Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, të mërkurën (06.02) sqaroi, se BE si lehtësuese e dialogut nuk e përcakton agjendën se çfarë do të diskutohet në negociatat Prishtinë-Beograd dhe se kjo bëhet nga palët./
Ky reagim vjen pas komenteve, që janë bërë pasi mediat në Kosovë raportuan, se kinse BE-ja ka kërkuar përfshirjen e Trepçës në kuadër të dialogut. “Në pyetjen nëse Trepça është pjesë e dialogut – BE-ja si lehtësues gjithmonë ka qenë e qartë se agjenda e dialogut vendoset nga Prishtina dhe Beogradi, ne nuk komentojmë për pikat që ata duan t’i diskutojnë. Ato i sjellin në debat çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe ato duhet të pajtohen a do të diskutojnë për secilën çështje në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme lidhur me të gjitha çështjet e diskutueshme”, ka thënë Koçijançiç.
Ajo këto komente i ka bërë një ditë pas takimit të bashkë-kryesuesve të Ekipit Shtetëror për Dialog, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj me diplomatë në Bruksel. Takimi i bashkëkryesuesve është bërë pa njoftimin e mediave dhe pa u dhënë ndonjë deklaratë. Në Prishtinë ky takim u vlerësua edhe si i fshehtë, për shkak të mungesës së plotë të komunikimit me gazetarë apo pjesëtarë të tjerë të publikut.
BE-ja e ka quajtur punën e ekipit të Kosovës si konstruktive dhe ka shtuar, se e mirëpret “angazhimin e ekipit të Dialogut dhe përkushtimin e tyre për të shfrytëzuar shansin dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet e kahmotshme në kuadër të mandatit të qartë nga Kuvendi i Kosovës”.
Më tej në deklaratën e Koçijançiq thuhet, se BE-ja nuk dëshiron që mosmarrëveshjet në rajon t’i importojë në BE së bashku me destabilitetin që ato bartin me vete.
“Pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd përmes një dialogu të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë paqe të qendrueshme në rajon”, ka thënë ajo.