• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike

April 4, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), e themeluar në vitin 1949, përfaqëson aleancën më të fuqishme politico-ushtarake në historinë moderne, e ndërtuar mbi parimin themelor të mbrojtjes kolektive dhe solidaritetit ndërmjet shteteve demokratike. Që nga krijimi i saj me 12 shtete themeluese, NATO ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm zgjerimi dhe transformimi, duke u përshtatur me ndryshimet e mjedisit ndërkombëtar të sigurisë. Sot, ajo numëron 32 shtete anëtare, duke përfshirë edhe anëtarësimet më të fundit të Finlandës dhe Suedisë, çka dëshmon për rritjen e rëndësisë së saj strategjike në një botë gjithnjë e më të pasigurt.

Në një realitet të karakterizuar nga rivalitete gjeopolitike dhe kërcënime hibride, NATO mbetet mekanizmi më efektiv për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Zhvillimet e fundit, përfshirë agresionin rus në Ukrainë dhe tensionet në rajone të tjera të botës, e kanë rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes rolin e kësaj aleance si garant i sigurisë globale.

Historia e NATO-s nuk është vetëm histori e mbrojtjes kolektive, por edhe e ndërhyrjeve vendimtare në momente kritike. Për rajonin e Ballkanit, ndërhyrja e vitit 1999 në Kosovë përmes fushatës ajrore të njohur si Operacioni Allied Force përbën një nga momentet më të rëndësishme historike. Ky intervenim kishte për qëllim ndalimin e krizës humanitare dhe spastrimit etnik, duke ndryshuar rrjedhën e historisë për popullin e Kosovës dhe duke konfirmuar rolin e NATO-s si mbrojtëse e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, perspektiva e anëtarësimit të Republika e Kosovës në NATO nuk është vetëm një aspiratë politike, por një domosdoshmëri strategjike. Përfitimet e këtij procesi janë të shumëfishta dhe ndikojnë drejtpërdrejt në konsolidimin e shtetësisë dhe arkitekturës së sigurisë.

Së pari, anëtarësimi në NATO do t’i siguronte Kosovës mbrojtje të drejtpërdrejtë përmes parimit të mbrojtjes kolektive, duke e përfshirë në mekanizmat e Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. Në një rajon ende të ndjeshëm ndaj tensioneve dhe ndikimeve të jashtme, kjo garanci do të ishte një faktor stabiliteti për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Së dyti, integrimi në NATO do të përshpejtonte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me standardet e aleancës. Kjo do të rriste ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe gatishmërinë operacionale të vendit.

Së treti, përfitimet shtrihen edhe përtej dimensionit ushtarak. Anëtarësimi në NATO rrit besueshmërinë ndërkombëtare, forcon institucionet demokratike dhe krijon një klimë më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime të huaja. Përvoja e Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dëshmon qartë se integrimi euroatlantik shkon paralelisht me stabilitetin politik dhe progresin ekonomik.

Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Kosova duhet të thellojë reformat në sundimin e ligjit, të forcojë institucionet demokratike dhe të ndërtojë kapacitete të qëndrueshme të sigurisë. Po ashtu, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrja në misione paqeruajtëse janë elementë kyç për të dëshmuar gatishmërinë për integrim.

Nga ana tjetër, vetë NATO përballet me sfida të shumta – nga rishpërndarja e barrës financiare deri te përballja me kërcënimet hibride dhe kibernetike. Megjithatë, këto sfida vetëm sa e theksojnë rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit ndërmjet aleatëve. NATO mbetet një komunitet vlerash që bazohet në besimin reciprok dhe në përkushtimin për mbrojtjen e përbashkët.

Në përfundim, NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por një arkitekturë e qëndrueshme e sigurisë kolektive. Për Kosovën, anëtarësimi në këtë aleancë përfaqëson një hap strategjik drejt konsolidimit të shtetësisë dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike. E ardhmja e sigurisë në Ballkan është e lidhur ngushtë me NATO-n, dhe në këtë vizion, Kosova ka vendin e saj të natyrshëm – si kontribuese aktive e paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza

Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë

March 28, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në Amerikë, politika ka një rregull të thjeshtë: kush mbledh para, fiton zë. Kush fiton zë, fiton ndikim. Dhe kush fiton ndikim, fiton pushtet. Por ajo që po ndodh sot në Distriktin e 10-të në Michigan nuk është thjesht një garë për Kongres. Nuk është vetëm një përballje në primare mes dy republikanësh. Është diçka më shumë. Është një histori që mban erë Ballkani. Sepse kur në një vilë pranë Detroit-it mblidhen biznesmenë që nuk janë as votues të zonës, as pjesë e komunitetit lokal — por të ardhur nga Chicago, nga rrjete të lidhura mes tyre — dhe organizojnë një “fundraiser” për një kandidat të caktuar, atëherë nuk kemi të bëjmë më me një aktivitet rutinë.

Kemi të bëjmë me një mesazh. Dhe mesazhi është i qartë: dikush po shqetësohet nga rritja e një kandidati tjetër. Një kandidat që po prish ekuilibrat

Robert Lulgjuraj nuk është thjesht një emër në fletën e votimit. Ai është një sinjal. Një tregues se komuniteti shqiptaro-amerikan po kalon nga periferia në qendër të politikës. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse po krijon nervozizëm. Sepse kur një kandidat shqiptaro-amerikan fillon të kryesojë në sondazhe, të ndërtojë rrjete mbështetjeje dhe të bëhet realisht i rrezikshëm në garë, atëherë loja ndryshon.Atëherë nuk mjaftojnë më fjalët. Fillojnë lëvizjet.

Fundriser-i që nuk ishte thjesht për Bouchard

Le të jemi të sinqertë: në Amerikë, çdo komunitet ka të drejtë të mbështesë kë të dojë. Kjo është demokracia.

Por pyetja që duhet bërë është kjo: A ishte ky aktivitet një mbështetje për Michael Bouchard — apo një kundërshtim ndaj Lulgjurajt? Sepse kur sheh që organizatori është nga Michigan-i, por pjesa tjetër e “skuadrës financiare” vjen nga Chicago; kur sheh emra si Filip Milivojević, Nikola Andreevski, Miloš Mitrović, Luka Jovanović, Zoran Berić — që nuk kanë lidhje direkte me elektoratin e zonës — atëherë kupton që kemi të bëjmë me diçka më të organizuar.

Kjo nuk është thjesht simpati politike.

Kjo është mobilizim. Dhe mobilizimi nuk bëhet pa arsye.

Kur gara “ballkanizohet”

Vetë Lulgjuraj e tha hapur në një takim me komunitetin shqiptar në “Nikos Import Export”: “Është normale që komuniteti yt të të mbështesë. Por kjo garë po merr ngjyra ballkanike.”Kjo është fjalia që duhet lexuar me kujdes. Sepse nuk është një ankesë. Është një diagnozë. Do të thotë që politika amerikane — që supozohet të jetë mbi identitetet etnike — po përthith tensione të vjetra.

Po importon histori.

Po ringjall rivalitete.

Dhe për disa, kjo garë nuk është më për taksa, ekonomi apo siguri kufitare lokale.

Është për kush, përfaqëson kë.

Media, narrativa dhe kujtesa selektive

Kur media të caktuara të diasporës serbe e paraqesin këtë aktivitet si sukses, kjo është e pritshme. Çdo media mbron këndvështrimin e vet. Por problemi lind kur narrativa nuk ndalet te politika aktuale. Kur ajo lidhet me histori të tjera.

Me kujtime të tjera.

Me narrativa që nuk kanë lidhje me Michigan-in, por me Kosharen, me luftën, me “trimat serbë” qё dhanë jetën kundër UÇK-së.

Atëherë nuk kemi më gazetari. Kemi vazhdimësi milloshevicjane në serbiantimes.info .

Kemi një vijë që lidh të shkuarën me të tashmen.

Dhe kjo është pikërisht ajo që e bën këtë garë të rrezikshme — jo për demokracinë amerikane, por për mënyrën si komunitetet e jetojnë atë.

Por problemi nuk është vetëm te të tjerët

Dhe këtu vjen pjesa që shqiptarët nuk duan ta dëgjojnë.

Sepse është e lehtë të thuash: “ata po mobilizohen”.

Por pyetja e vërtetë është:

po ne?

Sepse ndërsa njëra palë organizon rrjete, sjell biznesmenë nga shtete të tjera, mbledh fonde dhe krijon momentum — pala tjetër shpesh mbetet te emocionet.

Te krenaria.

Te fjalët.

Dhe fjalët nuk fitojnë zgjedhje.

Shembulli që duhet të turpërojë dhe të frymëzojë

Në atë takim, Lulgjuraj tregoi një histori që vlen më shumë se çdo analizë politike.

Një djalë nga Kosova. Bir dëshmori. Punonte kamerier në Texas.

Nuk është biznesmen. Nuk ka kompani. Nuk ka rrjete lobimi.

Por nxori 500 dollarë nga paga e tij dhe ia dha fushatës.

Ky nuk është thjesht donacion.

Ky është akt.

Është një mesazh më i fortë se çdo fjalim:

“Unë nuk kam shumë, por jap atë që kam.”

Dhe tani lind pyetja tjetër:

Sa të tjerë mund ta bëjnë këtë?

Dhe pse nuk e bëjnë?

Politika amerikane nuk është vend për naivë

Le ta themi troç: politika në SHBA nuk është e pastër nga interesat. Nuk është neutrale. Nuk është një fushë ku fitohet vetëm me ide.

Fitohet me organizim.

Me rrjete.

Me para.

Dhe kush mendon se mund të fitojë pa këto, jeton në iluzion.

Konfliktet e Ballkanit nuk kanë ardhur fizikisht në Michigan.

Por mentalitetet e tyre po shfaqen.

Jo si luftë.

Por si strategji.

Zgjedhja për komunitetin shqiptar

Në fund të ditës, kjo nuk është një histori për serbët.

As për Bouchard. As për sherifin e nderuar Bouchard.

As për një fundraiser.

Është një histori për shqiptarët. Për mënyrën si ata reagojnë.

Sepse mund të zgjedhin dy rrugë: Të ankohen për atë që bëjnë të tjerët

Ose të bëjnë atë që duhet për veten e tyre.

Sepse në politikë, boshllëku nuk qëndron bosh.

E mbush dikush tjetër.

Si përfundim: kjo nuk është vetëm një garë

Distrikti i 10-të në Michigan është sot më shumë se një garë elektorale.

Është një test.

Një test për të parë nëse komunitetet e diasporës do të sillen si aktorë modernë politikë — apo si bartës të historive të vjetra.

Dhe është një test për shqiptarët:

Nëse do të jenë spektatorë…

apo pjesëmarrës.

Sepse siç e tregoi ai kamerieri nga Texas —

politika nuk fillon me milionat.

Fillon me vendimin për të mos qëndruar mënjanë.

Filed Under: Analiza

Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

March 26, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Gjykata rrëzon dekretin e Presidentes. Por në thelb, ajo godet vetë autoritetin kushtetues që e ka të drejtën funksionale për të garantuar rendin kushtetues. Kam deklaruar vazhdimisht se, kur cenohet integriteti kushtetues dhe sovraniteti politik i shtetit të Kosovës, veçanërisht siç është rasti përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të arritura me negociata dhe pranuara nga Kurti në shkurt, mars dhe tetor 2024, në kuadër të planit franko-gjerman, aneksit të Ohrit dhe statutit të BE për asociacionin, Gjykata Kushtetuese është dhe duhet të mbetet gardiani i funksionimit kushtetues të shtetit.

Me vendimin e saj, lidhur me bllokimin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, ajo ka bërë të kundërtën, sepse ka shkelur mbi parimin bazë të kushtetutshmërisë, madje edhe mbi koherencën e vendimeve të veta.

Në emër të kujt?

Sepse fleksibiliteti politik dhe balanca institucionale nuk mund të ndërtohen duke deformuar tekstin e Kushtetutës. Kushtetuta nuk është tekst politik që interpretohet sipas nevojës së momentit, ajo është normë detyruese, e cila në këtë rast flet qartë, me një precizion pothuaj kirurgjikal juridik. Çështja është e thjeshtë në thelb dhe e maturueshme brenda argumentit juridik që e rrëzon vendimin.

A kishte të drejtë Presidentja të shpërndajë Kuvendin pasi nuk u zgjodh Presidenti brenda afatit kushtetues? Përgjigjja buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe jurisprudenca e vetë Gjykatës. Nenet 86 dhe 87 përcaktojnë qartë se:

– procedura duhet të fillojë 60 ditë para përfundimit të mandatit.

– Presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të tij.

Ndërkohë, vendimi KO29/11 i Gjykatës Kushtetuese e ka saktësuar standardin themelor, se pa kuorum prej 2/3 (80 deputetë), dhe pa dërgimin e dy kandidaturave në kuvend, procedura nuk mund të zhvillohet.

Kjo nuk është çështje interpretimi politik, është standard kushtetues i konsoliduar.

Në rastin konkret:

– procedura ishte hapur në kohë

– kandidatët ekzistonin

– por kuorumi mungoi

Si rezultat, votimi ishte i pamundur.

Dhe më e rëndësishmja është se afati 30 ditor kishte skaduar.

Në këtë moment, Kushtetuta nuk lë hapësirë për improvizim sepse

aktivizohet Neni 82 apo shpërndarja e Kuvendit.

Pra, jo vetëm që Presidentja kishte të drejtë, ajo kishte detyrim kushtetues për të vepruar.

Çfarë bëri Gjykata Kushtetuese në ketë rrethanë?

Duke e rrëzuar këtë dekret, Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë thjesht një interpretim ndryshe.

Ajo ka krijuar një standard të ri, jashtë Kushtetutës dhe në kundërshtim me praktikën e vet.

Kjo është pika ku lind problemi real, sepse, kur gjykata që duhet të garantojë Kushtetutën, fillon ta relativizojë atë, atëherë kriza nuk është më politike por është kushtetuese.

Tani kur Gjykate oscilon nga një pretencë juridike më shumë në interpretime politike, kujt i shërben ky vendim?

Pyetja që lind natyrshëm është se çfarë po ndodh realisht?

A është kapur edhe mekanizmi i fundit i mbrojtjes së shtetit?

A po shndërrohet Gjykata Kushtetuese në instrument balancimi politik?

Vendimi i fundit nuk është i izoluar.

Ai vjen pas një serie vendimesh që prekin drejtpërdrejt çështje të ndjeshme shtetërore, përfshirë trajtimin e dokumentacionit të strukturave paralele serbe, duke prekur edhe detyrimet që burojnë nga procesi i normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi në kuadër të dialogut të asistuar ndërkombëtarisht.

Në këtë kontekst, nuk mund të injorohet dimensioni ndërkombëtar.

Roli i shteteve të QUINT, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, dhe dyshimi i ndikimit të tyre në proceset vendimmarrëse, përmes pranisë ndërkombëtare në Gjykatë, ngre pikëpyetje serioze për motivet reale të këtij vendimi.

Paradoksi i Kurtit është i qartë, i njëjti lider që ndërtoi kapital politik mbi retorikë anti-perëndimore dhe antiamerikane, sot kërkon legjitimitet pikërisht nga ato qendra vendimmarrëse që dikur i kundërshtonte.

Dikur në konfrontim, sot në kompromis.

Dikur në refuzim, sot në implementim.

Dhe ky transformim nuk është ideologjik, është kalkulim për mbijetesë politike.

Në këtë lojë pushteti, raporti me Presidenten ndryshon në mënyrë drastike.

Për aq kohë sa ishte e dobishme politikisht, ajo ishte aleate.

Në momentin që u shndërrua në faktor që mund të cenojë supremacinë politike, fillon distancimi dhe eliminimi politik.

Ky nuk është më debat institucional, është luftë për kontroll.

Ky vendim nuk është vetëm një çështje juridike.

Është një moment që teston vetë themelet e rendit kushtetues në Kosovë.

Sepse nëse Kushtetuta mund të anashkalohet për nevoja politike, atëherë nuk kemi më interpretim, kemi deformim.

Dhe kur deformimi vjen nga institucioni që duhet ta mbrojë atë, atëherë rreziku nuk është vetëm për një vendim apo një mandat, por për vetë shtetin.

Filed Under: Analiza

“Fjalimet që përgjakën Ballkanin”

March 25, 2026 by s p

Dr. Sadri Ramabaja/

Ky recension shqyrton veprën e Gëzim Mekulit “Fjalimet që përgjakën Ballkanin – Analizë retorike e fjalimeve të Slobodan Milosheviqit” si një kontribut të rëndësishëm në studimet mbi diskursin politik dhe propagandën nacionaliste në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Duke analizuar retorikën e Slobodan Milosheviqit, autori synon të zbulojë mekanizmat gjuhësorë dhe simbolikë përmes të cilëve u mobilizua aparati i dhunës dhe populli serb për dhunë politike ndaj shqiptarëve dhe u legjitimuan projektet hegjemoniste serbe. Libri vendoset në ndërthurje të shkencave politike, studimeve të komunikimit dhe analizës kritike të diskursit (Fairclough, 1995; van Dijk, 1998).

1. Hyrje dhe kontekstualizim

Vepra trajton një nga figurat më të debatueshme të fund-shekullit XX në Ballkan, Slobodan Milosheviq, duke e zhvendosur analizën nga dimensioni historik drejt një leximi të strukturuar retorik. Në këtë kuptim, libri nuk është vetëm një rikujtim i ngjarjeve që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, por një përpjekje për të kuptuar se si gjuha mund të shndërrohet në instrument pushteti dhe mobilizimi kolektiv (Judah, 2000; Malcolm, 1998).

Fundja vet Milosheviqi përmes fjalimeve të tij që janë objekt trajtimi në këtë libër, konkretisht atij të mbajtur në qershor të vitit 1989, kishte paralajmruar për betejat që e prisnin popullin serb – “Përsëri jemi në beteja, dhe para betejash. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as të tillat ende nuk përjashtohen”. [Mekuli: 20222]

2. Qasja metodologjike

Mekuli mbështetet në një qasje të afërt me analizën kritike të diskursit, duke identifikuar strukturat narrative, përdorimin e metaforave historike dhe ndërtimin e “palës tjetër”, “tjetrit” si armik ekzistencial—një qasje e përputhshme me literaturën klasike në këtë fushë (Fairclough, 1995; Wodak, 2009).

Analiza e fjalimeve të mbajtura në Gazimestan (1989) dhe Beograd [1999] shërben si rast paradigmatik, ku retorika e Slobodan Milosheviqit ndërthur mitin historik me mobilizimin politik. Siç vëren Gëzim Mekuli, këto fjalime “rikonstruktojnë të kaluarën si një vijimësi të pandërprerë të kërcënimit ndaj kombit serb”,[Mekuli: 2022] duke e shndërruar historinë në një instrument të drejtpërdrejtë të veprimit politik.

Në këtë diskurs, beteja e Kosovës nuk paraqitet thjesht si një ngjarje historike, por si një metaforë mobilizuese, ku e kaluara dhe e tashmja bashkohen në një narrativë të vetme. Mekuli thekson se “retorika e Milosheviqit nuk synon vetëm të kujtojë historinë, por ta riaktivizojë atë si obligim politik për të tashmen”, [Mekuli: 2022] duke prodhuar një ndjenjë urgjence kolektive.

Kjo përputhet me argumentin teorik se diskursi nacionalist prodhon realitete simbolike që paraprijnë dhe legjitimojnë veprimin politik (van Dijk, 1998). Në këtë kuptim, gjuha nuk është vetëm reflektim i realitetit, por një mekanizëm për ta ndërtuar atë.

3. Analiza e përmbajtjes dhe gjetjet kryesore

Një nga meritat kryesore të librit është trajtimi i retorikës si strukturë operative e pushtetit. Mekuli argumenton se diskursi i Milosheviqit:

prodhoi një realitet simbolik që e paraqiste konfliktin si të pashmangshëm;

normalizoi dhunën përmes narrativave të viktimizimit;

instrumentalizoi historinë për qëllime politike.

Këto gjetje janë në përputhje me analizat mbi nacionalizmin serb dhe shkatërrimin e alternativave politike në Serbi (Gordy, 1999), si dhe me studimet mbi ndërtimin diskursiv të dhunës në luftrat që kulmuan në masakra në Bosnjë dhe Kosovë (Campbell, 1998).

Dokumentet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe raportet e Human Rights Watch (1999) e mbështesin në mënyrë empirike tezën se retorika politike ka qenë e lidhur ngushtë me praktikat e dhunës në terren. Në aktakuzën kundër Slobodan Milosheviqit, theksohet se elitat politike dhe mediatike “krijuan dhe përhapën një klimë frike dhe urrejtjeje”, e cila kontribuoi në legjitimimin e veprimeve represive ndaj popullsive joserbe (ICTY, 2001).

Në mënyrë të ngjashme, raporti Sipas Urdhrave: Krime Lufte në Kosovë [Under Orders: War Crimes in Kosovo] i Human Rights Watch vëren se “fushata e forcave serbe në Kosovë u shoqërua nga një diskurs politik që i paraqiste shqiptarët si kërcënim për shtetin”, duke krijuar një kornizë justifikuese për përdorimin sistematik të dhunës (Human Rights Watch, 1999).

Këto burime sugjerojnë se retorika nacionaliste nuk ka qenë thjesht një element shoqërues i konfliktit, por një komponent strukturor i tij, duke ndihmuar në krijimin e kushteve psikologjike dhe politike për zbatimin e politikave represive në terren. Në këtë kuptim, gjuha dhe dhuna shfaqen si dy dimensione të ndërlidhura të së njëjtës strategji politike.

Në nënkapitullin 7.5 [Analiza e fjalimit në Beograd] Mekuli vlerëson se, megjithëse ai nuk ka peshën e fjalimit të mbajtur në Gazimestan, sidoqoftë, edhe ai, “përbën një ngjarje unike politike dhe historike” për vet ndikimin që pati. [Mekuli, 2022:107]

4. Rëndësia për studimet bashkëkohore

Libri tejkalon rastin specifik të Slobodan Milosheviqit dhe ofron një model për të kuptuar lidhjen midis gjuhës, pushtetit dhe dhunës. Në një epokë të rikthimit të diskurseve populiste dhe nacionaliste, ky studim mbetet aktual dhe i domosdoshëm (Wodak, 2009).

Në këtë kontekst, është e mundur të tërhiqen paralele analitike me retorikën e Adolf Hitlerit, jo në kuptimin e barazimit historik, por në aspektin e strukturave diskursive. Të dy liderët përdorën gjuhën si instrument për të ndërtuar një narrativë të viktimizimit kolektiv, ku kombi paraqitet si subjekt i një padrejtësie historike që kërkon korrigjim.

Si në rastin e Hitlerit, ashtu edhe tek Milosheviqi, identifikohet një strategji e qartë e ndërtimit të “tjetrit” si armik ekzistencial, duke përdorur stereotipe, mitologji historike dhe emocione kolektive për të mobilizuar mbështetje politike. Në të dy rastet, diskursi nuk kufizohet në përshkrimin e realitetit, por synon ta riformësojë atë duke krijuar një ndjenjë urgjence dhe domosdoshmërie për veprim.

Një tjetër element i përbashkët është instrumentalizimi i historisë: tek Adolf Hitleri përmes mitologjisë së humbjes dhe poshtërimit kombëtar pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa tek Slobodan Milosheviqi përmes rikthimit simbolik te beteja e Kosovës dhe narrativa e viktimizimit serb. Në të dy rastet, historia shndërrohet në burim legjitimiteti për politika përjashtuese dhe, në fund, për përdorimin e dhunës.

Megjithatë, dallimet kontekstuale mbeten thelbësore dhe nuk duhet të neglizhohen: kushtet ndërkombëtare, shkalla e institucionalizimit të pushtetit dhe përmasat e krimeve ndryshojnë ndjeshëm. Prandaj, krahasimi duhet të kuptohet si një analizë e mekanizmave të diskursit politik, jo si ekuivalencë historike.

4.1 Rëndësia në jetën akademike në Kosovë dhe hapësirën shqiptare

Në kontekstin e Kosovës dhe më gjerë në hapësirën shqiptare, vepra e Gëzim Mekulit merr një dimension të veçantë. Ajo nuk është vetëm një analizë e një periudhe historike, por një instrument kritik për vetëdijësimin akademik dhe shoqëror mbi rolin e diskursit në prodhimin e realiteteve politike.

Në universitete si ato në Prishtinë dhe Tiranë, ku studimet mbi median, komunikimin dhe shkencat politike janë në proces konsolidimi, ky libër mund të shërbejë si një tekst themelor për analizën e propagandës dhe manipulimit diskursiv. Ai ndihmon në tejkalimin e qasjeve deskriptive, duke i orientuar studentët drejt një leximi kritik dhe analitik të gjuhës politike.

4.2 Pse duhet të jetë pjesë e kurikulës universitare?

a) Formimi i mendimit kritik në gazetari

Në një mjedis mediatik të ngarkuar me narrativë politike dhe ndikime të jashtme, studentët e gazetarisë kanë nevojë për mjete analitike për të identifikuar manipulimin diskursiv. Libri ofron pikërisht këtë: një kornizë për të kuptuar se si gjuha përdoret për të ndërtuar “të vërteta” politike.

b) Kuptimi i marrëdhënies midis medias dhe pushtetit

Duke analizuar retorikën e një lideri si Slobodan Milosheviq, studenti kupton më qartë se media nuk është vetëm transmetuese e informacionit, por shpesh pjesë e mekanizmave të pushtetit dhe mobilizimit.

c) Relevanca rajonale dhe historike

Ndryshe nga tekstet teorike të importuara, kjo vepër trajton një rast që ka prekur drejtpërdrejt shoqërinë shqiptare. Kjo e bën atë më të afërt dhe më të kuptueshme për studentët, duke lidhur teorinë me përvojën historike të rajonit.

ç) Parandalimi i manipulimit dhe radikalizimit diskursiv

Njohja e mekanizmave të propagandës është një mjet mbrojtës për shoqëritë demokratike. Siç vëren Teun A. van Dijk, kontrolli i diskursit publik nënkupton edhe kontroll mbi perceptimet dhe veprimet shoqërore (van Dijk, 1998). Në këtë kuptim, analiza kritike e gjuhës—siç argumenton Norman Fairclough—është thelbësore për të kuptuar se si realitetet politike prodhohen dhe legjitimohen (Fairclough, 1995). Në këtë kuptim, libri kontribuon jo vetëm në edukim, por edhe në reziliencën demokratike.

d) Ndërlidhja ndërdisiplinore

Vepra mund të përdoret jo vetëm në gazetari, por edhe në: shkenca politike, studime të sigurisë, sociologji, komunikim dhe media…

Kjo e bën atë një tekst me vlerë të gjerë kurikulare.

5. Vlerësim kritik

Nga një perspektivë akademike, vepra dallohet për qartësinë analitike dhe rëndësinë empirike. Ajo ndërton një urë solide ndërmjet analizës së diskursit dhe studimeve të sigurisë. Si i tillë libri është një kontribut i veçantë në publicistikën tonë.

Megjithatë, disa kufizime mbeten: mungesa e një dimensioni më të gjerë krahasues; një angazhim më i thellë me literaturën bashkëkohore do ta forconte më tej argumentin teorik; krahasimi me raste të tjera të propagandës politike globale do ta rriste universalitetin analitik.

6. Përfundim

Libri “Fjalimet që përgjakën Ballkanin” përfaqëson një kontribut serioz në analizën e marrëdhënies ndërmjet gjuhës dhe pushtetit. Gëzim Mekuli demonstron se retorika nuk është thjesht reflektim i realitetit politik, por një forcë që e formëson atë. Në këtë kuptim, libri na kujton se luftërat fillojnë edhe me fjalë—dhe se dekonstruktimi kritik i tyre mbetet një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Në hapësirën akademike shqiptare, ku ende mungon një traditë e konsoliduar e analizës kritike të diskursit politik, libri i Gëzim Mekulit përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara. Përfshirja e tij në kurrikulat universitare në Prishtinë, Tiranë, Tetovë … do të kontribuonte në formimin e një brezi studiuesish dhe gazetarësh më kritikë, më të vetëdijshëm dhe më rezistentë ndaj manipulimit diskursiv—një domosdoshmëri në një kohë kur luftërat, siç dëshmon edhe vetë libri, shpesh fillojnë me fjalë.

Referenca

1. Fairclough, N. (1995). Critical Discourse Analysis: The Critical Study of Language. London: Longman.

2. Wodak, R. (2009). The Discourse of Politics in Action: Politics as Usual. London: Palgrave Macmillan.

3. Judah, T. (2000). The Serbs: History, Myth and the Destruction of Yugoslavia. New Haven: Yale University Press.

4. Malcolm, N. (1998). Kosovo: A Short History. London: Macmillan.

5. International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY). (2001–2006). Prosecutor v. Slobodan Milošević.

6. Human Rights Watch. (1999). Under Orders: War Crimes in Kosovo.

Filed Under: Analiza

Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës

March 25, 2026 by s p

Kriza për zgjedhjen e presidentit nxjerr në pah kufizimet e modelit aktual kushtetues dhe hap debatin për një reformë që mund të shmangë bllokime të ngjashme në të ardhmen.

Nga Cafo Boga – 25 Mars 2026

Një krizë kushtetuese në zhvillim

Në pranverën e vitit 2026, Kosova po përballet me një krizë kushtetuese që vë në provë stabilitetin e institucioneve të saj demokratike. Dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri ka nxjerrë në pah një problem më të thellë: mekanizmi kushtetues që synonte të detyronte kompromisin politik mund të jetë shndërruar në burim të bllokimit institucional. Përplasja mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti mbi interpretimin e Kushtetutës nuk është vetëm një konflikt politik i momentit, por një sinjal se arkitektura kushtetuese e shtetit të ri mund të ketë nevojë për rishikim.

Kriza u shkaktua kur Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë një pasardhës përpara afatit kushtetues të 5 marsit, megjithëse mandati i Presidentes Osmani përfundon më 4 prill. Procesi i zgjedhjes dështoi pasi partitë opozitare bojkotuan seancën parlamentare, duke penguar arritjen e kuorumit të domosdoshëm prej 80 deputetësh për zhvillimin e votimit. Pa këtë kuorum, Kuvendi nuk ishte në gjendje të zhvillonte raundet kushtetuese të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Pas këtij dështimi, Presidentja Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky veprim u kundërshtua menjëherë nga partia në pushtet Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kryeministri Kurti, e cila argumentoi se Kushtetuta lejon një periudhë shtesë — deri në rreth 60 ditë — për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit edhe pasi të ketë kaluar afati fillestar prej 30 ditësh para përfundimit të mandatit presidencial.

Roli i Gjykatës Kushtetuese

Mosmarrëveshja tashmë është transferuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila më 9 mars nxori një urdhër të përkohshëm duke pezulluar shpërndarjen e Kuvendit deri më 31 mars, ndërkohë që shqyrton ligjshmërinë e dekretit të presidentes.

Gjatë kësaj periudhe, aktiviteti parlamentar është ngrirë praktikisht. Edhe pse Gjykata nuk ka një kompetencë të shprehur kushtetuese për të shtyrë në mënyrë të përhershme shpërndarjen e parlamentit, ajo mund të vendosë masa të përkohshme derisa të përcaktojë nëse institucionet shtetërore kanë vepruar në përputhje me Kushtetutën.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës pritet të përcaktojë jo vetëm rezultatin e menjëhershëm politik, por edhe të sqarojë paqartësi të rëndësishme në interpretimin e dispozitave kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit.

Një Kushtetutë e projektuar për konsensus

Kuadri kushtetues i Kosovës për zgjedhjen e presidentit konsiderohet ndër më të rreptët në Evropë. Në raundin e parë dhe të dytë të votimit, një kandidat duhet të sigurojë dy të tretat e votave — 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë — ndërsa të paktën 80 deputetë duhet të jenë të pranishëm që votimi të jetë i vlefshëm. Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë prag, zhvillohet një raund i tretë ndërmjet dy kandidatëve më të votuar, ku mjafton një shumicë e thjeshtë prej 61 votash.

Megjithatë, nëse edhe pas këtij raundi presidenti nuk zgjidhet, Kushtetuta kërkon shpërndarjen automatike të parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh.

Këto dispozita u vendosën gjatë hartimit të Kushtetutës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Hartuesit synonin të shmangnin paralizën institucionale duke krijuar stimuj të fortë për kompromis politik. Arkitektura kushtetuese u ndikua ndjeshëm nga plani i paqes i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili theksonte ndarjen e pushtetit, mbrojtjen e pakicave dhe stabilitetin institucional në shtetin e ri të pavarur.

Si krahasohet Kosova me Evropën

Në strukturën e saj institucionale, Kosova i ngjan shumë republikave parlamentare evropiane. Në vende si Gjermania, Italia, Greqia dhe Shqipëria, presidenti zgjidhet gjithashtu në mënyrë indirekte nga parlamenti dhe ushtron kryesisht funksione ceremoniale dhe kushtetuese.

Megjithatë, Kosova dallon në ashpërsinë e mekanizmit për zgjidhjen e bllokimit institucional. Në shumicën e sistemeve parlamentare evropiane, parlamenti vazhdon votimet derisa të zgjidhet një president ose pragu i shumicës ulet gradualisht. Kushtetuta e Kosovës, përkundrazi, e përshkallëzon mosmarrëveshjen politike në një krizë institucionale duke kërkuar shpërndarjen automatike të parlamentit nëse zgjedhja dështon.

Megjithëse ky rregull synonte të detyronte kompromisin, në praktikë ai krijon edhe mundësinë që bojkotet politike të shkaktojnë paqëndrueshmëri institucionale.

Dy mënyra për zgjedhjen e presidentit

Në Evropë përdoren kryesisht dy modele për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në shumë republika parlamentare, presidenti zgjidhet nga parlamenti. Kjo metodë nxit kompromisin politik, e mban presidencën mbi rivalitetin e drejtpërdrejtë partiak dhe ruan balancën e pushteteve brenda sistemit parlamentar. Megjithatë, ajo mund të çojë në bllokim politik nëse partitë refuzojnë të bashkëpunojnë.

Në vende të tjera evropiane presidenti zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejtë popullore, si në Francë, Austri, Poloni, Rumani dhe disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Zgjedhja e drejtpërdrejtë i jep presidentit legjitimitet të fortë demokratik dhe u mundëson qytetarëve të zgjidhin ngërçet politike. Megjithatë, kjo metodë mund ta politizojë më shumë presidencën dhe të krijojë tensione midis presidentit dhe qeverisë parlamentare.

Një reformë e mundshme kushtetuese

Kriza aktuale nxjerr në pah kufizimet e sistemit ekzistues kushtetues të Kosovës. Ndërsa synimi ishte të nxitej kompromisi politik, mekanizmi aktual ka krijuar gjithashtu mundësi që aktorët politikë të paralizojnë institucionet përmes bojkotit parlamentar.

Një reformë e mundshme kushtetuese do të ishte futja e një mekanizmi rezervë. Sipas këtij modeli, parlamenti do të vazhdonte të kishte rolin kryesor në zgjedhjen e presidentit. Por nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin pas raundeve të parashikuara të votimit, procesi mund të kalojë në një zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli.

Një zgjidhje e tillë do të ruante karakterin parlamentar të sistemit politik të Kosovës, ndërsa do të siguronte një mënyrë demokratike për të kapërcyer bllokimet politike. Në vend që të shpërndahet parlamenti dhe të përsëriten zgjedhjet, qytetarët vetë do të mund të vendosnin për presidencën, duke forcuar legjitimitetin demokratik dhe stabilitetin institucional.

Çfarë është në lojë

Megjithëse Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe disa vendime të tjera të rëndësishme, përplasja kushtetuese në vazhdim rrezikon të pengojë funksionimin normal të institucioneve dhe të thellojë pasigurinë politike. Nëse nuk arrihet një kompromis ose një zgjidhje ligjore përpara përfundimit të mandatit të Presidentes Osmani më 4 prill, vendi mund të përballet me një vakum institucional.

Ngërçi aktual është më shumë se një përplasje politike ndërmjet institucioneve; ai është një provë për qëndrueshmërinë e arkitekturës kushtetuese të Kosovës. Rregullat për zgjedhjen e presidentit u projektuan për të nxitur kompromisin në një shtet të ri dhe të brishtë pas pavarësisë. Por zhvillimet e vitit 2026 tregojnë se ato mund të mundësojnë gjithashtu bojkot politik dhe paralizë institucionale.

Nëse Kosova dëshiron të shmangë kriza të përsëritura të këtij lloji, një reformë e kujdesshme kushtetuese mund të bëhet e domosdoshme. Ruajtja e karakterit parlamentar të sistemit, duke futur një mekanizëm demokratik mbrojtës — siç do të ishte zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga qytetarët në rast se parlamenti dështon — mund të ofrojë një zgjidhje të balancuar. Në një demokraci të re, institucionet duhet jo vetëm të pasqyrojnë parimet e ndarjes së pushtetit, por edhe të kenë fleksibilitetin e nevojshëm për të parandaluar që mosmarrëveshjet politike të shndërrohen në kriza kushtetuese.

Filed Under: Analiza

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT