• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DELEGACION NGA PRESHEVA DHE BUJANOCI VIZITON NESËR VATRËN

October 16, 2022 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të presë nesër më 17 Tetor 2022 ora 6 PM në Selinë Qëndrore të Vatrës në adresë: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, një delegacion nga Presheva dhe Bujanoci. Në përbërje të delegacionit do të jenë: Z. Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin serb, z. Ragmi Mustafa, ish-kryetar i Komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Nagip Arifi – kryetar i Komunës Bujanoc, z. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ph.D. Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Analiza

Interesat personale para atyre publike

October 16, 2022 by s p

Nail Draga/

Refuzimi i propozimit të presidentit për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e shumicës aktuale  parlamentare, dëshmon qartë defektet e kushtetutës së vendit e cila duhet të ndryshohet, për të qenë në favor të funksionimit të qeverisjës dhe të interesit publik, e jo të interesave personale e të klanëve të ndryshme, duke injoruar qytetarët të cilët aty janë në sajë të votave tyre

Nga miratimi i pluralizmit  në Mal të Zi(1990) në skenën politike  pas tridhjetëvitesh në zgjedhjet parlmentare të mbajtuara me 30 gusht 2020, PDS-i kaloi në opozitë, të cilët e kanë përjetuar si goditje  të rëndë politike. Nga ato zgjedhje u formuan dy qeveri e para e njohur  si e ekspertëve dhe e dyta e pakicës, por nuk paten jetëgjatësi, duke dëshmuar  se  ende nuk janë në nivelin  e duhur për të qeverisur, sepse ka ekzistuar animoziteti personal dhe sidomos dallimet programore e eideologjike  në mes konstituentëve të koalicionit qeverisës. Një veprim i tillë i dha mundësi PDS-ës  të gjallërohet, të cilët për interesat e tyre e mbeshtetën qeverinë e pakicës, duke përjashtuar idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Partitokracia si parim i qeverisjës 

Në ato mjedise ku në rend të parë janë interesat personale apo partiake, mungon qasja parimore për qeverisje, andaj edhe marrëveshjet e arritura janë formale, duke marrë  parasysh se shoqëria malazeze është tipike partitokratike, edhe marrëveshjet për çështjet elementare është vështirë të arrihet konsenzuesi.

Arritja e marrëveshjës nga ana e shumicës se re përkatësisht  të vjetër parlamentare që për kryeminstër të propozohet M.Lekiqi nuk u mbeshtet nga presidenti M.Gjukanoviq, u hapen dilema të cilat nuk kanë qenë të pranishme   deri më tash në relacionin president-parlament.

Shteti si pronë private

Dhe nuk sit ë jetë ndryshe sepse përvoja  e deritashme dëshmon se shumë individë të angazhuar në politikë, sidomos ato në nivel shtetëror, Malin e Zi e trajtojnë si pronë të tyre, madje disa prej tyre politikën e kanë si profesion të vetëm.Një perceptim  i tillë nuk vlenë vetëm për partitë e mëdha por edhe të ata të voglat, sepse një dukuri e tillë  ndodhë të shoqëritë me demokraci të pakonsoliduar, ku është e pranishme autokracia, ku Mali i Zi është rast tipik  në regjion.

Privilegjet nga politika

Jemi dëshmitarë se individë të ndryshëm përmes angazhimit në politikë kanë siguruar privilegje, andaj bëjnë çmos që ata mos ti humbin, me veprime të ndryshme që varësisht prej rastit sillen sikurse akrobatet e cirkut. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse vendi i punës së politikanit në Mal të Zi paguhet mirë, andaj edhe angazhimi në këtë drejtim shpërblehet.Por, të gjithë jemi dëshmitarë se politikanët në vend që të punojnë për interesin publik, në rend të pare kanë  interesin personal.

Duhet të ndryshohet kushtetura

Ndër pengesat e mosfunksionimit të pushtetit aktual në Mal të Zi, paraqet edhe kushtetuta e cila është  miratuar në vitin 2007.Por, nga ajo kohë e deri më tash ka kaluar një kohë e mjaftueshme, duke dëshmuar defekte në funksionimin e pushtetit, në raportin me qeverinë dhe presidentin e vendit. 

Janë pikërisht defektet në kushtetutë që ekzekutivit dhe parlamentit i mundësojnë të veprojnë sipas momentit të përshtatshëm, sepse nuk ekzistojnë pengesa të definura në kushtetutë. Për një veprim të tillë të shumicës aktuale parlamentare nga 30 gushti i vitit 2020 këtë komoditet iu ofron kjo kushtetutë e cila nuk ka pësuar pësuar ndryshime. Por, pse nuk ka pësuar ndryshime përgjegjës është vet presidenti aktual M.Gjukanoviqi, sepse ai me partinë e tij(PDS) e ka hartauar  e miratuar ate, duke mos menduar se një ditë do të jenë në opozitë. 

Pra një veprim i tillë duke menduar se do të jenë në pushtet në mënyrë të përhershme, si duket tash iu ka sjellë kokëçarje atyre dhe qytetarëve të cilët nuk janë mësuar me veprime të tilla destruktive në skenën politike në Mal të Zi.

Në pritje të  shpërndarjës së  parlamentit

Ndryshimet në kushtetutë janë të nevojshme duke i cekur në mënyrë taksative obligimet e presidentit, kryeministrit dhe të parlamentit, se si duhet të veprohet kur qeveria humb votëbesimin, e jo duke kriuar akrobicione politike nga partitë parlamentare, të cilat herë janë pjesë e shumicës e herë të pakicës parlamentare. Në raste të tilla, duhet të definohet se kur qeveria humb votëbesimin, shpërndahet parlamenti dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sikurse veprohet në vendet demokratike evropiane. 

Ndërsa në rastin konkret në Mal të Zi, edhe pse presidenti i vendit ka dhënë propozimin qe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme paralmanetare, ai mund të jetë vetëm propozim, sepse çdo gjë varët nga disponimi dhe interesi i partive parlamentare të cilat përbëjnë shumicën për të miratuar një kërkesë të tillë.Në rastin konkret, propozimi i presidentit u refuzu, sepsë  i munguan votat e mjaftueshme(41) për të realizuar në praktikë një veprim të tillë, andaj çdo gjë do varet nga shumica aktuale parlamentare. 

Por, po të ishte definuar qartë në kushtetutë ingerencat e presidentit në lidhje me këtë çështje ai nuk do të varej nga disponimi dhe interesat e deputetëve të shumicës,të cilët mbrojnë interesat e tyre dhe të subjektëve politike,  por me dekret do të shpërndante parlamentin dhe shpallte zgjedhjet parlamentare, si kudo në botën demokratike.

Kaosi politik në dëm të qytetarëve

Duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është panjohur deri më tash në pluralizëm, skena politike në Mal të Zi ka kohë që është në një kaso politik i cili për momentin nuk ka zgjidhje. Sepse deri sa presidenti i shtetit refuzon të mandatojë për kryeministër M.Lekiqin, nga shumica e re(e vjetër) parlamentare, ndërsa shkarkimet e ndryshme  në institucionet shetërore ditëve të fundit, si rezultat i aferës së korrupcionit të duhanit,  dëshmojnë se nuk kemi stabilitet të qeverisë e cila si e tillë siç duket do të vazhdojë deri në formimin e qeveresiës së re, apo të zgjedhjeve parlamentare. Pasi në ndërkohë do të mbahen  edhe zgedhjet lokale me 23 tetor, në 14 komuna, ku më e rëndësishmja është ajo e Podgoricës, rezultati i zgjedhjeve do të jetë barometër tregues  dhe orientim për ditët në vijim në skenën politike.

Partitë politike si grupe të interesit

Përfundimisht del qartë se  në skenën politike në Mal të Zi  partite politike me tepër iu ngjajnë grupeve të interesit, sepse përmes tyre individë dhe klane të ndryshme janë përfituesit më të mëdhënjë,  që dëshmohet me mos shpërnndarjen e parlamentit dhe mbajtjën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si mundësi reale për daljën nga kriza aktuale në këtë mjedis. 

(Tetor 2022)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

Armët Taktike Bërthamore, Parandalimi i tyre dhe NATO

October 14, 2022 by s p

“Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Rafaela Prifti

Ndërsa Rusisë i rrëshqet nga dora fitorja në fushëbetejë në Ukrainë, mundësia e një konflikti bërthamor, deri tani të paimagjinueshëm, merr përmasa më serioze çdo ditë e më shumë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi, pas takimit të djeshëm të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës veri-atlantike, se “retorika nukleare e Putinit është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme.” Ai tha se NATO ka rritur masat e sigurisë në instalimet strategjike ndërsa po furnizojnë Ukrainën me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, artileri etj. Ekspertët i klasifikojnë armët taktike bërthamore në bazë të karakteristikave të tyre të madhësisë, rrezes së veprimit, efektshmërisë për goditje të objekteve të përzgjedhura ushtarake. Qëkur Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014, ai e artikuloj përdorimin e arsenalit bërthamor në emër të sigurisë së Rusisë në dekretin e lëshuar prej tij. Me agresionin e hapur rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti, referencat për armët bërthamore janë intensifikuar dhe janë një nga temat më të nxehta të ditës.

A duhen kuptuar deklarimet e reja të Putinit si kanosje apo provokim nga ana e tij? A është në interesin e tij të përdorë këtë gjuhë si presion psikologjik parandalues ndaj perëndimit dhe veçanërisht vendeve anëtare të NATO-s?

Rreziku i shfarosjes bërthamore ka arritur pikën më të lartë në gjashtëdhjetë vitet e fundit, tha Presidenti Biden; ndërsa Putini ka kërcënuar se do përdorë gjithë arsenalin e mundshëm për të mbrojtur Rusinë përfshirë rajonet e sapoaneksuara të Ukrainës. Ndonëse Presidenti Biden tha se nuk mendon se Putini do t’i angazhoj armët taktike bërthamore, humbjet ushtarake të forcave ruse dhe tërheqjet nga zonat lindore nën kontrollin e tyre, e rrisin mundësinë dhe rrezikun e përdorimit të këtyre armëve për të shmangur humbjen dhe kapitullimin e Rusisë në Ukrainë. Nëse Putini nuk del dot nga lufta në Ukrainë me diçka që duket si fitore për të, analistët thonë se rreziku i përdorimit të arsenalit bërthamor vjen duke u rritur.

Armët Taktike Bërthamore

Për armët taktike bërthamore, nuk ka një përkufizim të përbashkët ndërkombëtar, dhe as një kriter të vetëm madhësie të pranuar nga të gjithë për t’i kualifikuar si të tilla. Ekspertët ushtarakë thonë se ato janë më të mëdha se bombat konvencionale, kanë forcë radioaktive dhe efekte të tjera veç shpërthimit fillestar detonues. Për dallim nga armët strategjike të cilat kanë si qëllim dobësimin e kapaciteteve luftarake të armikut në rast lufte, përshirë prodhimin, infrastrukturën dhe sistemet e transportit dhe komunikimit, armët bërthamore nuk i takojnë sferës strategjike, thotë Departamenti amerikan i mbrojtjes. Armët taktike kanë si qëllim përmbushjen e synimeve ushtarake më imediate dhe të përcaktuara paraprakisht në rast të një konfrontimi të armatosur. Këto armë u prodhuan në periudhën pas luftës së ftohtë, në vitet 1950, për t’i dhënë epërsi manovruese forcave të armatosura në situata taktike, sipas analistëve të mbrojtjes. Për dallim nga raketat balistike që arrijnë distanca kilometrike, armët taktike bërthamore montohen në bomba apo predha të artilerisë dhe raketa me rreze më të shkurtër. Forca shpërthyese shkon nga një fraksion i një kilotoni në 50 kiloton. Sa për të kuptuar shkallën e fuqisë detonuese, bomba në Hiroshima kishte përafërsisht 15 kilotonë TNT.

Kush i ka këto armë në dispozicion?

Në bazë të raportit të lëshuar nga Komisioni i Kongresit amerikan për hulumtime, Rusia ka 1,000 deri 2,000 koka bërthamore të gatshme në arsenalin e saj për t’u përdorur si armë bërthamore për qëllime jostrategjike. Putini që ka arsenalin më të madh bërthamor ka deklaruar se Amerika ka krijuar preçedencë për përdorimin e tyre kur hodhi bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 230 armë nukleare që nuk klasifikohen si strategjike, përfshirë edhe 100 B61 bomba të montuara në avionë ushtarakë në Evropë. Këtë javë Korea e Veriut ndërmori manovra të njëpasnjëshme raketore. Sipas medias shtetërore, ushtrimet synojnë të simulojnë goditje të stuhishme ndaj Koresë së Jugut me armë taktike bërthamore.

Pas takimit të djeshëm të grupit nuklear të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se armët atomike e ndryshojnë krejtësisht natyrën e konfliktit. “Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” vërejti ai.

Parandalimi Afatgjat dhe NATO

I pyetur nëse do përdoren armët bërthamore në Ukrainë, Presidenti Biden shprehu mendimin se Putini mund të tregohet i përmbajtur por nga ana tjetër tha se përdorimi i armëve të vogla bërthamore mund të dalë jashtë kontrollit. Balanca delikate e forcave që ruajnë ekuilibrin e sigurisë është vënë tashmë në një sprovë që përfshin vende dhe rajone brenda dhe jashtë NATO-s.

Në mars trupat e NATO-s të 17 vendeve kryen ushtrime të përbashkëta në Arktik, pjesë e trajnimit të tyre të rregullt, por këtë vit simulimi ndihej shumë afër realitetit, thanë pjesëmarrësit. Javën e ardhshme vendet aleate do fillojnë manovrat ushtarake të parandalimit afatgjat të emërtuara ‘Pasdite e Pamposhtur’ (Steadfast Noon), tha për mjetet e informimit, Jens Stoltenberg. Në seancën e fundit të mbledhjes së djeshme të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s u diskutua për misionet e aleancës në Ballkanin Perëndimor deri në Irak.

Në seancë mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell. “Në periudha të paparashikueshme, forcimi i kooperimit midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi,” thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp. Për sa i takon dialogut Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga evropianët, aleanca tha se është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe theksoi se KFOR-i nën NATO-n vazhdon të kryejë misionin e tij në Kosovë në përputhje me mandatin e OKB-së.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës z. Armend Mehaj, i cili ndodhet për vizitë në Nju Jork, u takua mbrëmë me Kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, me vatranë dhe përfaqësues të komunitetit në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës. Raportin e takimit e paraqiti kryeredaktori i Diellit Sokol Paja. https://gazetadielli.com/vatra-takoi-ministrin-e…/

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafaela Prifti

SHËMBËLLTYRA E ADEM JASHARIT DHE FAMILJES SË TIJ NË POEZINË E SOTME SHQIPE

October 14, 2022 by s p

Myrvete DRESHAJ-BALIU/

Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëlltyrës së Adem Jasharit dhe Familjes së tij në poezinë e sotme shqipe. Pas luftës së Kosovës janë shkruar shumë tekste letrare, historike, kulturore e madje filozofike mbi paradigmën e heroizmit dhe rënies së Familjes Jashari, në të vërtetë mbi mitin e rënies legjendare të saj për lirinë e Kosovës.

Prej kërkimeve të gjertanishme, me pikësynim heroin Adem Jashari dhe Familjen e tij në poezinë bashkëkohore shqipe, kemi vënë re se për aktin e madhërishëm të tyre janë shkruar shumë krijime poetike nga krijues që jetojnë në hapësirën shqiptare dhe nga ata në diasporë. Kemi vënë re gjithashtu se për Familjen Jashari në përgjithësi dhe Adem Jasharin në veçanti, janë shkruar poezi, poemtha dhe poema epike-historike, këngë dhe poezi lirike, nga krijues me përvoja të ndryshme letrare, të hershme dhe të vonshme, ndërsa emrat më të njohur të cilët kanë artikuluar deri më tash edhe vlera të veçanta letrare e artistike janë: Agim Vinca, Zenun Gjocaj, Adem Zejnullahu, Adem Gashi, Ilir Shaqiri, Bedri Islami, Ajet Shala etj. Përgjithësisht, pjesa më e madhe e krijimeve poetike të gjertanishme me këtë temë bartin në vargje rrëfimin historik dhe artistik të ngjarjeve me figuracion e shprehshmëri të veçantë emocionale dhe mjete të arrira gjuhësore-stilistike. Pavarësisht nga këto vlera, kryevepra në krijimtarinë shqipe për heroizmin e Familjes Jashari në përgjithësi dhe shëmbëlltyrën e Adem Jasharit në veçanti ende nuk është shkruar.

Fjalët kyçe: Familja Jashari, Adem Jashari, poezia, kënga, heroizmi, shpehshmëria artistike.

Hyrje

Akti madhështor i luftës dhe i flijimit të Familjes Jashari, 20 vjet pas, në artet letrare përgjithësisht dhe në artin poetik, prozaik dhe dramatik veçanërisht, kemi pritur që deri më tash të arrijë majatë e realizimit letrar artistik, tradicional dhe modern njëherazi. Si asnjëherë më parë, nga Skënderbeu e këndej kuptimi i simbolit të qëndresës dhe heroizmit, identitetit kombëtar dhe atdheut, nuk merr përmasa të këtilla sa me komandantin legjendar Adem Jashari dhe Familjen e tij.

Po të bëhet një sintezë sado skematike e historisë së letërsisë shqipe, nuk është vështirë të shihet se ajo në të vërtetë është letërsi e periudhave pak a shumë historike, e lëvizjeve kombëtare, e shkrimtarëve dhe e heronjve të saj. Në të vërtetë më shumë se histori e zhvillimeve gjithëpërfshirëse të Ilirisë, letërsia shqipe është biografi e personaliteteve të saj: Teutës dhe mbretërve të tjerë, që në realitet, më shumë se mbretër shfaqen si heronj tragjikë të epokës; periudha e mesjetës, më parë se sa me pamje të tjera u kurorëzua me veprën e Marin Barletit për Skënderbeun; periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila më parë se sa me vlerat e tjera kombëtare të kohës, u kurorëzua me kryeveprat e Jeronim De Radës e Naim Frashërit për Skënderbeun dhe bëmat e tij, shëmbëlltyra e të cilit rishfaqet pandërprershëm gjatë shekullit XIX-XX me një varg veprash artistike, të llojeve dhe gjinive të tjera të realizimeve estetike.

Një zhvillim tipik të kësaj natyre e kanë edhe letërsitë e tjera të popujve të vegjël dhe madje edhe të popujve të mëdhenj, letërsia e popujve fqinjë dhe e popujve më të largët, të cilët vështirë heqin dorë nga shenjat e përveçme, me të cilat ndërtojnë historinë e tyre apo bëjnë kthesat e mëdha historike në jetën dhe zhvillimet e tyre.

Pavarësisht nga shenjat dalluese të popujve me të cilat ata shfaqen në skenën e përbotshme, bardët e kujtesës së tyre – shkrimtarët, krijojnë edhe vepra të veçanta të artit letrar, me të cilat ata identifikojnë periudha të caktuara, të mëdha a të vogla, historike dhe i shpirtëzojnë ato me plot ndjenja dhe përjetime të veçanta.

Autorë dhe poezi përkushtuese

Letërsia shqipe e fillimit të shekullit XXI e ka një shembull brilant në jetën e saj, që të kurorëzojë një a më shumë vepra të saj, dhe madje një a më shumë gjini a lloje të shkrimit, mbështetur në bëmat e pashembullta dhe madje më tragjiket dhe vetëflijueset në historinë njerëzore: heroin sa real aq edhe mitik – Adem Jashari dhe flijimin e Familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Ç’vend zë deri më tash heroi ynë Adem Jashari në këtë raport personalitetesh letrare dhe ngjarjesh historike e artistike të vendit të tij? Cila është fizionomia interesante jetësore dhe heroike e tij në poezinë e sotme shqipe? Cila është rruga e vështirë, por e ndershme deri në flijim dhe cila është odisejada e vërtetë e kësaj rruge të mospajtimit të tij dhe të Familjes së tij me regjimin shtypës, që reflekton dhe do të duhej të reflektonte ende në krijimtarinë letrare artistike? Sa ndikon krijimtaria e deritashme letrare me këtë temë të madhe në vetëdijen e lexuesit, në formimin e tij ideor, etik dhe estetik?

Nuk ka dyshim se Adem Jashari dhe Familja e tij zë vendin më të rëndësishëm në Panteonin e vlerave të atdheut, por a duhet arti ynë letrar t’i bëjë më të gjera këto relacione: ballkanike, evropiane dhe mbarë botërore, sepse lufta dhe flijimi biblik i tij i ka kaluar kaherë kufijtë e atdheut! Mirëpo, që nga rënia e Familjes Jashari, krijimtaria letrare-poetike, qoftë e identifikuar me Adem Jasharin, qoftë me Familjen e tij, përgjithësisht nuk ka munguar, madje disa prej krijimeve poetike gjatë luftës janë kthyer në këngë dhe janë bërë motiv i ushtarëve ndër beteja dhe demonstruesve në sheshe qytetesh. Sot, do theksuar se faqet e internetit janë të mbushura me poezi, kryesisht me vlera modeste të realizimit artistik, kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, nga autorë më pak a më shumë të njohur dhe madje nga nxënës shkollash, të cilat i kanë shkruar në prag të Ditës së Flamurit e Ditëlindjes së Komandantit, si dhe festave të nëntorit e marsit përgjithësisht.

Në referimin tonë, po i identifikojmë disa prej shkrimtarëve, krijimeve të tyre poetike, përjetimeve të brendshme, përfytyrimeve për heroin dhe përgjithësisht vlerave ideore e tematike, si dhe realizimeve artistike e estetike të vargjeve të tyre. Do theksuar se pjesa më e madhe e këtyre krijimeve poetike është identifikuar nga pjesëmarrësit e Konkursit ndërkombëtar letrar kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, të organizuar më 2008 , prandaj në një mënyrë a një tjetër përfaqësojnë përzgjedhjet më të mira të krijimeve të autorëve të tyre, sado që në pikëpamje të peshës artistike, siç do të shprehej studiuesi i kësaj fushe, Agim Vinca, kemi “më shumë vargime sesa poezi” a realizime artistike të llojeve të tjera shkrimore.

Duke parë përgjithësisht krijimtarinë letrare të gjertanishme sipas nivelit artistik, mund të konkludojmë se vepra letrare: romane, novela, tregime, drama dhe poema me karakter antologjik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij ende nuk janë shkruar, ashtu sikur ende nuk janë shkruar vepra të gjinive dhe llojeve të kësaj natyre as për Luftën e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj, prandaj ende nuk mund të priten studime mbi këtë temë, por studime mund të bëhen besoj për poezi më të realizuara dhe më të artikuluara për kah shprehja poetike, si dhe për vlera estetike të filmit, muzikës dhe artit pamor.

Adem Jashari dhe Familja e tij janë ajo pasuri ndjenjore e të gjithë krijuesve që ofrojnë më shumë se një simbolikë. Ai personalisht e tejkalon, madje edhe sakrificën e njohur në mitologjinë e antikitetit për Prometheun. Sakrifica e tij dhe e Familjes së tij përshkon një dimension të panjohur deri më tash madje edhe në mitologjinë dhe historinë e sakrificave të vetëdijshme kolektive, si kusht për të ndryshuar gjendjen e një populli të robëruar. Për shpëtimin e Prometheut (Ademit), nuk mjaftonte vetëm një Kiron , duheshin më shumë, prandaj sakrifica e tij merr dimensione të tjera, më tragjike se ato që i njeh historia dhe madje mitologjia e kujtesës njerëzore: sakrificën kolektive nga gjyshi te nipi, sakrificën e tre brezave, njëkohësisht!

Në trajtimin tonë kishim parasysh kryesisht poezinë dhe poemën e dërguar për Konkursin kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, si dhe poezi të tjera të publikuara nga krijues shqiptarë kudo që jetojnë: Agim Vinca, Adem Zejnullahu, Ragip Gjoshi, Riza Lahu (Tiranë), Bedri Islami (Shkodër), Ilir Shaqiri, Ajet Shala (Zvicër), Namik Selmani (Berat), Hyqmet B.Hasko (Tiranë), Myrteza Mara (Vlorë), Mevlyde Mezini-Saraçi, Flori Bruqi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Nezir Myrta, Rizah Sheqiri (Suedi), Ali R. Berisha, Rrustem Geci (Zvicër), Arif Molliqi, Agim Gashi (Francë), Xhabir H.Alili (SHBA), Etlevë Durmishi (Tiranë), Halil Xani, Shefki Ollomoni (Suedi), Julia Gjika (SHBA) etj.

Parë në tërësinë e tyre nuk është vështirë të shihet synimi i autorëve që në krijimtarinë poetike të artikulojnë një mesazh krenarie kombëtare, në të vërtetë, synimin e tyre për të sjellë një biografi sa më të plotë jetëshkrimore e historike të heroit Adem Jashari; një model pak a shumë epik i njohur më parë kryesisht në poezitë a poemat kushtuar jetës dhe bëmave të Skënderbeut; një synim autorësh që në krijimtarinë e tyre për Adem Jasharin, Familjen e tij dhe kur e kur edhe të bashkëluftëtarëve të tij, të rindërtojnë historinë në njërën anë dhe kategoritë filozofike, etike dhe estetike: të madhërishmen, të bukurën, të mirën, të drejtën, e të shëmtuarën, në anën tjetër; hapësirë kjo tipike e eposit legjendar dhe epeve historike kombëtare për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarët e tij. Pamjes epike dhe natyrës legjendare të jetës individuale të Adem Jasharit dhe Familjes së tij, madje nuk do të mund t’i “shpëtojë” edhe njëri prej studiuesve dhe lirikëve më të përkushtuar në poezinë bashkëkohore shqiptare, studiuesi e poeti Agim Vinca, që në poezinë Fillim i një poeme për Familjen Jashari, veç tjerash, do të shqiptojë edhe këto vargje:

Vdesin në këmbë duke kënduar.

Dhe jetojnë këmbëkryq në këngë.

Po këtë natyrë titulli ka edhe një poemë e shkrimtarit dhe publicistit Bedri Islami, Fillimi i një poeme për Fehmi Lladrovcin, në të cilën është bërë përpjekje për të komunikuar në mënyrë të veçantë me Adem Jasharin dhe Familjen e tij. Është një përpjekje dramatike e dialoguese, një ligjërim personal, për të sjellë imazhet e zhvillimeve të betejave në Kosovë, duke i parë ato të ndërlidhura me rolin e Kryekomandantit Adem Jashari dhe me të gjithë përbërësit e tjerë.

Ndërmjet këngës dhe poezisë

Prej këngës, përkatësisht prej simbolikës së saj, si edhe pararendësit e bashkëkohësit: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Jusuf Grëvalla etj., nuk arrin të dalë, në mos ndjehet pikërisht në vendin e duhur edhe shkrimtari tjetër i një përvoje të theksuar në lirikën shqipe, Adem Zejnullahu, i cili me Adem Jasharin komunikon me ndjeshmërinë dhe frymën e poezisë popullore:

Desha një këngë më të mirën ta dhuroj,

Me gjuhën e zogjve, o luftëtar!

Për Ty, o trim, me zemër të këndoj,

Për lojën e plagën tënde të parë.

Nëse autori i parë Agim Vinca poemën e ka synim të madh letrar, ndërsa i dyti, Bedri Islami, atë e shkruan në një përmasë të saj, autori i tretë Ilir Shaqiri, në poemën e tij me titull identifikues Adem Jashari , sjell një dialog sa në përmasa kohore brenda epokës, aq edhe në kontekst të komunikimit mes brezash të lashtë kohorë. Poema e Ilir Shaqirit ndonëse në strukturën e saj të jashtme shfaqet me të gjitha përmasat e poemave të deritashme në letrat shqipe, në strukturën e saj të brendshme ajo sjell një model tjetër të sistemit poetik: së pari, me përzgjedhjen e temës së madhe të individit (Adem Jasharit) dhe kompleksitetit dramatik të saj (Familjes); së dyti, me ndërhyrjen dhe krijimin e sistemit fragmentar të tekstit, i cili bëhet me qëllim të thyerjes së “dialogut” brenda tekstit; dhe së treti, me gjuhën e pasur të fjalësit, fjalëformimit dhe të shprehjeve poetike autoriale, si dhe përdorimit gjithëpërfshirës të frazeologjisë shqipe, si tërësi elementesh gjuhësore e stilistike brenda saj. Poema Adem Jashari, që në të vërtetë është poemë për gjithë Familjen Jashari, sakrificën e saj dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës, është gjithashtu edhe një dialog sa personal me heroin aq edhe kolektiv me Familjen e tij. Kjo poemë i ngjan një rrëfimi të rrafshët lirik, ku shprehet gjithë respekti dhe krenaria për heroin dhe Familjen e tij, me një strukturë, përkatësisht, teknikë të jashtme dhe të brendshme të veçantë të ndërtimit të saj, ku përshfaqen veçori ideo-emocionale të poetit dhe të stilit të tij narrativ, të cilin e pasuron një fjalor i ri poetik. Përjetimi i thellë autorial dhe intensiv i veprimtarive atdhetare të heroit, sa ndjenjor dhe shpërthyes përballë tij, po aq lirik dhe i butë kur ju ofrohet filizave fëmijë, është një veçori tjetër e kësaj poeme.

Brenda poemës dialogojnë kohë të ndryshme mes rrëfyesit dhe heronjve të tij, ndërthuren fragmente me karakter historiko-epik:

– Dëgjoni, u thoshte: /më 6 maj/ në Kështjellën e Kastriotëve, / u lind Gjergji,/ në ditë Shëngjergji ;

– momente kujtimesh e imazhesh nga e kaluara mes autorit dhe heroit: Të pashë bacë / kur erdhe në ansamblin “Drenica” në prova ;

– situata dhe domethënie simbolike të ndërlidhura ndërmjet heroit dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore, brenda të cilave vargjet vendosen në rrjedha të zhvillimit, si një mozaik tekstesh të artit popullor: Nana-nanan ’djep prej manit / Ti m’i gafsh bir, Zhujë Selmanit;

– të frazeologjisë popullore: Krejt çfarë kishte të shenjtë Shqipëria / kishte rënë mbi supet e tija! ;

– për t’u përmbyllur me rindërtime tekstesh me gjuhë poetike autentike të krijuesit të saj Ilir Shaqiri, në të cilën vend qendror zënë epitetet e krahasimet me ngjyrime elegjiake të vargut: Formë filluese e dashurisë me qiellin! (…) Avull i pamort shekujsh! (…) Liria është shtegtim i siziftë (…); Fusha s’i shihte, mali i fshihte! (…); Balli Yt/ Ag mëngjesesh ;

– dhe më tej me leksikun e pasur shprehjesh e trajtash krejt të veçanta e rralla në fjalësin e gjuhës shqipe: epokëbërës, erërrëfyes, ballëlëruar, përtokazi, përzjarrtazi, qivurtari, burrëlisi, i nëpërmalur, burrëlisi i ylltë, jetëpanisurit etj.

Në të vërtetë, poema shquhet për strukturën e pasur ligjërimore, por më parë se sa për perceptimin estetik, sikur do të thoshte profesor Qosja, për ligjërimin e Naim Frashërit në poemën Istori e Skënderbeut , në ligjërimin e Ilir Shaqirit në poemën Adem Jashari, bashkohen tipi i ligjërimit lirik dhe tipi i ligjërimit vlerësues.

Prej përmbajtjes tematike, historike dhe artistike, si dhe prej përbërësve gjuhësorë, teoriko-letrarë, artistikë e estetikë të kësaj poeme, e cila mund të thuhet se hap mozaikun e trajtimit të shumanshëm të krenarisë kombëtare, sikur dëshiron ta shquajë autori, më shumë se sa tragjikes, të cilën e pret lexuesi, mund të themi se ajo paraqet vetëm boshtin e një poeme historike, në të cilën ka shumë hapësirë edhe për personazhet e tjera të kësaj drame të madhe të Familjes Jashari dhe drame heroike të popullit shqiptar.

Nëse do të kërkonim një vepër artistike në të cilën përmblidhen gjithë përbërësit historikë, zhanrorë dhe artistikë kushtuar Adem Jasharit, kjo është poema e Zenun Gjocajt, Adem Jashari, që përfshinë kapitullin e dytë të veprës epike Krahët e shqipes . Studiuesi dhe shkrimtari Zenun Gjocaj, në veprën e tij Krahët e shqipes, ka synuar të realizojë një projekt të madh antologjik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E gjithë poema është realizuar si një tekst tipik i këngëve legjendare, por që brenda saj janë ndërlidhur me mjaft sukses episode historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar, elemente të mitit e të legjendave, hiperbola nga eposi i kreshnikëve dhe simbole të tjera etnografike. Poema sjell një pasuri shembujsh me vlera leksikore, shprehjesh stilistike e frazeologjike. Ajo është ndarë në episode të veçanta, brenda së cilave sillen situata ekzistenciale sa individuale aq dhe kolektive të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo bëhet hapësirë betejash, sfidash individuale, qëndresash familjare e reagimesh kolektive, deri tek momenti kur Familja Jashari bënë aktin më sublim në historinë e sakrificave të Kosovës: nga gjyshi te mbesa e nipi!

Poema është konceptuar si një dramë, e cila ka aktet dhe pamjet e sistemuara me kujdes, hyrjen, zhvillimin e ngjarjeve mbështetur në pamje të njëpasnjëshme por të ndërlidhura, majën e konfliktit, zgjidhjen dhe përfundimin që kulmon me tragjedinë familjare të Jasharajve. Poema përcjell edhe mesazhin e çlirimit e të bashkimit kombëtar, ndërsa si epilog i të gjitha zhvillimeve historike, sakrificën e Familjes Jashari.

Edhe shkrimtari emigrant Ajet Shala, është njëri prej krijuesve të brezit të ri, i cili ka shkruar disa poezi dhe tekste këngësh për Adem Jasharin, Familjen e tij, vendlindjen e tij – Prekazin, dhe krahinën etnografike Drenicën. Nëse në disa nga ato, si: Në Prekaz flasin kullat!, Kam Drenicën gur kështjelle, 17 shkurt 2008 (Kushtuar Pavarësisë së Kosovës), Këngë (Adem Jasharit) dhe Këngë (Hamzë Jasharit), ka ndërthurë kryesisht vargje rimash e përshkrime situatash sa tragjike aq edhe dramatike, në disa poezi të tjera, si: Zëri i poetit dhe Besa-besë Adem Jashari (akrostik) ka sjellë mjaft lirikë, ritëm të brendshëm dhe një lloj “përmbajtje autoriale”, të cilat i kanë munguar poezisë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij:

E di, edhe kulla ime mund të ishte djegur,

Si e Bacë Ademit,

Cep më cep mund të digjej muri,

Dhe guri i fundit i oxhakut,

Po s’do ma vriste kurrë fjalën,

Mes burrash në një log kuvendi,

E mençurisë në Qiellin e Shtatë,

Do ia vija bajrakun.

Të kësaj natyre janë edhe vargjet e poetit Namik Selmani. Ai, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij, bën përpjekje për ta funksionalizuar semantikisht komunikimin me heroin e tij:

Tek SYTË e tu,

Fluturoj në të gjithë qiejt e shpirtit.

Një lirikë me përmasa të një teksti popullor, me përmbajtje që të kujtojnë poezitë përkushtuese për shumë personalitete heronjsh e krijuesish të panteonit kombëtar, sjell poeti nga Vlora Murteza Mara. Poezia e tij, si edhe ajo e shkrimtares emigrante në Amerikë Julia Gjika, mund të quhen përmbajtje djenjore e shpirtërore e të gjithë atyre që vizitojnë varrezat ku janë vendosur anëtarët e vrarë të Familjes Jashari:

Një lis është pak, një mal po ashtu,

Një pyll i tërë sërish është pak,

Ikin kohët, ti do të mbetesh këtu,

Mbi krahët e lirisë dielluar me gjak.

(…)

Përulja është pak, nderimi është pak,

Për Ju o pishtarët e vërtetë të Arbërisë,

Jasharët do mbeten simbol në bajrak,

Piskamë kushtrimi në krahët e lirisë.

Karakteristikë e të gjitha poezive kushtuar Adem Jasharit është artikulimi për të identifikuar heroin me Familjen dhe sidomos me Drenicën, e për më tej me historinë e saj. Poetët: Flori Bruqi, Mevlyde Mezini Saraçi, Ismet M. Hasani, Zymer Elshani, Riza Sheqiri etj., në poezitë e tyre shpalosin historinë e popullit shqiptar, ashtu si historitë e popujve të tjerë të Ballkanit, sa tragjike dhe krenare njëkohësisht, më shumë se sa dramën e brendshme shpirtërore e emocionale, në situata dhe momente prej më të veçantave historike, të Adem Jasharit dhe të Familjes së tij. Shohin përmasën e shumëfishtë të reflektimit të dyanshëm të historisë së Drenicës në krenarinë dhe tragjiken e tyre familjare. Akti sublim i kësaj drame të madhe nuk është tjetër veç se një përmasë gjigante e kulmit të historisë së vuajtjeve shekullore të kësaj krahine dhe popullit shqiptar, flijim të cilën Adem Jashari e konsideronte si kusht të domosdoshëm për të filluar një lëvizje të re.

Në poezinë shqipe kushtuar Adem Jasharit dhe Familjes së tij, jashtë së cilës kur e kur nuk mbeten as bashkëkohësit e tij, për të mos thënë as Drenica dhe historia e saj, janë karakteristike rindërtimet, përkatësisht mbindërtimet tematike, që nuk janë vetëm rezultat i ndikimit të poezisë bashkëkohore të poetëve më të shquar, si: Dritëro Agollit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut etj., si dhe poetëve të letërsisë botërore, si: Viktor Hygos, Janis Ricosit, Bertol Brehtit, po edhe rindërtimet mbi poezinë popullore. Një poezi, përkatësisht poemth tipik, është përkushtimi i shkrimtarit Ali R. Berisha, Kushtuar Adem Jasharit, në të cilën rindërtohet imazhi i vjetër shqiptar i vajtimit të motrës së Gjergj Elez Alisë, të cilin ai e quan “Varg nga epopeja vajtimore e shekullit të ri”. Një rindërtim të kësaj natyre, për mitin e pavdekësisë së Komandantit Adem Jashari, kanë për motiv edhe krijuesit: Shefki Ollomoni, Rrustem Geci, Arif Molliqi e Halil Xani, qoftë duke rikthyer pasazhe të caktuara mitike a historike, qoftë duke përshtatur a bartur motive tragjike e etnografike nga njëra periudhë në tjetrën, sikur në këto vargje të poetit Shefki Ollomoni:

Në Konakun e Jasharajve,

Shuaj trarin e kulmit që digjet.

Duke ruajtur temën e madhe të flijimit individual dhe familjar të Jasharajve, poezia shqipe si edhe gjinitë e llojet e tjera letrare e estetike, do të ruajnë sintezën e madhe të rënies biblike të Jasharajve, por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët dhe përgjithësisht krijuesit e arteve, të mos sjellin edhe tema dhe motive që lindin e rilindin në pasjetën e Jasharajve. Ne besojmë se përvjetorët e tyre, sidomos Nata e zjarreve do të bëhen drama e madhe kombëtare e kësaj historie krenare, prej së cilës do të vazhdojnë të motivohen për vepra dhe realizime brilante poetë, prozatorë e dramaturgë. Një shembull mjaft i mirë i kësaj natyre është poezia e Etlevë Durmishit, brenda së cilës janë realizuar mjaft vargje tashmë të njohura në letrat shqipe, por të reja për nga motivi:

Mos kërko nga hëna dritën

Zjarri natën do ta ndriçojë

(…)

Mos kërko zjarrin ta shuajnë

Zemrën flakë përbrenda e kanë

(…)

Mos kërko as vetëtimë

Vetëtimë zemrën e kanë

Mos kërko zemërgjerësinë

Zemërgjerë si të parët janë

(…)

Mos kërko burrërinë

Trima e burra si Skënderbeu janë

Mos kërko as dashurinë

Dashurojnë si të parët Adami e Eva

Po e mbyllë vlerësimin e këtij bleni poetik për Adem Jasharin dhe Familjen e tij me një poezi të shkrimtarit, përkthyesit e pilotit nga Shkodra, Riza Lahu, jo edhe rastësisht! Shkrimtarit Riza Lahu, që duke qenë një nga përkthyesit e përkushtuar të dekadave të fundit ka njohur më mirë se shumë shkrimtarë të sotëm tragjedinë e përbotshme dhe lirikën universale, poezinë e tij e ka strukturuar mbi modelin e poezisë epike dhe historike. Duke rikonstruktuar betejën e madhe të Jasharajve, ai njëkohësisht rindërton të gjitha betejat më të njohura të luftëtarëve më të shquar në historinë kombëtare: Ali Pashajt, Azem Galicës, Çerçiz Topullit etj.

(…)

Dem Jashari mjekrosh

Sokëllin majë më majë,

“Rrnoftë Kosova” edhe shtie

si të qe gjallë Ali Pashaj.

(…)

Mjekroshi Dem Jashari

Mbi shpinë malet e Drenicës

Kokën të Ali Pashait

Zemrën të Azem Galicës…

(…)

Dyzet orë flakë qet kalaja.

Flakë qet e këngë këndon:

“Prite, bre Shaban Jasharin”

“Çerçiz Topulli më thonë…”

Karakteristikë e gjithë poezisë së tij del insistimi i poetit për të identifikuar tipare të jashtme dhe karaktere të brendshme të Adem Jasharit, duke e parë betejën e tij si një vazhdim të betejave më të njohura të historisë kombëtare. Ajo fillon si një këngë legjendare, ku sipas ligjësive bisedore të fenomenit fonetik të aferezës përgjithësisht në gegërishte: Adem(i) Jashari bëhet Dem Jashari dhe përfundon me diskursin e këngëve labe “Çerçiz Topulli më thonë…”.

Përfundime

Parë në tërësinë e saj, në poezinë shqipe sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij zënë një vend të nderuar dhe parësor në kontekstin e simboleve të krijuara, por në letërsinë shqipe ende nuk e kemi poezinë përfaqësuese, pa të cilën nuk do të mund të përgatitej Antologjia e poezisë së sotme shqipe. Krijimet e gjertanishme ende nuk i kanë tejkaluar këngët e kompozuara kushtuar Adem Jasharit, si ajo e Ilir Shaqirit, me tekst të Adem Gashit, Serish vjen marsi, apo ndonjë tjetër si kjo, as në kontekst të horizontit të pritjes as në kontekst të shprehësive stilististike, vlerave artistike dhe estetike njëkohësisht. Janë këngët epike dhe lirike për Adem Jasharin ato që këndoheshin nga ushtarët e UÇK-së ashtu siç këndoheshin Epet Oseanike nga ushtarët e Napoleonit në fushë të betejave . Kishim menduar se trajtat ligjërimore të letërsisë shqipe nga eposi dhe këngët mesjetare për Skënderbeun janë tejkaluar me poemat për Skënderbeun nga Naim Frashëri e Jeronim De Rada, por sot mund të themi se këngët për Adem Jasharin dhe sidomos kryekënga e këngëve Serish vjen marsi, mbetet kulmi i krijimeve për Adem Jasharin dhe kujtesën për bëmat e tij.

Koha jonë ndërkaq kërkon jo kryekëngën po kryeveprën letrare dhe artistike për gjithë jetën dhe vdekjen e madhe të tij, pranë etërve dhe pasardhësve të tij, një vdekje biblike, një vdekje shumëdimensionale, fisnike, një vdekje tragjike si në këngë, por që ishte dhe mbeti drama e madhe e kombit tonë: drama të cilën shkrimtarët e shekullit XXI e kanë obligim ta bëjnë realitet artistik dhe estetik.

Le të thuhet ndërkaq se kjo vepër e kërkuar dhe e kurorëzuar me përmasat artistike e estetike që e kanë periudhat e tjera historike dhe letrare, letërsisë sonë i mungon. I mungon madje në të gjitha përmasat e saj letrare, krahasuar me Mesjetën, Rilindjen Kombëtare dhe i mungon madje edhe në përmasa të letërsisë për Luftën e Dytë Botërore, të njohur si letërsi e Luftës Nacional Çlirimtare!

Shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët shqiptarë, ende nuk e kanë ofruar një vepër monumentale për luftën e fundit në Kosovë, sado përmasat tragjike të saj mbeten vetëm prapa përmasës tragjike të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar gjatë Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, prozatorët, poetët dhe dramaturgët, ende nuk e kanë ofruar një vepër përfaqësuese të kësaj epoke, sado heroi tragjik dhe artistik i letërsisë së deridjeshme Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Çerçiz Topulli, Mujo Ulqinaku, Fahri Fazliu e Afrim Zhitija, në kohën tonë ka përmasa më të gjera dhe më universale: tani më nuk është vetëm individi (hero) po e gjithë Familja (e heroizuar), një shembull tipik i munguar edhe ndër popuj të tjerë.

A do të arrijnë shkrimtarët e kohës sonë që këtë përmasë biblike të heroizmit të Adem Jasharit dhe flijimit të Familjes së tij, t’ia dhurojnë Evropës, në ato përmasa që Skënderbeun dhe bëmat e tij ia ka dhuruar Marin Barleti, Jeronim De Rada, Fan Noli, Ismail Kadare e shkrimtarë të tjerë.

Filed Under: Analiza

Natyra Misionare e Kishës- një pemëz e re në Uashington DC

October 12, 2022 by s p

Nga Merita McCormack, MBA*/

“Uria, nuk eshte thjesht uri per nje cope buke, por eshte Uri per Dashuri”.

Natyrisht nene Tereza flet per dashurine e Hyjit per njeriun dhe per sakrificen e Jezusit ne kryq per hir te dashurise ndaj nesh. Ajo fton gjithkend te imitoje Krishtin dhe te shohe Krishtin tek secili. Te jape dashuri te pakushtezuar pa ndalur. Shenjtorja shqiptare e njihte mire Ligjin Natyral dhe predikonte me se shumti me vepra. Sa te bekuar jemi si komb te ndajme gjakun e saj dhe te kemi jetuar ne te njejten kohe me te e le te shpresojme se mund te mesojme dicka nga shembulli i saj heroik. Qenia njerezore eshte krijuar per marrje e dhenie dashurie, dhe ne, kemi vec nje detyre te vogel, t’i themi “PO” dashurise se pakushtezuar te Zotit, qe te shuajme urine tone. Ajo qe cdo kush kerkon ne jete, eshte nje paqe e brendshme dhe kjo vjen vetem kur realizohet “Takimi Personal me Zotin”, kur njeriu degjon, hap zemren per te degjuar e pranuar Fjalen e Zotit , ben vepra qe i sherbejne Atij dhe qe e lumturojne njeriun ne kete jete dhe ne jeten e amshuar. Natyrisht permes jetes sakramentale, sidomos permes Rrefimit dhe Euharistise, njeriu shkon drejt qellimit te krijimit te tij dhe keshtu siguron forcimin e shpirtit, rritjen ne virtyt e drejtimin kah Zoti. Kur njeriu merr dashurine e hirin hyjnor, atehere ai ka se c’fare te jape. Pikerisht eshte kjo dashuri qe manifestohet e shfaqet si dashuri pa kushte, mbeshtetje, sherbim per njeri tjetrin, gjendjeje prane , shoqerim i njeri-tjetrit ne rrugen e jetes me Zotin, zgjatja e nje dore, dhenia e nje gote uji me gjithe zemer, apo nje vizite tek te moshuarit e me radhe, duke kryer keshtu veprat e punet e meshires. Me se pari ne familje e pastaj ne komunitet e me gjere. Gjithcka qe njeriu ben dhe ne e perkufizojme si “te mire” nuk eshte asgje tjeter vecse “tejderdhje” e dashurise se Zotit nga shpirti i mireberesit tek tjetri. Eshte pikerisht kjo dashuri qe jepet e merret pergjate maredhenieve njerezore dhe permes akteve dashamirese ndaj tjetrit, qe kalit vullnetin qe te bejme ate qe duhet bere e jo ate qe ndonjehere ndjejme emocionalisht se duhet bere. Pikerisht kjo dashuri e pakushtezuar, e vullnetshme, per hir te Zotit, trasheguar nder brezat shqiptare, manifestuar fuqishem nga shenjtorja e koheve tona, Nene Tereza, eshte nxitesja kryesore per te krijuar e mirembajtur, pervec jetes personale dhe familjare edhe ate komunitare, me shpresen per t’i sherbyer misionit hyjnor te Kishes, sipas mesimeve te Zotit.

Nevoja per komunitet

Per cdo emigrant qe ka lene vendin, familjen, te afermit e shoqerine, dashuria e bashkeveprimi ne komunitet eshte jetik dhe dyfish i rendesishem. Natyralisht njeriu sillet dhe vepron lirshem ne nje ambjent familjar me te cilin eshte rritur e kur papritur largohet e bie ne nje ambjent te ri e te panjohur, nje komunitet me traditen , gjuhen e kulturen tende, behet si familje e dyte e njeriu gjen, si te thuash, veten aty. Pikerisht kjo nevoje ne rritje , per shkak te levizjeve te njerezve, e mbajtjes gjalle e tradites, kultures, gjuhes dhe me e rendesishmja, gjendja prane njeri tjetrit, mbeshtetja per njeri -tjetrin dhe shoqerimi i gjithkujt qe ne hasim , behen mese te domosdoshme. Kjo ka qene nje nder aresyet qe ne i kemi kerkuar shkelqesise se tij, Ipeshkvit tone, Michael Burbidge, me rekomandimin e kahershem te Dom (Msgr)Lush Gjergjit, te kemi nje qendren tone, ku ne te mblidhemi, te nderojme e t’i falemi Zotit dhe pastaj edhe te gezojme ne shqip , te ndihmojme e te shprehim ate qe na fal Zoti, dashurine pra!

Veprimtaria dhe Historia e Komunitetit

Prej mesit te viteve 2000, ne bashkepunim me kisha apo institucione Amerikane ne Washington DC , ne, nje grup i vogel shqiptaresh kemi organizuar nje sere aktivitete te ndryshme , me karakter kombetar , shoqeror dhe fetar.

Kemi qene te bekuar qe here pas here meshtare, si Dom Lushi e Dom Ndou, Dom Mikel Pllumaj , Dom Fatmir Koliqi, apo meshtare te tjere si ish Nunci I Vatikanit ne Shqiperi, Arqipeshkvi Charles Brown e Ipeshkvi Gjergj Meta, kane udhetuar ne Uashington DC dhe na kane ushqyer shpirterisht dhe intelektualisht. Eshte bere tashme tradite e jona qe ne dite te rendesishme te mundesojme nje meshtar shqip foles , por dhe po nuk kemi, na ndihmojne meshtaret anglisht foles vendas, ne cdo tre mujor ne mbajme mesha per data historike dhe festojme pas tyre per te krijuar e mirembajtur komunitetin dhe per te ruajtur traditen, gjuhen e kulturen shqiptare. Me kujtohet si sot, kur Dom Lushi , erdhi nga Kosova per te deshmuar per jeten dhe shenjterimin e Nene Terezes. Ai mbajti nje leksion ne Biblioteken e Kongresit Amerikan, beri nje vizite ne Departamentin e shtetit Amerikan, u takua me diplomate te Republikes se Kosoves dhe ne fundjave mbajti meshen. Pas Meshes, Enkelejda Balliu Popa , se bashku me anetare te komunitetit shqiptar ne VA, MD e DC, organizoi nje dreke ne kujtim te Nene Terezes me ushqime te bollshme dhe plot argetim me deshiren qe : “ Jo te gjithe mund te bejme gjera te medha, por se bashku mund te bejme gjera te vogla me dashuri te madhe”.

Ne ate takim te ngrohte, nje zonje e tradites Kristiane Shqiptare Orthodokse, Mirela McDonald e pyeti Dom Lushin: “Si mund te kemi ne nje qender tonen, nje kishe ku ne te mblidhemi e te mbajme takime te tilla”. Dom Lushi u pergjegj : “Ju duhet t’i beni nje kerkese/peticion Ipeshkvit…”. dhe me veshtroi mua pak i habitur dhe mua mu duk sikur me tha ” Merita pse nuk e keni bere kete gje..?”

Ky ishte si te thuash momenti qe na nxiti disi me shume te formojme nje komunitet… Por duhej te vinte Eda Zhiti ne Uashington DC, e cila se bashku me Denis Gumen ishin mbeshtetesit kryesore te kesaj iniciative. Por jo vetem ata. Valbona Selimaj, Toni dhe Kreda Boci, Mondi e Liljana Luku, Laura dhe Gjergji Konda, Zef dhe Diana Brozi, Familja Pojani, Pari dhe Tanja Hoxha, e shume te tjere, kane qene ndihmetare, mbeshtetes e nder motivuesit e shtytesit kryesore te afirmimit si komunitet. Keshtu u mblodhem nje dite ne Arlington dhe vendosem se cfare duhet te benim. Me tej, pastaj mbetet historia. Me 13 janar 2018 ishte takimi i pare ne Dioqeze me Drejtoreshen e Zyres se Mbareshtimit Multikulturor dhe me 7 Shkurt 2018 ne u zyrtarizuam si Komunitet brenda Dioqezes. Ate vit ne morem nje dhurate nga Shqiperia prej Ipeshkvit Massafra, relike te martireve tane dhe beme meshen Inauguruese me Arqipeshkvin Brown. Keshtu, pra filloi jeta e ketij komuniteti dhe shpresojme me Hirin e Zotit te vijoje, e ndersa ju festoni 50 vjetorin ne do fillojme te pergatitemi per te festuar pesevjetorin:-) Megjithese Historia e jone eshte disi e re dhe ngadalte, mund te them se eshte e sigurte. Dhe dhashte Zoti qofte jetegjate. A nuk ka thene keshtu dhe Nene Tereza? Familjet qe luten bashke, qendrojne bashke. Dhe nese qendrojne bashke, ata e duan njeri tjetrin me shume. E kjo vlen edhe per familjet e medha te komunitetit tone kudo ku ato ndodhen

Pervec sherbesave festare e takimeve komunitare, ne orgaizojme edhe muajt e nene Terezes, si pjese e puneve te meshires. Pergjate javeve te Shtatorit e te Tetorit, ne si komunitet, per gati nje dekade, ju gjendemi me aq mundesi sa kemi , qendrave te bamiresise se se Nene Terezes ne Uashington. Kjo sjell e ben bashke shqiptare te te gjitha krahinave dhe feve te ndryshme dhe eshte nje bukuri e kenaqesi e vecate te perjetosh keto momente. Ne keto aktvitete shqiptaret marrin pjese familisht. Ne mbledhim ndihma materiale, ushqime dhe ndihma monetare dhe jua cojme ne grup duke sherbyer edhe ushqime e duke ndare kohe e talent me banoret e qendrave te Misioneve te nene Terezes..

Nje aspekt tjeter i veprimtarise sone eshte edhe tregimi i historise se martireve te fese dhe te kombit shqiptar ne pergjithesi. Duke qene se historia e shqiptareve nen regjimin komunist eshte nje histori e dhimbshme por edhe e panjohur, ne ndajme me amerikanet dhe me brezin e ri te te shiptaro amerikaneve fakte dhe histori reale nga cka ndodhi ne Shqiperi duke respektuar e ndare keshtu te verteten e duke edukuar studentet me qellim qe e keqja qe gjeti shqiptaret mos ndodhe ketu. Te gjitha keto aktivitete mbeshteten nga Dioqeza dhe ne jemi te inkurajuar prej meshtareve tane.

Vazhdimesi dhe Risi….

.

Ne vitin 2020 dhe pjeserisht 2021 aktiviteti me prani fizike ka qene i kufizuar disi fizikisht per shkak te semundjes globale dhe ne te gjithe jemi deshmitare te veshtiresive qe hasen ne situata te tilla. Pikerisht kjo situate diktoi dhe menyra te reja per te mbajtur gjalle komunikimin e per ta ndihmuar njeri tjetrin. Ne kete aspekt ne filluam te mbanim takime ne platforma elektronike. Ne kete aspekt famullia juaj dhe famulli te tjera na ka qene prane. Kemi pasur foles , prej famullise suaj Valentin Lumajn, ku kemi mbajtur komunikimin gjalle dhe kemi ndare mesimet e Hyjit e te Kishes, ku dashuria e vertete e pa kushte, ky virtyt qe eshte dicka e brendshme, primare dhe jetesore, eshte manifestuar e shprehur ne forma te ndryshme, sipas nevojes. Ne keto takime kemi folur per rolin e prindrit ne familje, roli i vecante i Atit, roli i Nenes, kemi folur per Gjergj Kastriotin, kemi folur per maredhenien personale me Hyjin, dhe si te ndertojme e mbajme gjalle komunitetin. Prej ketyre takimeve ka dale dhe tashme eshte formuar edhe nje grup artistik, i pavarur, kryesisht me femije, kengetare e valltare qe udhehiqen nga Kreda Boci dhe Anisa Papadhima. Ata interpretojne ne aktivitete te ndryshme komunitare e dioqezane.

Tradita Shqiptare e Harmonise Vazhdon

Dua te shtoj edhe nje fakt tjeter, qe eshte teper i rendesishem. Ne vertet jemi te integruar ne Dioqezen Katolike te Arlingtonit dhe cdo katolik dhe cdo kush perpiqet te jape dashurine qe e ka per detyre ta jape nje besimtar, por ne mblidhemi e ne nuk ndahemi, me te gjitha fete bashke, nje komunitet. Pikerisht natyra misionare e kishes, manifestohet nder shqiptaret me se miri, pasi megjithese nga fe te ndryshme, ne i gjendemi njeri tjetrin e me dashuri per njeri tjetrin. Shpresojme te jemi si nje pasqyre e harmosise shqiptare te mirenjohur dhe shpesh here qeshim, por eshte e vertete kur themi qe perpara se te behej Amerika nje komb(prej disa grupimeve e feve) nen nje Zoti, Kombi Shqiptar ka qene e mbetet i tille, nje Komb, nen nje Zot.

Ju faleminderit dhe gezuar festen. Dom Ndou paci bekimet e Zotit per gjithe cka beni. Zoti e bekofte shpirtin e Dom Prekes e gjithe meshtaret e besimtaret qe kane kaluar ne amshim.

Zoja e bekuar, Nena e Hyjit dhe Nena e gjithe Shqiptareve, Lutu per ne!Amen!

Fund

*Rreth autores:

Merita Bajraktari –McCormack lindi dhe rrit në Korçe. U edukua ne Shqiperi dhe jashte saj. Titullin MBA e ka marre ne Universitetin e Surrey-t, Guildford, Angli. Merita ka punuar ne kapacitete te ndryshme ne fushen e Edukimit te Larte dhe sot sherben si Keshilltare e Studenteve ne nje Universitet privat ne Washington DC. Merita kontribon ne Diasporen shqiptare si anetare e Keshillit te VATRES dhe baskethemeluese e drejtuese e Komunitetit Shqiptar ne Dioqezen e Arlingtonit(VA). Ajo eshte ne formim shpirteror me Urdherin e Domenikaneve per Laiket (Third Order Dominican). Merita është autore e disa librave dhe dhjetra artikujve dhe porsa ka perfunduar doreshkrimin e nje libri mbi Jeten Nën Komunizëm ne Shqiperi ne gjuhen Angleze. Në Pranveren e vitit 2022, Merita , me rekomandim e propozim te VATRES, mori dekoraten “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë per kontributin ndaj kombit shqiptar me rastin e 110 Vjetorit te themelimit te Federates. Merita jeton me bashkeshortin dhe me familjen e saj te zgjeruar ne Washington DC.

Shenim: Ky material u prezantua ne Simpoziumin e mbajtur me rastin e 50 vjetorit te famullise “Zoja Pajtore e Shqiptareve” ne Southfield Michigan, 8 Tetor 2022.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT