Nga MASSIMO GAGGI
“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021 Përktheu Eugjen Merlika
E përfunduar – me pasoja politike, etike dhe të sigurisë që do të vazhdojnë të peshojnë – tërheqja nga Afganistani, Joe Biden-i u kthye të merret me pandeminë, piskamën kryesore që i është dashur të përballojë që nga fillimi i mandatit të tij. Zbulon se përparësia e fituar nga Amerika me një fushatë vaksinale fillimisht shumë të shpejtë – suksesi kryesor i rish presidentit – ka mbaruar. Biden-i e dinte me kohë se qëndresa e shumëve, veçanërisht konservatorëve, për t’u vaksinuar do t’a kishte bërë të pa-arritshëm synimin e parë që ai kishte përcaktuar: 70 % të vaksinuar brënda festës kombëtare të 4 korrikut. Shpresonte gjithsesi t’arrinte ose t’i afrohej imunitetit të tufës në muajt e mëpastajmë, por tashmë, me të vaksinuarit në 61 % (mjaft më pak se sa një Evropë që e kishte filluar me vonesë e me pak serume), ky objektiv duket i pa-arritshëm.
E nëse në Kontinentin e Vjetër jo vax-ët janë një pakicë luftarake por e kufizuar, me mbështetje politike të lëvizëshme veçanërisht nga llogari leverdie, pra të brishtë, në Shtetet e Bashkuara ndeshja ndërmjet miratuesve dhe kundërshtarëve të vaksinës dhe masave të tjera të parandalimit duke filluar nga maskat, shumë e ashpër që nga fillimi i pandemisë, është ideologjik, i hapur dhe i përhapur sepse skajorët e individualizmit gjykojnë si të papranueshëm çfarëdo caku që i vihet lirisë vetiake. Edhe përballë përparimit të shpejtë të variantit Delta dhe piskamave të reja spitalore.
Shumë guvernatorë republikanë jo vetëm nuk kanë futur detyrimin e maskave në shkolla, por tani kërcënojnë institucionet që e kanë dekretuar vetë përballë valës së infektimeve që i ka detyruar të venë nxënësit në karantinë: ai i Texasit, Greg Abbott, një trampian i bindur se mund të shpresojë në zënien e vëndit të The Donald, duke ndjekur një vijë akoma më t’ashpër, don t’i presë fondet publike shkollave ”rebele”, edhe se ai vetë ka kaluar Covidin. I vetmi sinjal kurajues vjen nga privatët: një hulumtim Ipsos tregon se numuri i amerikanëve të vendosur për të mos u vaksinuar është ulur në 20 %, niveli më i ulët që nga fillimi i matjeve (në prill ishin 29 %). Kundërshtimi bie kryesisht sepse rritet në vazhdimësi numuri i punëdhënësve që i kërkojnë gjithë vartësve të vaksinohen dhe venë detyrim për përdorimin e maskës.
“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021 Përktheu Eugjen Merlika