• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTOHET ME MADHËSHTI DITA E ÇLIRIMIT NË KOSOVË

June 19, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Mes pritjes vëllazërore në Komunën Hani i Elezit përurohet libri dokumentar “Shekulli i parë” i “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli.

Me rastin e 11 Qershorit, 25-Vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në shtetin më të ri të Evropës, në ato troje ku historia u tregua e padrejtë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme, më të bukur e më përkujtimor, ishte ai që u zhvillua në qytezën e Hanit të Elezit.

Aktivitetet ishin të larmishme, veçanërisht ato festive, ku ansamblet dhe artistët kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të marrë pjesë në këtë Jubilar me erë lirie, në këtë Jubilar që përkujton një ngjarje që mishërohet në vitalitetin e një kombi. Ndoshta nuk ka kund në Botë kaq shumë festues që kanë lindur në Ditën e çlirimit.

Këta djem e vajza sot janë jo vetëm në Kosovë, por dhe anë e mbanë Botës, dhe nuk janë ata të vetmit që trashëgojnë vlerat tona kombëtare, sepse ka edhe personalitete të urtë që i kanë kushtuar jetën këtyre vlerave.

Unë nuk gaboj aspak po të them që një nga këto mendje dhe penda të shquara është “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli. Ky personalitet, i dashuruar me çdo thesar, me çdo vlerë që populli ynë vital trashëgon pambarimisht nga brezat paraardhës, ulet me këmbët në tokë dhe na tregon në librin e tij “Shekulli i Parë”, se në historinë e njerëzimit ka një shekull të lashtë, ku ne kemi një tokë të lashtë, kemi një det të lashtë, kemi një veshje të lashtë, kemi një këngë e valle të lashtë, por dhe një emër të lashtë.

Në vazhdën e aktiviteteve dhe atmosferës së festës, ky manifestim madhështor kulmoi në ambjentet moderne të Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit, ku për herë të parë në Kosovë u bë promovimi i librit: “Shekulli i Parë”, vepër e një personaliteti të shquar në Labëri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, Specialist i Trashëgëmisë Kulturore, Drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona” dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë. Ky promovim u organizua nga Komuna Hani i Elezit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit Mehmet Ballazhi.

Në libër janë pasqyruar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore që u zhvilluan në festimin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar në Vlorë.

Përmes fjalëve e fotografive vijnë shumë prej ngjarjeve më kulmore kulturore e spektakolare të gjithëçkaje ndodhi në Ditët e festimit të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në Vlorën e vitit 2012.

Para nisjes së aktivitetit, z. Sejmen Gjokoli iu rezervua një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt nga të pranishmit, me një madhështi e dashuri vllazërore, si një sofër e madhe ku mblidhen burrat e mençur, mes tyre Kryetari i Komunës Mehmet Ballaxhi, si dhe të katër burrat që bënë histori në këtë 100 vjetor: Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi.

Ky aktivitet kaq i mirëpritur startoj me një insert ku pasqyroheshin disa nga imazhet e ngjarjeve të përshkruara në libër dhe që u ndoq me shumë vëmendje e interes nga të pranishmit.

KATËR BURRA NË DUART E LAVDISË!

Rexhep Shkreta, Zemri Bushi, Qahil Beqaj e Ibrahim Laçi, si kreshnikët e lashtë u nisën nga trojet e Dardanisë drejt Brigjeve të Jonit në një rrugë të gjatë me vlera jo vetëm gjeografike, por edhe historike, sepse kudo ku shkelën ata në këtë rrugëtim, përçuan mesazhet e lashta të “Shekullit të parë” Kështu e përshkruan autori rrugëtimin e katër bashkëqytetarëve nga Hani i Elezit drejt Vlorës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Celebrimi i 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës jo rastësisht nisi në Han të Elezit, mbasi dymbëdhjetë vite më parë, që këtu u nisën katër burra më këmbë, me Flamurin Kombëtar në duar dhe me një telegram urimi në gji, drejt Vlorës së Isamil Qemalit.

Këta katër burra që udhëtuan katërqind kilometra nga Hani i Elezit, për të mbërritur në Vlorë më 26 Nëntor 2012 dhe për të dorëzuar në Bashkinë e Vlorës Flamurin Kombëtar dhe Telegramin dërguar Kryetarit të Bashkisë Shpëtim Gjika, nga Kryetari i Komunës z. Rufki Suma, bënë një histori.

Ka qenë një sfidë, që ashtu si kasnecët e lashtë, këta lajmëtarë të lirisë bënë 400 kilometra për 11 ditë radhazi, për të mbetur në histori jo vetëm ata, po gjithë Komuna e Hanit të Elezit.

Autori në këtë takim përurimi solli edhe përshëndetjen e Vlorës, që mbas 12 vietsh përndriten jo vetëm Hanin e Elezit; Rexhepin, Zemrin, Qahilin, Ibrahimin dhe gjithë Kosovën, që, ashtu si kalorësit e Mitrovicës, të cilët u nisën nga Boletini i Isës dhe mbërritën në Vlorën e Ismailit, si dhe struganët, të ardhur me karrocë dhe me figurat kombëtare përpara. Dikush u bë Ismail Qemali, dikush Isa Boletini, dikush Adem Jashari, e kështu me radhë.

NDERA KA NDEREN.

100-vjetorin e bëri Shqiptaria, por mbi të gjitha e bëri Kosova, për të cilën autori kishte fakte konkrete.

Pavarësia është e Vlorës, e Vlora është e Flamurit, sepse pa Vlorën nuk do të kishte Shqipëri, rrjedhimisht nuk do të kishte as Kosovë e Shqiptari.

Në këtë festë të madhe performuan mbi 12 Ansamble Artistike nga më të shquarat e trevave shqiptare, por për fat ishte edhe një Ansambël i Grykës së Kaçanikut.

Autori i librit, Sejmen Gjokoli, është një veprimtar i madh i kulturës shqiptare, një studiues i folklorit dhe i trashëgimisë kulturore, një udhëheqës dhe organizator i shkëlqyer, që e ka jo vetëm Vlora, por gjithë Labëria e Shqipëria. Puna e tij është evidente gjithandej trojeve shqiptare.

Sejmen Gjokoli ishte ndër kontribuesit kryesorë të aktivitetit jubilar, të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 2012 . Ai bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe me stafin e tij, si koordinator i aktiviteteve kulturore për këtë rast, ishte në maje të organizimit të kësaj ngjarjeje monumentale.

Autoritetet e Komunës së Hanit të Elezit u shprehën se e ndienin për nder t’ia kthenin nderin Mjeshtrit Sejmen Gjokoli, duke e konsideruar si një veprimtari madhështore këtë promovim libri, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, pasi ky libër pasqyron kronologjinë e aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë në Qytetin Historik të Vlorës.

Takimi u moderua nga profesori e veprimtari i shquar Mazllëm Qajani, njeriu që atë kohë kur burrat e vendlindjes së tij udhëtonin për në Vlorë mbajti non stop kontaktet mes “marathonomakëve” hanelezas, me organizatorët e manifestimit të madh në Vlorë.

Përshëndetën e folën Kryetari Mehmet Ballaxhi, ish-kryetari Rufki Suma, si dhe ish deputeti e veprimtari i madh i çështjes Kombëtare, miku i Vlorës e Labërisë, kaçanikasi Berat Luzha.

Në promovim në emër të katër kreshnikëve misionarë të lirisë, personazhe të këtij botimi, foli mes emocionesh Rexhep Shkreta.

Si autor i librit, z. Sejmen Gjokoli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti mbresëlënës, uroi Ditën e Çlirimit, folësit, të pranishmit dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij promovimi sa të veçantë, po aq dhe emocionues.

Më pas, për nderin dhe respektin e tyre, Gjokoli ftoi grupin e tij Folklorik “Bilbili” për t’i përshëndetur me dy këngë të zgjedhura polifonike.

Pas përfundimit me shumë mirënjohje të promovimit të librit “Shekulli i Parë”, Kryetari i Komunës, Z. Mehmet Ballazhi, priti në zyrën e tij z. Sejmen Gjokoli dhe Folk Grup “Bilbili”, Vlorë.

Përsëri një pritje madhështore dhe me emocione të papërshkruara, ku i përfshirë nga respekti dhe mirënjohja, z. Sejmen Gjokoli i dhuroi Kryetarit të komunës, Z. Mehmet Ballazhi, emblemën e Grupit Folklorik “Bilbili” që kishte ardhur në këtë qytet për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Hanit të Elezit

Filed Under: Reportazh

ARIF LUSHI, PIKTORI I KOLORITIT MAGJIK

June 19, 2024 by s p

AVNI ALCANI/

Ishte viti 1974 kur mësuesja e vizatimit Marieta Pandori-Alcani më ftoi për ta ndihmuar në orën e saj të vizatimit të klasës së 8-të, në shkollën 8-vjeçare të qytetit të Librazhdit. Nuk më kujtohet tema e vizatimit e asaj dite, por mbaj mënd se unë vizatova një figurë me shkumës të bardhë mbi dërrasën e zezë. Gjatë vizatimit vija re se njëri nga nxënësit lëvizte aq shumë në bankën e tij sa më tërhoqi vëmëndjen. Pas çdo linje në tabelë dëgjoja nga mbrapa lëvizjet e tij. Ktheva kokën pas dhe pashë një djalosh shumë simpatik, bjond, me sy të kaltër, i cili po qëndronte në këmbë dhe ndiqte i ngazëllyer vizatimin tim. Ishte vëllai i vogël i ish shokut tim të klasës, por unë ende nuk ia dija emrin. Pas mësimit zysh Marieta më tha se ai djalë ishte shumë i talentuar në lëndën e saj të vizatimit, “por dhe në lëndët e tjera mësimore”, shtoi ajo.

Arif Lushi ka lindur në qytetin e Librazhdit më 15 qershor të vitit 1959. Shkollën e cilkit të ulët (8-vjeçar) e ka kryer në qytetin e tij të lindjes. Pas përfundimit të saj në vitin 1974, konkuroi për pikturë në Liceun Artistik të Tiranës dhe fitoi. Në vitin 1978 dipllomohet në degën “Pikturë-Skenografi”, pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”. Gjatë atij vitit (1978) kisha filluar punë në Muzeun Historik të rrethit të Librazhdit. Godinën e tij e frekuentonin disa nga miqtë e mi piktorë. Mes tyre ishte piktori i ri Arif Lushi, me të cilin unë u lidha më nga afër me të dhe me krijimtarinë e tij.

Pas kryerjes së stazhit 1-vjeçar, që ishte kusht për maturantët e shkollave të mesme për të vazhduar shkollën e lartë, Arifi hapi një ekspozitë vetjake, e cila na befasoi të gjithëve, pasi ne pamë lindjen e një talenti të ri, një piktor me të ardhme në profesionin e tij. Në vitin 1979 Arif Lushi konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve dhe e fitoi. U profilizua si “Piktor grafist”.

Pas diplomimit Arif Lushi ka punuar fillimisht si mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare në Librazhd. Përgjatë viteve 1988, 1995 dhe 2005, kryeu një sërë kualifikimesh dhe trajnimesh profesionale, si në pikturë dhe pedagogji. Në vitin 1990 ishte përgjegjës i Galerisë së Arteve Figurative të Librazhdt deri në vitin 1992, kur u mbyll galeria. Në vitet 1992-1994 ka punuar si skenograf pranë Qendrës Kulturore, në vitet 1994-1997 emërohet shef i Seksionit të Kulturës të Këshillit të Rrethit, për të vijuar më pas (në vitet 1997-2006), si instruktor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve .

Në vitet 2006-2009 emërohet pedagog dhe shef i Departamentit të Artit Figurativ pranë Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan. Në vitin 2009 transferohet në Tiranë dhe emërohet ‘Piktor’ pranë Qendrës Kulturore të “Qytetit Studenti” (Tiranë, 2009-2013). Në vitin 2013 emrohet “Këshilltar” dhe “Studiues” pranë Sektorit të Ekspozitave dhe Sektorit të Edukimit në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2013-2018). Prej vitit 2018 është në krijimtari të lirë, i angazhuar në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare.

Piktori Arif Lushi ka mbi 30 vjet përvojë në fushën e artit pamor (pikturë). Për punën e tij është vlerësuar për kontributin në fushën e kulturës dhe artit në vend dhe jashtë tij. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1984, në Ekspozitën Kombëtare të Arteve figurative, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, mori “Çmimin e Parë” në pikturë me portretin “Punëtori”; Në vitin 2005 mori Çmimin “Të shohësh dhe të të shohin”, për interpretim të jashtëzakonshëm artistik mbi tematikën e ekspozitës (vlerësim ndërkombëtar në artin shqiptar) nga Bordi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë; Në vitin 2010 mori: “Çmimi Mio”, në Konkursin Ndërkombëtar nga Galeria “Guri Madhi”, Korçë. Në vitin 2020 Bashkia Librazhd e nderoi me titullin: “Mirënjohje” nga vendlindja etj.

Arif Lushi ka qenë dhe është vazhdimisht i angazhuar në veprimtaritë kulturore dhe artistike, si pjesëmarrja në: “Ditët e Mios”, Koloni Kombëtare Arti (2010); “Ditët e Pikturës”, Vlorë dhe “Ditët e Detit”, Durrës (2011); “Koloni Arti”, Mitrovicë (2012); “Ditët e Mios”, Korçë (2012); Kolonia Mbarëkombëtare “Tirana Art”, nga Universiteti Evropian i Tiranës (2012); “Kolonia e Artit”, Elbasan (2012); “Ditët e Pikturës”, Vlorë (2012); Kolonia Mbarëkombëtare e Artit “GostiArt”, Gostivar (2012); “Kolonia e Artit”, Kukës (2013); “Euro-Kosova Art”, Prishtinë (2013); Kolonia Mbarëkombëtare e Artit “Ditët e Mios”, Korçë (2013) etj.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme që ka zhvilluar piktori Arif Lushi kanë qenë pjesmarrjet e tij më Veprimtaritë Akademike të tilla, si: Simpozium Ndërkombëtar “Art of the Ëorld” Sahl Hasheesh, Pallati i Vjetër, Huagharda, Egjipt (2014); Simpoziumi Ndërkombëtar “Art Project 2012”, Bashkërendimi art-kultur i vendeve të Mesdheut dhe Evropës, Stamboll, Turqi (2012); “Ditë Pranvere”, Kurator në Edicionin dhe Workshop me studentët e Akademisë së Arteve (2008); Orgazinator i Workshop “Dita e Rinisë” me studentët e Akademisë së Arteve, Tiranë (2007); Moderator i Simpoziumit Kombëtar “Memoriali i Poetëve Martirë”, Bashkia Librazhd (2007); Takim kombëtar i Shkollave të Mesme Artistike të Republikës së Shqipërisë, Pallati i Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (2004); Takim/Konkurs Kombëtar midis Shkollave Artistike të Republikës së Shqipërisë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) (2003); Bashkëpunim me programet radiofonike të RTV dhe i ftuar në cikle emisionesh mbi artet pamore; Konferenca Kombëtare e talenteve të reja, Korçë dhe Durrës; Ekspedita kërkimore në fushën e trashëgimisë kulturore (1985-1995) etj.

Veprimtaritë më të rëndësishme të piktorit Lushi kanë qenë pjesmarrja në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, si:

Viti 1977: Ekspozitë në Pallatin e Kulturës Tiranë (përvjetori i 30-të i Liceut Artistik), cikli pikturat e buta, me 17 punime, e cila ishte dhe paraqitja e parë publike e tij;

Viti 1984: Konkursi Kombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë (Vlerësuar me Çmimin e Parë, Portret);

Viti 1986: Konkursi Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (dy vepra në fond);

Viti 1988: Konkursi Kombëtar i Pavarësisë, Ekspozita jashtë vendit, Itali, Gjermani, Skoci (Referencë Z. K. Dilo, Galeria e Arteve, Tiranë);

Në vitin 1990: Ekspozita “Pranvera”, Galeria e Artit, Tiranë;

Viti 1990: Ekspozita “Talenetet e Reja”, Galeria e Artit, Korçë;

Viti 1991: Ekspozita Kombëtare në Qendrën Kombëtare të Kulturës;

Viti 2005: Konkursi Kombëtar “Të Shohësh dhe të të Shohin”, nga Bordi i Galerisë Kombëtare;

Viti 2005: Diner Dance Action, “To See and Bee Seen”, Pallati Brigadave, Tiranë, Kontribues në projektin e restaurimit të kryeveprës shqiptare ‘’Motra Tone’’;

Viti 2005: “Ngjyrat e vendlindjes”, Ekspozitë personale;

Viti 2006: Ekspozitë Blu, Qendra Kulturore Studenti;

Viti 2006: Ekspo Art Tirana, Odeoni i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Galeria e Arteve, Tiranë;

Viti 2006: Ekspozitë “Grup Autorësh”, bashkëpunim i artistëve italianë dhe shqiptarë, Londër;

Viti 2007: Ekspozitë personale “Vjeshtë-Dimër’’, Bashkia Fier, Galeria e Arteve, Fier;

Viti 2007: Konkursi i Artit Pamor “Studenti 2007”, Qyteti Studenti, Tiranë, Kurator, Pjesëmarrës: 22 Studentë të Akademisë së Arteve, etj.

Piktori Arif Lushi ka mbi 35 vjet krijimtari, e cila i përket dy periudhave, periudhës së realizmit socialist të para viteve ’90 dhe periudhës së lirisë krijuese të pas 90-s. Ai ka treguar një maturi dhe vetëpërmbajtje të lavdërueshme në krijinë e tij artistike, duke kaluar gradulisht nga periudha e ndrydhjes dhe e dogmave në kohën e lirisë krijuese. Piktori Lushi i është kushtua tërërisht gjinisë së peizazhit, të cilën e eksploron me shumë sukses. Ai është konsideruar si “Piktor i natyrës shqiptare”. Shumica e peisazhve kanë si motiv kryesor vendlindjen e tij. Në një artikull të Revistës “Monitor”, të datës 27 mars 2012, shkruhet: “Në ciklet e peizazheve të Lushit ndjehet prirja e tij drejt një tabloje ku motivi kryesor është imazhi i fshatit shqiptar të zonës, motiv ky mjaft i dashur për piktorin. Malet, lumi Shkumbin, mullarë, shtëpi të thjeshta, janë imazhet që Lushi i pikturon dhe ripikturon përsëri duke dashur të sjellë dhe risjellë gjithmonë emocione e qëndrime artistike të reja. Në disa tablo (Buzë lumit, Mbasdite fshati, Dritë dimri), peneli i artistit është “i shtrirë” apo shpërndarë me sens dekorativ; ndërsa në vepra të tjera (Mullarët blu, Romantikë vjeshte, Vjeshtë e Lugina e Shkumbinit) ngjyra merr përparësi”.

Piktura e Arif Lushit vlerësohet për emocione të forta estetike që ajo përcjell. Nga viti në vit krijimtaria e A. Lushit vjen në rritje dhe zhvillim, veçanërisht në koloritin e saj, duke u konsideruar si “Piktori i natyrës shqiptare”. Piktorët e “plain air”-it në Shqipëri, shkruan rezista Monitor, “aktualisht janë të pakët dhe piktori Lushi është pjesë e tyre dhe veprat e tij mbajnë “Aromën” e natyrës shqiptare dhe dritën e papërsëritshme të saj” (po aty).

Filed Under: Kulture

Kosovo, Sovereignty versus Integrity: Një analizë e sofistikuar e dialogut Kosovë-Serbi

June 19, 2024 by s p

Altin Gjeta/

Libri i diplomatit Arben Çejku “Sovraniteti versus Integriteti: Prapaskenat e dialogut dhe sfidat e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë (2005-2020)” ka gjetur dritën e botimit këtë muaj në gjuhën angleze nga UET Press.

Përkthimi në anglisht vjen në një moment kur progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Ringjallja e revalitetit gjeopolitik mes Perëndimit dhe Rusisë apo Kinës pas konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme e ka bërë më të pasigurt procesin e paqes në Kosovë dhe rajon.

Në këtë kontekst, botimi në anglisht i librit përbën një kontribut të vyer për çështjen e forcimit të shtetit të Kosovës si një garant i paqes dhe sigurisë në Ballkan. Kancelaritë perëndimore, mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, bota akademike dhe media ndërkombëtare, diplomatët dhe analistët që merren me problemet e sigurisë në Ballkan, do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë kompleksitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Versioni i librit në anglisht ka kaluar në darën e një redaktimi profesional nga studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, botimi shoqërohet edhe me një parathënie të shkurter nga autori i cili reflekton mbi sfidat e dialogut prej vitit 2020 kur libri u botua për herë të parë, duke nënvizuar mungesën e progresit dhe rëndësinë e arritjes së një paqeje të qëndrueshme si garante e shtetësisë së Kosovës dhe interesit kombëtar shqiptar në Ballkan.

Arben Çejku nuk ka shkurar në libër vere, por një studim skrupuloz, të mbështetur në burime të pasura të dorës së parë, reflektime personale nga vëzhgimet e tij në procesin e shtetndërtimit të Kosovës duke filluar me negociatat e Vjenës, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuptim, libri është një studim etnografik i sofistikuar i të gjitha proceseve dhe aktorëve që vulosën e fatin e Kosovës mes viteve 2005-2009.

Megjithatë, ambasadori Çejku nuk ndalet vetëm në ngjarjet e para-pavarësisë, por shkon më tej dhe e vendos në një kontekst historik të gjithë procesin e shtetndërtimit në Kosovë duke ofruar një qasje analitike të mprehtë të vështirësive me të cilat është përballuar Kosova në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në arenën ndërkombëtare dhe në dimensionin e brendshëm në periudhën e pas pavarësisë.

Pikërisht aspekti i brendshëm i shtetësisë së Kosovës, pamundësia për të shtrirë autoritetin e në komunat me shumicë serbe në veri të vendit është edhe prokupimi kryesor i librit.

Ambasadori Çejku nuk heziton të hedh dritë mbi progresin e limituar apo dështimet e faktorëve politik shqiptar dhe ndërkombëtar për ta përmbylluar shtetësinë e Kosovës me një marrëveshje finale paqeje me Serbinë. Ai nxjerr në pah disa nga arsyet dhe mekanizmat operues në Serbi dhe politikën ndërkombëtare që kanë vonuar arritjen e një epilogu të suksesshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbi të gjitha, libri në versionin anglisht iluminon dilemat me të cilat përballet Kosova dhe Perëndimi përballë zgjedhjes mes sovranitetit dhe integritetit. Arben Çejku nuk ofron formula të gatshme, por analiza e tij komplekse gjeneron zgjidhje të mundshme për forcimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës duke vendosur theksin tek largpamësia dhe lidershipi përtej interesave politike të ditës.

Së fundi, botimi në anglisht i librit “Sovraniteti versus Integriteti”, plotëson një boshllëk në praktikën diplomatike në zgjidhjen e konflikteve. Studiuesit e huaj që shkruajnë për Kosovën dhe Ballkanit përgjithësisht neglizhojnë dijen lokale dhe kompleksitetin e konflikteve në rajon.

Ndërsa studimeve shqiptare shpesh herë iu mungon qartësia, thellësia e analizës dhe qasja kritike për shkak të etheve politike të ditës – Arben Çejku ka shkrirë në këtë libër praktikën diplomatike, publicistikën dhe thellësinë analitike.

Botimi në anglisht do të vetëdijësojë vendimarrësit politik dhe rrethet akademike në botë rreth nevojës për një qasje më të vendosur ndaj projekteve destabilizuese të Serbisë në Ballkan dhe mbështetjes për një Kosovë sovrane dhe me integritet të plotë territorial.

Filed Under: Opinion

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët

June 19, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Kontaktet e para politike të shqiptarëve me rusët dokumentohen të paktën dy-tre shekuj përpara lindjes së shtetit shqiptar. Në shekullin e XVII-të disa murgj të manastireve ortodokse të Shqipërisë së Jugut shkuan në Rusi për të kërkuar ndihma nga kisha ruse. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XVII-të dhe në fillim të shekullit XVIII-të filluan kontaktet e para politike të disa shqiptarëve me autoritetet shtetërore ruse, duke nisur që nga Petri i Madh për të vijuar me perandorë të tjerë. Këto kontakte u intesifikuan me depërtimin dhe rritjen e influencës ruse në Ballkan.

Sipas studiuesve të ndryshëm politika antishqiptare e Rusisë u shfaq haptazi në vitin 1696 pas nënshkrimit të “aleancës së shenjtë” në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë, Rusia e shtriu influencën e saj në Himarë dhe në disa fise katolike në Shqipërinë e Veriut (kryesisht në Mirditë), duke përdorur edhe ndikimin që ajo kishte te fiset malazeze.

Nëpërmjet “misionarëve” të ndryshëm që ajo dërgoi në Shqipëri dhe Ballkan, Rusia krijoi lidhje të drejtpërdrejta me krahinat shqiptare dhe i nxiti ato në vitet 1701-1704 në kryengritje. Në vitin 1711, Petri i Parë shpërndau një manifest ku i ftoi shqiptarët dhe popujt ballkanikë që t`i bashkoheshin ushtrisë së tij kundër osmanëve.

Aleanca pro-ruse që u krijua në këtë periudhë mes fiseve ortodokse malazeze dhe fiseve katolike shqiptare, ishte në kundërshtim me politikën e një fuqie tjetër rajonale, Venedikut. Prandaj, kundër kësaj aleance anti-osmane u ngrit peshkopi katolik i Tivarit, Visk Zmajeviq. Këto qëndrime do të ndryshojnë në varësi të koniukturave të kohës.

Kulmi i bashkëpunimit politik mes disa shqiptarëve dhe rusëve arriti në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-të. Kështu, në Kuvendin e Përgjithshëm të himariotëve të vitit 1759, i cili u mbajt nën ndikimin e propagandës ruse, u vendos që popullsia ortodokse shqiptare e këtyre krahinave të kërkonte protektoratin e Rusisë. Për këtë u caktua një delegacion i cili do të shkonte në Peterburg për të kërkuar udhëzime dhe armë kundër osmanëve.

Në shkurt të 1760 himariotët zhvilluan bisedime sekrete me rezidentin rus në Stamboll, A.M.Obreskov për të cilën u informua edhe perandoresha ruse Elizabeta Petrovna. Në këtë periudhë u vendosën kontakte edhe ndërmjet agjentëve rusë dhe disa shqiptarëve katolikë nga Shqipëria e Veriut. Në mars të 1762, Jakov Suma nga Shkodra shkoi në Peterburg dhe u takua me Petrin III dhe si “përfaqësues i gjithë shqiptarëve” kërkoi që të formohej një regjiment shqiptar i ushtrisë ruse për të luftuar kundër Perandorisë Osmane.

Në luftën turko-ruse në vitin 1768 një numër shqiptarësh (kryesisht himariotë) hynë në shërbim të flotës ruse në Detin Mesdhe. Në luftimet që u zhvilluan në gusht të vitit 1773, kundëradmirali rus A.Elmanov raportonte se kishin marrë pjesë katër batalione shqiptarësh (1020 veta), të cilët shkatërruan dhe pushtuan kështjellat osmane Stançio dhe Butrint. Kjo dukuri do të vihet re edhe në luftërat e tjera, duke bërë që një pjesë e tyre të vendoset në Odesë. Kështu u krijua edhe kolonia shqiptare e Rusisë.

Edhe Ali Pashë Tepelena u përpoq të bashkëpunonte me rusët, me qëllim që ata të mbështesnin projektin e tij politik për të fituar pavarësinë e Pashallëkut të Janinës. Por pavarësisht premtimeve të princit G.A.Pomtekim, ky projekt bindte ndesh me preferencat ruse në Ballkan. Luftën kundër suliotëve dhe himariotëve në vitin 1798, Ali Pashë Tepelena e filloi me pretekstin se ata ishin pro-rusë. Në fakt kjo ishte e vërtetë. Por megjith shtypjen e tyre në vitin 1803, ndikimi rus në territoret shqiptare nuk u zhduk. Përkundrazi, ai u rrit akoma më shumë në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit XX-të.

Filed Under: Ekonomi

19 qershor 1998, kthesë historike për Kosovën

June 19, 2024 by s p

Shkruan: Dr. Lulzim Nika/

Më 19 qershor 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të qeverisë së SHBA-së, merr vendimin historik për UÇK-në që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës.

Me këtë vendim u njoftua edhe presidenti Ibrahim Rugova që në grupin negociator të Kosovës do të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën, Kristofer Hill, kishte takim në Malishevë me përfaqësuesit e UÇK-së dhe pas atij takimi, ishte në linjë direkte me përfaqësuesit e Këshillit për Siguri Kombëtare që ishin në takim në Uashington, duke iu raportuar nga zonat e luftës në Kosovë.

Në takimin e 19 qershorit, Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së, në mes të shumë konkluzioneve për Kosovën, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vet, në negociatat e ardhshme për Kosovën, sepse, partitë aktuale në Prishtinë nuk mund ta përfaqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në negociatat e ardhshme për statusin politik të Kosovës.

Në anën tjetër, Sllobodan Millosheviqi i kishte premtuar Rusisë se gjatë verës do ta shkatërronte UÇK-ë dhe në vjeshtë do të fillojnë negociatat për një autonomi të Kosovës që nuk rrezikon sovranitetin e Serbisë në Kosovë.

Në këtë ditë të shënuar, ishte vendimtar presioni i SHBA-së që legjitimoi, me qëndrim zyrtar, UÇK-në në nivel ndërkombëtar.

Vendimi që të përfshihen përfaqësuesit politikë të UÇK-së në arritjen e paqes në Kosovë, ishte e arritura më domethënëse për të ardhmen e Kosovës.

Nga 19 qershori i vitit 1998, UÇK-ja ishte partner i ndërkombëtarëve që së bashku punuan për të arritur paqen në Kosovë.

Duke falënderuar vendosmërinë e diplomacisë amerikane që ishte e pakompromis deri në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, dhe po ashtu pas çlirimit të Kosovës, UÇK-ja ishte partner i besueshëm.

Gjurmët e krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, ishin në të gjithë Kosovën, andaj, argumenti i diplomacisë amerikane pro UÇK-së ishte tepër bindës dhe i qëndrueshëm, për të ndihmuar një popull të fitonte lirinë dhe shtetin.

Më 19 qershor 1998, Drejtoria Politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mori një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, kur përfaqësuesit e saj u takuan me zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ky ishte një moment kyç në procesin e legjitimimit politik të UÇK-së në arenën ndërkombëtare.

Ky vendim i Shteteve të Bashkuara për të njohur politikisht UÇK-në erdhi në një kontekst të përkeqësimit të situatës në Kosovë, ku forcat serbe dhe ato të UÇK-së ishin në një përplasje të vazhdueshme dhe ku dhuna ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës po rritej. Në këtë periudhë, UÇK-ja po shfaqej gjithnjë e më shumë si përfaqësuesja kryesore e rezistencës shqiptare kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Njohja politike e UÇK-së nga SHBA-ja shënoi një kthesë të rëndësishme në politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. Kjo njohje jo vetëm që rriti legjitimitetin e UÇK-së si një forcë kryesore në terren, por gjithashtu hapi rrugën për mbështetje më të gjerë ndërkombëtare dhe përfshirje në negociatat e ardhshme për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.

Ky vendim i SHBA-së ishte një sinjal i qartë se komuniteti ndërkombëtar, dhe veçanërisht SHBA-ja, ishte e gatshme të mbështeste aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri , duke e njohur UÇK-në si një faktor kryesor dhe legjitim në këtë përpjekje.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 903
  • 904
  • 905
  • 906
  • 907
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT