• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro

January 28, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Kinematografia e Kosovës e pasluftës është prezantuar me shumë sukses me bashkëproduksione dhe me produksione ndërkombetare të profilit të lartë në festivale shumë prestigjioze. Për të parë si vetëprezantohet Kosova përmes filmit, Dr. Jeta Abazi Gashi dhe Doktoranti Juan Montoro bashkautorësuan një punim analitik Kosovarness in Cinema, i cili skicon identitetin e filmit të Kosovës paslufte për periudhën 2017-2021. Projekti synon të vërë në pah shtysën që jep dhe fuqinë që ka arti filmik në arenën ndërkombëtare por dhe në vetë perceptim.

Çfarë spikat në këtë periudhë dhe më tej janë talentet e reja veçanërisht një brez i regjisoreve dhe producenteve femra, të cilat të shkolluara dhe specializuara jashtë, kanë sjellë në mënyrë të guximshme dhe etike tema tabu të shoqërisë sonë. Produksionet e pasluftës bëhen pjesë të identitetit kosovar, në formën e ruajtjes së kujtesës dhe sfidave të mbijetesës, të vështruara në lenten filmike, që po bëhet një platformë e fuqishme për Kosovën në kinemanë botërore.

Pse Kosova paraqet një rast studimor? “Është një vend i vogël që ka arritur suksese në festivale ndërkombëtare. Trashëgimia rreth 50 vjeçare që nis me shtëpinë e parë filmike në 1970 dhe në 2005 me ngritjen e Qendra Kinematografike e Kosovës QKK ishte pjesë e hulumtimit tonë,” thotë Dr. Jeta Abazi, hulumtuese Fulbright në shkencat politike dhe ligjëruese e jashtme në School of Media and Public Affairs, George Washington University.

Në vitet 2017-2021 filmi i Kosovës pati një shpërthim të temave intime të përqendruara tek trauma e luftës ose ngjarje traumatike, kujtesa, patriarkalizmi në subjekte vendore me ndikim të gjerë, të rrëfyera në hapësira personale të vogla jo në skena madhore.

Identiteti dhe përkatësia, të shprehura në atë që dy studiuesit Abazi Gashi dhe Montoro e quajnë Kosovarness in Cinema formulohen kryesisht përmes historive njerëzore të përballjes me realitete të reja si mbijetesa ekonomike te filmi Zgjoi apo ndarjet gjinore te Luaneshat e Kodrës etj. Projekti, i cili nisi në vitin 2025, është duke u plotësuar dhe mendohet të dërgohet për botim në muajt e ardhshëm. “Nga perspektiva akademike, jemi ende duke e shkruar si projekt, por me fokus në “kujtesën” filmike për të kaluarën e Kosovës. Filmat janë zhanër shumë i rëndësishëm perceptues, sepse lidhen me të kaluarën e vendit dhe ndikojnë në të ardhmen e tij.”

Një pikë e veçantë e punimit shqyrton sesi “në krahasim me jehonën publike të Kosovës në marrjes së çmimeve në Sundance Film Festival, në Cannes, në Venicia, në Tallin, nominimin për Oscar si edhe shpërblime për filma të dedikuar luftës, ky aspekt mori pak vëmendje në debatin akademik.”

Nisur nga kjo, “ne hulumtojmë atë që e quajmë “soft power” (forcë e butë), sqaron Dr. Jeta Abazi Gashi, “sepse filmi arrin ta kthejë vëmendjen tek Kosova, jo përmes diskursit politik apo konfliktual, por përmes historive njerëzore, pa përdorur forma të ashpra, duke provuar se arti në përgjithësi dhe ekrani në veçanti ka epërsi ndaj forcës ushtarake.”

“Për një vend si Kosova, ky aspekt ka rëndësi të veçantë sepse regjisorët dhe producentët japin një mesazh se Kosova nuk është histori vetëm e luftës, por pjesë e një rrëfimi global. Kosova ka shumë për të treguar,” përfundon studiuesja.

Për këtë punim, deri tani, autorët kanë përfshirë dhjetë orë filma, intervista me kineastë dhe shumë producentë. Dr. Jeta Abazi Gashi dhe Mag. Juan Montoro nga Catholic University of Uruguay (UCU) e paraqitën punimin në panelin Media and Memory: Remembering the Kosovo War, në konferencën e ASEEES (Association for Slavic, East European and Eurosian Studies) në nëntor 2025, në Uashington DC.

Projekti i tyre ka aspekte personale për të dy hulumtuesit. Jeta ishte 13 vjeç në kohën e luftës dhe nuk ishte në Kosovë, por një pjesë e familjes së saj ishte aty, dhe ajo e ka ndjerë të afërt atë periudhë. Për Doktorantin Juan Manuel Montoro, që do paraqes disertacionin Sporti dhe Kujtesa Konfliktuese e Kosovës pranë University of Lucerne, Zvicër, angazhimi erdhi në formë kureshtje për një vend ku kishte pasur luftë. Në këtë pikë, ata janë edhe hulumtues, edhe subjekte vëzhguese të ndikimit të “soft power” (forcës së butë) të filmit të Kosovës.

Post-war Kosova cinema is a narrative as compelling as it is overlooked. Researchers Jeta Abazi Gashi and Juan Manuel Montoro are finalizing a policy brief on the subject, which they recently debuted at the “Media and Memory” panel during the 2025 ASEEES Convention in Washington, D.C. I am grateful to Dr. Abazi Gashi and Mag. Juan Montoro for sharing their invaluable insights for this piece.

Filed Under: Kulture

Lufta e Gjeneratës së Pestë

January 28, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Nga përvoja ime shumëvjeçare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, një gjë është bërë e qartë: lufta nuk është më ajo që njohëm në shekullin XX. Sot, shtetet nuk rrëzohen domosdoshmërisht nga tanket në kryeqytet apo nga pushtimi klasik i territorit. Ato shemben shumë më herët – në heshtje, në hapësirën digjitale, në mendjen e shoqërisë dhe në paralizën e institucioneve.

Ajo që quhet Lufta e Gjeneratës së Pestë (5GW) përfaqëson transformimin më të thellë të konceptit të konfliktit modern. Nga qendra strategjike e USINDOPACOM-it në Guam, kundërgoditja nuk nis me zbarkime ushtarake, por me dominim satelitor, sulme kibernetike, operacione informative dhe goditje precize. Brenda 24 orëve paralizohet infrastruktura kritike; brenda 48 orëve, shteti pushon së funksionuari si entitet ushtarak dhe politik efektiv. Jo për shkak të pushtimit, por për shkak të humbjes së koherencës.

Në këtë lloj lufte, armët kryesore nuk janë më topat dhe raketat, por kontrolli i informacionit, i rrjeteve energjetike, i sistemit financiar dhe i besimit publik. Fronti nuk është më gjeografik – ai është kognitiv, institucional dhe digjital. Shteti humb në momentin kur nuk arrin më të marrë vendime, të komunikojë me qytetarët dhe të ushtrojë autoritet funksional.

Guam nuk është thjesht një bazë ushtarake. Ajo simbolizon arkitekturën e re të fuqisë globale, ku operacionet tokësore, ajrore, detare, kibernetike dhe hapësinore integrohen në një sistem të vetëm komandimi.

Kjo tregon se edhe konfliktet që duken lokale menaxhohen nga qendra globale, ku distanca gjeografike ka humbur rëndësinë strategjike.

Rasti i Venezuelës, real apo i perceptuar në diskursin ndërkombëtar, ilustron qartë këtë paradigmë. Ndërhyrja nuk konceptohet më si pushtim klasik, por si “korrigjim gjeopolitik” në emër të stabilitetit, rendit apo balancës strategjike. Në luftën e gjeneratës së pestë, kufiri midis mbrojtjes, parandalimit dhe agresionit bëhet i paqartë. Lufta nuk shpallet, por pasojat e saj janë të prekshme dhe të thella për shoqërinë e synuar.

Për shtetet e vogla dhe të mesme, ky realitet është veçanërisht alarmues. Ushtri tradicionale pa mbrojtje kibernetike, pa reziliencë institucionale dhe pa kontroll të hapësirës informative janë thellësisht të ekspozuara. Dobësia kryesore nuk qëndron te mungesa e armëve, por te mungesa e kapaciteteve të integruara shtetërore.

Mbrojtja moderne sot matet me aftësinë për të mbajtur funksionale infrastrukturat kritike, për të mbrojtur hapësirën kibernetike, për të edukuar strategjikisht elitën politike dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Pa këto elemente, sovraniteti mbetet vetëm një koncept juridik, jo një realitet funksional. Lufta e gjeneratës së pestë është luftë e heshtur, por shkatërruese. Ajo synon të thyejë vullnetin dhe funksionalitetin e shtetit përpara se të lindë rezistenca. Në këtë kuptim, shteti nuk humb kur pushtohet, por kur pushon së funksionuari.

Shekulli XXI, jam i bindur, nuk do të mbahet mend për betejat e mëdha tokësore, por për momentet kur një shtet u zgjua dhe kuptoi se lufta kishte përfunduar pa u shpallur kurrë. Dhe kjo është sfida më e madhe strategjike e kohës sonë.

Filed Under: Ekonomi

Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026

January 28, 2026 by s p

1. Deri në datë 1 Mars 2026 të gjitha degët të depozitojnë me postë në Selinë Qëndrore të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra: Vatra – 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 : a. Listën e Anëtarësisë, b. Listëpagesat e Anëtarësisë

2. Deri më datë 15 Mars 2026 Komisioni Përgatitor i Kuvendit verifikon anëtarësinë dhe pagesat dhe u kthen përgjigje Degëve të Vatrës mbi gjendjen e Anëtarësisë dhe Pagesave.

3. Nga data 1 Mars 2026 deri me datë 15 Mars 2026 Kandidatët që dëshirojnë të kandidojnë për Kryetar të Federatës Vatra të depozitojnë pranë Komisionit Përgatitor të Kuvendit: a.Platformën e kandidimit, b.Jetëshkrimin personal

4. Deri më datë 20 Mars 2026 Komisioni Përgatitor i Kuvendit verifikon kandidaturat për Kryetar të Vatrës dhe shpall zyrtarisht kandidatët zyrtar për Kryetar të Vatrës dhe hapjen e fushatës zgjedhore e cila përfundon më 20 Prill 2026.

5. Deri më datë 25 Mars 2026 degët e Vatrës depozitojnë pranë Komisionit Përgatitor të Kuvendit listën e delegatëve për Kuvendin e Vatrës.

6. Deri më 30 Mars 2026 Komisioni Përgatitor i Kuvendit verifikon Kredencialet e Delegatëve të propozuar, njofton degët dhe bën shpalljen zyrtare në gazetën Dielli emrat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe emrat ia kalon sekretariatit teknik për plotësimin dhe përgatitjen e dokumentacionit personal të punimeve të Kuvendit të Vatrës.

7. Më 25 Prill 2026 Kuvendi i Federatës Vatra.

Shënim: Ju lutemi të jeni korrekt me afatet. Tagrin e njoftimit zyrtar dhe publik për çdo vendim e ka vetëm Komisioni Përgatitor i Kuvendit i cili e depoziton për shpallje e publikim në gazetën Dielli.

Me respekt

Komisioni Përgatitor i Kuvendit:

Mondi Rakaj – Kryetar

Bashkim Musabelliu – Nënkryetar

Mirela Kanini – Sekretare

Ilir Cubi – Anëtar

Anton Raja – Anëtar

Për çdo sqarim kontaktoni:

Mondi Rakaj

Cel: +15867099517

Email: mondirakaj@gmail.com

Filed Under: Opinion

Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar

January 28, 2026 by s p

Opinion  nga Rafael Floqi

Shqipëria po hyn në epokën e inteligjencës artificiale pa debat serioz publik, pa një strategji kombëtare të miratuar dhe, mbi të gjitha, pa mekanizma realë kontrolli demokratik. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, veçanërisht pas vitit 2019, inteligjenca artificiale është futur zyrtarisht në dokumentet e sigurisë kombëtare dhe strategjitë e mbrojtjes, në Tiranë ajo vazhdon të paraqitet kryesisht si sukses administrativ dhe narrativë propagandistike për “shtetin digjital”, pa një analizë të thellë të rreziqeve që ajo mbart.

Në mars të vitit 2021, Komisioni Europian publikoi dokumentin “Artificial Intelligence Act”, duke e trajtuar AI-në si teknologji me rrezik të lartë për të drejtat themelore dhe demokracinë, ndërsa në tetor 2022 Shtëpia e Bardhë shpalli “Blueprint for an AI Bill of Rights”. Këto dokumente nuk janë deklarata formale, por reflektim i frikës reale se AI, nëse lihet pa kontroll, mund të shndërrohet në instrument autoritar. Në Shqipëri, në të njëjtën periudhë, debati institucional mbi inteligjencën artificiale ka qenë praktikisht inekzistent.

Në thelb, inteligjenca artificiale nuk është thjesht teknologji. Ajo është fuqi. Fuqi për të kontrolluar informacionin, për të ndikuar perceptimin publik dhe për të ndërtuar realitete politike alternative. Pikërisht këtu qëndron rreziku për një vend si Shqipëria, ku centralizimi i pushtetit është rritur ndjeshëm pas vitit 2017 dhe ku transparenca institucionale është dobësuar, sipas raporteve të vazhdueshme të Freedom House dhe Transparency International.

Fenomeni “Diella”

Në diskursin ndërkombëtar, pas vitit 2020, po përdoret gjithnjë e më shpesh termi që analistët e quajnë fenomeni “Diella”, një fazë e re e manipulimit digjital ku inteligjenca artificiale nuk shërben më për të analizuar informacionin, por për ta prodhuar atë. Deepfake-t, zërat sintetikë dhe përmbajtja e gjeneruar automatikisht janë tashmë të dokumentuara gjerësisht nga Europol dhe NATO StratCom Centre of Excellence, të cilat në raportet e viteve 2021–2024 paralajmërojnë për rrezikun e “realiteteve të fabrikuara” në shoqëritë demokratike. Diella shërbeu vetëm si mjet vetpromovimi i kryeministrit Rama por nuk mund te zgjidhë korrupsionin siç tregoi rasti Akshi

Në Shqipëri, shenja të këtij fenomeni janë vërejtur qartë gjatë fushatave zgjedhore të viteve 2019, 2021 dhe më pas në debatin publik online, ku u evidentua përdorimi masiv i llogarive anonime, videove të montuara dhe amplifikimit të koordinuar të mesazheve politike. Edhe pse institucionet nuk kanë pranuar zyrtarisht përdorimin e mjeteve të bazuara në AI, fakti që këto praktika nuk janë hetuar seriozisht ngre dyshime legjitime mbi tolerimin ose paaftësinë institucionale për t’i adresuar.

Rreziku i luftës hibride. Sulmi iranian

Rreziku i luftës hibride nuk është më abstrakt për Shqipërinë. Në korrik dhe shtator të vitit 2022, institucionet shqiptare u goditën nga sulme kibernetike të drejtpërdrejta të atribuuara zyrtarisht Republikës Islamike të Iranit, si hakmarrje për vendimin e qeverisë shqiptare të viteve 2013–2016 për të strehuar opozitën iraniane MEK. Ky fakt u konfirmua publikisht nga Kryeministri Edi Rama më 7 shtator 2022 dhe u mbështet nga deklarata zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e cilësoi sulmin si akt shtetëror. Ky ishte momenti kur Shqipëria u fut hapur në hartën e konfliktit kibernetik global, duke treguar se shtetet e vogla janë objektiva të drejtpërdrejta në epokën e AI-së dhe luftës hibride.

Në këtë kontekst, Ballkani dhe Shqipëria rrezikojnë të shndërrohen në terren testimi për teknologji dhe metoda manipulimi, jo sepse kanë kapacitete zhvillimi, por sepse importojnë teknologji pa standarde dhe pa mbikëqyrje. Inteligjenca artificiale këtu nuk shfaqet si inovacion futurist, por si instrument monitorimi dhe kontrolli.

Survejimi me kamera si mjet kontrolli

Një shembull domethënës është procesi i monitorimit me kamera dhe përdorimi i sistemeve inteligjente nga Policia e Shtetit, veçanërisht pas vitit 2020, kur u shpallën projekte për zgjerimin e kamerave inteligjente në qytetet kryesore dhe akset rrugore. Edhe pse Ministria e Brendshme i ka justifikuar këto masa si luftë kundër kriminalitetit, deri më sot nuk ekziston një ligj i posaçëm që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale në survejim, as një raport publik mbi mënyrën e ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave biometrike, gjë që bie ndesh me standardet e përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendime të viteve 2018–2022.

Në qendër të kësaj arkitekture digjitale qëndron Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila pas vitit 2018 ka marrë kompetenca gjithnjë e më të gjera mbi sistemet kritike të shtetit. Raportime të vazhdueshme mediatike, përfshirë investigime të publikuara ndër vite, kanë ngritur pikëpyetje mbi procedurat e prokurimit, mungesën e konkurrencës reale dhe rolin dominues të disa operatorëve privatë në projektet digjitale. Në mungesë të auditimeve të pavarura dhe të publikuara, çdo pretendim për modernizim digjital mbetet i pambështetur nga transparenca.

Call centrat mashtruese 

Një tjetër plagë e hapur që lidhet drejtpërdrejt me inteligjencën artificiale është fenomeni i call centerave mashtruese, i dokumentuar nga autoritetet italiane dhe gjermane që prej vitit 2018. Operacione të përbashkëta policore, përfshirë aksione të viteve 2020–2023, kanë treguar se nga territori shqiptar operojnë struktura që përdorin teknologji të avancuara, përfshirë skripte të automatizuara dhe mjete të bazuara në AI, për të mashtruar qytetarë të Bashkimit Europian. Këto raste kanë dëmtuar seriozisht imazhin e Shqipërisë dhe kanë ngritur dyshime mbi tolerancën institucionale ndaj një aktiviteti që sjell përfitime ekonomike afatshkurtra, por pasoja strategjike afatgjata.

Paradoksi është i qartë: nga njëra anë, shteti shqiptar investon në survejim dhe kontroll digjital të qytetarëve të vet; nga ana tjetër, dështon të kontrollojë ose të çrrënjosë përdorimin kriminal të teknologjisë për mashtrime ndërkombëtare. Ky kontrast e kthen inteligjencën artificiale nga mjet modernizimi në simbol të kapjes institucionale.

Një fasadë moderne mbi një realitet klientelist

Kryeministri Edi Rama e ka promovuar digjitalizimin si një nga arritjet kryesore të qeverisjes së tij, veçanërisht pas vitit 2019, duke e lidhur atë me integrimin europian. Por digjitalizimi pa strategji për inteligjencën artificiale, pa ligje të forta për mbrojtjen e të dhënave dhe pa kontroll real parlamentar rrezikon të mbetet një fasadë moderne mbi një realitet klientelist.N

Në këtë tablo mungon edhe diaspora shqiptare, e cila në SHBA dhe BE përfaqëson një potencial të madh ekspertize në AI dhe siguri kibernetike, por që nuk është përfshirë në asnjë strategji shtetërore të miratuar deri më sot.

AI nuk do presë Shqipërinë

Epoka e inteligjencës artificiale nuk do të presë Shqipërinë. Pyetja nuk është nëse teknologjia do të përdoret, por si dhe nga kush. Nëse ajo përdoret pa transparencë, pa ligj dhe pa kontroll demokratik, inteligjenca artificiale nuk do të forcojë shtetin, por do ta bëjë atë më të mbyllur, më të rrezikshëm dhe më të pambrojtur për qytetarët e vet. 

Në fund të fundit, epoka e inteligjencës artificiale nuk do të presë që Shqipëria të zgjidhë problemet e saj strukturore. 

Pyetja që shtrohet është brutale, por e domosdoshme: a do të përdoret teknologjia për të forcuar demokracinë dhe transparencën, apo për të sofistikuar kontrollin dhe manipulimin? Nëse kjo pyetje nuk merr përgjigje politike sot, ajo do të marrë përgjigje teknologjike nesër. 

Dhe historia ka treguar se algoritmet nuk votojnë, nuk protestojnë dhe nuk mbajnë përgjegjësi.

Filed Under: Komente

GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË

January 28, 2026 by s p

Në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë.

(Në dialog me interpretimin e Ndriçim Kullës në shkrimin me titull “Perandoritë letrare të veprave të Ismail Kadaresë”)

Besim Muhadri, Nju Jork

Photograph: Murdo Macleod/The Guardian, 2005

1. Proza e Kadaresë dhe problemi i hapësirës

Në studimet mbi prozën e Ismail Kadaresë, hapësira narrative është trajtuar kryesisht si vend i historisë kombëtare ose si terren alegorik i pushtetit totalitar. Megjithatë, një lexim më i thelluar i veprës së tij tregon se hapësira nuk funksionon thjesht si sfond i ngjarjeve, por si strukturë aktive e kuptimit. Në këtë kuadër, interpretimi i Ndriçim Kullës mbi konceptin e “perandorive letrare” ofron një këndvështrim të vlefshëm për të kuptuar logjikën e brendshme të zgjerimit hapësinor në prozën kadareane.

Kulla, duke u mbështetur në reflektimet eseistike të vetë Kadaresë, e sheh veprën e tij si ndërtim të një gjeografie imagjinare që i kapërcen kufijtë realë të Shqipërisë, pa e humbur lidhjen me përvojën historike të saj.

2. Shkrimtari nën diktaturë dhe strategjia e zhvendosjes hapësinore

Një element thelbësor për të kuptuar prozën e Kadaresë është konteksti i diktaturës komuniste, brenda së cilës ai krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij. Siç vëren Kulla, shkrimtari nën diktaturë gjendet përballë një raporti të dyfishtë pushteti: nga njëra anë, pushteti politik real; nga ana tjetër, pushteti i brendshëm i artit.

Në prozën e Kadaresë, ky tension përkthehet shpesh në zhvendosje hapësinore: Perandoria Osmane (Pallati i Ëndrrave), Mesjeta ballkanike (Kështjella), Italia pasluftës (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), apo hapësira mitike dhe atemporale (Kronikë në gur). Këto zhvendosje nuk përbëjnë ikje nga realiteti shqiptar, por strategji estetike për ta universalizuar përvojën e shtypjes dhe për ta mbrojtur diskursin kritik përmes alegorisë.

3. Perandoria letrare si strukturë narrative

Sipas konceptit të “perandorisë letrare”, madhështia e një vepre nuk matet me shtrirjen e saj gjeografike reale, por me koherencën dhe intensitetin e botës narrative që ajo krijon. Në këtë aspekt, proza e Kadaresë shfaq një ambicie të qartë për ndërtimin e një universi të vetin, ku hapësirat historike dhe gjeografike funksionojnë si variante të së njëjtës matricë pushteti.

Ndryshe nga perandoritë historike, perandoria kadareane nuk ndërtohet përmes pushtimit fizik, por përmes përshkrimit, simbolizimit dhe mitizimit të hapësirës. Kjo e afron Kadarenë me autorë si Kafka apo Orëell, por njëkohësisht e dallon prej tyre përmes përdorimit të historisë dhe mitit ballkanik si lëndë narrative.

4. Rreziku estetik dhe “dimri rus” i shkrimtarit

Kulla i jep rëndësi metaforës së Kadaresë për shkrimtarin si “Napoleon në dimrin rus”, duke e interpretuar zgjerimin hapësinor si rrezik estetik. Në prozën e Kadaresë, ky rrezik përballohet përmes disiplinës së rreptë narrative dhe ekonomisë simbolike. Hapësirat e largëta nuk përshkruhen kurrë në mënyrë etnografike apo turistike; ato shfaqen gjithnjë si skena të pushtetit, frikës dhe kontrollit.

Kjo e dallon Kadarenë nga autorë të tjerë që kanë tentuar zgjerimin global të hapësirës narrative, por kanë rënë në sipërfaqësi përshkruese. Tek Kadareja, çdo territor i ri i përket së njëjtës logjikë narrative.

5. Imagjinata si formë njohjeje: rasti i hapësirave të pashkelura

Një aspekt i rëndësishëm i analizës së Kullës lidhet me faktin se Kadare përshkruan me bindshmëri hapësira që nuk i ka përjetuar drejtpërdrejt. Ky fakt ka nxitur diskutime në kritikën letrare, por Kulla e interpreton atë si dëshmi të një imagjinate që funksionon si instrument njohjeje.

Rasti i Pallatit të Ëndrrave është paradigmatik: kryeqyteti osman shndërrohet në sintezë të çdo kryeqyteti totalitar. Po ashtu, në Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Italia pasluftës shërben si hapësirë e kujtesës kolektive dhe e absurdit historik, më shumë sesa si vend konkret gjeografik.

6. Pozicionimi i këtij leximi ndaj kritikës ekzistuese

Në krahasim me kritikat ideologjike që fokusohen në marrëdhënien e Kadaresë me regjimin, qasja e Kullës – dhe interpretimi që buron prej saj – zhvendos vëmendjen drejt mekanizmave estetikë të veprës. Ndryshe nga kritika strukturaliste që thekson mitin dhe arketipin, këtu fokusi vihet te hapësira si formë pushteti narrativ.

Ky lexim gjithashtu plotëson qasjet komparatiste ndërkombëtare, duke e parë Kadarenë jo vetëm si shkrimtar të alegorisë totalitare, por si ndërtues të një universi letrar me ambicie perandorake.

7. Përfundim

Në përfundim, interpretimi i Ndriçim Kullës ndihmon për ta kuptuar prozën e Ismail Kadaresë si një projekt të qëndrueshëm estetik, ku hapësira, historia dhe pushteti ndërthuren në një gjeografi imagjinare të mirëstrukturuar. Brenda një studimi të gjatë mbi prozën kadareane, ky këndvështrim shërben si hallkë lidhëse midis analizave tematike, historike dhe teorike, duke e vendosur veprën e Kadaresë në një dialog të vazhdueshëm me traditën e letërsisë botërore.

Më gjerësisht, koncepti i “perandorisë letrare” lejon të shihet se universaliteti i Kadaresë nuk buron thjesht nga temat që trajton (tirania, frika, absurdi, kujtesa), por nga mënyra se si këto tema organizohen hapësinorisht në një sistem narrativ koherent. Hapësirat e tij, sado të largëta apo historikisht të ndryshme të duken, janë variante të së njëjtës arkitekturë simbolike, ku pushteti tenton të bëhet absolut dhe individi mbetet gjithnjë në gjendje pasigurie ontologjike dhe morale.

Në këtë kuptim, Kadareja nuk ndërton thjesht romane të veçuara, por një hartë letrare që zgjerohet gradualisht, duke përfshirë epoka, perandori, qytete reale e imagjinare, dhe duke i nënshtruar të gjitha të njëjtit regjim kuptimor. Kjo hartë nuk është neutrale: ajo është një mënyrë për ta menduar historinë nga perspektiva e viktimës, për ta demaskuar pushtetin përmes metaforës dhe për ta shndërruar përvojën shqiptare në një paradigmë të lexueshme globalisht.

Prandaj, leximi i Kullës nuk është vetëm një kontribut në kritikën kadareane, por edhe një ftesë për ta rimenduar marrëdhënien midis letërsisë dhe hapësirës si kategori estetike dhe politike. Ai na nxit të shohim se si, në kushtet e kufizimit ekstrem të lirisë, shkrimtari mund të fitojë një lloj sovraniteti tjetër: atë të krijimit të botëve, të perandorive simbolike që nuk i nënshtrohen dot as censurës dhe as kufijve gjeografikë.

Në këtë mënyrë, proza e Ismail Kadaresë shfaqet jo vetëm si dëshmi historike e një epoke represive, por si një formë rezistence estetike afatgjatë, e cila vazhdon të prodhojë kuptim përtej kontekstit që e lindi. “Gjeografia imagjinare” e tij mbetet, kështu, një nga shenjat më të dallueshme të modernitetit të kësaj vepre dhe një nga arsyet kryesore pse ajo vazhdon të lexohet dhe të rishqyrtohet në horizonte kritike gjithnjë e më të gjera.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT