Kosova, bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë/
-Ministri Avdullah Hoti priti në takim Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë Bujar Leskaj/
PRISHTINË, 11 Korrik 2016-B.Jashari/ Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim një delegacion të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari Bujar Leskaj.Gjatë këtij takimi Hoti e njoftoi Leskajn për procesin e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës dhe njëherit për planet dhe vizionin e qeverisë së Republikës së Kosovës në menaxhimin sa më të mirë të parasë publike. Me këtë rast Ministri Hoti gjithashtu shprehi gatishmërinë e institucionit që drejton për të bashkëpunuar sa më ngushtë me shtetin shqiptar në shkëmbimin e përvojave të të dy vendeve në ngritjen e menaxhimit dhe efikasitetit në shpenzimin e parasë publike.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj shprehi gatishmërinë e tij për një bashkëpunim sa më të madh ndërmjet dy institucioneve për të ndihmuar qeverinë dhe organizatat e audituara në menaxhimin e mirë të parasë publike.
Ai më tej bëri të ditur se përkrahja e Republikës së Shqipërisë nuk do të mungojë edhe në anëtarësimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI.