• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERNEST KOLIQI DHE SAMI REPISHTI PËR ROLIN E FAN NOLIT NË ARENËN NDËRKOMBËTARE: NJË PËRFAQËSIM I DENJË!

September 8, 2024 by s p

“Ata e dinin ku t’a vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.”

 “Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024”  

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated “Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024” – ky është titulli i një njoftimi botuar në gazetën Dielli të Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork.  Search Results for “fan noli në kombet e bashkuara” – Dielli | The Sun (gazetadielli.com). Në njoftim thuhet se ky organizim, për herë të parë në Selinë e OKB-së, realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA dhe degës së saj në Boston, gazetës “Dielli,” dhe me mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.  Thuhet se ky simpozium përkujtimor dhe historik mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.  Sipas njoftimit, për publikun, në gazetën Dielli thuhet se në simpozium do të flasin ambasadori i Shqipërisë në Washington si dhe ambsadori i Shqipërisë në OKB, përfshir  drejtuesit e VATRËS, gazetës “Dielli”, akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shkruar për të madhin Fan S. Nolin.  Ky simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.

Për rolin e Fan Nolit në arenën ndërkombëtare — subjekt i këtij simpoziumi të henën në OKB — është folur e shkruar edhe më përpara.  Kanë folur e shkruar gjatë dekadave të kaluara shumë figura të njohura dhe personalitete të diasporës shqiptare të pas Luftës së II Botërore, si Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë.  Në një shkrim të botuar 10-vjet më parë –  Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf –kam pasqyruar, shkurtimisht, vlerësimet e Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin ndërkombëtar të Fan Nolit, që besoj se ia vlen t’i kujtojmë, me këtë rast — sa për ilustrim.

Mbi të gjitha, Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i marrëdhënieve të ngushta e miqësore, shqiptaro-amerikane. Por pa harruar rolin e rëndësishëm që ka luajtur edhe At Gjergj Fishta – si njëri prej arkitektve kryesorë të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht, rolin që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve tona.  Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf

Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simboli kryesor i  marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve, mbi të cilat ndërtuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten deri diku, trashëgimia e tij, megjithse edhe të tjerë kanë luajtur rol të rëndësishëm, gjatë dekadave të shekullit të kaluar, në zhvillimin e këtyre lidhjeve midis dy kombeve tona. 

Simpoziumi që mbahet të henën në Nju Jork me 9 shtator, 2024 më kujtoi vlerësimet e dikurshme të dy figurave kombëtare, Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin diplomatik ndërkombëtar të Nolit dhe kontributit të tij në fushën e diplomacisë midis dy popujve tanë, por edhe në fushën ndërkombëtare, në përgjithsi, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, mbi interesat personale.

Është i mirënjohur tanimë roli dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë.  Ishte oratoria që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në mbrojtje të interesave të kombit të vet, siç kisha shënuar 10-vjet më parë, në shkrimin e lartë përmendur. Oratoria e Nolit në Gjenevë kishte tërhequr vëmendjen e gazetës angleze ‘London Daily Mail’, ndërsa ajo ka përmendur zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë të Ballkanit të asaj kohe.  Ndërsa, gazeta amerikane “Nju Jork Times” e datës 16 Mars 1965 në njoftimin me rastin e kalimit të tij në amshim vdekjen në Florida, në mënyrë të veçant thekson rolin që Noli ka luajtur në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Gazeta e njohur amerikane shkruante se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve, duke e cilësuar veprimtarinë e Lidhjes si, “flluska që i merr era”. Dhe se, “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive”.

Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, Ernest Koliqi  kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 faqe të revistës së tij ‘Shëjzat’ e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nëpër kumbim të ligjëratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”.  Ernest Koliqi shkruante se përfaqsuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqësuesi i Greqisë, duke përdorur “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqiste një grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesëmarrëse për të mos pranue Shqipninë”.  Përfaqësuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqisnin, “Nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, se me krijimin e shtetit shqiptar do t’u krijonte nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.”  Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, ka shkruar Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari… që vetvetiu në pamje rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek”.

Ernest Koliqi ka vlerësuar mëtej rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, të “Një prelati shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh.  Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi.  Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të Peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumente e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtëzakonshme kulturore.  “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjithë ato veti të rralla?”, si Fan Nolin pyeste Profesor Ernest Koliqi duke shprehur bindjen e tij se: “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë.  Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi vlerësimin e tij për rolin diplomatic të Fan Nolit në konferencën e Lidhjes së Kombeve.

Ndërsa Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën ‘Dielli’ me rastin e 100-vjetorit të lindjes ka shkruar se, Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e mbarë njerëzimit, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nëpër të cilën shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të mund të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashëgimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.

Kjo “portë”, për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli, pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqësisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak nga kundërshtimet e të huajve, por më shumë për arsye të një politike përçarëse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve të kaluar. Përveç kësaj, në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo, të cilës, fatkeqësisht, i vjen era interesa persosnale e partiake, në kurriz të partneriteteve, vërtetë, strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë. Kur një vend shprehet për marrëdhënie të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.  

Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën ngushtë me shumë armiq, të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miq, në krahasim me situatën e sotme. Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave. Kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare, në vazhdimësi, nderon kombin shqiptar dhe sipas një komenti të gazetës britanike, ‘Manchester Guardian’ të vitit 1924, kujtojmë, “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënëse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike, një shekull më parë.

Për fatin e mirë, Shqipëria atëherë mbijetoi si shtet falë atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale e partiake të burrave si Fan Noli, Faik Konica, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë,  të cilët gjatë jetës së tyre, mbrojtën vet me punën e tyre interesat kombëtare në nivel ndërkombëtar, por edhe vlerësuan të gjithë ata që vazhduan të mbrojnë interesat e vërteta të Kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht, të sprovuar strategjikë dhe miq të shqiptarëve. Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar, të cilët “dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet”. 

Frank Shkreli

Two men holding a sign

Description automatically generated
Two men standing on a street holding a sign

Description automatically generated

Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan – i vjetër dhe i ri –i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, po shpërblehet.

“O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli 1917. (Autori duke mbajtur fjalën kryesore të rastit në ceremoninë e emrimit të një rruge në Bronx të Nju Jorkut me emrin: Fan Noli – Prill, 2022)

Rruga “Fan Noli” në Nju Jork | Imzot Fan Noli jetësohet me emrin e një ...
A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Me Senatorin e Nju Jorkut, Charles Schumer në ceremoninë e emrimit të rrugës “Fan Noli në lagjën Bronks të Nju Jorkut (Prill , 2022).

Filed Under: Politike

Aleks Buda, in memoriam…

September 7, 2024 by s p

Sot ditëlindja e themeluesit të shkollës moderne të historiografisë shqiptare, bashkëthemeluesit dhe kryetarit historik të Akademisë së Shkencave, Aleks Buda

#Ashsh

#institutetealbanogjise

#AleksBUDA

Kryesia e Akademisë së Shkencave nderon sot, në ditën e lindjes, figurën shumëplanëshe të Aleks Budës, me emrin dhe veprën e të cilit lidhet lindja dhe shndërrimi në shkollë i albanologjisë vendëse; formulimi e argumentimi i tezave themelore të saj; ngritja e institucioneve të specializuara për kërkime të thelluara në historiografi, etnogjenezë, arkeologji dhe disiplina të tjera; prijës i studimeve shqiptare për Mesjetën, lashtësinë dhe momentet kyçe të historisë kombëtare, duke përfshirë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe luftën antifashiste; “i martuar me historinë e i dashuruar me arkeologjinë”; personifikim i arritjeve më cilësore të dijes shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të e në vijim; mentor i disa brezave të historianëve në Shqipëri e Kosovë; figurë referenciale për albanologjinë në Botë; bashkëthemelues dhe kryetar historik i Akademisë së Shkencave prej fillimit deri sa ishte në jetë.

Filed Under: Fejton

Fillim i shkëlqyer në “Ligën e Kombeve”, Shqipëria mund 2-1 Ukrainën

September 7, 2024 by s p

Sokol Paja/

Kombëtarja shqiptare e Futbollit filloi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjet në kompeticionin e futbollit “Liga e Kombeve” duke mundur me rezultatin 2-1 Ukrainën. Një Shqipëri që zhvilloi një lojë të bukur, një ekip që tregoi rritje, pjekuri, siguri dhe mirëadministrim. Freski nga krahët, cilësi individuale, siguri në qendër e pasime, garanci të shtuar në çdo repart janë tregues që ekipi ka arritur një nivel shumë të lartë.

Një ndeshje e luftuar dhe e fituar tekniko-taktikisht, solli emocion dhe shpresë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Një ndeshje ku në pjesën e parë Shqipëria u mbrojt dhe nuk rrezikoi, në pjesën e dytë Shqipëria luajti gjithçka për gjithçka sidomos pas golit të disavantazhit të ukrainasve.

Shqipëria ishte e fuqishme dhe fituese në dyluftimet në ajër, topat e gjatë, pasat e shkurtra, dublimet dhe triblimet ndaj kundërshtarëve.

Ardjan Ismajli dhe Jasir Asani shpërblyen me tri pikë përpjekjet e kuqezinjve në një ndeshje ndaj një rivali shumë të vështirë, zgjojnë oreksin për ndeshjen e 10 shtatorit në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë. “Magjistari” Silvinho i ka dhënë ekipit një mentalitet fantastik fituesish ku lojtarët luajnë pa frikë, të barabartë dhe ndërlidhja e fenomenale e reparteve janë garanci për lojën ekipore. Shqipëria u bë kohë që luan bukur e ëmbël, jo vetëm që fiton, prodhon lojë, por mbi të gjitha emocione të forta. Kombëtarja e futbollit është shndërruar në një kombëtare të kombit dhe përkrahja e tifozëve është një mbështetje e jashtëzakonshme sidomos në ndeshjet në transfertë. E bekuar qofsh Kombëtarja jonë, krenarë për ju çuna kuq e zi.

Filed Under: Sport

IL PICCOLO DI TRIESTE (1990) / KUR STUDIUESI MIKEL PRENNUSHI KËRKOI QË EKSPOZITA DEDIKUAR ALEKSANDËR MOISIUT NË TRIESTE MË 1986 TË “HUAZOHEJ” PËR EKSPOZITË EDHE NË SHQIPËRI

September 7, 2024 by s p


Burimi : Il Piccolo di Trieste, e martë, 6 nëntor 1990, faqe n°4
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e martë, 6 nëntor 1990, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shtator 2024

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të martën e 6 nëntorit 1990, në faqen n°4, një shkrim rreth studiuesit Mikel Prennushi, asokohe në gjurmët e aktorit të madh Aleksandër Moisi në Trieste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Personazhet

Udhëtim në Trieste, dashuria për Moisiun

Një studiues shqiptar në gjurmët e aktorit të madh. Nga “vizita” do të lindë një libër.

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e martë, 6 nëntor 1990, faqe n°4
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e martë, 6 nëntor 1990, faqe n°4

Mikel Prennushi, studiuesi shqiptar, i cili ditët e fundit në muzeun “Carlo Schmidl” ka hulumtuar për Aleksandër Moisiun (në foton në të djathtë, ndërsa ai luan rolin e “Faustit”): dëshira e tij do të ishte që ekspozita që Trieste i kushtoi aktorit në ‘86 të vihet në skenë edhe në Shqipëri. Lindur në Trieste dhe vdekur në Vjenë, Moisiu ishte shqiptar nga ana e babait.

Trieste — Është e vërtetë, në fund të fundit, që t’i përkasin disa kombeve së bashku është një privilegj jo vetëm për ata që e gjejnë veten në këtë gjendje unike, por edhe për ata që i kanë dhënë një “copë” rrënjë ndonjë personazhi. Kërkimi i unitetit, i cili duhet të kalojë kufijtë, popujt dhe kulturat, krijon gjithmonë diçka të re. Kështu ndodhi ditët e fundit, falë “ndërkombëtaritetit” të aktorit të madh Aleksandër Moisi, i lindur në Trieste në vitin 1879, vdiq në Vjenë në vitin 1935, por me origjinë shqiptare nga ana e të atit.

Në gjurmët e tij, një studiues ka mbërritur në Trieste nga Shqipëria: për të mbledhur informacione dhe materiale të destinuara për hartimin e një libri, për të takuar ata që i kanë kushtuar studime shumë të kujdesshme Moisiut, për të verifikuar nëse ekspozita e bërë së bashku në 1986 nga Muzetë Qytetarë të Triestes mbi interpretuesin e famshëm mund të “huazohet” për një ekspozitë në vendin e tij. Qëndrimi i Mikel Prennushit (61 vjeç, mësues, banues në Shkodër, autor i shumë artikujve dhe dy librave për historinë kulturore të vendit të tij) zgjati vetëm disa ditë, koha e lejuar nga viza e tij. Në Trieste, ku u takua edhe me disa të afërm, mundi të konsultohej me dokumentacionin e pasur për Moisiun që ruhet në muzeun e teatrit “Carlo Schmidl”. “Ideja për t’u marrë me këtë aktor të madh — thotë Prennushi — më lindi teksa lexoja artikujt e botuar nga “Piccolo”, që i pashë në Bibliotekën Kombëtare të Durrësit. Moisiu vlerësohet shumë nga ne. Në Durrës ka një monument për të, dhe teatri mban emrin e tij. Por na mungon dokumentacioni për gjithçka që ai bëri në Itali”.

Tek “Schmidl” studiuesi gjeti një trashëgimi të vërtetë : botime nga e gjithë bota, regjistrime zanore, komente shtypi, teksti teatror i Giorgio Pressburger — “Eroe di scena, fantasma d’amore (Moissi)” — libri “Moissi” i krijuar me rastin e ekspozitës. “Tashmë kam shkruar dhe botuar pesë artikuj për të — thotë ai — por tani shpresoj të shoh në vendin tim recensionin e vyer që Trieste i ka kushtuar dhe të shkruaj një libër të mirë”.

Duke marrë parasysh të gjitha gjërat, do të jetë i treti (libër). I pari, i vitit 1980, është “Kontributi shqiptar në Rilindjen europiane” (tani do të përkthehet në italisht dhe anglisht). I dyti, i vitit 1984, është “Kolë Idromeno”, një biografi e “piktorit më të madh shqiptar të traditës”, i cili ka studiuar në Venecia.

Lidhjet kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë, kujton Prennushi, datojnë që në agimin e kohës : “Në shekujt XV dhe XVI shumë refugjatë shqiptarë nga veriu, të detyruar të largoheshin nga atdheu i pushtuar nga osmanët, jetuan në Itali, në Venecia, Padova, Trieste, Brescia, Napoli. Të frymëzuar nga humanizmi, ata krijuan dhe botuan veprat e tyre në Itali. Përmend vetëm disa emra historianësh, shkrimtarësh, artistësh të kësaj epoke : Gjon Gazullin, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Dhimitër Frangun dhe familjen Albanesi, skulptorë e arkitektë të shkolluar në Itali, në djepin e Rilindjes”.

Me Barletin, Beçikemin dhe Frangun, shton Prennushi, nis historiografia shqiptare. Në vitet 1508-1510 Barleti shkroi një libër të përkthyer në të gjithë Evropën për Gergj Kastriotin, i njohur si Skënderbeu (heroi kombëtar që mbrojti tokën e tij nga osmanët për njëzet e pesë vjet). Dhimitër Frangu botoi një vepër për të njëjtin personazh që kishte shtatëmbëdhjetë botime në Itali, duke filluar nga viti 1539, plus një në Francë dhe një në Angli. Jo vetëm kaq : portreti i parë i njohur i Skënderbeut gjendet në “Uffizi” të Firences, një qytet që ruan shumë dokumente të tjera të çmuara të historisë shqiptare, duke përfshirë atë që konsiderohet si shembulli i parë i shkruar në atë gjuhë. “Italia, për ne — përfundon Prennushi, që e flet dhe e shkruan shkëlqyeshëm gjuhën tonë — është një ‘arsenal’ i vërtetë kulturor, një fond shumë i çmuar kërkimi shkencor”.

[g.z]

Filed Under: Reportazh

Vëzhgim diplomatik

September 7, 2024 by s p

Shaban Murati/

Profkat internacionaliste të Enver Hoxhës në zyrat e larta të Shqipërisë.

Kushdo që ndjek, qoftë dhe rastësisht, diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë ngelet pa mend nga propagandimi i ri i profkave të Enver Hoxhës për internacionalizmin proletar të diplomacisë dhe të Shqipërisë. Më e freskëta u dëgjua nga kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Eliza Spiropali, e cila në takimin e saj në 4 shtator 2024 me ambasadoren e Izraelit në Tiranë ngriti një flamur të ri internacionalist të Shqipërisë, duke shpallur me iu tutur syri: “Shqipëria është lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit”. (ATSH)

Nuk ka burrë nëne të kuptojë se ç’punë ka Shqipëria me antisemitizmin në rajon? Nuk e di se cili këshilltar i kënduar në qeveri apo në parlament i ka sugjeruar kryetares së parlamentit se antisemitizmi qenka bërë problem i madh shqetësues ndërkombëtar në Ballkan dhe po priska me padurim që Shqipëria Socialiste “të mprehë shpatën edhe njëherë o për situatën” dhe të marrë komandën, të udhëheqë luftën dhe të shpëtojë gjithë Ballkanin me luftën e saj epokale ballkanike kundër antisemitizmit, të cilin e shohin vetëm zyrat qeveritare dhe parlamentare të Tiranës. Janë profka internacionaliste dhe kalorsiake, që kërkojnë një Servantes të ri për Don Kishotët e Tiranës.

Së pari, para se të marrë flamurin ballkanik të luftës kundër antisemitizmit, përse nuk kujtohen qeveria shqiptare dhe parlamenti I Shqipërisë të marrin në dorë flamurin e luftës kundër antishqiptarizmit, që është bërë fenomen i rrezikshëm në Ballkan? A jeton Tirana zyrtare në Ballkan? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Serbia po përgatitet për luftë kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe shtetit të tij të pavarur të Kosovës. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Greqia po ia kafshon Himarën dhe integritetin territorial të vendit si në kohrat e Venizellosit dhe ndalon të bisedohet dhe të përmendet çeshtja çame. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e shikon se Shkupi tani po përpiqet ta fshijë gjuhën shqipe edhe nga e drejta e mangët e gjuhës së 20 përqindëshit? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po kërkon të zhdukë çdo identitet shqiptar dhe identitet malazez, pasi portat i hapi asaj dykanatesh kryeministri kuisling shqiptar Abazoviç, të cilin nuk dihet pse kryeministri i Shqipërisë e glorifikoi aq shumë pas marrëveshjes së turpshme kapitulluese, që ai nënshkroi fshehtas me kishën ortodokse serbe. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që antishqiptarizmi ka infektuar sot edhe disa segmente të diplomacisë së BE.

Së dyti, Tirana nuk ka asnjë arsye të marrë përsipër rolin e liderit rajonal në luftën kundër antisemitizmit, sepse Tirana vjen e fundit në listën e preferencave diplomatike ballkanike të Izraelit. Le t’ja lerë këtë rol donkishotesk Greqisë, e cila blen miliarda dollarë armatime nga Izraeli dhe i ka vënë në dispozicion Izraelit hpësirën e saj ajrore për stërvitjen e aviacionit ushtarak izraelit. Le t’ja lerë këtë rol Serbisë, e cila furnizon me armë Izraelin sot në kulmin e konfliktit dhe gjenocidit në Gaza.

Tirana zyrtare nuk ka memorie shtetërore dhe nuk e di se i pari ministër i jashtëm izraelit, që ka zbritur në Tiranë, erdhi pas 17 vjetësh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Dhe erdhi jo për vizitë zyrtare, por vetëm për të kërkuar votën e Shqipërisë në OKB kundër Palestinës. Ndërkohë gjatë atyre 17 viteve nuk kishte ngelur president, kryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë pa shkuar nga dy tri herë në Izrael. Për hatër të Serbisë Izraeli nuk e njohu Kosovën deri në vitin 2021, kur e detyroi Shtëpia e Bardhë, që i duhej ky akt për llogaritë e saj ballkanike.

Shqipëria Socialiste megallomane nuk ka as para që ta kryejë rolin e lideres rajonale dhe të investojë në vendet ballkanike për luftën e re internacionaliste kundër antisemitizmit. Edhe Enver Hoxha, që shihte ëndrra në diell për të bërë revolucionin socialist në të gjitha vendet, që nga Kina, Indonezia, Bashkimi Sovjetik, Europa Lindore e deri në Tanzani e Peru, shumë shumë mundi të ngrejë Radion e Jashtëme, që transmetonte çdo ditë në 22 gjuhë të huaja profkat revolucionare dhe internacionaliste të Enver Hoxhës.

Më e thjeshta është se 11 shtetet e tjera ballkanike nuk kanë deklaruar asnjera se i kanë dhënë mandat Shqipërisë që të udhëheqë në vendet e tyre luftën panballkanike kundër antisemitizmit. Dhe si mund ta kryesh rolin e liderit rajonal kur nuk ke mandat nga asnjë shtet ballkanik? Kjo nuk ka rëndësi për diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë, të ekzaltuar nga ëndrra e liderëve rajonalë. Ata besojnë si Enver Hoxha se bota do t’i hajë profkat e reja internacionaliste të Tiranës. Por ka një ndryshim. Enver Hoxha mendonte se po i shërben interesave të Shqipërisë. Kurse Shqipëria e sotme Socialiate po i shërben me ndërgjegje interesave të Izraelit. Përse? Shkoni dhe pyesni qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 929
  • 930
  • 931
  • 932
  • 933
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT