*PARTIA E LEGALITETIT PËRBUZ ME NEVERI LËVIZJEN E AVOKATIT TË POPULLIT QË BIE NDESH ME MISIONIN E TIJ/
*DEKLARATË: Partia “Lëvizja e Legalitetit” nuk mund të lejojë që institucioni i Avokatit të Popullit të kthehet në avokat të djallit
Partia Lëvizja e Legalitetit përbuz me neveri iniciativën personale të “Avokatit të Popullit” për ligjërimin e martesave gay dhe e konsideron atë më së paku një lajthitje të tij që i buron nga nevoja për protaganizim publik ose interesa të ngushta personale.Partia “Lëvizja e Legalitetit” i kujton të ashtuquajturit “Avokat i Popullit” se iniciativa që kërkon të ndërmarrë bie ndesh me misionin e institucionit të përfaqëson për të cilin ligji përcakton se “Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje.”
Duke dashur të shpikë “të drejtën e martesave gay” që nuk përcaktohet kurrkund dhe që është e kundërshtuar dhe e debatuar edhe në shoqëritë më liberale, i ashtuquajturi “Avokat i popullit” bie ndesh me paracaktimin universal dhe hyjnor që e konsideron martesën si bashkim të një burri dhe një gruaje.Partia Lëvizja e Legalitetit e ka të qartë se, z. Igli Totozani, për prirje të brendshme, interesa të veta ose të tjerëve, është vazhdimisht i gatshëm që të bëjë “atentate” ndaj moralit shoqëror dhe traditave më të mira shqiptare. Por partia “Lëvizja e Legalitetit” nuk mund të lejojë që institucioni i Avokatit të Popullit të kthehet në avokat të djallit.