Tregim nga Agim Xh. Dëshnica/
Lart në krahun e majtë të rrugës me pisha e plepa, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop nga duket liqeni dhe kodrat përballë, në dy stola të drunjtë rrinin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari tregoi gjatë e gjerë rreth trimërive të tij kundër italianëve, kurse i dyti për heroizmat e veta kundër gjermanëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje, habitej e buzëqeshte me ato ndodhi, sa të rrezikshme aq, edhe të pabesueshme. Papritur, mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.
-Ky insekt kriminel – tha- të pickon, edhe pa e trazuar e s‘e gjen gjë. Në ato çaste iu kujtuan bletët fisnike e punëtore, ndaj vijoi:- ndryshe nga grenxa bleta të thumbon, kur mbron zgjoin, por pas pak, humb jetën!- Rudi mandej nisi të fliste për mjaltin, për ariun e njeriun: – Dikur bletët jetonin në pyje me mare plot me lule. Zgjojet i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë. E kam parë me sytë e mi, kur bridhja vetëm pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje pranë shtëpisë.
-Si shumë guximtar paske qenë!– tha Lani i habitur.-. Deri më sot s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.
-Vertet, çuditem edhe unë!- shtoi Nasi – Dhe jo vetëm kaq, por kohet e fundit ti, sikur shumë i ditur po na del. Në çfarë librash apo gazetash, i ke lexuar histori të tilla, aman?
-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?
– Elbasan? Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit- tha Lani.
-Edhe unë!- vijoi Nasi.
-Mjalti si mjalti-thonë në atë fshat malor. A keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po kokrat e kuqe ai keni shijuar? Po rakinë prej tyre?
-Maret po, ndërsa rakinë jo! – u përgjegjën njeri pas tjetrit dy miqtë e tij.
-Nëse kthen një gotë raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh.- Rudi hapi revistën “Flaka”, të mbështjellë tub e pyeti- Për të mësuar më shumë, a doni një tregim nga shkrimtari Isuf Kodra, botuar në këtë rrevistë.
-Përrallë?- pyeti Lani.
-Ç’ne! Eshtë ngjarje e vërtetë!
– Mirë, lexoje, por me zë burrash që ta dëgjojmë mirë, sepse jo vetëm sytë, por edhe veshët po na lënë- tha Nasi duke qeshur.
Para se të fillonte Rudi, morri frymë thellë:“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur edhe dymbëdhjetë vjetë, i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve. Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Herë pas here nëpër livadh pikasnin papritur tek brofnin e fluturonin lart bletët e egra. Rrëmonin me kujdes e gjenin nën tokë foletë e tyre e kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm.
Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin tjetër. I pat rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin, syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj kulakëve .
Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur, në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri, saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur shesh përballë, e vështronte syshqyer tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej me atë mjaltë bletësh të egra.
Kur mjalti në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti.
-Or çun- sa mjaltë keni marrë këtë mot?
-Tre qypa, dy me mjaltë bletësh nga zgjojet, një të vogël me mjaltin e brumbujve.
-Vërtet?
-Po, po! Në qypin e vogël babi gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.
Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte për të vjellë.
Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:
-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“
* * *
Rudi e mbylli revistën:-Me kaq tregimi i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.