Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel/
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë përsëritur qëndrimin se marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është ligjërisht obliguese për të dyja palët.
Ky reagim vjen pasi që kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka dërguar letër në selinë e Bashkimit Evropian ku ajo konfirmon se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha nenet e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Ndonëse në linjat e njëjta janë prononcuar disa zyrtarë të Beogradit, është kjo hera e parë që me shkrim konfirmohet mosgatishmëria e Serbisë që të zbatojë marrëveshjen në tërësi.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka porositur se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi do të jetë pjesë integrale e rrugës përkatëse evropiane, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën.
Marrëveshja, sipas Stanos, është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, më datën 18 mars, kur u arrit ujdia në Ohër.
Ky, sipas tij, ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste.
Marrëveshja në fjalë nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Sidoqoftë karakteri ligjërisht detyrues, sipas ekspertëve evropianë, bazohet në Konventën e Vjenës, e cila në nenin 11 parasheh se “Pëlqimi i një shteti për të lidhur një traktat mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikim, pranim, miratim apo me ose me çdo mjet tjetër nëse është rënë dakord”.
Zyrtarët evropianë, të kyçur në procesin e dialogut, kanë konifmruar se gjatë takimit të mbajtur në Ohër, kjo iu është qartësuar gjerësisht liderëve të cilët e kanë pranuar interpretimin e tillë.
Like
Comment