dhe psikoterapeutike për familjarët e përdoruesve të drogës´´ Arton Ademi – Specialist i Psikologjisë 5-´´ Varësia nga droga si problem social dhe zvogëlues i aftësisë për punë´´ Dr. Salih Bytyqi – Specialist i mjekësisë së punës 6-´´Efekti i substancave psikoaktive në procesin e detoksifikimit në mjedisin spitalor: objektivat dhe sfidat´´- Dr. Nik Agani- Specializimi në Psikiatri 7-´´Substancat narkotike dhe përdorimi i tyre tek adoleshentët dhe të rinjtë´´ Dafina Broqi- Specialiste e Psikologjisë 8-´´Situata e përdorimit të drogës në Kosovë, droga të reja – sfida të reja´´ Safet Blakaj – Specialist i trajtimit të drogës 9-´´Ndikimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në trajtimin e çrregullimeve mendore´´- Erdi Rexha– Drejtor-bordi studentor AMFE – Kosovë.

Ishte privilegj që konferenca jonë u nderua nga familja e 2 heronjëve të Kombit: Dr. Fahrije Jashari-Zv. Kryetare e Federata europiane Mjekëve AMFE-Suedi nga Familja e Adem Jasharit dhe Familja e Dr. Fahredin Hoti deshmor i Kombit, ku personalisht Djali i heroit-Z. Besnik Fahredin Hoti.Nje homazh i merituar u dha me ngritje ne kembe dhe duartrokitje te zgjatura nga gjithe salla e konferences, per heronjte e kombit.

Falenderojmë moderatorët e konferencës, gazetarët e njohur Z. Hajriz Mamaj & Znj. Alketa Gashi Fazliu dhe fotografin Edon Mamaj për punën e tyre shumë profesionale në konferencë. Falenderimi më i përzemërt i shkon pjesëmarrëve të shumtë , të cilët me pyetjet dhe diskutimet e tyre shkencore e bën këtë konferencë shumë dinamike dhe të frytshme.

Filed Under: Sociale

HESHTJA E SHTETIT SHQIPTAR PËR MOS DENIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT SJELL PËRÇARJE DHE URREJTJE NDËR SHQIPTARËT!

June 26, 2024 by s p

REAGIM I TË PËRNDJEKURVE POLITIKË DHE KOMUNITETEVE FETARE NDAJ DREJTUESVE TË SHTETIT SHQIPTAR DHE TRUPIT DIPLOMATIK I AKREDITUAR NË TIRANË PËR MOS DENIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT!

Ka mbi 6 muaj që Unioni Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në bashkëpunim dhe dakortësim të plotë me tre komuniteteve fetare Mysliman, Katolik , Orotodoksë dhe Bektashian i janë drejtuar Shtetit shqiptar dhe kan mbështetur kërkesën e Konferencës Ipeshknore të Shqipërisë drejtuar institucjoneve të shtetit shqiptar që të dënohen krimet e komunizmit me ligj siç i ka dënuar Europa postkomunizëm.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Kryetari i Këshillit të Ministrave Edi Rama opozita e ashtuquajtur e djathtë antikomuniste, vazhdojnë të heshtin ndaj kësaj kërkese sa kushtetuese, njerzore, aq dhe e domosdoshme për zhvillimet politike shoqërore në Shqipëri duke dëmtuar rëndë ekuilibrat e shoqërisë në vend. Ka 34 vite që mijëra familje shqiptare kërkojnë një varr për familjarët e vrarë pa faj nga diktatura, janë mbi 6000 familje shqiptare që presin një përgjigje nga ky shtet që e quan veten “demokratikë.” Por drejtuesit e shtetit vetëm Heshtin!

Kur do ti dënoni krimet e komunizmit me ligj që t,ju bëjmë një varr në tokën e tyre martirve të lirisë, lajmëtarëve të Europës demokratike. Këta shqiptarë të pafajshëm i vrau banda e katilit, tradhëtarit të Shqipërisë Enver Hoxha, të cilët ju, që drejtojni Shqipërinë sot, vetëm e imitoni për të mbajtur pushtet dhe heshtni për krimet e tija makabre.

Një President që nuk nderon historinë e qëndrestarve antikomunist, që hesht ndaj krimeve të komunizmit, që nuk jep përgjigje për 6 muaj rrjesht kësaj kërkese njerzore kombëtare, si mund të drejtoi shtetin shqiptar? Një Parlament qesharak, që flet për gjenocidin e luftës së dytë botërore dhe nuk flet asnjë fjalë për krimet e komunizmit 50 vjeçarë, një Parlament që hesht për krimet e serbëve ndaj shqiptarve,të Kosovës , e tregon kujdes hipokrizie për krimet e serbëve në Bosnje. A mund ti shërbej shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së lirive të qytetarve të vet?

Një Kryeministër që promovon në pushtet xhelatët e vrastarët e këtyre shqiptarve dhe i shpërblen me poste drejtuese, dhe me pensione marramendse, a mund ti shërbejë një shteti dhe sistemi demokratik.? Një opozitë apatike që ka ardhë në parlament me votat e antikomunistëve dhe familjarve të zhdukurve, i bashkohet heshtjes së pushtetit për krimet e komunizmit?! Cilë përfaqëson kjo opozitë??? Shqipëria vazhdon agoninë komuniste. Ka më se tredekada që politikanët e viteve 90 muarën përsipër përpara shqiptarve të traumatizuar nga diktatura komuniste për të ndërtuar një sistem demokratik, dhe bilanci mbas tre dekadash është jo shtet i së drejtës por rilindje të stalinizmit shqiptar. Kjo klasë politike e krijuar mbas shembjes së murit të Berlinit jo vetëm që nuk ndërtoi sistem demokratik ku të zhvilloheshin zgjedhje të lira, ku të kishte një drejtsi të pamvarun, ku prona private të shkonte tek i Zoti, ku të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të ishin të barabartë për të gjithë qytetarët. Këta politikan, në mënyrë të kaumfluar rindërtuan Stalinizmin e ri shqiptar me anën e korrupsionit dhe duke mos dënuar krimet e stalinizmit enverist, shkatruan sistemin e zgjedhjeve të lira dhe i krijuan shoqërisë një sistem staliniste ku partitë politike dhe kryetarët e tyre u kthyen në sundues dhe të pazavendësueshëm duke mbajtur peng demokracinë e shum pritur të cilën e kan mbërthyer për fyti duke mos e lejuar as të vdesi as të jetoi. Këto veprime antidemokratike që çfaqin sot politika e pushteti me urrejtje ndaj shtresës më fisnike, qëndrestare ndaj diktaturës dhe paqedashëse ndaj shoqërisë janë këmbanë alearmi për mos funksionimin e shtetit shqiptar.!

Sot jemi i vetmi vend europjan që nuk dënuam krimet e stalinizmit shqiptar, dhe i krijuam shoqërisë fenomenin e shpopullimit nga Shqipëria si vend që ska shtet të së drejtës.

Sot politikën në Shqipëri e bëjnë stalinistët e rinj të cilët për tre dekada nuk lejuan as nuk lejojnë zgjedhje të lira, ndrim elitash. Ata që përvetsuan politikën në 90, ata sundojnë si barbarë Shqipërinë. Partia e Punës së Shqipërisë që kreu krime ndrroi emrin në Parti Socijaliste, duke luftuar me çdo lloj mjeti për të mbrojtur krimet e Enver Hoxhës. Partia Demokratike që u shit si e djathtë në 90, bashkëpunoi me Partinë që ndrroi emrin vetëm me mbajt pushtet dhe aspak për liri e demokraci për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut siç u sakrifikuan për 50 vite Antikomunistët shqiptar dhe familjarët e të zhdukurve të komunizmit që sot nuk kan një varr në tokën e tyre.

Si mund të heshti opozita e ashtuquajtur e djathtë, për 6 muaj rrjesht ,ndaj kërkesës së Unionit Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe komuniteteve fetare, ndaj familjeve të zhdukurve të 6000 shqiptarve të vrarë pa faj që sot nuk kan një varr në tokën e tyre.

TRE DEKADA DUKE KËRKUAR ESHTRAT E TË ZHDUKURVE

A kan ndërgjegje kombëtare këta drejtues të shtetit shqiptar që për masakrat që jan kryer në popullin e tyre , heshtin ndaj vrasjeve dhe vuajtjeve të bashkombasëve të tyre. Si mund të ndërtojnë demokracinë këta, kur shkelin dhunojnë të drejtën e shqiptarve të kenë një varr në tokën e tyre. Ka 34 vite që politika nuk lejon asnjë antikomunistë të drejtoi institucjonet e shtetit shqiptar. Nqs në Shqipëri nuk ke lidhje me diktaturën nuk mund të bëhesh pjesë e politikës apo të zgjidhesh e të drejtojsh institucjonet shtetrore. A nuk është dhunim i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kjo në Shqipëri.???

Sot piskama e mijëra të zhdukurve jehon me thirrjet “Ku i keni vorret o burra e gra shqiptare!”

MARTIRËT QË KËRKOJNË NJ VARR NË TOKËN E TYRE

Kjo piskamë njerzore duhet të trondisi të gjithë ata shqiptarë, media, shoqëri civile që sistemi demokratik të funksionoi dhe të ju japi qetsinë shpirtnore mijëra shqiptarve që u sakrifikuan për liri demokraci dhe barazi dhe sot nuk kan një varr në tokën e tyre.

Askush nga vrarsit e tyre deri në sot jo vetëm nuk u penalizuar për krimet që kishin kryer, por njohën poste drejtuese në shtetin e ashtuquajtur “demokratik” dhe në anën njerzore nuk kërkuan falje.

Zotrinj Ambasadorë që përfaqësoni demokracinë e lirinë e vendeve tuaja, mos heshtni ndaj kësaj tragjedie kombëtare që i ka ndodhur popullit shqiptar e që sot vuan akoma heshtjen dhe bërjen palë të juve, me sunduesit e shtetit shqiptar. Ju sjellim në vëmendje se historia përsëritet, në mbarim të luftës së dytë botërore heshtja e juaj, e la vendin tim për 50 vite nën diktaturë.

Shpresojmë se gjaku i pafajshëm i shqiptarve që deshën liri dhe Shqipërinë si Europa dhe në partneritet e në miqësi të përjetshme me SH.B.A, të ndërgjegjësoi JU, ti bashkëngjiteni kërkesës tonë legjitime që të dënohen krimet e komunizmit me ligj, dhe jo të bëhej palë me heshtjen e sunduesve shqiptarë! Nga tragjedia e krimeve të komunizmit po ju sjellim në vëmendje një masakër të vitit 1948 juve që drejtoni shtetin dhe politikën shqiptare: U pushkatuan pa faj në një natë marsi 1948 , ora 5.00 të mëngjesit, pranë Rrëmajit në Shkodër, e vazhdojnë mos me pas një vorr në tokën e tyre!

1. Imzot Frano Gjini, (Zv/ Nunci Apostolik i Vatikanit),

2. Imzot Nikoll Deda, Ipeshkëv.

3. At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanve Shqiptar.

4. At Çiprian Nika, Rektor i Françeskanve Shqiptar.

5. Caf Dragusha,

6. Cin Serreqi,

7. Guljelm Suma,

8. Ing. Fahri Rusi,

9. Abdullah Kazazi,

10. Pjetër Pali,

11. Dulo Kali,

12. Xhelal Hardolli,

13. Gaspër Simon Gaspri,

14. Murat Hysen Haxhija

Qënja e mbi 6000 shqiptarve pa varr si falet kurrë kriminelave barbar , as bijëve të tyre të cilët sundojnë demokracinë dhe heshtin ndaj këtyre krimeve. Cila Europë ju pranon JU, që fyeni bashkombasit tuaj duke mos u lejuar dhe një varr në token e tyre. Si nuk turpërohi përpara botës demokratike që nuk e denon krimin dhe kriminelin komunistë, përkundrazi fyeni këtë pjesë të popullsisë së martirizueme duke nderuar xhelatët..

Si mund të drejtoni mbi gjakun e pafajshëm të shqiptarve që skan një varr në token e tyre??.

Kjo heshtje që ka zgjedhur Presidenti, Kryetare e Parlamentit, Kryeministri, apo Opozita, ky veprim i juaj si drejtues të shtetit sjell vetëm përçamje e urrejtje ndaj shqiptarve.

Kjo heshtje është tradhëtia ndaj atdheut.

Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe, pa u denua krimet e komunizmit, dhe ju si drejtoni këtë shtet do të ju denoi historia për heshtjen tuaj vrastare si bashkëfajtorë me krimin e kriminelët!

Ne të mbijetuarit e diktaturës që përçuam paqe për 34 vite presim përgjigjen tuaj publike:

Kur do ti denoni krimet e komunizmit me ligj si gjith Europa!

Dr. Besim NDREGJONI

Aktivistë i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Presidenti i Unionit Mbarkombëtar Integrimit

të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë

të Shqipërisë

Filed Under: Komente

ÇAMËRIA NË DOSJET DIPLOMATIKE

June 26, 2024 by s p

Dr. Halil HYSENI,

Ish-Zevendës Ministër i Jashtëm i RSh/

Materialet arkivore për Çamërinë dëshmojnë për mprehtësinë e Çështjes, dëshmojnë për vendin që i është rezervuar dhe i rezervohet asaj në gjerësinë e marrdhenieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helene. Arkiva pasqyron punën e bërë, nga përfaqësuesit, veprimtarët, politikanët apo diplomatët.

Ndër arkiva gjenden një sërë dokumentash që trajtojnë dhe e adresojnë çështjen, ashtu siç gjen materie ku personazhet, Çështjen Çame, e ndërmëndin “nga halli”dhe i kalojnë anash. Arkiva është dëshmitare e punërave të mira të bëra, është dëshmitare e shum qëndrimeve dinjtoze. Sjellim ndërmënd raportet e shumta, të Konsullit Mid’hat Frasheri, përgjat periudhes Shkurt 1923 – Mars 1926 apo Kerkesa për kthimin e menjëhershëm të Çameve, e vitit 1945, drejtuar Konferences së Ministrave te Puneve të Jashtme te vendeve fituese, nga kundërshtari i Mid’hat Frasherit, nga Enver Hoxha. Dhe në vijim bie heshtja komuniste.

Ne Procesverbalet e zbardhura të takimeve dypalëshe pasqyrohet qëndrimi dinjitoz i palës shqiptare gjat vizitës se Ministrit Grek për Punët e Jashtme, Z. Papulias me 17 Nëntor 1987. Pala Shqiptare kërkonte që “eshtrat e ushtareve greke te vrare ne luften italo-greke …. t`i transferojme me nderime ne atdheun e tyre…”. Korrekt është edhe qëndrimi i pales Shqiptare gjat vizites tjetër zyrtare të z. Papulias, në Mars 1995, ku Ministri Grek pranoi diskutimin e Çështjes Çame, por vetem ne aspektin e pronave. Qëndrim domethënës pasqyrohet edhe në takimin e pare të Nenkomisionit për Çështjet Konsullore dhe Juridike mbajtur ne 23-24 Maj 1995.

Pas vitit 1996, arkiva, dëshmon për hapa pas. Ndjehet aroma e bezdisë, per tu angazhuar përnjimend me Çështjen Çame. Ka raste ku Politikanë, që përgjat takimit zyrtar, nuk e cekin fare Çështjen Çame, pas takimit e për konsum publik, u japin përgjigje patriotike pyetjeve të prorositura të gazetarëve.

Në këtë parashtrim, është dëshiruar, ta kqyr arkivën me shikimin e së nesërmes dhe në shërbim të saj. Studimi arkivor kthehet në ornament nëse nuk shërben për të parashikuar sjelljen e nesërme të palës përball, nëse nuk shërben për të përvijuar sjelljen tone të ardhëshme.

Shkurtimisht parashtroj

Së Pari, për Kuadrin Ligjor të Luftës, ofruar ne njëjës si Ligji i Luftës;

Së Dyti, për Marrveshjen për Toponimet, Maj 2014;

Së Treti, për Miqësinë dhe Traktatin e Miqësisë.

I. KORPUSI I LIGJIT TË LUFTËS

Në veshët e cilitëdo qytetari Shqiptar, Kërkesat dhe deklamimet e qeverive dhe politikanëve tanë për shfuqizim të Ligjit të Luftës vijnë gjithnjë në njëjës. Gjithmon thuhet Ligji i Luftës. Qytetarit normal i është treguar dhe ka dëgjuar se egziston një Ligj Lufte dhe këtë ligj, shteti Grek e mban ne fuqi sepse nuk do tu’a kthej tokat Çamëve. Për qytetarin më të lëçitur, me Ligjin e Luftës nënkuptohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”.

E vërteta është se nuk është një ligj, nuk jan dy ligje, është një korpus i tërë normash dhe praktikash që e kalçifikojnë gjëndjen e luftës dhe e pa mundësojnë adresimin e Çështjes Çame, përmes shfuqizimit, në njëjës, të Ligjit të Luftës. Edhe pse Ligji i Forcës Nr. 2636 përben gurin themeltar, ustallarët Grek kan krijuar dhe vijojnë të krijojnë një ngrehinë legjislative perfide, e aftë të qëndroje pa u rrëzuar, edhe nëse hiqet guri i themelit, edhe nëse shfuqizohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940. Në korpusin e normave për Ligj të Luftës, mund të përmend:

Vetë Ligjin Nr. 2636 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike, hyrë në fuqi më 28 Tetor 1940;

Ligjin Nr. 2637 i vitit 1940 “Rreth modifikimit dhe plotësimit të dispozitave në lidhje me Organizmin Sigurues të Rreziqeve të Luftës dhe Ligjeve Detyruese”;

Ligjet Nr. 45 dhe Nr. 86 të vitit 1945;

Ligjin Detyrues Nr.900 të vitit 1946;

Dekret Ligjin Nr. 422 të vitit 1947;

Dekret Ligjin Nr. 1138. “Mbi pasuritë armike.” miratuar më 11 Tetor 1949;

….

n. Edhe të tjerë ligje dhe akte nënligjore dalë mbështetur në to.

Cilido koncesion i mundshëm për heqjen vetëm të Ligjit të Luftes (Ligjit të Forcës), Nr. 2636 është thjesht në përfitim të palës Greke. Me kërkesen “të shfuqizohet Ligji i Luftes”, pala Shqiptare nuk kërkon asgjë. Asgjë. Juristët e vitit të parë e dinë se shfuqizimi i nje akti nuk ka pasojë prapavepruese. Shfuqizimi nuk pjell pasoja per marrdhënje e ngjarje të krijuara përgjat periudhës kur Ligji ishte në fuqi, dhe Ligji i Luftës i ka pjellë tashmë pasojat e tij.

Nesë një ditë të bukur, Pala Greke, vendos ta shfuqizoj Ligjin e Luftës (Forcës), Nr. 2636 të vitit 1940, pa e prekur korpusin e normve të lidhur me të, nesë vendos ta shfuqizoj Ligjin por pa i anuluar pasojat negative të vet Ligjit, at’here, ajo thjesht i bën dhurat vehtes. Ne marrim lugen bosh, ndërsa shteti Grek veç përfitimeve, që padyshim do të kërkoj e do marrë ne këmbim, do t’i heq vetes edhe një ngarkesë negative, do t’i heq vetes edhe një ngarkesë anti Evropiane. Shteti Grek do trumpetojë paqe POR do ti ruaj të paprekura përfitimet e “luftës”.

Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa kërkuar shfuqizimin e sejcilës dhe të gjitha normave të lidhura me të është boomerang. Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa i prekur dhe pa i anuluar efektet e tij, është kal druri, kal druri i ndërtuar me shkopinj grek.

II. MARRVESHJA PËR TOPONIMET.

Hulumtimi arkivor i dosjes Çame pasqyron si veprimin tonë ashtu edhe veprimin e palës përball. Në veprimin dhe të arriturat diplomatike të palës Greke shfaqet i konsoliduar interesi afatgjat, është e dukshme pakëputshmëria e linjës dhe qëndrueshmëria në synimet e saj. Në veprimin diplomatik të palës Greke ka nivel të lartë në Pe-Hashin e fortësisë, se kërkimeve të tyre, edhe pse ne te shumtën e herëve pala Greke punon ne rregjistra zanor me decibel me te ulët se pala Shqiptare.

Përkundrejt tyre, në veprimin tone, Çështja madhore Çame bie shpesh nën kthetrat e interesave politike ditore. Në ulje ngritjet e dosjes Çame pasqyrohet këndvështrimi i liderit Shqiptar të kohës, po edhe ai ne luhatjet e veta. Shëmbull i qartë i fitores se qëndrueshmërisë së angazhimit diplomatik Grek ndaj luhatjeve të vendimarrjes politike Shqiptare shfaqet, si në procedurën, ashtu edhe në të arriturën e Marrveshjes për Toponimet, të Majit 2014.

Me një marrveshje, finalizuar përmes notash diplomatike, Trupa Diplomatike Greke mori gjithçka i duhej prej vendimarrjes Politike Shqiptare, pa dhënë asgjë në këmbim dhe … politika jon u mburr. Sipas kësaj marrveshje, pala Shqiptare sipërmerr, “..të adoptoj një format të ri të certifikatave personale dhe familjare për nënshtetasit Shqiptaret të lindur jashtë, sipas të cilës, vendlindja e tyre do të shkruhet në përputhje me listën e toponimeve depozituar nga Greqia ne Kombet e Bashkuara” !

Ne zbatim te marrveshjes, Nëna ime, e rregjistruar në regjistrat e gjëndjes civile Shqiptare, me vendlindje ne Kurtes – Marglliç – Çamëri – Greqi, në po këto regjistra, po të gjëndjes sonë civile, shëndërohet me vendlindje ne: Mavrovuno – Margaritis – Thesprotia – Greece, tëpkë në përputhje me listën e toponimeve që shteti Grek ka depozituar në ICAO, dekada vitesh pas lindjes dhe regjistrimit të nënës sime. Për fat nëna ime vdiq, pa e shijuar ndërrimin e vendlindjes.

Qartësisht, pala Greke shkeli të drejtën e lëvizjes së lirë të nënshtetasve Shqiptar ne hapësirën Europiane, fituar ne vitin 2012, për të përfituar dy vjet më pas, në vitin 2014, një produkt të pastër politik, deshqiptarizimin, edhe arkivor, të emërtimeve te treves së Çamërisë, dhe ja doli. Bravo për ta. Ndërkoh në sheshin më të vizituar të Athinës, në fasadën e mermertë të Parlamentit grek me gërma kapitale e lakmi greke, shkruhet: KLISURA = PERMETI = TOMOROS = HIMARA = AJIROCASTRO dhe këto të barabarta me PINDOS me KALPAQI, etj.

Me Marrveshjen për Toponimet i dham Athinës ç’ka deshi. Nuk na dhan asgjë. Levizjen e Lirë na e kishte dhënë Brukseli, prej kohësh. Interesant është fakti se pala Greke, inkasoj një fitore të bukur si në themel ashtu edhe në procedure. Me formën e përdorur, përmes shkëmbimit të notave verbale, u shmang edhe kontrolli parlamentar edhe kontrolli i kushtetueshmërisë së marrveshjes.

Arkiva është mësues. Na meson. Na mëson nëse nuk duam të gabojm sërish. Arkiva na mëson se pala përball, për të përparuar edhe një tjetër transhe, krijon një problem të ri. I ndjeri babai im thosh: “I mënçuri mëson nuk pëson. Njeriu pëson e mëson. Budalla pëson e pëson.”

III. MIQËSIA – TRAKTATI I MIQESISE – PARTNERITETI STRATEGJIK

Shqipëria dhe Greqia kan qënë të lidhura midis tyre me një Traktat Miqesie. Traktati u nënshkrua më 21 Mars 1996 nga Ministrat Alfred Serreqi dhe Teodoros Pangallos. U nënshkrua nga Arvanitasi i vetquajtur “i fundit i mohikanëve”. Të dy me ADN Shqiptare, të deklaruar.

Konform parashikimit në Traktat, dhe në kushtet kur asnjëra palë nuk ka deklaruar prishjen, Traktati i Miqësisë, pas 31 Janarit 2023 është pa fuqi. Tashmë Shqiptarët dhe Grekët nuk e kan të lidhur me Traktat, miqësinë e tyre. Juridikisht, në fuqi është Korpusi i Ligjeve të Luftës, ndërsa verbalisht na lidh Partneriteti Strategjik.

Është fakt që, Partneriteti Strategjik midis dy vendeve tona është deklaruar vetëm nga njëra Palë, vetëm nga Ne. Love is always one-sided.

Është po ashtu fakt se të dy vendet i lidh nevoja për fqinjësi të mire. Nevojë që duhet të pasqyrohet me një Traktat të ri, që mundëson zgjidhje edhe për Çështjen Çame.

Traktati i pafuqi, në nenet 12 dhe 15 të tij shkonte tangent me Çështjen Çame. Ne nenin 15 të tij, Çështjen Çame e trajton si çeshtje pronash, në të thuhet, citoj: “Sejcila nga palët kontraktuese do të përballojë mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”. Përpiqem, po nuk e kuptoj dot togfjalshin “do të përballojë mundësinë”. POR, është i qartë mesazhi në togfjalshin “brenda kuadrit të saj ligjor” i barabarte ‘me këtë Kuadër ligjor që kemi’ i barabarte me ‘pa e ndryshuar kuadrin ligjor’, PRA pa anuluar Kuadrin Ligjor te Ligjeve të Luftës, pa i anuluar pasojat e tyre.

Ndërsa Neni 12 i Traktatit, percaktoi se, citoj: “Palët kontraktuese do të bashkëpunojnë për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë së tyre kulturore, duke perfshire edhe monumentet”. Ky nen polli vetëm Monumente e varreza Greke, në tok të Shtetit Shqiptar.

Traktati i Miqësisë nuk mundësoj asnjë monument për 55 partizanët Çam që në Luftën e Dytë ranë për lirine e Greqisë. Traktati i Miqësisë nuk mundësoj asnjë Përkujtimore për vuajtjet, po vuajtje ama, të nënave dhe fëmijëve. Traktati i miqësisë nuk i mundësoj të lindurve në Çamëri të vendosnin një karafil mbi vendin ku prehej prindi.

Traktati dhe Marrveshjet në vijim të tij i mundesuan fashisteve të Agimeve të Arta të derdhnin vrer, pretendime dhe betime mbi pllaka e mbi monumente, të mbrojtur dhe të garantuar me ceremoni shtetërore Shqiptare.

Shqipëria dhe Greqia e kan nevoj fqinjësine e mire, të sanksionuar me Traktat, të sanksionuar me një Traktati që pjell dhe rrit miqësi. Traktati i nënshkruar më 21 Mars të vitit 1996 nuk është modeli.

Përmes egzistencës dhe veprimtarisë së tyre, Çamët jan të vendosur të mos e noterojnë rrëmbimin e jetëve, të mos e noterojnë rrëmbimin e truallit e të pragut të shtëpisë së tyre, sepse Çështja Çame nuk është thjesht çështje pronash, nuk është çështje lekësh. Me qënjen dhe veprimin e tyre Çamet kan mbajtur të ndezur qiririn e shpresës pamvarësisht ngricave dhe erërave nga brenda dhe nga jashtë.

Mbajtja gjallë e Çështjes Çame, kërkimi i zgjidhjes së saj, vlen jo vetëm për Çamet. Rrëmbimi i truallit Çam, nuk është çështje vetëm e Çamëve të Çamërisë, ashtu siç Çështja e Detit nuk është çështje e peshqëve, banorëve të detit. Çështja Çame është transhe Shqiptare. Mbrohet, për të mos humbur më shumë. Prezenca e saj e ndih Shqipërinë, mbajtja e saj i ndih Shqiptarët, i ndihmon në balancat e mëndjes, në balancat e tavolinave diplomatike, politike a të sigurisë.

Lakmia Greke prodhoi Napolon Zervën e shum korofillak të tjere, dhe vijon të prodhoj, të prodhoj Beleris e kompani, dhe shumica jan shqipfolës. Nga gjyshja mbaj mënd një këngë, në Greqisht: “Ksipna Ali Pash kajmeni na jdhis ta Janina su ta pirane i Elines dhen ine pja dhikasu” = “Zgjohu Ali Pash i mjeri të shohësh Janinën tënde, ta morën Grekët, nuk është më e jotja.”

Edhe gjyshet jan arkiv. Ruajna Zot sikur të na e këndojnë prap një dit, të na e këndojnë për Preshevën, për Himarën a Mitrovicën.

Filed Under: Opinion

Festojmë Ditëlindjen e 248-të të Amerikës

June 25, 2024 by s p

Prof. Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ*/

Është një ditë vere në Shtetin e New Yorkut. Duke qënë shumë largë Atdheut tonë të dashur Shqipërisë, Amerika është kthyer në Atdheun tonë të dytë. Association of “Skënderbej”, (Shoqata Skënderbej), ka vite që e ka kthyer në traditë festimin e ditës së Pavarsisë të SHBA-s. Kështu në Restaurant PINE 19 13 Bronxdale Avenue, Bronx, NY 10462 organizuam mbasditen e 23 Korrikut, takim festiv për këtë ngjarje të shënuar në biografinë e kombit Amerikan.
248 vjet më parë, Kongresi i Dytë Kontinental, që përfaqësonte 13 kolonitë amerikane të Mbretërisë, miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në vend të 13 kolonive të grumbulluara përgjatë Oqeanit Atlantik, tani janë 50 shtete dhe pesë territore që shtrihen në të gjithë globin. Kongresi Kontinental përbëhej nga 60 anëtarë, të gjithë burra, pronarë tokash të klasës së mesme dhe disa skllavopronarë me origjinë britanike.
Deklarata e Pavarësisë përmban pohimin e mirënjohur se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisura nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, dhe midis tyre janë Jeta, Liria dhe ndjekja e lumturisë….. Kjo ishte një deklaratë e së vërtetës, por më shumë një shpallje e aspiratës, dhe që kur ato fjalë tingëlluan për herë të parë në vitin 1776, populli amerikan është përpjekur dhe ka luftuar për ta bërë atë aspiratë të madhe kombëtare më të vërtetë për çdo brez. Lidhja midis së vërtetës dhe aspirates, midis asaj që besojmë, asaj për të cilën shpresojmë dhe asaj që jemi të gatshëm të punojmë për të arritur, është zemra e ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu ajo që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë. Si zakonisht mjedisi festiv fillon nën tingujt solemn të dy himneve, të atij Amerikan dhe Shqiptar. Më pas modratorja e aktivitetit Znj.Nadire Xhakolli pasi u uroj të pranishëmve mirëseardhjen dhe gëzuar festën e Amerikës, i dha fjalen Presidëntit të shoqates Profesor Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ. Ai u uroj të gjithë anëtarëve ditëlindjen e 248-të të Amerikës dhe të kalojnë një ditë sa më të gëzuar. Më pas përshendetën në emër të Forumit të Ushtarakëve nga Shoqata “Bijët e Shqipes” në Philadelfia, Kryetari Z.Ali Sopi. Kryetari i Organizates së Veteranëve të Luftës të UÇK, Z. Astrit HUSKAJ. Mbreselënëse ishte përshëndetja që Z. Huskaj solli nga bashkëluftëtarët, strukturat drejtuese të UÇK në Kosovë.
Në këtë ditë të shënuar për disa nga anëtarët e shoqatës u dhanë edhe Çertifikata Mirënjohje për punën e bërë. Po kështu Çertifikatë Mirënjohje. për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Forumin e Ushtarakëve nga Shoqata “Bijët e Shqipes” në Philadelfia ju dha ish kryetarit të këtij forumi Z. Eqerem Murati. Ishte në nderin e shoqatës tonë që një Çertifikatë Mirënjohje ju dha edhe ish luftëtarit të UÇK-së dhe ushtarak në Forcat e TMK-së dhe FSK-së, Z. Hysni Kelmendi, për mbajtjen latrtë të ndjenjave patriotike dhe atdhetare të kombit tonë. Amosfera u zbukurua me këngëtarin dhe DJ, Z. Argjend Lloga, si dhe këngëratët, Kristina Marku, Hysni Kelmendi dhe Agim Shiqerukaj.
I gjithë aktiviteti u filmua nga Tv Albania Culture, NY me pronarë Z. Adem Belliu, të cilin e falenderojmë shumë për prezëncen e tij në aktivitetet e shoqatës tonë. Nën tingujt e muzikës, valles, trokitjes së gotave, dashamirësis dhe mikpritjes vazhdoj gjithë aktiviteti. Një falënderim special është për, Restaurant PINE, Bronx, anëtarët e rinj të shoqatës si dhe të gjithë të ftuarit që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivit. Mirë u takofshim në aktivitete të tjera.
*President, Shoqata Skënderbej.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 890
  • 891
  • 892
  • 893
  • 894
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT