“Ata e dinin ku t’a vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.”
“Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024”
Nga Frank Shkreli
“Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024” – ky është titulli i një njoftimi botuar në gazetën Dielli të Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork. Search Results for “fan noli në kombet e bashkuara” – Dielli | The Sun (gazetadielli.com). Në njoftim thuhet se ky organizim, për herë të parë në Selinë e OKB-së, realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA dhe degës së saj në Boston, gazetës “Dielli,” dhe me mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara. Thuhet se ky simpozium përkujtimor dhe historik mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Sipas njoftimit, për publikun, në gazetën Dielli thuhet se në simpozium do të flasin ambasadori i Shqipërisë në Washington si dhe ambsadori i Shqipërisë në OKB, përfshir drejtuesit e VATRËS, gazetës “Dielli”, akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shkruar për të madhin Fan S. Nolin. Ky simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.
Për rolin e Fan Nolit në arenën ndërkombëtare — subjekt i këtij simpoziumi të henën në OKB — është folur e shkruar edhe më përpara. Kanë folur e shkruar gjatë dekadave të kaluara shumë figura të njohura dhe personalitete të diasporës shqiptare të pas Luftës së II Botërore, si Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë. Në një shkrim të botuar 10-vjet më parë – Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf –kam pasqyruar, shkurtimisht, vlerësimet e Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin ndërkombëtar të Fan Nolit, që besoj se ia vlen t’i kujtojmë, me këtë rast — sa për ilustrim.
Mbi të gjitha, Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i marrëdhënieve të ngushta e miqësore, shqiptaro-amerikane. Por pa harruar rolin e rëndësishëm që ka luajtur edhe At Gjergj Fishta – si njëri prej arkitektve kryesorë të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht, rolin që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve tona. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf
Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simboli kryesor i marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve, mbi të cilat ndërtuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten deri diku, trashëgimia e tij, megjithse edhe të tjerë kanë luajtur rol të rëndësishëm, gjatë dekadave të shekullit të kaluar, në zhvillimin e këtyre lidhjeve midis dy kombeve tona.
Simpoziumi që mbahet të henën në Nju Jork me 9 shtator, 2024 më kujtoi vlerësimet e dikurshme të dy figurave kombëtare, Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin diplomatik ndërkombëtar të Nolit dhe kontributit të tij në fushën e diplomacisë midis dy popujve tanë, por edhe në fushën ndërkombëtare, në përgjithsi, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, mbi interesat personale.
Është i mirënjohur tanimë roli dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë. Ishte oratoria që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në mbrojtje të interesave të kombit të vet, siç kisha shënuar 10-vjet më parë, në shkrimin e lartë përmendur. Oratoria e Nolit në Gjenevë kishte tërhequr vëmendjen e gazetës angleze ‘London Daily Mail’, ndërsa ajo ka përmendur zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë të Ballkanit të asaj kohe. Ndërsa, gazeta amerikane “Nju Jork Times” e datës 16 Mars 1965 në njoftimin me rastin e kalimit të tij në amshim vdekjen në Florida, në mënyrë të veçant thekson rolin që Noli ka luajtur në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Gazeta e njohur amerikane shkruante se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve, duke e cilësuar veprimtarinë e Lidhjes si, “flluska që i merr era”. Dhe se, “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive”.
Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, Ernest Koliqi kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 faqe të revistës së tij ‘Shëjzat’ e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nëpër kumbim të ligjëratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”. Ernest Koliqi shkruante se përfaqsuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqësuesi i Greqisë, duke përdorur “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqiste një grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesëmarrëse për të mos pranue Shqipninë”. Përfaqësuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqisnin, “Nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, se me krijimin e shtetit shqiptar do t’u krijonte nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.” Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, ka shkruar Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari… që vetvetiu në pamje rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek”.
Ernest Koliqi ka vlerësuar mëtej rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, të “Një prelati shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh. Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi. Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të Peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumente e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtëzakonshme kulturore. “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjithë ato veti të rralla?”, si Fan Nolin pyeste Profesor Ernest Koliqi duke shprehur bindjen e tij se: “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë. Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi vlerësimin e tij për rolin diplomatic të Fan Nolit në konferencën e Lidhjes së Kombeve.
Ndërsa Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën ‘Dielli’ me rastin e 100-vjetorit të lindjes ka shkruar se, Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e mbarë njerëzimit, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nëpër të cilën shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të mund të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashëgimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.
Kjo “portë”, për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli, pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqësisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak nga kundërshtimet e të huajve, por më shumë për arsye të një politike përçarëse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve të kaluar. Përveç kësaj, në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo, të cilës, fatkeqësisht, i vjen era interesa persosnale e partiake, në kurriz të partneriteteve, vërtetë, strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë. Kur një vend shprehet për marrëdhënie të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.
Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën ngushtë me shumë armiq, të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miq, në krahasim me situatën e sotme. Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave. Kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare, në vazhdimësi, nderon kombin shqiptar dhe sipas një komenti të gazetës britanike, ‘Manchester Guardian’ të vitit 1924, kujtojmë, “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënëse në Gjenevë. Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike, një shekull më parë.
Për fatin e mirë, Shqipëria atëherë mbijetoi si shtet falë atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale e partiake të burrave si Fan Noli, Faik Konica, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë, të cilët gjatë jetës së tyre, mbrojtën vet me punën e tyre interesat kombëtare në nivel ndërkombëtar, por edhe vlerësuan të gjithë ata që vazhduan të mbrojnë interesat e vërteta të Kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht, të sprovuar strategjikë dhe miq të shqiptarëve. Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar, të cilët “dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet”.
Frank Shkreli
Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan – i vjetër dhe i ri –i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, po shpërblehet.
“O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli 1917. (Autori duke mbajtur fjalën kryesore të rastit në ceremoninë e emrimit të një rruge në Bronx të Nju Jorkut me emrin: Fan Noli – Prill, 2022)
Me Senatorin e Nju Jorkut, Charles Schumer në ceremoninë e emrimit të rrugës “Fan Noli në lagjën Bronks të Nju Jorkut (Prill , 2022).