
Veri Talushllari
E diel, 3 korrik 2022
Nën tingujt e Himneve Kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë, ushtarakët shqiptarë (të liruar ose në pension), me banim në NY e NJ, që para pesë vitesh kanë krijuar Shoqatën e tyre me emrin e Skënderbeut, kanë filluar edhe këtë vit festën për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një traditë kjo e krijuar këto vite në shenjë nderimi e mirënjohjeje për vendin që i priti si emigrantë, u krijoi mundësi jetese e shkollimi atyre vetë, por në radhë të parë fëmijëve të tyre, por edhe për kontributin për mbrojtjen e përparimin e kombit shqiptar, çlirimin e Kosovës, demokratizimin e dy shteteve shqiptare. Është ky dhe një rast të takohen me njëri tjetrin, pasi kanë qënë shokë shkolle e kolegë, kujtojnë rininë, por edhe të flasin për hallet e problemet, për fëmijët, nipërit e mbesat, për jetën në atdheun e dytë.
Presidenti dhe zv. presidentja e Shoqatës, Bujar Hasani dhe Nadire Xhakolli bëjnë mikpritësin në një lokal të këndshëm shqiptar në Harrison av, pronë e mikut të hershëm të Shoqatës dhe kuzhinjerit të talentuar Arben Xhambazi. Folësit vunë në dukje rëndësinë e 4 Korrikut, një datë që jo vetëm shënoi Pavarësinë e një kombi të ri, por edhe hodhi themelet e vendit më demokratik, e në këto 246 vjet, vendit më të përparuar, që ka ndikuar e ndikon zhvillimet më të mëdha politike, ekonomike, kulturore, teknologjike, shkencore etj.
Për kombin shqiptar, pa dyshim kombi më pro amerikan në botë, lidhja dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qënë një shpëtim, një bekim, pasi sot, në fillim e në mbarim të shekullit të XX-të kemi dy shtetet tona, kemi momentin më të mirë të ekzistencës dhe mbarësisë së kombit tonë. Amerika na u gjet në momentet më të vështira, kur vihej në dyshim pikërisht kjo ekzistencë. Emrat e Presidentëve Wilson e Clinton, janë emra të shenjtë për shqiptarët, për atë që bënë për Shqipërinë më 1919 dhe për Kosovën më1999. E kjo mbështetje dhe ndihmë ka marrë përmasa të reja në ditët tona, kur Shqipëria është anëtare aktive e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, dhe po bën hapa të mëdha në zhvillimet demokratike e ekonomike, drejt një shteti modern demokratik. Edhe në fuqizimin e modernizimin e Ushtrisë Shqiptare dhe Forcave të Sigurisë të Kosovës, ndihma e përvoja amerikane janë të një rëndësie jetike.
Pas përshëndetjeve të rastit, mjedisi mbushet nga tingujt e muzikës së këngëve e valleve shqiptare. Dikush ka dëshirë të thotë dy fjalë. Me gotë në dorë avokatja Mimoza Ferraj, vajzë ushtaraku, një nga ato pak vajza e djem studentë të guximshëm që në vitin1990 nisën dhe udhëhoqën Lëvizjen Studentore, Pishtare e Demokracisë, shpreh gëzimin që është në këtë festë, mes shokëve dhe kolegëve të babait e që i sheh ata të ingranuar në jetën amerikane e që edhe këtu janë të bashkuar e i gjenden njëri tjetrit. Ndahen çertifikata mirënjohjeje për veprimtarët e Shoqatës por edhe për miqtë që kanë marë pjesë në veprimtaritë e saj. Ja, një “Mirënjohje” për z.Adem Malellari, kryetar i Degës së Shoqatës “Vatra” të New Jersey-t, një mik i Shoqatës “Skënderbej USA”. Dhe një tjetër” Mirënjohje ” për Akademik Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave. Prof. Kodra, i sapokthyer nga një udhëtim me plot veprimtari shkencore e atdhetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, flet me entuziazëm për pritjen që i bënë atje. E njëherësh bie dakord që në muajt e ardhshëm të organizohet një veprimtari e përbashkët mes Akademisë dhe Shoqatës “Skënderbej USA”.
U fol për promovimin e dy librave të nivelit akademik nga dy anëtarë të Shoqatës, për Mërgatën Shqiptare të Amerikës nga Shefqet A. Saliu dhe Album Historik i Kongresit të Manastirit nga Engjëll Zerdelia. Mes festuesve ka dhe miq të Shoqatës, si dhe anëtarë të rinj. I kërkohet poetit Hekuran Miraka të thotë diçka, mbase dhe përmes vargjeve të poezive të tij. Por ai i kërkon DJ të luajë një këngë me vargjet e tij që pritet me duartrokitje. Ndërsa të ardhurit rishtas në Shoqatë, Gëzim Mehmeti, Bashkim Dobrusha, Naim Elezi, Gëzim Canaj, shprehin kënaqësinë për takimin me kolegë të hershëm dhe miq të rinj, si dhe për organizimin e synimet e Shoqatës. Nga Shqipëria një dhuratë e veçantë: studiuesi dhe poeti ushtarak (P) Avni Skënderaj ka dërguar dy libra, një Historik të Mbrojtjes Kundërajrore dhe Portrete të Ushtarakëve të kësaj arme, që bëhen pjesë e Bibliotekës së Shoqatës.
Përsëri këngë, valle e vallëzim, dolli e shëndete sipas traditës shqiptare. E ndërkohë nëpërmjet rrjeteve sociale, pasi hidhen fotot e videot e para, vijnë urime e përgëzime nga kolegë, miq e shokë, si dhe nga shoqatat e ushtarakëve në Shqipëri e nëpër botë. Të gjithë urojnë me zemër “4-th of July”, ditëlindjen e Amerikës dhe kështu, për festa e gëzime u mbledhshim gjithnjë!



