Nga Mimoza Dajci/Pak ditë më parë në NYU Skirball Center for the Performing Arts në Manhattan, orkestra spektakolare e pianistit e kompozitorit italian Ludovico Einaudi, mbajti një koncert artistik si pjesë e turneut të tyre botëror me pjesëmarrjen e mijëra artëdashësve si dhe muzikantëve profesionistë të nacionaliteteve të ndryshme. Eshtë një ansambël muzikor i përbërë prej instrumentistësh me famë botërore, ku bën pjesë edhe violonçelisti virtuoz shqiptar Redi Hasa.
Kryesisht meloditë e kompozimet e tyre performohen si kolona zanore nëpër filma të suksesshëm Hollivudian si: “The Intouchables”, “Doctor Zhivago”, “I’m Still Here”, “Nocturnal Animals”, etj.
Me Redin zhvilluam biseden e meposhtme:
-Përshëndetje Redi!
-Përshëndetje!
-Për ju është hera e parë që vini në SHBA si violonçelist së bashku me orkestrën e njohur me famë botërore të Ludovico Einaudi-t?
Redi Hasa:- Eshtë hera e dytë, që vij si instrumentist. Herën e parë kam ardhur në mos gaboj, para 2 vitesh, me albumin TimeLapse gjithnjë me Ludovico Einaudi-n.
-Po në Shqipëri a keni patur rast të performoni me këtë orkestër?
Redi Hasa – Në Shqipëri ende jo. Por po flitet ndoshta për të organizuar një Koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Të shikojmë, mbase nga viti tjetër.
-Sa kohë keni që bashkëpunoni me Ludovicon?
– Redi Hasa – Bashkëpunimi me Ludovicon ka nisur rreth 4 vite më parë, në jugun e Italisë ku unë jetoj prej 20 vitesh. Ludovico ishte i ftuar në një festival shumë të madh që mbahet në Itali dhe që quhet La Notte della Taranta. Ky është ndër festivalet më të mëdhenj në Europë që vlerëson traditën e muzikës tradicionale të territorit, të Lecce-s. Ludovico ka qenë i ftuar si drejtor artistik dhe drejtor gjeneral i orkestrës së Tarantës, që përbëhej nga 36 elementë pak a shumë.
-Si muzikant i talentuar, si janë raportet tuaja me skenën e muzikës shqiptare?
– Redi Hasa – Kam 20 vjet që mungoj nga Shqipëria. Fatkeqësisht jam shkëputur pak edhe nga territori, por kam një dëshirë shumë të madhe të kthehem dhe të prek skenën e Shqipërisë. Eshtë një mall, një dëshirë…. Më mungon jashtë mase.
-Ju Redi, keni edhe një vëlla pianist. Sikurse edhe ju, ai ka arritur majat e suksesit në Itali, apo jo?
– Redi Hasa – Po, është e vërtetë. Im vëlla është pianist klasik dhe shpeshherë organizon koncerte me orkestrën e Teatrit të Operas ne Tiranë.
-Edhe ai jeton në Itali?
– Redi Hasa – Po, edhe ai jeton në Itali, por i ka ruajtur të themi kontaktet. Ndërsa unë jam larguar nga Shqipëria i vogël, kështu që kam humbur pak kontaktet me artin në Shqipëri, por e ndjek nga larg dhe jam shumë i informuar për gjithçka ndodh atje.
-Sa ju ndjek publiku shqiptar?
– Redi Hasa – Sinqerisht nuk e di.
-Mendoni se ka pasur artëdashës shqiptarë sonte në koncertin tuaj, këtu në Manhattan?
– Redi Hasa – Shpresoj që po.
-Planet tuaja për të ardhmen në fushën e muzikës?
– Redi Hasa – Kam një projekt në dorë. Sapo kam rregjistruar një disk që do të dalë në shkurt. Eshtë një duet me violonçel dhe vokal. Inçizimet i kemi realizuar në Londër në studion e Peter Gabriel “Real World”. Jemi në pritje të publikimit të këtij disku dhe jemi shumë të kënaqur. Eshtë një projekt që shikon nga njëra anë Shqipërinë dhe nga ana tjetër vendin ku unë jetoj prej shumë vitesh. Gjithmonë kam lidhje me Shqipërinë, nuk jam ndarë asnjëherë edhe pse larg. Eshtë një lidhje që dua ta forcoj sa më shumë dhe t’i afrohem sa më shumë vendit tim.
– A keni koncerte të tjera pas New York-ut, si pjesë e këtij turneu botëror?
Po, patëm dy performanca dy netë me rradhë në New York, ku sonte ishit edhe ju që na ndoqët. Ndalesa tjetër do të jetë në Washington, DC. Kemi bërë gati 15 koncerte deri më tani, kemi qenë në San Francisco, më pas në Kanada, Toronto e Montreal. Kemi bërë një turne të Amerikës dhe shpresojmë të kthehemi përsëri.
-Nga instrumentet që pamë në skenë, dukej sikur kishit përfshirë edhe instrumente popullore.
– Redi Hasa – Magjia e këtij koncerti është ndërthurrja e instrumenteve. Ludovico i ka zgjedhur instrumentet me shumë kujdes. Ka nga ato që vijnë nga tradicione popullore dhe ka të tjera që shohin eksperimentimin e zërit, eksperimentimin e tingullit.
-Sa vura re orkestra juaj ishte e pajisur me instrumente tepër interesantë. Më tërhoqi syrin edhe një vaskë xhami me ujë. Cili është roli i saj në orkestër, ç’farë impakti muzikor i jep pllaka e metalit vendosur brenda saj?
– Redi Hasa – Instrumenti në ujë është thjesht një vaskë me ujë. Duke futur brenda një peshë metali, një pllakë metali, nga uji dalin tinguj shumë natyral dhe kjo shërben për të marrë tingujt e natyrës, për t’i marrë dhe për t’i organizuar. Ludovico ka bërë një punë jashtë mase të mirë në organizimin e të gjithë tingujve, që në fakt quhen “Elemente”, ashtu si edhe titulli i albumit, pra duke marrë elementet dhe duke i bashkuar bashkë.
-Shumë faleminderit Redi dhe suksese! Ishte vërtetë kënaqësi që u takuam.
– Redi Hasa – Faleminderit edhe juve. Shumë kënaqësi edhe për mua.
New York, 2016