• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E DJATHTA DHE E MAJTA – VËSHTRIM TEORIK 

July 6, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Edhe e djathta edhe e majta, secila në anën e vet, tubojnë parti dhe lëvizje politike të ngjashme. Të djathtën rëndom e përbëjnë konservatorët, ruajalistët dhe monarkistët (ithtarët e rendit monarkist dhe të pushtetit mbretëror të pakufizuar), pastaj lëvizjet e ndryshme nacionaliste, fashiste, shoviniste dhe lëvizjet e tjera të ngjashme. 

Të djathtën e përbëjnë reformistët (ithtarët e reformave në shoqëri), liberalët, demokratët, socialistët, socialdemokratët etj. 

Në shtetet parlamentare dhe demokratike, pushteti vendoset në zgjedhjet e lira, në të cilat marrin pjesë partitë politike me orientime të ndryshme: që nga e djathta ekstreme, nëpër qendër, deri te e majta ekstreme.  

Si lindën këto nocione të cilat kryesisht shkojnë bashkë, si një çift kundërshtues domethënës. Nocioni e djathta rrjedh nga përvoja politike franceze e fillimit të shekullit XIX. Në periudhën e restaurimit (1814-1830), pas rënies përfundimtare të Napoleonit I (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), perandor më 1804-1814 dhe më 1815 – forcat politike në Francë ashpërsisht ishin të ndara në liberalë, në një anë dhe në konservatorë e monarkistë, në anën tjetër. Në sallën e kuvendit, liberalët uleshin në anën e majtë të karriges së kryetarit (nga perspektiva e kryesuesit), ndërsa konservatorët dhe monarkistët, në të djathtë të tij. Në bazë të kësaj, të parët u quajtën e majta, ndërsa të dytët, e djathta. Me kalimin e kohës, këto nocione u përdorën edhe për të gjitha forcat politike të tjera me orientim të njëjtë. Sot, në shtetet parlamentare ekzistojnë e djathta dhe e majta, pavarësisht nga fakti nëse në sallën e kuvendit, deputetët e tyre ulen në anën e djathtë apo në anën e majtë. 

Pjesëtarët e të djathtës quhen djathtistë, ndërsa të së majtës – majtistë. Këto nocione ekzistojnë në shumë gjuhë: Në gjuhën angleze, djathtist: rightist; në frëngjisht: homme de droite, në gjermanisht: Rechtsstehenden. Në gjuhën angleze, majtist: leftist; frëngjisht: homme de gauche; në gjermanisht: Linksstehenden. Djathtistë dhe majtistë ka në tërë botën.

Prej fjalës e djathta rrjedhin edhe fjalët djathtizëm, djathtist, djathtiste. Prej fjalës e majta rrjedhin fjalët majtist, majtizëm, majtiste.       

E DJATHTA POLITIKE

E djathta politike është një sintagmë me të cilën në jetën politike të përtashme shënohen kryesisht rrymat konservatore brenda spektrit politik.    

E djathta politike niset nga dallimet e individëve, kështu që mbështet ose e pranon hierarkinë shoqërore. Rrjedhimisht konsideron se pabarazia rezulton si e pashmangshme, e natyrshme, normale dhe e dëshirueshme. Dallohen qëndrime:

– të së djathtës klasike e cila i konsideron të arsyeshme dallimet midis njerëzve në bazë të trashëgimisë dhe të traditës familjare; dhe

– të së djathtës liberale sipas së cilës pabarazia është e arsyeshme po qe se është rezultat i garës së ndershme në treg.

Blloku i djathtë i partive politike përfshin një paletë të gjerë në të cilën bëjnë pjesë: partitë monarkiste, aristokrate, teokratike, reaksionare dhe kundërrevolucionare. E djathta ekstreme përfshin edhe fashizmin apo nacional-socializmin, përkatësisht nazizmin. Mirëpo, në ideologjinë e fashizmit ka elemente të së majtës dhe të së djathtës.  

Në kohën moderne, të djathtës politike i përkasin edhe partitë të cilat mbështesin tregun e lirë apo ekonominë e tregut. 

Historia e nocionit – Në zhargonin politik, antipod i së djathtës politike është e majta politike. Në fillim, nocioni e djathta politike kishte të bënte me pozitën e ulëseve në parlament gjatë monarkisë së korrikut në Francë, pas revolucionit të korrikut të vitit 1830.    

Përpos të majtës politike dhe të djathtës politike, dallojmë edhe politikën e qendrës dhe qendrën e djathtë.

*   *   *

E DJATHTA

Krahu i djathtë, e djathta politike apo e djathta – është nocion politik që ka të bëjë me orientimin i majtë – i djathtë. Me fjalë të tjera, e djathta është orientim që është e kundërta e së majtës. Ekziston një numër i madh përkufizimesh. Me të njëjtën fjalë në politikë mund të emërtohen shumë gjëra. Megjithëkëtë, kryesisht përdoret për sqarimin e segmenteve të sektorit politik të cilat shpeshherë njëjtësohen me shkallë të caktuar të konservatorizmit, me konservatorizmin amerikan, me monarkizmin, me fashizmin, me liberalizmin djathtist, me anarko-kapitalizmin, me paleo-liberalizmin, me neoliberalizmin, me reakcionizmin, me tradicionalizmin, me ruajalizmin, me të djathtën religjioze, me nacionalizmin, me militarizmin, me producerizmin, me nativizmin, me realizmin.

Nocioni lindi në kohën e Revolucionit francez, kur liberalët e rendit të tretë të qytetarëve uleshin në anën e majtë të kolltukut të kryetarit, shprehi kjo që kishte filluar në vitin 1789. Anëtarët e rendit të dytë, bujaria apo fisnikët, uleshin në të djathtë. Në kuvendet legjislative të mëvonshme, monarkistët të cilët e mbështetnin regjimin e vjetër u quajtën djathtistë për arsye se uleshin në anën e djathtë.

Edhe sot është traditë në Kuvendin Popullor të Francës që deputetët të ulen në të majtë dhe në të djathtë të kryetarit, sipas orientimit politik të tyre.

Kur prejardhja e këtij termi u zbeh, domethënia e tij ndryshoi, duke shënuar orientimin e dikujt sipas ideve, qëndrimeve dhe pikëpamjeve. Sot ky term pothuajse gjithmonë nënkupton forma të caktuara të konservatorizmit.

Ka të tillë që thonë se e djathta politike i përfshin ato forma të liberalizmit që e mbështesin tregun e lirë më shumë se barazinë e pasurisë. Por ka edhe të tillë që thonë se kanë spektër politik dydimensional që i përshkruan më mirë pikëpamjet e tyre. 

Shumë anarkistë, duke përfshirë edhe liberal-socialistët, po ashtu nuk parapëlqejnë t’i paraqesin pikëpamjet e veta, me spektër politik klasik.  

*   *   *

QENDRA E DJATHTË

Qendra e djathtë në politikë dhe në teorinë politike shënon ideologjitë, lëvizjet dhe partitë të cilat për nga përcaktimet themelore të tyre i përkasin të djathtës, por për nga mënyra e realizimit të atyre qëllimeve apo pjesërisht edhe të programeve të tyre, i takojnë qendrës. Në platformat e veta kanë shumë përmbajtje të majta, ndaj nuk mund të konsiderohen të djathtë.

Partitë apo opsionet politike që konsiderohen qendër e djathtë shpesh synojnë të gjejnë kompromis midis ideologjisë konservatore dhe asaj liberale. Janë të rralla përpjekjet që nëpërmjet qendrës së djathtë të pajtohen konservatorizmi dhe socializmi, për arsye se socialistët më së shpeshti lidhen me qendrën e majtë. Në anën tjetër, në shumë shtete, e sidomos në Evropë, opsionet e qendrës së djathtë më së shpeshti lidhen me partitë demokratike krishtere. 

Nocioni i qendrës së djathtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar qeverinë e koalicionit të përbërë prej partive të së djathtës dhe të qendrës.           

*   *   *

E MAJTA POLITIKE  

E majta është nocion i përgjithshëm me të cilin shënohen lëvizjet politike, partitë politike dhe idetë politike që i përkasin spektrit politik të së majtës. 

Qëllimet e përgjithshme të së majtës rëndom janë barazia shoqërore, egalitarizmi (barazimtarizmi), të drejtat e punëtorëve dhe demokratizimi, me theks të shpeshtë kundër hierarkive jovolontere. Në mënyrë tipike mbështet kujdesin për grupet e shtypura përballë të tjerëve në shoqëri, nëpërmjet zbutjes dhe zgjidhjes së pabarazive të padrejta. 

Termat e majta dhe e djathta lindin gjatë Revolucionit francez (1789-1799) dhe kanë të bëjnë me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e shtresave të përgjithshme. Ata që ishin ulur në anën e majtë, republikanët, i kundërviheshin monarkisë dhe mbështetnin revolucionin, duke përfshirë edhe formimin e republikës, ndërsa të ulurit në anën e djathtë, mbështetnin institucionet tradicionale të Ancien Régime (Regjimit të vjetër).

Termi e majta përdoret për shumë lëvizje, sidomos për ato të cilat gjatë Revolucionit francez ishin për republikë; për pranverat e popujve, për socializëm, që përfshin anarkizmin, marksizmin, socialdemokracinë dhe shumë teori të tjera të shekullit XIX dhe XX. 

Që atëherë, e majta përfshin një spektër të gjerë lëvizjesh dhe idesh, përfshi edhe lëvizjet për të drejta qytetare, lëvizjet feministë, manifestimet kundër luftës dhe environmentalizmin dhe një sërë partish politike. 

Ekonomisti amerikan, profesor në University of Wisconsin-La Crosse, ShBA, Beri Klerk (Barry Clark) thotë: “Të majtët konsiderojnë se zhvillimi njerëzor përparon kur individët përfshihen në marrëdhënie kooperative, të dakorduara ndër vete që gufojnë vetëm kur eliminohen dallimet e mëdha në statusin social, në forcë dhe në pasuri”.

Karakteristikat e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re për zvogëlimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi ekonomik:

– Në rrafshin e ndërmarrjeve kjo do të thotë zhvillim të mekanizmave të demokracisë në vendin e punës;

– Në rrafshin e ekonomisë kjo do të thotë zhvillim të bashkërendimit shoqëror dhe demokratik, në vend të prodhimit të verbët tregu;

– Në rrafshin e institucioneve shtetërore kjo do të thotë përhapjen e llojit përfaqësues të demokracisë me mekanizma të demokracisë së drejtpërdrejtë (p. sh. llogaritja e participimit, shkarkimi i përfaqësuesve dhe i krye-bashkiakëve, etj.);  

 – Në rrafshin shoqëror kjo do të thotë luftë kundër çdo forme të nënshtrimit dhe të shfrytëzimit, sidomos luftë kundër diskriminimit mbi baza racore, gjinie, orientimi seksual, përcaktimi kombëtar dhe etnik, pikëpamjesh mbi botën, hendikepi, përkatësie bashkësisë minoritare etj.;

– Lidhur me mjedisin kjo do të thotë harmonizimin e ekonomisë në përputhje me aftësitë mbartëse dhe ripërtëritëse të mjedisit, duke vënien në përdorim të teknologjive ekologjikisht të pranueshme. 

*   *   *

Ithtarët e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re angazhohen për internacionalizëm, për zvogëlimin dhe kapërcimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi botëror, kështu që lidhen me lëvizjet dhe me partitë përparimtare të mbarë botës. Lufta përfshin lëvizjen antikapitaliste botërore, të përbërë nga lëvizje të ndryshme punëtore dhe sindikale, nga lëvizjet për të drejta dhe liri të njeriut dhe të pakicave, nga partitë, organizatat dhe individët majtistë bashkëkohorë.

Lëvizjet përparimtare rëndom organizohen në dy mënyra. Organizohen si parti të cilat dëshirojnë të fitojnë pushtet politik demokratik dhe të veprojnë si pushtet kundër sistemit, por edhe si lëvizje që luftojnë për tejkalimin e sistemit pa pasur dëshirë për të marrë pushtet politik. 

Që të dyja strategjitë janë të rëndësishme: Ata që veprojnë prej poshtë dhe i tejkalojnë marrëdhëniet shoqërore të deritashme dhe ata të cilët në hapësirën politike formale, i ndërrojnë politikat nga lartë. 

Termi e majta bashkëkohore, e majta e re ose e majta demokratike përdoret edhe si sinonim për lëvizjet, për organizatat dhe për partitë socialiste që e kundërshtojnë autoritarizmin dhe neomarksizmin, ndaj cilësori “demokratik-e” përdoret për t’i dalluar majtistët demokratikë nga bolshevizmi i shekullit XX dhe nga modeli marksist-leninist i ndërtimit të socializmit, që konsiderohet jodemokratik dhe autoritar dhe shtrembërim i idesë fisnike të drejtësisë sociale. 

Karakteristikat parimore të së majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re janë: për demokraci dhe kundër autoritarizmit; kapitalizmit dhe militarizmit; për shekullarizëm dhe kundër klerikalizmit; për internacionalizëm  dhe kundër nacionalizmit.                       

*   *   *

QENDRA E MAJTË 

Qendra e majtë, qendra-e majta apo e majta e moderuar, në teorinë politike është emërtim për pozicionin në spektrin politik. Shënon idetë politike, partitë politike dhe lëvizjet politike të cilat për nga përcaktimet programore themelore të tyre i përkasin të majtës politike, por në platformat praktike të tyre kanë mjaft përmbajtje kompromisi gjë që i afron me   politikën e qendrës. Për këtë arsye nuk mund të quhen e majtë politike në kuptimin klasik. Partitë dhe organizatat politike të cilat konsiderohen qendër e majtë, në programet e veta  më së shpeshtë synojnë të gjejnë kompromis midis përmbajtjeve pragmatike dhe me përgjegjësi sociale. Prej tyre, më të njohura janë partitë, organizatat dhe lëvizjet me orientim socialdemokrat, të cilat më së shpeshti quhen qendër e majtë. Nocioni i qendrës së majtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar koalicionet e përbëra prej partive të së majtës dhe të qendrës. 

Në spektrin politik, qendra e majtë paraqet të majtën të kthyer kah pragmatizmi politik. Politika pragmatike e qendrës së majtë fokusohet vetëm në programin minimal me të cilin në kuadër të institucioneve të demokracisë përfaqësuese, parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut synon të zbatojë ndryshim të pjesshëm nëpërmjet rolit ekonomik aktiv të sektorit publik, të institucioneve dhe të shërbimeve publike të cilat do të duhej të punon për zbutjen e padrejtësive që i shkakton modeli liberal, i parregulluar i kapitalizmit. Realizimi praktik i një ndryshimi të tillë të pjesshëm në kuadër të institucioneve të demokracisë parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut, rëndom quhet shtet me përgjegjësi sociale apo shtet i mirëqenies. Në lëvizjen majtiste bashkëkohore, qendra e majtë konsiderohet rrymë e moderuar. 

Karakteristikat e qendrës së majtë: 

– Realizimi, respektimi, mbrojtja dhe përparimi i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut, pa diskriminim mbi çfarëdo baze qoftë, siç janë: raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja shoqërore, prejardhja kombëtare, përkatësia etnike, lidhja me popullin pakicë apo me bashkësinë pakicë, gjuha, përkatësia apo bindja fetare, mendimi politik apo ndonjë mendim tjetër – ndryshe, anëtarësimi në organizatë politike, sindikale apo në ndonjë organizatë tjetër, gjinia, identiteti i lindjes, orientimi seksual, karakteristikat gjinore, statusi martesor apo familjar, lindja, mosha, statusi shoqëror, gjendja pasurore, karakteristikat gjenetike, gjendja shëndetësore, invaliditeti apo ndonjë cilësi personale tjetër;

– realizimi dhe zhvillimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit dhe i përgjegjësisë sociale;

– zhvillimi i të drejtave dhe i lirive të personave, të grupeve dhe të shtresave të lënë pas dore dhe të shkelur;

– zhvillimi i të drejtave të njeriut për punë, për organizim sindikal, për mbrojtje shëndetësore, për arsimim dhe për mbrojtje sociale; 

– zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, kundrejt zhvillimit të barabartë të zonave urbane dhe rurale; 

– afirmimi i barazisë së lindjes; 

– zhvillimi i shoqërisë pluraliste dhe solidare që e përparon cilësinë e jetës për punëtoret dhe për punëtorët, për shtresat e rrezikuara dhe për mbarë shoqërinë; 

– përshpejtimi i përparimit shoqëror dhe teknologjiko-shkencor;  

– afirmimi i parimeve të shekullarizmit;

– përparimi i zhvillit vendor dhe rajonal të baraspeshuar;

– mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, e mjedisit të jetesës dhe e kafshëve;

– promovimi i mënyrës paqësore dhe diplomatike të zgjidhjes së kontesteve dhe tëkonflikteve;

– shfrytëzimi i formave joviolente demokratike dhe parlamentare apo jashtëparlamentare të veprimit dhe kundërshtimi i të gjitha formave jodemokratike, autoritare dhe totalitare të veprimit.

Partia progresive e moderuar, e bazuar në demokracinë parlamentare dhe në ekonominë kapitaliste të tregut, me trup votues si në klasën e ulët, ashtu edhe në klasën e mesme, do të mund të përshkruhet si parti politike e qendrës së majtë. Ndërsa partia me kërkesa dhe qëllime më të mëdha që e ka trupin votues në atë pjesë të vogël por më të vetëdijshme të klasësë së mesme dhe të ulët, fizike dhe intelektuale, me histori të mbështetjes dhe të pjesëmarrjes në lëvizjet emancipuese dhe progresive, do të mund të përshkruhej si parti e së majtës së re, më radikale. 

Partitë politke të qendrës së majtë, si dhe partitë e tejra majtiste bashkëkohore, rëndom i theksojnë këto vlera: 

– liria – jo vetëm liritë njerëzore, por edhe liria nga diskriminimi, liria e participimit demokratik dhe liria nga varësia, nga varfëria e skajshme, nga frika dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe i pozitës politike, ekonomike dhe i ndonjë pushteti dhe pozite tjetër;

– barazia – jo vetëm para ligjit, por edhe shanset dhe mundësitë e barabarta për të gjithë njerëzit në sferat e ndryshme të jetës, pavarësisht nga dallimet që kanë të bëjnë me identitetin, duke përfshirë edhe ata persona me vështirësi të çfarëdo lloji;  

– solidariteti – të treguarit mirëkuptim dhe ndjeshmëri për personat që janë viktimë e ndonjë forme të diskriminimit, të shkeljes, të pabarazisë apo të rrethanave të rënda dhe gatishmëria personale për veprim të përbashkët me të tjerë, për të gjetur mënyrën për zvogëlimin dhe për parandalimin e dukurive të tilla. Ky parim nënkupton edhe zhvillimin e formave institucionale të solidaritetit si dhe të solidaritetit ndërkombëtar. 

Qendra e majtë i kundërvihet çdo forme të autoritarizmit dhe të monopartizmit apo të monizmit. Me fjalë të tjera, qendra e majtë u kundërvihet koncepteve të sundimit njëpartiak të të ashtuquajturave parti komuniste të shekullit XX. 

*   *   *

Politikanë të njohur të qendrës së majtë kanë qenë: majtisti i moderuar, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 19945-1951, Klement Atli*; majtisti i moderuar dhe kancelari i Gjermanisë në vitet 1969-1974, Vili Brant*; majtisti i moderuar dhe kryeministri i Suedisë në vitet 1969-1976 dhe 1982-1986, Ulof Palme*; majtistja e moderuar dhe kryeministrja e Zelandës së Re në vitet 1999-2008, Helen Klerk*.

Shënim: 

Klement Riçërd Atli (Clement Richard Atlee, 1883-1967) – politikan dhe kryeministër i Britanisë së Madhe; lider i Partisë Laburiste, në vitet 1935-1955;

Vili Brant (i lindur si Herbert Ernst Karl Frahm Brandt; Willy Brandt; 1913-1992) – politikan dhe kancelar gjerman;

Helen Klerk (Helen Elizabeth Clark, 1950-) – politikane dhe kryeministre e Zelandës së Re;

Ulof Palme (Olof Palme, 1927 – 28.02.1986) – politikan dhe kryeministër i Suedisë. Më 28 shkurt 1986, pak para mesnate, në të kthyer nga kinemaja në Stokholm me gruan Lisbet (Anna Lisbeth Christina Palme, 1931-2018), u krye mbi të atentat. U qëllua me dy plumba pas shpine. U qëllua edhe gruaja Lisbet, por ajo kaloi vetëm me plagosje. Ditën e vrasjes, Palme u kishte thënë truprojave se s’ka nevojë për sigurim. Atentatori nuk u zbulua kurrë. Kah fundi i vitit 1988, si vrasës i Palmes u dënua një person i varur nga lëndët narkotike. Pas ankesës së tij, për mungesë provash, instanca gjyqësore më e lartë – e liroi. Në vitin 2004, ky person e humbi jetën në aksident. Në vitin 2020, d.m.th. 34 vjet pas atentatit, prokurori shtetëror Krister Peterson e tregoi emrin e të pandehurit për vrasje. Ky paskësh qenë një diseinues grafik,  suedezi Stig Engstrom (Stig Folke Wilhelm Engström; Mumbai, Indi, 26.02.1934 – 26.06.2000), i njohur si “Scandia men”. Sipas hetuesisë, në vitin 2000 ai kishte vrarë veten. Në vitin 2020, u ndërpre edhe hetimi. 

Gjatë luftës së ftohtë, Palme angazhohej për afrimin me Bllokun lindor dhe për një korridor pa armë bërthamore në Evropën Qendrore. Konservatorët nuk e donin Palmen ngase e kritikonte ShBA-në.        

*   *   *

POLITIKA E QENDRËS

Në politikë, përkatësisht në teorinë politike, qendra është emërtim që shënon lëvizjen, partitë dhe ideologjitë të cilat promovojnë qëndrime midis të majtës dhe të djathtës. Ato synojnë të gjejnë rrugën e mesme midis këtyre dy ideologjive. Ideologjia që e promovon  politika e qendrës si alternativë e së majtës dhe e së djathtës – quhet centrizëm. 

Shpesh përdoret edhe nocioni bashkëkohor rruga e tretë, i cili më shumë përdoret në ekonomi, duke shënuar sintezën e tregut të lirë dhe të ndjeshmërisë sociale, përkatësisht filozofinë e pajtimit ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit demokratik.  

*   *   *

QENDRA RADIKALE

Qendra radikale është shprehje relativisht e re në politikë dhe në teorinë politike për përkufizimin e plotë të së cilës nuk ka përputhshmëri. Megjithëkëtë, kjo shprehje shpesh përdoret për të përshkruar ideologjinë politike, lëvizjet dhe partitë të cilat në mënyrë të prerë i hedhin poshtë skajshmëritë e të majtës dhe të së djathtës, si dhe kompromisin me variantet e tyre, siç janë qendra e majtë dhe qendra e djathtë, përkatësisht largimin nga e ashtuquajtura qendër politike e pastër.

Shprehja “qendër radikale” u popullarizua pas mbarimit të luftës së ftohtë, kur pushimi i luftës ideologjike të së majtës dhe të së djathtës i shtyri shumë njerëz që opsionet e qendrës politike t’i pranojnë si më të përshtatshmet për botën bashkëkohore. Me nocionin “qendra radikale” ndërlidhet edhe nocioni “rruga e tretë”, përkatësisht ideologjia e presidentit amerikan Bill Klinton dhe e kryeministrit britanik Toni Bler.              

*   *   *

RRUGA E TRETË

Rruga e tretë është shprehje e cila në kuptimi më të gjerë përfshin të gjitha ideologjitë apo platformat politike të cilat synojnë t’i tejkalojnë ndarjet tradicionale midis të majtës dhe të djathtës, që kanë qenë karakteristike për shekullin XX, përkatësisht që kanë qenë të lidhura me kapitalizmin dhe socializmin. 

Në kuptim të ngushtë, me këtë shprehje nënkuptohet ideologjia, tradicionalisht e ndërlidhur me konceptin e qendrës radikale që u zhvillua në botën perëndimore në fund të shekullit XX, e që e karakterizonte kompromisi midis politikës ekonomike neoliberale të derregullacionit dhe tregut të lirë, nga një anë si dhe ruajtjes dhe zgjerimit të rolit të shtetit të mirëqenies, nga ana tjetër. Ndonëse ky nocion popullaritetin e vet e arriti më së shumti në saje të librit “Rruga e tretë: Rimëkëmbja e socialdemokracisë” (The Third Way: The Renewal of Social Democracy, 1998) të sociologut dhe politologut britanik Entoni Gedins* (Anthony Giddens, 1938-), megjithëkëtë, ideologjia “e rrugës së tretë” më së shumti ndërlidhet me administratën e presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson “Bill” Clinton, 1946-) në periudhën e viteve 1993-2001 si dhe me qeverinë e kryeministrit britanik Toni Bler (Sir Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) në periudhën e viteve 1997-2007. Që të dy politikanët, partitë e veta – demokratët amerikanë dhe laburistët britanikë – u përpoqën t’i kthejnë djathtas, përkatësisht t’ia afrojnë qendrës politike, duke i bërë kësisoj të pranueshme për spektrin më të gjerë të zgjedhësve apo të votuesve. Sukseset ekonomike, karizma dhe popullariteti global që gëzonin Bill Klintoni dhe Toni Bleri kah fundi i viteve 1990, edhe ideologjinë e rrugës së tretë e bënë jashtëzakonisht tërheqëse për shumë parti të tjera si dhe për politikanët e orientimit socialdemokrat dhe socialist. Duhet shtuar se politikën e rrugës së tretë, kush më shumë e kush më pak, e pranuan të gjitha partitë e majta kryesore në Perëndim, përfshi edhe partitë komuniste të reformuara në Evropën Lindore. Ndjekës më të njohur “të rrugës së tretë” ishin Klintoni dhe Bleri. 

Kah mesi i viteve 2000, ideologjia e rrugës së tretë gjithnjë më tepër është nën goditjen e kritikave, më së shumti nga majtistët tradicionalë të cilët e konsiderojnë si asgjë më tepër se një zbukurim kozmetik të liberalizmit të djathtë, përkatësisht alternativë koherente dhe konkrete e marrë nga politika ekonomike neoliberale. Këto kritika morën hov me shpërthimin e recesionit global para mbarimit të viteve 2000, që e bëri të paqëndrueshëm modelin e deriatëhershëm të shtetit të mirëqenies. 

Shënim: Entoni Gedins (Anthony Giddens, Baron Giddens ka lindur në vitin 1938. Ka qenë profesor i sociologjisë në King’s College, Cambridge (Kolegjin Mbretëror të Universitetit të Kembrixhit). Prej vitit 1970 ka qenë këshilltar i Toni Blerit. 

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: zejneli

PUSHTIMI RUS I UKRAINËS E KA BËRË PËRFUNDIMISHT NATO-N SHUMË HERË MË TË FORTË, MË TË BASHKUAR DHE MË VENDOSUR

July 6, 2022 by s p

PhD Dritan Demiraj/

Samiti i NATO-s në Madrid përfundoi në datat 28-30 qershor dhe është e qartë tashmë se misioni i ri strategjik i SHBA-ve është mbrojtja e Europës, ndërkohë që pas pushtimit të Ukrainës sheshi tjetër i luftës mund të jetë Europa.

Ndërkohë që lufta në Ukrainë prej katër muajsh po intensifikohet gjithmonë dhe më shumë, ky konflikt ka treguar se kjo luftë është siguria e vetme për ndalimin e pushtimit rus drejt vendeve të Bashkimit Europian në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj tre vendeve Baltike dhe Polonisë.

Në gjykimin tim, Europa nuk ka asnjë opsion tjetër, por thjesht dhe vetëm të përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen e afërt. Ky është njëkohësisht edhe vlerësimi i fundit i SHBA-ve, të cilat kanë vendosur më të fund që të shtojnë ndjeshëm prezencën e tyre ushtarake në Europë.

Në shtesë të SHBA-ve, edhe Gjermania e Britania e Madhe kanë vendosur që të shtojnë prezencën e tyre ushtarake në Europë, duke forcuar më tej Krahun Lindor të NATO-s.

Presidenti Amerikan Joe Biden gjatë Samitit deklaroi se: “Ne jemi më të vendosur se kurrë që të zbatojnë artikullin 5, i cili nënkupton që sulmi mbi një vend është sulm mbi të gjithë aleancën. Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo inch të territorit të NATO-s. Së bashku me 29 aleatët e tjerë, jemi të gashtëm t’i përgjigjemi kërcënimeve nga të gjitha drejtimet përmes gjithë territorit tonë në tokë, det dhe në ajër”.

Dy konluzimet kryesore të Samitit të NATOs ishin se:

1. Putinit nuk mund t’i besohet.

2. Aleatët e SHBA-ve në Europë ndihen të kërcënuar dhe për këtë qëllim

Presidenti Biden ka urdhëruar që të mobilizojë edhe më tej ushtrinë Amerikane.

Kjo nënkupton që shumë shpejt, një kontrigjent më i madh Amerikan do të dislokohet në Europë. Ku do të dislokohen konkretisht këto forca?

Një brigadë e përforcuar Amerikane do të stacionohet menjëherë në Rumani në përbërje të së cilët do të jenë 2000 trupa amerikane, në shtesë të tashmë edhe 3000 trupave të tjera që janë të stacionuara që përpara pushtimit në këtë vend. SHBA-të do të dislokojnë në Britaninë e Madhe 2 skuadrone të avionëve F-35, në Spanjë do të dislokojnë dy destrojerë shtesë ndërkohë që edhe katër Destrojerë të tjerë Amerikanë janë në gatishmëri të plotë të stacionuara që më parë në Spanjë. Në shtesë sa më lartë, SHBA-të do të dislokojnë disa njësi shtesë të raketave më të sofistikuara për mbrojtjen kundër-ajrore në Gjermani dhe në Itali

Dislokimi më i madh i ushtrisë Amerikane do të realizohet në Poloni, ku për herë të parë SHBA-të do të vendosin një komandë të përhershme operacionale, Komandën e Korpusit të 5-të Ushtrisë Amerikane, e cila është një forcë e drejtëpërdrejtë luftimi me pajisjet më moderne të saj.

Në ditët e sotme, SHBA-të kanë më shumë se 100.000 trupa të dislokuara, ndërkohë që përpara pushtimit rus të Ukrainës kishin rreth 80.000 të tilla. Pa pushtimit, menjëherë SHBA-të dërguan edhe 20.000 trupa shtesë luftimi.

Ndërkohë edhe Britania e Madhe dhe Gjermania kanë vendosur të shtojnë numrin e trupave ushtarake. Britania do të dërgojë edhe 1000 trupa shtesë në Estoni, ndërkohë që ka të dislokuara edhe 2000 të tilla në vend. Dy skuadrone avionësh sulmi së bashku me aeroplanmbajtësen “Queen Elisabetë” janë në gatishmëri të plotë. Gjermania do të urdhërojnë dërgimin e një brigade luftimi në Lituani.

Pra, për herë të parë NATO po zhvendoset në një lëvizje e cila konsiderohet si ‘agresive’.

Fronti Lindor i NATO-s sot përbëhet nga tetë vende: Estonia, Latvia, Lituania, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, të cilat janë vendet që mund të përballen drejtëpërdrejtë nëse kon+ikti përshkallëzohet më tej.

Konkretisht sot në Estoni ndodhen 2200 trupa në NATO-s dhe 10.500 të ushtrisë së saj, në Poloni gjenden 3481 ushtarë të NATO-s dhe 58.432 të saj. Në të gjithë Frontin Lindor të NATO-s sot gjenden 324.000 ushtarë të SHBA- ve dhe të tetë vendeve të NATO-s. Në këto momente kërkesës për t’ju bashkuar NATO-s i janë shtuar edhe Finlanda dhe Suedia.

Sipas Vladimir Putin-it, “Lëvizjet e fundit të NATO-s, janë lëvizje të cilat tregojnë ambicje imperiale”. Në lidhje me anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO, ai deklaroi se: “Ne nuk kemi asnjë problem me zgjerimin e NATO-s, por në rast se ata dislokojnë infrastrukturë ushtarake në Finlandë e Suedi, edhe ne do të reagojmë ndryshe duke dislokuar armët tona”.

Çfarë nënkupton kjo?

Kjo nënkupton se në të ardhmen Rusia do të dislokojë në këtë front armët më moderne të saj nukleare, avionët strategjikë, sistemet e raketave supersonike, sistemet më moderne të mbrojtjes kundërajrore S-400, S-500, S-550, nëndetëset më moderne, do të ndërtojë baza të reja ushtarake por jo vetëm.

Si përfundim, një gjë është e qartë.

Vërtet ky pushtim ka shkaktuar vdekjen e mijëra qytetarëve dhe ushtarëve të pafajshëm të Ukrainës, ka shkatërruar infrastrukturën e saj në më shumë se 35 për qind të vendit, por e ka bërë përfundimisht NATO-n shumë herë më të fortë, më të bashkuar dhe më vendosur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj

Nderim për atdhetarin Gani Sylaj, për veprën madhështore të lirisë së Kosovës

July 5, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika

Pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar i mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze nuk i realizoi aspiratat e veta, por dhe shqiptarët nuk i ndaluan asnjë herë përpjekjet e tyre për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Sot, me rastin e tre vjetorit të vdekjes së Gani Sylës, përkujtojmë një veprimtar të madh të çështjes atdhetare që tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës. Ai veproi në kohët më të vështira, kur zëri i atdheut thërriste për liri, si detyrë e secilit shqiptar që duhej t’i parashtronte vetit pyetjen se çka mundet me dhënë që atij zëri t’i përgjigjej në kohë të duhur duke dhënë gjithçka për liri. Nuk është lehtë që punën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare ta përshkruash me një shkrim të shkurtër, por po nis nga brezi që mori mbi supet e veta misionin e lirisë, që nuk i thyen as vrasjet e as persekutimet e pushtuesit serb. Brezi i Rexhepi Malës, Nuhi Berishës, Fehmi Lladrovcit, Kadri Zekes, Jusuf Gërvallës e shumë tjerëve, është brezi që pasoi atë të Adem Demaçit, Mehmet Hajrizit, Gani Sylës e shumë atdhetarëve tjerë, është brez i intelektualëve me vlera të mëdha atdhetare. Ky brez, ky spikat Gani Syla, mbajti idealin e lirisë së Kosovës kur pak kush e besonte që nga grupet që përfaqësoniin organizata të ndryshme, të vogla, por të përkushtuara për atdhetarizëm, të shpërndara gjithandej Kosovës, do të arrinin lirinë e Kosovës. Në përpjekjet e vazhdueshme për çlirim, vitet ’70-ta të shek. XX–të, shënuan një kthesë të madhe në intensifikimin e luftës ilegale për çlirimin e Kosovës. Gani Sylaj, ishte strumbullar i lëvizjes ilegale në Kosovë gjatë viteve ’70-ta e deri në çlirimin përfundimtar të atdheut tonë. Gani Sylaj, veprimtar i palodhshmëm i çështjes kombëtare, arriti të organizojë, të zgjerojë aktivitetet për çlirimin e Kosovës, si dhe të frymëzojë të rinjtë me idealin kombëtar, që më vonë ta marrin barrën e përgjegjësisë historike për çlirimin e Kosovës. Disa nga studiuesit shqiptarë andej e këndej kufirit, që shkruan për vitet ’70-ta për Kosovën, fatkeqësisht, shkrimet e tyre i bazonin vetëm në burimet zyrtare jugosllave, të cilat burime ishin falso duke u bazuar në politikën ditor serbe, andaj këto burime nuk shfaqnin të vërtetën dhe realitetin politik të Kosovës, kështu u anashkaluar edhe roli i lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës, që luajtën një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Pra, në historiografinë shqiptare të viteve ’70-ta në Kosovë, nuk janë paraqitur drejt këto ngjarje as historikisht, as shkencërisht, e për më keq duke i dhëne shpesh publikut një pasqyrim të shtrembëruar të zhvillimeve politike të kësaj periudhe. Librat e Gani Sylës, veçanërisht libri ’’Ilegali i viteve shtatëdhjetë’’ është burim dhe referencë e rëndësishme historike për lëvizjen ilegale politike në Kosovë, pra është dokumentim i patejkalueshëm në shkrimin dhe analizën historike shqiptare, andaj këtë literaturë të Gani Sylës duhet konsultuar vazhdimisht, nëse duam të kemi një tablo më të plotë të zhvillimit politik të Kosovës. Andaj, vepra e Gani Sylajt para se gjithash është vlerë akademike dhe shkencore, e cila duhet të jetë burim historik e shkencor për të gjithë hulumtuesit dhe studiuesit e kësaj periudhe. Sot shënojmë tre vjetorin e vdekjes së atdhetarit, veprimtarit dhe të burgosurit politik Gani Sylës, duke ritheksuar se jeta dhe vepra e tij, është e paharrueshme. Ai do të kujtohet ndër breza.

Filed Under: Analiza

MIRËNJOHJE AMERIKËS

July 5, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Fluturoj si zog i lirë mbi New Yorkun e bukur, 

Mallënueshem shoh ishujt rreth kryeqytetit, 

Gradaçielat e larta që bisedojnë me qiellin, 

Dhe statujën e Lirisë që më ngroh me Diellin. 

Por nuk mahnitem jo nga këto perla, 

Mahnitem më shume nga ligjet shekullore, 

Që mirë se të vini i thoni çdo emigranti, 

Mjafton t’i zbatoni ato ne rrugë njerëzore. 

Ështe i vetmi vend, që nuk njeh racizmin, 

Edhe pse racist u treguam me të, 

Villnin qeveritë per imperializmin, 

Si ujkonjat plaka, që s’shqyenin dot më. 

Ja, ashtu më duket duke fluturuar, 

Dhe hirin e robërise shkund ne Oqean, 

Si amanet i te vdekurit, prush për Shqipërinë, 

Ma digjni trupin dhe hirin përhapeni mbi vatan. 

Se zëri i lindur në tymrat e kohës, 

Është më i fuqishëm në zanoret e Lirisë, 

Mbyt krrakjet e sorrave e kukuvajkave, 

E del mbi ta, sa lashtësi e Ilirisë. 

Une e di, dhe ju e dini, o zemra të prangosura, 

Se si diktatorët na futën stërkëmbshin në vallëzimin e shqipeve, 

Dhe dogjën historinë me hellin e zjarrtë, 

Vodhën yllësinë me gjuhën e mbrapshtë. 

Ndaj Amerikë endem e lirë, në sytë e tu, 

Që nga tempujt e gjer në Shtëpinë e Bardhë, 

Nuk thartohem nga kataraktet e botës, uthull, 

Por më ke rrëmbyer të tërën, si zambak i rrallë. 

GRATITUDE AMERICA

I fly like a free bird above beautiful New York,

I see the islands around the big city,

The tall skyscrapers that converse with the heavens,

And the Statue of Liberty that warms me with the sun.

But I am not only amazed by these pearls,

I marvel more at the centuries-old laws,

That say welcome to every immigrant,

Enough to put them on a human path.

It is the only place, that doesn’t know racism,

Even though we were shown as racists to her,

The governments vomited, for imperialism,

Like old she-wolves, that could no longer tear her apart.

So, this is how she seems to me as I am flying,

And the shadow of freedom shimmers in the ocean

Like the final requests of the dead, the embers of Albania

You burn my body, and scatter the ashes over the fatherland.

Because the voice born, in the smoke of time,

Is more powerful in vowels of liberty

And drowns the clamour of crows and barnowls

And overcomes them, as the timelessness of Illyria.

I know, and you know, O hearts of the shackled,

How they tripped us up in the dance of the Albanian language,

And how they burned history, with a fiery spit,

They plundered the constellation, with perverse language.

Toward America we wandered free, in your eyes,

From the wide temple to the white house,

We are not soured by the world’s rapids, vinegar, 

But you have taken me completely, like a rare lily.

Manhattan, New York

Ps: Kjo poezi dhe disa të tjera u recituan në shkollen e mesme Susan E. Wagner, në Staten Island, New York ne një orë mësimi te rregullt organizuar nga Dr.Helen Decker.

Filed Under: Analiza Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Kulla e Isë Boletinit e mbyllur për vizitorët

July 5, 2022 by s p

Skënder Karaçica/

Kemi ardhur për pushime nga Amerika e largët në Kosovën tonë.Po marrim shlirë fyrmë sikurse është e lirë fryma e shtetit të lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Prishtina po e rritë shtetin me ndërtimet urbane.Sa ka ndryshuar përmes jetës së re urbane e pse edhe moderne,kryeqyteti i Republikës së Kosovës!

Ne mërgimtarëve na bëhet zemra mal dhe,e kemi thënë shpeshherë si rregull e pashkruar,në fjalën e gjeneralit të maleve të Kosovës(Isë Boletini):

Ne jemi mirë në diasporën në Amerikë,kur është mirë Kosova…!

Në lagjën e re të Prishtinës(lagjja e re të spitali)takoj njerëzit tanë,ata që deri dje,ua kishte ndalur frymën regjimi i Serbisë dhe pushtetet gjakpirëse të modelit fashist të S.Millosheviq.

Tashti jemi mirë!Jemi në tokën tonë dhe në frymën e lirisë së Kosovës,-thonë ata kur me takojnë.

Në mëngjes,sot,takoj një të moshuar nga Mitrovica.E përshëndes dhe pyes nga jeni…?

Po,jam nga Boletini,-më thotë fjalën shpejt sikurse flasin burrat e Buletinit,ndonëse i pati regjur historia të jenë të shpejtë,syqelë,të patrembur para hasmit…!

Po,si e kemi Boletinin e gjeneralit të maleve të Kosovës të Isë Boletinit,-i them në shenjë respekti.Ai pa një pa dy më kthen përgjigjën burrërore:

Mirë është Boletini,mirë janë malet,por…paksa nuk i kemi mirë punët,-më thotë plaku i Boletinit.

Pse nuk i keni punët mirë,-i them plakut kur pesha e jetës ia dridhte hapat e udhës!

Po,Boletinin e kanë lënë vetë dhe kanë shkuar në qytet.Po,shtëpitë e Boletinit kanë mbetur të boshatisura,thotë plaku me një frymarrje të ngadalshme të jetës.

Para se ndahej,plaku e kthen kokën dhe me thotë edhe ketë fjalë:

Dje isha në Boletin dhe Kulla e Isë Boletinit ishte e mbyllur për vizitorët.Nuk më erdhi mirë që dyert e Kullës së madhe të kombit e të Kosovës të jenë të mbyllura,kur e kur,në ketë verë të pushimeve do të kemi shumë vizitorë nga diaspora dhe nga trojet etnike shqiptare…!

Në dritën e lajmit dhe të fjalës së plakut nga Boletini,do të ishte mirë që pushteti lokal,që e drejton njeriu i respketuar i popullit në Mitrovicë,Bedri Hamza,do të marrë vendimin e duhur,që,Kulla e gjeneralit të maleve të Kosovës të Isë Boletinit mos të jetë e mbyllur për vizitiorët!

Prishtinë, 4 Korrik 2022

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT