Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një lidhje të drejtpërdrejt për Tonight Ilva Tare në Ora News ka sqaruar se çfarë është republika e re e propozuar prej tij.Ai thotë se nuk do të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama pa qeveri teknike dhe se zgjedhjet nuk do të zhvillohen duke qenë ai në krye të qeverisë.Basha tha se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë jo vetëm më 18 qershor, por më 18 nëntor.
Biseda:
Tare: 31 ditë në çadër. Çfarë keni arritur?
Basha: Asgjë nuk është më siç ka qenë para 18 shkurtit. Gjithçka është ndryshe. Frika është vrarë. Kurajoja qytetare është ngritur në këtë shesh. Është një projekt që sot quhet Republika e Re që gjen mbështetje gjithnjë e në rritje jo vetëm tek mbështetësit e opozitës, por mes mbështetësve anë e mbanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë si më parë.
Tare: Çfarë është republika e re?
Basha: Një nga produktet e Republikës së re është që pushtetari ul kokën përpara qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit. Do të thotë një shtet ligjor për të gjithë. Një demokraci e vërtetë, jo fasadë ku qytetarët kanë të drejtë të emërojnë dhe të shkarkojnë pushtetarët në çdo nivel. Do të thotë një drejtësi e vërtetë ku gjyqtarët dhe prokurorët nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Do të thotë konkurrencë e vërtetë, ku çdo qytetar ecën përpara, ndjek fatin e tij dhe jo vetëm një grusht njerëzish që gdhihen dhe ngrysen para dyerve të pushtetit, kontrollojnë gjithë asetet kombëtare, tenderat publikë dhe tregun e zi të drogës.
Luarasi: A nuk mendoni se juve do t’ju shkonte më përshtat një komunikim i ri pa gjuhën e përdorur nga çadra me ato fjalitë që kemi dëgjuar, sepse gjuha e vjetër i takon xhaketave të vjetra….
Basha: Çështja e komunikimit politik është çështje estetike, por sot nuk është më çështje estetike. Ju kujtoj se si kryetari i opozitës në fjalimin tim të parë i kam uruar suksese Edi Ramës dhe i kam ofruar mbështetjen time dhe të PD-së në gjithçka që lidhet me integrimin e vendit. E kam bërë këtë nisur nga koncepti im për demokracinë, për rolin e opozitës, qeverisjes. Është një koncept komplet i ndryshëm nga ai i kundërshtarit tim politik. Përgjigja ka qenë barbare; shkelje e Kushtetutës, shkelje e ligjeve, shkelje e konsensusit duke filluar me nëpunësit civil, futja e kriminelëve në politikë, kthimin e Shqipërisë në hambar droge. Kur i thoshim ne, thonin pse nxini imazhin e Shqipërisë. Sot ke Departamentin amerikan të Shtetit, ke Europolin, që është e zezë mbi të bardhë atë që kemi denoncuar prej fillimit. Çështja këtu nuk është estetike, por etike, morale.Gjuha jonë prej momentit të parë ka denoncuar rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset Shqipërisë jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por gjeneratave të ardhshme në qoftë se vendi kthehet në bastion të krimit të institucionalizuar. Jo thjesht 30 kriminelë deputetë, kryetar bashkish, drejtorë administrate, por në një Republikë ku krimi zgjedh Parlamentin, krimi zgjedh qeverisjen, zgjedh administratën dhe kjo është gati të ndodhë në qoftë se do ta lejojmë jo Partinë Socialiste, pasi është në koma, por Rilindjen e kriminalizuar të zëvendësojë zgjedhjet e lira me një përballje midis politike në një anë dhe krimin në pushtet në anën tjetër.Në qoftë se Elvis Roshi ka përdhunuar në grup një minorene, unë do ta them këtë dhe të skuqen ata që e kanë bërë kryetar bashkie dhe jo unë. Në qoftë se Armando Prenga ka plagosur 4 qytetarë me armë pa leje para komisariatit si cub, unë do ta them këtë dhe le të skuqet ai që e ka bërë deputet.
Tare: Mbani afër zonja dhe zonjusha. E keni për estetikë këtë?
Basha: Këto zonja dhe zonjusha janë ditë për ditë këtu dhe mjafton që media ta hapin pak hapësirat dhe jo vetëm kur flet kryetari. Këto zonja dhe zonjusha për një orë janë shprehur më mirë, më bukur se sa jam shprehur unë për Republikën e Re.
Tare: Rama e ka thënë dje që qeveri teknike nuk ka, shtyrje zgjedhjesh nuk ka…
Basha: Edi Rama është në krizë të thellë politike, psikike dhe morale. Edi Rama ka vetëm një rrugëdalje; të japë dorëheqje. Qeveria teknike është e vetmja garanci për zgjedhje të lira, jo se duam ne, por sepse kështu e solli punën Edi Rama, me krimin në pushtet. Me pesë palë zgjedhje të prishura dhe me asgjësimin e reformës zgjedhore, nuk la asnjë tullë për vete jo për mua. Ikja e Edi Ramës është çështje kohe dhe ne jemi këtu të garantojmë që ikja e tij të jetë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Ndërkohë që ai bën thirrje për dhunë duke kërcënuar protestuesit paqësor si në vitin 1997.
Tare: Rama tha dje se jam i gatshëm edhe në çadër të vijë dhe të dialogojë me ju.
Basha: Të vij këtu vetëm pasi të japë dorëheqjen. Dialog për t’i hedhur hi sy qytetarëve dhe për të vazhduar avazin e vjetër nuk ka për të patur.
Tare: Për të mbërritur në qeveri teknike ju duhet marrëveshje me Partinë Socialiste..
Basha: Do të qëndrojmë këtu dhe do të rritemi gjithnjë e më shumë, gjithmonë e me të vendosur derisa qeverisja, vaji i së cilës ka mbaruar, ta kuptojë se nuk është më qeverisja e shqiptarëve dhe nuk është më asgjë përveçse qeverisja e klaneve kriminale që ka sjellë në pushtet.
Tare: Me LSI ka komunikim?
Basha: Nuk ka asnjë komunikim. Komunikim për telenovelë me Lulzim Bashën nuk ka. Nuk ka asnjë komunikim të nëndheshëm apo të mbidheshëm, negociatë e kam fjalën.
Tare: Udhëtimi në SHBA…zyrtare apo private..Do keni takim me zyrtarë të lartë të DASH?
Basha: Bilal nuk do të ketë në mes. Një Bilal ke të dënuar dhe një kryeministër, të cilit duhet t’i hiqet viza. Bilali i shkretë e hëngri, ky qëndron këtu. Do të kem takime në Evropë dhe në SHBA në funksion të agjendës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ju informoj për këto takime.
Tare: Çfarë ju kanë kërkuar ambasadorët, por edhe ai amerikan gjithashtu? Një nga kërkesat e tyre është që të ktheheni në Parlament dhe të miratoni Vettingun.. Do të ktheheni në Parlament?
Basha: Vetëm nëse ka një pakt kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka disa ambasadorë që janë shprehur publikisht për zgjedhje të lira dhe të ndershme si çështja më akute e Shqipërisë që humbasin pak në mediat e kontrolluara nga qeveria. Përfitoj nga ky ekran për të thënë mendimin tim. Kjo nuk është furtunë në gotë uji, është një krizë e thellë që vlonte dhe papritur ka dalë në sipërfaqe. Është kriza e një shteti kriminalizuar në palcë ku krimi dhe droga kërcënojnë fondamentin e bazamentit të demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Tare: Çfarë parashikon pakti kombëtar?
Basha: Një pakt politik të të gjitha partive politike për një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tare: Jemi tre muaj nga 18 qershori. Mos po humbisni kohë për të bërë fushatë?
Basha: Zgjedhje fasadë, zgjedhje me drogën, zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë as me 18 qershor dhe as me 18 nëntor. Standardet do të zbatohen. Shqiptarët do të kenë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje sipas standardit evropian, zgjedhje të tjera nuk do të ketë.