Nga Elida Buçpapaj/
Në janar të këtij viti kam shkruar një opinion me titullin eksplicit „Kosova geto në zemër të Europës“. Nuk e ka krijuar Kosova këtë situatë, që të vetëgetoizohet, por ndërkombëtarët, ose shkurt thënë BE-ja. Kosova në fund të shekullit XX viktimë e një regjimi kriminal, vijon në shekullin XXI të mbetet viktimë e mentalitetit anakronik të BE-së.
Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk përfiton nga sistemi Shengen, dhe tani populli i Kosovës po kërcënohet nga faktorë kryesorë të BE-së se, nëse mbështet opozitën, do të mbetet jashtë Shengenit përsëri!
Opozita e Kosovës nuk është armikja e Kosovës. Opozita e Kosovës nuk është as fashiste dhe as terroriste. Opozita e Kosovës është pro Amerikane, pro BE dhe pro Kosovës, por që nuk mund të ngopet me lugën bosh, sepse as barku i popullit të Kosovës nuk ngopet me lugën bosh.
Tash opinioni kosovar e ka kuptuar qartë se BE-ja ka përdorur mënyra jodemokratike për të mbajtur Thaçin në qeverisje, duke synuar edhe riciklimin e tij si President. Hashim Thaçi një lloj hibridi i Putinit në Ballkan, i krijuar si lider kukull me vizën e BE-së! Krejt absurde dhe në kundërshtim me vlerat demokratike të Perëndimit.
Kur opozita krijoi pas zgjedhjeve të qershorit 2014 aleancën e VLAN-it, BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës në Kosovë, që do t’ja hiqte Thaçit shansin të qeveriste vendin për mandat të tretë. Kur opozita përdorte pushtetin e votës, BE-ja nuk e pranoi këtë pushtet, duke i imponuar Kosovës një aleancë kukull – midis Thaçit dhe Isa Mustafës. Them aleancë kukull, sepse Isa Mustafa, kur hyri në aleancë me Thaçin, ai e tradhtoi elektoratin e tij. Në fushatën zgjedhore Mustafa e kërkoi votën për LDK-në me premtimin dhe qëllimin politik se do ta linte Hashim Thaçin në opozitë.
BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës së Kosovës kur kjo ishte me formacionin politik si VLAN, duke krijuar kështu përshtypjen në mbarë opinionin shqiptar se ishte vetë BE-ja pas martesës perverse midis Thaçit dhe Isa Mustafës, kur as njëri dhe as tjetri nuk gëzojnë simpatinë minimale, sepse janë vetë institucionet ndërkombëtare Perëndimore që qeverisjet e tyre i vlerësojnë të korruptuara dhe autokratike.
Veprimet e opozitës aktualisht në Parlamentin e Kosovës janë legjitime.
Opozita duhet të jetë shumë e kujdeshme, sepse SHIK-u synon ta inkriminojë. Për të mbrojtur integritetin e saj, opozita duhet të mos shkaktojë asnjë lloj dëmi që ia cënon asaj imazhin e veprimit politik, për të tjerat, brenda normave demokratike, është e lirë të veprojë. Të evitohet edhe rasti si i deputetes Flora Brovina. Asnjë dëm dhe dëmtim të mos shkaktohet nga veprimet opozitare.
Ndërsa pretendimet se veprimet e opozitës janë fashiste dhe rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin janë manipulim i pastër. Fotoja e zëvendësit të Hashim Thaçit, Petrit Selimi, me të birin bashkë me Daçiçin, ndërkohë që Daçiçi deklaron se Kosova është ISIS, janë shprehja më vulgare se shefi i Petrit Selimit është në pozita thellësisht vasale me Serbinë. Daçiç quan Kosovë vetëm Thaçin dhe Petrit Selimin, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, është ISIS. Por Kosova nuk mund të barazohet as me dy vetë apo me tre vetë, me Hashim Thaçin, Petrit Selimin e Isa Mustafën. Kosova barazohet me popullin e saj, të papunë dhe lënë në mjerim nga kjo qeverisje.
Shqiptarët e Kosovës nuk janë indianët e Amerikës të kohës së Kristofor Kolombit. Populli i Kosovës nuk mund të qeveriset nga një regjim, cilësuar nga më të korruptuarat e Europës, vetëm për të kënaqur orekset e Beogradit, që në të gjitha daljet zyrtare e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, kur 25 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kjo e detyron BE-në që në raportin Kosovë-Serbi, të operojë në përputhje me verdiktin e shumicës së popujve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si shtet sovran.
BE-ja duhet të dale nga statusi i burokratit që dëmton së pari interesat e vetë Europës. Një BE burokratike, indiferente, cinike ndaj fatit të pjesës të saj, siç është Kosova, është e papranushme. Kur ekzistonte Muri i Berlinit ishte e justifikuar, tani jo!
Pasojat e strategjisë izolacioniste të BE-së, ku për të, Europë domethënë vetëm BE, është shkatërrimtare për Europën. Kriza sot me refugjatët sirianë që po dynden me miliona në BE duke rrezikuar vërtetë stabilitetin e BE-së, është produkt i verbërisë së saj. Zyrtarët e BE-së dhe padronët e tyre u treguan syleshë, sepse të mësuar me limuzina e avionë me bileta të klasit të parë, të rrethuar nga sekretaret dhe mantenutat, nuk e kanë imagjinuar se sirianët apo popullsia nga vendet e Afrikës mund të arrinin në zemër të BE-së duke përshkruar në këmbë me mijra e mijra kilometra.
Po më në fund, a i ka dalë gjumi BE-së ?
Sepse produkt i syleshësisë të BE-së është edhe e status quo-ja në Kosovë, që ka imponuar një regjim mizerabël dhe të dështuar, ku papunësia, informaliteti dhe korrupsioni ua ka djegur të gjitha shpresat popullit të Kosovës. Pas sirianëve, kosovarët janë të dytët që ikin nga sytë këmbët nga vendi i tyre. Prej deportimit të kohës të Milosheviçit, ky është dëbimi i dytë që i bëhet popullit të Kosovës nga qeverisja. Pavarësisht se Zoti e ka krijuar Kosovën në zemër të Europës, ajo është një geto dhe Tokë e Djegur për popullin e saj.
Pretendimet e BE-së se Thaçi vendos stabilitet është iluzion dhe spekulim. Kosova do të jetë e destabilizuar deri sa aty nuk do të ketë kushte minimale të jetës. Njerëzit mund t’i vrasësh në dy mënyra: përmes bombave të Asadit, përmes barbarive të ISIS ose duke ua hequr qytetarëve perspektivën e së ardhmes që të fitojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre me punë të ndershme.
Prandaj veprimet e opozitës të Kosovës nuk janë kundër Kosovës, por pro Kosovës.
Organizimet e opozitës të Kosovës kanë „degjeneruar“ dhe prodhuar dhunë vetëm kur segmente të SHIK-ut, njerëz të Thaçit dhe Kadri Veselit kanë interferuar kriminelë midis protestuesve.
Prandaj opozita tani operon brënda Parlamentit të Kosovës me vezë dhe gazlotësjellës.
Zgjidhja është se Kosova nuk mund të qeveriset nga regjime kukulla, të cilat brenda vetes janë të kalbura nga krimi dhe korrupsioni. Kosova është Europë ndaj kërkon nga BE-ja një qasje të përgjegjëshme sipas parimeve demokratike të Perëndimit.
Kosova e ndërton vetë demokracinë, në bashkëpunim me aleatin e saj jetik SHBA dhe BE, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, por jo si deri më tani, si një koloni në Afrikën e kohës koloniale. Kosova është Europë. Europë nuk do të thotë vetëm BE.
Për 15 vjet rresht pas ndërhyrjes të NATO-s, qytetarët e Kosovës, duke iu bindur verbërisht verbërisë të BE-së nuk e kanë gëzuar të drejtën e lëvizjes përmes sistemit Shengen, dhe tani BE-ja kërkon t’ju imponohet duke i kërcënuar se do t’i lejë prapë pa Shengen !
Mënyrat e imponimit të BE-së permes ndëshkimeve që BE-ja iu bën jo politikanëve të korruptuar, por popullit të Kosovës janë dështimi më i madh i BE-së.
Dhe bilbilat e gazi lotsjellës në Parlamentin e Kosovës është këmbanë për ndërgjegjen e BE-së.
Që të zgjohet sa më parë deri sa nuk është vonë!