
Nga Dr. Sadik Elshani
Fotot: Eva Dori, gazetare/
Shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia bëri analizën e punës së periudhës katërvjeçare, kryetar i ri i shoqatës u zgjodh z. Dritan Matraku.
Ditën e shtunë, më 29 prill, shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia e mbajti mbledhjen e saj të përgjithshme, në të cilën u analizua puna për periudhën katërvjeçare, 2019 – 2023. Sipas statutit të shoqatës sonë, Mbledhja e Përgjithshme, raportimi dhe dhënja llogari para anëtarëve duhet të mbahet një herë në vit, ndërsa çdo të dytin vit bëhen zgjedhjet, ku zgjidhet Këshilli Drejtues dhe kryetari i shoqatës. Por, siç e dimë të gjithë, kjo periudhë përkoi edhe me periudhën e pandemisë, prandaj, duke i respektuar masat parandaluese, ishte e pamundur që të mbanim mbledhjet tona të rregullta. Këshilli Drejtues është mbledhur herëpashere dhe anëtarët janë njoftuar përmes rrjeteve sociale, e-maile e telefonata.
Raportin për punën e shoqatës për këtë periudhë katërvjeçare e mbajti kryetari, z. Bujar Gjoka. Në këtë raport ai kishte bërë një analizë të hollësishmë për mbarëvajtjen e punës së shoqatës gjatë kësaj periudhe: ecurinë e punës së shkollës shqipe, veprimtaritë e zhvilluara, bashkëpunimin e shoqatës me komunitetin, biznesin shqiptar dhe institucionet e organizatat e tjera. Z. Gjoka i njoftoi të pranishmit edhe me ecurinë e punimeve për meremetimin e godinës së re të shoqatës.
Kjo Mbledhje e Përgjithshme ishte edhe mbledhje zgjedhore. Me votim të fshehtë u zgjodh Këshilli i ri Drejtues prej pesëmbëdhjetë anëtarësh, ndërsa ky këshill sipas statutit të shoqatës sonë e zgjedh kryetarin. Kryetr i ri i shoqatës u zgjodh z. Dritan Matraku, veprimtar shumëvjeçar i shoqatës dhë anëtar i Këshillit Drejtues e nënkryetar i parë për disa mandate. Ai para të pranishmëve e paraqiti vizionin e tij për vazhdimin me sukses të misionit atdhetar e kulturor të shoqatës: shtimin e numrit të nxënësve dhe rritjen e cilësisë së procesit mësimor të shkollës shqipe; shtimin e numrit të anëtarëve të shoqatës, sidomos me anëtarë të rinj; rritjen e bashkëpunimit me komunitetin, biznesin shqiptar, bashkinë e Philadelphias, etj.; organizimin e veprimtarive të llojllojshme përkujtimore, kulturore e sportive, si dhe rritjen e cilësisë së tyre. Z. Matraku theksoi rëndësinë e meremetimit të godinës së re të shoqatës dhe vënien e saj sa më të shpejtë në përdorim.Në fund Z. Matraku u bëri thirrje të gjithëve që të jemi të bashkuar dhe të zhvillojmë një veprimtari të organizuar si bashkësi shqiptare të ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditat tona të shkëlqyera.