Frroku dhe Doshi, 2 orë ballafaqim në Prokurori, moment vendimtar për hetimet/
Rreth orës 11:44 minuta të ditës së sotme është paraqitur në prokurori deputeti kristiandemokrat Mark Frroku, ndërsa disa minuta pas tij, duke preferuar të hyjë nga dera e pasme e godinës, ka shkuar edhe deputeti socialit Tom Doshi. Dy deputetët miq u thirrën për një ballafaqim nga organi i akuzës, pas deklaratave kontradiktore të dhëna disa ditë më parë lidhur me atentatin e pretenduar nga Doshi.
Mark Frroku ka dalë nga prokuroria rreth dy orë më vonë, duke preferuar të mos japë asnjë prononcim për mediat, ndërsa deputeti Doshi ka qëndruar edhe pas largimit të tij.
Rezultatet e këtij ballafaqimi pritet të mësohen në orët në vijim dhe konsiderohen si moment kyç i çështjes, pasi pritet të përcaktojnë drejtimin e hetimeve të mëtejshme të çështjes së shumëpërfolur ditët e fundit.
Po sot, rreth orës 12:00 është paraqitur ne prokurori edhe deputeti demokrat, Mhill Fufi i cili pasi ka përfunduar dëshminë e tij, ka thënë për mediat se u qëndron deklaratave të bëra më parë se, nuk ka dijeni për këtë ngjarje dhe ka kërkuar që të lihet drejtësia të bëjë punën e vet.(Kortezi-Shqip)