Trump rrit dozën e deklaratave kundër Koresë se Veriut/
Presidenti Donald Trump bëri të enjten një paralajmërim të ri ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se deklarata e tij për “zjarr dhe furi” “nuk ishte mjaftueshëm e fortë”.
Duke folur me gazetarët, zoti Trump tha se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey përpara një takimi me këshilltarët e lartë lidhur me çështje të sigurisë.Deklarata e zotit Trump vjen pas paralajmërimit të bërë prej tij më herët gjatë kësaj jave se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.
Përpara reagimit të fundit të presidentit
Koreja e Veriut tha të enjeten se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.
Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.
Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.
Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.
Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.
Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”
Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.
Koment: Racional – iracional/
Kreu koreano-verior i shtetit ka një strategji që e ndjek me këmbëngulje. Sinjalet kontradiktore nga Uashingtoni ai i interpeton si kërcënim. Kjo e vështirëson zgjidhjen e konfliktit edhe më shumë, mendon Peter Sturm./
Për Kim Jong-un është shkruar shumë, me të drejtë rrallëherë është shkruar vërtetë diçka me dashamirësi për të. Por në situatën aktuale, që mund të shndërrohet në një krizë, një meritë mund t’ia vesh në dukje kreut koereano-verior të shtetit: Kim Jong-un po vepron jo pa arsye. Duket se ai ka një strategji. E këtë e ndjek me këmbëngulje të madhe, ngjashëm si edhe i ati Kim Jong-il dhe gjyshi i tij Kim Il-Sung. Por ndryshe nga dy të mëparshmit, me sa duket Kim Jong-un ndjen presion akut kohor. Kjo sigurisht ka të bëjë me ndryshimin e qeverisë në Uashington.
Qeveria Trump ka deklaruar, se strategjia e Obamas “strategjia e durimit” në raport me Korenë e Veriut ka marrë fund. Që qysh nga janari vazhdimisht vijnë sinjale kontradiktore nga Uashingtoni, këtë Kim Jong-un me gjasë nuk e interpreton ashtu siç është në të vërtetë, pra si një tollovi në qeverisje. Ai mendon, se gjithçka që thuhet publikisht është e verifikuar deri në detajet më të vogla. Parë nga kjo perspektivë tollovia e palës tjetër i duket atij si kërcënuese, sepse një situatë e tillë (me gjasë qëllimisht) e turbullon kundërshtarin e mundshëm.
Ndaj Kim Jong-un vëren një “hapësirë dobësie” për veten. Arsyeja më e rëndësishme për këtë është, që ai vetëm në aspektin propagandistik mund të matet në të njëjtin nivel me SHBA-në. Në aspektin ushtarak kjo nuk qëndron. E këtë nuk e ndryshojnë as dy apo një sërë prova raketash atomike që ka ndërmarrë ai. Kim do që ta mbyllë teknikisht sa më shpejt të jetë e mundur programin e armëve atomike, sepse vetëm kështu e imagjinon ai veten të sigurtë prej ndonjë sulmi.
Një pyetje tjetër është, nëse mund të zgjidhet konflikti vërtetë me këshillat e mira p.sh. të Kinës, që SHBA-ja duhet të nisë dialogun me Phenianin? Nëse ka një konstante në tridhjetë vjetët e jetës së Kim Jong-unit, atëherë kjo është, që mos i beso askujt nga bota e jashtme, madje as një cope letre. Ndaj ndonëse teorikisht është e mundur marrëveshja me Korenë e Veriut, nuk është i mundur një çarmatim total bërthamor i gadishullit korean. Por është pothuajse e pamundur, që të besosh, se Kim Jong-un do t’u përmbahej rregullave të një marrëveshjeje të tillë. Pra racionaliteti i udhëheqësit koerano-verior nuk arrin deri në këtë nivel.(Kortezi:Peter Sturm FAZ)
***
BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?/
Politikanë në Gjermani në sfondin e konfrontimeve verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut shprehin shqetësimin e tyre. Partia Socialdemokrate gjermane propozon, që BE-ja të ndërmjetësojë.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate (SPD) Thomas Oppermann angazhohet për ndërmjetësimin e BE-së në krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. “Gjermania ka mundësi të kufizuara, të influencojë direkt në këtë konflikt”, tha ai në Belrin. Ndërsa BE-ja propozohet si ndërmjetësuese. “Unë nuk e di, nëse kjo është realiste. Nëse ka një mundësi për këtë, atëherë ajo duhet shfrytëzuar.” Fillimisht duhet insistuar, që përballja verbale të zëvendësohet nga bisedime të arsyeshme.
Të shmanget përshkallëzimi
“Përshkallëzimi verbal është i rrezikshëm – dhe besimi tek Donald Trump, se mund të marrë vendime të siguruara në plan afatgjatë, është i kufizuar”, tërhoqi vëmendjen Oppermann. “Ndaj shpresoj shumë, që në SHBA forca si ministri i Jashtëm Tillerson, që përdorin gjuhë të moderuar, të marrin situatën në dorë.” Por kërkohet natyrisht edhe nga fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut Kina, që të ndërmjetësojë. “Tani kemi një situatë, ku Këshilli i Sigurimit – ka vendosur sanksione kundër Koresë së Veriut pa u vendosur veto prej Kinës dhe Rusisë. “Kësisoj situata politikisht edhe në aspektin diplomatik është sjellë në drejtimin e duhur. “Kjo nuk duhet të çojë nga një përshkallëzim verbal drejt aktiviteteve ushtarake. Një gjë të tillë duhet ta ndalojmë patjetër”, theksoi politikani socialdemokrat.
Ndërkohë kandidati i SPD-së për kancelar Martin Schulz akuzoi Trumpin se po e ashpërson konfliktin e Koresë së Veriut. “Ne jemi në një situatë, ku na duhet t’i themi edhe hapur qeverisë së SHBA-së, që kjo përplasje verbale e ashpërson situatën dhe nuk e zbut atë”, tha kryetari i SPD-së në Berlin. Qeveria federale duhet t’ia bëjë të qartë këtë Trumpit. Schulz përshëndeti ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe i kërkoi Kinës, që të verë në veprim influencën e saj. “Ajo që duhet të na shqetësojë, është se presidenti i SHBA-së bie në nivelin e diktatorit koreano-verior.” Këtë duhet t’ia themi qartazi Trumpit. “Kjo politikë e presidentit Trump nuk mund të jetë kurrë politika e europianëve, as politika e Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Schulz.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e akuzoi Korenë e Veriut për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu mirëkuptim për presidentin e SHBA-së. “Përsëritja e provave me raketat bërthamore nga Koreja e Veriut shkel të drejtën ndërkombëtare në fuqi dhe kërcënon paqen rajonale”, tha për gazetën “Passauer Neuen Presse” politikania kristiandemokrate.
Koreja e Veriut i përmbahet kursit
Koreja e Veriut pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh po e avancon programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore. Në korrik ajo testoi dy raketa ndërkontinetale, që sipas ekspertëve mund të prekin edhe kontinentin në SHBA. Trump në një deklaratë adresuar Phenianit tërhoqi vëmendjen për arsenalin bërthamor të SHBA-së, që është “më i fortë se kurrë” më parë. Po ashtu presidenti i SHBA-së kërcënoi, se SHBA-ja do të reagojë me “zjarr e indinjatë” ndaj provokimeve prej Koresë së Veriut. Si kundërpërgjigje Koreja e Veriut nga ana e saj kërcënoi me një sulm me raketë ndaj destinacioneve përreth bazës ushtarake të SHBA-së Guam në Paqësor.