Amerikanët dhe Evropianët kërcënuan sot se do të ndërmarrin sanksione të reja kundër Rusisë nëse ajo do të përpiqet të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 25 maj, që janë kryesore për të ardhmen e vendit.
“Nëse Rusia ose ata që veprojnë në llogari të saj do të turbullojnë zgjedhjet, SHBA-ja dhe BE-ja do të vendosin sanksione ekonomike që do të prekin disa sektorë”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pas një takimi me homologët e tij francezë, gjermanë, britanikë dhe italianë.
“Mesazhi ynë është shumë i thjeshtë: Lejoni Ukrainën të votojë. Lejoni popullin ukrainas të zgjedhë të ardhmen”, tha Kerry.
Kërcënimi me sanksione të reja vjen atëherë kur në lindje të Ukrainës, përleshjet mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të armatosur po shtohen një muaj para fillimit të një operacioni antiterrorist që synonte të vendoste kontrollin e Kievit në rajonet separatiste.