• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA E MALËSISË NE SHTETET E BASHKUARA DHE DASHURIA E SAJ PËR ATË TOKË TË BEKUAR

July 18, 2022 by s p

Gjeke Gjonlekaj/New York/

Malësorët shqiptarë  janë shpërngulur nga trojet e tyre qysh në kohërat antike. Pushtimet e perandorive të ndryshme, duke filluar nga ato romake, sllave e otomane e të tjera bënë qe iliro-arbërorët dhe më vonë pasardhësit e tyre shqiptarët të nguliten në toka të huaja ku gëzonin më shumë liri se në atdheun e tyre të robëruar. Shumë nga ato shpërngulje nuk janë shënuar dhe kështu janë humbur gjurmët e tyre pa asnjë shenjë. Nuk është bërë pothuajse asgjë për vendet ku ishin vendosur malësorët pas largimit nga atdheu i tyre. Malësorët shqiptarë kishin zbritur drejtë Epirit e Thesalisë, pjesa tjetër drejtë Italisë, Dalmacisë deri në Lindjen e Mesme dhe në  Egjipt, Arbëreshët katolikë të  Italisë pas  më shumë  se një shekulli ishin asimiluar në shumicë duke u përzierë me popullin italian dhe kështu kishin humbur gjuhën shqipe traditat kombëtare, çfarë nuk ndodhi me arbëreshët ordodoks ngase ata i qëndruan besnik gjuhës arbëreshe, pastaj  historë dhe kulturës kombëtare. Pothuajse të githë autorët e njohur arbëreshë të Italisë ishin të besimit ortodoksë. Ata shkuan atje pothuajse 600 vjet më parë dhe një pjesë e dukshme e tyre flasin arbërisht  sot e kësaj dite duke qënë krenarë për të kaluarën e tyre. Heroi i tyre kombëtar është sot e kësaj dite Gjergj Kastriot Skendërbeu dhe kudo në qytetet arbëreshë mund të vrehen përmendoret dhe lapidaret e heroit tonë kombëtar.   
Natyrisht se edhe malësorët  e Labeacisë dhe më vonë arbërorët e Malësisë kishin braktisur nëpër shekuj trojet e tyre. Para pak më shumë se një shekull disa malësorë ishin vendosur në dy tri vende te Europës dhe në Shtetet e Bashkuar. Ata ishin vendosur atje përkohësisht dhe kjo tregon qëllimin e tyre. Ata ishin kthyer pa fitime të dukshme por pas disa vjetësh ata ishin kthyer në vendlindjet e tyre.
Por një shpërngulje  e madhe më mirë me thënë një ekzod i trishtueshëm i malësorëve filloi në fund të viteve 60′ të shekullit të kaluar dhe vazhdoi deri para disa vjetësh. Ikjet në  shumicë nga fushat dhe malet e Malësisë ishin  fenomene të dhimbshëme ndonjëherë edhe tragjike. Mund të shtrohet pyetja pse emigrimet e  malësorët ishin aq masive? Përgjigjja është shumë e lehtë. Malësorët u larguan kryesish nga varfëria ekonomike që ishte pasojë e politikës diskriminuese fillimisht jugosllave dhe më vonë sërbo-malaze. Malësorët shqiptarë ç’prej Lidhjes Shqiptare të Prizërenit kishin humbur pothuajse  të gjitha të drejtat kombëtare nga regjimet e knjazëve të kralave dhe më vonë të diktatorëve komunistë. Por as demokracia sërbo-malazeze pas viteve 90′ nuk bëri asnjë ndryshim të dukshëm për të mirën e Malësisë. Unë personalisht i kam përjetuar në Malësinë tonë episodet e Mugjenit: “A  do qymyrr zotni”. I kujtojë me dhimbje gratë dhe burrat malësorë që niseshin heret në mëngjez më mirë më thanë para drite për të shitur qymyrrin e tyre në Podgoricë. Këtu fillonte mjerimi dhe vazhdonte në forma të ndryshme. Këto dhe shumë padrejtësi të tjera bënë që malësorët të braktisin një herë e përgjithëmonë vendlindjet e tyre. Makineria politike sërbo-malazeze i kishte vënë në veprim të gjitha mekanizmat politike dhe ekonomike për largimin e shqipëtarëve nga trojet e tyre në Malësi. Kështu ndodhi edhe me viset tjera shqiptare në këtë republikë të vogël jugosllave. Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë kishin qënë shumë shqetësuse për Jugosllavinë e atëhershme. Kjo protestë për të drejta kombëtare u njoftua zyrtarisht nga të gjitha agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.  Bile gazetarët e huaj në një konferencë shtypi e kishin pyetur Josip Broz Titon për demonstratat e Kosovës në Prishtinë. Ky kishte qënë grushti më i madh politikë kundër Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ata kishin frikë se udhëheqësit e këtyre protestave kishin lidhje me Shqipërinë  dhe se këto aktivitete mund të zgjeroheshin përtej Kosovës, sidomos në zonat kufitare me atdheun e tyre mëmë. Largimi pa dhunë ishte përgatitur në zyrat e sigurimit malazezë në bashkëpunim me disa shqiptarë që kishin qënë besnikë të tyre. Ata jetonin në Itali dhe kishin qënë besnikë të Sigurimit  qysh në kohën kur kishin braktisur Shqipërinë diktatoriale dhe ishin pritur mirë gjatë qëndrimit të përkohshëm në Mal të Zi. Në fund të viteve 60′ e deri në vitet e para të vitit 70 malësorët hynin në kampet e refugjatëve të Italisë. Ata gjatë këtyre viteve rrëfenin para autoriteteve italiane se gjoja ishin nga Shqipëria komuniste dhe e kishin braktisur atdheun për gjëndjen e tyre katastrofike në atdhe. Ata i zhduknin pasaportat jugosllave para se të hynin në kampet e refugjatëve. Zyra e Emigracionit Amerikan kishte një qëndrim politikë shumë human dhe të drejtë për emigrantët politikë nga Shqipëria diktatoriale. Qindra e qindra familje malësore imigruan sipas kuotës amerikane te emigracionit.  Kuotë të madhe për hyrjen e qytetarëve të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Trajtimi i mirë i shqiptarëve nga zyrat e larta të emigracionit amerikan kishte filluar në kohën kur John F. Kennedy ishte  President i këtij vendi dhe as administra të tjera nuk kishin ndryshuar qëndrim për çështjen e imigrimit të shqiptarëve në Amerikë, që do të thotë se kombi shqiptare ishte i privilegjuar nga zyrat e larta te emigracionit amerikan. Flitet se kjo ndërhyrje ishte bërë nga Papa Gjoni i  23-të gjatë takimit me President Kennedy në Romë. Emigrantët e vërtetë nga Shqipëria komuniste kishin pritur imigrimin  në Shtetet e Bashkuara ç’prej vitit 1945 e deri në fillim të viteve 60′.Ata bënin një jetë të vështirë në kampet italiane të refugjatëve. Por edhe pasi u mbyllën kampet italiane për refugjatët malësorë, ata gjetën rrugë tjera për të imigruar në Amerikë. Në Romë vepronin zyra private të emigracionit dhe malësorët vendoseshin në qytetet pranë Romës dhe bënin kërkesat e duhura në Konsullatën Amerikane në Romë ose Napoli për te imigruar në këtë vend. Ata jetonin me shpenzimet e veta dhe nuk merrnin asnjë lloj ndihme nga Italia dhe as nga zyrat ndërkombëtare të refugjatëve. Malësorët qendronin në ato qytete ku ishin vendosur 6 muaj ose më shumë derisa merrnin të drejtën për imigrim në Shtetet e Bashkuara. Në atë  kohë zyrat amerikane ishin shumë serioze  që në ato grupe të mos kishte komunistë, fashistë e jo se jo nazistë. Ishte e ndaluar hyrja në Amerikë edhe për kriminel lufte dhe ordinarë. Pak a shumë kërkohej një biografi e mirë familjare dhe shoqërore. Më vonë pas rënjes së diktaturave këto qëndrime kanë ndryshuar,duke lehtësuar kriteret e imigrimit në Amerikë.Përpara se të miratohej imigrimi në Amerikë, zyrat përkatëse kërkonin një  institucion privat siç ishin për shëmbull kishat katolike ose edhe individë të dërgonin një letër garanci private kështu që personi ose familja që emigronte duhesh pritur në aeroport të qytetetit ku do të vendosej. Malësorët bënin garancione për njëri tjetërin dhe ndihëmonin për gjetjen e punëve dhe të banesave ose të shtëpive për banim. Shumica e malësorëve ishin vendosur në Michigan kryesisht në qytetin Detroit. Ishin vendosur atje sepse në Detroit vepronin tri industritë më të mëdha të prodhimit të automjeteve më të ndryshme. Fabrika General Motors, Ford dhe Chrysler kishin vende të hapura dhe shumica e malësorëve filluan punën nëpër ato fabrika që paguanin shumë mirë por punët në ato fabrika gjigante ishin shumë të vështira. Shumica  qëndruan atje derikur dolën në pension. Shumica e malësorëve u vendosën në atë kohë në Michigan, por nuk munguan as në New York dhe në Kaliforni. Emigracioni politikë i Shqipërisë pas Luftës së Dytë  Botërore ishte aktiv për të ndihëmuar malësorët në kërkesat e  tyre emidiate.Ata bënin çmos për t’u gjetur shtëpi dhe punë. Natyrisht se shoqërimi me këtë emigracion kishte rëndësi sespse nga ata mësuam shumë për çështjen kombëtare. Disa nga ata kishin qënë personalitete të larta në institucionet shtetërore të Shqipërisë. Ata kishin qënë të dalluar në fushën politike, ekonomike dhe kulturore. Nga ata mësuam për qytetarinë e Shqipërisë dhe për tokat e robëruara nga sërbo-malazezët dhe grekët . Ata na frymëzonin edhe për lëvizjet e Kosovës për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar. Ata ishin burra dhe gra të arsimuar në universitet evropiane dhe amerikane. Një pjesë e dukshme e mërgatës së Malësisë u bashkua me emigracionin politik shqiptar në festa kombëtare në protesta për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe për gjëndjen fatkeqe të Çamërisë.  Mërgata politike e Shqipërisë ishte shumë aktive në mbrojtjen e Kosovës Këtyre aktiviteteve iu bashkua edhe mergata malësore shumica nga: Hoti,Gruda, Dinosha ,Koja dhe Trieshi.  Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë e tronditën krejt Jugosllavinë dhe pikërisht në Kosovë filloi rrënimi i këtij shteti artificial. Malësorët u bënë edhe më të zedhshëm pas atyre protestave që për shqptarët kishin qënë tepër tragjike. Kosova dhe kryengritja e popullit shqiptar në atë vend ishte ato ditë epiqëndra e lajmeve ndërkombëtare, duke zënë hapësirë të madhe në mediat dhe shtypin amerikan. Në atë kohë politika dhe diplomacia amerikane dhe evropiane ishte përqëndruar në Kosovë dhe në veprimtarinë anti-jugosllave të mërgatës shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Jugosllavia kishte dërguar në Amerikë shqiptarë malësorë për shërbime gjoja diplomatike. Qëllimi i tyre ishte të shuanin aktivitetet e malësorëve në Amerikë. Menjëherë filluan të dërgojnë delegacione të përziera sërbo-malazeze dhe malësore për të përforcuar bashkim-vëllazërimin siç e quanin në atë kohë në Jugosllavi. Kohë pas kohe dërguan edhe grupe folklorike që shkaktuan incidente gjatë koncerteve të ndryshme. Sigurimi jugosllav kishte futur në shoqërinë e Malësisë spiunazhin në qytetete ku jetonin malësorët dhe pas protestave të Kosovës në pranverën e vitit 1981 ata organizuan vendosjen e fotografive dhe portreteve të Josip Broz Tito ne unifromë ushtarake prej marshalli dhe në uniformë civile, portreti i parë ishte për të frikësuar malësorët prej Marshalit Tito dhe portreti i dytë kishte për qëllim që malësorët ta nderojnë si udhëheqësin e tyre të dashur.  Por për të kundërshtuar këtë propagandë disa malësorëve filluan të vendosin në dhomat e tyre të pritjes portretin e Shokut Enver Hoxha. Kështu që pas demonstrata të Kosovës në qytetet amerikane  u themeluan organizata titiste dhe enveriste. Titistët ishin për Jugosllavinë të madhe, ndërsa enveristët ishin për Shqipërinë e fortë . E vërteta që populli shqiptarë vuante nën diktaturën komuniste ata nuk i shqetësonte fare dhe kjo i bënte të papëlqyshëm në shumë mbledhje dhe takime të ndryshme edhe më shumë sepse ata bënin propagandë antifetare. Pavarësisht se disa nga ata ishin edhe arrogantë dhe të pa mëshirë  nuk mund të cilësoheshin si antishqiptarë, Titistët dhe  nacionalistët nuk dërguan asnjë djalë të tyre në luftë për çlirimin e Kosovës. Ndërsa prej grupimeve të majta enveriste nga Shtetet e Bashkuara shkuan pothuajse 100 djemë të ri dhe burra të shtyrë në moshë. Ata nga Shtetet e Bashkuara shkuan në Luftë për Çlirimin e Kosovës. Vlen për të theksuar se midis tyre kishte vullnetarë që kurrë nuk kishin marrë pjesë në këto grupime ngase disa prej tyre kisin lindur në Amerikë ose kishin emigruar këtu në moshë shumë të re. Malësorët e Amerikës dhanë për Kosovën e lirë dhe të pavarur miliona dollarë, duke humbur miliona orë punë për të marrë pjesë në demonstrata anë e përtej Shteteve të Bashkuara. Malësia e Shteteve të Bashkuara dha një tog e gjysme  luftëtarësh që shkuan në luftë për lirinë e “tokës së tyre të premtuar” . 
Fjala diasporë është fjalë hebraike që do të thotë izraelitë por jashtë Izraelit. Këtë fjalë e kan fut në përdorim pothuajse të gjithë popujt e botës dhe siç shihet e kanë përvetësuar edhe shqiptaret. Mund të thuhet diaspora shqiptare, por në rastin e Malësisë mund të thuhet edhe diaspora e Malësisë në Shtetet  e Bashkuara ose diaspora në Evropë ose kudo tjetër. Kjo fjalë është shumë e nderuar në pothuajse të gjitha shoqëritë njerëzore.Diasporat e kombeve të ndryshme gjithëmonë kanë qënë aktive në veprimataritë e ndryshme për të mirën e atdheut ose vendlindjes.  Para një gjysmë shekulli diaspora e Malësisë nuk ishte e pasur dhe nuk kishte kuadro profesioniste siç ka sot. Shumica e malësorëve punonin punë të rënda krahu, pavarësisht këtyre kushteve të vështira një pjesë e madhe e tyre ishin të kujdeshëm për familjet e tyre në Malësi. Deri në vitin 1981 udhëtimet e malësorëve në vendlindje ishin relativisht të qeta pa shumë zhurmë e kërcënime. Por sigurimi jugosllav ishte shumë i rreptë në kontrollin e lidhjeve të tyre me aktivistët e Shqipërisë në Amerikë. Pavarësisht se  një pjesë e madhe kishin imigruar në Amerikë në kuotën e emigracionit të  Shqiprisë, ata menjëhërë e mohuan shtetësinë shqiptare dhe kërkuan pasaportat jugosllave. Shumica ktheheshin në Malësi për dashurinë e familjeve që kishin lënë atje dhe jo për dashurinë e Jugosllavisë. Por çelësin e vajtjes dhe të ardhjes së tyre në vendlindje e kishte në dorë sigurimi jugosllav. Malësorët shumë herë gjëndeshin në pozitën e dy nënave para Gjygjit të Solomonit. S’ka asnjë dyshim se sigurimi jugosllav e keqëtrajtoi dashurinë dhe nostalgjinë e tyre për familje dhe për vendlindje. Aty këtu ndonjë person e sigurimit jugosllavë gjetën pritje miqësore bile për disa javë ose më shumë tek malësorët e dy anëve të kufirit. Ata i ftonin për dasma dhe për zijafete familjare,bile njëri prej atyre autoriteteve të sigurimit jugosllav kishte vajtur me një mik malësorë në ceremoninë mortore të Abaz Kupit. Merre me mend sa thellë ishte futur sigurimi jugosllav në diasporën e Malësisë në Amerikë. Ata që ua kishin hapur rrugën malësorëve për emigruar në Amerikë, ata gjetën më vonë strehim e pritje në shtëpitë e tyre. Varfëria dhe vuajtjet e malësorëve në Malësi sidomos ajo e familjarëve e mundonte shumë diasporën malësore të Amerikës. Kjo periudhë një gjysmëshekullore është koha më e veshtirë dhe më e dhimbshme e Malësië. Gjatë këtyre 5 dekadave u shkretërua vendi. Shumë prindër dhe pleqë mbetën të vetmuar duke u thënë lamtumirë në disa raste edhe përgjithëmonë. Të dashurit e tyre po zhdukeshin dalëngadalë në anën që përëndonte dielli.  Prindët dhe pleqët e lodhur me lotë në sy dhe shumë të deshpëruar shikonin diellin duke pranuar ashtu sic perendonin edhe djemte e vajzat e tyre ku bënin pjesë shumë nipa dhe mesa, dikush prej tyre do të ketë thënë mos o Zot më keq. Disa nga ata vdiqën në Amerikë dhe nuk u kthyen kurrë në vendlindje. Disa të tjerë u kthyën të vdekur në Malësi sipas amanetit që u kishin lënë familjarëve të tyre. Një pjesë e shoqërisë malësore të Michiganit për më shumë se dy dekada ishte shumë e dhunshme kështu që komunitetet tjera sidomos ato ameikane ishin të shqetësuara për sjelljet e tyre aspak qytetëruese. Mediat dhe shtypi amerikan komentonin vazhdimisht për këto ngjarje që shumë herë përfundonin në mënyrë tragjike.Por fatëbardhësisht ato krisma filluan të pushojnë. Malësorët e New Yorkut ishin pak më të qetë dhe për fat nuk ndodhën më shumë se dy tri raste. 
Pas disa dekadash malësorët fillojnë te kuptojnë shoqërinë dhe sistemin amerikan të demokracisë, duke u bërë shtetas amerikan dhe duke mësuar për ditë e më mirë gjuhën, historinë dhe kulturën amerikane. Brezat e parë vuajtën shumë për faktin se nuk e flisnin dhe nuk e shkruanin gjuhën angleze. Prindërit e mesonin gjuhën e ketij vendi edhe nga fëmijët e tyre. Ndërsa pasardhësit e tyre e mësonin gjuhën shqipe nga prindërit. Shumë herë lindin mosamarrëveshje midis prindëreve dhe fëmijëve për shkak të keqëkuptimit të fjalëve. Ata  që kanë lindur këtu dhe ata që janë vendosur këtu në moshë të re e flasin gjuhën angleze njësoj si fëmijët amerikanë. Ndërsa ata që erdhën të rritur kurrë nuk e mësuan mirë këtë gjuhë. Gjeneratat që lindën këtu ose erdhën në moshë të re u shkolluan shumë prej tyre në universitete të njohura amerikane dhe më vonë ata gjetën punë të shkëlqyeshme në qeveritë lokale,shtetërore dhe federale. Shumica nga ata u bënë mjekë, avokatë,inxhinierë, gazetarë, arsimtarë, kontabilist  dhe administratorë nga shkollat e njohura ekonomike. Një pjesë e tyre punojnë në ndërmarrjet më të mëdha të teknologjisë më të re që kanë arritur të bëjnë tregëti edhe në Wall Street. Një pjesë e madhe e malësorëve kanë hapur biznise të veta dhe bëjnë fitime të mëdha por jo të gjithë. Kuadrot e specializuara këtu mund te kontribuojnë në zhvillimin e Malësisë. Ata mund të vijnë atje për një kohë të shkurtër disa edhe më të gjatë, duke treguar përvojën e tyre. Një pjesë e këtyre janë specialist të dalluar në fushat e tyre të veprimtarisë. Edhe profesionistët e Malësisë mund të vijnë për specializime në Amerikë. Këto shkëmbime do të ishin shumë të mira për zhvillimin e trojeve tona.Ata që kanë lindur në Amerikë quhen amerikano-shqiptar, ndërsa ata që kanë lindur në tokat shqiptare zyrtraisht quhen shqiptaro-amerikanë. Emertimi mërgimtarë nuk qëndron më sepse shumica e tyre janë nënshtetas amerikanë dhe kërkojnë të trajtohen si të tillë. Mërgimtarë do të thotë emigrant dhe asnjë prej nesh nuk deshiron të quhet emigrantë sepse janë qytetarë të rregulltë të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumica janë kryelartë për shtetësinë të cilën e kanë pranuar me deshirë dhe pa asnjë dyshim. Është më e drejtë dhe më e arsyeshme që kjo shoqëri të quhet diasporë. Do të ishte shumë e dobishme që marrëdhëniet e diasporës me vendlindjen dhe me instutucionet poitike të Tuzit dhe Malësisë të përforcoheshin, duke dhënë çdokush kontributin moral, financiar ku mund të përfshihen specialistët e lartëpërmendur. Diaspora e Malësisë është shumë e pasur.Llogaritet se kjo diasporë mund të ketë jo më pak se 2 miliardë dollarë që një përqindje e vogël e mund të ndihëmonte rindërtimin e Tuzit dhe Malësisë. Lidhjete Komunës me diasporën do të përforcohen çdo ditë. Gradualisht duhet të bëhen shkëmbime ekonomike sidomos pasi të fillojnë prodhimet e fabrikave të Malësisë. Ato produkte mund të shiten nesër në tregjet amerikane sisdomos në qytetete ku jetojnë malësorët. Do të ishte mirë nëse fillojnë shkëmbimët e ndryshme kulturore. Tuzi dhe Malësia kanë potencial të madhe ekonomik dhe turistik. Malësia jonë ka hise të madhe në Liqenin e Shkodrës që është Liqeni më i madh në Ballkan. Fushat pjellore te Malësië janë shume frytëdhënese. Edhe zonat malore janë pjellore. Lumi Cem dhe bjeshkët e Malësisë janë të shkëlqyeshme për bagëti dhe për verime. Teknologjia e kompjuterëve supër modern është tepër e rëndësishme për lidhjet e diasporës me Tuzin dhe Malësinë. Këto sot janë mrekulli që para sa dekadash nuk mund të paramendoheshin. Diapora e Malësisë është e madhe sipas disa statistikash jo zyrtare diaspora e Tuzit dhe Malësisë është diku rreth 25.000 (njëzetë e pesë mijë) banorë, që përafërsissht është nja 10.000 (dhjetë mijë) banorë më shumë se Tuzi dhe Malësia. Është  shumë sukses ndërtimi i pallateve residenciale në Tuz, kështu që njerëzit e diasporës mund të blejne apartamente moderne, kështu nuk kanë nevojë të shpënzojnë qindra e qindra mijë dllarë për blerjen e tokës dhe ndërtimin e shtëpive në atë vend. Kështu veprojnë popujt e qytetëruar. Në të ardhmen do të vendosen lidhje të mira ajrore midis Podgoricës e New Yorkut mundësisht edhe Detroitit. Lidhje të tilla do të vendosen edhe mes Shkodrës dhe qyteteve të lartëpërmendura amerikane. Zhvillimi i infrastrukturës midis Malësisë, Shqipërisë dhe Kosovës do të japë rezultate të mëdha ekonomike. Malësorët e Amerikës janë shquar edhe në  fushën e artiti dhe kulturës, dhe sporteve, duke zënë vendin e parë në disa konkurse të  bukurisë dhe sporteve të ndryshme pastaj janë shquar  edhe në fushën e kinomatografisë , duke hyrë në disa qarqe artistike deri edhe në Hollywood. Këta mund ta ndimëmojnë zhvillimin e arteve të  ndryshme në Malësi. Lidhjet e ngushta midis Malësië dhe diasporës janë të domosdoshme duke filluar nga ato ekonomike, administrative dhe kulturore. Drejtoria e Komunës së Tuzit për lidhjet me diasporën duhet të fuqizohet për ditë e më shumë, bile do të ishte mirë sikur të themelonte degët e veta në qytete amerikane ku jetojnë malësorët me shumicë. Pritjet dhe respekti  janë shumë të rëndësishme për diasporën. Politizimi i diasporës nuk është aspak i mirë. Kjo është vënë re  në diasporën e Shqipërisë dhe të Kosovës. Zyrat e larta qëndrore malazeze do të ishte mirë të kishin përfaqësues shqiptarë të cilët do të bashkëpunonin me diasporën tonë. Shumica e malësorëve që kanë lindur këtu ose kanë imigruar në moshë të re flasin mirë shqip , por aspak gjuhën malazeze, kështu që është e vështirë, mbase edhe i  pamundur bashkëpunimi me zyrat e larta të atij vendi. Gjuha amtare është e drejte natyrore dhe të drejtat natyrore janë të patjetërsueshme. Shqipëtarët në Malësi nuk është e drejtë të quhen pakicë. Emëri i tyre i vertetë është autokton, ashtu siç janë autokton indian të Amerikës. Ata nuk quhen pakicë në Amerikë.  Ata quhen amerikan vendas . Këto emertime kanë për qëllimin pushtimin e përhershëm të rajoneve shqiptare.Qeveritë e Malitë të Zi duhet të pajisin Kushtetutën e tyre me amandamente shtojcë duke korigjuar gabimet e mëdha ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Autoktonët shqiptarë janë trajtuar keq qysh në kohën kur janë pushtuar nga forcat sërbo-malazeze. Malësorët nuk do t’i harrojnë kurrë masakrat sërbo-malazeze kundër malësorëve në Drume të Hotit, pastaj në Qafë të Previsë dhe në Tivar. Për këto dhe shumë masakra të tjera Mali i Zi duhet t’u kërkojë falje malësorëve dhe shqipëtarëve në Mal të Zi. Ky është shekulli I lirisë së autoktonëve dhe pakicave qofshin ato kombëtare, raciale ose fetare. Poltikat e kaluara kanë bërë eksperimente politike me shqiptarët në Mal të Zi. Në periudhën kur kishin nevojë për ekonominë e tyre ata e kishin bërë udhëtimin e lehtë për në vendlindjet e tyre. Më vonë kur Sllobodan Millosheviqi kërkonte spastrimin e shqiptarëve nga tokat e tyre ata e bënë të vështirë vizitën në vendlindje. Në periudhën kur Mali i Zi bëntë përpjekje për pavarësi diaspora u ftua për të marrë pjesë në votime, bile qeveria e atij vendi pagoi  udhëtimet e tyre në Mal të Zi. Menjehërë pasi e realizuan pavarësinë , hartuan ligje për të vështirësuar të drejtën e votës së diasporës. Ata e zhagitën për 3 dekada të drejtën e malësorëve për të krijuar komunën e tyre të pavarur. Ata harrojnë se diaspora sot është shumë e fuqishme dhe mund të ndërhyjë tek autoritetet më të larta politike amrikane. Kjo u pa gjatë vizitës vitin e kaluar të kryterarit të Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj i cili gjatë asaj vizite u prit me nderime bile edhe për dreka dhe darka me disa  personalitete të larta  politike në New York, në New Jersy dhe në Washington DC. Ishte vizita më e sukseshme politike e nje malësori në Shtetet e Bashkuara. Mali i Zi duhet ta kuptojë një herë e mirë se nuk ka më lojra me malësorët. 
Përparimet e mëdha të Komunës së Tuzit e kanë ndryshuar qëndrimin e diasporës në mbështetje te Malësisë. Pjesa më  e madhe e diasporës në Amerikë është shumë e kënaqur me arrtitjet ekonomike, politike dhe kulturore të Komunës së Tuzit dhe Malësisë. Ata do të vijnë për pushime dhe për argëtime. Sivjet mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha 2022” Malësi e Madhe,pastaj do të përurohet përmendorja e patriotit  të përmendur të Malësisë së Madhe Baca Kurtit dhe me 11 shtator do të perurohet edhe  memoriali i tre martirëve shqitaro-amerikanë që humbën jetën në tragjedinë e 11 shtatorit 2001 në New York. Gjatë kësaj vere në Malësi do të ketë gëzime dhe festime,pastaj logje e konkurse burkurie në Bjeshkën e Koritës. Populli dhe institucionet e Komunës së Tuzit duhet të jenë gati për t’i argëtuar qytetarët e  diasporës, por eddhe ata duhet ta ndihëmojnë financiarisht popullin e Malësisë  dhe Komunën. Sivjet diaspora është përfëshirë në një entuziazëm të pashoq kur është fjala për të ardhmen e Malësisë. 
Tuzi dhe Malësia është një territor relatavisht i madhe dhe shumë i pasur. Shtrirja gjeografike e Malësië na kujton disa treva të Kalifornisë ku në distanca të shkurtëra temperaturat ndryshojnë. Në dekadat e ardhshme Tuzi dhe Malësia mund të arrijnë përparimin e Andorrës, Lihtenshtajnit ose Makaos. Për të arritur këto vende është e domosdoshme qetësia, drejtësia dhe dashuria e malësorëve për trojet e tyre dhe në diasporë. Aty kemi historinë tonë mijavjecare dhe një ditë ky territor do të nderohet për shumë të mira duke filluar tek, besa, burrëria dhe bujaria e permendur e ketyre trevave që kanë ruajtur orgjinalitetin iliro- arbëror më shumë se asnjë krahinë tjetër. Zoti e bekoftë Tuzin e Malësisë dhe diasporën e saj në Amerikë dhe në vendet tjera. Lusim Zotin për lidhje të mira dhe të sinqerta midis Shtetetve të Bashkuara dhe Malësisë dhe popullit shqiptar kudo jeton. Presidenti i famshëm amerikan Abraham Lincoln ka thënë:”Amerika është shpresa e fundit e njerëzimit”. God bless Tuzi & Malësia. God bless United States of America.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjeke Gjonlekaj

MAQEDONIA E VERIUT DHE SHQIPËRIA “SHOHIN” EVROPËN

July 17, 2022 by s p

Nga FRANCESCA BASSO/

Këtë herë jemi. Nuk ka më pengesa për hapjen e bisedimeve për hyrjen në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. E ardhmja e dy Vëndeve në BE është e lidhur e pa Shkupin as Tirana nuk mund të bënte përparime. Dje Parlamenti maqedonas ka miratuar propozimin e çuar përpara nga kryesia e rradhës franceze (ka mbaruar detyrën në fund të qershorit e zëvendësuar nga ajo Çeke), që kishte si synim të kalonte ngërçin në sherrin historik identitar me Bullgarinë. 

Nuk ka qënë e lehtë, deputetët e opozitës konservatore, kundërshtarë të dokumentit, kanë dalë nga salla përpara votimit. Dhe dje ka patur protesta përpara Sobranies me thirrjet “Jo bullgarizimit” dhe “Nuk jemi një protektorat”. Kanë kaluar 18 vite që kur Shkupi ka bërë kërkesën për hyrjen. Vite zotimesh të mëdha e reformash. Në 2018 ka pranuar të ndryshojë emrin në Maqedoni të Veriut, për të shmangur njëjtësinë e emrit me krahinën e Maqedonisë që ndodhet në Greqi, për t’i dhënë fund një  sherri tridhjetëvjeçar me Athinën që kërcënonte veton (për të hapur bisedimet për hyrjen nevojitet njëzëshmëria e Shteteve antarë).

  Pastaj erdhi rradha e Bullgarisë, që ka hequr veton e saj në 24 qershorin e shkuar. Një ditë më parë në Bruksel në një takim të nivelit të lartë ndërmjet drejtuesve të BE e atyre të Ballkanit Perëndimor, kishte nxjerrë në pah zhgënjimin e atyre Vëndeve, që po presin prej vitesh të shikojnë të sendërtuar t’ardhmen e tyre në Bashkim. Kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shpjeguar se ishte “peng” i Sofjes për arsye të politikës së saj të brëndëshme. E disa Vënde të ndryshme kanë qortuar Bullgarinë. Me përjashtim të ndonjë të papriture, të hënën ambasadorët pranë BE do të përshtasin kuadrin e bisedimeve e të martën do të zhvillohen konferencat ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një gjë është e sigurtë, nëse BE nuk ndryshon mënyrën e marrjes së vendimeve, duke tejkaluar njëzëshmërinë, do të mbetet rob i vetove dhe egoizmave kombëtare.

“Corriere della Sera”, 16 korrik 2022   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

BIDEN I RREZIKUAR NGA VETJA

July 17, 2022 by s p

Si t’i lexojmë sondazhet e mbështetjes të demokratëve në rënie për Presidentin ?

Nga Rafael Floqi

Kur një gazetar e pyeti Presidentin Biden për një sondazh të ri që tregonte se shumica e demokratëve nuk duan që ai të kandidojë përsëri në vitin 2024, Biden iu kthye, u largua dhe tha: “Ata duan që unë të kandidoj. Lexoni sondazhet. Lexoji sondazhet, Jack!”

Në lojëra të tilla si golfi, ju fitoni duke shënuar më pak se çdo kundërshtar. Por në fushën e vlerësimit të punës presidenciale, një qasje e tillë është një recetë për trazira politike, ashtu siç e ka gjetur edhe Presidentin Biden gjatë këtyre muajve të fundit. Sondazhet vazhdojnë të tregojnë një rënie në vlerësimin e punës së tij dhe, madje, demokratët, por edhe mediat që e mbështetën si New York Times dhe CNN po bëjnë pyetje për mundësitë e një të ardhmeje politike për të, në mes pakënaqësisë së gjerë me gjendjen aktuale të vendit.

Një javë e vështirë për Biden, para udhëtimit për në Arabinë Saudite dhe cekjes miqësore të grushtit me vrasësin e gazetarit Jemal Kaschoggi. Një turp e konsideroi dikush, aq më tepër që s’rrodhi asnjë pikë naftë. Por sa do të ndikojë te demokratët në zgjedhjet në nëntor kjo situatë?

A ka faktorë kompensues që mund të pengojnë humbjet e demokratëve?

Thonë se lajmet e këqija shpesh vijnë në grupe, dhe ky ishte rasti i Presidentit Biden javën e kaluar: një sondazh i ri i zymtë, një tjetër raport i zymtë inflacioni dhe një pengesë legjislative. Ndërsa udhëtonte nëpër Lindjen e Mesme, fronti i shtëpisë mbeti në zjarr politikisht.

Sondazhi i zymtë erdhi nga New York Times dhe Siena College. Tri pjesët më të këqija ishin: Vlerësimi i miratimit të Bidenit arriti në 33 për qind; vetëm 13 për qind e amerikanëve thonë se vendi po shkon në drejtimin e duhur; dhe 64 për qind e demokratëve thonë se do të preferonin dikë tjetër si kandidatin e partisë në 2024. Nga ana tjetër, ai ishte tre pikë përqindje përpara Donald Trump në një revansh të 2024-ës. Raporti ekonomik tregoi se çmimet u rritën me 9.1 për qind nga viti në vit, një nivel më i lartë në katër dekada. Ishte kujtimi më i fundit se sa kokëfortë ka rezultuar ky inflacion gjoja kalimtar dhe pse ai vazhdon të citohet si çështja kryesore për votuesit, teksa mendojnë për zgjedhjet afatmesme të nëntorit. Çmimet e gazit janë ulur kohët e fundit, por ndoshta jo aq sa për të ndikuar në qëndrimet e votuesve, dhe Biden doli duarthate nga lypja per nafte ndaj atij që e quajti “Pariah “ të Arabisë Sudite, princit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud.

Pengesa legjislative dukej e njohur. Senatori Joe Manchin III (D-W.Va.) vendosi të ndalojë negociatat në vazhdim mbi një version të reduktuar të projektligjit të Biden-it, “Ndërtoni më mirë”. Manchin kundërshtoi dëshirën e presidentit për të shpenzuar para për të luftuar ndryshimet klimatike. Një vit më parë, ajo faturë më e madhe ngeci kur, po, Manchin tha se nuk mund ta mbështeste atë. Demokratët shpresojnë se diçka lidhur në kujdesin shëndetësor, duke përfshirë uljen e kostove të barnave me recetë, mund të kalojë përfundimisht. Çfarëdo që të dalë, nëse mund të ndodhë, mund të mos i lërë përshtypje votuesve aq sa kanë shpresuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Dhe është e lehtë të interpretohet e gjitha kjo si dëshmi e mëtejshme se demokratët po shkojnë drejt një humbje në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Klima politike mbetet më se shqetësuese për partinë në pushtet

Me republikanët që u duhet të marrin vetëm pesë vende për të marrë kontrollin e Dhomës, shumica e demokratëve po pranojnë se do të jenë në pakicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta në Senat duke filluar nga janari. Ajo vjen në pyetjen se sa e madhe mund të jetë kjo shumicë e re republikane. Këtu parashikimet janë më të turbullta. Vetëm vlerësimet e miratimit të Biden sugjerojnë një vit flamurtar për republikanët, dhe disa në GOP janë zgjeruar e shtrirë aq shumë në parashikimet e tyre.

Por sa janë të lidhura apo jo perceptimet e votuesve mbi punën e Bidenit me vendimet që do të marrin disa votues gjatë zgjedhjeve të tyre në nëntor?

Sondazhi i Kolegjit New York Times-Siena këtë javë tregon se vetëm 26 përqind e demokratëve duan që Biden të jetë i përzgjedhuri i tyre në vitin 2024, ndërsa 64 përqind thonë se duan dikë tjetër. Kjo është në përputhje me gjetjet e një sondazhi të ri Harvard-Harris, i cili zbuloi se vetëm 30 përqind e demokratëve do të votonin për Biden në zgjedhjet presidenciale demokratike dhe se 71 përqind e amerikanëve nuk mendojnë se ai duhet të kandidojë për një mandat të dytë.

Por Biden nuk sheh asgjë nga ato. “Ju djema jeni të gjithë njësoj,” u tall Biden me gazetarin. “Ai sondazh tregoi se 92 për qind e demokratëve, nëse do të kandidoja, do të votonin për mua.” Jo, kjo nuk është e vërtetë. Sondazhi i Times-Siena zbuloi se 92 për qind thanë se do të votonin për Biden në një revansh të zgjedhjeve të përgjithshme me Donald Trump. Kjo nuk do të thotë që demokratët duan që ai të jetë kandidati i tyre; do të thotë se ata nuk duan që Trumpin të bëhet sërish president. E këtu ka një diferencë e madhe, nuk është si një kupë plot apo bosh.

Biden po shket në një pjesë të zymtë të historisë

Në fakt, Biden po shket në një pjesë të zymtë të historisë: vlerësimi i tij i miratimit të punës së tij prej 39 përqindësh është tani më i keqi që ka pasur ndonjëherë çdo presidenti i zgjedhur në këtë pikë dhe kohë të presidencës së tij sipas të dhënave historike të regjistrimit të mbështetjes presidenciale, qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Me fjalë të tjera, Biden është ndoshta në gjendje më të keqe se çdo president tjetër i zgjedhur që ballafaqohet në zgjedhjet e para afatmesme, duke përfshirë katër paraardhësit e tij më të fundit, të cilët, ashtu si Bideni, po vepronin në një klimë politike gjithnjë e më të polarizuar.

Pas marrjes së detyrës, presidentët e fundit panë një rënie në vlerësimet e tyre të aprovimit, por që kur numri i Bidenit arriti kulmin në 55 për qind në mars 2021, ata kanë lëvizur vetëm në një kah poshtë. Në një farë mase, vlerësimi i miratimit të Presidentit Barack Obama ndoqi një trajektore të ngjashme, por ai nisi me shifra më të mira se cilido nga katër presidentët e tjerë më të fundit dhe ishte ende shumë më lart se ku është Biden në këtë pikë në kohë të presidencës së tij.

Për krahasim, Presidenti Bill Clinton në fakt u rikthye gati një vit gjatë presidencës së tij përpara se miratimi i tij të binte përsëri në pjesën e fundit të vitit 1994. Edhe vlerësimi i ulët i miratimit të Presidentit Donald Trump u kthye në të 40-tat më të ulëta në 2018, pasi ra në 36 për qind në Dhjetor 2017. Dhe, natyrisht, Presidenti George W. Bush i kryesoi të gjitha kur miratimi i tij u hodh në një nivel rekord prej 88 për qind në 2001 për shkak të një momenti tubimi rreth flamurit menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Por se është kaq i ulët miratimi i punës së Biden?

Si fillim, amerikanët kanë një prespektivë vërtet të zbehtë se si po shkojnë gjërat në SHBA, për shembull, rreth 75 përqind e të anketuarve besojnë se vendi është në rrugën e gabuar sipas mesatares së RealClearPolitics të sondazheve të fundit, ndërsa vetëm 18 për qind thonë se vendi po lëviz drejt drejtimin e duhur. Për të qenë të sigurt, amerikanët kanë mbajtur prej kohësh pikëpamje negative për drejtimin në të cilin po lëviz vendi – mesatarja e RCP nuk ka qenë neto pozitive një herë në 13 vitet e fundit – por ky është niveli më i lartë i pakënaqësisë që nga viti 2011.

Shumë faktorë që po e nxisin këtë ndjenjë të përgjithshme pakënaqësie midis amerikanëve, ku inflacioni është padyshim arsyeja më e madhe. Inflacioni, i cili është në pikën më të lartë qysh nga fillimi i viteve 1980, është renditur vazhdimisht si çështja kryesore për të cilën shqetësohen amerikanët në sondazhin e Ipsos. Në sondazhin më të fundit 62 për qind e amerikanëve thanë se inflacioni ose rritja e çmimeve ishte një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet vendi, duke u renditur shumë më përpara se çdo temë tjetër për të cilën u pyetën.

Veçanërisht, gjithashtu, inflacioni i ka acaruar më tej amerikanët për shkak të performancës së punës së Presidentit Biden sa shumë prej tyre po fajësojnë moshën senilitetin dhe aftësitë e tija fizike dhe mendore për të qeverisur shtetin më të fuqishëm në botë. Për shembull, një sondazh i hershëm i qershorit nga Ipsos/ABC News zbuloi se vetëm 28 për qind e amerikanëve miratuan trajtimin e inflacionit nga Biden; së bashku me trajtimin e tij të çmimeve të karburanteve (27 për qind e miratuar), rezultati i pyetjes për inflacionin u rendit më i ulëti nga çdo çështje për të cilën personat u pyetën në sondazh. Kjo përputhet me atë që ka ndodhur edhe me presidentët e kaluar, gjithashtu, pasi rritjet e dukshme të inflacionit shpesh kanë përkuar me rënie të mprehta në miratimin e punës presidenciale. Kjo është veçanërisht e vërtetë edhe për rritjen e çmimeve të karburanteve, pasi studimet kanë gjetur se rritja e çmimit të benzinës që është e lidhur me miratimin më të ulët presidencial – pasi edhe çmimet e gazit janë rritur gjatë kësaj periudhe të inflacionit të lartë.

Kohët e fundit, lidhja midis perceptimeve ekonomike dhe pozitës presidenciale nuk ka qenë aq e fortë, por shkencëtarët politikë, si : John Sides dhe Robert Griffin zbuluan se rënia e ndjenjës së besimit të konsumatorit është edhe një herë një tregues i dobishëm për të kuptuar miratimin presidencial, pasi shpjegon shumë nga ato gjëra që ne vëmë re duke e parë rënien e mbështetjes për Biden.

Rilidhja midis ekonomisë dhe miratimit presidencial

Është interesante se rilidhja midis ekonomisë dhe miratimit presidencial mund të jetë pjesërisht për shkak të rënies së besimit që demokratët kanë në gjendjen e ekonomisë. Në fakt, edhe pse demokratët janë akoma më të sigurt se republikanët ose të pavarur për ekonominë, ne mund të shohim se opinionet e demokratëve për kushtet ekonomike janë në të vërtetë më keq tani, se në çdo kohë gjatë presidencës së Trumpit, duke përdorur të dhënat e ndjesisë së konsumatorit nga Universiteti i Miçiganit.

Rezultati është se kjo mund të ketë dobësuar besnikërinë edhe demokratëve ndaj Bidenit. Vetëm 69 për qind deri në 76 për qind e demokratëve thanë se e miratojnë Bidenin në sondazhet e Ipsos/Reuters, YouGov/The Economist dhe Morning Consult të kryera në fillim të korrikut. Kjo tingëllon e lartë, por është shumë më e ulët se ajo që gjetën këta anketues për vlerësimin e miratimit të Trump në mesin e republikanëve gjatë së njëjtës periudhë në 2018, kur ai varionte midis 84 për qind dhe 88 për qind. Sigurisht, kushtet ekonomike ishin më të favorshme gjatë presidencës së Trumpit, gjë që mund të ketë ndihmuar që republikanët të qëndrojnë fort të lidhur pas Trumpit, por pavarësisht nga besnikëria e partisë, realiteti është se Biden ka humbur terren midis pothuajse çdo grupi për të cilin kemi shifra, duke vazhduar një tendencë që u vërejt për herë të parë në tetor.

Në atë kohë, afër 35 për qind e të pavarurve miratuan Biden, një shifër që tani është ulur në rreth 30 për qind. Ndërkohë, miratimi i Biden në mesin e amerikanëve zezakë mund të ketë rënë edhe më shumë, duke shkuar nga vitet e larta të 60-ta në rreth 60 për qind; në mes latino-amerikanëve, miratimi i tij ka shkuar nga rreth 50 për qind në vitet e ulëta deri në mes të të 40-ave. Amerikanët e bardhë janë më të prirur nga republikanët, kështu që Biden kishte më pak terren për të humbur me ta në fillim, por megjithatë, numri i tij mes tyre ka rënë nga numra e larta të 30-përqindshit në numrat e mesit.

Një grup tjetër që janë të acaruar me Bidein janë amerikanët më të rinj, veçanërisht duke pasur parasysh se ata ishin grupmosha më e prirur ndaj demokratëve në 2020 (dhe në zgjedhjet më të fundit). Qendra Kërkimore Pew dhe Studimi Kooperativ Zgjedhor sugjerojnë se rreth 60 për qind ose më shumë e votuesve 18 deri në 29 mbështetën Biden në vitin 2020, megjithatë sondazhet e fundit sugjerojnë se miratimi i Biden në atë grup-moshë ka rënë në të 30-at, ose edhe më i ulët në disa sondazhe.

Zhgënjimi i të rinjve tek gjyshi Biden

Pakënaqësia ekonomike sigurisht luan rol në zhgcnjimin që të rinjtë mund të kenë ndaj Bidenit, por raporte të tjera sugjerojnë se një pjesë e këtij zhgënjimi mund të qëndrojë gjithashtu në zemërimin e tyre mbi përparimin e kufizuar të administratës së Bidenit për të shkuar më majtas në çështje si ndryshimi i klimës dhe anulimi i borxhit të studentëve. Duke parë përpara zgjedhjeve afatmesme, se pakënaqësia që ndiejnë të rinjtë ndaj presidentit mund të jetë një problem i vërtetë, pasi mund të zbehë entuziazmin e tyre për të votuar – kjo mund të jetë një e keqe për demokratët, pasi votuesit e rinj tashmë kanë shumë më pak gjasa të dalin në votime në mandatin e mesëm, sesa në zgjedhjet presidenciale.

Siç duket aktualisht, sondazhet sugjerojnë se republikanët në tërësi janë më entuziastë se demokratët për zgjedhjet e ardhshme, megjithëse anketat më të fundit që shtrojnë këtë pyetje, i paraprijnë vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar Roe kundër Wade, vendimi i vitit 1973 që përcakton abortin si një të drejtë kushtetuese. Kjo është një çështje që mund të jetë motivuese për demokratët këtë vjeshtë, dhe në fakt, ne kemi parë tashmë disa lëvizje drejt demokratëve në mesataren e përgjithshme të votimit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky është një ndryshim afatshkurtër apo një ndryshim më afatgjatë në mjedisin zgjedhor, dhe sigurisht dikush që nuk është entuziast mund të votojë ende – një votë jo entuziaste llogaritet njësoj si një votë entuziaste. Nga ana tjetër shumica e votuesve “pay ceck to pay check” janë më të interesuar për inflacionin sesa për abortin.

Raporti mes mbështetjes së Presidentit dhe zgjedhjeve afatmesme

Megjithatë, marrëdhënia historike dhe lidhja midis miratimit presidencial dhe performancës së partisë së presidentit në zgjedhjet afatmesme duhet të trembë demokratët. Në përgjithësi, sa më keq të jetë miratimi i një presidenti, aq më shumë vende ajo parti tenton të humbasë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndaj një pjesë e demokratëve për rizgjedhje kanë preferuar të mos e kenë Presidentin Biden ne fushatat e tyre si mbështetës .

Në fakt tre nga katër presidentët para Bidenit panë se partia e tyre humbi të paktën 40 vende në Dhomë në mes-mandatin e tyre të parë. zgjedhjet. Përjashtim ishte Bush, partia e të cilit fitoi në fakt gjashtë vende në zgjedhjet e vitit 2002, por ai kishte një vlerësim jashtëzakonisht të lartë të aprovimit në kohën e mes-mandatit të tij të parë. Megjithatë, kjo është ende e dukshme, sepse do të thotë se është dashur një lloj anomalie për të parë partinë e presidentit të pësojë më pak humbje – apo edhe të arrijë përfitime – në zgjedhjet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Ne nuk mund ta dimë me siguri se ku do të shkojë miratimi i Biden prej këtu, por shumë nga faktorët që luajnë në vlerësimin e tij të mbështetjes, nuk duket se do të zhduken së shpejti. Dhe kjo mund të jetë një spirancë kryesore që do të rëndojë mbi demokratët këtë vjeshtë.

Biden duket se nuk e kupton pse populli amerikan e zgjodhi atë. Ai nuk e mundi Trumpin sepse votuesit donin më shumë shpenzime, më shumë rregullime, më shumë inflacion dhe kufij të hapur. Ai u zgjodh sepse premtoi t’i jepte fund kaosit dhe ndarjes dhe të bashkonte vendin. Arsyeja që njerëzit nuk e miratojnë atë sot është, sepse ai e braktisi atë premtim dhe u hodh në short me krahun progresist të partisë së tij, gjë që e bindi atë se nëse do të kalonte në axhendën e tyre radikale, ai mund të hynte në histori si një FDR i ri. Në vend të kësaj, ai do të hyjë në histori si një fatkeqësi e pashembullt.

Tani demokratët janë në një pengesë të vetë-bërjes: amerikanët shohin se Biden duket i paaftë për të trajtuar serinë e krizave që kanë sjellë vendimet e tij të këqija dhe arrijnë në përfundimin se ai është i paaftë.

Epo, besoj z. President se më duket që i lexova sondazhet dhe se edhe demokratët kanë një mesazh të qartë për Biden si ajo kënga e vjetër që ma kujtoi ai gazetari me emrin Jack.

Hit the road J….

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi

PROFESOR NEXHAT TURKESHI “USTAI” I HEKURUDHAVE, HIDROCENTRALEVE E VEPRAVE TË MËDHA KOMBËTARE

July 14, 2022 by s p

Ing. Bledi Stefa/

Nexhat Turkeshi ka lindur në Tiranë më 1 Janar 1936. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Në vitin 1952 fillon punën si “Ndihmës Gjeometër” pranë ndërmarrjes “Projekti”. Në vitet 1952-1953 ka punuar për zbatimin e punimeve gjeodezike në hidrocentralin e Ulzës nga ku, rilevimin dhe bazamentin gjeodezik e kishte kryer ekspedita sovjetike. Në këtë objekt ju dha rasti të punoi me një nivel krejtësisht të ri ‘meopta’. Si fillestar në profesion, kur pah instrumentin krejtësisht të ri u gëzua shumë dhe filloi rivelimin. “Ustai”, mjeshtri Karafil Kikino e pyet: A e kontrollove nivelën? Nexhati u pergjigj se nivela ishte krejtësisht e re. Me urdhër u bë kontrolli nga i cili rezultoi një gabim jashtë flagrance, dhe bashkarisht me ustain rektifikuan instrumentin dhe vazhduan punën. Ky qe një mësim për “Ndihmës Gjeometrin” Nexhat Turkeshi të cilin e ka patur parasysh gjatë gjithë jetës së tij.

Në vitin 1956 mbaron maturën në gjimnazin “Qemal Stafa” si dhe fiton të drejtën e studimeve nga ana e Ministrisë së Ndërtimit. Fillon studimet në Institutin Politeknik të Tiranës në Degën e Gjeodezisë dhe më vonë me formimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, vazhdon studimet pranë Katedrës së Gjeodezisë. Së bashku me Shefin e Katedrës Profesorin e nderuar Muharrem Dragovojën, në vitin 1953 kryejnë relacionin e Qytetit të Tiranës (ish-ndërmarrja projekti). Në vitin 1960 mbaron studimet e larta duke u diplomuar si Inxhinier Topo-Gjeodet dhe u emërua në Ministrinë e Ndërtimit. Gjatë kohës së studimeve një pjesë e studentëve të kursit, nën drejtimin e profesorëve; Muharrem Dragovoja, Seit Dyrzi dhe Salih Çene, kryejnë punimet për triangulacionin e tunelit të hidrocentralit të Bistricës me gjatësi 3.9 km. Këto punime edhe mbas studimeve për zbatimin e tunelit, Nexhat Turkeshi punoi nën drejtimin e profesorit të nderuar Seit Dyrzi. Me përfundimin me sukses të punimeve, Seit Dyrzit ju dha çmimi i “Republikës” ndërsa Z. Turkeshi u dekorua me “Urdhërin e Punës”. Në vitin 1960 kur mbaroi studimet, me prishjen e marrëdhënieve me Ish-Bashkimin Sovjetik, specialistët rus u larguan nga vendi ynë. Ky ishte një shans i mirë për grupin e Inxhinierëve të diplomuar në ato vite, pasi ndërtimi i veprave hidroteknike, industriale, bonifikimi etj, do të kryheshin nga këta inxhinier të rinj dhe me pak përvojë. Më pas filluan punimet inxhinierike në vepra industriale si Fabrika e Çimentos në Fushë- Krujë, Superfosfati në Laç, Uzina e Bakrit në Rubik, Azoteci në Fier etj.

Nexhat Turkeshi ka punuar për rilevimet e radio-stacioneve në Cerrik, Fllag si dhe në drejtimin e antenave përkatëse, për një kohë të gjatë. Ka punuar për triangulacionet e qyteteve Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Durrës etj. Në qytetet e reja si Laçi dhe Kukësi ka kryer punimet e rilevimit si dhe në piketimin e objekteve fillestare. Në vitin 1966 ka kryer matjet e para batimetrike për thellimin e kanalit të hyrjes në Portin e Durrësit. Në ato vite, këto punime kryheshin për herë të parë. Në punimet e veprave hidroteknike ka punuar për rilevimet dhe bazamentet gjeodezike në hidrocentralin, Vahu i Dejës, Fierza, Komani si edhe, punimet për projektimin e hidrocentralit të Skavices dhe Poliçanit për të cilët u dekorua me dy urdhëra pune të klasit të parë. Një të klasit të dytë dhe një të klasit të tretë.

Krahas punës, filloi studimet pas-universitare për mbrojtjen e titullit bashkëpunëtor i vjetër shkencor (doktor shkencash) ku mbrojti temen: “Studim mbi zëvedësimin e nivelimit gjeodezik me nivelim trigonometrik”.Në sesione të ndryshme shkencore të zhvilluara në Ministrinë e Ndërtimit ka mbajtur referate të ndryshme ku veçohet referati në konferencën nacionale të hidrocentraleve, të përgatitur në bashkëpunim me As. Prof. Fildan Karapici. Në vitet 1990-1991 për zhvillimin e zonave turistike, ka kryer punimet në Sarandë (Syri i Kaltër) Himarë, Vlorë (Zvërnec) Dhërmi, Lezhë, Llogara, Borsh etj.

Në kuadrin e bashkëpunimit shkencor midis institucioneve, Ministrisë së Mbrojtjes (Institutit Topografik Ushtarak, drejtues projekti Përparim Lika), Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (Katedra e Gjeodezisë me udhëheqës projekti Prof. Muharrem Dragovoja) dhe Ministrisë së Ndërtimit (me udhëheqës Prof. Fildan Karapici), filluan punimet për poligonet gjeodinamik në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Korçë. Sëbashku me koleg të Institutit Topografik Ushtarak, u kryen punimet planimetrike dhe naltimetrike në poligonet gjeodinamik të mësipërm. Me lindjen e problemit të lëvizjes së zonës së poravës në Hidrocentralin e Fierzës, ka kryer punimet për përcaktimin e zhvendosjes horizontale dhe vertikale të kësaj zone. Në vitin 1992 emerohet specialist në Kadastrën Urbane të Bashkisë së Tiranës njëkohësisht Anëtar pranë Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave. Në vitin 1995-1997 ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve ku pati rastin të njihej me probleme të ndryshme të infrastrukturës dhe vlen të theksohet riorganizimi i mirëmbajtjes rrugore dhe sinjalistikës, në bashkëpunim me specialistët danezë.

Në vitin 1997 fillon punë në sektorin privat ku ka punuar si në projektim ashtu edhe në zbatim. Ka projektuar rrugë në disa qytete të Shqipërisë. Gjithashtu ka marr pjesë në zbatimin e punimeve për rikonstuksionin e Doganave Kapshticë dhe Hani i Hotit, Autostradës Tiranë- Durrës, rikonstruksioni i Hekurudhës Shkodër- Hani i Hotit etj.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës pranë Fakultetit të Ndërtimit, Nexhat Turkeshi ka dhënë leksione dhe seminare si dhe ka udhëhequr diploma të ndryshme. Gjithashtu ai ka përfunduar Kursin Pasuniversitar për Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme. Së fundmi nuk lë pa përmendur një numër të madh kolegësh e profesorësh që i kanë dhënë një ndihmë të pa kursyer gjatë karrierës së tij profesionale. Nexhat Turkeshi ka qënë pjesë aktive e shumë seminareve dhe konferencave që grupi profesional me emrin Shoqata e Gjeodetëve të Shqipërisë organizon. Në festimet e 20 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate, ai zgjidhet “Anëtar Nderi” me motivacionin për kontribute të shquara në fushën e Inxhinierise dhe Gjeodezisë.

Filed Under: Analiza

NDËRRON JETË MUZIKOLOGU I TALENTUEM SIRRI XHELADIN RROJI

July 14, 2022 by s p

Sami Repishti, PhD./

Ridgefield, CT.-Ditën e Enjte, 7 korrik 2022, vdiq në Nju Jork figura e dallueme e muzikës në Shqipëri, Sirri Xheladin Rroji, muzikolog i talentuem. Dëshira e fundit e tij ishte të varrosej në trojet shqiptare pranë prindërve dhe të afërmëve të tij, krah gjyshit të tij ish Senatori Halit Rroji dhe prindërit Xheladin dhe Naxhije Rroji.

Sirriu lindi në Shkodër më 30 Nandor 1933, në një familje elitare të qytetit të Shkodrës. Familja Rroji gëzon respektin e shërbimit të kësaj familje për çështjen kombëtare shqiptare.

Patriarku i saj, i ndjeri Halit Rroji, shërbeu për 17 vjet pa ndërpremje si senator dhe deputet I qytetit te Shkodrës, prej vitit 1922- e deri më 7 prill 1939. Ai ka qenë nji figurë qendrore në Shkodër. Përbuzi pushtimin fashist të 1939-ës, dhe për rrjedhojë u internue me familje ne nji fshat te humbun te Italisë. Përkrahës besnik i regjimit monarkist të Mbretit Ahmet Zogu ai bashkë me djalin Xhevdet Rroji, ish krytar komuneje vuejten mizoritë e internimit fashist.

Me ramjen e fashizmit italian, të lodhun nga mosha e keqtrajtimi , u kthyne në Shqiperi dhe vetem mbas nji kohe të shkurte, Patriarku Halit Rroji vdiq i percjellun në varrezë nga nji masë e gjanë e popullit të Shkodrës.

Sirriu kreu studimet fillore dhe te mesme ne Shkodër , prane Liceut At Gjergj Fishta por u përjashtua nga regjimi komunist me motivacionin “për mospërputhje me vlerat e shtetit të ri socialist”. E përfundoi shkollën e mesme me korrespondencë në Tiranë ku jetoi me familjen Pilku me të cilën e lidhte një miqësi e vjetër familjare.

Por atmosfera politike e vendit me fitoren e P.K .Sh. u vështirësue dhe Sirriu bashkë me rininë studenteske shkodrane u ba objekt i survejimit nga ish Sigurimi i Shtetit dhe u kërcenue me burgosje dhe me arrestim. Pas përmbushjes së detyrimit ushtarak, familja Rroji u largue nga Shkodra dhe zuni vend në Tiranë, fillimisht në ish qytetin e nxënësit dhe më pas në një lagje tradicionale tiranase.

Gjatë kësaj kohe Syrriu i cili kishte mësue në ambjentet artistike të Shkodrës instrumentin e klarinetës dhe saksofonit mësoi në mënyrë autodidakte fagotin. Pasi kreu provën e hyrjes, pas ushtrisë u punësua si instrumentist pranë Bandës së Ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu me korrespondencë studimet e nalta në histori e gjeografi pranë Univeristetit te Tiranës.

Ma vonë, me hapjen e Konservatorit të Tiranës (sot Instituti i Lartë i Arteve) ai u diplomue edhe si Dirigjent orkestre ne Konservatorin e Tiranës, nji profesion që ai e ushtroi me shumë pasion. Në këte drejtim ai zhvilloi aktivitet te dendun si Drejtues i Ansemblit të Ushtrisë dhe i Estradës së Ushtarit, si themelues e drejtues artistik i Shkollës Frymore të Ushtrisë, si Dirigjues i Festivalit të 8-të të R.T.Sh. dhe themlues i Bandës frymore të Tiranës. Në këto cilësi, ai fitoi çmimin Eurofanfare (1991) dhe drejtoi në koncertin final 23 fanfara europiane Hymnin e Evropës së Bashkueme.

Ka qene profesor i muzikës për shumë gjenerata muzikantësh shqiptarë dhe themelues i Ansambl-it Artistik “Tirana” me të cilin i dha jehonë nëpër botë kulturës, muzikës, etnografisë dhe valleve shqiptare.

Sirriu bashkë me bashkëshorten doktor Lumira Berati Rroji asht autor i librit “Orkestra Frymore e Tiranës : Nji Jetë mes Emocionesh.” (Botimet Onufri,2018) dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në Festivalet në Vilëfranshë dë Ruergë (Francë). Asht dekorue nga Ministria e Kulturës dhe e Mbrojtjes për kontributin e tij të çmueshëm për muzikën shqiptare.

Sirriu len mbrapa të shoqen, Lumira Berati Rroji, Doktoreshë e Shkencave, nga i biri Grid S. Rroji asistent profesor pranë Graduate of Center of CUNY, nga e bija Xheni Rroji, shefe kabineti e departmentit të teatrit dhe muzikës në Hunter College, nga motra Makbule Kumi dhe shumë miq, kolegë e të afërm.

Sirri Xh. Rroji që u nda nga kjo botë ka qenë kushërini im. Pushoftë në paqe!

Filed Under: Analiza Tagged With: Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT